Irina

Parashikimi i motit, e mërkurë 20 maj 2020

Moti sot parashikohet me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura nga orët e mesditës deri ato të pasdites në pjesën më të madhe të vendit.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në formë pikash në pjesën më të madhe të territorit.

Në veri e verilindje dhe lindje reshjet marrin përkohësisht karakter shtrëngatash me rrufe deri në mesditë. Mjegullinë e izoluar.

Era do të fryjë me drejtim Jugperëndim –Verilindje me shpejtësi 1-10m/s. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2-3 ballë duke u shoqëruar me lartësi dallge 0.8-1.5 metër.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/26 diell shi
Kukës 17/24 diell shi
Lezhë 22/27 diell shi
Dibër 16/23 diell shi
Durrës 18/24 diell shi
Tiranë 21/28 diell shi
Elbasan 19/29 diell shi
Berat 15/28 diell shi
Vlorë 19/26 diell shi
Korçë 17/23 Re diell
Gjirokastër 14/27 Re diell
Sarandë 17/29 Re diell/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 20 maj 2020 Read More »

Teatri Kombëtar, Basha: Do të rindërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë

“Zëra nga e gjithë Europa janë bashkuar për të dënuar në mënyrë të plotë dhe pa asnjë mëdyshje, pa asnjë ekuivok, krimin që ndodhi të dielën në mëngjes”, tha sot kryetari i PD-së Basha, i ftuar në një emision televiziv.

Basha shtoi se “krimi përbëhet me dy pjesë: përbëhet nga pjesa materiale e krimit, që është shkatërrimi i një ndërtese me vlera historike, kulturore të çmuara për Shqipërinë, por tani e dinë edhe për Europën, sepse ishte Europa Nostra ajo që e renditi ndër 7 monumentet që duhen mbrojtur në Europë dhe që madje filloi të siguronte dhe financimin për restaurimin e tij, kjo është pjesa materiale e krimit”.

“Është një pjesë tjetër që ka galvanizuar këtë lloj reagimi të cilin për fat të keq dhe këtu është pjesa e dytë ku bie dakord me Vincentin. Nuk e pamë kur u prishën shtëpitë e banorëve të unazës së re, të Shkozës apo në fund të bulevardit të ri. Nuk e pamë kur u dhunuan dhe u përgjakën aktivistë, gazetarë, kur u mbyllën media kritike apo televizione kritike me qeverinë”, tha ai.

“Nuk e pamë kur u rrënuan standardet zgjedhore, u kapën me presh në duar duke manipuluar votat e shqiptarëve, zgjedhjet e shqiptarëve në bashkëpunim me krimin e organizuar. Nuk e pamë kur Shqipëria u kthye në hambar droge për të financuar kapjen e pushtetit, për të financuar kapjen e ekonomisë. Në këtë kuptim, kjo është pika e kthesës, kjo është vija e kuqe dhe shkon shumë përtej simbolikës së ndërtesës, e cila dua ta theksoj edhe një herë, do të rindërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë. Dhe ata që morën pjesë në këtë krim në pjesën materiale të këtij krimi, nga i pari, tek i fundit do të përballen me drejtësinë. Ky është një zotim që unë e kam firmosur me shkrim me Aleancën për Teatrin në korrikun e vitit të kaluar dhe të cilit i qëndroj plotësisht me nderin tim, në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar, dhe që është diçka që do ta bëjmë realitet”, tha ai. /atsh

Teatri Kombëtar, Basha: Do të rindërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë Read More »

Letër e hapur për Kryetarin e Bashkisë Vlorë zotin Dritan Leli – Nga Laureta Petoshati

Letër e hapur për Kryetarin e Bashkisë Vlorë zotin Dritan Leli,
Zoti Dritan Leli,
Para dy vjetësh që më vdiq im atë Xhelo Petoshati, një ushtarak karriere , atëherë një kushëriri i tij, duke parë që unë ngela pa punë, ju drejtua juve duke u thënë se ishe i detyruar të më ndihmoje, jo se isha intelektuale me tre gjuhë të huaja të mbrojtura dhe me botime jashtë shtetit, por për faktin e shkrimeve të mijat, për Vlorën, për të cilat nuk kam marrë një qindarkë. Për më tepër, televizioni ku kisha punuar më parë, u mbyll se pronari i saj u vra në mënyrë mafioze. Juve e kundërshtuat me arsyetimin se ndiheshit i ofenduar që u kisha kthyer “Mirënjohjen e Qytetit”. Unë nuk mund të gënjeja se donit ju që më cilësonit mësuese. Gjithsesi, unë jam treguar mjaft qytetare dhe për të mirën e qytetit kam komunikuar me ju dhe me e-mail kur iu dhashë të dhënat mbi Shën Donatin. Nuk kam kërkuar punë te ju, jo se nuk kam pasur nevojë, por natyrën tuaj hakmarrëse nuk e kam honepsur. Ju , me mosnjohjen tuaj, me natyrën tuaj prej hakmarrësi më shumë i keni bërë keq se mirë qytetit. Ju e keni betonizuar Vlorën, bregun e detit, i hoqët Vlorës palmat, pemët dekorative aromatike dhe keni lënë mjaft të rinj e të reja të talentuar e të shkolluar dhe jashtë shtetit pa punë, u ke hequr dëshirën për të kontribuar këtu. Ju keni sjellë jashtë Vlore njerëz që nuk e njohin qytetin, që të krekosen me një arrogancë të ulët. Dhe nëse doni fakte unë mund të shkruaj për to. Madje dhe teatrin “Petro Marko” e ke kthyer në shtëpi funerale.
Dhe fakti më i fundit është që në krye të bibliotekës së Vlorës keni vendosur një ushtarake, që mundet të ketë dalë dhe në pension në ushtri. Unë nuk kam bërë as kërkesë dhe as konkurs se ju nuk bëni konkurse, madje dhe të më thuash eja, nuk pranoj të vij që të punoj për ju. Unë i përkas asaj familjeje, që nuk ka kursyer as jetën për këtë vend. Por kam një pyetje: Pak veta në Vlorë kanë mbaruar në lëndë shoqërore, si gjuhë letërsi, apo pak studiues, e poetë ka Vlora që të zgjidhje një ushtarake? Ajo mund të jetë poete, por si ajo Vlora ka me qindra, aq më tepër që ajo ishte në punë. Është e trishtueshme që edhe Kryetari i Klubit “Petro Marko”, zoti Myrteza Mara, është një ish ushtarak, që po nuk i zbatove urdhrin të heq dhe nga antologjia si poete. Mua që kam botuar para tij më ka hequr emrin , madje me atë finokërinë e tij vendos njerëz si turra e karkalecave që të denigrojnë. Por meqë ata janë mësuar të zbatojnë urdhra dhe unë jam antikonformiste që nuk i lutem askujt me përjashtim të zotit, ju i keni zgjedhur dhe për kulturën. Myrteza Mara është ndërtues, por unë jam inxhiniere, është më i zoti se unë se di e manovron. Nuk i del rroga që merr, por merr dhe një të dytë si këshilltar kulture. Ndërsa poetja e madhe, Elma Rama që është drejtore biblioteke është gruaja e nënkryetarit aktual të bashkisë z. Shkëlqim Rama, një ish ushtarak. Thonë që edhe përgjegjësja e kulturës që e keni sjellë nga Tirana, e ka burrin të punësuar në bashki.
Dhe e fundit, unë kam një kushëririn tim, që ka mbaruar shkollën ushtarake dhe është djalë dëshmori. I ati i tij ka rënë në krye të detyrës. Ai nuk vjen kurrë më 5 maj në varrezat e dëshmorëve, as për të atin dhe as për xhaxhanë e tij. Jo se nuk respekton gjakun e tij, por nuk dëshiron që të shohë ca hipokritë, ca gënjeshtarë e ca përfitues. Ai është pa punë dhe kurrë nuk ka kërkuar punë sado që njeh disa gjuhë të huaja, por nuk e bën, nuk kërkon se nuk do t’u falet ca njerëzve që kanë harruar çfarë janë vlerat dhe kërkojnë të luajnë me ndjeshmërinë dhe inteligjencën e të tjerëve. Kemi pranuar të bëjmë ca punë krahu, se si besimtarë nuk e kemi për turp shërbimin, por nënshtrimin.
Jam krenare që ta kam kthyer atë dëftesë bakalli.
Me respekt për Vlorën dhe vlonjatet
Laureta Petoshati

Letër e hapur për Kryetarin e Bashkisë Vlorë zotin Dritan Leli – Nga Laureta Petoshati Read More »

Brenda majit hapet kufiri me Kosovën

Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të hapet brenda muajit maj.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive, duke theksuar se për të hapur kufirin nuk ka nevojë të merremi vesh me asnjë. “Ne do marrim vendimin dhe do hapim kufirin”, tha ai.

“Këtë gjë do ta bëjmë brenda muajit maj, nuk di t’ju them datën, por brenda majit do hapet kufiri dhe ju mund të vini”, – u shpreh Rama.

I pyetur lidhur me deklarimet e tij se nuk ka me këtë të bisedojë në Kosovë për hapjen e kufirit, Kryeministri Rama u shpreh se “unë isha duke u larguar nga intervista në skype me gazetarin Blendi Fevziu dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke hyrë. Më thotë gazetari Fevziu me kë do të bisedoni për këtë çështje, Thaçi tha duhet të koordinohemi njëherë. I thashë koordinohuni njëherë me njëri-tjetrin atje, ta dimë se me kë të bisedojmë, kjo ishte përgjigja me humor”./atsh

Brenda majit hapet kufiri me Kosovën Read More »

U infektua pasi vizitoi prindërit në Fier, 36 -vjeçarja në pritje për t’u bërë sërish nënë fiton betejën me COVID-19

Lajme të mira vijnë nga spitali Infektiv në Tiranë. Gruaja shtatzënë e prekur nga COVID-19 ka rezultuar negative në dy teste duke fituar kështu betejën me koronavirusin.

“Pas më shumë se 10 ditësh në spitalin Infektiv, 36-vjeçarja kthehet shëndosh e mirë pranë familjes, plotësisht e shëruar, në pritje për t’u bërë sërish nënë”,- tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja ka publikuar edhe dy momente të veçanta, teksa 36-vjeçarja që është në muajt e fundit të shtatzanisë i nënshtrohet kontrollit mjekësor dhe një foto së bashku me ekipin e mjekëve pak para se të dilte e shëruar plotësisht nga spitali.

36-vjeçarja u infektua nga COVID-19 pasi shkoi të vizitonte prindërit e saj në Fier, të cilët ishin të prekur nga ky virus. Por sot falë edhe punës së përkushtuar të bluzave të bardha në spitalin Infektiv, ajo u kthye e shëruar pranë familjes së saj./atsh

U infektua pasi vizitoi prindërit në Fier, 36 -vjeçarja në pritje për t’u bërë sërish nënë fiton betejën me COVID-19 Read More »

Shembja e Teatrit/Basha: Do mbledhim koalicionin për të ndërmarrë veprimet politike

Opozita jo parlamentare, grupi i artistëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar si dhe aktivistët e shoqërisë civile, po protestojnë sot para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Ata kanë tentuar të thyejnë perimetrin e sigurisë të vendosur nga Policia e Shtetit teksa punonjësit e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit po vijojnë me prishjen e godinës prej tallashi të Teatrit Kombëtar.

Policia ndërhyri menjëherë duke e mos lejuar që kordoni të kalohet nga protestuesit, aktivistët si dhe përfaqësues të opozitës jo parlamentare.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i cili shkoi në mbështetje të protestuesve tha se PD-ja me aleatët do të marrin vendime politike.

Sipas tij, u dhunuan artistë të rinj të pafajshëm e drejtues të opozitës sepse shkuan në ndihmë të grave që po dhunoheshin.

“ Tani që flasim kryetari i Forumit Rinor ndodhet i shoqëruar në komisariatin nr 6 edhe ai i dhunuar. Dhunë barbare, paligjshmëri dhe siç shikoni këtu kanë sjellë po aq, mos më shumë polici se gjatë protestave të opozitës. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që këta policë duhet të ishin në shërbim të qytetarëve”, tha Basha.

Ai tha se “koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”.

Basha u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndjekin në rrugën politike.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha për mediat pas shembjes së godinës së teatrit se “sot u shkatërrua historia”.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos e njohin më shtetin e Edi Ramës. Veliaj dhe Rama sot kanë shkatërruar historinë”, tha ajo./atsh

Shembja e Teatrit/Basha: Do mbledhim koalicionin për të ndërmarrë veprimet politike Read More »

Plazhet këtë vit, shumë më tepër publike sesa private

Plazhet këtë vit do të jenë shumë më tepër publike sesa private. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në përgjigje të interesit të qytetarëve lidhur me sezonin turistik.

Rama tha se “do të jemi shumë strikt me këtë, kjo e keqe që na ka zënë të gjithëve do të vijë me të mirën, që do ketë më shumë hapësirë për shqiptarët që të bëjnë plazh pa ju dal përpara njeri që “këtu është tokë e xanun”, por duke zgjedhur hapësirën në plazhin publik”.

“Patjetër që ku ka hotele do ketë plazhe private. Aty ku janë plazhe shumë të populluara do gjendet një zgjidhje e balancuar, por do ketë plazh pa salltanete të mëdha, pa ato shezlongë që s’të lënë të shohësh as rërën”, u shpreh Rama. /atsh

Plazhet këtë vit, shumë më tepër publike sesa private Read More »

Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti e dhjetëra artistë të tjerë thirrje Metës dhe Bashës: Mos e pengoni Teatrin e Ri, është nevojë urgjente për ne, boll me lot krokodili

Një grup aktorësh dhe regjisorësh të kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës së artit shqiptar: Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi etj., i janë drejtuar pasditen e sotme me një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për t’iu përsëritur edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër.

Dhjetëra aktorët dhe regjisorët e kanë firmosur peticionin, i cili në fakt është peticioni i tretë që i drejtohet krerëve të shtetit për çështjen e Teatrit Kombëtar që nga viti 2018, ku deklarojnë se ndërtimin e Teatrit të Ri e konsiderojnë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe u bëjnë thirrje atyre që t’i lënë lojërat politike, sepse pikërisht nga këto lojëra komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa Teatër.

“Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës”, shprehen artistët në peticionin drejtuar Metës, Ramës, Bashës dhe Kryemadhit.

Ndërkaq, për grupimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artistët shprehen se disa i kanë miq, po disa të tjerë as nuk i njohin kush janë, por u bëjnë thirrje të ndahen nga politikanët, sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe as “tokë e xanun”.

Grupi firmëtar shprehet se peticioni po vazhdon të nënshkruhet edhe nga shumë artistë në këto momente, të cilët mbështesin planet për Teatrin e Ri Kombëtar.

Teksti i plotë i peticionit:

Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, detyrohemi sot të rimerremi me një debat të shteruar plotësisht, të cilin nga ana jonë e konsiderojmë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe të interesit të komunitetit tonë! Me anë të këtij peticioni publik, nuk duam të flasim më për nevojën e lashtë që komuniteti ynë ka për një Teatër të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, i cili duhet të ndërtohet pa asnjë diskutim në truallin e kompleksit ekzistues, sepse ai truall ka qenë, është dhe duhet të mbetet trualli material e shpirtëror i komunitetit tonë në breza.

Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ne duam të ndajmë me Ju dhe publikun shqiptar, bindjen tonë se kushdo që do të përpiqet ta përdorë më tej emrin dhe skenën e Teatrit Kombëtar për teatro të natyrave të ndryshme, pa asnjë lidhje me teatrin tonë, nuk do as të mirën e kulturës shqiptare, as të mirën e Teatrit Kombëtar dhe as të mirën tonë jo dhe jo!

Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës, që nuk mund të vazhdojë të ndjekë edhe për 50 vjet të tjera teatrin politik me Teatrin Kombëtar, në vend të shfaqjeve tona.

Ndaj, të nderuar zotërinj, kërkojmë nga Ju të mos përziheni më me nevojën urgjente që ka komuniteti ynë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar! Sepse boll dekada janë djegur duke pritur që të merreni vesh Ju me njëri-tjetrin për zgjidhjen e këtij halli jetik për ne. Keni boll punë të tjera edhe më të mëdha, prandaj me konsideratën më të lartë, ne Ju kërkojmë të mos kërkoni tek Teatri Kombëtar as punë dhe as masha për këtë punë!

Kryeministri Rama le të merret me Armikun e Padukshëm, Lulzim Basha le të merret me Ramën, Presidenti Meta le të merret me Kushtetutën, ndërsa ne të mos merremi më nëpër këmbë me ose pa dashjen Tuaj!

Sa për ata pak kolegë dhe “kolegë” që mendojnë se kanë marrë përsipër të mbrojnë godinën, shumicën e të cilëve nuk i njohim kush janë apo disa i kemi edhe miq (pavarësisht se nuk e gjejmë dot mbi çfarë karriere skenike kanë monopolizuar dhe devijuar totalisht kauzën tonë), ne kemi lutjen publike që të ndahen nga politikanët! Sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe skena kombëtare nuk është “tokë e xanun”!

Historia e Teatrit Kombëtar nuk shkruhet tek dera e godinës, po në qendër të skenës!

Duke ju uruar suksese në punën Tuaj dhe shëndet në familjet Tuaja, urojmë që të mos e konsideroni këtë thirrje publike si një letër më shumë pa përgjigje.

Me respekt,

Robert Ndrenika
Luftar Paja
Viktor Zhusti
Artan Imami
Spiro Duni
Leka Bungo
Altin Basha
Arben Derhemi
Pëllumb Kulla
Arben Kumbaro
Marjana Kondi
Zamira Kita
Helidon Fino
Ema Andrea
Hervin Çuli
Luli Hoxha
Laert Vasili
Salsano Rrapi
Gazmend Paja
Lulzim Zeqja
Genc Shkodrani
Gjergj Mena
Sonila Kapidani
Iliriana Basha
Marin Orhanasi
Bajram Dosti
Ledio Lako
Jonida Beqo
Josif Sina
Aleksandër Grami
Eriola Kakeli
Erblin Bajko
Edvin Mustafa
Laejda Hajdari
Jorkë Brokaj
Jaho Guma
Roland Saro
Edmond Rrapi
Kozeta Kurti
Kristo Cala
Albana Perhati
Dervish Biba
Armela Demaj
Algiona Aga
Alex Seitaj
Genti Deçka
Donald Shehu
Klesta Shero
Roerd Toçe
Amri Hasanlliu
Andon Koço
Laid Ymeri
Besart Cani
Afrim Agalliu
Artan Islami
Margent Caushi
Agron Hamo
Artur Dhamo

Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti e dhjetëra artistë të tjerë thirrje Metës dhe Bashës: Mos e pengoni Teatrin e Ri, është nevojë urgjente për ne, boll me lot krokodili Read More »