Irina

Prodhimi i bollshëm i sezonit ul me 20% çmimet e produkteve bujqësore

Prodhimi i bollshëm bujqësor vendas që ka mbushur tregjet ka sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve të shitjes në javën e parë të muajit qershor.

Nga një vëzhgim në tregjet e shitjes me shumicës të produkteve bujqësore, në kryeqytet shihet se çmimet e artikujve kryesorë bujqësor të serrave dhe të fushës, janë ulur krahasuar me javët e fundit të muajit maj.

Kështu çmimet e domates, specit, sallatës, kastravecit etj., janë ulur me rreth 30 deri 50 lekë/kg. Kështu domatet shiten me 100 lekë/kg deri 80 lekë/kg, nga 150 lekë/kg një javë më parë. Specat tregtohen me 110 lekë/kg nga 170 lekë/kg një javë më parë dhe kastravecat janë ulur në 70 lekë/kg.

Ndërsa me rritje të çmimit rezultojnë prodhimet që janë në fillim të sezonit dhe një pjesë e prodhimeve të importit, ku kryesojnë frutat me një rritje prej 20 lekë/kg më shtrenjtë. /atsh

Prodhimi i bollshëm i sezonit ul me 20% çmimet e produkteve bujqësore Read More »

Nënshkruhet kontrata 3-vjeçare kolektive e punës me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë

Ministria e Kulturës, nënshkroi me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, kontratën 3-vjeçare kolektive të punës e cila ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe detyrimeve të institucioneve publike të artit dhe kulturës, në cilësinë e “punëdhënësit” dhe “punëmarrësve” artistë.

Ministria e Kulturës, njoftoi sot se, “në përmbushje të misionit të saj për hartimin dhe zhvillimin e politikave në fushën e artit dhe kulturës si dhe në respektim të Kodit të Punës, nënshkroi me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, kontratën 3-vjeçare kolektive të punës, e cila ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe detyrimeve të institucioneve publike të artit dhe kulturës, në cilësinë e “punëdhënësit” dhe “punëmarrësve” artistë”.

“Kjo kontratë garanton mundësi punësimi për të rinjtë, rregullim të marrëdhënieve në punë, liri krijuese e sindakale”, thekson Ministria e Kulturës.

“Për asnjë moment nuk do të reshtë dialogu me artistët për gjetjen e zgjidhjes së problemeve dhe ngritjen e cilësisë artistike”, ka shtuar Ministria e Kulturës./atsh

Nënshkruhet kontrata 3-vjeçare kolektive e punës me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë Read More »

Rrugë të mbarë o ëngjëll për atje ku u nise! Në botën e përhershme të parajsës!

Landi Begotarja

I vetmi gabim i nenes time ishte qe zbriti nje engjell nga qielli per te jetuar ne toke.
Dhe i vetmi gabim i nipit tim Jaupit 17 vjec, ishte qe ai ishte nje engjell.
Se engjejt nuk jetojne ne toke.
Rruge te mbare o engjell per atje ku u nise.
Ne boten e perhershme te parajses.

Rrugë të mbarë o ëngjëll për atje ku u nise! Në botën e përhershme të parajsës! Read More »

“Ndërprisni identifikimin e viktimave”/ Shahini: Dyfishojmë numrin e psikologëve socialë në shkolla

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dënoi rëndë ngjarjen ku një 65-vjeçar abuzoi me një 15-vjeçare dhe tha se rasti i është përcjellë organeve të drejtësisë.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend, Shahini theksoi se, “ne kemi përgjegjësi institucionale të ndryshojmë kulturën në shkolla, ashtu sikurse gjithë secili nga ne ka përgjegjësi të ndryshojë kulturën individuale në rrethin e tij”.

“Grupi i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e grave, më ka nisur një e-mail ku kërkojnë që Ministria e Arsimit të përgjigjet për rastet individuale të abuzimit me fëmijët. Dua të bëjë të qartë, – tha Shahini, – se as sot, as dje, as kurrë për sa jam unë ministre, Ministria e Arsimit nuk do të prononcohet për rastet individuale të abuzimit, sepse kjo kontribuon në riabuzimin që po i bëni viktimave, duke kërkuar detaje të abuzimit dhe duke i identifikuar ato”.

Ministrja tha se, strukturat arsimore do të flasin gjithmonë për fenomenin dhe marrjen e masave parandaluese dhe ndëshkuese në mbështetje të fëmijëve dhe të të rinjve.

Ajo i bëri apel edhe organizatave joqeveritare të rrisin informacionet sensibilizuese dhe informuese për personat që duhet të mbrojnë. Këto organizata paguhen nga donatorët dhe qeveria për të mbrojtur gratë dhe fëmijët dhe për të raportuar rastet e dhunës.

“Kemi kërkuar hetim urgjent administrativ për protokollet që zbatohen nga OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbim publik për mbrojtjen e fëmijëve. Ministria e Arsimit ka kërkuar gjithashtu që Urdhëri i Psikologut të raportojë për trajnimet, që ka zhvilluar për çështjet e ngacmimit seksual, me psikologët sidomos ato që punojnë në gjykata dhe ata që punojnë në shkolla si dhe ju kemi dërguar bashkive kriteret që duhet të plotësojnë rojet dhe stafi sanitar, për personat që punësohen nëpër shkolla”, – tha Shahini.

Sipas saj, bashkitë duhet të kenë parasysh që stafi që punon në shkolla të jetë me integritet.

“Kemi kërkuar nga autoriteti i medieve audiovizive që të marrin masa urgjentisht ndaj medias që kishte botuar të plotë dëshminë e një të mituri të abuzuar, dëshminë policore”, – tha Shahini.

Ajo i bëri apel AMA-s të mos presë nxitje nga Ministria, por të veprojë për këto raste që siç tha ajo, “abuzojnë për së dyti duke raportuar këto detaje që shkelin të drejtat bazike të fëmijëve”.

Ministrja tha se, përpara pandemisë në bashkëpunim me institucionet e linjës ka nisur një investigim serioz të të gjitha hallkave parandaluese dhe reaguese të këtyre rasteve dhe kemi dërguar siç tha ajo, “një platformë të cilën do të ta parashtrojmë në parlament në mënyrë që ta përmirësojmë këtë sistem”.

“Ne si Ministri e Arsimit kemi vendosur të dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë nëpër shkolla, dhe të nisim një fushatë informuese për nxënësit për të drejtat e tyre se si i mbron rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu dhe Kodi Penal”, – tha Shahini.

“Por dua të përsëris, KJO NUK MJAFTON. Nëse duam të parandalojmë ngacmimin, abuzimin, dhunën dhe diskriminimin e fëmijëve, grave dhe grupeve të brishta, duhet që secili nga ne të punojë për të luftuar sistemin patriarkal që denigron grupet e brishta dhe mundëson abuzimin”, – u shpreh ajo. //atsh

“Ndërprisni identifikimin e viktimave”/ Shahini: Dyfishojmë numrin e psikologëve socialë në shkolla Read More »

Ta marrin dhe ta bëjnë vetë elektronikën, nëse ka certifikimin ndërkombëtar ne jemi dakord

“Nga momenti i firmosjes së kontratës, deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimumi 6 muaj”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje.

“Ne duke pasur parasysh edhe një nga konkluzionet e atij studimi që bëmë dhe të eksperimenteve që bëmë dhe nga kompanitë, se nuk janë 100 kompani në botë që e bëjnë këtë punë, janë shumë pak kompani në botë që e bëjnë këtë punë, sepse nuk ka shumë kërkesë në botë për të futur teknologjinë në zgjedhje, na thanë të gjitha nga momenti i firmosjes së kontratës, deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimumi 6 muaj”, tha Rama.

“Sot jemi shumë vonë, jemi në qershor. Procesi këtu në parlament kërkon javët e veta. Po le ta zëmë se do të miratohet në fund të qershorit. Do të duhet të votohet nga parlamenti e gjithë struktura, emër për emër e KQZ-së së re që është komplet model tjetër. Do të marrë gjithë korrikun në rastin më të mirë. Ja do t’u duhet atyre po them 40 ditë që është shumë pak për të përgatitur gjithë studimin dhe termat e referencës. Ja edhe 2 javë deri në fund të shtatorit për ta hedhur në garë ndërkombëtare. Kush do vijë ta bëjë?. Në tetor-nëntor 60 ditë tenderi ndërkombëtar. Po ja dhe 30 ditë të tjera ankimet, jo ma mori jo s’ma mori. Pastaj në janar kontratat. Në shkurt fillon puna për ta bërë sistemin. Në 15 prill, 15 maj është vendosur midis një date aty do bëhen zgjedhjet. Si do bëhen?”, u shpreh Rama.

“Atëherë ne thamë nuk ka problem. Ne pranojmë që të bëhen 100% nëse arrihet dhe të hyjë identifikimi elektronik për aq sa arrihet 5%, 10, 20, 30, 70, pjesa tjetër të vazhdojë me tradicionalen dhe PD ta gjejë një njeri vetë. Ta zgjedhi brenda në një nga dhomat SHQUPI-it, nuk na intereson fare se sa i depolitizuar apo i politizuar është. Ta vendosi atje me votën tonë, tuajën e dini vetë, po tonën ta vendos atje zëvendës/kryetar të KQZ-së me mandatin ekskluziv që të merret me teknologjinë. Vetë. Që mos thonë pastaj jo tenderi kështu, jo Edi Rama ashtu, jo Ogerta andej, jo Lindita Nikolla këtej, jo qafiri këtu e jo ndrikulla atje. Ta bëjnë vetë. Nëse arrijnë ta bëjnë, e njohim. Me një ekspert ndërkombëtar për këtë fushë që të jetë bashkë me ata aty dhe ne nuk kemi punë. Nuk duam ne fare, fare të hyjmë në asnjë lloj mënyre në këtë proces. Ta bëjnë dhe ta marrin elektronikën ta bëjnë vetë. E bënë, ka certifikimin ndërkombëtar. Vjen kompania, i bën elektronike të gjitha qendrat. Ne jemi dakord s’ka problem. Ta bëjnë vetë ata”, u shpreh kreu i qeverisë. /atsh

Ta marrin dhe ta bëjnë vetë elektronikën, nëse ka certifikimin ndërkombëtar ne jemi dakord Read More »

Rasti i të miturës/ Fatkeqësi të shikosh se si një viktimë e dhunës përdoret, Shahini ka marrë të gjitha masat që parasheh ligji

Kryeministri Edi Rama dënoi sot ekspozimin në media të identitetit të së miturës së përdhunuar, ngjarje e publikuar pak ditë më parë.

“Është për të ardhur keq, që përveç asaj që ndodhi, që nuk është hera e parë që ndodh, për fat të keq, u përsërit ajo që ndodh pas çdo here, u kalua në abuzim që nuk është në nivelin e dhunimit trupor, por në nivelin e dhunimit psikologjik të një populli të tërë. Është fatkeqësi që të shikosh njerëz që kanë një mikrofon, kanë mundësinë të thonë fjalën e tyre, pavarësisht se çfarë janë, deputet, shoqëri civile apo analist dhe që e marrin viktimën dhe e bëjnë mish për topat e tyre. Është diçka që nuk ndodh në asnjë vend të botës, ndodh në Shqipëri. Atë viktimë, që gjënë më të rëndësishme dhe kërkesën themelore që ka, gjë që e thonë e rrëfejnë viktimat e dhunës së kësaj natyre është: më ruani anonimitetin, e marrin e e përplasin murë më murë, portal më portal e ekran më ekran”, tha Rama.

Kjo sipas tij, është kanibalizëm pseudointelektual, pseudopolitik, pseudoqytetar, pseudonjerëzor.

Kryeministri u shpreh se është fatkeqësi të shikosh se si një viktimë e dhunës, një e mitur, përdoret në këtë farë feje me e pavetëdije, me lot të sinqertë apo krokodili.

“Unë nuk kam dyshim që disa që flasin vuajnë me të vërtet, por në fakt krimi është krim, me vetëdije apo pavetëdije, kur vret, vret, kur dhunon, dhunon. Po ju them të gjithëve që kanë folur dhe e kanë marrë viktimën e kanë kthyer në shkop për t’i rënë të tjerëve, që jeni ridhunues të asaj faktkeqeje. E keni ridhunuar dhe nga ana tjetër, unë nuk besoj një sekondë të vetme që ata që dhunojnë publikisht ministren e Arsimit, një grua, e që flasin për të drejtat e nënave e grave, e kanë hallin vërtet te ajo viktimë. Nuk mund të mbrosh një viktimë të abuzimit duke abuzuar dikë tjetër”, u shpreh Rama.

Kryeministri më tej, vuri në dukje se “Kisha Katolike ka prej vitesh që ka hyrë në një proces të tmerrshëm të përballjes me pedofilinë, Kisha Katolike Botërore, kardinalë, peshkopë të të gjitha niveleve, janë të përfshirë në skandale ngacmimesh ekstreme seksuale dhe shfrytëzimi sistemik të pedofilisë“.

Dhe kjo gjë, tha Rama, që e ka goditur në mënyrë shumë të egër kredibilitetin e vet Kishës Katolike, nuk ka qenë kurrë as brenda Kishës, as në shoqëritë që janë përballur me fenomenin e priftërinjve e autoriteteve kishtare të zbuluara para popullit si pedofil, një arsye për të rrënuar vetë kishën, vetë besimin, etikën e komunikimit, detyrimin njerëzor për tu dalë për zot viktimave.

“Këtu viktima është marrë dhe bërë poster. Jam i bindur që askush nuk ka shkuar të qajë hallet me të, pa lënë që të merret vesh nga këta që flasin. Nëse ka një njeri, që e di me siguri që e ka bërë, është ministrja e Arsimit, që lloj-lloj çakejsh, me fytyrë njeriu e sulmojnë pa pushim”, deklaroi Rama.

“Këta duan, që ministrja e Arsimit të bëjë krim, të merret me rastin konkret në publik, apo duan të marri të gjitha masat që parasheh ligji e procedura siç i ka marrë?”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se “dhunuesit për fat të keq në këto raste janë shumë të afërm me viktimat, apo janë mësuesit e tyre, siç janë priftërinjtë, ku njerëzit shkojnë për t’u rrëfyer për të gjitha mëkatet dhe fjalët mbeten mes teje, atij e Zotit”.

“Prandaj këto krime janë të vështira për t’u kapur, por nëse kthehen kështu siç është kthyer nga gojtaret e gojtarët e politikës e medias ky rast, do të kemi zero denoncime. Kjo është t’u thuash atyre që janë objekt i ngacmimeve, mos guxo të denoncosh se do bëhesh personazhi i thashethemnajës, baltës e luftrave që zhvillohen në këtë vend për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me ty”, deklaroi Rama.

Por, u shpreh Kryeministri, kush e përdor mikrofonin në këtë vend, në çdo nivel apo kategori për ta kthyer ofendimin në kulturë komunikimi, për të përdorur shpifjen, shantazhin, si platformë politike është më keq se ai përdhunues.

“Unë jo vetëm jam solidar, e kjo jo për arsye të detyrës, por si njeri dhe si qytetar, me Besa Shahinin, por atyre që kanë ngritur dorën kundër Besës, ju them, qofshi burra apo gra, ju jeni më keq se ai përdhunuesi, se ai dhunon si mostër një të mitur, ndërsa ju kultivoni dhunën në shpirtin e të gjithë të miturve”, deklaroi Rama.

“Mendoj se ministria e Arsimit duhet të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë, të identifikojë, të çojë para drejtësisë, të ruajë anonimatin, të mos bëj deklarata e komunikata. Atyre që në media publikojnë video të kësaj natyre, ju them vetëm kaq: Zoti mos e çoftë kurrë të fëmijët tuaj, se atëherë do ta kuptoni çdo të thotë të nxjerrësh fëmijën e dikujt tjetër, ndërkohë që është vetëm një viktimë”, deklaroi Kryeministri Rama. /atsh

Rasti i të miturës/ Fatkeqësi të shikosh se si një viktimë e dhunës përdoret, Shahini ka marrë të gjitha masat që parasheh ligji Read More »

Rinis vetingu/ Shkarkohet nga detyra Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula

Kryetarja Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula është shkarkuar sot nga detyra.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka komunikuar vendimin gjyqtares Shedula duke mos e konfirmuar në detyrë.

Pas një ndërprerje dy mujore për shkak të pandemisë COVID-19, KPK ka rinisur punën për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën masa të rrepta siguria dhe higjiene.

Në seancën e parë pas rikthimit, KPK e përbërë nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshi, vendosi shkarkimin e gjyqtares Shedula e cila u përball me tri kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, figurën morale dhe aftësinë profesionale

KPK konstatoi mungesë burimesh për justifikimin e pasurisë për gjyqtaren Shedula./atsh

Rinis vetingu/ Shkarkohet nga detyra Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula Read More »

Abuzimi me të miturën, Shahini: Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka reaguar ndaj rastit të abuzimit seksual ndaj një të miture në Babrru, duke marrë masa të menjëhershme të shkarkimit nga puna të stafit të shkollës të përfshirë direkt apo jo në ngjarje.

Në reagimin e saj, ajo thotë se “jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë. Për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë këto masa: pezullim apo shkarkim nga puna menjëherë, e të gjithë stafit të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve). Hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor. Ofrimi i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit”.

Më tej, ajo thekson se organet e drejtësisë kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara.

“Pra, nuk ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë”, u shpreh Shahini.

Por, qartazi sipas saj, “ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët”.

“Dua të përsëris mesazhin që dhashë ditën e hënë: përgëzoj nxënësit tanë që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar. Kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë dhe të sigurohen që nuk do të ndodhë më në të ardhmen”, tha ministrja Shahini.

“Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar, sepse ndihen me faj apo me turp për atë që u ka ndodhur. Por, faji dhe turpi i takojnë abuzuesit.

Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual. Si dhe po bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese për nxënësit, që t’i njohim ata me mbrojtjen që u ofron si rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu edhe Kodi Penal”, u shpreh ministrja Shahini.

Shahini theksoi se nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. “Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë”, tha ajo.

“Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë”, u shpreh Shahini.

Ish-deputetja Albana Vokshi, më herët u shpreh se rasti i 15-vjeçares së dhunuar nga roja i shkollës, tregon se shteti ka dështuar. Vokshi i kërkoi ministres së Arsimit, Besa Shahini, të reagonte lidhur me ngjarjen./atsh

Abuzimi me të miturën, Shahini: Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë Read More »