Irina

Zbulohet mashtrimi me “Air Albania”. Lasgushi, avion turk

Pak orë pas inaugurimit të linjës shqiptare të avionëve Air Albania, deputeti demokrat Endri Hasa thotë se ky është një mashtrim.

Sipas tij, Air Albania nuk ekziston dhe “Lasgushi”, siç tha kryeministri Edi Rama është quajtur avioni i parë, është avion turk.

Deputeti i PD deklaron se nuk ka asnjë kompani të licensuar me këtë emër dhe nuk ka ende asnjë avion Air Albania të regjistruar me kodin shqiptar ZA.

“Air Albania dhe MASHTRIMI i radhës i Edi Ramës
Air Albania nuk ekziston!
Nuk ka asnjë kompani të licensuar me këtë emër dhe nuk ka ende asnjë avion Air Albania të regjistruar me kodin shqiptar ZA.
Ne vend te “ëndrrës” per një linje ajrore shqiptare, kryeministri shiti sot nje avion turk, me kod ajror turk TC-LRJ, i cili erdhi nga Stambolli ne Tiranë si avion i Turkish Airlines.
Ne foto mund te shihni qarte kodin turk te avionit te pagezuar me emrin “Lasgush”, i cili sipas Flight Radar ka udhetuar nga Stambolli ne Tiranë TK6887.
Edi Rama na e bëri Lasgushin Turk……”, deklaron deputeti i PD./korrieri

Zbulohet mashtrimi me “Air Albania”. Lasgushi, avion turk Read More »

Pse himariotët flasin greqisht sipas Petro Markos, Moikom Zeqos e Kristo Frashërit

Petro Marko: Himara, para disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekel e në Butrint. Dhe, siç dihet nga historia, ajo krahinë qe ndër zonat që i rezistoi turkut shekuj me radhë. Aty sulltanët kanë thyer kokën e tyre, aty gjetën strehë shumë nga shqiptarët, që nuk duruan dot zgjedhën turke. Gjatë viteve tridhjete, revistat “STUDI ORIENTALI”; “STUDI ALBANESI”, dhe veçanërisht Nilo Borxha, kanë nxjerrë nga arshivat e Vatikanit dokumente të rëndësishme për Himarën, sidomos për shekujt XVI, XVII, XVIII. Po ç’janë këto dokumente?

himare14Janë relacionet dhe letrat e misionarëve bazilianë në Shqipëri. Këta misionarë bazilianë, shumica arbëreshë ose me kombësi të tjera, po që dinin shqipen, më shumë për interesa politike se sa fetare, erdhën në Himarë. Prandaj shohim krerët e Himarës t’i drejtohen mbretit të Napolit, Papës së Romës, Spanjës, Polonisë, Rusisë për ndihmë materiale dhe jo bekime apostolike e lavdërime. Duke parë këtë gjendje në Himarë, Papa dërgoi misionarët e vet. Në një letër Neofit Rodino, misionar, midis të tjerave thotë: “Jam kurdoherë midis malësorëve të mi të dashur, gjithnjë i zënë për t’i evangjelizuar dhe për të mësuar fëmijët e tyre….”. Pas Neofit Rodinos, punoi në shkolla edhe Kostantidn Onofrio, për të çelur shkollë në shtëpinë e kapedan Lekës, mik i at Onofrios, që ishte në Dhërmi, ku jepte mësim në shkollën e atyshme. Edhe imzot Stanilas ka dhënë mësime në shkollën e Dhërmiut. Po ky, u luftua ashpër si dhe De Kamilis nga peshkopi ortodoks, i cili kur shkoi në Dhërmi dhe pa fëmijët të shkonin në shkollë e të mësonin, i mallkoi. Po pse i mallkoi? Pse dhespoti i Janinës ose i Delvinës që vareshin nga Fanari, mallkoi shkollat e atjeshme? Sepse ata mësonin shqip. Se librat që lexonin, ishin shqip dhe jo greqisht, siç ishin librat e Patriarkanës, që i shërbente verbërisht sulltanit. Sepse librat e Rodinës ose dhe Nilo Katalanos, siç do ta shohim më poshtë, ishin shqip se flisnin fshatrat e Himarës. Po të ishin greqisht, ata do të lexonin librat e Fanarit. Misionarët bazilianë, nuk bënë punën e Patriarkanës që t’u mësonin nxënësve greqisht për të lexuar librat fetarë të Fanarit! Po dokumenti më i saktë, që vërteton se në atë shkollë mësohej vetëm gjuha shqipe, është puna e madhe e Nilo Katalanit. Në kohën e tij, në Dhërmi, shkolla ishte zgjeruar shumë. Aty vinin nxënës nga Dukati, Tërbaci, e gjetkë. “Gramatikën shqipe, Nilo Katalanoja e bëri për 80 nxënësit e tij të shkollës së Dhërmiut”. Atë përdorte për mësim. Ky bëri edhe një fjalor shqip-italisht…Sipas Zef Skiroit, kjo gramatikë dhe ky fjalor gjenden në duart e Skirojve.

himare1111111111111111Në kohën e Nilo Katalanos, që vdiq atje dhe varrin e ka në Shën Thanas të Dhërmiut, Patriarkana e ndezi më shumë luftën kundër shkollave shqipe. Dhespoti i Janinës, që shkonte rrallë në fshatrat e Himarës, mallkonte dhe shpifte kundër atyre që ndiqnin shkollat shqipe. Kjo luftë përshkruhet shumë në relacionet e bazilianëve. Kam shkuar dhe kam parë varrin e Nilo Katalanos që është brenda në Ajovimë të Shën Thanasit, një kishë e vogël nja pesëdhjetë metra nga shtëpia ku kam lindur….Akoma e mbajnë në gojë, brez pas brezi emrin e Papa Dhimitrit, stërnipërit e tij në Gjilek. Me këto pak gjëra, del se si para tre shekujsh në Dhërmi dhe në gjithë fshatrat e Himarës (Himarë, Vuno, Palasë) kishte shkolla shqipe. Stërgjyshërit tanë luftonin me pushkë në dorë, duke mbrojtur lirinë dhe nderin e tyre, po ishin dhe në luftë për shkollat shqipe, për të mësuar shkrim e këndim, për të lëvruar gjuhën stërgjyshërore, gjuhën trime. Qysh atëherë, Patriku i Stambollit, me anën e dhespotit të Janinës mallkonte dhe çkishëronte gjithë ata që mësonin ne shkollat shqipe, aq sa një nga misionarët shkruan midis të tjerave: “Kur erdhi Dhespoti i Janinës dhe pa nxënësit në shkollë dhe dëgjoi meshën nga Onofrio, iu vërsul dhe e kapi nga mjekra brenda në kishë…” Vetëkuptohet egërsia e agjentëve të Fanarit, që s’lanë gjë pa bërë për të ç’kombëtarizuar krahinën heroike të Shqipërisë, Himarën e Labërinë.

mojkom zeqoMoikom Zeqo: Himariotët, arbërit që krenoheshin me Skënderbeun

Himara është një nga perlat e Kaonisë ilire në shekuj, banorët e brigjeve të saj janë quajtur fisi i Keraunëve (nga emri i vargmalit). Zeusi i keraunëve është më i vjetër se ai i mitologjisë greke. Vetë kreshtat malore të Akrokeraunëve, ose Maleve të Vetëtimave kanë qenë sipas profesorit të Kembrixhit, djepi i lindjes se kultit të Zeusit, që ka si atribut rrufenë. Ky prototip i Zeusit u zhvendos më vonë në Olimp të Greqisë. Zeusi i keraunëve përfaqëson kështu një mitologji paragreke, që duhet marrë në konsideratë nga studiuesit. Duket sikur parahistoria zanafillore e Himarës është spërkatur me yllësi perëndish dhe qeniesh të shpirtëzuara. Kaq shumë autorë legjendarë të antikitetit kanë folur për të, për të mos harruar më vonë, gjeniun e romantizmit, poetin Bajron, i cili ka shkruar vargje të shkëlqyera për himariotët luftëtarë.

Arkeologu francez, Leon Rei ka skalitur këto fjalë: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe ja, në Palasë para shumë vitesh është gjetur një përkrenare bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit. Për fat të keq, kjo përkrenare sot është zhdukur. Është e pafalshme që nga shteti shqiptar nuk janë organizuar ekspedita arkeologjike në Himarë. Themelet e mureve të kalasë së Himarës kanë gurë të mëdhenj ciklopikë, të tipizuar si mure pellazgjike, që të paktën janë të lashtë nga shek. V para Krishtit. Padyshim në këto mure, jeta ka qenë akoma më e vjetër. Një forcë e çuditshme, një lloj elani jetësor, siç do te thoshte filozofi Bergson, e ka ngritur jetën e njerëzve në shpatet e Bregut te Detit, duke i emërtuar përfundimisht ata si bregdetas. Fshatrat e Himarës mund të quhen si qytete të vogla, tepër të lashta, që përbejnë një bizhuteri përrallore. Shtatë fshatrat e Himarës, si në një numër padidik Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi, Qeparoi. Por, në dokumente flitet edhe për një koncept më të gjerë të Himarës, ku përfshihet dhe Nivica, Piqerasi, Lukova, Dukati, Radhima, Tragjasi, Gumenica, Tërbaçi, Lopësi, Mavlova, Vranishti, Smokthina, Kallarati, Lepenica, Progonati, Tepelena, etj.

himara-e-vjeterHimarioti Anton Linerosa, sipas Barletit mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij më 1444. Me 31 gusht 1431, i biri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. Princi shqiptar, Balsha II ka qenë zotërues i Himarës, pas vdekjes së tij zotëruese qe gruaja Komita Muzaka. Më 12 korrik 1577, pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dërguan në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”. Me 1818 Regjimenti Shqiptar në Korfuz luftoi për mbrojtjen e Psarës. Anglezi Millingen ka shkruar “Himariotët kishin pamje më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha – krejt e njëjtë”….Nuk është e rastit, që Papa Dhimitri nga Dhërmiu përktheu në shqip katekizmat, u hapën shkolla shqipe gjatë shek. XVI-XVIII. Historia e Kishës Katolike në Himarë nuk mund të zhduket dhe nuk mund të mohohet.

Kristo Frashëri: Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të 7 fshatrave

Në gjirin e shtatë fshatrave të Himarës ka një dallim në një pikë të rëndësishme. Tre nga vendbanimet e krahinës – Palasa, Himara dhe Dhërmiu – flasin brenda dhe jashtë shtëpisë shqip dhe greqisht. Katër fshatrat e tjerë, brenda dhe jashtë shtëpisë flasin vetëm shqip. Duhet patur parasysh se tre fshatrat e përmendura i kanë banesat e tyre afër detit. Për këtë arsye, ato merreshin kryesisht me lundrim, kurse kopshtarinë dhe blegtorinë e kishin si ekonomi ndihmëse. Pothuajse çdo familje kishte mjetin e saj të lundrimit, dikush anije, dikush varkë, sipas fuqisë ekonomike. Banorët e katër fshatrave të tjerë (Vuno, Qeparo, Kudhës dhe Pilur) me banesat e tyre në kodrina, larg buzës së detit, nuk merreshin, me ndonjë përjashtim, me detari, pra nuk kishin mjete lundrimi. Ata merreshin me kopshtari, blegtori dhe me emigracion. Si rrjedhim, sa herë që krahina e Himarës bëhej pre e fushatave ushtarake osmane, familjet e fshatrave kodrinore ngarkonin mbi kuaj teshat e shtëpisë dhe së bashku me familjet dhe bagëtitë e tyre strehoheshin përkohësisht në krahinën e Kurveleshit. Përkundrazi, banorët e tre fshatrave të buzëdetit, meqenëse nuk i merrnin dot anijet në krah, pasi ngarkonin mbi to familjet dhe orenditë e domosdoshme, lundronin në viset që nuk ndodheshin nën sundimin turk –kristo frashri në ishujt greke Jonianë (Korfuz) ose në brigjet italiane të Puljes dhe riatdhesoheshin, nganjëherë edhe pas disa vitesh, kur largohej rreziku turk…. Këto largime të përkohshme do të na shpjegojnë depërtimin e greqishtes (dikur, sikurse e pohojnë vetë krerët himariotë në një letër të tyren të vitit 1759, edhe të italishtes) tek banorët e tyre…. Sot në përgjithësi edhe historiografia shqiptare pranon se banorët e këtyre tre fshatrave, ndonëse jo të gjithë, e njohin greqishten. Por origjinën e saj, historianët shqiptarë e shpjegojnë me ndikimin që ka ushtruar kisha greko-fanariote në Shqipëri dhe pjesërisht me kontaktet tregtare, që këto fshatra kanë patur me qendra tregtare të afërta greke, kryesisht me Korfuzin dhe me ishujt e tjerë joniane…. Midis historianëve shqiptarë dhe atyre grekë ka pikëpamje të kundërta në tre drejtime. Sipas të parëve, banorët e këtyre tre fshatrave i përkasin kombësisë shqiptare dhe e kanë greqishten si gjuhë të dytë, sipas shkrimtarëve helenë ata i përkasin kombësisë greke dhe e kane shqipen si gjuhë të dytë.

E dyta, sipas të parëve idioma greqishte e këtyre tre fshatrave ka depërtuar nga jashtë në kohët e vona, sipas te dytëve ajo është me origjinë mesjetare, madje antike. Historianët shqiptarë e besojnë konstatimin e vëzhguesit të mprehtë anglez E. M. Leake, i cili pasi vizitoi Himarën më 1804 thotë: “Pothuajse të gjithë burrat dinë greqisht dhe ata që kanë qenë në kurbet, flasin edhe italisht; por gratë përgjithësisht s’dinë asnjë gjuhë tjetër veçse shqipes”. Të dytët, nuk e kanë kundërshtuar me argumente pohimin e M. Leake, i cili e thotë shkoqur se greqishtja në kohën e tij nuk ishte gjuhë familjare.

Marrë nga libri “Himara dhe përkatësia etnike e Himariotëve”

Pse himariotët flasin greqisht sipas Petro Markos, Moikom Zeqos e Kristo Frashërit Read More »

Lufta e Gjormit përmes fakteve, dokumenteve e këngëve të popullit

Nga: Lefter RROKAJ

Për luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942 – 2 janar 1943 janë shkruar shumë artikuj në formën e kujtimeve nga dëshmitarët okularë të kësaj ngjarje, nga veteranët e LNÇL, nga studiues, historianë dhe ngjarja është përjetësuar në telajo nga Piktori i Popullit, Fatmir Haxhiu në v.1981. Piktura mban titullin “Lufta e Gjormit“ dhe është ekspozuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Pavarësisht këndvështrimeve dhe vlerësimeve që i bëhen kësaj ngjarje dhe aktorëve pjesëmarrës në këtë epope të lavdishme, pothuajse të gjithë autorët arrijnë në një rezultante të përbashkët, se kjo ngjarje ishte një luftë e armatosur e popullit të Lumit të Vlorës dhe vullnetarëve të ardhur nga krahina të tjera, pa dallim feje, krahine dhe ideje, sipas platformës së miratuar në Konferencën e Pezës, kundër një armiku të përbashkët, fashizmit Italian, i mbështetur nga mercenarët e Halil Alisë e Selim Kaloshit, të mobilizuar në krahinën e Dibrës. Në këtë betejë, në krah të çetës Plakë të Vlorës, që ishte i vetmi formacion i organizuar dhe i armatosur, u rreshtuan vullnetarët popullorë të organizuar në çeta territoriale sipas fshatrave, si dhe forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës e Skënder Muços. Zanafilla e këtij konflikti të armatosur midis popullit të kësaj krahine dhe fashistëve italianë e shërbëtorëve të tyre nis në datën 17 dhjetor 1942, kur qeveria kolaboracioniste e Mustafa Krujës me urdhër nr 107/5 mori vendimin ogurzi për ndëshkimin e popullit të Vlorës me këtë motivacion: Në tërë Shqipërinë, Vlora mban sot rekordin e turbullirave. Erdhi dita e masave të forta. Dhe prandaj vepra shtypëse e autoriteteve do të fillojë nga Vlora. Do të shkatërrojmë shtëpitë dhe pasuritë e të arratisurve [kështu i konsideronte Qeveria e M. K. luftëtarët e lirisë]. Do të internohen familjet e të arratisurve. Në zbatim të këtij vendimi qeveria e M. K. ngarkoi 2 kolaboracionistët e fashizmit Halil Alinë dhe Selim Kaloshin të mobilizonin 2 batalione vullnetarësh me një

efektiv mbi 1000 vetë nga krahina e Dibrës, të cilët do të viheshin në dispozicion të komandantit të operacionit, kolonelit Italian Franko Klemente për të mbështetur veprimet luftarake të njësive fashiste të komanduara prej tij, e thënë më shqip, për t’u përdorur si mish për top. Rreth datës 21 deri 22 dhjetor 1942 grupi i mercenarëve dibranë të transportuar me mjetet e fashistëve italianë zbarkoi në Vlorë duke krijuar në qytet një situatë elektrizuese, efektet e së cilës u përhapën me shpejtësi edhe në fshatrat e Vlorës. Në këto kushte Komiteti Qarkor i Vlorës që drejtohej nga Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, i shqetësuar nga situata kritike që pritej të shpërthente nga çasti në çast, mori masat e para organizative duke u bërë thirrje 2 përfaqësuesve kryesorë të qeverisë së Mustafa Krujës, prefektit të Vlorës Vangjel Koçi, i njohur me emrin e shkurtuar Lele Koçi dhe të dërguarit të jashtëzakonshëm të qeverisë së Mustafa Krujës, Qazim Koçulit, të bënin një takim në Brataj, me qëllim që të evitohej përçarja në popull dhe situata të mos precipitonte drejt një konflikti të armatosur, si dhe të ndikonte te Mustafa Kruja me të cilin Qazim Koçuli kishte miqësi të vjetër. Këtë ftesë të sinqertë të Qarkorit të Vlorës Qazim Koçuli e refuzoi duke humbur kështu shansin historik për ta në

nshkruar për herë të dytë historinë. Një nga organizatorët kryesorë të Kuvendit të Barcallasë, ish-komandanti i forcave kryengritëse të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që hodhën në det më 20 qershor 1920 trupat pushtuese italiane me në krye gjeneralin Piacentini, mbas 23 vjetësh bëri hapin më fatal të karrierës së tij politike, hap që i kushtoi atij jetën.

Populli i kushtoi këtij veprimi antikombëtar vargjet aq shumë të njohura .
Kush e prishi këtë punë,
Kruja me Qazim Koçulë,
Mercenarët në Vlorë i prunë, dhe
Luftën në Gjorm e zunë.
Meqenëse dështuan negociatat me përfaqësuesit e qeverisë, u organizua një takim me Halil Alinë, me ndërmjetësinë e një shehu, me përfaqësuesit e Qarkorit Vehbi Hoxha e Hetem Gjinushi. Por Halil Alia duke devijuar nga propozimet që i bënë përfaqësuesit e Qarkorit dhe nën presionin e italianëve dhe qeverisë Kruja, i refuzoi kërkesat e tyre, duke i hapur rrugë konfrontimit të pashmangshëm. Në këto kushte, kur në horizont nuk dukej asnjë zgjidhje, Qarkori i Vlorës mori me shpejtësi masat emergjente për përballimin e situatës së jashtëzakonshme, e cila ishte çështje orësh. I vetmi njësit i organizuar ishte çeta Plakë e Vlorës me 40 luftëtarë të zgjedhur që kishte komandant Neki Imerin [Vangjon] nga Lepenica, një nga djemtë më trima dhe më inteligjentë të Lumit të Vlorës dhe komisar Qazim Çakërrin [Divi] nga Tragjasi, një familje me emër e kontribute të pa diskutueshme gjatë LNCL. Qarkori i Vlorës në bashkëpunim me këshillat NÇl. të çdo fshati bëri mobilizimin e burrave të aftë nën armë me kushtrimin luftarak 5 pushkë dhe një bombë, u bë organizimi në çeta territoriale të çdo fshati. Në të njëjtën kohë u përcaktuan edhe 3 drejtimet kryesore nga ku mund të marshonte armiku drejt krahinës së Lumit të Vlorës, në rrugën automobilistike Vlorë-Qafë e Dushkut -Ura e Gjormit -Gjorm do të marshonte makineria fashiste italiane, ndërsa nga Qafa e Shëngjergjit që kufizon Tërbaçin me Dukatin dhe në drejtimin Tragjas – mali i Lungarës – Gjorm mund të marshonin mercenarët e Halil Alisë; për mbrojtjen e Qafës së Shëngjergjit u ngarkua një pjesë e çetës së Terbaçit që kishte komandant Beqir Selimin. Hollësitë e këtij momenti i përshkruan Hito Çako në kujtimet e tij, të cilat janë botuar në këtë faqe, nga ana e Juljan Skëndos, nip i Beqir Selimit, dhe të cilave nuk do t’u lëviz asnjë presje. Në mbrëmjen e datës 26 dhjetor 1942, çeta Plakë kreu veprimin më të guximshëm, duke hedhur në erë depot e municionit në Radhimë, ku italianët kishin rezerva të konsiderueshme armatimi për kryerjen e operacioneve luftarake në shkallë të gjerë. Pastaj çeta u tërhoq në drejtim të Tragjasit, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Në ndjekje të çetës në datën 27 dhjetor, u vunë mercenarët e Halil Alisë me 3 kolona me 1500 vetë, me qëllim rrethimin dhe asgjësimin e saj. Duke llogaritur raportin e forcave, që ishte me diferencë të madhe në favor të kundërshtarit dhe me qëllim që të ruhej kompaktësia dhe aftësia luftarake e çetës, u pa e arsyeshme që me një manovrim të rrufeshëm të shkëputej kontakti me kundërshtarin. çeta u tërhoq në drejtim të Gjormit, atje ku mendohej se ballafaqimi do të ishte i pa evitueshëm. Gjormi konsiderohej si terreni më i përshtatshëm ku do të përcaktohej edhe fati i këtij konflikti të armatosur. Jo më kot Qazim Koçuli deklaronte me cinizëm, por me vërtetësi se kush merr Gjormin, ka marrë gjithë krahinën. Të befasuar nga manovrimi i çetës Plakë, mercenarët e Halil Alisë e nxorën dufin me banorët e fshatit Tragjas. Të pashembullta kanë mbetur në kujtesën e popullit të Tragjasit, lemeritë që u shkaktuan njerëzit e uritur dhe të pa moralshëm të Halil Alisë, të cilët në kuptimin më të keq të fjalës i nxorën fshatit ujë të zi. Edhe sot kujtohen tmerret që përjetuan pleqtë, gratë e fëmijët që u trajtuan barbarisht nga mercenarët pa gjak shqiptari, të frymëzuar nga vendimi ogurzi i qeverisë Kruja, dhe nga krerët bajraktarë të shitur te pushtuesit e huaj. Të pangopur në limitet më ekstreme, mbasi therën në masë bagëti, dhe rrëmbyen çfarë u zuri dora, ngarkuan kuajt e fshatit dhe nisën plaçkat e rraqet e rrëmbyera drejt kazermave të ushtrisë italiane në Vlorë dhe pastaj drejt Fushë Çidhnës. Episodet e një vandalizmi të tillë i përcjell sot te spektatori Artisti i Popullit Pandi Raidhi me batutën brilante: “Kështu të jetë katandisur edhe Shabani ynë?!” Në datën 31 dhjetor 1942 armiku i nisur nga 2 drejtime [u përjashtua drejtimi Tragjas -Qafë e Shëngjergjit -Tërbaç ]. 1 Në drejtimin Vlorë -Qafë e Dushkut -Gjorm lëvizte autokolona italiane e përbërë nga 1 regjiment milicie, 1 grup karabinierësh, 1 batalion i rojës së financës, 1 batalion këmbësorie 1 grup artilerie dhe 1 n/repart i motorizuar, rreth 1500 vetë, nën komandën e kolonel Klemente.
2- Në drejtimin Tragjas – mali i Lungarës – Gjorm lëvizte turma laramane e Halil Alisë. Këtë skenë tragjike populli e ka përjetësuar në vargjet tronditëse;
Ç’është kështu siç po dëgjojmë,
Mercenarët që po shkojnë,
Nga mali i parë kaptojnë,
Nga Tragjasi për në Gjormë.
Në momentin e parë raporti i forcave fliste dukshëm në favor të armikut. Karshi 3000 forcave kundërshtare, të armatosura deri në dhëmbë, të mbështetura me armë të rënda e mjete të motorizuara, qëndronte një çetë partizane me 40 luftëtarë, por në një kohë rekord, ky raport nga ora në orë ngushtohej, si rezultat i mobilizimit të çetave territoriale nga të gjitha fshatrat dhe vullnetarëve të ardhur nga krahinat përreth, Zemra dhe shpirti i kësaj qëndrese ishin luftëtarët trima të çetës Plakë, të mbështetur fuqishëm nga qindra vullnetarë popullorë që e priten armikun kudo me armë, që nga Ura e Gjormit dhe gjatë gjithë rrugës automobilistike, në pjerrësitë e malit dhe deri në luftime të afërta me të. Sinjali i sulmit u dha në orën 23;30 min të datës 31 dhjetor 1942 dhe armiku u befasua nga që nuk e priste një organizim të kësaj shkalle kaq të lartë, që i përmbysi planet e tij për një fitore të shpejtë e pa humbje. Për 36 orë rresht u zhvilluan luftime të ashpra, ku italianët vunë në veprim edhe armët e rënda. Ballafaqimi i përgjakshëm shkaktoi edhe viktimat e para,ku terreni i favorizonte më shumë forcat popullore mbasi nga njëra anë ishte lumi i Shushicës, i pa kalueshëm në këtë periudhë, dhe nga ana tjetër pjerrësitë e malit, në të cilat ishin pozicionuar luftëtarët. Në fushën e Gjormit kalonte rruga automobilistike ura e Gjormit – Gjorm – Brataj dhe në qendër të teatrit të luftimeve ishte fshati Gjorm që u kthye në një Moskë të vogël. Situata e krijuar dhe terreni i ngushtë ku zhvilloheshin luftimet i ngjante tregimeve që kemi mësuar nga librat e historisë dhe filmave që i referohen betejës së Thermopileve ku Leonida me 300 spartanë luftoi me heroizëm 480 vjet para Krishtit me hordhitë e mbretit Kserks të Persisë. Por me ndryshimin se Leonidës nuk i erdhën në ndihmë aleatët, ndërsa 40 spartanët e çetës Plakë ishin të mbështetur fuqimisht nga populli, që nuk i la vetëm bijtë e tij. Të duket e pabesueshme që kjo ngjarje e ardhur nga thellësitë e shekujve, që më tepër është më afër kufirit të një legjende festohet me madhështi në çdo 9 gusht nga populli grek, ndërsa luftën e Gjormit dhe heronjtë që e ngritën lavdinë e saj në nivelet e të pabesueshmes, i ka mbuluar hija e heshtjes. Atëherë kur dukej qartë se armiku ishte futur në një darë të hekurt dhe rreziku i asgjësimit të plotë ishte evident, komanda e Korpusit 25 fashist e përqendruar në Vlorë dërgoi në ndihmë të të rrethuarve njësi të reja të motorizuara, tanke e autoblinda, duke hequr dorë nga synimi fillestar për të marshuar përpara dhe, mori masat për të dalë nga gracka dhe për t’u tërhequr me sa pak humbje. Pikërisht në këtë moment erdhi lajmi se ishte vrarë komandanti i operacionit, koloneli Klemente, i cili ishte rrëzuar nga kali. Për vrasjen e kolonelit ka pasur shumë versione, duke e veshur këtë ngjarje edhe me nota humori, kur një grup luftëtarësh panë me një dylbi të vjetër të mbetur nga lufta e ’20-ës, një oficer të mbuluar me pelerinë e të hipur mbi kalë, në një lartësi dominuese, dhe një prej tyre tha se ky do të jetë ai i madhi i tyre, ta vrasim qenin. Duke shfrytëzuar terrenin e veshur me shkurre, iu afruan dhe e qëlluan duke e rrëzuar nga kali. Më i besueshëm është versioni tjetër se koloneli ka qenë larg vijës së parë të frontit si dhe rrezes së armëve të luftëtarëve, dhe në distancë ndiqte me shqetësim e mllef luftimet, ku Gjormi po kthehej për të në një makth që gradualisht po shënonte fundin e tij të pa lavdishëm. Për asgjësimin e kolonelit janë përdorur armë me qytë të gjatë dhe me precizion të lartë, armë belxhik. Sipas teorisë së qitjes është krijuar një perde zjarri duke qëlluar në të njëjtën kohë drejt objektivit me disa armë të tilla. Këto episode kaq dramatike populli i përmbledh në një varg me 2 rreshta.
Në u varça dot i gjallë,
Do të djeg, do të vë ‘zjarrë.
Këto rreshta të shkruara nga populli dhe përgjigja që i dha Gjormi kolonelit Klemente shkojnë në kondicion të plotë me kërkesën që Kserksi, mbret i persëve, sipas mitologjisë i bëri Leonidës; Më jep armët. Dhe Leonida i bëri ofertën epike: “Molon lave” [ec e merri], por me ndryshimin se poeti popull e përjetësoi me vargje fundin e kolonelit duke identifikuar edhe vendin se ku ishte ky fund.
Kalibaq, o zall i bardhë,
U vra konsulli mbi kalë.
Vrasja e kolonelit shënoi edhe fundin e aventurës së armikut,. Lufta e Gjormit përfundoi, në pasditen e datës 2 janar 1943 dhe atë e fitoi populli i Vlorës. Armiku pësoi dëme të rënda që shkonin mbi 80 të vrarë, mbi 160 të plagosur, 80 vetë të zënë rob, si dhe shumë material luftarak. Përveç kolonel Klemente, u vra edhe një nga nipat e Halil Alisë dhe u plagos rëndë bashkëpunëtori më i afërt i tij Selim Kaloshi, i cili u transportua nga mercenaret dibrane dhe vdiq në fshatin e tij. Nga radhët e luftëtarëve dhanë jetën 7 vetë, 5 prej të cilëve ishin komandantët e çetave, sipas radhës së fshatrave; Bako Tafili nga Gjormi, Hano Rexhepi nga Lepenica, Bajram Xhebro nga Brataj, Beqir Selimi nga Terbaçi, Qamil Asllani nga Vranishti, si dhe 2 vullnetarë nga Smokthina, Velo Hysi e Bajram Rexhepi, si dhe u plagosën 14 të tjerë. I tmerruar nga disfata e pësuar Halil Alia në mbrëmjen e datës 5-6 janar 1943 vrau në Vlorë në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit Qazim Koçulin, si dhe prefektin Lele Koçi, duke iu faturuar atyre përgjegjësinë për shkaqet e disfatës si dhe duke vulosur plotësisht karakterin e tij gjakatar, si një barbar që nuk i njeh kufijtë e arsyes, edhe atëherë kur larja e hesapeve bëhet brenda llojit. Vrasja e 2 zyrtarëve të lartë shënoi edhe fundin e qeverisë së Mustafa Krujës, e cila dha dorëheqjen, e pa aftë të çonte para drejtësisë kolaboracionistin e fashizmit Halil Alinë. Këtë vrasje e konfirmoi drejtori i përgjithshëm i policisë Shyqyri Borshi me këtë njoftim: Në ora 12 të dt 5 të vazhduesit, ministri Koçuli e prefekti Koçi nga Vlora të gënjyer nga vullnetaret dibrane aty, mandej kanë qenë vrarë nga ata 2 km larg qytetit [A.Q. SH. Faqe 153 viti 1943 D.224,Faqe 6]. Ndërsa për cilësimin e Halil Alisë si kolaboracionist, vlen të theksohet konfirmimi që i bën këtij fakti historiani ultra i djathtë Uran Butka në orën 8:02 të datës 17-09-2016 ku thotë shprehimisht: Në betejën e Gjormit, në kuadrin e një operacioni spastrimi, merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë e Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja [nr 107/5 dt 17-12-1943]. Për ironi të fatit njeriu që i shkaktoi popullit të Vlorës tmerre të pa dëgjuara, jo vetëm që nuk konsiderohet si bashkëpunëtor i fashizmit, por edhe nderohet e vlerësohet me tituj e dekorata. Vetëm 10 km larg qendrës së Tiranës, në Bashkinë e Kamzës, ku është kryetar Bashkie Xhelal Mziu, një nga figurat më kontraverse të politikës shqiptare të këtyre 28 vjetëve, një rrugë e këtij qyteti mban pa asnjë lloj motivi emrin “Halil Alia”. Ish-komuna Fushë Çidhën, vendlindja e Halil Alisë e ka shpallur atë Qytetar Nderi. Ndërsa në qytetin e Peshkopisë është ngritur statuja e tij. Në të gjithë Evropën bashkëpunëtorët e fashizmit janë ndëshkuar, pavarësisht të kaluarës së tyre të mëparshme. Mjafton të cilësojmë këtu rastin e Marshallit Peten, Heroi i Luftës së Parë Botërore. Franca nuk i mori parasysh meritat e tij, por e dënoi atë me vdekje, e cila për shkak të moshës, iu kthye me dënim të përjetshëm, vdiq më 23 korrik 1951, në moshën 95 vjeçare. Të njëjtin fat patën edhe ish-k/ministrat: i Francës Pier Laval, i Norvegjisë Vidkum Kuisling, i Holandës Anton Muserti etj. Vetëm Franca dënoi me vdekje gjatë Luftës 6000 kolaboracionistë dhe mbas lufte 4000 të tjerë. Ndërsa në Shqipëri asnjë prej tyre nuk është cilësuar kolaboracionist, pavarësisht se bëmat e tyre sot janë kthyer në barsoleta. Halil Alia u ekzekutua në Tiranë, më 1944, nga Maksut Kalemi nga Koçuli, i cili deklaroi se e bëri këtë veprim në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qazim Koçulit. Për Qazim Koçulin dhe Lele Koçin, shkrimtari i njohur Naum Prifti shkruan se janë shpallur dëshmorë të LNÇL. Por e vërteta për të cilën flet shkrimtari i nderuar është pak më ndryshe. Në dhjetor 1946 është bërë një propozim nga 3 figura të njohura të Luftës Nacional Çlirimtare; Hasan Pulo, Shemsi Totozani dhe Pupo Shyti, por komisioni i vlerësimit të dëshmorëve të Luftës nuk e mori në konsideratë një propozim të tillë.
Pavarësisht kalimit të viteve dhe pluhurit që përpiqet propaganda e djathtë ta mbulojë këtë epope të lavdishme, jehona e Luftës së Gjormit nuk e ka humbur dhe nuk do ta humbasë kurrë aktualitetin e saj. Populli i ruan në memorien e tij historike ato ditë të lavdishme dhe emrat e heronjve që i dhanë asaj pavdekësinë. Rapsodi i shquar i fshatit tonë, Xhebro Gjika i thuri me pasion vargjet e këngës aq të njohur që këndohet në çdo vatër, në momente gëzimi, festive, dasma e ceremoni të tjera.
Kush është vrarë i pari,
Hajredin Nurua në Vlorë.
I dyti Beqir Selimi,
Vrarë në luftën në Gjorm.
Për hir të së vërtetës rreshti i 4 në variantin fillestar ka tingëlluar ndryshe, por tërbeçiotët, si popull fisnik e tolerant e kanë ndryshuar atë, duke lënë pas fantazmat e të kaluarës dhe pavarësisht se falin, por ata kurrë nuk harrojnë. Kur ishim nxënës shkolle, dëgjonim shpesh të këndohej kënga; “Të kërkon Delo Balili o Bakooo birbilooo”Të them të drejtën unë e dija kush ishte Delo Balili, por Bakon e identifikoja me një personazh tjetër të njohur të Luftës. Shumë vite më vonë kur u emërova në Korçë, pyeta një shokun tim nga Gjormi, nëse kjo këngë i kushtohej komandantit tonë të korpusit B. D.
Shoku që e dinte mirë këngën ma recitoi ;
Të kërkon Delo Balili,
Lule o Bako Tafili,
Të daltë lart nga ShënMërtiri ‘
Ku u vra Beqir Selimi
O BAKOOO, BIRBILOO.

Lufta e Gjormit përmes fakteve, dokumenteve e këngëve të popullit Read More »

Vlora me 8 kështjella dhe dy dete

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.

Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.

Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.

Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.

Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.

Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.

Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqiptarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qendror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.

Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…

 

Vlora me 8 kështjella dhe dy dete Read More »

Përfundon takimi kokë më kokë i Bashës me Dulen, ja vendimi që u mor

Ka përfunduar takimi midis Kreut të PBDNJ Vangjel Dule me reun e PD, Lulzim Basha.

Ndërkohë që pritej që Dule t’i komunikonte Bashës largimin nga koalicioni pasi ky i fundit afroi në gjirin e djathtë kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi, Dule pohoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me PD.

“Në një axhendë të tillë është e kuptueshme që temat për diskutim të ishin të shumta.Flasim për një axhendë poltike aktuale jo për hamendësime, nuk kishte një çështje të tillë në diksutimin tonë.PBDNJ do të vijojë bashkëpunimin me Partinë Demokratike”, u shpreh Dule pas takimit me Bashën.

Përfundon takimi kokë më kokë i Bashës me Dulen, ja vendimi që u mor Read More »

75 vjet më parë fashistët digjnin Tragjasin

Guri Shyti

Viti 1943 është quajtur viti i kthesës së madhe në skakierën e Luftës së Dytë Botërore, pasi, fitorja historike në Betejën e Stalingradit, apo në betejat e tjera të zhvilluara në Frontin Lindor, ashtu si edhe aksionet e shpeshta luftarake të popujve të pushtuar nga trupat e Boshtit, kishin bërë që bisha fashiste, jo vetëm ta humbiste atë vrullin e fillimit, por të shikonte me shqetësim fundin e pashmangshëm të saj. Rezultat i kësaj situate të favorshme ishte edhe shkarkimi i Mussolinit nga posti i diktatorit, në Itali, dhe vendosja në vend të tij e një mareshalli më pak arrogant e mendjemadh se paraardhësi, por jo më pak mizor.

Në kuadrin e gjithë qëndresës antifashiste europiane edhe në Shqipëri ishin shtuar forcat kryengritëse dhe ishin intensifikuar aksionet luftarake të tyre kundër pushtuesve fashistë. Lufta partizane kishte rritur përmasat e saj, aq sa u ndje e domosdoshme të krijohej një shtab udhëheqës për koordinimin e veprimeve luftarake.

Pikërisht në këtë periudhë, kur mendohej se ushtria fashiste italiane nuk e kishte më forcën e dikurshme goditëse, kur mendohej se vetë perandoria fashiste ishte duke “dhënë shpirt”, në drejtim të fshatit Tragjas u nisën forca të shumta për ta nënshtruar atë që, me veprimtarinë antifashiste, i kishte shkaktuar jo pak telashe komandës së forcave pushtuese në Vlorë dhe më gjerë.

Tragjasi, për ata që nuk e njohin, ishte (ndjej dhembje që detyrohem të flas në kohë të shkuar) një fshat me bukuri të rrallë. I ngritur në disa kodra rreth 300 metra mbi nivelin e detit, ai ngjante si një tufë pëllumbash të bardhë që, të lodhur në fluturimin e gjatë, kishin ndaluar majë atyre kodrave për të pushuar, por edhe për të soditur gjiun e kaltër të Vlorës, përballë me Sazanin dhe Karaburunin në “rojë”. Emri i fshatit, vjen nga fjala etruske “tregast”, ashtu si edhe Trieste e Italisë. Kjo do të thotë se daton përpara erës romake, dhe këtë e thonë vetë studjuesit italianë.

Pa dashur të thellohem në histori, duhet të theksoj se Tragjasasit asnjëherë nuk janë pajtuar me pushtuesit dhe kurrë nuk i kanë pranuar padrejtësitë, prandaj edhe janë ngritur në luftë kundër tyre. Këtë e tregon më së miri fakti që, sipas këngëve popullore të mbetura brez pas brezi, në kryengritjet e shpeshta antiosmane morën pjesë masivisht fshatarët e Tragjasit, të udhëhequr nga Mahmut Hoxha, Kamber Delua, Numan Bala, më vonë Alem Mehmeti etj. Tragjasasit nuk iu nënshtruan as Ali Pashë Tepelenës, prandaj ai e ndëshkoi gjithë fshatin me shpërngulje për shumë vjet, duke ia lënë tokat djerr. Në kohën e kryengritjeve të Tanzimatit çeta të Tragjasit luftuan heroikisht kundër hordhive osmane deri në Sinjë dhe Konisbaltë të Beratit. Edhe në Luftën e Vlorës, në v. 1920, tragjasi mori pjesë masivisht dhe i dha Atdheut tre dëshmorë.

Tragjasi ka një të kaluar të lavdishme edhe në fushën e arsimit dhe kulturës. Mjafton të përmendim se shkolla e parë shqipe në Tragjas është hapur ndër të parat në vend, qysh në v. 1908, viti i Kongresit të Manastirit; që rrugën e kurbetit e morën mbi njëqind djem të tragjasit për të punuar, por edhe për të përfituar nga kultura e atyre vendeve. Tragjasi ka qenë i vetmi fshat në qarkun e Vlorës që shkollën fillore e kishte me pesë klasë, të tjerat ishin vetëm me tre ose katër klasë. Si vërtetim i dëshirës së tragjasasve për kulturë është edhe fakti unikal që, vetë fshatarët jepnin ndihmesën e tyre në para’, pa i detyruar kush, për shkollimin e nxënësve të dalluar nga fshati, deri edhe jashtë shtetit. Këto shtysa bënë që Tragjasi, përpara luftës, të kishte njerëz me shkollë të lartë dhe të mesme aq sa gati i gjithë qarku i Vlorës.

Pas pushtimit fashist, ishin pikërisht djemtë e shkolluar të Tragjasit pishtarët e parë të luftës për liri. Gati i gjithë fshati u lidh pazgjidhmërisht me Luftën Atifashiste Nacional Çlirimtare. Ishte nga Tragjasi djaloshi Shyqyri Alimerko (Hero i Popullit), i cili, në gusht të v. 1941, u vuri zjarrin depove mijëratonëshe me municionet italiane, në Radhimë, që përgatiteshin të dërgoheshin në frontin e luftës italo-greke. Pikërisht në Tragjas e kishte bazën e vet kryesore edhe çeta e parë e organizuar partizane, që mori emrin “Çeta Plakë e Vlorës”.

Për të thyer qëndresën e këtyre fshatarëve, në kapërcyellin e viteve 1942-43, me urdhër të kryeministrit kuisling M. Kruja u dërguan dy regjimente mercenare, me në krye tradhëtarët dhe kriminelët H. Alia e S. Kaloshi, të cilët pas shumë krimeve ndaj fshatarëve të pambrojtur, u detyruan të largoheshin me turp nga  sulmi i forcave partizane. Në Tragjas e pati bazën kryesore përballja me padrejtësitë që filluan të bëheshin gjatë luftës, edhe me ndikimin e të dërguarve jugosllavë, të cilën historiografia e kohës e quajti “Fraksioni i Vlorës”.

Në këtë situatë të ndezur luftarake, më 5 gusht të v. 1943, në drejtim të Tragjasit u nisën forca ushtarake italiane të përbëra nga rreth 2500 ushtarë e oficerë të armatosur deri në dhëmbë.

Ndonëse në mbrojtje të fshatit morën pjesë të gjithë ata që ishin në gjendje të përdornin pushkën, duke u fshirë përkohësisht edhe dasitë ideoologjike që ishin krijuar, madje kishte ardhur në ndihmë edhe batalioni “Ismail Qemali”, i udhëhequr nga H. Kapo, gjithsesi, forcat partizane të fshatit, si nga sasia dhe nga armatimi, ishin tejet të pamjaftueshme për t’iu kundërvënë me sukses forcave të shumta armike. Kundër luftëtarëve që mbronin fshatin e tyre armiku përdori artileri, mortaja dhe, sidomos dy-tre avionë, të cilët, duke ndërruar njëri-tjetrin, mitralonin dhe bombardonin, jo vetëm luftëtarët e vendosur në front, por edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin fshehur në malin e Lungarës.

Megjithë vrullin luftarak të forcave mbrojtëse të fshatit, me gjithë dëshirën e mirë ta sprapsnin armikun dhe të mos e linin të futej në fshat, gjithsesi, taktika e luftës partizane na mëson se luftimet frontale janë raste shumë të rralla dhe vetëm në situata të detyrueshme, shumë të veçanta, prandaj parrulla e luftës partizane është: “Godit si rrufeja dhe zhduku si era”; ndërsa një rregull tjetër edhe më i rëndësishëm i luftës është që, përpara se të hysh në një betejë frontale, duhet të bësh raportin e forcave dhe të mjeteve; vetëm atëherë kur ky raport është i pranueshëm, mund të futesh të luftosh. Por, siç e theksuam, në rastin konkret u shkelën të dyja kërkesat, pasi raporti i forcave, si në trupa, por sidomos në teknikë luftarake, ishte dhjetra herë në favor të armikut. Në ato kushte çetat partizane duhej të goditnin dhe të tërhiqeshin në pozicione më të sigurta. Në Tragjas kjo nuk ndodhi. Komanduesit e forcave partizane dhe kryesisht H. Kapoja, vendosi të organizonte “mbrojtjen e fshatit” me forcat e tij tejet të pamjaftueshme. Si përfundim, pas dy ditë luftimesh të përgjakshme, pasi u thyen disa sulme të armikut, forcat partizane u detyruan të tërhiqeshin duke e lënë Tragjasin në mëshirën e fashistëve.

Në këto kushte, armiqtë, të inatosur, si nga gjendja e brendshme e Italisë, por, sidomos nga humbjet që pësuan gjatë luftimit, të cilat, duhet thënë, ishin të shumta, në mëngjesin e 7 gushtit të v. 1943, si bisha të plagosura, u futën me pishë në dorë dhe i vunë zjarrin pothuajse të gjithë fshatit. Nga treqind shtëpitë e Tragjasit, mbijetuan vetëm rreth njëzet.

Dhe populli siç është zakon në ato treva, e qau me këngë: “Shokë do këndoj një këngë/ Do këndoj për fshatin tënë/ Fashizmi na bëri gjëmë/ E dogji me gjithë rrënjë/ Nukë la shtëpi në këmbë”.

Gjithsesi, pavarësisht nga problemet e organizimit, epopeja e Tragjasit hedh poshtë edhe një herë me neveri pretendimet e pinjollëve të bashkëpunëtorëve të fashizmit se: “Në Shqipëri nuk është luftuar”, apo pretendimin edhe më absurd se: “Luftën e ka bërë kinostudio në filmat e saj”.

Vlen të theksohet një fakt domethënës. Pikërisht ata ushtarë dhe oficerë italianë, që morën pjesë në djegien e fshatit, pasi kapitulloi Italia, vetëm një muaj më vonë, më 8 shtator 1943, erdhën tufa-tufa në fshat për t’u shpëtuar raprezaljeve të gjermanëve. Fshatarët fisnikë të Tragjasit, jo vetëm nuk i përzunë ish-armiqtë, por i strehuan brenda mureve të shtëpive të djegura po prej atyre ushtarëve dhe i ushqyen me bukën e misrit të fëmijëve të vet, nga ajo që kishte mbetur pasi, po ata ushtarë ua kishin djegur në hambarët e shtëpive.

Fatin e Tragjasit, d.m.th. shkrumbimin e skajshëm, nuk e pati asnjë fshat tjetër, jo vetëm në Vlorë, por edhe në krahina të tjera. Natyrshëm lind pyetja: Pse Tragjasi? Pse pikërisht në luftën e Tragjasit duhej të shkeleshin ato rregulla, që nuk ishin shkelur më parë dhe nuk u shkelën më vonë, pothuaj gjatë gjithë aksioneve luftarake të partizanëve? Dhe natyrshëm lindin dyshimet. Mos ishte kjo hakmarrje ndaj faktit që Tragjasi, si kundërshtar i padrejtësive që ishte, përkrahu fuqimisht prirjen demokratike gjatë luftës, d.m.th. “fraksionin”? Them se po. Për të vërtetuar këtë hamendje mund të përmendim disa fakte: M. Shehu, gjatë qeverisjes së tij prej disa dekadash, nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur, madje edhe në fshatra që e kishin pritur me pushkë dhe e kishin gjakosur brigadën e tij gjatë luftës, ndërsa në Tragjas nuk shkoi asnjëherë, ose, më saktë, shkoi vetëm një herë, në v. 1967, dhe deklaroi përpara fshatarëve se: “Nuk kam ardhur për Tragjasin, por për nysafirët nga Malësia e Madhe”. Për këtë argument ka edhe fakte të tjera që i kanë lënë në kujtimet e tyre njerëz të nderuar të Tragjasit dhe që e vërtetojnë hamendjen tonë. Një fakt tjetër është nisma e H. Kapos, i cili, pas çlirimit, i bëri një gjëmë tjetër fshatit duke e shpërngulur nga trojet e të parëve për të ndërtuar nga e para një fshat të ri, me mundime të patreguara të fshatarëve, edhe ashtu të sfilitur nga lufta, duke zënë tokat e bukës dhe përmbi burimet e ujit të Izvorit, gjë që e ka vënë në dyshim pastërtinë kristalore të  tij. Është edhe diçka tjetër që na shtyn të bëjmë hamendësimin e mësipërm: Tragjasit, i cili u ngrit ndër të parët në luftën çlirimtare, që i dha Atdheut mbi dyzet heroj populli e dëshmorë dhe që, ndër të parët përqafoi reformat revolucionarizuese të pas çlirimit, nuk iu dha asnjë dekoratë, ose titull nderi, siç ndodhi me shumë fshatra të tjera. Madje nuk përmendet as në shkrimet e herëpashershme që flasin për masakrat fashiste, sikur Tragjasi të mos figuronte në hartën e Shqipërisë.

Gjendja në të cilën është katandisur ai fshat heroik, në të gjitha aspektet, është aq tragjike sa edhe ne, të lindurit atje, na tremb dhe na shkakton dhembje të thellë. Me të drejtë një poet nga fshati ka shkruar, midis të tjerave: “…Veç gërmadha. Ferrat gjembat,/ Sokakët kanë mbuluar./ Kjo plagë zemrën ma shembi,/ Plagë që s’ka të shëruar…/

Le të shpresojmë që projekti i “100 fshatrave”, i ndërmarrë nga qeveria Rama dhe ku përfshihet edhe Tragjasi, do ta gjallërojë paksa atë trevë të pasur nga shumëçka, por të varfër për nga kujdesi njerëzor.

75 vjet më parë fashistët digjnin Tragjasin Read More »

Rama ua luan mësueseve: Që ti të vije kaq e bukur, me këta flokë e këtë hap…

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me mësues nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ka habitur me veprimin e tij. Rama vendosi të recitojë një poezi të shkrimtarit Ismail Kadare, “Në parkun që mbuluan fletët”.

“Më toleroni dështimin e mundshëm, do ndahem nga ju duke recituar për ju dhe duke kërkuar ndjesë atyre që nuk janë në gjininë time se recitimi nuk është për ta”, u shpreh Rama para se të niste të recitonte.

Dy strofa që recitoi Rama para mësueseve:

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti…

Rama ua luan mësueseve: Që ti të vije kaq e bukur, me këta flokë e këtë hap… Read More »

Kura 30 ditore me qumësht Blete – 18 efektet që sjell në trupin e njeriut

Është koha kur bletërritësit krahas mbledhjes së mjaltit të ri nisin edhe mbledhjen e qumështit të bletës, i cilësuar si shëruesi natyral i shumë sëmundjeve.

E ndërsa tani është pikërisht sezoni i mbledhjes së këtij lëngu mrekullibërës për shëndetin, bletërritësit shprehen për AgroWeb.org se kërkesat për qumështin e bletës janë gjithnjë e në rritje.

Përdorimi i qumështit të bletës çmohet për lehtësimin dhe kurimin e shumë problemeve shëndetësore.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë një kurë popullore e cila zgjat nga 1 deri në 3 muaj në përdorimin të qumështit të bletës për shëndetin e gjithë organeve dhe trupit në përgjithësi.

Qumështin e bletës mund ta gjeni tek çdo bletërritës apo dhe pranë dyqaneve me produkte organike.

Përdorimi i Qumështit të Bletës
Kura popullore me qumësht blete rekomandohet që të konsumohet herët në mëngjes me stomakun bosh.
Këshillohet që doza që do të merret fillimisht vendoset poshtë gjuhës, mbahet për 2 minuta dhe më pas kapërdihet.
Rekomandohet të mbahet nën gjuhë pasi aty ka mjaft enë gjaku që bëjnë thithjen e menjëhershme dhe kalimin në gjak.

Zgjatja e kurimit është e ndryshme dhe varet nga shkalla e sëmundjes ose qëllimi për të cilin përdoret, por asnjëhere më pak se një muaj.
Megjithatë, rekomandohet që kjo kurë të zgjasë nga 30 deri në 90 ditë dhe më pas ndërpritet.
Efektet e saj në organizëm nisin pas dy javësh, pra pas 15 ditësh.

Ndarja e Dozave dhe Si ta Ruani atë
Doza ditore vendoset në bazë të moshës dhe peshës trupore.
Për të rriturit, doza që rekomandohet është 1 gram në ditë ndërsa për fëmijët rekomandohet 0.3 deri në 0.5 gram në ditë.

Megjithatë në çdo rast, për përcaktimin e dozës AgroWeb.org jukëshillon që të këshilloheni me një mjek që njeh gjendjen tuaj shëndetësore.

Fëmijët që janë me qumësht gjiri rekomandohet ta marrin vetëm në raste specifike me këshillën e pediatrit.

Qumështin e bletës mund ta ruani në frigorifer, në temperaturë 3-5 gradë.
Duhet të ruhet në shishe të errëta dhe i mbështjellë me një letër të errët gjithashtu, pasi nuk duhet të ekspozohet ndaj dritës.
Ruhet në frigorifer për 12 deri në 18 muaj duke ruajtur të gjitha vlerat kurative.

Sëmundjet që Trajtohen
Vlerësohet si një super ushqim i fuqishëm për shkak të vlerave që ai mbart.
Qumështi i Bletës përmban ujë, lëndë minerale, yndyrna, proteina, karbohidrate, vitamina etj.
Sipas të dhënave të cilave i referohet AgroWeb.org, qumueshti i bletës përdoret për kurimin e një sërë sëmundjesh si:

Hipertiroidisëm,
Diabeti,
Hiperkolesterolemi,
hipertrigliceridemi (kolesterol dhe trigliceride të larta),

sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut,
sëmundje kronike të mushkërive,
sëmundje të gojës,
probleme me mishrat e dhëmbëve, probleme të fytit,

sëmundje të veshkave, artrite reumatoide,
probleme me riprodhimin,
ndihmon në periudhat e premenopauzës etj.

Ka efekt qetësues dhe çlodhës, ul nivelin e hormoneve të tiroides.
Pastrues fantastik për organizmin nga toksinat
Ndihmon funksionimin e veshkave, rrit jetëgjatësinë e njerëzve, duke ruajtur rininë e enëve të gjakut.
Zgjeron enët e gjakut, ndihmon në uljen e kolesterolit dhe triglicerideve dhe rrit imunitetin.
Ky qumësht ndihmon në formimin e rruazave të kuqe të gjakut, këshillohet në anemi dhe ndihmon në mikrohemorragji.
Në lëkurë, rregullon prodhimin e yndyrës.
Ndihmon në funksionimin e mëlçisë dhe sëmundjet e saj, hepatite dhe rigjeneron strukturën e mëlçisë. /AgroWeb.org

Kura 30 ditore me qumësht Blete – 18 efektet që sjell në trupin e njeriut Read More »