Ndërsa ishin mbledhur për të diskutuar për hapat që do të ndiqen me çështjen e Teatrit Kombëtar, një grup artistësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile, kanë shkëmbyer replika të ashpra me anëtarë të opozitës të gjendur në këtë takim. Pjesëmarrës në mbledhje, studiuesi Aurel Plasari ka akuzuar opozitën se është e paguar për të ndjekur çështjen e Teatrit Kombëtar, ç’ka nuk është pritur aspak mirë nga përfaqësuesja e tyre, Albana Vokshi, raporton CNA.al. Vokshi është shprehur se ajo vetë nuk është opozitë e paguar, duke lënë të nënkuptohet se një pjesë e mirë e kolegëve të saj paguhen për këtë kauzë.
Më poshtë debati Vokshi: …Ne na interesojnë të dyja, juve vetëm teatri. Plasari: Ju patjetër se jeni opozitë e paguar, për këtë paguheni. Albana Vokshi: Unë s’bëj pjesë tek të paguarit. Vokshi: Mos fyeni se unë nuk u kam fyer. Plasari: Çfarë ka fyerje? Vokshi: Unë nuk jam pjesë e opozitës së paguar dhe jam këtu që ditën e parë si deputete dhe si kryetare komisioni. Plasari: Në orar të punës je…
Ambasadori i sapo emëruar i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, është prezantuar përmes një video-mesazhi të bërë publik në faqen zyrtare të Bashkimit Europian. Përshëndetja e tij është shqip, ndërsa prezantimi në anglisht.
Ai thekson se mirëpret bashkëpunimin për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt strukturave të Bashkimit Europian.
“Besimi i këtij posti në këtë moment jetik për Shqipërinë, është privilegj dhe nder i madh për mua. Mirëpres bashkëpunim me të gjithë ju, për arritjen e ambicies sonë të përbashkët për ta sjellë Shqipërinë në familjen e Bashkimit Europian”, thuhet mes tjerash në këtë video.
Ajo është sot ndër këngëtaret më të njohura dhe më të dashura për publikun shqiptar. Bëhet fjalë për Eli Farën. Ajo ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan dhe përmes emisionit një fanse e këngëtares e pyeti me kuriozitet se cili do të ishte profesioni saj, nëse nuk do të ishte bërë këngëtare.
Ndërkohë Eli rrëfeu me nostalgji periudhën kur punonte si mësuese në një fshat të Korçës, teksa tha se ndoshta profesioni i saj mund të ishte edhe mësuesia.
Fansja: Çfarë do të ishit bërë nëse nuk do të ishit këngëtare?
“Unë mund të isha bërë shumë gjëra. Pasi kam mbaruar shkollën unë kam punuar si mësuese e ciklit të ulët. Mbarova liceun artistik “Tefta Tashko Koço” dhe kisha të drejtë të ushtroja profesionin e mësuesisë. Më çuan në një fshat shumë larg, ku bëja rreth 30 minuta rrugë me autobus dhe 1 orë e 30 minuta në këmbë çdo ditë. Më pëlqente ai profesion dhe i kujtoj me dashuri ato momente. Kisha 36 nxënës vitin e parë që kam filluar punë me klasën e tretë. Ndërkohë që punoja, bëja edhe shkollën e lartë me korrespondencë. Ka shumë ish-nxënës që më shkruajnë tani, janë rritur, janë martuar. Unë isha e aktivizuar në atë kohë edhe me aktivitetet në qytetin e Korçës dhe pas viteve ’90 u shkëputa nga mësuesia. Kur kam kënduar këngën “Me 25 gërsheta” kam qenë edhe mësuese, fitova çmimin e parë me atë këngë. Ishte një atmosferë e papërshkrueshme”, tregoi këngëtarja.
Gjatë emisionit, këngëtarja po ashtu prezantoi këngën e saj më të re të titulluar “Dua më” dhe tregoi prapaskenat e realizimit të klipit.
“Duam” me muzikë të Adrian Hilës dhe tekst të Rovena Dilos është një këngë verore, e ëmbël, është realizuar pastër. Fabula e këngës është dashuria dhe neglizhenca mes çifteve siç ndodh në përditshmëri. Berati na ka dhënë një bukuri të madhe në klip me rrugicat kaq të bukura. Mikpritja ishte e paimagjinueshme. Kanë dalë të gjithë nëpër dyer janë kënaqur me muzikën. Na kanë ndihmuar, na kanë nxjerrë gliko, ujë e kafe”, tha këngëtarja./tvklan
Ndërsa është dëgjuar nën zë për dëshmi të rreme si të përndjekur apo në gjakmarrje, me zë dhe figurë një situatë e tillë vjen në emisonin “Stop”. Një qytetar iu drejtua Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë, për një dëshmi që do ta përdorë për azil politik jashtë vendit.
Qytetari – Ça bëre si je? Unë desha me marr diçka, një shkresë si i përndjekur. Roja i shoqatës – Vërtetim? Qytetari – Po! Për azil. Roja i shoqatës – S’e ato s’jepen ashtu, vetëm kush ka status. Ta japin ato. Kanë një kuotë për dy-tre vjet, që paguan kuotat e atyre. A kupton? Vetëm nga shoqata mund ta marrësh. Qytetari – S’bëhet fjalë me ndonjë të njohur të na nderojë, të na i bëj si nder? Roja i shoqatës – Ore unë punoj ktu, jam i dënum vetë. Qytetari – Njeh ndonjë shoqatë kshu?
Roja i shoqatës – Janë ato, po tani s’i ke ato. Janë këtu, te “1 Maji” rrinë ato. Qytetari – “1 Maji”. Roja i shoqatës – Ee…, është një Ylli, Ylli. Iku tani me gjithë atë sekretaren. Me një fjalë, si ta duash, e ciklos me të dhënat me një fjalë. Qytetari – Thjesht ta bëjë ai sa më efikase, që unë të përfitoj atë që dua, se dua të marr azil. Roja i shoqatës – Po të kuptoj, kuptoj. Hajde nesër në mëngjes këtu. Qytetari – Ça ore? Roja i shoqatës – Në orën 9:00.
Ditën tjetër: Roja i shoqatës – Çkemi, ça bën? Qytetari – Si të kam. Roja i shoqatës – Fola një çikë me atë, çikë me atë… çunin. Qytetari – Hëë… Roja i shoqatës – Ky thotë e bëjmë, po janë ato kuotat që ç’paguajnë se s’bën… do shkojë ca lekë ajo. Qytetari – Sa lekë? Roja i shoqatës – Te 200 mijë lekshi. Si të quajnë ty? Qytetari – xxxxx. Roja i shoqatës – xxxx. Po mbiemri? Qytetari – xxxxx. Roja i shoqatës – Emri i babës?
Qytetari – xxxxx. Pas negociatave fillimisht me rojen, qytetari pagoi 200 mijë lekë të vjetra dhe arriti të marrë dëshminë nga funksionari i shoqatës, Agron Talo. Ky i fundit tha se paratë do t’i ndajë me persona të tjerë dhe se dokumente të tilla ka lëshuar për në Kanada, Australi, Francë etj. Agron Talo – Si kalove? Mbaje, mbaje! Qytetari – Apo qenkan dy, të njëjtat. Agron Talo – E njëjta, e njëjta është, po e ke dy kopje. Agron Talo – S’e di për Amerikë, këtë kemi dhënë për Kanada, për Australi, për në Francë, këto lloj dokumentesh kemi dhënë. Qytetari – Vetëm këto?
Agron Talo – Vetëm kaq! Qytetari – Këtë porosinë ta lej ty apo…? Agron Talo – Po, po, porosinë po, porosinë! Porosia do shkojë andej-andej, do ndahet porosia. Nuk i numëroj unë, i numërove? Qytetari- Jo, jo! Kaloji, kaloji të lutem! Rrofsh! Të falenderoj shumë! Agron Talo – S’ka gjë fare, po të ashtu..,ndonjë gjë… Qytetari – Do të them për çdo gjë tjetër që mund të më duhet. Qytetari – Të falenderoj! Agron Talo – S’ka gjë! Ma kalofsh mirë! Telefonin e ke, si qysh tek, ndonjë ashtu. Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj u shprehën se në çdo institucion nevojiten para për të marrë një vërtetim, certifikatë etj
Një urim të veçantë dhe në një situatë të sikletshme na shfaqet ish deputeti i PS në ditën e lindjes së tij. Eduard Ndocaj shfaqet në vaske teksa bashkëshortja dhe fëmijët e tij i këndojnë këngët e ditëlindjes Happy Birthday për të uruar.
Bashkëshortja i ka përgatitur një tortë, dhe ndërsa ai ndodhet në vaskë, ata futen dhe i këndojnë këngën e ditëlindjes. Për më shumë shihni videon e mëposhtme…
Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë letra nga persona që vuajnë dënimin në burgun e Fierit apo familjarë të tyre. Ata ankohen për sjellje të padenja nga ana e drejtorit Arjan Hasani, i cili i dhunon dhe nuk u lejon të burgosurve të drejtat më minimale.
Në një nga letrat shkruhet…
“Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Po ju shkruajmë nga burgu i Fierit. Saimir dhe Genti, për shoqërinë jashtë ne jemi llumi i shoqërisë, por edhe pse jemi në burg, kemi dhe ne të drejtat tona. Dhe në burg nuk ka vetëm përdhunues dhe pedofila, por ka dhe (persona) pa patentë, ndërtim pa leje, mospagim dritash dhe uji.
Problemi jonë është sesa herë ky burg drejtohet nga Arjan Hasani këtu mbizotëron dhuna dhe asgjë nuk funksionon. Ky në punë fut kushërinjtë e vet dhe të zonës së vet dhe këtu nuk funksionon më asgjë, përveç se dhuna, druri, izolimi, hakmarrja dhe arroganca.
Ne nuk kërkojmë privilegje në burg, se ky është burg i sigurisë së ulët, ku ka krime të lehta. Ne kërkojmë që të mos ketë dhunë dhe që drejtori të mos bëjë me ne si të dojë ai dhe kundra ligjit, se para ligjit jemi të gjithë njësoj.
Na vjen në 2 të natës kontroll, ushtrojnë dhunë fizike e psiqike, na tallin, na shajnë. Dhe kështu ne i hymë në grevë. E di si na tha me atë arrogancën prej tepelenasi? ‘Shkoni ankohuni te Stopi’. Ne ndodhemi në katin e parë, godina e paraburgimit. Pse u ngritëm në grevë, vetëm neve na ka mbyllur dyert. Në asnjë godinë nuk është kështu, vetëm te ne, pse u ankuam kundra këtij.
Ju lutemi na ndihmoni që të trajtohemi si të gjithë të dënuarit e burgut e të burgjeve të tjera. Mjaft i kemi larë muret me gjak! Ju lutem na sillni përfaqësues të Avokatit të Popullit që ta shikojnë gjendjen këtu”.
Ndërsa në një tjetër thuhet…
“Urojmë që letra t’ju gjejë mirë. Ne që po ju shkruajmë jemi të dënuarit e burgut të Fierit, godina e paraburgimit, kati i parë. Jemi në grevë qysh nga e premtja. Problemet tona ia shkruajtëm dhe ia thamë në sy pronarit të burgut, Arjan Hasanit. Themi pronari, se nga dita që është rikthyer në punë e ka kthyer burgun në privat.
Sapo iu ankuam në sy dhe i dhamë dhe letrën me firma, grisi letrën dhe na ka mbyllur dyert që të mos takohemi me njëri-tjetrin. Ka bllokuar telefonatat që të mos ankohemi te gazetarët, Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit.
Pika jonë e parë e grevës është të hiqet dhuna fizike dhe psiqike që ka instaluar Arjan Hasani me kushërinjtë e vetë, që i ka punësuar në grupin e gatshëm!
Të na lejohen ilaçet që na sjell familja se këto të burgut nuk i kemi parë asnjëherë. Mos harrojmë se në këtë burg kanë vdekur 3 të dënuar, për sa kohë e ka drejtuar drejtori Arjan Hasani.
Duam që të funksionojnë dushet e uji i nxehtë që të lahemi. Duam që shitësi nga Tepelena, njeriu i drejtorit, të ulë çmimet. Një kos 1 mijë e 500 lekë të vjetra.
Duam që të mos na terrorizojnë me kontrolle që na bëjnë në 1, 2 ose 3 të natës. Sa i ankohemi ky njeri hakmerret. Duam që burgu të kthehet si ka qenë me drejtorët e mëparshëm, institucion edukimi dhe jo institucion xhunglimi dhe druri.
Shpresojmë të na mirëkuptoni se nuk duam luks, as pishina në burg, por duam që të mos të na rrahin më tek izolimet se aty nuk ka kamera. Ju lutemi na çoni përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit ta shikojnë gjendjen vetë”.
Po ashtu për këtë burg është ankuar edhe e ëma e një të burgosuri nëpërmjet një letre, ku shkruhet…
“Përshëndetje Saimir dhe Genti. Jam një shqiptare e jo serbe. Kam djalin në burgun e Fierit për aksident me makinë dhe jo për terrorizëm dhe krime lufte. Kur shkova para 2 ditësh te djali e pashë me shenja në fytyrë e të trembur. Plaçkat që nxori jashtë që t’ja laj ishin me gjak. Më tregoi djali që janë në grevë kundra dhunës që ushtron drejtori Arjan Hasani.
Saimir të keqen nëna, sa është rikthyer ky drejtor kemi frikë të shkojmë në takim se na dalin fëmijët të trembur dhe gjithë shenja.
Policët janë ndërruar të gjithë dhe këta të rinjtë nuk sillen mirë dhe me ne familjarët. Ju lutemi Saimir na ndihmoni, të keqen nëna. Me respekte, anonim se na rreh çunin prapë”.
Një ish-efektiv policie pohoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga drejtori Arjan Hasani ndaj të dënuarve dhe tregoi se është i papunë vetëm pse e kundërshtoi këtë fakt.
“Tani jam i papunë sepse me rikthimin e drejtorit Arjan Hasani nuk pranova të dhunoj të dënuarit. Ai më hoqi nga puna dhe ka futur në punë kushërinjtë e vetë dhe tepelensa. Ky drejtor e ka kthyer burgun në privat. Sa erdhi filloi të hakmerret kundër të gjithë personelit duke i hequr nga puna dhe duke vendosur njerëzit e tij. E ka kthyer burgun e Fierit në ferr të vërtetë. Na thoshte: ‘Mos komunikoni me të dënuarit se janë armiqtë tanë’. Po puna ime e tillë është se i dënuari te polici shkon për çdo gjë.
Ju lutem, ju bëj thirrje që në burgun e Fierit të hyjë për kontroll Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve që quhet SHKBB dhe varet nga Ministria e Drejtësisë e do shikojnë shkeljet që ka bërë e po bën drejtori Hasani. Ky të heq nga puna sikur ta ketë pronë të babës”.
Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i bëri thirrje Avokatit të Popullit dhe SHÇBA-së së Ministrisë së Brendshme për të kryer një kontroll në burgun e Fierit, pasi drejtori Arjan Hasani nuk mund t’i trajtojë të dënuarit në këtë mënyrë./ TVKlan.al
Guvernatori i BSH Gent Sejko, ka ngritur shqetësimin se ekonomia shqiptare ka ulur produktivitetin e saj, duke u përgjysmuar me 2% krahasuar me të njëjtën përiudhë të një viti më parë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë prezantimit të Drejtorit Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano, ka theksuar se ekonomia shqiptare ka ulur produktivitetin. Si një gjetje e studimit të titulluar “Ngadalësimi i produktivitetit dhe hipoteza e stanjacionit shekullor”, Sejko argumentoi se produktiviteti dhe roli i tij në rritjen ekonomike është një temë kryesore diskutimi mes vendimmarrësve të ekonomisë.
“Studimet tona kanë gjetur se shkalla e zgjerimit të produktivitetit në ekonominë shqiptare – i përcaktuar gjerësisht si aftësia e ekonomisë për të shfrytëzuar punën dhe kapitalin fizik për gjenerimin e prodhimit – është përgjysmuar në këtë periudhë, nga 2% në 1%”, tha Guvernatori. Ai shtoi më tej se zhvendosja e burimeve financiare, njerëzore dhe manaxheriale, midis sektorëve të ekonomisë, kërkon kohë dhe shoqërohet me ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit. Sejko sugjeron se sipas studimit të mësipërm, duhet kaluar nga ndërtimi te eksportet. “Megjithatë, ribalancimi i burimeve të rritjes, nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit, është një proces i cili tashmë ka nisur. Kjo zhvendosje graduale vihet re dhe në ribalancimin simetrik të portofolit të kredisë bankare”, u shpreh guvernatori i BSH-së.
Guvernatori shton më tej se produktiviteti dhe roli i tij në rritjen ekonomike ka qenë dhe është një temë e cila ka patur vëmendje të madhe në Bankën e Shqipërisë. “Studimet tona sugjerojnë se, përtej rënies ciklike të kërkesës agregate, ngadalësimi ekonomik në Shqipëri në periudhën pas krizës, ka patur dhe një element të fortë strukturor. Me fjalë të tjera, përgjysmimi i ritmit të rritjes në periudhën para dhe pas krizës, pasqyron si ngadalësimin e zgjerimit të kërkesës për mallra dhe shërbime, ashtu dhe ngadalësimin e kapacitetit të ekonominë për të ofruar këto produkte. Në veçanti, studimet tona kanë gjetur se shkalla e zgjerimit të produktivitetit në ekonominë shqiptare – i përcaktuar gjerësisht si aftësia e ekonomisë për të shfrytëzuar punën dhe kapitalin fizik për gjenerimin e prodhimit – është përgjysmuar në këtë periudhë, nga 2% në 1%. Për këtë arsye, rritja e produktivitetit ka qenë dhe duhet të mbetet një udhërrëfyes për axhendën e reformave strukturore në vend”, tha z. Sejko.
Duke argumentuar më tej mbi konkluzionet e studimit, guvernatori Sejko shton niveli dhe shpejtësia e zgjerimit të produktivitetit ka një lidhje të drejtë me shkallën e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore. “Reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë. Megjithatë, Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, në veçanti drejt frenimin të emigrimit të fuqisë
Së treti, Guvernatori vijon argumentin duke thënë se produktiviteti është i lidhur ngushtë me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit. Fushata për rritjen e formalizimit, rritja graduale e konkurrencës, si dhe ri-shikimi i ligjit për falimentin, do të krijojnë stimujt e duhur në këtë drejtim. Në veçanti, jam i bindur se përmirësimet ligjore e nënligjore të bëra në drejtim të respektimit të kontratës së kredisë bankare, do të ndihmojnë jo thjesht e vetëm shëndetin e bankave, por do të stimulojnë dhe rritjen e disiplinës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve nga bizneset shqiptare.
“Së fundi, dëshiroj të theksoj se, në ndryshim nga ekonomitë e zhvilluara, të cilat ndodhen në kufirin teknologjik dhe të cilat, për këtë arsye, e shohin progresin të lidhur me aftësinë e tyre për inovacion, Shqipëria ka hapësira të mëdha zhvillimi nëpërmjet adoptimit të teknologjive e praktikave ekzistuese. Në këtë prizëm, detyra jonë mbetet të zgjedhim dhe të zbatojmë modelet e provuara të zhvillimit. Duke u bazuar në sa më sipër, jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha premisat për rritjen e produktivitetit dhe, në këtë mënyrë, për përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike dhe rritjen e mirëqenies. Ajo që duhet tashmë, është një konsensus mbi vizionin e zhvillimit të vendit dhe një vullnet i gjithanshëm i zbatimit të tij”, përfundoi ai.