Nëse jo, astrologët e kanë një përgjigje të argumentuar për secilën shenjë zodiaku, e kështu mund të mësoni më shumë për veten dhe miqtë tuaj:
DASHI
Përveçse jeni tipa origjinalë dhe të hapur me botën, të lindurit nën shenjën e Dashit kanë një karakteristikë që pak veta ia njohin. Këta persona kanë tendencën të fshihen në objektivat e tyre për t’u bërë më të mirët çdo ditë dhe për të realizuar dëshirat e tyre.
DEMI
Shpesh Demat shihen si shumë kokëfortë, egoistë dhe intolerantë. Megjithatë, thellë brenda tyre, janë njerëz shumë të dashur, me shumë dashuri për të ofruar, edhe pse jo gjithmonë dinë si ta demostrojnë një gjë të tillë. Bëjnë më të mirën e tyre për t’u kujdesur për ata që i rrethojnë dhe mbështesin kauza vërtet të rëndësishme.
BINJAKËT
Pas personalitetit të tyre të gëzueshëm, të shoqërueshëm dhe optimist, këta persona kanë një anë të izoluar dhe të veçuar nga bota. Binjakët janë shumë të përfshirë emocionalisht me miqtë e tyre dhe njerëzit rreth tyre, ndaj kanë nevojë për të qëndruar vetëm ndonjëherë në mënyrë që të rekuperojnë energjitë.
GAFORRJA
Gaforret japin përshtypjen e butësisë, qetësisë dhe ndjeshmërisë, por edhe një anë të tyren që janë të aftë për t’u rekuperuar, për të qenë kurajozë dhe për të kaluar me lehtësi gjërat. Dinë si të pozicionohen mbi atë që përfaqësojnë dhe nuk dekurajohen nga presionet e jashtme.
LUANI
Mendimi që shumë vetë kanë për Luanët është se janë egoistë, të sigurtë tek vetja, deri në narçizëm. Megjithatë, konkluzione të tilla bazohen vetëm në anën sipërfaqësore. Të lindurit nën shenjën e Luanit janë njerëz që impenjohen, dedikohen dhe kanë kurajo. Edhe pse trishtohen nga dështimet e tyre, nuk ndalojnë së luftuari për objektivat që kanë.
VIRGJËRESHA
Edhe pse shihen si tejet të ndjeshëm, kritikë dhe kërkues, njerëzit e shenjës së Virgjëreshës janë shumë më tepër se kaq. Janë miq gjithnjë të pranishëm kur ke nevojë, të dashur dhe mbi të gjitha të ndershëm. Janë gjithnjë të gatshëm për të mbështetur ata që duan dhe i lënë mënjanë problemet e tyre për t’u ofruar mbështetje të dashurve të tyre.
PESHORJA
Duke qenë shumë të ndershëm dhe duke insistuar për të qenë afër të dashurve të tyre, Peshoret fshehin brenda vetes ndrojtje, e cila shpesh nuk i lejon të shfaqen se kush janë në të vërtetë, me gjithë cilësitë dhe difektet e tyre. Thellë thellë kanë frikë se mos gjykohen nga njerëzit që i rrethojnë, për shkak të personalitetit të tyre të vërtetë, por luftojnë çdo ditë për t’u çliruar nga ky mendim negativ
AKREPI
Për shumë vetë Akrepi shihet si shenja më mizore e zodiakut: hakmarrës, të paedukuar dhe madje edhe dashakeqës, në shumë raste. Këto opinione të ekzagjeruara mund të na ndalojnë të shohim një anë shumë pozitive të personalitetit të Akrepëve. Të lindurit nën këtë shenjë janë shumë të vëmendshëm dhe të dedikuar ndaj njerëzve që duan, duke i mbrojtur në çdo moment.
SHIGJETARI
Shigjetarët janë konsideruar si njerëz shumë të impenjuar dhe seriozë për të mbajtur fjalën. Por, ajo që pak vetë dinë, është se Shigjetarët përballen me një dilemë shumë serioze brenda vetes, për të plotësuar gjithçka që premtojnë. Janë të detyruar të përforcojnë vetvlerësimin, në mënyrë që të mbajnë fjalën.
BRICJAPI
Bricjapi është ndër shenjat më pak të vlerësuar të zodiakut. Shihen si njerëz që kontrollojnë shumë, rigorozë, seriozë dhe shpesh të mërzitshëm. Por, nga ana tjetër e gjithë këtyre karakteristikaave, janë persona që përballen me momente pasigurie dhe pavendosmërie, si të gjithë ne, kështu nuk dinë se çfarë të bëjnë. Në shumicën e rasteve, sjelljet e tyre të ekzagjeruara nuk janë tjetër veçse nevoja e fshehur që kanë për t’i ndihmuar.
UJORI
Shpesh këta persona gjykohen si sipërfaqësorë dhe apatikë, pa mendime, ndjenja dhe ideale. Por, realiteti nuk është gjithnjë ky. Ujorët ndihen si të gjithë ne, por nuk janë mësuar t’i përcjellin ndjesitë e tyre aq lehtë si shumica. Kanë mësuar t’i ndajnë me veten.
PESHQIT
Shpesh shihen si njerëz të sjellshëm, të edukuar dhe të ndjeshëm. Peshqit kanë edhe anët e tyre jo aq pozitive që dalin në pah kur ndihen të kërcënuar apo të fyer nga njerëzit që i rrethojnë. Kur ndihen të lënduar, e kthejnë me të njëjtën monedhë.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot debatin në lidhje me mbylljen e kazinove. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në Kuvend, nga rrjetet sociale ka thumbuar kundërshtarin e tij politikë duke publikuar një foto të Berishës në kazino.
Rama në një postim në Instagram, ka publikuar një foto të Berishës në një kazino dhe shkruan se bastet nuk i shpëton dot asnjë.
“Nga kazinotë elektronike tek shpifjet elektronike. Por bastet nuk i shpëton dot më as dëshpërimi i lojtarëve të fatit, as paraja e krimit të organizuar që financon industrinë e baltës kundër mbylljes së tyre dhe as hungërrimat e derrave apo pickimet e mushkonjave të kënetës mediatike”, shkruan Rama në postimin e tij.
Lajme të jashtëzakonshme nga kampi i unazimit në Orikum! Mbrëmjen e 12 Tetorit 2018, në rrjetat e ngritura ra një specie e re që ngjalli debat, diskutim dhe padyshim shumë gëzim.
Studiesit e huaj hungarezë nga MME – Magyar Madártani Egyesület dhe shqiptarë nga AOS zbuluan praninë e Fishkëllyesit të murrmë (Phylloscopus fuscatus), një shpend i vogël me peshë 8.2 gr., me gjatësi krahësh 5.4 cm, gjatësi bishti 4.3 cm dhe gjatësi mesatare bisht-kokë 11-12 cm.
Fishkëllyesi i murrmë është specie e re për vendin tonë dhe e pavrojtuar asnjëherë më parë. Ai është mjaft i rrallë në Europë dhe konsiderohet si endacak. Specia është e përhapur kryesisht në Azi dhe pika më e afërt me Shqipërinë janë Himalajet ose kufiri Indi-Pakistan-Nepal siç shihet edhe në hartën e shpërndarjes.
Fishkëllyesi i murrmë folezon në Azinë juglindorë dhe pikërisht në Kinë, Mongoli, Siberi etj. Është kryesisht insektngrënës dhe shtegtar tipik. Pas sezonit të folezimit zbret në Indi, Malajzi, Vietnam, Bangladesh, Kinën jugore etj.
Identifikimi në natyrë i Fishkëllyesit të murrmë është mjaft i vështirë për shkak të ngjashmërisë së lartë me fishkëllyes të tjerë dhe sidomos me Fishkëllyesin e vogël (Phylloscopus collybita). Por shpina tek Fishkëllyesi i murrmë është më e errët dhe në ngjyrë gështenjë. Po kështu këmbët e të murrmit janë në ngjyrë të hapur.
Ky zbulim i jashtëzakonshëm na bën krenarë për kontributin tonë në njohjen më të mirë të faunës së Shqipërisë.
Shqiptarët vitin e shkuar shpenzuan rreth 130 milionë euro në lojëra fati. Kaq ishte qarkullimi vjetor i këtyre kompanive. Ndërkohë mjekët e konsiderojnë sëmundje varësinë nga lojërat e fatit.
Sot vendos një skedinë, nesër një tjetër derisa kjo të kthehet në mendimin e parë sapo del nga shtëpia.
Dëshira kthehet në nevojë dhe kontrolli i impulsive bëhet i pamundur.
Varësinë nga lojërat e fatit Shoqata Amerikane e Mjekëve Psikiatër e ka cilësuar sëmundje që në vitin 1980, ndërsa mjekët psikiater shpjegojne se kur nje person cilesohet i varur..
Irena Thoma, Mjeke Psikiatre: “E kanë bërë lojën e fatit një qëllim kryesor të jetës së tyre. Merren vazdimisht me ketë lloj sjellje Tjetër është toleranca. Kur në një mnmënyrë këta individë bëjnë këtë sjellje dhe nuk i shqetëson fakti që po rrënojnë ekonomikisht. Bëhen problematikë në familje, punë e shoqëri. Ndjehen të stepur për tu tërhequr nga kjo sjellje, por duke qenë se janë të varur dhe nuk mund ta lënë këtë sjelleje ata rikthehen përsëri.”
Të ardhurat e kompanive të lojërave të fatit kanë shënuar rritje nga viti në vit gjë që tregon edhe për përdorimin e tyre nga qytetarët.
Nga ky ves shqiptarët shpenzojnë 130 milionë euro në vit. Kaq ishte qarkullimi vjetor i kazinove dhe basteve sportive në vitin 2017.
Qytetar 1: Provova të luaja fatin, po rrallë ia dola.
Gazetarja: Sa lekë vendose?
Qytetar 1: 1 mijë lekë, 2 mijë lekë
Qytetar 2: Shokët e mi kanë vënë, po unë jo.
Gazetarja: Pse vënë?
Qytetar 2: Po se janë të fiksuar, është mirë që po bëhet kjo, që po hiqen, është humbje kohe dhe lekësh. Është mirë të angazhohen adoleshentët me punë, se të merren me bixhoz.
Qytetar 3: Skedina kemi vënë.
Gazetarja: Sa lekë?
Qytetar 3:Në bazë të shifrave 500-700, po fitimet kanë qenë shumë pak.
Gazetarja: E provon shpesh?
Qytetar 3: Jo ndonjëherë kur shohim gazetën dhe ndryshon mendja.
Disa luajnë për t’u argëtuar, të tjerë për t’u identifikuar në shoqëri, një pjesë për të fituar ndërkohë që vesi mund t’i çoje në kurth.
Stigma vijon të mbajë larg specialistëve persona të tillë, ndërsa mjekët thonë se kontakti me ta bëhet i domosdoshëm.
Irena Thoma, Mjeke Psikiatre: “Truri i qënies njerëzore është i sajuar që të prodhohen disa neurotransmetues në momentin kur bën diçka që sjell kënaqësi kjo është më dominante dhe këta persona zgjedhin lojën e fatit për ta arritur këtë lloj vetëkënaqësie se ka edhe gjendje emocionale shoqëruese si pagjumësia, stresi, ankthi, humori jo i mirë dhe në këto momente ndërhyhet me një plan trajtimi medikamentesh, me ndjekje nga psikiatri dhe psikoterapi”.
Kryeminsitri ka paralajmëruar mbylljen e basteve sportive dhe zhvendosjen e kazinove nga zonat e banuara nga janari i vitit 2019.
Thuajse pesë vjet nga operacioni “Fundi i Marrëzisë” të tjera ndryshime ligjore shkojnë në parlament.Por për të parë nëse këtë herë marrëzia do të marrë fund vërtetë duhet pritur dhe pak kohë./ABC News
Në Bosnje janë zbuluar disa piramida, të cilat rezultojnë të jenë ndërtuar nga ilirët. Për nga mënyra sesi janë ndërtuar, ata janë tejet të sofistikuara, gjë e cila ka befasuar shumë ekspertë.
Sipas historianit dhe arkeologut amerikano-boshnjak, Sam Semir Osmanagiç, piramidat në Bosnje, ajo e Diellit, Hënës dhe e Muajit janë piramidat më të vjetra që janë ndërtuar ndonjëherë mbi sipërfaqen e Tokës.
Piramidat janë zbuluar në vitin 2006, në Visoko, qytet 20 km larg kryeqytetit të Bosnjes, Sarajevë.
Madje, sipas arkeologut boshnjak që i ka zbuluar, piramidat janë edhe më të lashta nga piramidat e Egjiptit.
“Piramida më e lartë në botë është ajo e Gizës, 145 metra, piramida më e lartë e Majave është ajo El Mirador – 103 metra, por piramida më e lartë në botë është ajo e Bosnjës, e quajtur Piramida e Diellit e lartë 220 metra.
Shmangia nga veriu është 0 gradë, 0 minuta dhe 12 sekonda. Asnjëherë nuk është shënuar një orientim më i saktë se ai në Piramidën e Diellit”,ka shpjeguar Semir Osmanagic, transmeton INA.
Disa gjeolog vendas dëshmojnë se këto janë thjeshtë përbërje gjeologjike, por Osmanagic shprehet se kanë të dhëna se ato janë të ndërtuara nga njeriu.
Sipas arkeologut që i zbuloi, Osmanagic, piramidat ilire në Bosnje nuk janë përmendur më parë për shkak se ata janë fshehur nga sistemi politik në ish-Jugosllavi.
Prodani i ka zbuluar emrat pas një pune voluminoze në arkivat amerikane.
Gazeta Dita do të botojë në mënyrë ekskluzive të gjithë emrat 4973 shqiptarëve që luftuan në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Parë Botërorë, por edhe emrat e 3441 shqiptarëve që luftuan në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërorë.
Nga Viron Prodani
Një historik i shkurtër i Luftës së Parë Botërore
Lufta e Parë Botërore apo Lufta e Madhe ishte lufta që përfshiu pothuajse gjithë botën, nga viti 1914 deri në vitin 1918. Kjo luftë i kushtoi njerëzimit humbjen 20 milionë njerëzve. “Lufta e Madhe” përfshiu gjashtë kontinentet e banuara të lëmshit tokësor: Evropën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe Australinë. Lufta e parë botërore ishte kryesisht e përqendruar në Gjermani dhe Francë e ndarë në bllokun qendror dhe Antantën. Lufta e I Botërore nisi me vrasjen e kryedukës Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit të Perandorisë Austro-Hungareze në Sarajevë të Bosnjës nga serbo-boshnjaku Gavrilo Princip me 28 qershor 1914.
Vrasësi Gavrilo Princip (majtas) dhe kryeduka Franc Ferdinandit. Të dy të fotografuar në vitin 1914
Në këtë konflikt mbarëbotëror të armatosur u përballuan dy fuqi të mëdha: Perandoritë qendrore (Perandoria gjermanike dhe Perandoria Austro-Hungareze) dhe nga ana tjetër Pakti i Trefishtë (me Mbretëritë e Bashkuara, Francën, dhe Rusinë). Lufta e Madhe filloi me 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918 me fitoren e Paktit të Trefishtë.
Lufta shkaktoi shpërbërjen e katër perandorive: Perandorisë Austro-Hungareze, Prusisë, Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Gjermania humbi perandoritë koloniale dhe shtetet evropiane të Çekosllovakisë, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Jugosllavisë fituan pavarësinë.
Lufta e I Botërore shënoi mbarimin e rendit botëror që u vendos pas Luftërave Napoleoniane, dhe ishte një shkaktare e rëndësishme për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.
Hyrja e SHBA në luftë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë tre viteve të para të luftës ndoqën një politike neutraliteti. Në janar të vitit 1917, Gjermania filloi luftë te pakufizuar duke mbytur edhe 5 anije të SHBA. Për këto sulme dhe shkaqe të tjera, Amerika vendosi të hynte në luftë.
Në draft regjistrin e viteve 1917-1918, u regjistruan 24 milion vetë. Këta i përkisnin viteve të lindjes nga viti 1872 deri në vitin 1900, pra 18 deri 45 vjeç.
EMIGRANTËT SHQIPTARE NË LUFTËN E PARË BOTËERORE
Në dhjetor të vitit 1917, Faik Konica nga Londra i kërkoi Këshillit te Vatrës që të organizohet një regjiment shqiptar i cili nën komandën e kolonel Herbert dhe nën flamurin shqiptar do të luftoje bashkë me aleatët në Shqipëri. Anglia e pëlqeu planin e kolonelit Herbert, por problemi qëndronte nëse kishte mjaft shqiptarë sa për të formuar një regjiment. Edhe komisioni i Vatrës e pëlqeu ketë plan dhe ua beri të njohur të gjitha degëve me një qarkore.
Krijimi i këtij regjimenti, do te sillte disa të mira për Shqipërinë si:
-Simpatinë dhe përkrahjen e Shqipërisë për sigurimin e kufijve dhe integritetin e saj në Kongresin e ardhshëm të Paqes.
-Federata Pan Shqiptare Vatra do të merrte një rendësi ndërkombëtare dhe zëri i saj do të dëgjohej me mirëdashje nga aleatët.
-Pas çlirimit te vendit, Shqipëria do të kishte një ushtri kombëtare që të mbronte kufijtë e saj, e cila do të vendoste rregullin dhe paqen në vend.
-Do ti provohej popullit amerikan që jemi gati të bëjmë pjesën tonë në këtë lufte të madhe për vendosjen e demokracisë në të gjithë botën.
-Do t’i provohej botes, që jemi gati të luftojmë dhe të vdesim për lirinë e vendit tone.
Thirrja për përfshirjen e shqiptarëve të Amerikës në këtë luftë të madhe ishte:
-O burrani pra, le të organizojmë regjimentin shqiptar për nder dhe lavdi të kombit tonë.
-Na do nderi dhe detyra, të luftojmë për flamurin amerikan.
-Regjimenti do të jetë kurorë për mbi të gjitha punët që kanë bërë shqiptarët e Amerikës.
Më 3.6.1917, Federata Vatra kërkoi nga degët e saj që të mblidheshin 40.000 dollarë fonde ndihmë për shpëtimin e Shqipërisë. Deri në vitin 1919 kur u zhvillua Konferencën e Paqes u mblodhën 250.000 dollarë.
Kjo dëshirë e madhe e emigrantëve shqiptarë për të kontribuar në Luftën e Parë Botërore nën flamurin e SHBA u realizua kur Qeveria Amerikane beri regjistrimin e atyre që ishin të afte për luftë. Në këtë mobilizim, u regjistruan rreth 4.800 shqiptarë, ndërsa numri i përgjithshëm i të mobilizuarve ishte 24 milion. Për çdo person, u plotësuan kartelat individuale ku shënohej numri i kartelës, data e mobilizimit, emri, mbiemri, viti i lindjes, vendi i lindjes, vendi i banimit dhe të tjera të dhëna.
Ushtarët shqiptarë sipas grup moshave në vjeç 18-20, 21-30, 31-40 dhe numrit te tyre ishte: 18-20, 350 vetë, 21-30, 4.340 vetë, dhe 31-42, 103 vetë. Gjithsej 4.793 vete.
Sipas shteteve ku janë regjistruar, ato janë: Massachusetts 1.410, Connecticut 730, Pennsylvania 500, Neë York 300, Ohio 270, Maine 235, Michigan 195, North Dakota 155, Utah 135, Missouri 115, Rode Island 110, Illinois 110, Nee Hampshir 95, Montana 80, Wisconsin 80, Neë Jersey 60, Indiana 53, Minessota 30, Californi 25, Arizona 25, Washington 20, dhe ne Virginia, D.Columbia, Nebraska, Oregon, Delavuare, Florida, Tennese, Virginia, Ioëa, Georgia, Colorado 60 vetë. Gjithsej 4.793 vetë.
Shtypi shqiptar i kohës që botohej në shqip në SHBA, jep pak informacion për ushtarët shqiptare që morën pjesë në luftë.
LISTA EMERORE E USHTAREVE SHQIPTARE NE LUFTEN E PARE BOTERORE
Pilulat kundër shtatzanisë po përdoren gjithnjë e më shumë dhe mund të gjenden lehtësisht në çdo farmaci. Ato merren pa një letër rekomandim nga mjeku. Por çfarë thonë mjekët gjinekologë për përdorimin e shpeshtë të tyre?
“Mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore, jo direkt infertilitet, por ka ndikime anësore të pakthyeshme…”
Pilulat e emergjencës që merren 24 orë pas një raporti seksual janë edhe më të rrezikshmet sipas mjekëve. “Ato sjellin dëme më të mëdha, pasi vajzat i marrin pa bërë ndonjë konsultë paraprake…”
Sipas mjekut Gjoni këto pilula po përdoren nga moshat e reja të cilat kanë edhe më tepër dijeni për to, por pikërisht në këto mosha mund të ketë edhe pasoja të pakthyeshme që veprojnë më pas si efekt ‘boomerang’. Megjithatë këto medikamente kanë ndikuar në uljen e numrit të shtatzanive të padëshiruara.
“Nuk mund të them një numër konkret, pasi ka edhe klinika private që e ofrojnë këtë shërbim, megjithatë prej tyre ka deri diku shpëtim nga aborti.”
Edhe pse pilulat jepen pa një recetë mjeku, specialistët sugjerojnë që vajzat të marrin informacion paraprak për pasojat që mund të sjellin këto medikamente në shëndetin riprodhues.
Nga Leonard Veizi :Të dilje jashtë shtetit me një anije tregtare, për një shqiptar në breg të detit ishte ëndërr, padyshim. Por kjo nuk vlente vetëm për njerëzit e izoluar brenda klonit që kërkonin të dinin më shumë për pjesën tjetër të botës. Udhëtime të shpeshta, ankorime në porte të ndryshme dhe të prekurit e vendeve ekzotike, nuk të jepet rasti kaq lehtë t’i shijosh, veç në ke një llogari të mirë në bankë me të cilat duhet të prenotosh kabinë komode në një kroçiera moderne. E për më shumë se kaq duhet të blesh një jaht që të jetë në gjendje të përballojë dallgët e Paqësorit. Ndërkohë, këtë mundësi kanë pasur marinarët e Flotës Tregtare, që lundronin për llogari të shtetit shqiptar, nga Kuba në Kinë, nga Aleksandria në Roterdam, apo nga portet e Anglisë në ato të Libisë…
Në fakt, veç shkëlqimit 30 vjeçar, fort i trishtuar ka qenë epilogu i Flotës Tregëtare të Shqipërisë, i asaj që u ndërtua me kontributin e shtetit të para viteve ‘90. Transoqeanikët dolën jashtë përdorimit e u shitën për skrap. Sot, të pasurit e një anije transporti ka të bëjë me fuqinë blerëse të individëve apo kompanive private. Gjithsesi, Flota Tregëtare Shqiptare nuk e ka humbur traditën dhe vazhdon të ketë një grup anijesh në përbërjen e saj.
100 mijë ton ngarkesë
Në kohën e saj më të mirë, diku në vitet ‘80, Flota Tregtare Shqiptare kishte të paktën 20 anije cilësore me të cilat mund të transportonte në shumicën e porteve të botës një ngarkesë prej rreth 100 mijë tonësh. Sipas librit “Historia dhe Dinamika e Transportit në Shqipëri” shkruar nga ish-zv/sministri i Transporti, Sadedin Çelikut, flota tregtare numëronte rreth 40 anije respektivisht rreth 20 për transportin e jashtëm dhe 20 të tjera për transportin e brendshëm detar. Duhet pasur parasysh se rreth viteve 1980, kantieri detar në Durrës prodhoi disa anije transporti duke shtuar inventarin e flotës tregtare. Ndër anijet e inventarit janë dhe “Rinia”, “Boshtova”, “6 Shkurti”, “Shkumbini”, etj., të cilave tanimë thuajse nuk i gjendet asnjë gjurmë, madje as pas kërkimit në agjensinë “Shipspotting” e cila evidenton të gjitha anijet që qarkullojnë në botë.
Kapiteni i transoqeanikëve
Ndërkohë Fore Kureta, i cili të fshehtat e lundrimit detar i studioi në Bullgari, dhe punoi si kapiten anijesh tregtare për më shumë se 20 vite me radhë, gjatë një interviste të realizuar disa vite më pàrë u shpreh se flota shqiptare, oficerët drejtues e marinarët e thjeshtë, ishin tepër korrektë dhe për këtë kishin fituar besimin në të gjitha bankinat ku ankoroheshin anijet me flamurin kuqezi. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Sipas dëshmisë së Kuretës deri në vitin 1960, anijet e transportit shqiptar drejtoheshin nga kapitenë të huaj. Kryesisht, ata ishin bullgarë dhe rusë. Në vitin 1961, pas shkëputjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me kampin socialist, ata u larguan, kështu që oficerët e rinj shqiptarë të porsa diplomuar në shkollat e Lindjes u detyruan të merrnim me urgjencë drejtimin e Flotës Tregtare. Karriera e Kuretës do të niste si Oficer i Parë në anijen 5-mijë tonëshe “Durrësi”, më pas si Kapiten i anijes 3.500 tonëshe “Skënderbeu” dhe së fundi merr drejtimin e anijes 12.000 tonëshe “Tirana”. Por ai ka drejtuar në disa lundrime edhe transoqeanikun 16.000 tonësh “Arbëria”.
Flota me anije hekuri
Në historia detarisë shqiptare shkruhet se lundrimi nisi që në kohët e lashta, por fill pas Luftës së Dytë Botërore u mendua për ngritjen e flotës tregtare. Deri në atë kohë, Shqipëria kishte vetëm anije të vogla prej druri. Në kuadër të rreshtimit ndër shtetet që pësuan dëme nga lufta, Shqipëria përfitoi mes të tjerave edhe tri anije tregtare. Dy prej tyre, “Sazani” dhe “Butrinti” 500 tonëshe erdhën krejt të reja në vitit 1961 nga Gjermania, ndërsa “Teuta” në po të njëjtën periudhë erdhi nga Italia. Por flota tregtare u furnizua dhe me avulloret, që viheshin në punë me anë të avullit të prodhuar nga djegia e mazutit. Të tilla ishin anijet “Durrësi”, “Partizani” dhe “Liria”, të cilat erdhën të reja në vitin 1961 nga Polonia.
Ngarkesat e madha
Sipas dëshmisë së kapitenit Fore Kureta, Shqipëria bënte tregti me shumë vende dhe anijet e shtetit hynin në më shumë se 100 porte të botës. Në rrëfimin e tij Fore Kureta kujton se rrugë shumë interesante kishte bërë në Vietnam dhe Kore ku në anijen 5000 tonëshe “Durrësi” u ngarkuan pjesë ndërrimi për avionë luftarak. Ndërkohë nga Anglia me po të njëjtën anije u transportuan 10 makina tip “Centaur” 40 tonëshe, që përdoreshin në ndërtimin e hidrocentraleve. Një nga problemet më të mëdha që Kureta ka hasur ka qenë transporti i dy kullave të mëdha, nga 52 ton, 54 metra të gjata dhe me diametër 4.70 metra, të cilat u montuan në Azotikun e Fierit.
“Tirana”, një anije moderne
Po çfarë të dhënash kishte një anije moderne që duhet të përballonte dallgët e detit Mesdhe por dhe ato të oqeanit Indian? Ja shpjegimi i ish-kapitenit Fore Kureta për transoqeanikut “Tirana”: “Një nga kulmet e progresit teknik të asaj kohe në fushën e lundrimit detar ishte anija “Tirana”. Ndërtimi i saj mbaroi në fund të vitit 1970 dhe erdhi për herë të parë në portin e Durrësit më 26 mars 1971. Ishte një anije me një helikë dhe me një motor, e destinuar për transportin e të gjitha llojeve të mallrave të thata. Anija ishte e gjatë 153 metra, e gjerë 19,4 metra, lartësia e bordit 11,65 metra dhe zhytjen e ngarkesës së plotë e ka 9,07 metra. Në kuvertë ishin të vendosura mekanizmat e akostimit, vinçat dhe spiranca. Lokali i makinerisë ishte në mes të anijes. Kishte tre hambarë në bash dhe dy hambarët në kiç, me një kubaturë prej 17.865 metër/kub. Mbulesat e hambarëve ishin të mekanizuar, hapeshin dhe mbylleshin në bazë të sistemit hidraulik. Anija kishte 20 vinça elektrikë dhe biga 5-10 tonëshe. Më e madhja ishte biga e rëndë 60 tonësh. Anija kishte dy sanalle shpëtimi, secila për 72 veta, njëra prej të cilave me motor. Anija kishte depozita me ujë të pijshëm e karburant që siguronin autonomi lundrimi për 15 mijë milje detare. Ura e komandimit ishte e gjerë, e përshtatshme për punë dhe e pajisur me të gjitha instrumentet më modernë të drejtimit të anijes. Kishte dy radarë njërin tip “Deka” dhe dispazon 0.7 deri në 48 milje dhe tjetrin tip “Kelvin” me diapazon 0.7-64 milje detare. Anija veç hambarëve dhe kuvertës kishte dhe një hambar frigoriferik që shërben për transportimin e mallrave ushqimorë. Por ajo kishte dhe një aparaturë për kthimin e ujit të detit në ujë të pijshëm dhe prodhonte 12 ton në 24 orë”.
Anijet kryesore të Flotës Flota shqiptare kishte rreth 20 anije hekuri që përdoreshin për transporte jashtë vendit. Kjo flotë fillonte me anijet më të vogla “Sazani” e “Butrinti” me nga 500 tonë ngarkesë për të vijuar me më të madhen e modernen “Arbëria” me 16 mijë ton ngarkesë.
“Arbëria”
Transoqeaniku “Arbëria” ishte anija më e madhe dhe më moderne e Flotës Tregtare. U ble në vitin 1975 nga shteti shqiptar në Suedi për rreth 5 milionë dollarë dhe kishte kapacitet mbajtës 16 mijë ton. Ishte një kryevepër e teknologjisë më të avancuar të kohës, krejtësisht e automatizuar e me ajër të kondicionuar. Anija bënte kryesisht linjën e Kinës dhe Kubës. Ajo punonte me qira dhe për palët e treta.
“Tirana”
Kjo ishte një anije bashkëkohëse e “Arbërisë”, vetëm se e prodhuar në Poloni. Më saktë, anija u porosit nga qeveria shqiptare aty rreth vitit 1972 dhe ishte krejt e re kur mbërriti në Durrës. Kapacitetin mbajtës e kishte 12 mijë ton dhe konsiderohej nga më të mirat e flotës tregtare shqiptare. Anija përdorej për udhëtime të gjata dhe punonte edhe për llogari të të tretëve.
“Vlora”
Anija “Vlora”, 12.600 ton kishte vetëm një vit që ishte prodhuar, kur u ble në Xhenova të Italisë në vitin 1961, rreth 4 milionë USD. Anija punonte edhe me solar. Në vitin 1961, stafi i saj u kompletua me oficerë të marinës luftarake. Anija kujtohet nga njohësit e saj si shumë e fortë, pasi nuk kishte ndodhur të bënte asnjë defekt rrugës.
“Shkodra”
Kishte të gjitha parametrat e “Vlorës” dhe ishte prodhuar po në Xhenova të Italisë. U përdor me sukses nëpër linja të gjata. “Shkodra” ishte inkuadruar së bashku me anijen “Vlora” në një shoqëri të përbashkët shqiptaro-kineze të quajtur “CHAL Ship Company”, e cila kishte tre anije, por që pas shpërbërjes “Shkodra” dhe “Vlora” i mbetën shtetit shqiptar.
“Durrësi”
Anija avullore me emrin “Durrësi” përfundoi për skrap në vitin 1997. I blerë i ri, i sapondërtuar në vitin 1961 në kantierin detar “Stocznia Gdanska im. Lenina Gdansk”, në Poloni, “Durrësi” ishte një nga mjetet lundruese kryesore të flotës tregtare shqiptare në vitet 1960-1970. Në foto-arkivat ndërkombëtare anija është fiksuar disa herë, madje dhe me emrin “Dyrrahu”
“Gjirokastra”
Në evidencën e anijeve të çrregjistruara ekziston dhe “Gjirokastra” e cila pas privatizimit në vitin 1996 mori emrin e dytë: “Baxha”. Por anija pati dhe një shitje tjetër, kompanisë greke GT Shipping Inc, që i vuri emrin e tretë – “GT1” me flamur panamez. “Gjirokastra” u shit për skrap dhe u shpërbë më mars 2010 në kantierin e demolimit në Aliaga, Turqi.
Anijet e Flotës Tregëtare Shqiptare
Tani këto quhen ish-anijet e Flotës Tregëtare Shqiptare. Janë të dhënat e 16 anijeve të shoqëruara me fotot e 11 prej tyre
Arbëria 16.350 ton, prodhuar në Suedi më 1975 – bllokuar në Turqi
Tirana 12.038 ton, prodhuar në Poloni më 1972 – bllokuar në Greqi
Vlora 12.341 ton, prodhuar në Itali më 1961 – jashtë përdorimit
Shkodra 12.501 ton, prodhuar në Itali 1961, – jashtë përdorimit
Durrësi 5.037 ton, prodhuar në Poloni 1961 – jashtë përdorimit
Dajti 4.581 ton, prodhuar në Gjermani 1960 – jashtë përdorimit
Skënderbeu 3.600 ton, prodhuar në Bullgari 1960 – peng në Itali pas eksodit
Mati 3.500 ton, prodhuar në Poloni 1960 – mbytur në Kostanca, Rumani
Partizani 3.556 ton, prodhuar në Poloni 1961- jashtë përdorimit
Gjirokastra 2.700 ton, prodhuar në Durrës 1983- shitur më 2006
Liria 2.500 ton, prodhuar në Poloni 1961- jashtë përdorimit
Teuta 1711 ton, prodhurar në Itali 1960 – jashtë përdorimit
Korabi 1.500 ton, prodhuar në Itali 1965 – bllokuar më 2002 në Itali
Saranda 1.100 ton, prodhuar në Durrës 1984 – shitur më 2006
Sazani 500 ton, prodhuar në Gjermani 1960 – jashtë përdorimit
Butrinti 500 ton, prodhuar në Gjermani 1960 – jashtë përdorimit