Irina

Meta argumenton vendimin për shfuqizimin e Dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit

Presidenti Ilir Meta argumentoi sot arsyet që e çuan drejt marrjes së vendimit për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një konferencë për shtyp nga presidenca, Meta tha se “Presidenti i Republikës është organi i vetëm që ka për kompetencë caktimin për datën e zgjedhjeve”.

“Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë të saj Kushtetuta përcakton se, “Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen. Zgjedhja e kushtetutëbërësit, që të jetë pikërisht Presidenti i Republikës autoriteti që ushton kompetencën kushtetuese të caktimit të datës së zgjedhjeve është e lidhur ngushtësisht dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë me rolin dhe funksionin e tij si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit”, tha ai.

“Referuar këtij roli që i është dhënë Presidentit në nenin 86 të kushtetutës, kushtetutëbërësi ka vendosur që të jetë pikërisht ai organi që duhet të caktojë datën e zhvillimit të zgjedhjeve, sepse dita e realizimit të tyre duhet të jetë një moment bashkimi për qytetarët shqiptarë, ku ata lirisht zgjedhin midis alternativave dhe kurrsesi kjo s’mund të jetë një ditë përçarje midis tyre”,tha ai.

Presidenti tha se dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin dhe se 30 qershori është dekretuar në kushtet e një klime normale në vend.

“Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve. Nga ana tjetër Shqipëria po kalon një krizë kushtetuese. E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit”, deklaroi ai.

“Nga ndjekja e këtij procesi, rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit, partitë politike të opozitës, nuk janë regjistruar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, duke parashtruar publikisht se shkaqet për mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore kanë të bëjnë me faktin se nuk mund të sigurohet zbatimi dhe respektimi i standardeve kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky vendim i opozitës për të mos u regjistruar si subjekte zgjedhore për të konkuruar për organet e qeverisjes vendore, pason vendimmarrjen e saj për djegien/dorëheqjen në bllok nga ushtrimi i mandateve të deputetëve opozitarë në Kuvendin e Shqipërisë, duke bërë kështu që edhe jeta politike parlamentare të pësojë një krizë të rëndë përfaqësimi”, tha ai.

Ai tha se “zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet tensionuara sjell jo vetëm bojkot por edhe rrezikun e një konflikti civili. Presidenti ka përgjegjësinë që të sigurojë bashkëjetesën demokratike e cila vjen para çdo rregullimi tjetër”.

Shqipëria, tha ai, po kalon një krizë të rëndë kushtetuese, e cila evidentohet qartë me faktin se prej më shumë se një viti Republika e Shqipërisë nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe si për ta rënduar më shumë këtë gjendje, së fundmi edhe Gjykata e Lartë është jashtë funksionit të saj.

Meta tha se e gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, kjo për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë.

“Si President i Republikës, kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam paralajmëruar aktorët kryesor politikë në vend, që të bashkëpunojnë midis tyre me qëllim që të shmangin ndasitë dhe konfliktet midis tyre dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për të bashkëpunuar për realizimin e suksesshëm të të gjitha reformave të rëndësishme, si dhe përmbushjen e të gjitha prioriteteve kyçe që Shqipëria ka të domosdoshme për të arritur sa më shpejt në rezultate pozitive që do të na mundësonin marrjen e një përgjigje pozitive nga vendet e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Presidenti.

Më tej, Meta tha se “nga njëra anë, mazhoranca shprehet e vendosur për të shkuar e vetme në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për zhvillim më datë 30 qershor 2019, pa ezauruar asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike në vend, madje pa ndërmarrë asnjë hap për të eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, përpara skadimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike në zgjedhje, por edhe më tej. Nga ana tjetër, edhe opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë, me mjete dhe forma të panjohura, zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e konsideruar zhvillimin e tyre si një provokim të rëndë që i bëhet demokracisë në vend.

Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtjes që po përdorin palët politike, Presidenti nënvizoi se ekziston rreziku që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktojnë pasoja të pakontrollueshme.

“Si Kreu i Shteti dhe përfaqësues i unitetit të popullit, tha ai, e konsideroj këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend. Detyra primare kushtetuese e Presidentit të Republikës është të garantojë unitetin e popullit dhe të mbrojë vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Duke vënë në dukje se organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike, Meta nënvizoi se “realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkuruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor”. Sipas tij, qytetarëve shqiptarë praktikisht u hiqet mundësia e zgjedhjes mes alternativave më të mira dhe në thelb e drejta kushtetuese për të zgjedhur nuk mund të aplikohet, pra kufizohet. Ai tha se zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit shqiptarë, cenon edhe disa parime kushtetuese që gëzojnë mbrojtje të posaçme kushtetuese.

“Ky qëndrim, reflektohet edhe në Vendimin e vitit 2007 të Gjykatës Kushtetuese, ku për më tepër gjykata thekson se: “Ndryshe ndodh në rastin e zgjedhjeve vendore. Këtu synohet një lidhje më e ngushtë midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit për vetë natyrën e organizimit dhe kompetencave të pushtetit lokal. Është pushteti vendor që kujdeset për zgjidhjen e problemeve aktuale të qytetarëve që lidhen me çështje të tilla si punësimi, kujdesi shëndetësor, arsimi parashkollor, pastrimi dhe gjelbërimi i mjediseve të njësisë vendore, etj”, argumentoi Meta.

“Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore. Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante”, tha ai.

Meta tha se ky rezultat fiktiv që do prodhohej, i bën zgjedhjet e dekretuara për t’u zhvilluar më datë 30 qershor, zgjedhje jo demokratike, sepse cenohen të drejtat kushtetuese të sanksionuara në nenin 1, pika 3, nenin 45 dhe 109 të Kushtetutës.

Presidenti tha se “pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet funksionimi i shtetit të së drejtës”. Kryetari i Shtetit, shtoi ai, ka përgjegjësinë kushtetuese të mbrojë parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke ndërhyrë në çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen.

“Është fakt publik, që në mënyrë të vazhduar partitë politike të opozitës, nuk kanë shprehur vullnetin për mospjesëmarrje në zgjedhje, por ngrenë shqetësimin se bazuar në faktet dhe të dhënave, si dhe historikut e mënyrës së zhvillimit të tyre ndër vite, të referuara këto edhe në raportet dhe rekomandimet e OBSE/ODHIR-it për proceset zgjedhore të zhvilluara në dekadat e fundit, zgjedhjet e planifikuara për zhvillim në datën 30 qershor 2019, nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”.

Sipas tij, opozita dëshiron të marrin pjesë në zgjedhje, por me kushtin që të garantohet liria e të gjithë qytetarëve për të votuar të lire, si dhe konkurim i lirë i të gjithë forcave politike, në përputhje me parimet kushtetuese dhe rregullat e mirëpërcaktuara ligjore.

Më tej, Presidenti deklaroi se “zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”. “Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politike në vend, ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vet sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do të defaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqe e stabiliteti në rajon. Presidenti i Republikës, ka ndjekur të gjitha protestat zhvilluara nga forcat opozitare, ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë. Të dy palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njera-tjetrës, ku shpesh herë me deklaratat e tyre i ndajnë qytetarët e vendit në dy pjesë duke i vendosur kështu për shkak të bindjeve politike përballë njeri-tjetrit, të gatshëm për të demostruar fuqinë e secilës palë”, vuri në dukje Meta.

Sipas tij, zhvillimi i protestave dhe i deklarimeve të opozitës si dhe i antimitingjeve apo thirrjeve kërcënuese të mazhorancës nuk japin aspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve, të qeta, të lira, të ndershme, kunkuruese dhe me standarde.

“Nga ana tjetër në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita, janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit, apo ndaj pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit, janë përdorur mjete, teknika, dhe në disa raste reagime jo proporcionale”, shtoi ai.

“Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit”, deklaroi Meta.

Presidenti tha se “shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese”.

Presidenti vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.

Meta tha se “si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.

“Zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore”, tha ai.

“Në rast se në Republikën e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet e datës 30 qershor, ku në pjesën dërrmuese konkurron për organet drejtuese vetëm një forcë politike, atëherë kjo situatë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe pikërisht në parimet bazë të saj, çka do të përbënte një regres me pasoja shumë të rënda për të ardhmen Europiane të vendit”, deklaroi Meta.

“Ftoj të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Ndaj i bindur për rëndësinë e këtij akti historik për të shpëtuar të ardhmen evropiane të vendit dhe për të mbrojtur bashkëjetesën demokratike të të gjithë shqiptarëve po e nënshkruaj këtë dekret përpara të gjithë shqiptarëve”, përfundoi Presidenti./atsh

Meta argumenton vendimin për shfuqizimin e Dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit Read More »

Fundjava me diell mbush Vlorën me turistë vendas e të huaj

Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si perla e Rivierës shqiptare gjatë kësaj fundjave ku dhe temperaturat ishin të larta është tejmbushur me turistë vendas dhe të huaj të cilët kanë shijuar bregdetin shkëmbor me ujëra të kristalta.

Vizitorët e shumtë shijuan fundjavën me diell në bregun e Lungomares ku përveç detit ata u argëtuan dhe me aktivitete të ndryshme që ofron ky vend, i cili tashmë ka hapësira atraktive për çdo grupmoshë.

Fotografitë e sjella nga Vlora pasqyrojnë momente nga fundjava e qytetarëve vlonjatë, por edhe e vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.

Në Vlorë edhe perëndimi i diellit mbi detin e kaltër është një spektakël që nuk duhet humbur.

Vlora me brigjet e saj: Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. /atsh

Fundjava me diell mbush Vlorën me turistë vendas e të huaj Read More »

Ushqimet që ulin kolesterolin

Ndryshimi i ushqimeve që hani mund të ulë kolesterolin dhe të përmirësojë yndyrnat në gjak. Duke shtuar në dietë ushqime që ulin LDL-në, (pjesëzat e dëmshme të kolesterolit që kontribuojnë në bllokimin e arterieve dhe ngushtimin e tyre (arterioskleroza), është mënyra më e mirë për të arritur një dietë të ulët të kolesterolit. LDL është quajtur ndryshe edhe kolesteroli i keq.

Ushqime të ndryshme ulin kolesterolin në mënyra të ndryshme.

Tërshëra. Një hap i parë i lehtë për të ulur kolesterolin është të hani një tas me tërshërë ose drithëra të ftohta me bazë djathi për mëngjes. Kjo ju jep 1 deri në 2 gramë fibra të tretshëm. Shtoni një banane ose disa luleshtrydhe për një tjetër gjysmë grami. Udhëzimet aktuale të të ushqyerit rekomandojnë marrjen e 20 deri 35 gramë fibra në ditë, me të paktën 5 deri në 10 gramë që vijnë nga fibra të tretshëm.

Elbi dhe drithërat. Ashtu si tërshëra, elbi dhe të gjitha llojet e drithërave mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, kryesisht nëpërmjet fibrave të tretshme që ato sigurojnë.

Fasulet. Fasulet janë veçanërisht të pasura me fibra të tretshëm. Ato gjithashtu marrin kohë për t’u tretur, çka do të thotë se do ndiheni të plotë për më gjatë pasi i keni konsumuar. Kjo është arsyeja që fasulet janë një ushqim i dobishëm për njerëzit që përpiqen të humbasin peshën. Me kaq shumë zgjedhje nga fasulet deri te thjerrëzat, bizelet e zeza dhe më gjerë dhe kaq shumë mënyra për t’i përgatitur ato, fasulet janë një ushqim shumë i gjithanshëm.

Patëllxhanet dhe bamjet. Këto dy perime me kalori të ulët janë burime të mira të fibrave të tretshme.

Arrat. Një studim ka treguar se bajamet, arrat dhe kikirikët janë të mira për zemrën. Duke ngrënë 2 arra në ditë, mund të ulni pak LDL-në, me rendin prej 5%. Arrat kanë lëndë ushqyese shtesë që mbrojnë zemrën në mënyra të tjera.

Vajrat vegjetale. Përdorimi i vajrave vegjetale të lëngëta si: kanola, luledielli etj., në vend të gjalpit apo dhjamit gjatë gatimit ose në tryezë, ndihmojnë në uljen e LDL-së.

Molla, rrushi, luleshtrydhet, frutat dhe agrumet. Këto fruta janë të pasura me pektin, një lloj fibre e tretshme që ul LDL-në.

Produktet e sojës. Ushqimi me sojë dhe i ushqimeve të bëra prej saj, si qumështi i sojës, u mbrojtën një herë si një mënyrë e fuqishme për të ulur kolesterolin. Analizat tregojnë se nëse konsumoni 25 gramë proteina soje në ditë (2 1/2 gota qumësht soje) mund të ulin LDL nga 5% në 6%.

Peshk yndyror. Konsumi i peshkut dy ose tri herë në javë mund të ulë LDL në dy mënyra, duke zëvendësuar mishin, i cili ka yndyrna të ngopura LDL, dhe duke dhënë yndyrna omega-3 të uljes së LDL. Omega-3 redukton trigliceridet në gjak dhe gjithashtu mbron zemrën, duke ndihmuar në parandalimin e fillimit të ritmeve anormale të zemrës. /atsh

Ushqimet që ulin kolesterolin Read More »

Manastirliu: Plan masash për një sezon turistik të sigurt

28 qendrat shëndetësore me shërbim 24 orë gjatë sezonit veror, do të jenë të përforcuara me autoambulanca fikse në zonat më të frekuentuara turistike, për t’ju përgjigjur më shpejt urgjencave gjatë sezonit veror”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga kryetari i bashkisë, deputetët e Durrësit dhe kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e këtij qyteti, inspektuan qendrën e posaçme të hapur për sezonin veror në zonën e Currilave, e cila është një nga 4 qendrat verore 24-orëshe të hapura në Durrës.
Jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në zonat malore, nga Valbona, në Ksamil ofrohet shërbim shëndetësor pranë zonave turistike, gjatë gjithë sezonit veror.

“Përveç qendrave shëndetësore verore, këtë vit do të kemi 18 postacione fikse autoambulancash, të pajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese, nga veriu në jug të vendit, në zonat më të frekuentuara turistike për të garantuar ndihmën e parë në kohë”, tha Manastirliu.

I gjithë shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore dhe nëpërmjet numrit 127, do të adresohet çdo emergjencë shëndetësore.

Përveç qendrave verore, të gjithë ekipet mjekësore në spitalet pranë zonave turistike do të jenë me shërbim të përforcuar si dhe shërbimi i autoambulancave dhe helikopterëve janë në gatishmëri.

Qendrat shëndetësore 24-orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 shtator. Gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik.

Qendrat shëndetësore verore 24-orëshe
Valbonë
Plazhi Velipojë
Plazhi Rrjoll
Theth
Razëm
Tamarë
Plazhi Shëngjin
Plazhi Tale
Plazhi Currila
Plazhi Durrës
Plazhi Gjiri i Lalëzit
Plazhi Shkëmbi i Kavajës
Plazhi Golem
Plazhi Mali i Robit
Plazhi Divjakë
Plazhi Darëzezë
Plazhi Zvërnec
Plazhi i Vjetër
Plazhi Radhimë
Plazhi Drimadhas
Plazhi Dhërmi
Plazhi Himarë
Plazhi Qeparo
Plazhi Ksamil 1
Plazhi Ksamil 2
Vendosja e autoambulancave
Ksamil
Sarandë
Borsh
Himarë
Jalë
Drimadhes
Orikum
Plazhi i Vjetër Vlorë
Darëzezë
Divjakë
Mali i Robit
Golem
Gjiri i Lalëzit
Tale
Shëngjin
Velipojë
Tamarë
Theth/atsh

Manastirliu: Plan masash për një sezon turistik të sigurt Read More »

City Matters: Shqipëria, xhevahiri i fshehur i Mesdheut

E izoluar nga pjesa tjetër e botës për një periudhë të gjatë të shekullit të XX, nuk është e habitshme që njerëzit e njohin kaq pak Shqipërinë, fillon reportazhin për vendin tonë portali i njohur londinez ”City Matters”.

Vetëm pas vitit 1991, kur regjimi brutal komunist u rrëzua, të huajt filluan të zbulojnë malet epike, fshatrat e thellë dhe plazhet e kristalta mesdhetare të përhapura në të gjithë vendin.

Shqipëria konsiderohet si Kroacia e re dhe një xhevahir i fshehur i Mesdheut për shkak të peizazhit të saj shumë të larmishëm.

Fshatrat e vogla janë ende të mbushura me banorë të zonës që drejtojnë sipërmarrjet tyre dhe plazhet janë të pastra dhe pa shumë njerëz, edhe në muajt më të nxehtë. Por kjo nuk do të zgjasë shumë. Ajo, pa dyshim që do të përballet me të njëjtin fat si vendet fqinje Greqia dhe Kroacia. Pra nëse keni ndërmend ta vizitoni, bëjeni sa më shpejt.

Bjeshkët e Namuna

Kjo zonë malore që njihet si Alpet Shqiptare, por që preferohet më shumë emërtimi që duket sikur ka dalë nga filmi “Lord of the Rings”, Bjeshkët e Namuna.

Dhe me siguri i përshtatet më së miri këtij emir. Atu mund të gjeni disa nga pamjet më mbresëlënëse, si dhe duhet të lodhesh shumë për t’i arritur ato. Sepse industria e turizmit është ende në hapat e para dhe aty mund të shkohet falas për ata që janë të gatshëm të bëjnë një ecje të gjatë mes maleve. Megjithatë, vështirësia e bën qëllimin përfundimtar shumë më shumë shpërblyes.

Izolimi e bënë gjithë këtë zonë të duket sikur është imagjinare dhe shumë larg Europës së shekullit XXI. Mes shkëmbinjve të thepisur që qëndrojnë sipër luginave të gjelbra ndodhen shtëpi të vogla prej guri shumë të vjetar dhe komunitete tradicionale të cilët ecin hap pas hapi me ujqërit.

Parku Kombëtar i Thethit është një prej pjesëve më të famshme dhe të arritshme të Bjeshkëve të Namuna dhe ofron pak nga çdo gjë. Është njësoj si Lugina e Madhe në filmin “Land Before Time”, një oazë biodiversiteti, rrethuar nga maja të thepisura. Poshtë luginës gjenden sisteme të gjata lumenjsh, lagunash, ujëvarash dhe çdo gjë tjetër që lidhet më florën dhe faunën e egër. Duket kaq shumë origjinale.

Riviera shqiptare

Ndërsa vargmalet janë pjesa më pak e vizituar e Shqipërisë, plazhet sigurisht që janë më popullorët. Rekomandohet të marrësh me qira një makinë kur shëtit vijën bregdetare që të mund të ndalosh në çdo plazh të fshehur që të del përpara, nga të cilët ka shumë për t’u numëruar.

Për ata që kanë një buxhet të limituar, ka ende shumë autobusë që përshkruajnë zonën dhe autostopi vazhdon të jetë shumë popullor. Shqiptarët i marrin të huajt me kënaqësi dhe duke i dërguar nga një qytet bregdetar në tjetrin. Saranda është një prej qendrave më të mëdha për të pasionuarit pas detit. Aty mund të gjesh jetën e natës më të mirë dhe shumëllojshmëri restorantesh.

Në opinionin tonë, në Shqipëri shkohet për pak paqe dhe qetësi, të paktën për momentin. Duke ecur në drejtim të veriut përgjatë bregut, ndaloni në Palas që ka një plazh shumë të gjatë ku Jul Çezari dhe trupat e tij mbërritën gjatë Luftës Civile në Romake në vitin 48 pas e.s. Vizitorët ende mund të gjejnë relikte të këtij zbarkimi, si dhe disa mure mbrojtëse të braktisur të historisë së gjatë shqiptare.

Dhërmiu është gjithashtu një destinacion që duhet të vizitohet, me plazhet e tij mahnitëse, limane dhe gjire të fshehur. Një prej vendeve më piktoresk është Drimadha, që është aq i gjatë sa që kurrë nuk duket i mbushur. Këtu mund të gjeni resorte të lira dhe hotele luksoze.

Tirana

Para se kapitalizmi t’i zinte vendin komunizmit, kryeqyteti i Shqipërisë ishte i njohur si një qytet gri dhe i ngadaltë. Por Tirana ka ndryshuar me hapa të shpejtë në dekadat e fundit, duke u bërë një kaleidoskop ngjyrash dhe kulture. Sigurohuni të mos humbisni kutitë elektrike që janë mbuluar me lloj-lloj veprash arti.

Sheshi Skënderbe është gjithashtu një pikë ku do të kaloni shumë herë ndërkohë që shkoni tek Muzeu Kombëtar i Historisë, Pallati i Operas, Xhamia e Et’hem Beut dhe Monumenti i Skënderbeut që i dedikohet liderit shqiptar që i rezistoi osmanëve.

Bunk’Art ndodhet pak më larg, por ia vlen rruga. Bunkeri që ishte ndërtuar nga regjimi i Hoxhës, është transformuar në një vend ekzibicioni dhe hapësirë eventesh ku arti dhe objektet historike përzihen. Ky është vendi perfekt ku tregohet se si Tirana përqafon të kaluarën e saj, duke e kthyer disa të errët dhe tronditëse në shkëlqim dhe plot pozitivistet. /atsh

City Matters: Shqipëria, xhevahiri i fshehur i Mesdheut Read More »

Humor nga Dukati – Nga Laureta Petoshati

Humor nga Dukati
Nga Laureta Petoshati


Dy barinj nga Dukati, pasi ishin zgjuar një mëngjes, i cili kishte aguar pas një nate me mjegull dhe ujku njërit prej tyre i kishte ngrënë ca bagëti, bëjnë në largësi, midis dy majave shkëmbi, këtë bashkëbisedim:
– O Sulooooooooooooooooooo!
– O more, ooooooooooooooo!
– Ra ujku ndër dhëëëëën!
– Ra more Memo, raaaaaaaaaaaaaaa!
– E, moriiiiiiiiiiiiiiii?
– E, sos pruri, aaaaaaaaaaaaaaaaaaa!
– Po sa mori? Dy?
– E sos duaj ti bëj kope, aaaaaaaaaaaaaaa!
– Po nga shkoi more, poshtë nga mulliri?
– E sos nuk kish dhëmbë e duaj ti bluaj, aaaaaaaaaaaaaa!
– Po qentë e muarr prapa?
– E sos do i dilnin përpara, aaaaaaaaaaaaaaaa!

Humor nga Dukati – Nga Laureta Petoshati Read More »

Boronica, një mrekulli për trupin

Përveçse ruajnë shëndetin e zemrës dhe ngadalësojnë plakjen e trurit, boronicat forcojnë imunitetin dhe kockat, si dhe përmirësojnë shikimin natën. Rekomandohet ngrënia e një grushti boronicash për çdo ditë.

Boronicat janë një aleat i vërtetë për eshtra të shëndosha dhe lëkurë të bukur. Vlerat ushqyese zvogëlojnë rrezikun e çrregullimeve neurodegjenerative, sëmundjeve të zemrës dhe kancerit.

Kjo është arsyeja pse ato rekomandohen për t’u ngrënë çdo ditë pasi:

– Ngadalësojnë plakjen e trurit: Ato janë të pasura me antioksidantë dhe përmbajnë flavonoid antocianinë, i cili ngadalëson plakjen e qelizave të trurit. Ato kontribuojnë për mësim më të mirë, përmirësimin e aftësive motorike dhe ngadalësojnë çmendurinë.

– Mbrojnë zemrën: Këto fruta përmbajnë substanca që reduktojnë rrezikun e akumulimit të depozitave yndyrore dhe për këtë arsye mbajnë larg sëmundjet e zemrës. Dhjami në zonën e barkut rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit, prandaj ushqimi i pasur me boronica është i dobishëm në parandalimin e këtyre sëmundjeve. Studimet kanë treguar se konsumimi i rregullt i boronicave zvogëlon rrezikun e sulmeve në zemër, veçanërisht te femrat.

– Boronicat për imunitet më të fortë: Boronicat janë të pasura me antioksidantë që forcojnë sistemin imunitar, duke neutralizuar efektet e radikaleve të lira. Në këtë mënyrë reduktohen efektet e dëmshme të toksinave që hyjnë në trup.

– Rregullojnë sheqerin në gjak: Ato janë të pasura me vitaminë C dhe janë një burim i shkëlqyer i fibrave, si dhe ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak. Boronicat kanë një indeks të ulët glikemik, i cili është arsyeja pse rekomandohen për diabetikët.

– Boronicat kundër rrudhave: Boronicat janë të pasura me polifenole dhe antioksidantë që ruajnë elasticitetin e lëkurës, nxisin prodhimin e kolagjenit dhe reduktojnë rrudhat.

– Forcojnë kockat: Këto fruta janë të pasura me polifenole që nxisin forcimin e kockave dhe rekomandohen për njerëzit që vuajnë nga artriti. Studimet kanë konfirmuar se boronica parandalon humbjen e masës së eshtrave pas menopauzës.

– Përmirësojnë shikimin gjatë natës: Boronicat përmbajnë antocianinë, e cila përmirëson shikimi natën dhe rrit rrjedhjen e gjakut në sy. Ushqimi i pasur me këto fruta përshpejton përshtatjen në errësirë, kurse boronicat e thata janë po aq të mira sa ato të freskëta. /atsh

Boronica, një mrekulli për trupin Read More »

Solidaritet me banorët e prekur nga tërmeti në Korçë/ 3 llogari bankare në dispozicion për kontribute vullnetare

Në kuadër të programit të Emergjencave Civile, Ministria e Mbrojtjes përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, vë në dispozicion tri llogari bankare, për t’i ardhur në ndihmë të gjitha familjeve të dëmtuara nga tërmeti i ditëve në fundit në qarkun e Korçës.

Sipas njoftimit, të Ministrisë së Mbrojtjes, Kontributet vullnetare nga biznese, shoqata apo individë në ndihmë të banorëve të dëmtuar mund të derdhen në llogaritë e mëposhtme bankare:

Banka Credins

IBAN në ALL (Lek): AL29 2121 1016 0000 0000 0030 0001
IBAN në EUR: AL72 2121 1016 0000 0000 0030 0003
IBAN në USD: AL02 2121 1016 0000 0000 0030 0002 /atsh

Solidaritet me banorët e prekur nga tërmeti në Korçë/ 3 llogari bankare në dispozicion për kontribute vullnetare Read More »