Irina

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë

Gjatë vitit 2017, shtetasit grekë, vendi i të cilëve është anëtar i Bashkimit Europain, patën si destinacion të parë turistik Shqipërinë, doli nga të dhënat e agjencisë europiane të statistikave, Eurostat, sipas faqes zyrtare të kësaj të fundit, ec.europa.eu.

Sipas Eurostat-it, në raportin me titull ”A është vendi juaj popullor për turistët”, raport që i referohet të dhënave të vitit 2017, Shqipëria rezulton destinacioni kryesor i turistëve grekë me 2,1% të netëve të shpenzuara.

Ndërkohë, vendi i dytë i destinacionit të tyre ishte Gjermania me 1% dhe më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1%.

Ardhja e turistëve grekë në Shqipëri lidhet me faktin se në këtë vend anëtar të BE-së jetojnë rreth 40% e emigrantëve shqiptarë.

Por, grekët që vijnë me pushime në Shqipëri shpenzojnë shumë pak, rreth 27 euro në ditë, ndërkohë që rrinë rreth 11 netë./atsh

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë Read More »

Eksportet në Shqipëri, potencial zhvillimi ekonomik dhe prezantim në tregjet ndërkombëtare

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në mjediset e një kompanie, prodhimet e së cilës gjenden sot në shumë tregje europiane.

Gjatë vizitës, ministrja Denaj theksoi se “eksportet në Shqipëri përbëjnë një potencial shumë të madh zhvillimi ekonomik, rritje punësimi, por edhe prezantim shumë i mirë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Mbështetja ndaj sipërmarrësve shqiptarë për t’i bërë produktet shqiptare gjerësisht të njohura, por dhe për të nxitur investimet e reja në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë në produkte do të jetë në fokus të qeverisë shqiptare”.

Sipas saj, eksportet në zërin e ushqimeve dhe pijeve u rriten me 17.8% gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2019, krahasuar me një vit më parë.

“Ky ritëm rritje është i qëndrueshëm nga një vit në tjetrin dhe i atribuohet gjithashtu përmirësimit të kushteve dhe rritjes së cilësisë së prodhimit nga bizneset shqiptare, duke i bërë ato konkurruese në tregjet europiane dhe ato ndërkombëtare”, tha Denaj./atsh

Eksportet në Shqipëri, potencial zhvillimi ekonomik dhe prezantim në tregjet ndërkombëtare Read More »

Basha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi të mërkurën se jemi të vendosur për të vazhduar pa asnjë hap pas, betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes me Kolegjin e Kryetarëve duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse ka një vendim në lidhje me lënien e zyrave nga kryebashkiakët, Basha theksoi se “dua të falënderoj nga zemra edhe njëherë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan diktaturën më 30 qershor”.

Në lidhje me pyetjen nëse u vendos një datë për protestë, Basha tha se është vendosur thirrja e një proteste kombëtare për ditën e hënë.

“Një protestë për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane”, tha Basha./atsh

Basha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë Read More »

Nuk është e lehtë të inatosesh me njeriun e duhur, jo çdokush e ka këtë fuqi

Kryeministri Edi Rama duke sjellë në vëmendje një thënie të filozofit, mendimtarit dhe shkencëtarit Aristoteli, përcjell mesazhin se nuk është e lehtë të inatosesh me njeriun e duhur, në masën e duhur dhe në kohën e duhur, jo çdokush e ka këtë fuqi.

“Çdokush mund të inatoset – kjo është kollaj, por të inatosesh edhe me njeriun e duhur, edhe në masën e duhur, edhe në kohën e duhur, edhe në mënyrën e duhur, kjo jo, kjo nuk është e lehtë dhe jo çdokush e ka këtë fuqi”, citon Kryeministri Aristotelin.

Rama zgjodhi sot fjalë të babait të filozofisë, Aristotelit, për të përcjellë mesazhin e tij. Disa ditë më parë ai ka përcjellë mesazhe nga shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë si Migjeni dhe Kadare. /atsh

Nuk është e lehtë të inatosesh me njeriun e duhur, jo çdokush e ka këtë fuqi Read More »

Hapja e ambasadës shqiptare në Australi, Cakaj: Do të ofrojë deri në 5 mijë praktika konsullore në vit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e cilësoi një lajm fantastik për diplomacinë shqiptare hapjen e ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë, miratuar sot nga qeveria shqiptare.

“Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithësi”, tha Cakaj.

“Rëndësia e këtij vendimi duhet parë edhe në një rrafsh më të përgjithshëm politik dhe diplomatik. Mbulimi i marrëdhënieve diplomatike të Republikës të Shqipërisë me Australinë dhe me disa prej vendeve të Azisë dhe Paqësorit është mbuluar krejtësisht nga Ambasada e Shqipërisë në Pekin”, theksoi Cakaj.

Sipas tij, në këtë kuptim, kapaciteti veprues i Shqipërisë në këtë hapësirë gjeopolitike ka qenë më i ulët sesa vetë rëndësia gjeostrategjike e saj.

“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm)”, tha ministri Cakaj.

Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofrojë afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik.

“Pra, gjykuar nga rëndësia politike, strategjike, diplomatike e konsullore, hapja e Ambasadës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë është një veprim me peshë të patjetërsueshme! Shumë shpejt me veprime të ngjashme në hapësira të tjera për ta bërë Shqipërinë më të pranishme nëpër botë”, tha Cakaj. /atsh

Hapja e ambasadës shqiptare në Australi, Cakaj: Do të ofrojë deri në 5 mijë praktika konsullore në vit Read More »

Dua Lipa stiliste, prezanton linjën e saj të veshjeve

Ajo nuk është e talentuar vetëm në muzikë, por duket se së fundmi Dua Lipa ka dashur ta provojë veten edhe në fushën e modës.

Në një postim të bërë vetëm pak minuta më parë në rrjetet sociale, këngëtarja shqiptare lajmëron se më 3 shtator do të lançojë linjën e saj të parë të veshjeve për të cilën ka disa kohë që po punon.

Dua Lipa ka bashkëpunuar me markën Pepe Jeans për të krijuar koleksionin Dua Lipa & Pepe Jeans.

Fituesja e dy çmimeve Grammy, ka treguar se është inspiruar nga vitet ’90 për stilin e veshjeve të linjës së saj, duke u shprehur se ka pasqyruar veten e saj në gjithë linjën e Dua Lipa. /atsh

Dua Lipa stiliste, prezanton linjën e saj të veshjeve Read More »

10 ushqimet më të mira kundër alergjisë

Nëse jeni të predispozuar të prekeni nga alergjia, luftojeni atë me superushqimet. Lehtësoni simptomat dhe pakësoni sulmet e alergjisë duke shtuar në dietën tuaj këto ushqime.

10 ushqime antialergjike:

Shafrani i Indisë
Shafrani i Indisë njihet për përmbajtjen e lartë në antioksidues dhe antiinflamator. Shtimi i një lugë çaji pluhur të shafranit të Indisë në çajin ose gatim mund t’ju ndihmojë ndaj reaksionit të alergjisë. Konsultohuni me një doktor për të marrë suplemente të shafranit të Indisë.

Molla
Forconi sistemin imunitar me konsumimin e një molle në ditë. Molla përmban flavonoide që mbrojnë trupin nga alergjenët dhe limitojnë prodhimin e histaminës. Shtoni në omëletën tuaj copëza molle ose merrni me vete një mollë për konsumim të shpejtë të saj.

Hudhra
Një tjetër ushqim i pasur me oksidantë, antiinflamator dhe vetitë antibiotike. Hudhra mund të ndalojë reagimin alergjike dhe pezmatimin në trup. Konsumoni një thelb hudhër në mëngjes për të luftuar alergjitë dhe për të shtuar energjitë.

Limoni
Limoni është i pasur me vitaminën C, e cila ndihmon në sistemin imunitar. Limoni është ideal për luftimin e alergjisë për shkak të përmbajtjes në vitaminë C dhe antioksidues. Shtoni në gotën me ujë pak limon për detoksifikimin e trupit dhe për përmirësimin e sistemit tretës.

Çaji Jeshil
Kur flasim për çajin jeshil, ka një listë të madhe me përfitime për shëndetin. Përmirëson sistemin imunitar, ndihmon me metabolizmin, detoksifikon trupin dhe parandalon reaksionet alergjike. Konsumimi i çajit jeshil çdo ditë ndihmon në parandalimin e reaksionit alergjik, për ta forcuar efektin e saj shtoni limon ose mjaltë në çaj.

Salmoni
Salmoni është një nga ushqimet me burimin më të lartë të acideve yndyrore omega 3. Omega 3 lufton inflamacionin dhe lehtëson simptomat e alergjisë. Salmoni përmirëson funksionin e mushkërive. Kjo është shumë e mirë për të gjithë ata që vuajnë nga astma ose i ftohti. Konsumoni të paktën 2 racione salmon ose çdo produkt të peshkut të pasur me omega 3 për një javë.

Patatja e ëmbël
Patatja e ëmbël përmban kalium, vitaminë B6, magnez dhe beta karoten. Këto lëndë ushqyese ulin inflamacionin dhe lehtësojnë simptomat e alergjisë. Konsumimi i gjysmës së patates së ëmbël rregullisht ndikon në përmirësimin e sistemin e imunitetit dhe ndalon krizat e alergjisë.

Xhenxhefil
Xhenxhefili përmban shumë vlera për shëndetin, ai përmirëson sistemin tretës dhe balancon nivelin e pehashit. Ai mund të veprojë dhe si një antialergjik. Ndalon formimin e mukozës dhe parandalon bllokimin e hundëve. Pini çaj xhenxhefili për të parandaluar alergjitë.

Farat e lirit
Farat e lirit janë të pasura me omega 3 dhe selen, të cilat janë të njohura për parandalimin e reaksioneve alergjike. Shtojini sallatës ose kosit një lugë gjelle fara liri.

Këshilla antialergjike

– Vendosni mbrojtës ndaj diellit para se të dilni.
– Listoni çdo gjë që ju shkakton alergji.
– Lani sa më shpesh duart dhe fytyrën.
– Limitoni kontaktet me kafshët shtëpiake.
– Bëni dush para se të flini.
– Mbyllni dyert dhe dritaret gjatë sezonit të alergjive.
– Thani rrobat brenda dhe jo jashtë në tel.
– Shmangi barin e sapoprerë.

Alergjitë ndikojnë në mushkëri, hundë, veshë, stomak, lëkurë dhe pjesë të tjera të trupit. Mund të shkaktojë kruajtje të lehta deri në anafilaltik, një reaksion që shpeshherë rrezikon dhe jetën.

Mbani mend çfarë ju shkakton alergji dhe shmangni kontaktin me alergjenët që mund të shkaktojnë kriza/atsh

10 ushqimet më të mira kundër alergjisë Read More »

Miratohen procedurat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që përcakton rregullat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit.

Të gjitha produktet e peshkimit shiten për herë të parë në një treg të shitjes me shumicë. Përjashtohen nga detyrimi i përcaktuar në këtë pikë sasitë e vogla të produkteve të shitura direkt nga anija për konsumatorin, me kusht që ato të mos kalojnë vlerën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh në ditë.

Operatori i produkteve të peshkimit në tregun e shitjes me shumicë është një subjekt fizik ose juridik, i pajisur me NIPT tregtar. Për qëllime regjistrimi në tregun e shitjes me shumicë, secili operator identifikohet me numrin e tij të NIPT-it, emrin tregtar dhe kodin e identifikimit të prodhuesit, i cili është një kod unik, i lëshuar nga struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut.

Nga fillimi i negociatave të shitblerjes dhe deri në përfundim të tyre, kontrolli zyrtar i produkteve të peshkimit, për garantimin e plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në treg kryhet nga inspektori i AKU-së, me profesion veteriner. Produktet e peshkimit mund të shiten vetëm pasi është kryer kontrolli zyrtar i lartpërmendur.

I nënshtrohen kontrollit zyrtar, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë ushqimore, produktet e peshkimit, pavarësisht nga origjina e tyre. Këtij kontrolli i nënshtrohen edhe produktet e peshkimit të destinuara për përpunim dhe/ose konservim.

Gjatë kontrolleve zyrtare, produktet, të cilat rezultojnë të papërshtatshme për konsum njerëzor, shkatërrohen (groposen) ose mund të përdoren për qëllime të ndryshme, jo për konsum njerëzor. Drejtuesi i tregut ka për detyrë të shkatërrojë produktet e lartpërmendura në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kostot e shkatërrimit janë në ngarkim të prodhuesit/ pronarit të produkteve të peshkimit.

Shitësi është i detyruar të sigurojë zhvendosjen, transportin e produkteve të peshkimit dhe çdo operacion të kërkuar nga inspektori i AKU-së, që është i nevojshëm për kryerjen e kontrollit zyrtar.

Transporti i produkteve jashtë tregut me shumicë bëhet me automjete që plotësojnë kërkesat e përcaktuara nga dispozitat e sigurisë ushqimore, ato rregullatore dhe administrative në fuqi në lidhje me këtë çështje, të verifikuara nga inspektori i AKU-së.

Në tregun e shitjes me shumicë zbatohet plani i autokontrollit të bazuar mbi HACCP-në (Hazard Analysis and Critical Control Points), me qëllim që të garantojë sigurinë ushqimore të produkteve të peshkimit.

Funksionimi i tregut të shitjes me shumicë do të bëhet mbi bazën e një rregulloreje të miratuar nga ministri përgjegjës për peshkimin.

Shitja me shumicë e produkteve të peshkimit kryhet nëpërmjet ankandit publik me zë, elektronik ose telematik.

Fleta e ankandit përmban kodin e identifikimit të prodhuesit, NIPT-in, origjinën e mallit, numrin e arkave dhe peshën neto, listën e secilës shitjeje (duke specifikuar llojin e specieve, cilësinë, peshën dhe çmimin). Fleta e ankandit nuk zëvendëson faturën tatimore të shitjes.

Pasi arkat janë peshuar dhe vendosur në treg, prodhuesit nuk mund të marrin, për vete ose për të tjerë, sasi të produktit. Prodhuesi ka të drejtë të tërheqë nga tregu produktet e peshkimit akoma të pashitura, pa paguar për këtë asnjë lloj tarife.

Tërheqja nga tregu i produkteve të peshkimit mund të ndalohet nga inspektori i AKU-së për arsye higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore.

Ndalohet çfarëdolloj tjetër tregtimi i produkteve të peshkimit në perimetrin e zonës së tregut, sipas përcaktimit të bërë në rregulloren e funksionimit të tregut. Në treg funksionon shërbimi i verifikimit të peshës. Blerësi ka të drejtën të verifikojë peshën e mallit të blerë, me kushtin që ky verifikim të kryhet përpara se malli të dalë nga tregu. Nëse malli nuk rezulton në përputhje me cilësinë dhe sasinë e kontraktuar, blerësi ka të drejtën të anulojë blerjen.

Në treg grumbullohen të dhëna për sasitë dhe çmimet e shitjes së produkteve të kontraktuara, sipas kreut XII, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe vendimit nr. 256, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për grumbullimin, menaxhimin e përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe mbështetjen për këshillimin shkencor për Strategjinë Kombëtare të Peshkimit”.

Dokumenti bazë për grumbullimin e të dhënave është fleta e ankandit, e cila duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

a) Llojet dhe cilësinë;
b) Sasinë;
c) Origjinën;
ç) Blerësin.
Produktet e përziera (p.sh. fritura) lejohen vetëm nëse produkti është në të vërtetë i ofruar në treg si i tillë, edhe pse mbetet detyrimi për specifikimin e llojeve.

Të dhënat personale u nënshtrohen rregullave në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa të dhënat e tjera, si për çmimet ashtu edhe për llojet, cilësitë dhe sasitë, janë objekt publikimi.

Një herë në muaj, struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut me shumicë dërgon të dhënat e grumbulluara sipas pikave 1-3, të kreut IV, të këtij vendimi, të muajit paraardhës, pranë ministrisë. /atsh

Miratohen procedurat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit Read More »