Irina

Balla: 2019, viti kur Shqipëria hap negociatat me BE

“Viti 2019 është viti kur Shqipëria do hapë negociatat”.

Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste televizive nga ku edhe theksoi se çelja e negociatave është vetëm fillimi i procesit drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ka agjendë shumë të rëndësishme komunikimi dhe reformash. 2019 është viti kur Shqipëria do hapë negociatat. Më 2020 ne hyjmë në negociata me BE. Hapja e negociatave ka rëndësinë e vet, por Shqipëria do të bëjë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në BE. Hapja e negociatave është vetëm fillimi i procesit drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, – tha Balla.

Ai nuk hezitoi të komentonte edhe sjelljen politike të opozitës, së cilës sipas tij ka ndikuar në imazhin negative të vendit tonë kundrejt vendeve të Bashkimit Europian.

“2019 edhe me përpjekjen e vazhdueshme prej janarit nga ana e kësaj opozite përfshirë edhe bashkëngjitjen në dukje të Presidentit të Republikës për të denigruar imazhin e vendit, për të sulmuar, për të vënë epitet të paqena reformës më të rëndësishme mbi të cilën u bazua raporti i progresit të Komisionit Europian, citoj progresraportin që vlerëson Reformën në Drejtësi si reformën kyç mbi të cilën u bazua vlerësimi për t’i rekomanduar Këshillit Europian nisjen e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë. Ritheksoj, jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Kemi përfunduar një palë zgjedhje vendore të cilat dashje pa dashje u kthyen pse jo në një test më shumë sesa politik dhe institucional. Shqipëria bën zgjedhje, i bën të lira, të ndershme e të qeta”, – tha ndër të tjera Balla.

Në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor kundrejt shkeljeve të bëra nga ana e Presidentit sipas tij, ky i fundit do të duhet të lërë zyrën e Presidencës.

“Do të jetë komisioni hetimor që do të përcaktojë shkeljen për të cilën bëhet fjalë dhe më pas po Kuvendi i Shqipërisë me vendim por me votim të fshehtë t’i hapë dritën jeshile vijueshmërisë së procesit të shkarkimit të zotit Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese.

Unë kryesoj listën e 55 deputetëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij dhe si i tillë, edhe si kryetar grupi jam në ushtrim të drejtë të asaj që e njeh Kushtetuta për më shumë se ¼ e deputetëve për të iniciuar shkarkimin dhe të gjithë biem dakord.

Nuk ka në Shqipëri dyshime se Presidenti i Republikës ka lënë mënjanë kushtetutën, ligjet, rolin shumë të rëndësishëm që ka Presidenti dhe që e shndërroi Presidencën në një rezistencë të përkohshme të opozitës, një seli të opozitës.

Ishte një akt i dëmshëm, jo kushtetues i cili meriton të hetohet dhe në rast se komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit do të gjejë gjetjet e nevojshme për të justifikuar faktin që Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë të kushtetutës, patjetër mendoj që duhet të shkarkohet”, – tha Balla.

Ai shtoi se “me sjelljet e tij dhe aktet antikushtetuese të tij të Presidentit të Republikës duhet ta lirojë atë zyrë dhe mjaftojnë këto për të mos thënë të tretën, atë që është paksa më e rëndë por që duhet thënë dhe është që ai komunikim i Presidentit të Republikës dhe ky që vijon çdo një orë është larg së qenuri të një Presidenti Republike dhe unë në mënyrë figurative e njehsova me sjelljen e një gaztori cirku i cili mundohet të bëjë për të qeshur arenën e cirkut, kur cirku mblidhet”, – përfundoi Balla./atsh

Balla: 2019, viti kur Shqipëria hap negociatat me BE Read More »

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”

Gjiri i Vlorës do të presë më datat 4-6 korrik, edicionin e nëntë të Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”, “Trofeu i Mikpritjes”, regata FIV, shprehet Ambasada italiane ne Tiranë.

Kjo ngjarje lindi me edicionin e parë te vitit 2011, 20 vite pas zbarkimit në Brindisi të refugjatëve shqiptarë, për të kujtuar dhe përshkuar atë rrugë me një qëllim dhe domethënie të re, shenjë e miqësisë që lidh dy brigjet e detit Adriatik.

Po ashtu Ambasada italiane publikon axhendën e aktiviteteve.

Në këtë edicion marrin pjesë 24 barka, përfshirë edhe dy anije ushtarake me vela, përkatësisht ajo e Guardia di Finanza dhe e Forcës Detare ushtarake italiane: Gjiri i Vlorës do të mbushet me vela!

Të shtunën, datë 6 korrik, do të zhvillohet edicioni i dytë i regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”: qytetarët e Vlorës dhe turistët do të mund të vëzhgojnë garën nga Lungomare dhe nga plazhet.

Regatës do t’i bashkëngjitet një iniciativë tjetër e bukur: kursi për të lundruar me barkat me vela për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Po ashtu, Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë, nisur prej datës 7 korrik, 6 ditë kurs për barkat me vela, pa pagesë, pikërisht për të përhapur lundrimin me vela mes të rinjve të Vlorës, dhe me këtë, një kulturë detare të re, ndryshe./atsh

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë” Read More »

Reforma në Drejtësi, Calavera: Duam të shohim zbatimin e ligjeve, njerëz që shkojnë në burg

Shefja e misionit të ONM-së në Tiranë, Genoveva Calavera nga Samiti i Poznanit në Poloni tha se Reforma në Drejtësi është në drejtimin e duhur dhe ka sjellë ndryshim dramatik. Sipas saj, me procesin e nisur, vendi do të ketë një gjyqësor të pavarur.

“Ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”, tha ajo në Samitin e Poznanit në Poloni.

Calavera e vuri theksin se Reforma në Drejtësi po ecën në drejtimin e duhur.

“Kjo ka për të qenë thelbësore: të keni një shtet ligjor funksional, të keni një sistem gjyqësor të pavarur. Nuk është më një çështje e negociueshme. Jam shumë e lumtur që për shkak të popullit shqiptar dhe jo për shkak të politikanëve, për shkak të qytetarëve, ky ndryshim dramatik ka nisur në Shqipëri. Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur”, theksoi ajo.

“Çdo vend duhet të gjejë mënyrën për të reformuar gjyqësorin. Nuk është e thënë që të jetë kaq dramatike sa e Shqipërisë, sepse problematika nuk është e njëjtë për çdo vend, por ju duhet të gjeni një mënyrë për të bërë reformën”, u shpreh Calavera në Samitin e Poznanit, ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e shteteve anëtare të BE-së mbështetëse të Procesit të Berlinit. /atsh

Reforma në Drejtësi, Calavera: Duam të shohim zbatimin e ligjeve, njerëz që shkojnë në burg Read More »

Drejtësi e barabartë për të gjithë, Braçe: Uroni SHBA-të për këtë mundësi

“Prej tre vitesh, SHBA dhe ne, po çojmë përpara një superpërpjekje për të ndërtuar këtu, një sistem drejtësie që më në fund bën cilindo të barabartë para ligjit”, deklaroi sot zv/kryeministri Erion Braçe.

Ne jemi një vend i vogël, tha Braçe, dhe shpesh marrim vëmendje për shkak të problemeve që shkaktojmë, por edhe përpjekjeve të mundimshme për të ndryshuar, për të qenë të bashkuar në liri e shtet, për të qenë të barabartë në mundësi e drejtësi. Patjetër, shtoi ai, që ne bëhemi të zëshëm edhe kur urojmë.

“SHBA-të marrin sot urime edhe nga ne. Ditët e Lindjes shquhen prej urimeve. Por Ditët e Lindjes vlejnë si mundësi, patjetër për atë që i mbart, por në rastin e SHBA-ve vlejnë edhe për ne që përpiqemi duke parë e marrë modelin. Flamuri Amerikan ngulet kudo e mbahet në duar nga cilido. Po parimet që kanë bërë SHBA-të? E kemi të lehtë të urojmë e pastaj të mbajmë flamurin në dorë edhe pse kundër parimeve e vlerave të SHBA-ve”, vijoi ai.

Braçe tha se “SHBA vlerën më të madhe kanë drejtësinë e barabartë”. “Drejtësinë para së cilës janë të gjithë të barabartë; drejtësinë që rrëzon dekretin e Presidentit ashtu siç i jep pafajësi qytetarit më të zakonshëm në atë vend, pa u ndikuar politikisht, pa u blerë e pa e shitur vendimin e fundit!

Kurrë në 100 vitet e fundit, sipas Braçes, “nuk kemi qenë të barabartë”.

“Herë prej regjimeve, pas 1990-tës prej pushtetit politik-fuqisë së tij, pushtetit ekzekutiv-vendimmarrjes së tij edhe për drejtësinë, pushtetit te parasë-magjisë blerëse të saj, korrupsionit ndër gjyqtarë e prokurorë-fuqisë çnderuese të tij. Pabarazia na ka ndarë në të lehtë të ndëshkueshëm dhe në VIP-a të pandëshkueshëm! Kjo është pabarazia më e neveritshme që kemi, e padrejtë dhe poshtëruese! Duhet të shkojmë përpara tani! Duhet të marrim mundësinë që SHBA e BE na kanë dhënë tani, ta përdorim kundër pabarazisë. Drejtësi e barabartë për të gjithë, uroni SHBA-të për këtë mundësi”, tha ai./atsh

Drejtësi e barabartë për të gjithë, Braçe: Uroni SHBA-të për këtë mundësi Read More »

Thaçi: Shqiptarët të lidhur emocionalisht me Amerikën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, uroi për përvjetorin e 243-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Thaçi tha se çdo 4 Korrik, Kosova dhe shqiptarët emocionalisht janë bashkë me Amerikën, vend dhe popull ky që kontribuoi shumë që të jemi të lirë dhe të pavarur.

“Ky përvjetor është ndër më të veçantit për Republikën e Kosovës, meqë përurojmë objektin e ri të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, e cila është përjetësim i angazhimit amerikan në vendin tonë. Edhe pas shumë shekujsh, SHBA-ja mbetet udhërrëfyes i paqes dhe demokracisë në botë”, tha Thaçi./Kosovapress/

Thaçi: Shqiptarët të lidhur emocionalisht me Amerikën Read More »

Rama feston 55 vjetorin e lindjes: Rëndësi ka jeta në vitet e tua

Kryeministri Edi Rama në 55 vjetorin e lindjes falënderoi qytetarët shqiptarë që i kanë shprehur urimet për ditëlindjen e tij, ndërsa përcjell mesazhin e Presidentit amerikan Lincoln ‘Rëndësi ka jeta në vitet e tua’.

Rama e ka shoqëruar falënderimin për mesazhet e urimit duke publikuar edhe një fotografi të tijën në vitet e rinisë dhe një të ditëve të sotme.

“Faleminderit pafund dhe ndjesë për pamundësinë që t’u përgjigjem një për një, urimeve tuaja të pafundme për 55 vitet e mia”, shprehet Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë thekson se “tek e fundit s’kanë rëndësi vitet e jetës tënde. Ka rëndësi jeta në vitet e tua”, thoshte Presidenti Lincoln”.

Ditën e sotme, kryeministri Rama e nisi ditën me një urim për 243 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ndjekësit në këtë postim i kanë shkruar mesazhe urimi për ditëlindjen e tij./atsh

Rama feston 55 vjetorin e lindjes: Rëndësi ka jeta në vitet e tua Read More »

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Ky projekt ka bërë bashkë qeverinë shqiptare Ministria e Kulturës,Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim The_AADF, Bashkinë Vlorë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Sheshi para bashkisë po shtrohet me pllaka guri, ndërsa në rrugën “Justin Godart” rikonstruksioni i infrastrukturës nëntokësore është drejt përfundimit.

Hapi i radhës është shtrimi i trupit dhe trotuarëve me pllaka guri. “Justin Godart” do të jetë e dedikuar për këmbësorët dhe e pajisur me ndriçim, gjelbërim dhe mobilim urban.

Ndërkohë paralelisht është punuar për restaurimin e godinave historike në zonën B, unifikimin e fasadave për të nxjerrë në pah historinë dhe bukurinë e tyre.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni./atsh

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik Read More »

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Në raport me vitet paraardhëse dhe kryesisht me vitin 2018 shihet qartë që këto monumente dhe parqe arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, kanë patur një numër më të madh vizitorësh.

Sipas DRKK Vlorë, është rritur me rreth 35% numri i vizitorëve për periudhën janar – qershor 2018/2019.

Vizitorët kanë shfaqur interes për 8 objektet e vizitueshme me biletë nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë si Kalaja e Porto Palermos, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Himarës, Kisha e manastirit të Shën Kollit Mesopotam, Manastiri i 40 shenjtorëve , Parku Amantia, Parku i Orikut dhe i Finiqit.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik./atsh

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike Read More »