Irina

Farat e domates, aspirina natyrale e trupit tonë

Nga studimet e kryera ekspertët e shëndetit arritën në përfundimin se farat e domates janë një “ilaç” natyral mjaft i mirë për personat që kanë probleme me zemrën.

Farat e domates përmbajnë një xhel që është shumë i mirë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe parandalon mpiksjen e tij. Kjo zëvendëson shumë mirë aspirinën që kardiologët u rekomandojnë pacientëve të tyre të marrin çdo ditë.

Këto fara të domates përbëjnë një alternativë më të shëndetshme kundër mpiksjes së gjakut se aspirina, pasi nuk kanë efekte anësore. Ndërsa aspirina nëse përdoret për një kohë të gjatë dëmton stomakun dhe nxit formimin e ulcerës. Kjo ka bërë që xheli i marrë nga farat e domates të marrin edhe aprovimin e autoriteteve europiane të shëndetit.

Përveç shmangies së mpiksjes së gjakut, farat e domates përmbajnë një sërë mineralesh dhe vitaminash të dobishme në trajtimin e disa sëmundjeve. Ato janë të dobishme për uljen e kolesterolit, sepse përmbajnë shumë fibër, ndërkohë që antioksidantët luftojnë radikalet e lira që nxisin inflamacionin.

Farat e domates janë të pasura me vitaminë K dhe kalcium që ndihmojnë në përmirësimin e dendësisë kockore. Ndërsa vitamina A që ndodhet te këto fara ndihmojnë në përmirësimin e shikimit dhe shëndetit të syve. /atsh

Farat e domates, aspirina natyrale e trupit tonë Read More »

Ekspertë rekomandojnë kujdes me konsumimin e alkoolit

Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik rekomandojnë për të qenë të kujdesshëm me konsumin e alkoolit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsumimi i alkoolit është shkaktar i 18% të vetvrasjeve, 13% i epilepsisë, 18% i dhunës ndërpersonale, 27% i dhunës në trafik.

Instituti i Shëndetit Publik thotë se konsumi i tepërt i alkoolit rrit rrezikun për lëndime, kancer, dëmtim të mëlçisë, sëmundje të zemrës, ç’rregullime mendore etj.

Të dhëna të tjera nga konsumimi i alkoolit:

48% e cirozës hepatike,

26% e kancerit të gojës dhe të fytit

26% e pankreatitit

20% turbekulozi

11% i kancerit kolonorektal

5% i kancerit të gjirit

7% i sëmundjeve hipertensive të zemrës/atsh

Ekspertë rekomandojnë kujdes me konsumimin e alkoolit Read More »

Meta letër institucioneve për tërmet apokaliptik në Ballkan

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Presidenti i Republikës Ilir Meta paralajmëron se një tërmet apokaliptik do të godasë Ballkanin.

Siç raportojnë mediet, Presidenti Meta në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare kërkon informacion nga institucionet përkatëse rreth kësaj dukurie natyrore, nisur nga deklaratat e sizmiologut grek Akis Tselentis.

“Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Observatori Kombëtar i Athinës. Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës. Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, thuhet në letrën e Metës, publikuar nga mediet.

Sipas medieve, presidenti Meta kërkon informacion për paralajmërimin dhe për masat e mundshme, ndërsa thotë se është i gatshëm të mbledhë edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi: Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla? Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj, nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qendror dhe vendor? Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë”, përfundon letra e Presidentit Meta publikuar nga media të ndryshme në vend./atsh

Meta letër institucioneve për tërmet apokaliptik në Ballkan Read More »

Altin Basha: Duhet një godinë e re për Teatrin Kombëtar

Regjisori Altin Basha u shpreh sot se, duhet një godinë e re për Tetarin Kombëtar, ndërsa pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda kësaj godine.

“Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët”, u shpreh ai.

Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “regjisori Altin Basha, një ndër emrat më të spikatur të gjeneratës së re të krijuesve të skenës, mbështet njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror shqiptar, ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe shembjen e gërmadhës ekzistuese”./atsh

Altin Basha: Duhet një godinë e re për Teatrin Kombëtar Read More »

Denaj apel bizneseve të regjistrohen dhe të hapin llogari bankare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka vijuar inspektimet si pjesë e zbatimit të Planit Operacional, në luftë kundër informalitetit.

Gjatë verifikimeve të kryera nga strukturat e Hetimit Tatimor, në Tiranë, në orët me aktivitet më të lartë ekonomik është konstatuar se ka përmirësim të dukshëm të treguesve edhe për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të subjekteve për t’u vetëkorrigjuar. Megjithatë, nuk kanë munguar edhe raste të përsëritjes së vazhdueshme të shkeljeve.

“Janë konstatuar shkelje për herë të tretë të kuponit tatimor dhe bazuar në procedurat tatimore, përgjegjësit në këtë rast do të ndiqen penalisht. Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha ministrja Denaj.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ervin Hoxha, tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar lokale me xhiro të lartë, që kanë shmangur detyrimin për të prerë kupon tatimor. “Kemi vënë re tendenca për mosdeklarim dhe mos përmirësim të xhiros nga këto subjekte, që janë me risk të lartë. Ju bëjmë thirrje që të vetëpërmirësohen dhe vetëdeklarohen sepse kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë që të përmirësojmë këtë situatë”, tha Hoxha.

Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit është edhe ndryshimi i ligjit të Procedurave Tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval”, për të cilin Denaj kërkoi bashkëpunim e tatimpaguesve për zbatimin e plotë të tij.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë i bëri apel tatimpaguesve të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Administratës Tatimore të hapin llogari bankare të biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ndërsa, tatimpaguesit e regjistruar rishtas janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në QKB/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në organet tatimore.

“Ju lutemi tatimpaguesve të hapin llogaritë bankare, të regjistrojnë biznesin sipas procedurave ligjore. Nëse respektojmë rregullat, respektojmë ligjet shqiptare, atëherë do të kemi më pak inspektime, një marrëdhënie korrekte dhe garantim të konkurrencës së ndershme në treg”, tha ministrja Denaj./atsh

Denaj apel bizneseve të regjistrohen dhe të hapin llogari bankare Read More »

Aksioni kundër informalitetit/ Minxhozi: 30 të proceduar, nga të cilët 5 të arrestuar

Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, mes tyre kryetari i një njësie administrative në bashkinë e Fierit me akuzën e favorizimit të evazionit fiskal.

Kështu bëri të ditur sot drejtori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, drejtues Lutfi Minxhozi, në një deklaratë për mediet në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë.

“Në kuadër të planit të posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, në vijim të punës së përditshme u proceduan penalisht 23 nëpunës të bashkive; 3 nëpunës të sistemit fiskal; 4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit. Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, konkretisht: Kryetari i një Njësie Administrative, bashkia Fier; 4 punonjës të Tatim-Taksave, në bashkinë Shkodër. Në 80 raste, për subjekte të ndryshme janë marrë masa administrative nga Tatimet duke vendosur gjoba. Në 15 raste, organet tatimore kanë vendosur bllokimin e aktivitetit të bizneseve të paligjshëm”, nënvizoi Minxhozi.

Sipas tij, në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vendpushimesh me shezlon, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse”, tha Minxhozi.

Lidhur me masat sipas Drejtorive Vendore të Policisë, Minxhozi u shpreh se në DVP Tiranë, janë kontrolluar 46 subjekte, janë vendosur 11 gjoba dhe 9 përfaqësues të subjekteve janë proceduar penalisht.

Në DVP Durrës janë kontrolluar 61 subjekte, janë vendosur 13 gjoba, u është bllokuar aktiviteti 4 subjekteve, si dhe janë proceduar penalisht 8 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Berat janë kontrolluar 15 subjekte dhe janë proceduar penalisht 2 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Fier janë kontrolluar 177 subjekte, janë vendosur 19 gjoba, i është bllokuar aktiviteti 1 subjekti dhe janë proceduar penalisht 3 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Vlorë janë kontrolluar 258 subjekte, janë vendosur 17 gjoba, është bllokuar aktiviteti në 4 subjekte, si dhe janë proceduar penalisht 22 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Gjirokastër janë kontrolluar 5 subjekte, të cilat janë gjetur në ligjshmëri.

Në DVP Korçë janë kontrolluar 30 subjekte dhe janë vendosur 3 gjoba, është bllokuar aktiviteti në 3 subjekte dhe 7 përfaqësues subjektesh janë proceduar penalisht.

Në DVP Elbasan janë kontrolluar 25 subjekte, 17 përfaqësues subjektesh janë proceduar penalisht.

Në DVP Kukës janë kontrolluar 17 subjekte, 1 përfaqësues subjekti është proceduar penalisht.

Në DVP Dibër janë kontrolluar 23 subjekte dhe është vendosur 1 gjobë, është bllokuar aktiviteti në 1 subjekt dhe 3 përfaqësues subjektesh janë proceduar penalisht.

Në DVP Shkodër janë kontrolluar 12 subjekte dhe të gjithë përfaqësuesit janë proceduar penalisht.

Në DVP Lezhë janë kontrolluar 132 subjekte dhe janë vendosur 16 gjoba, është bllokuar aktiviteti në 2 subjekte, si dhe janë proceduar penalisht 5 përfaqësues të subjekteve.

“Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ato të Tatimeve, Doganave, Inspektoratet Qendror Teknik etj., janë duke vazhduar me intensitet në shkallë vendi kryerjen e detyrave të përcaktuar në “Planin e Posaçëm të Masave, kundër informalitetit dhe evazionin fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave të akcizës”, deri në kontrollin e plotë të gjithë territorit të vendit”, u shpreh Minxhozi.

Gjatë këtij operacioni masash, vijoi ai, përveç parandalimit, evidentimit dhe ndëshkimit të subjekteve, vëmendja kryesore e strukturave të Policisë së Shtetit do të përqendrohet në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin penal të çdo zyrtari bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtare pa kasë fiskale, shmangie doganore, në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe kanë sjellë dëme të konsiderueshme Buxhetit të Shtetit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital apo në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në MB, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm./atsh

Aksioni kundër informalitetit/ Minxhozi: 30 të proceduar, nga të cilët 5 të arrestuar Read More »

Kthehen në normalitet të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe institucionet që janë në varësi të saj, kanë qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar dhe eliminuar pasojat e motit të keq që përfshiu vendin tonë mbrëmjen e datës 28 korrik 2019 dhe orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, 29 korrik 2019.

Nga raportimet e institucioneve kryesore të infrastrukturës dhe energjisë rezulton se:

Situata në akset rrugore

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie materialesh nga skarpatat në zonën Skuraj- Ulëz të cilat janë pastruar nga punonjësit. Gjithashtu janë dëmtuar ( gërryer) një pjese e shtresës së stabilizantit në Dalje Burrel -Ura e Mati, por në të dyja akset nuk ka probleme në qarkullimin e automjeteve.

Në akset rrugore Han i Hotit – Tamarë, Shkodër- Muriqan dhe Ura e Kirit – Mjedë ka pasur rënie të inerteve në rrugë, ku problemet më të mëdha janë shfaqur në Murriqan ku prurjet e materialeve kanë qenë tepër të larta dhe për pasojë ka pasur edhe bllokime të përkohshme dhe të pjesshme të rrugës. Është punuar gjatë natës për t’i mbajtur këto segmente të hapura, ndërsa vijon puna për pastrimin dhe kthimin në normalitet të tyre. Nuk ka bllokim të qarkullimit.

Në aksin Krujë – Sari Salltik, ka pasur rrëshqitje të masivëve shkëmbor, pa pasoja për qytetarët. Po punohet nga kontraktorët për lirimin e rrugës.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka ndjekur me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e vendit dy ditët e fundit. Reparti i Likuidimet të avarive ka filluar menjëherë nga punimet në terren, duke operuar fillimisht në qarqet me risqet më të mëdha. Nga OSHEE janë rreth 2200 punonjës dhe 310 automjete në dispozicion të operimit dhe likuidimit të avarive, të organizuar në gatishmëri të plotë 24 orë.

Më 28 korrik u dëmtuan 54 fidra që furnizojnë rreth 57279 abonentë, por brenda 2-3 orësh, edhe në kushtet e motit të keq, u bë e mundur riparimi i 39 fiderave ku një pjese e tyre u stakuan për masë sigurie. Rreth 60% e defekteve janë në linja ajrore, ku një pjesë e mirë e tyre u dëmtuan nga moti i keq.

Pogradec/ Në orën 21:05 u stakua për 10 minuta energjia elektrike me kërkesë të Policisë Pogradec për shkak të rënies se zjarrit tek një banese, deri në sqarimin e rrethanave të incidentit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e përhapjes së vatrës së zjarrit. Fideri në fjalë furnizon me energji elektrike të gjithë zonën turistike bregu i liqenit Pogradec.

Himarë/ Në zonën e Himarës në orën 21:45 për shkak të defektit në kabinën Private Lefter Kumi u provokua stakimi i Fiderit 1 Himare. Grupet e gatishmërisë së OSHEE-së lokalizuan defektin me shkëputjen nga rrjeti të kësaj kabine dhe rikthimin e energjisë pas 27 minuta. Grupet punuan për riparimin e defektit në linjën TM që furnizon kabinat private Vasillaq Strakosha, Fotiadhi dhe Sofie Bishe. Kjo pjesë linje TM u dëmtua për shkak të zjarrit dhe lidhjes së shkurtër tek kabulli TU i kabinës Private Lefter Kumi. Edhe në këtë segment u rikthye energjia në orën 23:45.

Falë masave të mara, pavarësisht kushteve të motit, u garantua furnizimi tek të gjithë hidrovorët në rang vendi. Grupet e OSHEE punuan në kushtet e motit të keq për riparimin e dëmtimit të fiderit 11 Biçukas për shkak të rënies së një peme mbi linjë.

Operatori i Sistemit të Transmetimit OST, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare si dhe Autoritet Portuale raportojnë se nuk ka pasur probleme pavarësisht motit me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme që përfshiu vendin.

Janë marrë të gjitha masat për të kthyer në normalitet që në orët e para të mëngjesit, të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq./atsh

Kthehen në normalitet të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq Read More »

Fluks turistësh të huaj në parqet arkeologjike, 130.785 vizitorë në 6 muaj

Parqet arkeologjike në vendin tonë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019.

Këto parqe në Shqipëri kanë pritur 130.785 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2019. Pra mbi 10 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë.

Shqipëri ka një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj. Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to. /atsh

Fluks turistësh të huaj në parqet arkeologjike, 130.785 vizitorë në 6 muaj Read More »