Irina

Dëbora zbardh disa qytete

Dëbora gjatë natës ka mbuluar jo vetëm zonat malore por edhe disa qytete në vend. Gjatë natës, dëborë ra edhe në Tiranë, por pas një ore gjithçka është zëvendësuar nga reshjet e shiut.

Dëbora në qytetin e Elbasanit ka filluar që në orën 03:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure. Ndërkohë që në zonat malore të Qarkut të Elbasanit dëbora ka filluar që në orët e para të mbrëmjes së djeshme.

Aktualisht për shkak të dëborës janë krijuar vështirësi në qarkullim edhe në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë dhe në të gjitha akset rurale.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur bën se Qafa Thana duhet të kalohet vetëm me zinxhirë.

Qytete të tjera si Gjirokastra, Shkodra, Mirditë, Pukë janë zbardhur sot nga dëbora. z.tosku/atsh

Dëbora zbardh disa qytete Read More »

Procedim penal 7 shtetasve për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit

Policia e Shtetit vijon operacionet në të gjithë vendin në zbatim të planit të masave që po merren për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 4 raste dhe konkretisht në Korçë, në Tropojë, në Berat dhe në Sarandë.

Ndërkohë 7 shtetas janë proceduar penalisht për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 tavolina të përshtatura për lojëra fati, 5 njësi kompjuterike me 5 monitorë, pajisje elektronike, një tavolinë pokeri etj. të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.

Në Korçë 4 shtetas janë proceduar, konkretisht shtetasit: D.P, 48 vjeç, (pronari) i lokalit, si edhe shtetasit: A.P., 51 vjeç, E.S., 43 vjeç, G.A., 41 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokal në lagjen Nr. 16, të qytetit të Korçës, shtetasit e mësipërm u konstatuan duke luajtur lojëra fati.

Në Tropojë u procedua penalisht shtetasi A.H., 36 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatua një pajisje elektronike.

Në Sarandë është proceduar penalisht shtetasja L.Sh., 50 vjeçe pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të saj, janë gjetur 5 njësi kompjuterike me monitorë, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.

Në Berat u procedua penalisht shtetasi A.H., 32 vjeç, pasi në subjektin e tij u konstatua tavolinë pokeri.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet antiligjor.

Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme. /atsh

Procedim penal 7 shtetasve për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit Read More »

3 rastet e dyshuara për fruth në Berat rezultojnë negativë

Pas lajmit të publikuar në media për 3 raste të reja me fruth në Berat, Instituti i Shendetit Publik konfirmon se pas rezultateve të analizave, tre rastet rezultojnë negative për fruth.

Megjithatë, ISHP gjen rastin për t’i bërë thirrje të gjithë nënave të mos e neglizhojnë vaksinën për fëmijet e tyre, pasi është e vetmja mënyrë për të mos u prekur nga fruthi. /atsh

3 rastet e dyshuara për fruth në Berat rezultojnë negativë Read More »

Kura natyrale për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak

Niveli i lartë i yndyrnave në gjak rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe rezistencën ndaj insulinës. Ai përbën pikënisjen e shumë sëmundjeve dhe shqetësimeve shëndetësore ndaj duhet mbajtur nën kontroll.

Kur ushqimet që konsumojnë përmbajnë më shumë kalori se sasia që digjet nga organizmi, atëherë ky i fundit i ruan yndyrnat për përdorim të mëvonshëm.

Nëse niveli i yndyrnave është mbi 200 mg/dl atëherë konsiderohet si i lartë dhe nëse ai arrin mbi 500 mg/dl atëherë është tepër i lartë.

Nivelin e yndyrnave në gjak mund ta ulni nëpërmjet disa trajtimeve natyrale pa përdorur medikamente. Sipas të dhënave ekspertët rekomandojnë mënyrat e mëposhtme natyrale për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak.

Kufizimi i sheqerit

Kufizimi ose eliminimi i sheqerit është një mënyrë e mirë për uljen e nivelit të yndyrnave. Këtu përfshihen edhe ëmbëlsuesit natyralë, siç është edhe mjalti.

Në vend të sheqerit mund të hani fruta dhe mos përdorni ëmbëlsues artificialë, që kanë pasoja të dëmshme në shëndet.

Eliminoni bukën dhe makaronat

Buka e bardhë, makaronat e patatet përmbajnë niseshte, një karbohidrat që ka një vlerë të lartë glicemie e që rrjedhimisht mund të rrisë nivelet e sheqerit dhe të yndyrnave në gjak. Në vend të tyre mund të zgjidhni drithëra të plota, elb, perime, arrorë dhe fara.

Aktiviteti fizik

Duke qenë se mbipesha dhe obeziteti kanë lidhje të drejtpërdrejtë me yndyrnat në gjak, këshillohet që të kryeni aktivitet fizik për 30 minuta në ditë, pesë herë në javë duke rritur intensitetin e stërvitjes. Një studim ka zbuluar se vetëm një orë pas aktivitetit fizik, niveli i yndyrave ulet.

Shmangni yndyrnat e ngopura

Për të ulur yndyrnat në gjak, shmangni yndyrnat me bazë shtazore. Këto yndyrna gjenden tek mishi i kuq, gjalpi dhe djathi.

Vajrat vegjetalë janë kryesisht të shëndetshëm përveç atyre që përpunohen. Për shembull, shumica e ushqimeve të skuqura apo industriale përmbajnë yndyrna të dëmshme.

Kufizimi i alkoolit

Kaloritë e tepërta të marra nga alkoli konvertohen shumë shpejt në yndyrna dhe magazinohen në trup. Nëse nuk hiqni dorë totalisht nga alkoli mundohuni të paktën të përgjysmoni sasinë e konsumuar rregullisht.

Rënia në peshë

Studimet konfirmojnë se rënia në peshë ul më tej nivelin e triglicerideve. Diabetikët që humbasin 5 deri në 10 për qind të peshës trupore në një vit pësojnë një rënie të triglicerideve prej 40 mg/dl.

Njerëzit që duan të bien në peshë duhet të mbajnë një regjim ushqimor me pak karbohidrate. Ushqimet më të mira kundër yndyrnave në gjak janë: tërshëra, fasulet, avokadot dhe peshku. /atsh

Kura natyrale për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak Read More »

Ngrica,acar – Policia Bashkiake shpëton dy persona

Krahas punës për hedhjen e kripës dhe skorieve nëpër rrugë në mënyrë që ngricat të mos pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe njerëzve, bashkia e Tiranës në këto ditë të acarta, ka marrë të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve.

Policia Bashkiake dhe Shërbimi Social i Bashkisë Tiranë, po monitorojnë nga afër situatën në gjithë territorin duke u ofruar ndihmë dhe strehuar të gjithë personat që gjenden në vështirësi.

Kështu, Policia Bashkiake ka mundur të shmangë disa raste disa persona të pastrehë, të cilët kanë rrezikuar jetën për shkak të temperaturave të ulëta.

Ditën e hënë, afro mesnatës, në afërsi të kryqëzimit të “21 – Dhjetorit”, Policia Bashkiake ka gjetur shtetasin me inicialet Th.B, 45 vjeç nga Berati, i cili qëndronte jashtë në afërsi të një stacioni autobusi. Menjëherë atij i është ofruar ndihma e parë dhe është strehuar në ambientet e Qendrës Sociale në Shkozë, ku dhe po merr shërbimet e nevojshme.

Ndërkohë që gjatë orëve të para të ditës së sotme Policia Bashkiake ka gjetur në Bulevardin “Zogu I” një tjetër person me inicialet B.D, 63 vjeç nga Shkodra që kishte kaluar natën jashtë. Menjëherë është lajmëruar shërbimi mjekësor dhe pasi i është dhënë ndihma e duhur, ai është strehuar në ambientet e qendrës sociale që gjendet përgjatë Bulevardit “Zogu I”.

Ndërkohë që të gjitha qendrat sociale të Tiranës po qëndrojnë në gatishmëri për të ofruar ndihmë, strehë dhe ushqim për të gjithë personat që gjenden në vështirësi në këto ditë kur termometri ka shënuar disa gradë nën zero./atsh

Ngrica,acar – Policia Bashkiake shpëton dy persona Read More »

Nxjerrja në dritë e vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit

Instituti i Monumenteve të Kulturës së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë në fokusin e tyre dhe përgjatë vitit 2019, rikthimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në destinacione turistike si motor të zhvillimit ekonomik.

Vendeve të Shqipërisë të cilët kanë një pasuri të madhe kulturore dhe historike si Gjirokastra, Berati, Vlora, Vunoi dhe Dhërmiu po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm që buron nga kultura dhe identiteti kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga puna për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të këtyre zonave.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga puna vijuese për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Janë 15 milionë Euro që do të investohen në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Në qytet do të investohet për rekuperimin e rrjetit inxhinierik në qendrën historike, për përforcimin e qëndrueshmërisë tektonike dhe restaurimin e godinave muzeale.

Në Gjirokastër investimet fokusohen në restaurimin e kalldrëmeve, ndriçimin e Qafës së Pazarit dhe rehabilitimin e hapësirave urbane, përmirësimin i aksesit në kala, rivitalizim i rrugëve ndërlidhëse për të lehtësuar mobilitetin e qytetarëve dhe turistëve dhe sistemin e ri të muzeve sipas një koncepti të ri dhe bashkëkohor.

Rikonstruksioni i rrugës ”Mihal Komneno” dhe “Tabes” 1.2 km në Berat e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit ka përfunduar. Ky ishte një investim shumë i rëndësishëm për qendrën historike të Beratit në përmirësim të nivelit të shërbimit ndaj turizmit kulturor.

Pritet që në 2019 të fillojë puna edhe për rrugën “Muzak Topia”, e njohur si rruga automobilistike për në kalanë e Beratit.

Ndërhyrjet janë pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 milionë euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin, financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Projekt ky, i cili zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Qendra historike e Vlorës ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë. Po vijon puna për rikualifikimin e zonës urbane pranë qendrës së qytetit të Vlorës.

Projekti synon shndërrimin e kësaj zone në një pikë aktraktive për turistët, si dhe një mundësi më shumë zhvillimi për bizneset vendase.

Ky projekt zbaton restaurimin në zemër të Vlorës, aty ku qyteti ende ruan identitetin, gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Punimet po realizojnë restaurimin e rrugës “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagja e Hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit.

“Rikualifikimi urban dhe restaurimi i objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno”, është një tjetër projekt i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e monumenteve të Kulturës.

Ky projekt i veçantë në llojin e vet për restaurimin e fshatrave turistikë, nëpërmjet financimit edhe të Bankës së Këshillit të Europës (CEB), ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe Vunoit dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës.

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk./atsh

Nxjerrja në dritë e vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit Read More »

Parku Kombëtar i Llogorasë destinacioni i turizmit të bardhë

Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, që u mbulua nga flokët e dëborës në ditët e para të janarit u frekuentua nga një numër i madh vizitorësh.

Ishte dëbora e parë, që ra gjatë kësaj stine dimri në këtë zonë. Një pjesë e madhe e vizitorëve ishin nga qyteti i Vlorës, por edhe nga qytete të tjera të vendit, të cilët kanë shkuar për të prekur e shijuar dëborën, të përjetojnë bardhësinë e saj.

Ata kanë zgjedhur të kalojnë orë, apo ditë të këndshme në këtë park, të njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër. Shëtitjet e gjata në mjedisin pyjor të zbardhur nga dëbora, janë një nga argëtimet më të bukura për të rriturit, por edhe për fëmijët.

Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dendura të dëborës, kalimi i automjeteve në këtë park u bë pa asnjë problem, falë punës së palodhur ditë-natë gjatë gjithë këtyre ditëve nga kontraktorët e rrugës, si dhe nga institucioni i Prefektit të Vlorës.

Klara nga Vlora, e cila ka vizituar këtë park bashkë me familjen e saj, shprehet se “kaluam disa orë të këndshme me fëmijët, të cilët u kënaqën shumë duke luajtur me dëborë”.

Sipas saj, rruga ishte e hapur dhe nuk patëm probleme për të mbërritur në Llogora.

Ndërsa Iliri, 48 vjeç nga Tirana thotë se vjen shpesh në Llogora gjatë verës.

“Por, të dielën zgjodha të vij me familjen bashkëshorten dhe dy fëmijët të shikojmë bardhësinë e dëborës në Llogora, si dhe të drekojmë në një nga lokalet e këtij parku, që shquhet për gatimet tradicionale të zonës veçanërisht për mishin e pjekur të qengjit, apo të kecit”, shprehet ai.

Vajza e tij, Dea, 17 vjeç thotë se “nuk e kisha parë ndonjëherë Llogoranë me dëborë. Kalojmë gjatë verës, kur shkojmë në bregdet për pushime, por me bardhësinë e dëborës qenka një magji e vërtetë”.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ajo ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./atsh

Parku Kombëtar i Llogorasë destinacioni i turizmit të bardhë Read More »

Si të ruajmë shëndetin gjatë stinës së dimrit

Ditët e ftohta të dimrit shoqërohen me temperatura të ulëta, ku në zona të ndryshme të vendit shoqërohet edhe me rreshje dëbore dhe ngrica.

Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë disa këshilla për të qëndruar sa më të sigurt dhe të shëndetshëm, duke iu shmangur sëmundjeve të stinës.

Shumë njerëz preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë dimrit, por qëndrimi brenda nuk është garanci për sigurinë. Cilat janë disa nga masat që duhet të merrni për të mbajtur shtëpinë të sigurt dhe të ngrohtë gjatë muajve të dimrit.

Përgatisni shtëpinë tuaj për kushtet e dimrit: Instaloni grilat, siguroni izolimin dhe vendosni dritare me dopio xham. Izoloni linjat e ujit që janë në muret e jashtme.
Pastroni ulluqet dhe riparoni rrjedhjet e çatisë.

Kontrolloni sistemet e ngrohjes: Instaloni sistemin e ngrohjes nga profesionistë për t’u siguruar se është i pastër, punon si duhet dhe është i ventiluar në pjesën e jashtme.
Kontrolloni dhe pastroni vendin e zjarrit dhe oxhaqet. Instaloni një sinjalizues tymi. Kontrolloni bateritë e tij çdo muaj dhe zëvendësoni ato dy herë në vit.
Siguroni një burim të sigurt alternativ të ngrohjes dhe lëndë alternative të ngrohjes në dispozicion.

Përgatisni makinën tuaj për mot të ftohtë para se të mbërrijë dimri: Kontrolloni radiatorin dhe nivelin e antifrizës, kontrolloni gomat dhe nëse është e nevojshme, ndërrojini ato me goma dimërore, mbajeni serbatorin plot me karburant, përdorni solucion të veçantë për larjen e xhamave, përgatisni një kuti emergjence dhe mbajeni në makinën tuaj për çdo rast bllokimi. Kjo kuti duhet të ketë: telefon celular, karikues portativ dhe bateri shtesë, batanije, ushqim dhe ujë, busull dhe hartë, elektrik dore dhe bateri të veçantë si dhe çantë të ndihmës së shpejtë

Instituti i Shëndeti Publik i bën apel qytetarëve për t’u përgatitur paraprakisht për emergjencat: Përgatituni për emergjencat e lidhura me motin, duke përfshirë edhe ndërprerjet e energjisë.

Mbani ushqime rezervë, që nuk kanë nevojë për gatim ose ftohje, dhe ujë në enë të pastra.
Mbani telefonin celular plotësisht të karikuar. Kur planifikoni të udhëtoni,informohuni për kushtet e motit. Mbani një çantë e cila duhet të përfshijë pajisje me bateri, të tilla si elektrik dore, llamba, bateri të veçanta. Mbani çantën e ndihmës së shpejtë dhe ilaçe shtesë. Mbroni familjen tuaj nga monoksidi i karbonit. Mbani grilat e zgarës, sobat me gaz dhe gjeneratorët larg nga shtëpia, bodrumi dhe garazhi. Nëse keni nevojë, kërkoni ndihmë në numrin.

Çfarë duhet të keni parasysh në ambientet jashtë?

Në dimër shumë njerëz kalojnë kohë jashtë duke punuar, duke udhëtuar, apo duke shijuar sporte dimërore. Aktivitetet në ambiente të hapura mund t’ju ekspozojnë ndaj rreziqeve të ndryshme, prandaj për të qenë të përgatitur, ISHP tregon mbi masat që duhet të ndërmerren.

“Përdorni veshje të ngrohta, pulovra të trasha, xhupa rezistentë ndaj erës dhe shiut, kapelë, doreza, këpucë kundër ujit. Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë. Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme. Lëvizni ngadalë kur kryeni punë/detyra në ambiente të jashtme. Dilni të shoqëruar dhe merrni një kuti të ndihmës së shpejtë kur dilni apo kur merrni pjesë në aktivitete jashtë. Kontolloni familjarët dhe fqinjët të cilët janë veçanërisht të rrezikuar nga temperaturat e ulëta”, -thotë ISHP./atsh

Si të ruajmë shëndetin gjatë stinës së dimrit Read More »