Irina

Braçe: Doktori i korruptuar jo vetëm të shkarkohet, por të ndiqet penalisht

Zëvendëskryeministri Erion Braçe reagoi pas transmetimit të një rasti nga një emision televiziv investigativ, ku doktori i merrte 300 mijë lekë të vjetra një qytetari për t’i dhënë Kempin.

Braçe thekson se doktori në fjalë nuk duhet të jetë më në detyrë, madje ka shtuar se kushdo që nuk ka zbatuar detyrën jo vetëm që do të shkarkohet por dhe do të ndiqet penalisht.

‘Ti nuk duhet të jesh më Doktor, zotni Caush! Asnjë minutë më shumë!Kërkova dhe mësova: Doktor Caushi është një mjek që lëshon lejen e drejtimit për në komisionin e Kemp, nuk është anëtar i ndonjë komisioni dhe me ç’duket ose bën sekserin, ose është thjesht mashtrues.

Për ta çuar deri në fund; Sapo i kërkova drejtoreshës në detyrë të Shërbimit Social Shtetëror të verifikojë deri nesër në mesdite, Dosjen e plotë të qytetarit, historikun e statusit të tij, gjendjen aktuale të dosjes në Gramsh, Elbasan e Tiranë”, shprehet Braçe.

Sipas tij, nëse qytetari ka merituar statusin e invaliditetit dhe nuk ja japin, gjithkush që ka përgjegjësi nuk mund të rrijë më në detyrë.

“Nëse ka merituar statusin e invaliditetit dhe i kanë marrë para për t’ia dhënë, të gjithë, nga doktori i Gramshit deri tek i fundit në Elbasan apo Tiranë, do kallëzohet penalisht’, thekson zv.kryeministri Erion Braçe./atsh

Braçe: Doktori i korruptuar jo vetëm të shkarkohet, por të ndiqet penalisht Read More »

Delegacioni i BE në Tiranë: Të papranueshme dëmtimi i pronës dhe dhuna

Pas dhunës së shkaktuar në protestën e organizuar nga partitë opozitare, ku është sulmuar godina e Kryeministrisë, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë i ka bërë thirrje protestuesve që të tregojnë vetëpërmbajtje, duke theksuar se dëmtimi i pronës publike, si dhe dhuna nuk janë të pranueshme.

“Delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasadat e shteteve anëtare në Tiranë, u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje.

E drejta e qytetarëve për të shprehur veten përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane.

Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës janë të papranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm”, theksoi Delegacioni i BE në Tiranë.

Delegacioni i BE në Tiranë: Të papranueshme dëmtimi i pronës dhe dhuna Read More »

Mbërrin në Vlorë kroçera e parë me 183 turistë

Në portin detar të Vlorës mbërriti për herë të parë për këtë vit kroçera “La Belle De L’Adriatique”.

Sipas portit të Vlorës, 183 turistëve iu është ofruar informacion në lidhje me portin dhe zonat turistike të qytetit.

Pas vizitës në port dhe në qytetin e Vlorës, turistët do vizitojnë Apoloninë e Fierit dhe qytetin e Beratit.

Masat e marra gjatë sezonit të fundit turistik për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve turistike kanë bërë të mundur që gjatë 2018 numri i jahteve, kroçerave dhe anijeve turistike në vendin tonë të rritet ndjeshëm krahasuar me 2017. /atsh

Mbërrin në Vlorë kroçera e parë me 183 turistë Read More »

Vlora kryeqendër e destinacionit turistik

Realizimi i investimeve të rëndësishme në zhvillimin e infrastrukturës, e kanë kthyer Vlorën, perlën e rivierës shqiptare, në destinacionin kryesor turistik të Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, u shprh sot në takimin “Për Bashkinë që duam” që po zhvillohet në Vlorë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qytetarëve të shumtë që kanë mbushur qendrën e qytetit, se “vlonjatët kanë treguar që dinë të rrinë në krahun e duhur të historisë dhe sot janë duke treguar se ata duan prosperitetin e Vlorës, të Shqipërisë dhe duan flamurin”.

“4 vite më parë në këtë shesh, askush nuk e besonte që do ta transformonim Vlorën me vepra që vetëm me mbështetjen e qeverisës u bënë realitete. Qendra e re historike e Vlorës, Lungomare, Bulevardi i ri janë investime që kanë bërë Vlorën qytetin modern me standarde, gati për sezonin e ri turisti”, – tha Leli.

Lungomare sot është investimi historik, krenaria e Vlorës. Çdo qytetar vlonjat qëndron në krah të Rilindjes të vlerave të ndryshimit dhe zhvillimit që po transformon Vlorën dhe të gjithë vendin “- theksoi në fjalën e tij Leli./atsh

Vlora kryeqendër e destinacionit turistik Read More »

Rama: “Shtegu i Mullinjve” në Dhërmi, atraksioni më i ri turistik

“Shtegu i Mullinjve” në Dhërmi është kthyer në një atraksion të ri turistik për vizitorët vendas e të huaj, që vizitojnë bashkinë e Himarës.

Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me pamjet mahnitëse nga ky shteg që do të tërheqë mijëra turistë për të vizituar dhe shijuar pamjet fantastike që ofron.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Shtegu i Mullinjve në Dhërmi, atraksioni më i ri turistik në bashkinë e Himarës, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.

Dhërmiu, i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më shumë se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagjja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku – lagjja e dytë dhe Dhërmiu – lagjja e tretë dhe më e madhja, e cila i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Nga ana administrative, Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/326644697971349/?t=0

Rama: “Shtegu i Mullinjve” në Dhërmi, atraksioni më i ri turistik Read More »

Tragjedia në aksin Shkup-Tetovë, Rama: Jemi pranë familjarëve dhe vendit mik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përmbysjes së një autobusi në autostradën Tetovë-Shkup në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 13 persona.

Kryeministri Rama shprehu ngushëllimet dhe keqardhjen për familjet duke shkruar: “Pikëllim për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, ku numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik”.

Disa prej të plagosurve në gjendje kritike janë dërguar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” të Shkupit dhe në spitalin ushtarak “8 Shtatori”./atsh

Tragjedia në aksin Shkup-Tetovë, Rama: Jemi pranë familjarëve dhe vendit mik Read More »

Gjermania një ndër 7 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi të martën në mbrëmje në Tiranë, pritjen e përvitshme për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi se Gjermania është një ndër 3 partnerët strategjikë të Shqipërisë, një nga 7 investitorët më të mëdhenj në vend, me një portofol prej 123 milionë euro dhe për këtë arsye, shteti shqiptar e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me komunitetin gjerman të biznesit.

Sipas saj, DIHA po luan një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij bashkëpunimi.

Pasi përmendi arritjet e deritanishme, ajo vuri në dukje se Qeveria shqiptare është e angazhuar fuqimisht në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, si dhe në mirëpritjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri.

Rritja e eficiencës së Administratës Tatimore dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet reformave në drejtim të konsolidimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit, janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ajo ftoi investitorët gjermanë të vijnë në Shqipëri, duke ofruar mbështetje maksimale nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ndërsa Ambasadorja Gjermane, Susanne Schütz, theksoi se, “Shqipëria ka një potencial ende të pashfrytëzuar në shumë fusha, para së gjithash në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme, bujqësisë moderne dhe shërbimeve. Ne shohim tashmë një interes të shtuar të sipërmarrjeve gjermane për Shqipërinë.

Jam e sigurt se ky interes do të rritet dhe konkretizohet më tej, dhe aq më tepër që Shqipëria po përgatitet për fazën e ardhshme të Procesit të Integrimit Europian.”

Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, në fjalën e saj përmendi faktin se Shqipëria ka hedhur hapa pozitivë në shumë drejtime, por ende mbetet shumë për t`u bërë.

Ajo theksoi se është momenti të tregohet veçanërisht kujdes në drejtim të përmirësimit të kushteve në vend, me qëllim që të frenohet vrulli i emigracionit./atsh

Gjermania një ndër 7 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri Read More »

Parku kombëtar detar Karaburun-Sazan, destinacion për edukimin mjedisor

Parku kombëtar detar Karaburun-Sazan është i vetmi i tillë në Shqipëri. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Qendra e vizitorëve e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, gjithmonë e më shumë po kthehet në një pikë interesi për edukimin mjedisor, jo vetëm për arsimin parauniversitar, por edhe për ekspeditat universitare.

Kjo qendër sot u vizitua nga studentët e masterit të degës Gjeo-Mjedis, Fakulteti i Gjeologji-Minierave. Ata u njohën me vlerat e zonës si destinacion turistik gjithashtu dhe me biodiversitetin e larmishëm që ajo ofron.

Kjo zonë mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Parku kombëtar detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror, ishte destinacioni më mbresëlënës për 45000 turistë vendas dhe të huaj.

Parku kombëtar detar Karaburun-Sazan, destinacion për edukimin mjedisor Read More »