Irina

Rafting në kanalin e Çukës, destinacioni i ri për turizëm aventure

Pushuesit dhe turistët, që zgjedhin Sarandën për të kaluar pushimet, do të kenë një mundësi më shumë për turizëm.

Në kanalin e çukës në Sarandë, Federata Shqiptare e Rafting ka krijuar infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për të zhvilluar rafting, duke i hapur rrugë zhvillimit të turizmit të aventurës në një destinacion të ri turistik.

“Është një biznes i ri, është një udhëtim i qetë dhe shumë i bukur të cilin të rinjtë e Smile do ta shijojnë sot për ta promovuar si një destinacion të ri për Sarandën. Është shumë e rëndësishme që qendra të vërteta të zhvillimit të turizmit në Shqipëri e të qytetit të Sarandës të ketë shumë më tepër oferta ditore si kjo e kanalit të Cukës apo e gjithë zonës për t’u bërë me djemtë e rafting dhe të kemi mundësinë që po ashtu të zhvillojmë edhe oferta të tjera në Sarandë që kanë të bëjnë me bukuritë natyrore, me vizitat e parqeve arkeologjike dhe bukuritë e tjera shqiptare”, tha ministri Klosi, i cili bëri edhe guidën e parë me kajak duke përshkuar të gjithë lumin Bistrica, në një atraksionet më të mrekullueshme natyrore të Sarandës.

Sipas tij, çdo përpjekje për të krijuar mundësi të reja në turizëm është një arsye më shumë për të zhvilluar turizmin dhe për të pritur turistët me më shumë shërbime dhe alternativa për të kaluar pushimet jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit.

Për presidentin e federatës shqiptare të Rafting, Zamir Spathara, mbështetja e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është një motiv më shumë për të zhvilluar turizmin në një nga potencialet e forta të Sarandës që do të shërbejë gjatë gjithë sezonit turistik.

“Këtu jemi shumë afër Sarandës, pozicioni është shumë i bukur, Bistrica është një lumë që të jep mundësinë që të lundrosh e të jesh i qetë. Ne gjatë rrugës do të shohim një xhungël të vogël, ka qenë problematike se ka qenë e papastër, një vit më parë kur kemi bërë turizëm kemi patur shumë probleme, por këtë sezon ne arritëm që të bëhet pastrimi dhe të bëjmë një tur të denjë për turistët. Mbase jemi vonë për këtë sezon por unë shpresoj që sezonin tjetër ne do të jemi shumë fort me struktura më të ngritura. Kryesorja për ne është që sot kemi arritur të sjellim ministrin që do ta bëjë vetë këtë tur”, tha presidenti i federatës shqiptare të Rafting Sathara./atsh

Rafting në kanalin e Çukës, destinacioni i ri për turizëm aventure Read More »

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal

Zv.kryeministri Erion Braçe u shpreh sot se “zjarri në Shëngjin është i përsëritur në të njëjtën kurorë, i qëllimtë e për këtë arsye, kriminal”.

“Pylli me pisha e shkurre të tjera nuk është më. Për 32 orë zjarrfikës, ushtarë e punonjës të emergjencës, bën gjithçka për të mbrojtur banesat nga zjarri pranë tyre, njëherësh për të shpëtuar pyllin. Me banesat ia dolën, i mbrojtën, me pyllin jo, s’arritën. Ai që pronën e vjedhur se gëzon dot më sepse njerëzit kanë kurajo të flasin, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, mos e gëzoj kurrkush!! Ai që pronë do të grabisë, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, të ndërtojë aty ku zjarri e ka kthyer pyllin në truall”, tha Braçe.

Sipas tij, “kurora e Shëngjinit është shkatërruar fiks kështu, nga interesa kriminale horrash që urrejnë pyllin e se paratë i bëjnë nga betoni”.

“Për të mos folur edhe për piromanë edhe më banalë që përfitojnë kullota, më keq dru nga pemët, qymyr nga shkrumbimi për të fituar edhe kështu. E di që e qara për Amazonën është trendy, por Shëngjini dhemb edhe më shumë”, u shpreh ai.

Për shumë kohë, sipas Braçes, “në Shëngjin, detin, erën që vjen prej tij, e ndanë me pyllin, malin, me një mur 8-10-12 kate betoni”.

“Fituan para pa hesap, pa pyetur për shkatërrimin! Tek interesa të tilla nis, me këto interesa duhet luftuar, të mëdha apo banale qofshin”, tha Braçe.

Sipas tij, “nuk i duhen kërrkujt dëngla të politikanëve hipokritë që flasin për zjarrin kur për luks i kanë vënë betonin pyllit, mu në mes të tij”.

“Zjarri nuk shuhet as me hipokrizi e as me pështyma! Zjarri nuk shuhet me koordinim zjarrfikësish, kur benzina e interesave të betonit dhe çdo interesi tjetër përfitues,
e ndez dhe e përhap flakën kudo! Duhet të merremi tani me këtë “benzinë”, posaçërisht aty në vend, ndryshe as shiu që na ndihmoi dje në Shëngjin, nuk do jetë më me ne! Gjithnjë nis tek politika, vendimet e saj, që të mos arrijë më tek pylli”, tha ai./atsh

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal Read More »

Shëngjin, vijon shuarja e zjarrit, asnjë banesë e rrezikuar

Në kurorën e gjelbër të Shëngjinit vijon puna për për mbajtjen nën kontroll të zjarrit të rënë prej dy ditësh.

Për shuarjen e tij po punojnë trupat dhe mjetet e Misionit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi (MZSH), pushteti vendor, Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “asnjë banesë nuk është e rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen e flakëve”.

Sipas Ministrisë, aktualisht janë 200 efektivë nga strukturat e mësipërme të angazhuar për shuarjen e zjarrit në Shëngjin./atsh

Shëngjin, vijon shuarja e zjarrit, asnjë banesë e rrezikuar Read More »

Tushemishti destinacioni i fundjavës, organizohet për herë të dytë Festa e Teto Ollgës

Teto Ollga, personazhi i njohur dhe shumë i dashur i filmit shqiptar “Zonja nga qyteti”, xhiruar në Tushemisht të Pogradecit, i dha jo vetëm famën fshatit turistik, por tashmë i dha edhe emrin e festës lokale që po zhvillohet për të dytin vit radhazi.

Kjo festë nisi sonte në fshatin e bukur turistik të Tushemishtit, ku qytetarë nga Pogradeci, vizitorë dhe turistë po shijojnë bukurinë e fshatit, mikpritjen e banorëve, gatimet tradicionale etj.

Të pranishëm në festë kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, jo vetëm shprehën mbështetje maksimale për këtë festë, por tashmë çdo vit e më tepër ajo do të organizohet me risi edhe më të veçanta.

Pjesë e festës është edhe panairi me punimet e grave duararta të Tushemishtit.

Shumë breza shqiptarësh janë rritur me figurën e teto Ollgës dhe mitin e atij fshati shumë të bukur, që ofron mikpritje, traditë, festë, dashuri, pastërti. /atsh

Tushemishti destinacioni i fundjavës, organizohet për herë të dytë Festa e Teto Ollgës Read More »

Bashkia e Sarandës apel qytetarëve: T’u ofrojmë pushuesve qytet të pastër

Qyteti bregdetar i Sarandës çdo ditë e më shumë po ofron një mjedis të pastër për qytetarët dhe pushuesit e shumtë vendas e të huaj, falë punës së përditshme të bashkisë.

Punonjësit e bashkisë po punojnë për të mos lejuar as ndotjen më të vogël, në të gjithë territorin, megjithëse situata të pakëndshme dhe të padëshiruara e të shoqëruara me krijim të vatrave të ndotura, vënë re hera-herës gjatë këtyre ditëve që vazhdojnë të jenë të ngarkuara me pushues në Sarandë.

“Një vatër e tillë u krijua sot në një mjedis të qytetit. Fotografitë e marra në vend në dy momente, tregojnë qartazi se si vendi ishte i ngarkuar me mbetje urbane të hedhura jashtë koshave dhe si u pastrua brenda pak kohe kjo vatër e ndotur, për shkak të mospërdorimit të koshave, edhe pse ata ishin aq afër dhe bosh”, bën të ditur Bashkia, e cila ka publikuar edhe foto para dhe pas pastrimit të zonës.

Sipas Bashkisë, pushuesit që kanë zgjedhur të pushojnë në Sarandë, kanë ardhur jo vetëm për detin dhe rërën, por edhe se presin që t’u ofrojmë qytet të pastër dhe shërbime të standardit turistik, për të cilat, shprehet ajo ne mundemi t’i krijojmë.

Bashkia i bën apel çdo qytetari që të jetë më bashkëpunues, më qortues e korrigjues për këdo që shikon të sjellë ndotje me shkujdesjen e tij. /atsh

Bashkia e Sarandës apel qytetarëve: T’u ofrojmë pushuesve qytet të pastër Read More »

Nga jugu në veri/ Mbi 1 milion shtetas të huaj hynë në Shqipëri vetëm në muajin korrik

Shqipëria po shënon periudhën më të mirë turistike ndër vite, me një numër rekord vizitorësh që kanë “pushtuar” vendin nga jugu e deri në veri.

Shifrat zyrtare për muajin korrik 2019, dëshmojnë se turizmi po nxit një zhvillim të ri e të vrullshëm për ekonominë e vendit, bizneset e sektorët dhe konsumit në tërësi.

INSTAT bën të ditur se, në muajin korrik 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë shënuan 1.176.810 persona. Krahasuar me korrikun 2018, ky numër është rritur me 14,5%.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë 7 muajve të parë të 2019 arriti në 3.313.762, duke u rritur me 12,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në korrik 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 25,5%, pasuar nga turistët nordikë, italianë, anglezë, polakë, çekë, amerikanë etj./atsh

Nga jugu në veri/ Mbi 1 milion shtetas të huaj hynë në Shqipëri vetëm në muajin korrik Read More »

Sondazhi/ Rama më shumë vota se PS, Basha më pak se PD

Analisti Eduard Zaloshnja publikoi sot një sondazh të kryer prej tij, sipas së cilit, rreth 855 mijë banorë të rritur të Shqipërisë kanë opinion pozitiv për kryeministrin Rama, ndërsa rezulton se vetëm 410 mijë banorë të rritur të Shqipërisë kanë opinion pozitiv për kryeopozitarin Basha.

I kontaktuar nga ATSH, Zaloshnja shprehet se “duke i krahasuar këto shifra me të një sondazhi që zhvilloi javën e parë të gushtit mbi partitë, rezulton se Rama ka 150 mijë simpatizantë më shumë se sa ka vota PS-ja, ndërsa Basha ka 120 mijë simpatizantë më pak se sa ka vota PD-ja”.

“Krahasuar me Berishën, kuota e Bashës është aktualisht 250 mijë më poshtë se sa e paraardhësit të tij. Por e kundërta ishte situata kur Basha zëvendësoi Berishën në krye të PD-së, në vitin 2013. Nga ektrapolimi i përafërt i një sondazhi që zhvillova atëherë, rezultonte se Basha kishte rreth 810 mijë simpatizantë, ndërsa Berisha 660 mijë”, tha Zaloshnja.

Kuotat e Bashës, sipas tij, “pësuan një thepisje të fortë fill pas zgjedhjeve të 2017-ës, ku koalicioni i djathtë pësoi tkurrjen më dramatike në historinë e pluralizmit (nga 680 mijë vota më 2013 në 460 mijë vota më 2017)”.

Zaloshnja thekson se “kuota personale e Bashës u zhyt në nivelin 360 mijë, ndërsa e Berishës mbeti stabël 650 mijë”.

“Para zgjedhjeve të 2017-ës, Basha premtoi solemnisht se nuk do të futej në zgjedhje, nëse nuk jepte dorëheqjen Rama. Premtimin nuk e mbajti. Para zgjedhjeve të 2019-ës, Basha u betua solemnisht se nuk do të lejonte zhvillimin e votimit, me Edi Ramën kryeministër. Votimi u zhvillua pas ultimatumit nga Uashingtoni. Siç duket, këto premtime e betime bosh, kanë ndikuar në përgjysmimin e kuotave të tij personale në opinionin publik…”, tha Zaloshnja për ATSH-në./atsh

Sondazhi/ Rama më shumë vota se PS, Basha më pak se PD Read More »

Përhapja e zjarreve në qarqet Gjirokastër dhe Lezhë, Meta: Të merren të gjitha masat për të neutralizuar vatrat

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me situatën aktuale të shkaktuar nga përhapja masive e zjarreve në disa qarqe të vendit, veçanërisht në Gjirokastër dhe Lezhë.

Në një njoftim të Presidencës thuhet se Presidenti Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim situatën aktuale të shkaktuar nga përhapja masive e zjarreve në disa qarqe të vendit, veçanërisht në Gjirokastër dhe Lezhë.

Presidenti Meta inkurajon personelin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësitë e Emergjencave Civile, si dhe drejtuesit e pushtetit vendor në këto qarqe, për marrjen e menjëhershme të të gjitha masave efektive të emergjencës, për të neutralizuar vatrat e zjarrit dhe për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të cilët mund të rrezikohen nga përhapja masive e tyre.

Presidenti Meta duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, u bën thirrje dhe nxit institucionalisht autoritetet qendrore e vendore, për koordinimin në kohë, me qëllimin përballimin me efektivitet të situatës, për t’u ardhur në ndihmë zonave të prekura nga zjarret, veçanërisht për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve./atsh

Përhapja e zjarreve në qarqet Gjirokastër dhe Lezhë, Meta: Të merren të gjitha masat për të neutralizuar vatrat Read More »