Irina

Policia Kufitare shpëton 4 të rinj në Karaburun

Policia Kufitare u vjen në ndihmë 4 të rinjve nga Vlora, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues.

Katër të rinjtë kishin dalë në Karaburun, me një mjet lundrues me qëllim për ta testuar nga ana mekanike, por gomonia ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre. Dy prej tyre kanë mundur të dalin me not në breg të gadishullit dhe kanë kërkuar ndihmë për dy shokët e tjerë, që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Gjiri i Varkave”, kanë gjetur mjetin lundrues tip gomone, së bashku me shtetasit, R.M. dhe E.A, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare kontaktuan edhe me dy shtetasit e tjerë K.M dhe A.M, të cilët telefonuan për ndihmën e shokëve.

Katër të rinjtë janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë për në Triport, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Katër shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore. /atsh

Policia Kufitare shpëton 4 të rinj në Karaburun Read More »

1.5 milion turistë gjatë gushtit, Klosi: Nevojë për rregulla të reja në turizmin shqiptar

“Viti 2019 në 8-mujorin deri më 31 gusht ka shënuar plot 4 milionë e 850 mijë turistë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë e që janë 10% më shumë së i njëjti 8-mujor i vitit 2018”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë një interviste televizive për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Klosi tha se, “gushti cilësohet si muaj i suksesshëm turistik pasi 1.5 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, pra 8% më shumë se gushti i 2018. Në datat 5-25 gusht i gjithë kapaciteti në bregdet ka qenë i ezauruar”.

“Tashmë në turizmin shqiptar ka ardhur koha për rregulla të reja dhe nëse ne nuk kuptojmë që sot që kemi nevojë për një strukturim tjetër të turizmit shqiptar vitin tjetër do kemi problem më të mëdha”, vijoi Klosi.

“Ne ndjehem pozitiv për sa i përket shërbimeve në turizëm si mikpritja dhe gjithashtu po ecim shumë në strukturat akomoduese, Ka një moment të fortë zhvillimi përsa i përket hotelerisë në gjithë zonën e bregdetit, pasi ka me mijëra shtretër të shtuar të rinj në gjithë strukturën turistike të vendit”, shtoi ai.

“Ky vit gjithashtu shënoi progres përsa i përket rregullave përsa i përket hapësirave publike, menaxhimit të plazheve dhe hapësirave të mbrojtura”, përfundoi ministri Klosi. /atsh

1.5 milion turistë gjatë gushtit, Klosi: Nevojë për rregulla të reja në turizmin shqiptar Read More »

Për herë të parë këtë vit, libra falas edhe për klasat e pesta

Shpërndarja e librave falas edhe për klasat e pesta që ka nisur sot, është një tjetër premtim i mbajtur. Kryeministri Edi Rama, pas shpërndarjes së librave falas për herë të parë vitin e kaluar, u zotua se këtë vit ato do të ishin edhe për klasat e pesta.

Kështu, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, njoftoi sot se nisi shpërndarja e librave falas, edhe për klasat e pesta.

“Filloi shpërndarja e librave FALAS, ku sipas premtimit këtë vit shkollor përfshihet edhe Klasa V. Sezoni shkollor 2019-2020 Libra FALAS për të gjithë fëmijët nga Klasa I – V si edhe deri në klasën XII, për të gjithë ata fëmijë që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike apo janë me nevoja të veçanta”, – tha Rama.

Ndërsa vitin e kaluar rreth 125 mijë nxënës nga klasat e para deri në klasat e katërta kanë përfituar libra falas, për vitin e ri shkollor 2019-2020 numri i përfituesve është rritur në 155 mijë, pasi kësaj skeme i janë shtuar edhe nxënësit e klasave të pesta.

Shpërndarja e librave shkollorë ka filluar sot./atsh

Për herë të parë këtë vit, libra falas edhe për klasat e pesta Read More »

Prioritetet e Kuvendit, Balla: Përmbyllja e reformës zgjedhore dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi

“Garantimi i votës së emigrantëve për zgjedhjet e vitit 2021 dhe depolitizimi i administratës zgjedhore mbeten prioritete të Partisë Socialiste, që do të adresohen me reformën zgjedhore”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “detyrimi ynë është që duhet t’i japim Shqipërisë një kod të ri zgjedhor brenda këtij sesioni parlamentar”.

“Jam shpresëplotë, pasi edhe në konferencën e kryetarëve sot, bashkë me grupet parlamentare të opozitës kemi dakordësuar rëndësinë që ka përmbyllja e kësaj reforme brenda këtij afati. Në tetor do të kemi në dispozicion edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit por edhe për zgjedhjet e 2015-2017”, – tha Balla.

Opozita parlamentare, sipas tij, kërkon hulumtimin e sistemeve zgjedhore, por këto nuk bëjnë pjesë në detyrimet që lindin nga adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ai uroi që opozita jashtëparlamentare të zërë vendin e saj në komisionin për reformën zgjedhore dhe të marrë përgjegjësitë që i takon në mënyrë që të kemi një Kod Zgjedhor të plotë që të garantojmë zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2021.

Balla tha se në pushtet vihet vetëm me votë dhe opozita e di këtë gjë.

Sa i takon infrastrukturës zgjedhore, Balla tha se “duhet të bëjmë hapa të rëndësishëm drejt teknologjive për kalkulimin e votave që edhe në Shqipëri rezultati zgjedhjeve të dali brenda natës të së dielës”.

Po ashtu, Balla tha se “Kuvendi do të vijojë punën për zbatimin e Reformës në Drejtësi”. “Shumë shpejt Kuvendi do të vihet në lëvizje për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, pasi 3 anëtarë përzgjidhen nga Kuvendi. Kuvendi ka shpallur edhe vakancën e e re pas konstatimit të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të kandidatëve. Janë disa reforma të rëndësishme që do të adresohen”, tha Balla.

Sa i takon zgjedhjeve të pjesshme në bashkinë e Shkodrës, Balla tha se “kjo nuk është hera e parë që zhvillohen zgjedhje të pjesshme, pasi vetëm në periudhën 2015-2019 ka pasur zgjedhje në 2 bashki, në Dibër dhe Kolonjë”.

“Partitë politike kanë detyrimin të marrin pjesë në garë, ndërsa janë institucionet e Presidentit dhe KQZ-së që garantojnë këto zgjedhje. Presidenti duke dekretuar datën dhe KQZ duke organizuar procesin”, – tha ai.

Lidhur me rastin e Valdrin Pjetrit, Balla tha se “përgjegjësia është individuale dhe standardi që ka vendosur PS është që ka hequr dorë nga çdo lloj mburoje politike për të zgjedhurit e saj”.

“E kundërta ndodh. Marrëdhënia me ligjin është marrëdhënie juridike individuale dhe përgjegjësinë nuk mund ta marri forca politike. Ne jemi vënë në dijeni të një certifikate, ajo që lëshon Ministria e Drejtësisë, që ka të bëjë me të mosqenit i dënuar. Nëse nuk e deklaron, ligji e ka të qartë edhe dënimin”, – tha ai. /atsh

Prioritetet e Kuvendit, Balla: Përmbyllja e reformës zgjedhore dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi Read More »

Nis sesioni i ri parlamentar, Ruçi: Kuvendi funksional dhe me kuorum kushtetues

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi sot se, “Kuvendi mbylli sesionin e kaluar dhe fillon këtë sesion parlamentar si një institucion funksional me një kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor”.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Ruçi tha se “sesioni që mbyllëm nuk ishte i lehtë, por me gjithë vështirësitë që u shkaktuan nga lënia e mandateve të deputetëve të opozitës, kjo nuk cenoi funksionimin e sistemit tonë politik, produktivitetin dhe rezultatet e Kuvendit”.

“Rreth 70% e mandateve, ose 40 nga 58 mandate u zëvendësuan nga deputetët e rinj të opozitës. Kjo ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi ushtroi me intensitet funksionin kryesor, atë legjislativ”, – tha Ruçi.

Sipas tij, “gjatë sesionit të kaluar u depozituan 64 projektligje dhe u miratuan 57 gjithsej, ose 2 më shumë sesa në të njëjtin sesion të vitit të kaluar”.

“U miratuan 76 vendime, u miratuan 5 ligje me 3/5, ndërkohë që vitin e shkuar me 3/5 nuk u votua asnjë projektligj; u miratuan 28 ligje me konsensusin e opozitës, ose 21 ligje më shumë sesa periudha janar-korrik 2018. Deputetët morën 19 nisma ligjore ose 8 më shumë se viti i kaluar, njëra prej të cilave kishte të bënte me ndryshimet në Kodin Penal, deputetët e opozitës kërkuan 6 interpelanca, ose 2 më shumë se viti i kaluar prej të cilave u zhvilluan 5”, – tha Ruçi.

Ai tha se, “Kuvendi përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike dhe demokracia liberale u provua si demokraci kushtetuese si asnjëherë në historinë e pluralizmit dhe Kushtetuta u rezistoi aventurave”.

Po ashtu, Ruçi vlerësoi Reformën në Drejtësi si meritë ekskluzive të Kuvendit të Shqipërisë.

Ruçi shpalli edhe objektivat për sesionin e ri parlamentar duke theksuar se të gjithë presin negociatat, ndërsa dora e shumicës është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve, në mbledhjen e këshillit në tetor shkojmë me sigurinë e plotësimit të këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar”, – tha ai.

Ruçi theksoi se “prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore”. “Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtëparlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në Drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja. Gjykata Kushtetuese dhe ILD do të bëhen funksionale shumë shpejt”, – tha Ruçi. /atsh

Nis sesioni i ri parlamentar, Ruçi: Kuvendi funksional dhe me kuorum kushtetues Read More »

Rriten eksportet e perimeve, 22% e totalit të prodhimit vjen nga serrat

Gjashtëqind e dyzet e tre projekte për rritjen e prodhimit në serra janë mbështetur nga qeveria, ku përmes modeleve biznesi të standardizuara investimi kap vlerën e 377 milionë lekëve.

Shifrat janë bërë publike nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e cila thotë se kjo e fundit ka mbështetur 643 projekte ndër vite për rritjen e prodhimit në serra përmes subvencioneve shtetërore.

Përqendrimi më i lartë rajonal i serrave është në qarkun e Beratit, ku AZHBR ka financuar 240 projekte, ndjekur nga qarku i Fierit me 179 projekte të financuara.

Më tej në Durrës, Shkodër dhe Tiranë ku kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me domate dhe kastravec në serra. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit kanë qenë të financuara kanë qenë serra me ngrohje teknike dhe qendrore për zëvendësimin e plastmasit termik, ndërtimin e serrave të reja me ngrohje diellore si dhe prodhimin e bastanorëve në tunele.

Sipas statistikave zyrtare, 22% e totalit të prodhimit të perimeve vjen nga serrat.

Sipas AZHBR-së, rritja e konsiderueshme e prodhimit në serra ka përafruar prodhimin me kërkesat e tregut, si dhe ka shtuar nivelin e eksporteve. Po kështu, masat mbështetëse në formë granti nga buxheti i shtetit ka orientuar fermerët që të investojnë dhe të mbjellin kultivarë që kërkon tregu, bazuar në kriterin minimal për sipërfaqe jo më pak se 0,2 hektarë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon se ky sektor ka dhënë impakt në rritjen e ekonomisë familjare për zonat rurale, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe ka rritur konsiderueshëm eksportet./atsh

Rriten eksportet e perimeve, 22% e totalit të prodhimit vjen nga serrat Read More »

80-vjetori i fillimit të Luftës së Dytë Botërore/ Meta në Varshavë: Shqipëria, solidaritet për forcimin e paqes

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë kujtimore të 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila u zhvillua në Varshavë

“Shumë i nderuar të merrja pjesë sot në Varshavë, në ceremoninë e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, me ftesë të Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda.
Përulje përpara dhjetëra milionë viktimave, heronjve e dëshmorëve që humbën jetën në emër të lirisë e dinjitetit njerëzor, pavarësisë e sovranitetit, gjatë tragjedisë më të madhe që ka njohur njerëzimi”, bënë të ditur Presidenti Meta.

“Bashkë me shumë krerë shtetesh, shprehëm solidaritetin për forcimin e paqes dhe ndërtimit të një botë më të mirë, që në themel duhet të ketë lirinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe besimin e ndërsjellë. Të gjithë së bashku të punojmë për lirinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor, që tragjedi të tilla, të mos përsëriten kurrë më”, thekson Meta.

“Të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur çdo ditë vlerat e demokracisë dhe lirisë, që na bashkojnë me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Shqipëria ishte viktima e parë në Europë e kësaj murtaje të njerëzimit, duke kaluar me kurajë sakrifica të jashtëzakonshme, që nga dita e parë e pushtimit, 7 prillit 1939, deri në ditën e fundit të çlirimit të Europës.
Krenar për kontributin dhe qëndresën heroike të popullit tonë në luftën ndaj nazi-fashizmit”, theksoi Meta.atsh

80-vjetori i fillimit të Luftës së Dytë Botërore/ Meta në Varshavë: Shqipëria, solidaritet për forcimin e paqes Read More »

439 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës

439 persona janë punësuar nga 23-29 gusht në gjithë vendin vetëm përmes Zyrave të Punës.

Sipas statistikave të punësimeve për çdo qark, në Berat janë punësuar 28 persona, në Durrës janë punësuar 67 persona, në Fier 60 persona, në Korçë 24 persona.

Po ashtu, gjatë kësaj jave në Dibër janë regjistruar 9 të punësuar, në Elbasan 37 të punësuar, në Gjirokastër 28 të punësuar, në Kukës 22 të punësuar, në Lezhë 24 të punësuar, në Shkodër 54 të punësuar, në Tiranë 60 të punësuar dhe në Vlorë 26 të punësuar. /atsh

439 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës Read More »