Irina

Moti e premte, 7 qershor 2019

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti ditën e sotme parashikohet i kthjellët, me vranësira të pakta dhe mesatare në zonat malore.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim 1-8 m/sek në bregdet, duke u pasuar nga një valëzim i forcës 2-3 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/30 diell
Kukës 19/31 re diell
Lezhë 18/30 diell
Dibër 15/27 re diell
Durrës 18/30 diell
Tiranë 19/32 diell
Elbasan 17/31 diell
Berat 17/33 diell
Vlorë 16/30 diell
Korçë 13/27 re diell
Gjirokastër 12/30 diell
Sarandë 17/28 diell/atsh

Moti e premte, 7 qershor 2019 Read More »

Dako: Audiopërgjimi i manipuluar

Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i cilësoi mbrëmjen e sotme përgjimet e publikuara së fundmi si manipuluese dhe që nuk ka asgjë të vërtetë.

Në emisionin “Opinion”, Dako deklaroi se gazetari i cili ka publikuar përgjimet në “Bild”, ka manipuluar lidhur me audiopërgjimin, duke pohuar se nuk ka qenë në komunikim me asnjë prej të dyshuarve, persona për të cilët thuhet se janë kapur në përgjime për shitblerje votash.

Dako tha se “një mendje e hollë e ka manipuluar për të krijuar një lidhje me 5 telefonatat e tjera”.

Gjithashtu, Dako tha se gjatë qëndrimit 5-orësh në prokurori nuk është pyetur nga këta të fundit për audiopërgjimin e publikuar nga “Bild”.

“Në prokurori kam dhënë shpjegimet e mia për 5 orë dhe nuk më kanë pyetur për këtë telefonatë, – deklaroi ai, duke shtuar se, – nuk janë marrë me detaje, kanë ushtruar kontroll, kanë sekuestruar materialet e bashkisë”./atsh

Dako: Audiopërgjimi i manipuluar Read More »

Protestat nuk janë të popullit, por të një opozite me udhëheqje të degraduar

“Kjo nuk është një protestë e popullit, por janë protesta të një opozite me një udhëheqje të degraduar që ka humbur logjikën”, – deklaroi mbrëmjen e djeshme Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Kryeministri Rama tha se “ata tani janë në një situatë dramatike, pasi kanë hedhur në erë urën nga mund të ktheheshin”.

Sipas Ramës, “djegia e mandateve është një gabim strategjik i jashtëzakonshëm dhe duhet të jesh i marrë të bësh atë që bën ata”. Tani, tha Rama, ata i udhëheq marrëzia.

Kjo nuk është një protestë e popullit, tha Rama, duke shtuar se “është një protestë e telekomanduar nga një elitë politike e udhëhequr nga një udhëheqje e verbër”.

“Unë jam shumë krenar për faktin që ne kemi ndryshuar rrënjësisht qasjen e qeverisë dhe shtetit ndaj protestës dhe Policia e Shtetit ka një qëndrim superproporcional. Faktikisht bilancet janë skandaloze me 10, 12 dhe 15 policë që shkojnë në spital. Herën e fundit njëri nga punonjësit mund të kishte humbur syrin”, – tha Rama.

Në këtë aspekt, Rama tha se, “kemi qenë një model i ri”. “Unë kam dalë në protestë në një kohë kur ishte reale mundësia që të humbisje dhe kokën, dhe kanë humbur jetë”, – tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “protestat vijnë duke rënë në numër dhe vijnë me premisa dhune më të mëdha”. “Ky është degjenerim i partisë që lindi si krijesa e parë e pluralizmit.
Trazirat prodhojnë imazhe skandaloze për Shqipërinë”, – tha Rama.

Ai u shpreh se “unë mund të bëj gabime dhe mund të mos arrij dot t’i bëj të gjitha gjërat si dua, por unë gjithmonë prirem për të bërë një gjë të drejtë, jo për të bërë një gjë të shtrembër, apo për t’i bërë keq të tjerëve”.

“Nuk ndjehem si një njeri që është punësuar kryeministër për karrierë politike, por sepse ndiej se kam një mision, një detyrim dhe përpiqem të bëj gjënë e duhur. Nuk bëj kurrë gabime të qëllimshme, si rasti i Gërdecit, që ishte të bëje me qëllim një gjë komplet kriminale. Nëse ne do të shpërblenim politikën e destruksionit ekstrem, ne do të hynim në një epokë politike ku destruksioni do të vendoste rregullat”, – tha Rama./atsh

Protestat nuk janë të popullit, por të një opozite me udhëheqje të degraduar Read More »

7 qershori afati për dorëzimin e dokumenteve për Skemat Kombëtare 2019

Data 7 qershor është afati i dorëzimit të dokumenteve për 7700 fermerët që kanë kaluar fazën e parë të aplikimit në Skemat Kombëtare 2019.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, i rikujton të gjithë aplikantëve që deri në datën 7 Qershor 2019, është afati i dorëzimit të dokumentacionit shtesë nga ana e fermerëve. Plotësimi i dosjes përtej këtij afati, do të rezultojë në skualifikim të aplikimit. Fondet që do të lirohen nga aplikimet e skualifikuara do të rialokohen dhe do të përdoren vetëm për ata që plotësojnë dokumentet deri më 7 qershor, njofton AZHBR.

Sipas AZHBR-së, 7700 fermerë kanë kaluar fazën e parë, për tu bërë përfitues të fondit prej 5 milionë euro të vënë në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë në projektin e Skemave Kombëtare 2019. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka publikuar të dhënat, ku pjesa më e madhe e aplikimeve kanë qenë për dorëzimin e qumështit lëndë e parë në pikat e grumbullimit për ferma me lopë dhe të imta ku dhe merret mbështetje direkte.

Nga 7 masa në total, për këtë masë janë regjistruar 3223 aplikime, të ndjekura nga aplikimet për tufën bazë më të imta me 2298, 962 aplikime për bletarinë, 691 aplikime për mbjellje ullinjsh, 499 aplikime për ujitje me pika, 23 aplikime për përmirësim ullishtesh të degraduara dhe në fund listohen 4 aplikime për dorëzim prodhimi për anije peshkimi.

Tashmë AZHBR ka hyrë në fazën e përzgjedhjes, ku aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacion shtesë, si vërtetim për pagesën e sigurimeve shoqërore koherente, vërtetim për shlyerjen e detyrimeve tatimore ose ndaj AZHBR-së nëse kanë rezultuar debitorë, ndërsa sipas masës kërkohen dhe dokumente specifike, si dokumentacion të plotë të pronësisë mbi tokën, apo të marrjes me qira, etj.

Aplikimet e kualifikuara sipas masave: 3223 aplikime – për dorëzimin e qumështit, 2298 aplikime – për tufën bazë dhe të imta, 962 aplikime – bletari, 691 aplikime – mbjellje e ullinjve, 499 aplikime – ujitje me pika, 23 aplikime – përmirësim ullishtesh të degraduara, 4 aplikime – dorëzim prodhimi për anije peshkimi. /atsh

7 qershori afati për dorëzimin e dokumenteve për Skemat Kombëtare 2019 Read More »

Përgjimet, Rama: Dosja e mbajtur në sirtar për shantazh politik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “përgjimet nuk janë prova, por indicie të caktuara që duhen hetuar”.

I ftuar në një studio televizive, Kryeministri Edi Rama foli për rastin e përgjimeve të publikuara nga “Bild”.

“Së pari, dua të them diçka që më duket e rëndësishme dhe nuk më është dhënë mundësia ta them më parë. Një urdhër absurd i Prokurorisë për të ndaluar mediat që të publikojnë, që nuk e di sa i referohet ndonjë ligji të shkruar apo jo. Por di se është i gabuar, sepse mediat për atë punë janë, të nxjerrin çfarë gjëje u bie në dorë. Nuk ka asnjë kufizim në këtë pikë, Wikileaks tronditi botën, por nuk di të jetë hapur ndonjë proces penal apo gjyqësor për ‘Nju Jork Times’, por u shpall një arrest ndërkombëtar për Asange”, – tha Rama.

Sipas tij, “mediat janë lajmësi, që në këtë rast nuk ka asnjë faj në raport me publikimet”.

Çështja, tha Rama, “ka disa aspekte”. “Së pari, e kam thënë dhe e përsëris, kam neveri nga përgjimet dhe përdorimi i përgjimeve, sepse janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta, sepse mund të nxirren apo futen në një kontekst të caktuar”, – tha Rama.

Por, sipas tij, “ka një aspekt moral dhe jemi në kushtet kur kryetari i bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat, por është një njeri i lirë që duhet të përgjigjet deri në fund lidhur me të vërtetën”.

“Nga ajo që kam parë, shikoj që ka një shëmti që të vjen për të vjellë kur dëgjon biseda të caktuara, por e rëndësishme është se sa këto janë muhabete të materializuara në fakte, ose sa këto janë muhabete njerëzish të cilët bëjnë sikur kontrollojnë planetin me telefon dhe bëjnë sikur do zgjidhin problemet”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “ka një aspekt ligjor, pasi kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e administrimit të gjithë këtij procesi”.

“Është përgjegjësi e prokurorëve të ruajnë sekretin hetimor, të hetojnë në mënyrë transparente dhe të përputhin çfarë indiciesh jep një përgjim. Zanafillën kjo e ka te iniciativa e Policisë së Shtetit shqiptar që filloi ndjekje ndaj një bërthame të caktuar dhe e ka referuar në Prokurori. Gjithë këta njerëz janë në burg, jo në gjendje të lirë”, – theksoi Rama.

Në aspektin politik, që është aspekti më problematik, Kryeministri tha se beson se kjo është një dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh politik dhe është një dosje që lidhet me atë që unë e kam quajtur tërmeti që do të krijojë Reforma në Drejtësi që është në proces”.

Rama tha se “nuk është rastësi, por përkundrazi, të shikosh se si një material i tillë nuk është përdorur as për të vepruar, as për t’u thelluar e kapur në flagrancë nëse do të kishte diçka”.

“Por ajo u përdor për t’u mbajtur e nxjerrë përmes politikës, për qëllime politike, si rezultat i lidhjes së një segmenti të caktuar në prokurori me politikën”, – tha Rama.

Pastaj, shkon edhe më tutje, shtoi Kryeministri, duke iu referuar faktit se këto materiale u morën dhe u ekspozuan në një gazetë me tirazh shumë të madh në Gjermani, duke synuar ta fusin në një kornizë të një zbulimi gjerman.

“Nuk është zbulim i askujt, është shpërdorim i detyrës, nxjerrje e sekretit hetimor, kalim të politikës dhe sugjestionim. Një gazetar gjerman ka marrë çfarë i kanë dhënë, dhe kjo në momentin kur ne presim nga Gjermania dhe vendet e tjera të marrim një ditë jeshile për negociatat”, – tha Rama.

Po ashtu sipas tij, “kjo përdoret si ushqim që helmon shumë njerëz këtu dhe situatën atje, duke u dhënë argumente të gjithë atyre që duan të kapen”./atsh

Përgjimet, Rama: Dosja e mbajtur në sirtar për shantazh politik Read More »

Parashikimi i motit, e enjte, 6 qershor 2019

Moti ditën e sotme do të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, duke përjashtuar këtu zonat malore.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në vend do të nisin gradualisht të qarkullojnë masat ajrore të qëndrueshme. Prej orëve të mesditës do të ketë reshje lokale shiu me intensitet të ulët, kryesisht përgjatë relieveve malore.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Jug 1-10 m/sek., duke u pasuar nga një valëzim i forcës 2-3 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/27 re diell
Kukës 15/25 re diell shi
Lezhë 17/27 re diell
Dibër 14/24 re diell shi
Durrës 16/27 re diell
Tiranë 17/27 re diell
Elbasan 15/28 re diell
Berat 15/28 re diell
Vlorë 17/28 re diell
Korcë 12/24 re diell shi
Gjirokastër 14/28 re diell
Sarandë 16/27 re diell/atsh

Parashikimi i motit, e enjte, 6 qershor 2019 Read More »

Spektakël në 5 qytete shqiptare me ritme folku dhe tango argjentinase

Tradita, arti dhe kultura argjentinase vijnë në Shqipëri. Artistët argjentinas, sjellin në festivalin “Open on tour” kërcimet tradicionale të jetës së përditshme, për të demonstruar se si çdo ditë për ta është festë dhe gëzim.

Festivali vjen në bashkëpunim me dy balerinët, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Ndërsa, 10 artistë argjentinas do të dhurojnë për publikun shqiptar një spektakël plot ritme folku argjentinase dhe tango.

Për koreografen shqiptare, ky festival premton që të sjellë ritëm muzikor, por edhe kostume të bukura argjentinase, që artistët i përdorin për të kërcyer muzikën e tyre.

Për herë të parë grupi Sangre Nativa shpalos folkun dhe kulturën e vendit nëpërmjet valleve karakteristike, ritmike dhe elegante. Pa harruar muzikën melodioze dhe tangon, që vetëm ata dinë ta kërcejnë më së miri.

Festivali nis në datë 7 qershor ora 19:00 në Korçë. Ndërkohë, në Tiranë do të jenë për tre net radhazi nga data 10 deri në 12 qershor në skenën e “arTubinës”, ku së bashku me artistët argjentinas do të performojnë edhe Enada Hoxha dhe Gerd Vaso.

Në datën 17 qershor, në Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës, më 19 dhe 20 qershor në teatrin “Skampa” të Elbasanit, për ta mbyllur me qytetin e Vlorës në datë 27 qershor në Lungomare. /atsh

Spektakël në 5 qytete shqiptare me ritme folku dhe tango argjentinase Read More »

Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë vlerësohet me Dekoratën “Nënë Tereza”

Presidenti Meta vlerëson Organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë, me Dekoratën “Nënë Tereza”, “Për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që e kanë humbur kujdesin prindëror, në zhvillimin e komuniteteve me programe bashkëkohore, për një shoqëri më të barabartë në mbarë botën, si dhe në Shqipëri”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se, “Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera, ku shkelen të drejtat bazike të fëmijëve dhe ku varfëria i frenon brezit të ri zhvillimin normal dhe ndrydh ëndrrat e tyre të lira”.

“Ashtu siç ka thënë Nënë Tereza: ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me një dashuri të madhe’. Dhe puna dhe dashuria juaj ka qenë shumë e madhe. Dhe unë ju përgëzoj dhe shpreh mirënjohjen time të thellë që në 70 vite ju keni arritur t’i ktheni solidaritetin, dashurinë, sigurinë dhe shpresën miliona fëmijëve dhe familjeve në nevojë në mbarë botën”, theksoi Meta.

“Për 23 vjet, Fshatrat e Fëmijëve SOS Shqipëri kanë qenë shtëpia e shumë fëmijëve pa kujdes prindëror të cilët falë jush kanë gjetur një shtëpi të dashur dhe të ngrohtë.Këtu fëmijët janë rritur dhe kanë filluar jetën e tyre të zotë dhe të pavarur, duke na bërë krenarë për arritjet e tyre. SOS-i ka ndihmuar fëmijë që të rriten në një ambient familjar të sigurt dhe të kujdesshëm”, shtoi Meta.

“Shumë prej fëmijëve janë bërë prindër dhe gjyshër, dhe aftësia e tyre për t’u kujdesur për familjen që kanë krijuar është përmirësuar për shkak të mbështetjes dhe shembullit që kanë marrë nga ju”, vijoi Presidenti.

“Fshati SOS duhet mbështetur nga shteti dhe bizneset në mënyrë që të keni më shumë mundësi për t’u kujdesur ndaj më shumë fëmijëve dhe familjeve vulnerabël. Nuk ka prioritet më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sesa investimi për rritjen, edukimin dhe integrimin sa më të mirë të rinisë dhe sidomos të fëmijëve pa kujdesin prindëror”, theksoi Meta.

“Populli ynë ka mbartur gjithnjë brenda vetes një potencial të pashtershëm mirësie dhe humanizmi. Këtë vlerë tejet të çmuar ai e ka treguar gjatë të gjithë historisë së ekzistencës së vet. Solidariteti vëllazëror, ndihma dhe përkrahja ndaj tjetrit, mbrojtja dhe përkujdesja ndaj individëve në nevojë, të shpalosura ndër shekuj, janë tregues tejet domethënës zemërgjerësie dhe bujarie për një popull modest si i yni. Një popull modest, por me një zemër dhe dashuri të madhe”, tha më tej Presidenti.

Dekorata e lartë “Nënë Tereza” iu dorëzua Drejtorit të SOS Kinderdorf International për Rajonin e Europës Qendrore, Lindore dhe vendet e Commonwealth-it, zotit Tom Malvet, i cili falënderoi Kreun e Shtetit për vlerësimin, por sidomos për përkujdesjen e vazhdueshme që tregon ndaj fëmijëve të Fshatit SOS në veçanti, dhe fëmijëve e brezit të ri shqiptar në përgjithësi.

Më pas, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit ndoqën një dokumentar që ilustronte veprimtarinë e Organizatës SOS, një program muzikor me kolazh nga grupi i violinistëve si dhe valle dhe shfaqje nga animatorët për fëmijë. /atsh

Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë vlerësohet me Dekoratën “Nënë Tereza” Read More »