Irina

Fluks turistësh edhe në shtator/ Vizitorë gjermanë dhe polakë në shtigjet e malit të Tomorit dhe të Dajtit

Ditët me diell gjatë muajit shtator po shfrytëzohen nga turistët gjermanë dhe polakë të cilët po vizitojnë Parkun Kombëtar të Tomorit dhe malin e Dajtit.

Në këtë fillim vjeshte plot diell turistët të shumtë gjermanë dhe polakë shijuan një itinerar turistik për njohjen e natyrës dhe kulturës së këtyre zonave.

Ata gjithashtu përjetuan dhe aventurën duke bërë ecje në këmbë në shtigjet dhe bukuritë natyrore që këto zona ofrojnë.

“Turistë gjermanë dhe polakë që po eksplorojnë bukuritë natyrore në malin e Tomorit dhe malin e Dajtit janë vetëm një pjesë e vizitorëve të shumtë që frekuentojnë zonat e mbrojtura këto ditë shtatori”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Klosi shprehet se, “rritja e numrit të turistëve vijon të jetë e lartë dhe në 8 muajt e parë të vitit. Shqipëria shënoi 10,8 % më shumë turistë të huaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018”.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë. /atsh

Fluks turistësh edhe në shtator/ Vizitorë gjermanë dhe polakë në shtigjet e malit të Tomorit dhe të Dajtit Read More »

Meta dekoron At Antonio Belushi: Kontribut në përhapjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, një personalitet të jashtëzakonshëm arbëresh, At Antonio Belushi.

Presidenti dorëzoi dekoratën me motivacionin: “Për kontributet e dhëna në përhapjen, njohjen, studimin, ruajtjen dhe pasurimin e historisë, gjuhës, zakoneve dhe kulturës së rrallë arbëreshe, si dhe asaj arvanitase”.

“Si prift famullitar, publicist, studiues, mësues, etnolog, historian dhe akademik, At Belushi, prej më shumë se gjysmë shekulli, me urtësi, pasion dhe përkushtim, ka punuar dhe punon për njohjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit arbëror”, tha Meta.

Presidenti shprehu mirënjohjen ndaj vlerave të çmuara si autor i shumë studimeve e veprave për njohjen dhe lidhjen e shqiptarizmës kudo në botë, duke spikatur si veprimtar i paepur në përçimin dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar ndër arbëreshët e Italisë./atsh

Meta dekoron At Antonio Belushi: Kontribut në përhapjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe Read More »

Ditët Europiane të Trashëgimisë/ Vlorë, nxënësit vizita në muzeun arkeologjik dhe etnografik

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në Ditët Europianë të Trashëgimisë, nxënës të shkollave të qytetit kanë nisur vizitat në Muzeun Arkeologjik dhe Etnografik të Vlorës, pjesë e Muzeut Historik të rrethit.

Përmes shpjegimeve të cicerones Arbela Kisi dhe artefakteve nxënësit u njohën me pjesë të historisë së antikitetit e mesjetës, gjetjeve arkeologjike të gjetura dhe grumbulluara pas gërmimeve dhe ekspeditave në vite.

Nxënësit vizituan edhe Muzeun Etnografik të qytetit, një muze me pasuri të jashtëzakonshme trashëgimie, prej kohës së mesjetës.

Shqipëria ka nisur të kremtojë Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore prej vitit 1998.Nga 24 deri 29 Shtator janë ditë të hapura që shoqëria duhet të kujtojë e tu kthehet vlerave të trashëgimisë kulturore që vijnë si trashëgimi nga shekujt e nga brezat. Trashëgimi që sot gjendet në muzeume, por edhe në monumente kulturore, site arkeologjike, objekte kulti, artizanale, krijimtari shpirtërore, zakone, doke, rite etj.

Ndërsa 29 Shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë tonë Kulturore. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka detajuar prej kohësh një program të larmishëm aktivitetesh, të cilat nisin me vizita të mjaft shkollave të qytetit në Muzeun Etnografik dhe Historik të qytetit, të cilat do të kulmojnë me një aktivitet të madh kulturor në datën 27 shtator 2019, në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari”.

Në këtë ditë ,e cila do të organizohet në bashkëpunim edhe me Qendrën për Kulturë e Art të bashkisë Vlorë do të realizohet një Panair i madh me artizanët dhe mjeshtrat e Vlorës si dhe këngë e valle tradicionale nga Kryevepra jonë “iso-Polifoni”./atsh

Ditët Europiane të Trashëgimisë/ Vlorë, nxënësit vizita në muzeun arkeologjik dhe etnografik Read More »

Vlorë, nxënësit e shkollës Industriale praktika mësimore pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve

Nxënësit e Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë me drejtim studimi Hidraulik, do të ndjekin praktikat mësimore në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve të këtij qyteti.

Kjo do të bëhet e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimin mes drejtorit të Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili dhe drejtorit të Shkollës Industriale “Pavarësia”, Gentian Boçi.

Nxënësit do të ndjekin praktikat në UK Vlorë dhe do marrin pjesë në proceset e riparimit të defekteve, por edhe zhvillimit të investimeve.

Drejtori Xhelili shprehu angazhimin e tij për punësimin pranë Ujësjellës Kanalizime Vlorë, të nxënësve që kanë përfunduar ose do të përfundojnë në vijim, studimet në drejtimet mekanik dhe hidraulik. /atsh

Vlorë, nxënësit e shkollës Industriale praktika mësimore pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Read More »

Po-ja e Gjermanisë për negociatat, Rama: Do na duhet të përmbushim shumë kushte në çdo aspekt, të gjitha në të mirën tonë

Pas PO-së së marrë nga shumica e Bungestagut për çeljen e negociatave BE- Shqipëri, kryeministri Rama shprehet se “kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë”.

Në një intervistë dhënë nga Nju–Jorku, kryeministri i pyetur për këtë qëndrim të Gjermanisë, thotë se ky është vetëm fillimi i një procesi të vështirë. “Së pari, është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në Këshillin Europian me një “PO” për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Çelja e negociatave do të thotë fillimi i një procesi aspak të thjeshtë dhe të gjatë përmbushje kushtesh. Që do të thotë se gjëja më minimale që do të mësohemi tash e tutje është se duke çelur negociatat, kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë. Kushtet e përcaktuara në dokumentin e partive të shumicës janë kushte, të cilat i bëjnë mirë vendit dhe të cilat i duhen vendit. Nuk është, le të themi, në interesin e drejtpërdrejtë të CDU-s që Shqipëria të ketë një proces ku të përmbushë ato kushte, është në të mirën e vendit tonë. Kjo është e mira e negociatave”, tha ai.

“Negociatat”, – sipas kreut të qeverisë, – “nuk janë për ta marrë Shqipërinë dhe për ta çuar fizikisht diku tjetër, por për ta bërë Shqipërinë një vend europian, ku njerëzit si pjesë e familjes europiane të jetojnë në të njëjtat kushte dhe të kenë të njëjtat kushte”.

Rama është mirënjohës ndaj kancelares Merkel për kontributin e saj për këtë PO nga Bundestagu dhe thotë se këtë Shqipëria e meriton.

“I jam shumë mirënjohës kancelares, e cila ka qenë pa diskutim forca kryesore në thyerjen e asaj barriere që kishim në Bundestag. I jam shumë mirënjohës edhe atyre në CDU, që nga Johann Wadephul dhe gjithë të tjerët, e kanë mbështetur Shqipërinë dhe kanë bërë gjënë e duhur, ashtu sikundër mirëkuptoj edhe ata që kanë qenë kundër. Ka qenë një debat i fortë përderisa ka pasur një shumicë “pro” dhe një pakicë “kundër”, që do të thotë që “pro”-ja ka hapur negociatat përsa i takon Gjermanisë, përndryshe, për çfarë është diskutuar e për çfarë votuar. Ne do t’u mbushim mendjen dhe atyre që do kishin bërë më mirë që të kishin votuar pro, sepse Shqipëria e meriton, por kjo duhet bërë hap pas hapi, me fakte dhe me prova”, – përfundoi Kryeministri. /atsh

Po-ja e Gjermanisë për negociatat, Rama: Do na duhet të përmbushim shumë kushte në çdo aspekt, të gjitha në të mirën tonë Read More »

Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kryen një vizitë inspektimi në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë.

Kjo vizitë u bë në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve restauruese, në bazë të projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, mbas rënies së disa tërmeteve në qarkun e Korçës, që shkaktuan dëme në këtë monument të kategorisë I.

Punimet kanë filluar sipas parashikimeve me rrethimin e kantierit, ngritjen e skelerive, vendosjen e banerit dhe tabelës informuese.

Në vazhdim të punimeve dhe pas bërjes së sondazheve të parashikuara në projektin e restaurimit, punimet vijojnë dhe konsistojnë në ndërrimin dhe riparimin e suvatimeve të brendshme, ndërsa njëkohësisht kryhet edhe çmontimi i çatisë ekzistuese, për të lehtësuar punimet dhe më pas për t’u restauruar. /atsh

Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë Read More »

Përfaqësues të lartë ndërkombëtarë nderohen me “Çelësin e qytetit” të Gjirokastrës

Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, i dorëzoi sot “Çelësin e qytetit”, koordinatorit të përhershëm të OKB-së, në Shqipëri Brajan J. Williams dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Alberto Cutillo.

“Nuk është më nevoja t’ju ftojmë në qytetin muze, ju e keni çelësin e tij”, nënvizoi në fjalën e tij Golemi. Një simbol të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, kishte zgjedhur edhe Brajan, për qytetarin e parë të Gjirokastrës.

Në takim Golemi vlerësoi mbështetjen e agjencive të OKB-së për kontributin e tyre në qytetin pasuri botërore të UNESCO-s.

Brajan u shpreh se, “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm u drejtohen të gjithëve. Sipas tij, çdo anëtar i komunitetit duhet të jetë i përfshirë në to për të lidhur qëllimet globale me komunitetet lokale”.

Ambasadori italian në Shqipëri Alberto Cutillo hodhi idenë “për ta kremtuar vitin 2020 si viti i Gjirokastrës”. Me qëllim promovimin e vlerave të qytetit muze, sipas tij, me Institutin Italian të Kulturës do të zhvillohen disa aktivitete që kanë në fokus turizmin. Ambasadori përmendi si shumë të rëndësishëm edhe misionin arkeologjik në luginën e Drinos.

Me motivacionin “Për kontribut të çmuar në mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër për mirëpritjen, trajtimin e refugjateve dhe ngritjen e urave të harmonisë njerëzore në komunitetin vendor”, Golemi i dorëzoi përfaqësuesit të UNHCR në Shqipëri Pablo Zapata certifikatën e mirënjohjes. Takimi u pasua nga një sërë veprimtarish të tjera në qytet me rastin e javës së OZhQ-ve. UN Women Shqipëri, në bashkëpunim me INSTAT, bëri bashkë anëtaret gra të këshillit bashkiak dhe aktorë të tjerë duke u fokusuar te barazia gjinore dhe fuqizimi i grave./atsh

Përfaqësues të lartë ndërkombëtarë nderohen me “Çelësin e qytetit” të Gjirokastrës Read More »

Ditët e Trashëgimisë Europiane festohen nën temën “Art dhe Argëtim”

“Ditët e Trashëgimisë Evropiane”, një iniciativë e përbashkët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, janë ngjarjet kulturore më të festuara gjerësisht nga vendet e Evropës. Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe 29 Shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë organizuan aktivitetin me titull “Art dhe argëtim”. Gjatë këtij aktiviteti u zhvillua një sfilatë me veshje popullore të trevave të Shqipërisë, si të Mirditës, Tiranës, Malësisë së Madhe etj. Po ashtu fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës interpretuan këngë e valle të shumta tradicionale shqiptare.

Nuk mund të mungonte një nga aktivitetet më të sukseshme të Muzeut Historik Kombëtar, ai me titull “Arkeologu i Vogël”. Fëmijët morrën pjesë në zhvillimin e këtij projekti për të mësuar si të zbulojnë objektet e lashtësisë. Fëmijët e QKKF-së vijuan me gërmimet dhe në përfundim, plotësuan fjalëkryqin me fjalë nga arkeologjia e vizatuan objektet e zbuluara.

Aktiviteti i sotëm u pasurua me ekspozitën me vizatime nga fëmijët e talentuar të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, ku paraqiteshin objekte dhe pamje të ndryshme, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. /atsh

Ditët e Trashëgimisë Europiane festohen nën temën “Art dhe Argëtim” Read More »