Irina

“The Guardian”: Rilindja e verës shqiptare

Industria e verës edhe në Shqipëri ka probleme me imazhin. Megjithatë, një brez i ri prodhuesish vere po kërkojnë thellë në depozitat e tyre të rrushit duke na treguar rezultate mbresëlënëse, shkruan gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”.

“Vendi i vetëm në botë ku mund të pini një gotë të ftohtë “Ceruja” është tek ferma Uka, një vreshtari dhe restorant biodinamik në afërsi të aeroportit të Tiranës. Afër liqenit të Ulëzës, në veri të Shqipërisë, vreshtat e pazakonta të rrushit kacavirren manave dhe vilen vetëm një herë në disa vite.

Shqipëria mund të mos jetë e njohur për verën, por kjo gjë po ndryshon dalëngadalë, pasi prodhues vere si Flori Uka, i cili ka blerë të gjithë sasinë e vjelë të rrushit ”Ceruja”, filluan të bënin emër në këtë industri.

Vendi i pozicionuar pranë detit Adriatik, ishte i pothuajse tërësisht i paarritshëm për të huajt deri ne vitin 1991 dhe kooperativat e detyruara nga shteti (që nga viti 1950) prodhonin vetëm dy lloje verërash, te kuqe dhe të bardhë. Ditët e sotme, vendi po sheh rilindje të vreshtave të shumtë në 30 punishte të verës.

Nën hijen e kështjellës së Beratit, të ngjashme me atë të Disney-it dhe e mbrojtur nga UNESCO, Muharrem Çobo, që nga viti 1994, po rrit rrush të rrallë shqiptar. Paraardhësit e Çobos, pavarësisht se ishin prodhues të vjetër të verës, gjatë periudhës së komunizmit e kishin të ndaluar të prodhonin verë. Ai po fiton kohën e humbur duke eksperimentuar me disa “mikro-fermentime” prej 100 shishesh çdo vit.

Nga një vresht i vetëm, Çobo ka rilindur një tjetër lloj rrushi kacavjerrës, të quajtur Puls i Bardhë. Ka shijen e fortë të agrumeve dhe aromën e zjarrit që kombinohet me ullinjtë e Beratit, të cilët ai i shërben gjatë degustimeve të verës në qilar. Pas marrjes së mostrës së rozesë së tij të gazuar 12-ditëshe, hapim një shishe ”Shendeverë”, me një shije shpërthyese të fermetuar si shampanja, që është më e mirë se çdo gjë që kam provuar.

Megjithatë këtu ende ekziston problemi i markës.

Flori Uka thotë: “Kur kam prezantuar verën e fermës Uka në restorantet e qytetit më thonin ‘aa, është prodhim shqiptar, do të paguajmë vetëm 2 euro për shishe.’ Çdo vit Shqipëria prodhon vetëm një milion shishe verë në një vend me tre milionë banorë, teksa importojmë 50 milionë euro verë italiane.”

Por, me këtë brez të ri prodhuesish vere, kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë”, përfundon ”The Guardian”./atsh

“The Guardian”: Rilindja e verës shqiptare Read More »

Opinioni i Komisionit të Venecias, Meta: “Zero” shqetësim, kam bërë mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “ka bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik”.

Në një intervistë televizive, Meta iu përgjigj pyetjes mbi opinionin e Komisionit të Venecias, që u publikua dje në medie.

Ai tha se “nuk ka asnjë shqetësim, shqetësimi është ‘zero’”. “Kur stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është, apo do të vijë siç qarkulloi me data të ndryshme, përsëri përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias”, tha ai.

Meta tha se “jemi të qartë për këtë çështje dhe lidhur me idenë e një drafti që ka rrjedhur është gjëja më e parëndësishme”.

“Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president, por edhe si institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore të Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventës Europiane të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”, tha Meta.

I pyetur nëse i trembet Venecias, Meta tha: “Si mund t’i trembet Venecias, Luani i Artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurt se Luani i Artë i Venecias për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik”.

Apeli im, tha Meta, “është që të gjithë të përqendrohen në zgjidhjen e krizës dhe të marrin shembull nga Presidenti në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj të cilat janë të shenjta për mua”. /atsh

Opinioni i Komisionit të Venecias, Meta: “Zero” shqetësim, kam bërë mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës Read More »

Alibeaj: Dy emërimet e reja në Policinë e Shtetit persona të inkriminuar

Partia Demokratike reagoi sot lidhur me dy emërimet e reja në postet e larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj reagoi për emërimin e drejtori i ri të Policisë së Lezhës Erigert Mitri dhe atij të Policisë Rrugore, Edmond Targaj.

“Partia Demokratike i ka denoncuar të dy këta drejtues të inkriminuar të policisë që në vitin 2016, por me mbrojtjen e duhur politike, ata jo vetëm nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por po riciklohen sërish dhe po ngjiten në karrierë si drejtues të policisë për t’i shërbyer pushtetit të korruptuar”, tha Alibeaj.

Sipas tij, “prioriteti i Edi Ramës është t’i japë krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës garanci dhe mbrojtje politike për t’u pasuruar së bashku dhe për të blerë zgjedhjet së bashku”.

“Zgjidhja e vetme për të cilën vendi ka nevojë është ndarja e politikës nga krimi, dekriminalizimi i Policisë së Shtetit dhe drejtimi i vendit nga një qeveri e pastër, që nuk i shërben krimit, por qytetarëve”, tha Alibeaj./atsh

Alibeaj: Dy emërimet e reja në Policinë e Shtetit persona të inkriminuar Read More »

“SOFAT Festival”, një përvojë interesante për të mos u humbur sot në Gjirokastër

Ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe do të vijojë dhe sonte “SOFAT Festival” në Gjirokastër ku banorë dhe vizitorë të shumtë kanë shijuar dhe do të shijojnë deri në mesnatë muzikë, filma dokumentarë dhe prodhime tipike të zonës.

Gjithashtu vizitorët do të kenë mundësi të flenë dhe ushqehen në shtëpitë e vetë banorëve të zonës e të ndajnë me ta përvoja e histori të ndryshme duke shijuar ushqimet tradicionale dhe duke përjetuar përgjatë këtyre dy ditëve bukurinë e jetës rurale.

Kryeministri Edi Rama përmes një videoje i ka bërë thirrje qytetarëve, që nuk e kanë shijuar natën e parë, të mos mungojnë sonte në “SOFAT Festival”, një përvojë që nuk duhet humbur.

“Për të mos u humbur sot në Gjirokastër”, shprehet Kryeministri Rama.

“SOFAT Festival” është një festival kushtuar pasurisë kulturore dhe sharmit të jetës rurale, një dimension njerëzor kompleks, të cilin tashmë po e rizbulojmë dhe rivlerësojmë vazhdimisht nëpërmjet peizazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës e ushqimit. /atsh

“SOFAT Festival”, një përvojë interesante për të mos u humbur sot në Gjirokastër Read More »

Trashëgimia kulturore e Prizrenit prezantohet në zemër të Korçës

Monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit u ekspozuan mbrëmjen e djeshme në Pazarin e Korçës

Ekspozita “Trashëgimia e Prizrenit në Korçë” u organizua në kuadër të ditëve europiane të trashëgimisë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Korçë.

Në zemër të Pazarit të Korçës, shembull i rijetëzimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore u prezantuan Kalaja e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shtëpitë tradicionale të shekullit XIX-XX e deri te krojet karakteristike të qytetit, etj.

Ky aktivitet u inspirua nga kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë më qëllim prezantimin e vlerave dhe sfidave të përbashkëta pasi qytetet e Korçës dhe Prizrenit i kanë dhënë kombit shqiptar data shume të rëndësishme historike, simbole të atdhedashurisë dhe qytetarisë dhe bashkëjetesës fetare.

Kjo ekspozitë është një ftesë për të njohur më tepër Prizrenin dhe trashëgiminë e tij kulturore dhe historike.

Ekspozita u çel edhe në në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturorë Kosovë-Shqipëri.

Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidhte me parë bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij qytetaro- tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit.

Ndër monumentet më të rëndësishme kulturoro -historike janë : Kompleksi i Shatirvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtës, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, ura e gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve të trashëguar ndër shekuj.

Qyteti i famshëm i zambakëve, qyteti i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu dhe i shumë njerëzve të shquar të artit ndër shekuj ka se çfarë të ofrojë nga krenaria e tij për ata mijëra e mijëra vizitorë të huaj dhe vendas./atsh

Trashëgimia kulturore e Prizrenit prezantohet në zemër të Korçës Read More »

“Zeje dhe Folk”, artizanët dhe grupet polifonike ‘pushtojnë’ Vlorën

” Zeje dhe Folk” titullohej aktiviteti që mblodhi mbrëmjen e djeshme në sheshin e ri përpara stadiumit “Flamurtari” në Vlorë grupet polifonike dhe artizanët e qytetit.

Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, në bashkëpunim me institucionet kulturore të bashkisë Vlorë, në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë dhe 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët e shoqatës ” ArtCraft” dhe grupet e këngës e valles polifonike si dhe asaj qytetare, ‘pushtuan’ sheshin me ngjyra, melodi e ritme vallesh tradicionale.

Në shesh u ekspozuan plot bukuri e hijeshi edhe punimet e mjeshtrave krijues në dru, gur, mozaikë, alabastër etj.

Specialisti i trashëgimisë në DRKK Vlorë, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “i veçantë dhe mjaft tërheqës është këndi i krijuar me sende e orendi nga Muzeu Etnografik i qytetit, sidomos mjedisi baritor e ai bujqësor në qasje e evokim nga një kohë e shkuar dhe që sot vjen si trashëgimi brezash”.

“Artizanët Axhi Daupi, Axhem Binaj, Avenir Troqe, Qazim Sulioti, Dushan Mëzuraj, Shpresa Dahri, Festim Zemani, Musa Feruni etj. për të parën herë shpalosën në një aktivitet të gjerë kulturor krijimtarinë e tyre artizanale”, thekson Gjokoli.

Këta artizanë pikërisht për këtë pjesëmarrje, por edhe për kontribut të çmuar e të vazhdueshëm në ruajtjen e traditës së mjeshtërisë, u vlerësuan nga DRKK, përmes drejtorit të institucionit Orgest Feimi dhe deputetes së Partisë Socilaiste, Vilma Bello, me Certifikatë mirënjohjeje.

“Zejtaria, punimet artizanale dhe folku janë tregues të identitetit tonë kombëtar e që, përmes aktiviteteve të tilla, trashëgohen ndër breza si vlera të veçanta e të përhershme”, tha Bello.

Ndërkohë grupet polifonike “Vatra Labe”, “Bilbili”, Vranishti, grupi i grave të Tërbaçit, Sazet e qytetit, Ansambli “Krahu i Shqiponjës Taip Madani”, i valleve të Pallatit të Kulturës etj e ndezën mbrëmjen me ngjyra e melodi të këngëve polifonike e valleve tradicionale e popullore.

Si për të treguar vazhdimësinë e traditës së këngës në breza, përpara shikuesve të shumtë që mbushën sheshin “Flamurtari” performuan polifoni edhe nxënësit e shkollave të mesme “Pavarësia” e ” Jani Minga”.

Aktiviteti kushtuar Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore është një model i organizimit, i pasionit dhe fuqisë së trashëgimisë kulturore shpirtërore./atsh

“Zeje dhe Folk”, artizanët dhe grupet polifonike ‘pushtojnë’ Vlorën Read More »

555 ndërhyrje kirurgjikale falas në 8 muaj

Plot 555 ndërhyrje kirurgjikale falas në zemër janë kryer në 8 muajt e parë të këtij viti.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka deklaruar se të gjitha operacionet janë mbuluar 100% nga shteti, pra falas për qytetarët, si në spitalet publike edhe në ato private, si pjesë e paketës së kardiokirurgjisë.

“100% financim nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ndërhyrjet kardiokirurgjikale. 555 ndërhyrje janë kryer gjatë Janar-Gusht 2019 në spitalet publike dhe private,” deklaroi FSDKSH. /atsh

555 ndërhyrje kirurgjikale falas në 8 muaj Read More »

Perimet më të mira për pastrimin e enëve të gjakut

Konsumi i rregullt i perimeve njihet si gur themeli i një regjimi të shëndetshëm ushqimor. Perimet janë të pasura me vitamina dhe minerale të cilat janë thelbësore për shëndetin.

Ato përmbajnë gjithashtu shumë antioksidantë, të cilët mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira. Një studim, konfirmon se konsumi i perimeve ka lidhje të fortë me shëndetin e enëve të gjakut në zonën e qafës.

Këto enë gjaku luajnë një rol thelbësor në furnizimin e trurit me gjak. Nëse këto enë ngushtohen dhe bllokohen, atëherë truri bëhet shënjestër më e lehtë e ishemisë.

Panxhari

Panxhari i kuq ka shumë vlera shëndetësore, duke qenë se është i pasur me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si karotenoidi, vitamina C, magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori, duke qenë në të njëjtën kohë dhe një burim i shkëlqyer me antioksidues. Ata kanë shumë pak kalori, nuk përmbajnë kolesterol.

Lakra

Lakra është një perime e shëndetshme për zemrën. Ajo është shumë e pasur me ushqyes të dobishëm për shëndetin e enëve të gjakut.

Lakra përmban shumë vitaminë C që lufton inflamacionin dhe përmirëson tretjen.

Përveç shëndetit të zemrës, lakra ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe të kolesterolit, dy faktorë kyç në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe ishemisë.

Lulelakra

Një racion me lulelakër ofron 12 për qind të dozës ditore të fibrës. Lulelakra është një burim i mirë i vitaminës C dhe K.

Vitamina K është e domosdoshme për një zemër të shëndetshme dhe kocka të forta. Folati dhe vitamina B6 që gjenden tek lulelakra janë gjithashtu të rëndësishme për një metabolizëm dhe gjak të shëndetshëm.

Brokoli

Një racion me brokoli ofron 20% e dozës së rekomanduar të fibrës dhe plotëson nevojat ditore për vitaminë C, K dhe A. Brokoli është i pasur me vitaminë B6, kalcium, hekur dhe vitaminë E.

Vitamina E luan një rol thelbësor për një lëkurë të shëndetshme, por ajo gjithashtu është e mirë dhe për zemrën, shikimin dhe trurin. /atsh

Perimet më të mira për pastrimin e enëve të gjakut Read More »