Irina

Parashikimi i motit

Vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti sot parashikohet me alternime vranësirash në pjesën e parë të ditës dhe më pas kthjellime në të gjithë territorin.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Veriperëndim e lehtë e përkohësisht mesatare në bregdet deri në 15 m/sek.

Valëzimi në dete i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 26/37 Re diell
Kukës 23/34 Re diell
Lezhë 28/37 Re diell
Dibër 20/32 Re diell
Durrës 25/36 Re diell
Tiranë 26/38 Re diell
Elbasan 24/37 Re diell
Berat 24/37 Re diell
Vlorë 26/35 Re diell
Korçë 17/28 Re diell
Gjirokastër 19/36 Re diell
Sarandë 23/36 Re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Rregulla të arta për ditët e nxehta

Të gjithë e dinë se në ditët e nxehta problemet shëndetësore të njerëzve shtohen. Kjo ndodh për shkak të pakujdesisë së tyre dhe kënaqësisë së ditëve me diell në plazh.

Për këtë arsye, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik japin disa këshilla dhe rekomandime që të gjithë njerëzit duhet t’i ndjekin me rigorozitet, sidomos kategori të caktuara.

Mos dilni gjatë orëve më të nxehta
Nuk duhet të dilni gjatë orëve të nxehta, që është nga ora 11 deri në 18. Ky orar nuk është i rekomanduar veçanërisht për fëmijët shumë të vegjël dhe të moshuarit. Nuk duhet të frekuentohen qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i ozonit rritet për shkak të makinave dhe industrisë. Gjatë valëve të nxehta, vlerat e këtij gazi ndotës shpesh tejkalohen dhe shkaktojnë dëme në shëndetin e popullatës, sidomos për njerëzit me sëmundje respiratore ose astmë.

Mos bëni sport gjatë orëve të nxehta
Ne duhet të shmangim aktivitetin fizik në ajër gjatë orëve më të nxehta të ditës, jo vetëm nga atletët amatorë, por edhe nga atletët profesionistë.

Kujdes ndaj veshjeve
Është e domosdoshme të vishen veshje të lehta dhe të rehatshme, si në shtëpi ashtu edhe jashtë: veshje prej pambuku ose prej liri.

Jashtë shtëpisë është gjithashtu e nevojshme të mbroni kokën nga rrezet e diellit duke mbajtur kapele syze dielli.

Mos harroni kremin mbrojtës
Është e rëndësishme të mbroni lëkurën nga djegia e diellit duke përdorur krem me një faktor të lartë mbrojtës.

Kurrë mos lini dikë në makinë, madje edhe për një kohë të shkurtër

Kurrë mos i lini fëmijët apo kafshët në makinë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, nëse makina është e parkuar në diell. Në qoftë se merrni një makinë që ka qenë e parkuar në diell, së pari, hapni dyert në mënyrë që të freskohet vendi, dhe pastaj filloni udhëtimin me dritare të hapura ose përdorni sistemin e kondicionimit të makinës për të ulur temperaturën e brendshme.

Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta

Në rrethana normale, sasia e ujit në trup kontrollohet nga etja dhe produkti urinar. Jeni të etur, pini ujë, shkoni në tualet, dhe cikli i ujit përsëritet sërish. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojnë të konsumoni më shumë ujë se zakonisht dhe mos prisni deri kur të keni etje. Sipas tyre, pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.

Ekspertët rekomandojmë që të pini ujë nga pak dhe shpesh, sepse kjo është mënyra më e mirë për të qëndruar të hidratuar

Freskoni shtëpinë
Tregoni kujdes ndaj ushqimit, mundohuni të hani ushqime të freskëta, të bëra në shtëpi dhe shmangni ushqimet e blera jashtë. Pini sa më shumë ujë dhe lëngje të freskëta, shmangni pijet alkoolike. Mos hani shumë, hani disa herë dhe në sasi të vogla./atsh

Rregulla të arta për ditët e nxehta Read More »

Sulmi mbi KZAZ-në/ Shfaqje e egër e dëshpërimit të Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës

“Sulmi mbi KZAZ-në e Vaut të Dejës është shfaqja e egër e dëshpërimit të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe Sali Berishës, nga fundi i sigurtë me turp ditën e dielë i aventurës së tyre antikombëtare, për të marrë peng zgjedhjet që të marrin peng Shqipërinë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke dënuar këtë ngjarje, Rama siguroi se “ndëshkimi do të jetë shembullor”.

Militantë të PD-së në Shkodër kanë protestuar këtë mbrëmje duke sulmuar KZAZ-në numër 6 e cila është vendosur në Bushat, në palestrën e shkollës së mesme profesionale “Ndre Mjeda”.

Sipas Policisë, gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta dhe për pasojë janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit Vau i Dejës, që ishin në shërbim./atsh

Sulmi mbi KZAZ-në/ Shfaqje e egër e dëshpërimit të Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës Read More »

Meta: 13 tetori, data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje

“Data 13 tetor 2019 e dekretuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve”, iu drejtua sot Presidenti Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama.

Në një shënim të hapur publik, Kreu i Shtetit u shpreh se kërkesa e tij për t’u takuar me Kryeministrin Rama, ishte pikërisht për të vendosur bashkë datën e re të zgjedhjeve vendore.

“Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë. Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit, ti iu përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës. Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë”, tha Meta.

Ai tha se “nuk mund ta linte Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohonte shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa”.

“Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ia ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi”, tha Meta.

Ai kujtoi se “në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor. Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin. Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta. Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë, sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu. Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot”, tha ai.

Natyrisht, vijoi Meta, “që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit”.

“Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje”, thotë në fund Presidenti. /atsh

Meta: 13 tetori, data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje Read More »

Te gropa që duan të fundosin Shqipërinë, do të bien vetë një nga një

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Fier, u shpreh se, opozita do rrëzohet vetë te gropa që ka hapur për të rrëzuar Shqipërinë.

“Lajmi i mirë është që filxhani plasi dhe ofensiva dështoi. Lajmi i mirë është që gropa që kanë bërë thuajse gati për të fundosur Shqipërinë, është gropa ku do të bien vetë një nga një”, – tha Rama.

“Ne ndahemi sa të doni tek shumë gjëra, që na bëjnë ne socialistë e ata demokratë. Por, ne nuk mund të ndahemi kurrë me shqiptarët dhe shqiptarët s’duhet të ndahen kurrë me ne për drejtësinë e drejtë”, – tha Rama.

“Unë e thashë se çmenduria e parë do pasonte të dytën. U bë 13 tetor. Thashë 21, po 21 del e hënë, ndërhyri dhe fallxhorja dhe u bë 13. Në fakt kjo është e dhimbshme, por me këta karagjozë ne duhet edhe të qeshim, sepse historia e këtij karagjozllëku do mbahet mend gjatë, ndërsa është vërtetë e dhimbshme, pasi përmes kësaj u bë nami këtu, se do plaste ’97-ta. Por kjo nuk lidhet me zgjedhjet. Zgjedhjet janë pengu, për të marrë peng Shqipërinë, për të mos lejuar Shqipërinë për të marrë negociatat me BE”, – tha Rama.

“Haxhiu i parë i kishte tmerr Perëndimorët, Haxhiu i dytë, ka tmerr OMN. Njësoj janë dhe në këtë pikë. Pse e gjitha kjo? Si ka mundësi që e gjithë kjo valë protestash u shoqërua me një furi balte mbi fytyrën e Shqipërisë jashtë kufijve?” – tha Rama.

“Si ka mundësi që këta gëzoheshin, kur fotografitë me molotovë, të atyre protestave të popullit imagjinar të bashkive, të një partie rrugëhumbur, me disa të rinj po rrugëhumbur, të paguar për t’i vënë zjarrin godinave, për të treguar se do bëhej nami, dilnin jashtë vendit. Jo për të më larguar mua, se e dinin mirë, si Saliu, si Meta, si fallxhorja, ashtu edhe Xhuljeta, se qeveria nuk ikën me protesta. Një qeveri e zgjedhur që ka shumicën në parlament, nuk hidhet me protesta. Le të marrin buldozer e të shkatërrojnë godinat, apo t’i hedhin në erë, nuk ikën qeveria”, – tha Rama.

“Ata s’e kanë me qeverinë dhe kokën time. Këto i përdorin për ata rrugëhumburit e tjerë që do sjellin në bulevard. Hajdeni sot se do e rrëzojmë, hajdeni të shtunën se do e rrëzojmë, dhe pasi këndohej himni, të nesërmen vijonte jeta normalisht. Këto thirrje u realizonin me tendencën për t’i thënë atyre jashtë, që duan të ulen për të hapur negociatat me ne, se si mund të uleni në tryezë me këtë vend që është rrëmujë, me narkoshtetin”.

“Miqtë tanë me të drejtë mund të dekurajohen me skena të tilla, ku askund në historinë e demokracive europiane, si askund dhe në Ballkan, ikën opozita nga parlamenti dhe marrin molotovin, çmenden komplet. Ato që kanë pikëpamje tjetër për Europën fërkojnë duart nga këto skena”, – tha Rama.

“Këta karagjozë janë të gatshëm të provojnë gjithë marrëzitë e tyre dhe po i bëjnë Shqipërisë atë që armiqtë tanë nuk ia kanë bërë. Pse e kanë tmerr momentin e uljes në tryezë e BE? Sepse ulja është njësoj sikur të dërgosh fjalë për të kërkuar dorën për martesë, dhe ajo familja e madhe thotë hajde na provoni se jeni të besueshëm për t’u bërë pjesë e jona, na tregoni se jeni besnikë ndaj vlerave dhe parimeve tona. Na tregoni se jeni si ne, që kjo ka sukses për të dyja palët. Dhe këtu është lepuri që fle, ose më saktë rri zgjuar në barkun e katër aventurierëve”, – nënvizoi Rama.

“Ato s’të thonë më bëj Vetingun, por thonë më provo, ti Shqipëria, se ti ke një sistem drejtësie që sado i gjatë apo i shkurtër të jesh, nëse ke probleme për t’iu përgjigjur drejtësisë, duhet të dalësh përpara drejtësisë. Sado i fortë të jesh, nuk i shmangesh dot drejtësisë qoftë president, kryeministër, ish-president, ish-kryeministër apo ish-ministër qofsh. Nëse Shqipëria e provon këtë, atëherë është e gatshme për hapin e radhës”, – tha Rama.

“Pra, rritet presioni ndaj sistemit të drejtësisë dhe ja kjo është pika që lidh Partinë Socialiste me interesat e mëdha të vendit dhe këtë e kam me demokratët. Cila parti nuk është lëkundur në asnjë hap për Reformën në Drejtësi? Kërkoni sa të doni, por vetëm Partia Socialiste do t’ju dalë”, – tha Rama.

“Një demokrati që në mëngjes hap dyqanin, sipërmarrjen, punon arën, pyetja që i bëj unë është, ti je njeri i zakonshëm që shikon se si partia jote është armikja e Reformës në Drejtësi, PD që lindi si shpresa jote e madhe, që i fale zemrën e mendjen, mbështetjen e votat, është katandisur sot, si grupet komuniste që nuk e kishin marrë vesh se kishte rënë regjimi dhe i dilnin në shtigje dallgës popullore, sepse janë kundër teje, janë kundër që këtu të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë”, – tha Rama.

“Sot kjo PD, që merr peng njerëzit e zakonshëm, duke futur ankthin e sëkëlldinë, i godet drejtpërdrejtë pjesën më të rëndësishme ekonomike të vitit, kjo opozitë arrin në pikën që të pretendojë që zgjedhjet nuk u bëkan në momentin që kush hidhet përpjetë dhe çmendet kërkon të mos bëhen zgjedhjet. Që po ta pranonim këtë, s’do kishim zgjedhje kurrë”, – tha Rama.

“Kjo është fatura që ne duhet të përballojmë, kjo është dhimbja që duhet të kapërcejmë, se kemi marrë përsipër të tronditim themelet e një sistemi, pasi kemi marrë përsipër të bëjmë një shtet për të gjithë. Prandaj është e rëndësishme që më 30 qershor edhe pse nuk e do Subashin dhe s’ke kë të votosh, pasi nuk ta sollën Dacin, ti duhet të shkosh të votosh e t’i vësh vizën Armandos (Subashit), ama, konfirmo që Shqipëria është e jotja, nuk është e katër aventurierëve, që janë tallur me ty duke thënë Rama ik ik ik, se unë do iki në Vlorë”, – tha Rama.

Në fund, Rama tha se opozita që bërtet ka frikë dhe do tretet nga frika që ka. “Ata bërtasin shumë, kërcënojnë shumë. Janë të parët në histori që vinin në parlament, jo për të folur, po për të gjuajtur, të parët në histori që kur futeshin në parlament udhëheqjen e kishin ato pa tru, por që tregonin krahët”.

“E kthyen Kuvendin në një mejhane që gjuanin vezë, shishe uji, merr letrat e hidhi përpjetë e vër ulërimën. E mbani mend kush ishte? Fallxhorja, që del e ngre sytë nga Zoti. O Zot, shpëtoi shqiptarët nga shitblerja e votës. O vdeksha unë për ty, sikur Zoti të merrej me fushatë elektorale, Zoti do ta fuste në shtëpi të mos shikonte asnjë zgjedhës. Ata kanë frikë, kanë shumë frikë. E keni parë filmin “Beni ecën vetë”, që Beni vogël flet me zë të lartë, jo për të trembur ujkun, por për të trembur frikën e vet. Nga frika e tyre do treten”, – përfundoi Rama. /atsh

Te gropa që duan të fundosin Shqipërinë, do të bien vetë një nga një Read More »

Lleshaj: Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, ligji do të veprojë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi ndaj ngjarjes në Bushat të Shkodrës, ku sipas tij, ka pasur sërish një bombë molotov në drejtim të një shkolle. Lleshaj tha se ligji duhet të veprojë.

“Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë!” – thekson Lleshaj.

Mbështetës të PD-së në Vaun e Dejës mbrëmjen e sotme pasi u mblodhën për të protestuar para ambienteve ku është vendosur KZAZ-ja nr. 6 në një shkollë profesionale i kanë vendosur zjarrin. /atsh

Lleshaj: Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, ligji do të veprojë Read More »

Metën kur e kap paniku, vetëm Doktorin mendon

Kryeministri Edi Rama u kujtoi qytetarëve në Vorë se e kishte parashikuar caktimin e një date të re zgjedhjesh nga Meta, për në datën 21 tetor, gjatë takimit në Vorë, pasditen e sotme.

“Dy shpjegime kam unë ose 21 i binte e hënë, ose fallxhorja e ka lexuar 2-in si dy ditë para ditëlindjes së Doktorit, se ka thënë 2 është dy ditë para ditëlindjes së njëshit, se Iliri njësh e ka Doktorin, po e kapi paniku vetëm Doktorin mendon. Në politikë është pacient i Doktorit”, – tha Rama.

”Zgjedhjet bëhen më 30 qershor dhe data e re është muhabet filxhani”, – tha Rama.

“Kur e parashikova te filxhani imagjinar datën 21, ishte akoma situata e tensionuar shumë për njerëzit, se unë e kam ditur si shkon kjo punë, se e kam thënë që jam tre lëvizje para. Mund t’ju them se data e re doli se nuk e ndalën dot, nuk e bllokuan dot, nuk e vranë dot 30 qershorin. E kuptuan shumë mirë që 30 qershorin e humbën dhe nuk mund të bëjnë dot asgjë nga ato që kanë menduar e imagjinuar, se mund të bënin”, – tha Rama. /atsh

Metën kur e kap paniku, vetëm Doktorin mendon Read More »

Lajmi i mirë i datës së re të Metës, më 30 qershor votimet do të jenë në qetësi

Kryeministri Edi Rama tha pasditen e sotme nga takimi elektoral në Vorë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit se me dekretimin nga ana e Presidentit të një date të re zgjedhjesh, ka edhe një lajm të mirë.

“E kuptuan që kjo lojë mbaroi. Lajmi i mirë i datës së re është vetëm një, që më 30 qershor votimet do jenë qetësi.

Mund të ketë ndonjë budalla këtu e atje që akoma s’e ka marrë vesh që kjo punë ka mbaruar dhe që data e re është muhabet filxhani, por të gjithë ata që e kanë kuptuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve e dinë që 30 qershori është shuplakë historike ndaj gjithë karnavaleve të shtabit të revolucionit të mbledhur atje në Presidencë.

Të dalin të gjithë, socialistë e demokratë, e sidomos demokratët e t’i japin një mesazh Lulit që kështu nuk shtyhet dhe t’i japin mundësi PD të rilindë, ose të mbajnë Lulin dhe me rrenat e Lulit të jetojnë çdo ditë”, – tha Rama. /atsh

Lajmi i mirë i datës së re të Metës, më 30 qershor votimet do të jenë në qetësi Read More »