Irina

Haradinaj: Qeveria nuk merr vendime derisa të shprehet Kushtetuesja

-Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse Qeveria mund të marrë vendime pas dorëheqjes së tij.

“Për takime të qeverisë dhe për marrje të vendimeve nuk do të marrim vendime si qeveri, ndërsa ministrat detyrat rutinë që i kanë i vazhdojnë”, tha ai.

Ai tha se është kryeministër në dorëheqje.

“Unë jam kryeministër në dorëheqje. E vetmja gjë në dorëheqje kam treguar se nuk do të lejoj vakuum në qeveri. Jam një ish-kryeministër dhe sikur të mos kishte qenë kështu ndryshe do të kishte qenë rutina”, tha ai.

Sipas tij, presidenti e ka të lehtë të shpallë zgjedhjet pasi të gjitha partitë janë deklaruar se duan zgjedhje.

“Nëse ka bërë përgatitje paraprake, nuk kam arsye ta paragjykoj. Mendon se presidenti e ka të lehtë punën, çdo parti ka thënë se duam zgjedhje. Kur të gjithë e nënshkruajmë deklaratën për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai.

Ai dha edhe detaje nga intervistimi që i është bërë nga Gjykata Speciale.

“Dje jam kthyer, kam qenë në Hagë, intervista ka qenë procedurë ligjore, nuk kam pasur ndonjë temë të caktuar. Nuk është bërë e ditur se kanë pushuar hetimet, nuk do të më ftojnë më. Vazhdoj të punoj në Kosovë pa ndryshim të temave, por unë nuk e shoh zgjidhjen e marrëveshjes me Serbinë me hapjen e territoreve. Kosova nuk e përballon një Dodik Republikë, taksa mbetet deri në njohje”, tha ai. /KosovaPress

Haradinaj: Qeveria nuk merr vendime derisa të shprehet Kushtetuesja Read More »

Vlorë/ 18% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë

“Numri i turistëve është rritur me 18% në krahasim me një vit më parë”, tha për ATSH, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.

Ai shtoi se java e fundit e korrikut ka pasur një fluks të lartë të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj në qarkun e Vlorës.

Po ashtu, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, thekson se numri i turistëve është rritur në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Për fluksin e turistëve mund të them me bindje të plotë që duke filluar dhe nga java e fundit por dhe duke parë shifrat është me intensitet të lartë rreth deri në 18% rritje në të gjithë qarkun, duke e krahasuar me vitin 2018”, tha ai.

Në fund, Mamaj shtoi se fluksi pritet të rritet gjatë muajt gusht, ndërsa janë marrë masa për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së pushuesve. /atsh

Vlorë/ 18% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë Read More »

Siguria ushqimore/ Kontrolle në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, gjobiten 3 subjekte me 4.1 milion lekë, bllokohen 7.661 ton produkte

AKU gjobit me 4.1 milion lekë, bllokon 7.661 ton produkte të pasigurta dhe mbyll 3 subjektet në Shkodër, Tiranë dhe Vlorë, operonin në mungesë të licencimit, kushteve higjeno-sanitare dhe tregtonin produkte të skaduara.

Siguria ushqimore është sfida jonë e përbashkët, shprehet AKU, ndërsa ka vijuar aksionin në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë ushqimore për qytetarët.

Drejtoritë Rajonale të AKU, qarku qarku Shkodër, Tiranë dhe Vlorë ushtruan kontrolle në 3 subjektet, me aktivitet “Magazina ushqimore dhe Sallameri”, “Furrë buke” dhe “Market”, nga ku u konstatua: ushtrim aktiviteti i palicencuar, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), etiketim i parregullt, mungesë e kushteve higjeno-sanitare dhe produkte me afat përdorimi të kaluar.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative si në vijim: 9 masa administrative “Gjobë” me vlerë totale 4.100,000 lekë për 3 subjektet; “Bllokim produkti” me destinacion asgjësimin për 7.661 ton produkte të pasigurta të konstatuara në 2 subjekte; si dhe “Bllokim aktiviteti” për 3 subjektet. /atsh

Siguria ushqimore/ Kontrolle në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, gjobiten 3 subjekte me 4.1 milion lekë, bllokohen 7.661 ton produkte Read More »

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga sot, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave.

Nga ana tjetër, Kolegji Zgjedhor Zgjedhjeve ka nisur punën duke bërë shpërndarjen e këshilltarëve për bashkitë e vendit.

Vendimi u shpall nga kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Klement Zguri. Tabela përmbledhëse përfshin rezultatin e votimit për kandidatët për kryetar bashkie që janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore përkatëse, numrin e votave të fituar nga çdo subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e votave të fituar në çdo subjekt zgjedhor për Këshillat Bashkiak.

“Me katër vota pro një kundër miratohet, vendimi hyn në fuqi”, theksoi Zguri.

Duke argumentur votën e tij kundër, Zguri tha se KQZ ka pasur një performancë të dobët dhe nuk mund të japë një notë kaluese. “Kjo performancë nuk duhet të kthehet në standard në të ardhmen dhe një nga arsyet e votës kundër është pikërisht kjo”, tha Zguri.

“Është qartësisht e dukshme, unë nuk bie dakord me shumicën dhe u kërkoj të reflektojnë”, tha ai./atsh

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit Read More »

Meta dekreton 3 ligje, kthen ndryshimet në ligjin për “Planifikimin e territorit”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e 3 ligjeve të miratuara nga Kuvendi, ndërsa ktheu për rishqyrtim ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”.

Presidenti dekretoi shpalljen e ligjit nr. 46/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar” dhe shpalljen e ligjit nr. 49/2019 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt Am Main (KfW), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”.

Po ashtu, Kreu i Shtetit dekretoi edhe shpalljen e ligjit nr. 56/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”.

Ndërkohë ai ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 42/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji.

Në arsyetimin e tij, Meta shprehet se këto ndryshime nuk janë konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit.

Sipas tij, “neni 8 i ligjit i paraqitur për shpallje, është jo i plotë dhe i paqartë në formulim”.

“Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra. Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik”, tha Meta.

Sipas tij, “kjo mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi”.

Po ashtu Presidenti shprehet se “çdo ndërhyrje në ligj nuk duhet të krijojë asnjë hapësirë për keqintepretim, gjë e cila mund të sjellë në praktikë keqpërdorim të fondeve publike e rrjedhimisht dhe cenim të interesit publik”./atsh

Meta dekreton 3 ligje, kthen ndryshimet në ligjin për “Planifikimin e territorit” Read More »

Ndriçim Xhepa: Teatri Kombëtar duhet shembur, vlerat e traditës të ruhen me fanatizëm në arkivat e godinës së re

Aktori i njohur i skenës shqiptare, Ndriçim Xhepa pranon se Teatri Kombëtar duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re.

Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e Ndriçim Xhepës, i cili konstaton problemet që ndesh prej shumë vitesh në institucionin ku punon prej 37 vitesh.

“Duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh”, u shpreh Xhepa.

Ndriçim Xhepa, tha Rama, “ka bërë histori me peshë të posaçme në skenën e Teatrit Kombëtar”.

“Ai është ngjitur me mijëra e mijëra herë në atë skenë dhe ka të drejtën e një nostalgjie mijëra e mijëra herë më të fortë, se sa disa figura që rolin e tyre më të spikatur në karrierën teatrale, kanë atë të protestuesit për mbrojtjen e një Turpi Kombëtar, siç është sot gërmadha që gabimisht quhet akoma teatër kombëtar”, tha Rama.

Kryeministri kujton se “edhe Ndriçim Xhepa është një demokrat i orëve të para, të cilin s’e ka lidhur kurrë asgjë me Partinë Socialiste, pavarësisht se si qytetar i nderuar që është në radhë të parë, ai s’ka bërtitur apo sharë ndonjëherë në publik, siç bëjnë demokratikasit e dalluar shqiptarë”.

“Ja çfarë mendon aktori ynë i madh, për çështjen e teatrit dhe ja se sa thjeshtësisht bukur, e sheh ai edhe ruajtjen e historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune”, tha Rama./atsh

Ndriçim Xhepa: Teatri Kombëtar duhet shembur, vlerat e traditës të ruhen me fanatizëm në arkivat e godinës së re Read More »

Ristani: E vetmja rrugë për PD-në, ta mundë Ramën me zgjedhje, jo me llafe

Ish-sekretari i Përgjithshëm demokrat, Arben Ristani tha sot se Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm.

Ristani reagoi sot ndaj sulmeve të analistëve pranë opozitës në media, që i cilësojnë kritikat e tij si “goditje” ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Zgjedhjet u mbajtën – edhe përkundër përbetimeve të disa personave publikë, analistëve proopozitarë, njërit prej të cilëve jam i detyruar t’i përgjigjem sot me këtë shkrim. Besoj ju kujtohet solemniteti i atyre që përbetoheshin se nuk do lejonin zgjedhje më 30 qershor – solemnitet që mbante nënshkrimin viral #metoo”, tha Ristani.

Sipas tij, jo vetëm që zgjedhjet u mbajtën, “por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër”.

“Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje – dhe jo në llafe – Ramën dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas këshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë”, theksoi Ristani.

“Ideja se ne duhet të flisnim kur ishte koha për të folur, ndaj tani duhet të heshtim përgjithmonë, më shtyn të mendoj se, sipas kësaj aksiome Gjekmarkiane, njeriu politik është i destinuar të jetojë paradoksin e mërzitshëm në të cilin, nëse flet jashtë llafollogjisë së miratuar nga lidershipi, je i dënuar të quhesh automatikisht ose i shitur, ose i hatërmbetur. Nga ana tjetër, nëse njeriu politik i mbështet dhe miraton tezat e lidershipit, me shpresë dhe besim në vërtetësinë e tyre, ai duhet të heshtë përgjithmonë, pasi duhet të kishte folur kundra tyre më parë”, tha Ristani.

“Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grushtbashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”, përfundoi ai. /atsh

Ristani: E vetmja rrugë për PD-në, ta mundë Ramën me zgjedhje, jo me llafe Read More »

Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Lartë, KPA: Xhezair Zaganjori nuk justifikon pasurinë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Komisioneri Publik kishte ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit trupi gjykues i të cilit kishte konfirmuar në detyrë kreun e Gjykatës së Lartë.

Sipas Komisionierit Publik, Zaganjori nuk justifikon deklaratat e pasurisë së tij.

Në vendimin e publikuar gjatë seancës së sotme ku Zaganjori nuk ishte i pranishëm, KPA theksoi se kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mbulon pasurinë me burime të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë.

Trupi gjykues theksoi se “Zaganjori ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani për periudhën 2010 dhe 2019, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i saktë në deklarimin e shpenzimeve të kryera dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar likuiditetet e përdorura për shpenzimet e kryera”.

“Trupi gjykues shqyrtoi çështjen në tërësi. Bazuar në aktet e administruara dhe provat e paraqitura, arriti në konkluzionin se duhet ndryshuar vendimi i KPK dhe vendos shkarkimin nga detyra të Xhezair Zaganjorit”, deklaroi sot trupi gjykues i KPA duke ndryshuar vendimin e KPK-së./atsh

Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Lartë, KPA: Xhezair Zaganjori nuk justifikon pasurinë Read More »