Irina

Basha: Të ndërtohet Teatër në Bulevardin e ri të Tiranës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka risjellë në vëmendje deklaratën e tij të një viti më parë mbi debatin e prishjes së Teatrit Kombëtar.

Sipas Bashës, nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një teatri të ri, por për aferë korruptive sipas tij, mes Ramës e Veliajt.

“Më poshtë deklarata ime një vit më parë me 28 korrik 2018:”Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë. Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës, por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës”, -thuhet ndër të tjera në deklaratën e kryetarit të PD-së./atsh

Basha: Të ndërtohet Teatër në Bulevardin e ri të Tiranës Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se dita sot parashikohet me mot të kthjellët e me vranësira kalimtare, kryesisht përgjatë relieveve malore.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me drejtim Veriperëndim-Jugperëndim 1-8 m/sek.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/35 Diell
Kukës 18/34 Diell re
Lezhë 19/35 Diell
Dibër 17/31 Diell re
Durrës 22/34 Diell
Tiranë 22/35 Diell
Elbasan 21/36 Diell
Berat 16/36 Diell
Vlorë 20/34 Diell
Korçë 16/31 Diell re
Gjirokastër 17/36 Diell re
Sarandë 20/33 Diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, atraksioni më i ri turistik në Pogradec

Parku Ujor Drilon-Tushemisht është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit piktoresk të Pogradecit.

Studioja portugeze e arkitekturës së peizazhit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve (AADF) prezantuan ditët e fundit në Pogradec, projektin e Parkut Ujor Drilon-Tushemisht.

Prezantimi u bë në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Bashkia Pogradec.

Projekti synon ta transformojë zonën në një destinacion të pakrahasueshëm ekoturistik, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara.

Në takim u parashtruan sfidat që dalin përpara në realizimin e këtij projekti. Tushemishti është përfshirë në programin e “100 fshatrave” dhe shihet me përparësi planifikimi i investimeve në infrastrukturë, të cilat do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë. /atsh

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, atraksioni më i ri turistik në Pogradec Read More »

Operacioni kundër informalitetit, vijojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje se vazhdojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës. Operacioni kundër informalitetit ka nisur kontrollet edhe në sektorin e naftës, duke evidentuar si rastet e evazionit, ashtu edhe ato të cenimit të standardeve të cilësisë.

“Stop informalitetit. Vijojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës në pika shpërndarjeje pa faturim të ligjshëm për konsumatorin”, tha Rama.

Ai theksoi se ka zero tolerancë ndaj shkelësve. /atsh

Operacioni kundër informalitetit, vijojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës Read More »

Basha në Përmet: Përgjegjësit e 30 qershorit para drejtësisë

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë një takimi të shtunën me strukturat e Partisë Demokratike në Përmet, tha se “farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional për të pushtuar pushtetin vendor, për të shkatërruar KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, përfshi Kolegjin Zgjedhor”.

“Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si Denarbibat që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin më 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”, – u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha se detyra kryesore e Partisë Demokratike është t’i përgjigjet mesazhit të 30 Qershorit, refuzimit të Edi Ramës, sipas tij, nga 85 për qind e shqiptarëve dhe thirrjes së tyre për ndryshim. /atsh

Basha në Përmet: Përgjegjësit e 30 qershorit para drejtësisë Read More »

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal sot te zhvillimi i sektorit të turizmit gjatë dy viteve të fundit, ndërsa deklaroi se “vetëm këtë vit në territorin shqiptar janë hapur 227 hotele të reja, kryesisht në zonën bregdetare”.

Kjo, sipas tij, ka rritur kapacitetin akomodues, por kemi akoma nevojë për struktura hoteliere në nivele cilësore.

Në një intervistë për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ministri Klosi foli mbi progresin e dukshëm në sektorin e turizmit me investimet në strukturat e reja akomoduese dhe numrin e shtuar të turistëve.

Ai u ndal te bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për 1 paketë gjithëvjetore në turizëm, duke shfrytëzuar resurset tona nga dimri në verë, nga mali në det, nga qendrat historike në monumentet e natyrës, për të rritur numrin e turistëve në të dyja anët e kufirit.

“Detet Adriatik e Jon janë të përbashkëta, ne duhet ta pranojmë gjithnjë e më shumë këtë fakt. Pushuesit kosovar janë ata të cilët kanë krijuar destinacion, kanë ndihmuar që të zhvillohet zona e hotelerisë në Golem dhe tani po zhvillohet shumë hoteleria në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, por edhe në zonën e jugut”, tha Klosi.

Në vitin 2018, sipas ministrit, “1/3 e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri kanë qenë ata me pasaportë kosovare”. “2 milionë kosovarë kanë hyrë në kufirin shqiptar vitin e kaluar dhe kjo është një rritje me rreth 27% më shumë se një vit më parë. Edhe këtë vit përsëri i kanë qëndruar besnik plazheve shqiptare dhe vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e këtij biznesin në Shqipëri”, tha Klosi.

Shqipëria dhe Kosova së bashku, sipas tij, “kanë shumë mundësi për të ofruar më tepër në turizëm”.

Sezonin e ardhshëm, sipas ministrit “do të ketë vëmendje të shtuar e më shumë bashkërendim për festivalet muzikore të rinisë e të shumë aktiviteteve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

“Një falënderim të veçantë për medien që na mbështet duke e bërë më të frytshme aleancën tonë të përbashkët për promovimin e turizmit shqiptar”, tha Klosi. /atsh

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja Read More »

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës

Gjirokastra vijon të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj. Rrugët gjarpërushe janë të mbushura me vizitorë të huaj, disa nga Gjermania, disa nga Holanda, Franca, por ka edhe nga Brazili i largët, të cilët kanë ardhur në vendin tonë për të shijuar pamjen magjepse, kulinarinë dhe kulturën e një vendi që në çdo cep fsheh një histori.

“Jam nga Gjermania. Ne planifikojmë të qëndrojmë dy a tre javë. Fillimisht do të qëndrojmë këtu në Gjirokastër, ndërsa nesër do të shkojmë në Himarë. Gjithashtu duam të vizitojmë edhe Durrësin. Këtu na pëlqen shumë ushqimi”, thotë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare një nga vizitorët

“Ne vijmë nga Holanda. Ne do të qëndrojmë në Shqipëri 14 ditë, ndërsa këtu në Gjirokastër do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Qyteti i Gjirokastrës është i bukur. Në fillim kemi vizituar Tiranën, pastaj vizituam Liqenin e Komanit, ku morëm tragetin për të shkuar në Valbonë”, bën me dije një tjetër vizitor.

“Na pëlqen natyra dhe historia e këtij vendi. Ne vizituam kështjellën, që ishte gjigante dhe shumë objekte këtu janë ruajtur shumë mirë. Po kështu, edhe ushqimi na pëlqen shumë, përfshi kuzhinën tradicionale vendase, sikurse edhe gatime të kuzhinave të huaja, që shërbehen këtu. Për të qenë të sinqertë, tha ai, ne nuk e prisnim këtë mikpritje në Shqipëri. Ky vend tregoi se është tepër mikpritës ndaj nesh si turistë, kështu që kjo është vërtet shumë gjë e bukur. Për Shqipërinë kemi mësuar nga librat”, tha turisti tjetër i intervistuar nga ATSH. “Unë kam blerë edhe nja dy libra kushtuar Shqipërisë”, shtoi ai.

“Kemi mësuar rreth Shqipërisë duke lexuar në internet dhe ishte një dëshirë, veçanërisht e imja për të ardhur në këtë vend. Në internet ofrohet një informacion i gjerë rreth Shqipërisë”, tha turistja.

“Padyshim që ne do të flasim shumë me miqtë tanë në Holandë lidhur me Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur dhe ka aq shumë gjëra të bukura për t’u treguar vizitorëve”, tha ai.

“Ne vizituam edhe Muzeun Kombëtar në Tiranë, ku ishin ekspozuar disa piktura të socializmit, të epokës së kaluar”, theksoi ai.

“Unë vij nga Holanda. Jam këtu prej një jave. Kemi qenë në Ksamil, ndërsa tani po vizitojmë Gjirokastrën. Më pas do të vizitojmë Durrësin dhe Tiranën. Gjirokastra është një qytet shumë i bukur. Po ashtu, edhe Ksamili ishte një plazh shumë i mrekullueshëm, qytet i këndshëm dhe shtëpi të bukura. Edhe ushqimi më pëlqen shumë. Ecja në fakt këtu është paksa e vështirë, pasi kalldrëmet janë shumë të pjerrët. Kam mësuar rreth Shqipërisë kryesisht përmes internetit”, tha një turist tjetër i intervistuar nga ATSH.

“Unë vij nga Anglia, Jorkshire. Këtu jemi me pushime. Do qëndrojmë shtatë ditë. Sot jemi në Gjirokastër dhe dje ishim në Sarandë. Sapo kemi arritur këtu në Gjirokastër. Çdo gjë duket shumë mirë. Duket vend i mirë për të ardhur”, tha turistja.

“Ne jemi nga Gjermania, Mynihu. Do të kalojmë një javë në Shqipëri. Do të udhëtojmë me autobus. Kemi parë Beratin. Tani jemi në Gjirokastër. Do të shkojmë në Pogradec. Do të shohim edhe Syrin e Kaltër. Po, Shqipëria na pëlqen shumë. Vajza ime kaloi katër muaj në Shqipëri dhe ajo me këshilloi të vija. Po, dhe ushqimi tradicional na pëlqeu shumë”, tha një turiste.

“Jam nga Holanda. Këtu erdhëm të dielën. Sot është e premte. Pra, pesë ditë deri tani. Nuk e kemi mbaruar vizitën akoma. Por, na ka pëlqyer mikpritje, miqësia e njerëzve, natyra, klima. Gjërat këtu duken shumë origjinale. Ushqimi është shumë i mirë. Kemi provuar glikonë. Kemi ngrënë patëllxhanë. Dhe kemi pirë raki. Por mua më pëlqen vera. Kështjella ishte goxha e madhe dhe e bukur. Nuk e prisnim të ishte kaq e madhe. Ne kemi mësuar për Shqipërinë nga interneti. Dhe nga një guidë në Holandë. Kemi parë Tiranën, Pogradecin, Përmetin, Korçën dhe tani jemi këtu. Çmimet janë të të lira, shumë më të lira se në Holandë”, tha turistja për ATSH.

“Ne jemi nga Brazili. Nuk kemi pasur informacion për Shqipërinë. Ishim në Korfuz. Thamë, le të shkojmë në një vend tjetër për të cilin nuk dimë gjë, ata na thanë se Shqipëria është më afër të gjithave. Dhe erdhëm këtu. Na pëlqeu vërtet shumë. Kemi qenë në Sarandë. Sot është dita e parë që erdhëm këtu në Gjirokastër për ta eksploruar. Na pëlqeu shumë. Peshku në Sarandë ishte shumë i mirë. Rakia, po ashtu ishte shumë e mirë. Natyrisht do t’i tregojmë dhe miqve. Njerëzit janë të lumtur dhe mikpritës dhe të butë”, thanë disa brazilianë për ATSH.

“Unë jam nga Franca dhe jam këtu prej gjashtë ditësh. Ne sapo erdhëm nga Korça do të rrimë këtu sot dhe nesër do të shkojmë në Rivierë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, janë shumë origjinalë dhe natyra është e mrekullueshme. Edhe ushqimi është shumë i mirë. Çmimet janë sigurisht më të lira se në Europë apo se në Francë, po po janë të lira. Deri tani përvoja më e mirë janë njerëzit, shumë mikpritës dhe shumë të këndshëm”, tha turisti nga Franca për ATSH-në. /atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2363107230628232/?t=0

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës Read More »

Wired: Bunkerët e Shqipërisë dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin

Më shumë se 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Europës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28 748 kilometrash katrore, shkruan Laura Mallonee, e revistës së njohur amerikane ”Wired”, e përmuajshme që fokusohet në faktin se si teknologjia ndikon në kulturë, ekonomi dhe politikë.

”Bunkerët u ndërtuan nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili sundoi për 40 vjet pas Luftës II Botërore duke besuar se armiqtë mund ta sulmonin nga çasti në çast. Kjo në fakt nuk ndodhi kurrë. Më vonë, krejt pa zhurmë, qytetarët i përdorën vendstrehimet e luftës për të tjera qëllime si për të strehuar bagëtitë, akomoduar turistët ekskursionistë apo për të shitur ushqime të shijshme.

Fotografi britanik Robert Hackman ka fiksuar imazhe të 250 prej tyre gjatë udhëtimeve të tij anembanë Shqipërisë në dekadën e fundit. Ato shfaqen në librin e titulluar “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë të Epokës Komuniste”, një botim për të cilin ai shprehet se është “një dëshmi e triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.

“Dëshira ishte që ta regjistroja këtë kapitull kalimtar të historisë shqiptare”, shprehet ai, “dhe për të bërë të njohur jo vetëm bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre në sytë e një audience më të gjerë”.

Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë dollarëshe e nxitur nga izolimi ekstrem i vendit. Hoxha, vartësit e të cilit e quanin “forca e vetme”, mori kontrollin e vendit në vitin 1944, duke ndërtuar një formë fanatike të komunizmit, që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër. Në vitin 1968, ai doli nga Traktati i Varshavës, që ishte një kundërpërgjigje e Moskës ndaj NATO-s, ndërsa ftohu dhe tendosi marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik, ish-Jugosllavinë dhe Kinën. Pa asnjë vend aleat, ai u mbyll në bunkerë. Gjatë gjithë periudhës mes viteve 1970-’80-të, fabrikat prodhuan blloqe dhe kupola betoni të përforcuara me çelik për vendstrehime, madhësia e të cilëve varionte nga një vendrojë për një ushtarë të vetëm në fortesa nëntokësore pesëkatëshe. Punëtorët përdorën traktorë dhe vinça për t’i ndërtuar bunkerët në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit dhe qindra prej tyre humbën jetën në punë.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga qebaptore në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

“E dija se ishte temë e pazakontë dhe do të ishte një projekt i veçantë fotografik,” shprehet ai.

Por ishte viti 2008 kur ai nisi ta merrte seriozisht fotografimin e tyre. Pas fluturoi nga Londra drejt Tiranës, ai do të kalonte më shumë se dy javë duke udhëtuar anembanë vendit në kërkim të gjurmëve të kupolave prej betoni. Vendasit ishin në përgjithësi të lumtur që ai i fotografonte këto struktura, edhe pse nganjëherë vetëm pasi kishin kaluar së bashku një ditë duke pirë raki, një pije shumë e fortë alkoolike. “Kur ngrihesha të fotografoja rreth mbrëmjes, mezi rrija në këmbë,” rrëfen Hackman.

Ndërkohë që vazhdonte projektin e tij, Hackman vuri re se bunkerët po zhdukeshin në masë. Çmimet e metaleve për skrap ishin rritur me shpejtësi, shprehet ai, dhe shqiptarët e varfër përdornin lëndë shpërthyese dhe makineri industriale për shkatërrimin e bunkerëve. Ndonëse që atëherë qeveria i ka marrë nën mbrojtje, pasi ende i konsideron pronë publike, bunkerët vazhduan të shkatërroheshin. “Besoj se popullata vendase ka humbur mundësinë për të qenë mbrojtëse e kujtimit të atyre që kanë vuajtur nën regjimin e Enver Hoxhës, duke i mohuar vetes në të njëjtën kohë një burim të madh të ardhurash nga turizmi,” shprehet Hackman.

Sa u takon shqiptarëve, ata kanë opinione të ndryshme: disa janë të lumtur që shohin shkatërrimin e tyre, ndërsa të tjerë janë të një mendjeje me Hackman dhe kërkojnë ruajtjen e tyre. Në vitin 2012, studentët e universitetit ”Polis” në Tiranë ndërmorën projektin “Bunker me Mëngjes” (Bed and Bunker), një përpjekje për t’u shndërruar bunkerët në hotele me mëngjes për turistët. Projekti “Kërpudhat prej Betoni” krijoi gjithashtu hap pas hapi një manual lidhur me transformimin dhe ripërdorimin e bunkerëve. Në periudhën mes viteve 2014 dhe 2016, dy bunkerë të mëdhenj të nëndheshëm u shndërruan në muze, njëri prej të cilëve u dëmtua gjatë ndërtimit nga një grup protestuesish, që e shikonin muzeun si glorifikim të së kaluarës.

Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”, përfundon Mallonee për revistën amerikane ”Wired”./atsh

Wired: Bunkerët e Shqipërisë dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin Read More »