Irina

Halloween, festa e “ringjalljes së shpirtrave” festohet dhe në Tiranë

Kunguj të mëdhenj bosh, por të ndriçuar nga brenda, skeletë të çuditshëm, figura hije, kostume të shumëllojshme, këto gjëra na vijnë në mendje për festën e Halloween.

E kjo atmosferë ndihet edhe në rrugët e kryeqytetit duke u kthyer edhe në një garë se kush veshë kostumin më të frikshëm.

Kjo festë e ka prejardhjen në kremtimin e ndërrimit të viteve të kalendarit të keltëve, natën midis 31 tetorit dhe 1 nëntorit. 600 vjet para Krishtit populli kelt mirëpriste në këtë mënyrë muajt e errët të dimrit duke u ndarë në të njëjtën kohë nga periudha e lulëzuar e verës.

Halloween ka marrë një dimension argëtues dhe thuajse kulturor edhe në vendin tonë, ku njerëzit organizohen dhe duke veshur kostume të frikshme, maska, apo duke pikturuar fytyrat për të ngjarë sa më të vdekur, ekspozohen rrugëve e festojnë deri në orët e vona festën e “frikshme”.

Druidët (lloj besimi) ja përkushtonin këtë natë Zotit të tyre të vdekjes, Samhain. Gojëdhëna thotë se ai i mblodhi shpirtrat e të vdekurve të 12 muajve të vitit të shkuar, pasi ata i kishin larë mëkatet e tyre dhe i dërgoi në parajsën e keltëve.
Njerëzit mblidheshin në kodrat mbi tokat e tyre dhe duke ndezur zjarre të mëdhenj, përzenin shpirtrat e këqinj të vitit që shkoi. Më pas, shuanin përkohësisht zjarrin në shtëpitë e tyre dhe pak më vonë e ndiznin përsëri.

Kështu emri Halloween i ka rrënjët në Europë. Kisha ua mori keltëve këtë zakon gjatë përhapjes së Krishtërimit. Ishte At Gjergji IV, i cili në vitin 837 e ringjalli 1 Nëntorin duke e quajtur Dita e të gjithë Shpirtrave.

Për të mos shtrembëruar besimin tek Samhai, kjo ditë është menduar të jetë edhe dita e të vdekurve. Vetëm në shek. XIX Halloween arriti të kalojë Atlantikun për në Amerikën Veriore së bashku me pasardhësit e keltëve, irlandezët, të cilët shtegtuan atje për shkak të kushteve të këqija të jetesës. Atje, ky zakon u përhap shpejt në të gjithë vendin, por gjatë përhapjes pësoi edhe ndryshime të dukshme. Kështu tashmë Halloween më tepër përngjan me karnevalet sesa me zakonet e mëhershme.

Shenja dalluese e Halloween-it është kungulli, e cila e ka prejardhjen nga SHBA. Por ama arsyeja e përdorimit të kungullit me vrima me pamje të jashtme të frikshme dhe njëkohësisht të bukur rrjedh gjithashtu nga koha e keltëve.

Një njeri me emrin Jack O’Lanten duhej të shkonte në ferr pas vdekjes së tij. Por Djalli e ktheu mbrapsht duke i dhënë një copë qymyri (thëngjill) që digjej që ta kishte gjatë gjithë rrugës.

Jack-u e vendosi qymyrin në një rrepë të madhe dhe u nis drejt drejt një udhëtimi të pafund meqë nuk e lejuan të futej në asnjë mbretëri të vdekurish. Për njerëzit ishte më se e qartë që rrepa me qymyrin u shtinte tmerrin para së gjithash shpirtrave të këqinj. Meqenëse amerikanët përdorën kungullin në vend të rrepës, ai mbeti shenja dalluese e Halloween./atsh

Halloween, festa e “ringjalljes së shpirtrave” festohet dhe në Tiranë Read More »

Sipërmarrjet italiane gjithnjë e më shumë të orientuara drejt Shqipërisë

Kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, kryesisht ato italiane, prej vitesh po zhvendosin sipërmarrjen e tyre në Shqipëri.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj sjell shembullin e Innovaway, që sipas saj, është një prej shumë kompanive italiane që ka investuar në Shqipëri.

E themeluar në vitin 2015, sot ka të punësuar 80 persona, ndërsa parashikon që deri në fund të këtij vitit ky numër të arrijë në 100.

“Jemi këtu për sistemin fiskal shumë më favorizues se sa në Itali. Në 2015 ne ishim vetëm 25 punonjës. Kompanitë serioze duhet të investojnë këtu sepse sistemi fiskal është shumë i mirë. Të kursesh do të thotë të fitosh në fund të vitit”, – thotë Matilda Merxhani, Drejtore e përgjithshme e kompanisë.

Kjo sipërmarrje ofron zgjidhje të personalizuara me teknologji të përparuar që përdoren nga më shumë se 150 klientë, të cilët i përkasin sektorit privat dhe atij shtetëror.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ofron mbështetje për çdo investitor të huaj ku pjesë e kësaj mbështetje ishte dhe Innovaway. “Kemi përfituar shërbimin “After care dhe shërbimi më i rëndësishëm që kemi pasur ka qenë takimet e shpeshta që kemi bërë me disa universitete, si publike ashtu dhe private për punonjësit që na duhen”, – thotë Merxhani.

Shërbimi “After Care” i AIDA-s do të vazhdojë të mbështesë me asistencë, çdo investitor të huaj, në çdo hap të rritjes së tij./atsh

Sipërmarrjet italiane gjithnjë e më shumë të orientuara drejt Shqipërisë Read More »

Për herë të parë në QSUT, realizohet me sukses rikonstruksioni i gjirit tek një 37 vjeçare e diagnostikuar me kancer

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është realizuar për herë të parë një tjetër operacion i suksesshëm tek një 37 vjeçare e diagnostikuar me kancer gjiri.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bën të ditur se “ekipi i mjekëve të spitalit Onkologjik në QSUT , drejtuar nga Prof. Ass. Helidon Nina, mbështetur nga mjekët italianë, kanë realizuar me sukses rikonstruksionin e gjirit përmes teknikave më inovatore që përdoren sot në botë”.

Ministrja thekson se për realizimin e këtij operacioni u aplikua teknika e protezës prepektorale dhe linfonoduli sentinel në axille me lëndë radioaktive tek 37 vjeçarja e diagnostikuar me kancer gjiri. /atsh

Për herë të parë në QSUT, realizohet me sukses rikonstruksioni i gjirit tek një 37 vjeçare e diagnostikuar me kancer Read More »

Në 2020, Shqipëria kryen censin e 12-të në historinë e saj

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka planifikuar të kryejë censin e ardhshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2020.

Censi do të ofrojë informacion mbi popullsinë rezidente në Shqipëri dhe karakteristikat e tyre gjeografike, demografike, ekonomike, arsimore, mbi migracionin, banesat dhe karakteristikat e banesave.

Shqipëria gjatë historisë së saj ka kryer gjithsej 11 cense, ku pas viteve ’90 janë zhvilluar vetëm 2 , në vitin 2001 dhe në vitin 2011.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të luajë një rol vendimtar në përditësimin e informacionit statistikor të nevojshëm në nivel lokal dhe rajonal dhe në kuptimin dhe paraqitjen e ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri.

Censi është thelbësor për hartimin e politikave të bazuara në dëshmi dhe përcaktimin e qëllimeve socio-ekonomike dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, si dhe për një sistem statistikor të qëndrueshëm dhe efikas, bazuar në një kombinim të të dhënave administrative dhe të anketës.

Prej 21 tetorit, INSTAT do të nisë aktivitetin pilot të Censit të Popullsisë dhe Banesave, i cili po zhvillohet në terren për 6 javë në 10 zona të caktuara për pilotin./atsh

Në 2020, Shqipëria kryen censin e 12-të në historinë e saj Read More »

Shqipëria ndahet në 7 basene ujore, caktohen kufijtë territorialë e hidrografikë

Këshilli i Ministrave përcaktoi sot kufijtë territorialë e hidrografikë të baseneve ujore në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrës së përbërjes së Këshillit të secilit prej tyre.

Sipas këtij vendimi, territori i Shqipërisë, në funksion të menaxhimit të burimeve ujore, ndahet në shtatë basene ujore: baseni ujor Drin-Bunë, me qendër në Shkodër; baseni ujor Mat, me qendër në Lezhë; baseni ujor Ishëm, me qendër në Durrës; baseni ujor Erzen, me qendër në Tiranë; baseni ujor Shkumbin, me qendër në Elbasan; baseni ujor Seman, me qendër në Fier; baseni ujor Vjosë, me qendër në Vlorë.

Në çdo basen ujor funksionon Këshilli i Basenit Ujor (KBU), me kryetar prefektin e qarkut.

Duke përcaktuar përbërjen e këtyre këshillave, qeveria vendosi që anëtarët e KBU-së shpërblehen sipas legjislacionit në fuqi për shpërblimin e anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore, por jo më shumë se gjashtë pagesa në vit./atsh

Shqipëria ndahet në 7 basene ujore, caktohen kufijtë territorialë e hidrografikë Read More »

Rita Ora dhe Dua Lipa, pjesë e listës së më të pasurve në Britani

Revista e njohur britanike “Heat” ka publikuar listën e personazheve të famshëm më të pasur nën moshën 30 vjeçare në Britaninë e madhe. Në krye të kësaj liste qëndron Ed Sheeran, i cili është cilësuar si i famshmi më i pasur në Mbretërinë e Bashkuar nën moshën 30 vjeç, me një pasuri të vlerësuar prej 170 milionë funtesh.

Në vend të dytë renditet Daniel Radcliffe, me një pasuri prej 90 milion funtesh, ndërsa Harry Styles, 25 vjeç, është i treti me afër 64 milion funte. Pjesë e listës janë edhe dy këngëtaret me origjinë shqiptare, Rita Ora dhe Dua Lipa.

Rita Ora është renditur e 13-ta me një pasuri prej 17.8 milion funtash, ndërsa Dua Lipa zë vendin e 15 me 11.8 milionë funte. Kujtojmë se vitin e kaluar këtë listë e kryesonte Adele, por tani ajo është 31 vjeçe dhe froni nuk i përket më asaj./atsh

Rita Ora dhe Dua Lipa, pjesë e listës së më të pasurve në Britani Read More »

Këshilla si të luftoni alergjinë në stinën e vjeshtës

Stina e vjeshta erdhi duke shënjuar nisjen e një stine të mundimshme alergjish. Tështimat janë vetëm një prej simptomave të alergjive të vjeshtës.

Bllokimet dhe rrjedhjet e hundëve, skuqjet dhe kruarjet e syve janë simptoma të tjera po aq të vështira të këtyre alergjive.

Vjeshta është një stinë shumë e vështirë për njerëzit që kanë ndjeshmëri të lartë ndaj mykut dhe polenit të bimëve. Për më tepër, shiu është gjithashtu një nxitës i alergjive sepse shpërndan më shumë polenin dhe mykun.

E keqja e alergjive të vjeshtës është se ato nisin shumë herët dhe zgjasin më gjatë.

Disa këshilla praktike se si të përballoni stinën e vjeshtës dhe alergjitë.

Kujdesuni për stomakun
Në përballjen me alergjitë është shumë e rëndësishme që njeriu të kujdeset për florën bakteriale në stomak.

Njerëzit që vuajnë nga alergjitë e vjeshtës duhet të marrin çdo ditë probiotikë që të garantojnë mbrojtjen e organizmit.

Kujdes me ushqimet
Ushqimet e përpunuara, të modifikuara gjenetikisht, sheqeri, bulmeti, gluteni, alkoli përmbajnë substanca irrituese për organizmin. Këto substanca përkeqësojnë simptomat e alergjisë.

Në Tetor duhet të shmangni bananet, shalqinin, pjeprin, kastravecin, domatet dhe kungujt e njomë që mund të preken nga disa lloje barishtesh të cilat shkaktojnë alergji.

Gjithashtu kujdes duhet të tregoni me çajin kamomil dhe të rubinit të kuq për të njëjtat arsye si më lart.

Ushqehuni me perime ngjyra
Në këtë stinë duhet të merrni me shumë vitaminë A, C dhe antioksidantë që luftojnë inflamacionin.

Konsumoni më shumë brokoli, barishte të egra, karrota, selino, kungull të verdhë, qepë dhe hudhër.

Higjena
Përpara se të bini për të fjetur, mirë është të bëni dush që të largoni sa më shumë elementë alergjikë nga trupi dhe flokët.

Ndërroni rrobat dhe çarçafët më shpesh dhe sidomos këllëfët e jastëkëve me të cilët goja dhe hunda janë më shumë në kontakt.

Për frymëmarrjen
Përdorni solucione me kripë për pastrimin e hundëve.

Bëni avull për të zhbllokuar rrugët e frymëmarrjes dhe përmirësuar imunitetin./atsh

Këshilla si të luftoni alergjinë në stinën e vjeshtës Read More »

Gripi, ekspertët e ISHP-së këshillojnë kujdes ndaj gripit

Të gjithë në stinën e dimrit ndjejmë simptomat e gripit. Dhimbjet e grykëve që në mëngjes, më pas kolla apo temperatura tregojnë që tashmë jeni sëmurë dhe fatkeqësisht nuk ka një zgjidhje të shpejtë për këtë.

Por, çfarë na rekomandojnë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik të dimë rreth gripit?

Ekspertë këshillojnë për kujdes, pasi sipas tyre “Ju mund t’ia transmetoni virusin të tjerëve dhe pa pasur shenja. Pra, edhe kur mendoni se jeni të shëndetshëm, ju mund të rrezikoni jetën e një personi tjetër”.

Nëse ndiqni këto hapa që kemi listuar për ju, do ta kaloni më lehtë gripin këtë dimër.

Merreni me sportivitet
Kur jeni sëmurë trupi juaj ka nevojë për më shumë energji se zakonisht që të luftojë bakteret, kështu që gjëja e duhur që duhet të bëni është të merrni disa ditë pushim dhe të qetësoheni.

Qëndroni në shtrat

Të qëndroni në shtrat sigurisht ndihmon, por të qëndroni zgjuar deri në orë të vona jo. Mungesa e gjumit e bën sistemin tuaj imunitar të dobët dhe rekuperimi është më i vështirë. Nëse simptomat e gripit ju mbajnë zgjuar, provoni të flini me 2 jastëkë pasi kjo ju ndihmon të merrni frymë më lehtësisht.

Përdorni sa më shumë lëngje

Lëngjet ju ndihmojnë me forcimin e muskujve, ndalojnë dhimbjen e kokës si dhe ju hidratojnë. Mbani gjithmonë një gotë në dorën tuaj jo vetëm me lëngje por dhe me ujë. Mundohuni të mbani larg kafeinën, alkoolin, apo sodat pasi dehidratojnë organizmin tuaj.

Pini gjëra të nxehta

Çajrat janë gjithmonë një zgjedhje e mirë kur vjen puna për të mundur simptomat e gripit. Provoni të pini çajra herbalë, ujë të ngrohtë ose ujë të ngrohtë me limon.

Përdorni një lugë mjaltë

Mjalti do ju ndihmojë shumë me dhimbjet e fytit dhe me heqjen e kollës. Studimet kanë treguar se fëmijët që hëngrën një lugë mjaltë para kohës së gjumit, bënë një gjumë më të rehatshëm dhe pa kollitje, ndryshe nga ato që përdorën ilaçe. Por kini kujdes, mos e përdorni këtë me fëmijët nën moshën 1 vjeçare.

Bëni një dush të nxehtë

Frymëmarrja në avull bën që të keni një frymëmarrje më të lirshme. Edhe pse nuk jemi shumë të sigurtë nëse kjo metodë funksionon ose jo, nuk humbni asgjë nëse e provoni. Nxehtësia gjithashtu ju ndihmon në relaksimin e çdo muskuli të dobët.

Përdorni ilaçe

Nëse metodat e mësipërme ju duken të çuditshme dhe nuk keni shumë besim që funksionojnë, sigurisht mund t’i ktheheni ilaçeve. Ndoshta mund të gjeni një lehtësi nëpërmjet medikamenteve, por gjithmonë mbani në mendje diçka, mos merrni asnjë ilaç pa rekomandimin e mjekut, pa parë etiketat dhe pa kontrolluar përbërjen. Gjithashtu ilaçet tuaja mbajini larg fëmijëve.

Hani supë pule

Studimet tregojnë se supa e pulës ndihmon në qetësimin e inflamacionit në trupin tuaj. Përveç se lufton simptomat e gripit, supa ka kaloritë dhe energjinë e nevojshme për mundjen e gripit./atsh

Gripi, ekspertët e ISHP-së këshillojnë kujdes ndaj gripit Read More »