Irina

Xhafaj: Gati t’i japim një vlerë të re Gjykatës Kushtetueses, shpresoj që Presidenti e Kuvendi të përmbushin në kohë përgjegjësitë

Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, deklaroi se “besoj fort se nëse tre kandidaturat për anëtare të Gjykatës Kushtetuese do të përzgjidhen, do t’i japin një vlerë të re atij institucioni në shumë këndvështrime”.

Gjatë një interviste, Xhafaj duke folur për seancën dëgjimore të tre kandidateve për anëtare të Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Ligjeve tha se “tre kandidatët që u dëgjuan, bënë një prezantim të shkëlqyer dhe me një maturi për t’u vlerësuar, duke u përballur në disa raste edhe me pyetje të pa matura nga individë që në mungesë të njohjes së çështjes, kishin sjellë në Komisionin e Ligjeve thashetheme gazetash. Personalisht më lanë një ndjesi shumë të mirë jetëshkrimet e secilit kandidat. Ishin jo thjesht të plota në çdo detaj, por edhe ndër më të mirat që kemi shqyrtuar në komision”.

“Kur shoh se çfarë përfaqësojnë ato tre zonja për integritetin, aftësitë profesionale dhe përvojën që gëzojnë në fushën ku duhet të shërbejnë, duke marrë në konsideratë edhe moshën relativisht të re, mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Nëse do t’i krahasojmë CV-të e tyre me ato të ndonjë prej ish-anëtarëve të Kushtetueses, mund të themi me bindje se në këtë rast ja ka vlejtur plotësisht reforma që kemi implementuar. Besoj fort se nëse ato do të përzgjidhen, do t’i japin një vlerë të re atij institucioni në shumë këndvështrime”-, nënvizoi Xhafaj.

Xhafaj tha se “është spekuluar se dy nga kandidatet e miratuara nga KED nuk kanë kaluar vlerësimin elektronik me metodën “Scan Tron” për hyrjen në Shkollën e Magjistraturës. Nuk besoj se ka ndonjë dilemë për të kuptuar që ky është një trill i qëllimshëm për të cenuar procesin”.

Ai ritheksoi se emrat që u prezantuan në komision janë, ndër më të mirët nga cilësitë profesionale dhe integriteti, mes të gjithë kandidatëve të përzgjedhur nga KED.

“Këtë konstatim e kam ndeshur lehtësisht këto ditë edhe në vlerësimet e shumë profesionistëve të fushës”-, shtoi ai.

I pyetur se në relacionin e prezantuar në komision lidhur me kandidatët si dhe dekretin e Presidentit Ilir Meta nuk del e qartë kohëzgjatja e mandatit për secilin prej vakancave, Xhafaj sqaroi se “Kushtetuta flet qartë për këtë rast. Konkretisht Neni 179 por edhe vetë ligji për Gjykatën Kushtetuese, janë mëse të kuptueshëm në sanksionimin e konceptit kushtetues që lidhet me rotacionin e domosdoshëm një herë në tre vjet që kryhet për rifreskimin e një të tretës së trupës së GJ.K. Në këtë kuptim, Kushtetuta ka qenë e detyruar të parashikojë mandate të plota ashtu si edhe mandate të kufizuara ndër vite, në funksion të domosdoshmërisë së kryerjes së rotacionit në trupën e Gjykatës Kushtetuese”.

“Kjo është një kërkesë e kushtetutës dhe e ligjit, ndaj do duhej të jepej e qartë në vendimin e KED, për të vijuar me vendimmarrjen e Presidentit, të Kuvendit dhe më pas të Gjykatës së Lartë, duke specifikuar se cilin vend vakant plotëson çdo anëtar i ri, gjithashtu kohën përkatëse të qëndrimit në këtë detyrë. Nëse kjo nuk bëhet në këtë moment të emërimit, atëherë do të krijonte vështirësi në një moment të dytë siç edhe ka ndodhur në raste të mëparshme. Ndaj duhet reflektuar seriozisht në këtë moment nga organet e emërtesës”-, tha Xhafaj.

Lidhur me pyetjen se Kushtetuta parashikon një afat 30 ditor për reagimin e institucioneve të emërtesës, Xhafaj sqaroi se “sërish kjo është shumë e qartë. Neni 125/2 i Kushtetutës dhe neni 7/b dhe 7/c i ligjit të Gjykatës Kushtetuese nuk lenë asnjë hapësirë për interpretim të ndryshëm”.

“Presidenti dhe Kuvendi kanë një afat 30 ditor për t’u shprehur. Nëse nuk shprehen brenda këtij afati, Kushtetuta dhe ligji e kanë dhënë edhe zgjidhjen. Automatikisht këto organe humbasin të drejtën e emërimit të kandidatit përkatës dhe fitues shpallet kandidati i renditur i pari në listën e KED. Në rastin konkret, KED më 8 tetor i ka drejtuar presidentit të Republikës dy lista me kandidatë për dy vendet vakante që janë për t’u plotësuar prej tij. Më 16 tetor, presidenti ka dekretuar Besnik Muçi si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, ende nuk është shprehur për kandidatin e radhës të listës tjetër. Gjithsesi, presidenti ka afat deri më datë 7 nëntor. Nëse nuk shprehet deri atëherë, ai humbet të drejtën e tij dhe kandidati i renditur i pari në listën e miratuar nga KED, më 8 nëntor automatikisht konsiderohet i emëruar anëtar i Kushtetueses”-, theksoi Xhafaj.

Ndërsa pyetjes se kreu i shtetit do t’i kthejë listën e dytë KED-së duke i kërkuar rivendosjen në afat për shkak se duhet të shprehet fillimisht Kuvendi, Xhafaj tha se “e kam ndjekur këtë informacion në medie dhe uroj të mos jetë i vërtetë pasi presidenti do të shkelte hapur nenin 124 të Kushtetutës dhe ligjin përkatës të Gjykatës Kushtetuese (nenin 7b, pika 4) në të cilën shprehet qartë detyrimi i organit për t’u shprehur brenda një afati 30 ditor”.

“Ky detyrim mbizotëron mbi çdo interpretim tjetër. Parashikimi i radhës së ndjekjes në Kushtetutë për secilin organ, fillimisht ka si qëllim përcaktimin e vendit vakant që do të zëvendësohet prej tij, me qëllim ruajtjen në vijimësi të radhës së emërimeve për realizimin e rotacionit të rregullt. Përderisa është përcaktuar qartazi në Kushtetutë, specifikisht vendi vakant që do të zëvendësohet nga ana e secilit organ, e rëndësishme mbetet përmbushja e vullnetit respektivisht prej tyre brenda afatit 30 ditor”-, shtoi Xhafaj.

Lidhur me pyetjen nëse mund të kemi një konflikt të ri President – Kuvend, Xhafaj u shpreh se “uroj që të mos ndodh pasi do të ishte e pakuptimtë. Në vlerësimin tim Kushtetuta është e qartë dhe nuk ka vend për interpretime të ndryshme. Shpresoj që të sillen në mënyrë të përgjegjshme me Kushtetutën dhe ligjin. Ndryshe, nuk kanë qëllim krijimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese, por pengimin e saj. Gjithsesi, në këtë rast KED ka përgjegjësinë dhe mundësinë të reagojë në kohë për të zbatuar pa hezitim Kushtetutën e ligjin në fuqi”./atsh

Xhafaj: Gati t’i japim një vlerë të re Gjykatës Kushtetueses, shpresoj që Presidenti e Kuvendi të përmbushin në kohë përgjegjësitë Read More »

Vlerat kuruese e qetësuese të hideve, frutit të vogël e të mirë të vjeshtës

Hidet janë të parat që piqen e u japin tregjeve të frutave e perimeve ngjyrën tipike të kafes së kuqërremtë, të vjeshtës.

Në fillim janë të vogla ndërsa aktualisht, kokrra është pjekur e zmadhuar mjaftueshëm, aq sa mund të konsiderohen një frut i vërtetë e jo një kalim kohe prej të cilit ngelet më shumë bërthamë. Hidet hahen kryesisht të freskëta por edhe mund të gatuhen.

Origjina e tyre është e lashtë sa legjendat…Thuhet se vijën prej Kinës dhe prej atëherë, prej më shumë se 4 mijë vjetësh, kultivohen në të gjithë botën, duke ngjyrosur vjeshtën bashkë me gjethet. Mirëpo, hidet nuk janë vetëm poetike e lajmëtare…Së pari janë kuruese dhe të dobishme për shëndetin! Përpara se të kalojmë në vlerat e tyre reale, ju kujtojmë që zona të ndryshme të Shqipërisë kanë emra të ndryshëm për hidet. Në pjesën jugore të vendit i quajnë xinxife ndërsa një pejsë e veriut i quan kimça.

Klima mesdhetare e Shqipërisë është e favorshme për kultivimin e këtij fruti, i cili ka potencialin për të qenë një biznes fitimprurës në sektorin bujqësor. Rëndësia e madhe e përdorimit të hideve, së paku për sa kanë kohën, është përmbajtja e magnezit, potasit, kalciumit, manganezit, fosforit dhe hekurit.
Ato përmbajnë 20 herë më shumë vitaminë C se çdo agrume. Forcojnë sistemin imunitar dhe luftojnë infeksionet duke u përdorur si ilaç mjekësor për mijëra vjet në shumë kultura në botë në formën e çajit për shembull, për të qetësuar fytin.

Ekstraktet e hideve janë përdorur edhe në produktet e kujdesit të lëkurës për të zvogëluar rrudhat, hidratimin e lëkurës së thatë, dhe për të trajtuar dhimbjet e djegies nga dielli. Shkencëtarët kanë identifikuar tetë flavanole tek fruti i hides, të cilat kanë aftësi qetësuese.

Farat janë përdorur për të trajtuar pagjumësinë në mjekësinë tradicionale kineze. Xinxife, hide apo kimça, e rëndësishme është të përfitoni nga koha e tyre jo dhe aq e gjatë për t’I ngrënë!/LIVING

Vlerat kuruese e qetësuese të hideve, frutit të vogël e të mirë të vjeshtës Read More »

Tavë peshku me perime

Përbërësit

1 peshk

1 kokërr qepë e thatë mesatare

thelpinj hudhër sa të dëshironi

1 kg patate

10-12 kokrra domate

2 karota mesatare

7-8 speca

piper

kripe

vaj ulliri

1 kokërr limon për në fund kur ta servirni

Përgatitja:

I presim zarzavatet në copa të vogla. I shtrojmë në tavë dhe i marinojmë me kripë, piper dhe më pas vendosim peshkun sipër. E kriposim, i hedhim vaj edhe i mbushim tavën me zarzavatet. Më pas e mbulojmë me letër alumini dhe e lemë rreth gjysmë ore për t’u marinuar. E fusim në furrë dhe e pjekim në temperaturën 200 gradë Celsius deri sa të bëhet (kjo varet nga furra juaj për kohën që do ta lini).

Mbasi e kemi nxjerrë nga furra e spërkasim me lëngun e limonit dhe e servirim.

Tavë peshku me perime Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, sot vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira deri të dendura dhe intervale të shkurtra me diell
në qendër të territorit.
Reshjet e shiut, parashikohen të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më
të madhe të territorit. Në zonën veriperëndimore dhe atë jugperëndimore të vendit,
reshjet parashikohen të vazhdueshme, me intensitet mesatar dhe hera herës të lartë,
në formën e shtrëngatave me rrufe të përkohshme.
Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Jugperëndim dhe shpejtësi 5-12 m/sek. Alpet,
bregdeti dhe verilindja e vendit, do të përfshihen nga stuhi ere me rrahje. Për
pasojë, parashikohet shtim i dallgëzimit në dete me forcën 5 dhe 6 ballë. /atsh

Parashikimi i motit Read More »

Supë krem perime,një vakt i lehtë dhe i shëndetshëm, për drekë apo për darkë

Ideale për ta shoqëruar me një copë bukë të thekur ose një pjatë sallatë. Një vakt i lehtë dhe i shëndetshëm, për drekë apo për darkë.

Përbërësit:
1 gotë qepë (të copëtuara)
1 patate
2 gota lëng pule
1 ½ gotë perime (karotë, brokoli, spinaq, bizele)
3 lugë gjelle gjalpë
½ gotë krem pana
Kripë
Piper i zi

Përgatitja:
Shtoni gjalpin në një tenxhere dhe vendoseni në zjarr në temperaturë mesatare. Pasi të shkrijë shtoni në të qepën dhe gatuajeni derisa të zbutet.
Shtoni më pas patatet e prera sëbashku me perimet e tjera dhe gatuajini për rreth 5 minuta. Hidhni 1 gotë lëng pule, pak kripë dhe piper të zi dhe lërini të ziejnë deri sa përimet të zbuten.
Më pas tranferojini në një blender që të përftoni një masë kremoze. Rikthejini në zjarr dhe shtoni lëngun e mbetur sëbashku me kremin pana.
Lërini të ziejnë edhe për rreth 5 minuta dhe largojeni supën nga zjarri.

Supë krem perime,një vakt i lehtë dhe i shëndetshëm, për drekë apo për darkë Read More »

Shqipëria vendi emocionues për t’u vizituar

Shqipëria është një vend i bukur që gjithmonë e më shumë po bëhet i njohur nga turistët. Plazhe të bukura, male të larta dhe qytete intriguese e bëjnë atë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar, sipas blogut të personalizuar thetravellingtom.com.

”Shqipëria njihet më pak në mbarë botën dhe kjo mungesë njohjeje e bën atë një vend emocionues për ta vizituar. Duke pasur këto gjëra në mendje, me siguri po pyesni veten se kur është periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë. Si pasojë e mungesës së informacioneve mbi Shqipërinë, kjo gjë është e vështirë të dihet. Megjithatë, klima është e ngjashme me atë të shumë vendeve europiane dhe mungesa e turizmit në masë, e bëjnë atë një vend të qetë.

Ky artikull do t’ju sigurojë detaje mbi faktorë të ndryshëm që përcaktojnë periudhën më të mirë për të vizituar Shqipërinë. Përgjigjet janë subjektive, por mund të shërbejnë si udhëzim dhe jo si deklaratë se kur duhet ose nuk duhet ta vizitoni.

Klima në Shqipëri

Klima në Shqipëri është e ndryshueshme, gjë që shkaktohet nga ndryshimet në gjerësi, gjatësi dhe lartësi gjeografike. Shpesh moti mund të jetë i ndryshëm në brendësi të territorit dhe në bregdet.

Vendi ka klimë kryesisht mesdhetare dhe kontinentale, me katër stinë të dallueshme. Megjithatë, ekziston njëfarë dallimi midis zonave bregdetare dhe atyre të brendshme.
Zonat bregdetare kanë klimë mesdhetare, ndërsa zonat në brendësi të territorit dhe ato malore kanë klimë kontinentale me temperatura më të ftohta. Kjo e bën Shqipërinë të ketë verë të ngrohtë e të thatë dhe dimër të butë e të lagësht, që ngjason me vendet e tjera me klimë mesdhetare.

Pranvera

Nëse dëshironi mot të mirë, por jo shumë të nxehtë, muajt nga marsi në maj janë më të përshtatshmit për të vizituar Shqipërinë. Gjatë kësaj pjese të vitit, i ftohti i dimrit është larguar, ndërsa nxehtësia e verës ende nuk ka mbërritur.

Moti në zonat bregdetare është i këndshëm, duke e bërë kështu një periudhë ideale për të vizituar rivierën e mrekullueshme shqiptare, ndërkohë që moti në zonat e brendshme të territorit është i kënaqshëm por jo aq i ngrohtë.

Një vend i mirë për t’u vizituar gjatë kësaj periudhe është qyteti bregdetar i Sarandës. Moti dhe vendndodhja fantastike e bëjnë këtë qytet ideal për një pushim në bregdet.
Duke qenë se në këtë periudhë të vitit nuk ka shumë turistë, do të gjeni plazhe me shumë pak njerëz. Këto muaj mund të jenë më të përshtatshmit për të vizituar Shqipërinë. Do të gjeni mot të këndshëm, pak turistë dhe çmime të lira.

Vera

Vera është periudha më e mirë e vitit për të vizituar Shqipërinë nëse dëshironi mot të nxehtë. Pjesa më e madhe e vendit ngrohet nga rrezet e diellit nga muaji qershor në gusht. Është periudhë e shkëlqyer të vizitoni rivierën shqiptare dhe qytete bregdetare si Saranda.
Megjithatë, mund të bëjë shumë nxehtë. Unë vizitova Shqipërinë gjatë muajit korrik dhe temperaturat ishin shumë të larta. Disa ditë ishte aq nxehtë sa duhej të qëndroja brenda nga ora 11:00 deri në 17:00 sepse ishte shumë shqetësuese të ecje në atë nxehtësi.
Vera është stina kryesore e turizmit në Shqipëri. Rreth 90% e turistëve e vizitojnë atë në muajt e verës. Do të vini re se vendet në këtë periudhë të vitit janë më të populluara sesa muajt e tjerë.
Kjo gjë sjell rritjen e çmimeve të hoteleve, restoranteve, kafeneve, shumica e të cilave hapen vetëm gjatë sezonit të verës. Shpesh në zonat bregdetare ndodh kështu.

Megjithatë ka dhe lajm të mirë. Sezoni i turizmit në Shqipëri nuk është aq i populluar sa pjesa tjetër e Europës. Do të mundeni të lëvizni me lehtësi dhe nuk do përballeni më turma njerëzish në vende si, Barcelona.

Vjeshta

Vjeshta është një nga periudhat më të bukura për të vizituar Shqipërinë. Temperaturat janë më të freskëta sesa gjatë verës, por ende të ngrohta për të shijuar peizazhin e bukur që ofron vendi. Me kalimin e muajve, temperaturat fillojnë të ftohen, por rënia e tyre ndjehet më së shumti në muajin nëntor. Temperaturat e freskëta krijojnë një kohë të mrekullueshme për të dalë jashtë dhe vizituar disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë.

Në këtë periudhë të vitit, qyteti i Krujës është shumë i këndshëm, ndërsa një vizitë në Berat, qytetin e 1000 dritareve, do të ishte një ide shumë e mirë. Vjeshta është një periudhë shumë e mirë për të eksploruar vendin. Do të gjeni pak njerëz dhe çmimet janë më të lira sesa gjatë muajve të verës.

Dimri

Dimri nuk është domosdoshmërisht periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë. Moti është më i ftohtë sesa muajt e tjerë, me temperatura që bien menjëherë. Në rivierën shqiptare është tepër ftohtë për të shëtitur.

Në brendësi të territorit është akoma më ftohtë, me temperatura që në disa vende shkojnë nën 0°C. Megjithatë, nëse ju pëlqen shëtitja në dimër, është periudhë shumë e mirë për të vizituar malet, në veçanti malin e Korabit, më i larti në vend.

Pavarësisht motit të ftohtë, Tirana është një nga destinacionet dimërorë më të mira të Europës. Në qytet do të gjeni pak ose aspak turistë dhe mund ta shijoni qëndrimin aty, pavarësisht motit të ftohtë. Një e mirë e vizitës në Shqipëri gjatë dimrit është se atje nuk është aq ftohtë sa në vendet e tjera të Europës.

Festivalet në Shqipëri

Në Shqipëri zhvillohen shumë festivale gjatë vitit. Nga Festivali i Këngës Popullore e deri te Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, do të gjeni evente të shumta, rreth të cilave mund të planifikoni vizitën tuaj.

Festivali i Këngës Popullore

Ky festival zhvillohet çdo mars dhe siç mund ta kuptoni nga titulli, ka të bëjë me këngët popullore. Nëse dëshironi të përfshiheni në kulturën e Shqipërisë, atëherë ky festival është mundësi shumë e mirë për ta bërë këtë gjë. Stili është i ndryshëm nga festivalet tradicionale që mund të prisni, pasi është ndryshuar gjatë qindra viteve. Në ditën e parë të pranverës, ky festival zhvillohet në qytetin e Elbasanit, që mirëpret performues nga i gjithë vendi.

Festivali Kala

Festivali Kala është një nga eventet më të reja në Shqipëri. Zhvillohet çdo qershor në Dhërmi. Vendndodhja në rivierën shqiptare do të thotë se është festival i njohur, pranë plazheve të mrekullueshme. I organizuar për herë të parë në vitin 2018, ky është i festivali i parë ndërkombëtar në Shqipëri. Festivali zgjat rreth një javë dhe mirëpret DJ-të më të mirë për të performuar.

Festa e birrës ”Korça”

Nëse pëlqeni birrën, Festivali i Birrës në Korçë është vendi i duhur për ju. Çdo vit festivali shërben mbi 14 000 birra gjatë 4 netëve festimesh. Birra Korça është më e njohura në Shqipëri dhe prodhohet po në këtë qytet, nga i cili merr dhe emrin. Ky festival mendohet të jetë më i madhi në Shqipëri. Aty do të gjeni ushqim tradicional, muzikë, kërcim dhe sasi të bollshme alkooli.

South Outdoor Festival

Organizohet gjatë fundit të muajit prill dhe fillimit të majit dhe zhvillohet çdo vit në vende të ndryshme të jugut të Shqipërisë. Festivali zgjat tre deri në katër ditë dhe ju jep mundësinë të përfshiheni në aktivitete të ndryshme si, fluturime me parashutë, tur me biçikleta dhe shëtitje. Festimet vazhdojnë edhe gjatë natës ku performojnë banda muzikore vendase dhe gjenden stenda që shesin ushqim tradicional.

TIFF

Festivali ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) ishte i pari i llojit të tij kur u organizua për herë të parë në vitin 2003. Nëse ju pëlqejnë filmat, ky është një event rreth të cilit mund të planifikoni vizitën tuaj. Festivali shfaq lloje të ndryshme filmi, duke varjuar nga filmat me metrazh të shkurtër deri te ata me metrazh të plotë. Mbahet çdo nëntor”, përfundon blogu i personalizuar thetravellingtom.com./atsh

Shqipëria vendi emocionues për t’u vizituar Read More »

Mbrojtja nga diskriminimi, Shqipëria hapa para për personat me aftësi të kufizuara

“Për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri vitet e fundit janë bërë hapa përpara. Kemi modele të suksesshme të përfshirjes sociale dhe gjithnjë e më tepër po flitet për të drejtat e tyre”, u shpreh sot Darjan Konomi, komisioner për mbrojtjen nga diskriminimi.

Në vijim, Konomi shton se “Shqipëri edhe pse janë bërë ndryshime ligjore në përputhje me konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara mbetet ende shumë për t’u bërë sa i përket zbatueshmërisë. Mbi të gjitha mbetet shumë për t’u bërë sa i përket ndryshimit të mentalitetit. Të gjithë duhet të kuptojnë se integrimi i një personi me aftësi të kufizuara në shoqëri si pjesë aktive e saj është një e mirë jo vetëm për individin, por për shoqërinë në tërësi. Aktivist të kësaj kategorie shprehen se nuk kërkojnë lëmoshë, por politika dhe mundësi të barabarta dhe njëkohësisht dhe trajtim të barabartë jo vetëm sa i përket të drejtave por edhe detyrimeve”.

“KMD ka qenë dhe do të jetë gjithnjë pranë grupeve vulnerabël duke i trajtuar ata si partner të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e parimit themelor kushtetues, barazisë”, tha ai./atsh

Mbrojtja nga diskriminimi, Shqipëria hapa para për personat me aftësi të kufizuara Read More »

Sarandë/ Takim përgatitor për masat e sezonit të ardhshëm turistik

Ende pa u mbyllur viti turistik 2019, bashkia e Sarandës dhe kryetari i saj, Adrian Gurma, inicuan një bashkëbisedim me operatorë turistikë të Njësisë Administrative Ksamil dhe subjekte të shërbimeve mbështetëse, me sloganin “Suksesi i sezonit turistik 2020, nis sot!”.

Kreu i Bashkisë Adrian Gurma tha se është i prirur t’u japë ritëm të ri punëve dhe kjo është duke ndodhur, pasi ndërkohë që Ksamili vazhdon të trajtojë turistë, sidomos të huaj, shikimi dhe mendimi shkon tek vera që presim. Ai ka nënvizuar se Bashkia gjatë 2020 do të ofrojë partneritet të vërtetë me biznesin, duke iu gjendur pranë jo vetëm me komunikim, por edhe me zgjidhje optimale, që do të jepen pa zvarritje burokratike.

Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Gurma tha se do të ketë një rigorozitet maksimal në zbatimin e marrëveshjeve që lidhen dhe sanksione deri në anullim të tyre, në rast se ato shkelen. “Bashkia, në të gjitha stafet dhe drejtoritë përkatëse, deri në ato të varësise, – siguroi bizneset zoti Gurma – do të jenë të hapur dhe të disponueshëm për të ofruar dhe bërë me të mirën, pasi ky është interesi i përbashkët”.

Nga të pranishmit kapja e momentit, kjo mënyrë e re komunikimi dhe ofrimi, u vlerësua si një hap që hidhet për herë të parë nga ana e Bashkisë dhe se kështu fitohet mjaft kohë për të nisur sa më herët punët për përgatitjen e sezonit të ri turistik 2020.

Biznesmenë dhe operatorë turistikë që e morën fjalën, sollën praktikat më të mira të punës manaxheriale gjatë një viti që u vecua si më i miri, ndërkohë që nuk u lanë pa thënë mungesat apo pikat e dobëta që u vunë re.

Lidhur ngushtë me këto problematika, biznesmenët dhe operatorët ksamiliotë bënë sugjerime konkrete për investimet që me përparësi duhet të zënë vend në projektbuxhetin e Bashkisë për 2020, që është duke u hartuar. /atsh

Sarandë/ Takim përgatitor për masat e sezonit të ardhshëm turistik Read More »