Irina

Thaçi: Kosova e përkushtuar për paqe në rajon

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it u vlerësua kontributi i këtij misioni si një forcë e besueshme për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, teksa u tha se falë bashkëpunimit të ndërsjellë u formua Ushtria e Kosovës dhe zhvillimi i saj do të bëjë që në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e NATO-s.

Presidenti Hashim Thaçi, duke folur për kontributin e NATO-s në Kosovë, tha se sukseset e përbashkëta po i bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshme trupat e KFOR-it në Kosovë, ku u shpreh optimist se vendi ynë do të përfshihet nën ‘ombrellën’ e NATO-s. I pari i shtetit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për të arritur paqe në rajon.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario foli për kontributin e tij që KFOR-i të njihet si një forcë e besueshme, e paanshme dhe e aftë për të dhënë siguri jo vetëm në Kosovë.

Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi u shpreh falënderues dhe tha se shtetet aleate të NATO-s po i kontribuojnë sigurisë së tërë popullatës së Kosovës për ruajtje të stabilitetit të Kosovës, Ballkanin dhe tërë Europës.

Pas përfundimit të ceremonisë në një konferencë për media, admirali James Foggo i bëri thirrje partive fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë e re që të shtyjnë Kosovën drejt stabilitetit dhe prosperitetit, teksa tha se nuk planifikojnë për reduktim të trupave të KFOR-it në Kosovë.

Ish-komandanti i KFOR-it Lorenzo D’Addario ka shërbyer edhe më herët në Kosovë në vitet 1999 dhe 2003-2004, derisa detyrën e komandantit e kishte marrë në vitin 2018./KosovaPress/

Thaçi: Kosova e përkushtuar për paqe në rajon Read More »

Buxheti 2020/ KQZ kërkon shtesë fondi, Fino: Nuk ka para për luks

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2020” për KQZ-në.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfaqësua nga Ylli Merkaj, Sekretari Përgjithshëm i KQZ-së dhe Mirela Gega drejtoresha e financave.

Merkaj tha se ishin dakord për miratimin e fondeve për KQZ nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Fondet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë në të njëjtin nivel të krahasuar me vitin tjetër”, tha Merkaj duke kërkuar që në buxhetin e 2020 të shtohet fondi me 20.144 milionë lekë për blerjen e dy furgonave, shtesë për pagat pasi janë punësuar 71 punonjës, por edhe shtimin e një kati në godinën e saj”.

Relatori Bashkim Fino tha se nuk ka para për luks për KQZ, Reforma Zgjedhore mund të ndryshojë strukturën e KQZ.

“Projektbuxheti i KQZ-së është korrekt, dy pretendimet që ka nuk ekzistojnë, pasi mund të marrë furgon me qira. KQZ ka volum të madh pune, por vetëm në zgjedhje.” Ne kemi dhënë një godinë të re të mirë, moderne dhe nuk pretendoj se duhet shtuar një kat”, tha ai.

Po ashtu, Fino shtoi se “jemi në procesin e Reformës Zgjedhore dhe mund të ndryshojë struktura totale e KQZ dhe mund të mos ketë aq shumë administratë, ku sipas reformës zgjedhore të ketë ndryshime strukturore dhe pa mbaruar kjo reformë Ministria e Financave nuk do japë para për luks”. /atsh

Buxheti 2020/ KQZ kërkon shtesë fondi, Fino: Nuk ka para për luks Read More »

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk”

Shkolla 9-vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ qe u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Ahmet Yörük mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të kësaj shkolle.
“Ta gëzojnë mësueset dhe nxënësit e shkollës “Mustafa Kemal Atatürk” oborrin dhe fushën e volejbollit dhe të basketbollit, e cila është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ që u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke”, u shpreh ai.

“Ndjejmë kënaqësi që të mbështesim këta fëmijë që janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi ambasadori Yörük.

“Falënderojmë bashkëshortet e zyrtareve të Ambasadës, si dhe të gjithë ato që kontribuuan dhe morën pjesë. Gjithashtu Air Albanian e cila kontribuoi në mobilimin e ambienteve të shkollës si dhe zyrën e TIKA-s në Tiranë që bëri të mundur realizimin e këtij projekti”, u shpreh ambasadori turk. /a

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” Read More »

Buxheti 2020/ Klosi: Turizmi në fokus të qeverisë, 227 hotele të reja vetëm në 6-mujorin e parë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë diskutimit në parim ditën e sotme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, mbi projektbuxhetin për vitin 2020 ka deklaruar se buxheti në këto dy fusha prioritare për jetën dhe ekonominë e qytetarëve shqiptarë është shtuar ndjeshëm.

“Qeveria ka shtuar investimet në mënyrë marramendëse qoftë në industrinë e mjedisit, qoftë dhe në atë të turizmit. Ministria është ndërtuar e tillë që të ketë misionin e saj parësor mbrojtjen e ekuilibrit të qëndrueshëm sa i përket turizmit dhe mjedisit. Këtë ekuilibër jemi munduar ta përkthejmë dhe në shifra buxhetore. Shumë fusha të ekonomisë së vendit dhe shumë investime shkojnë drejt turizmit dhe mjedisit,” u shpreh Klosi.

Ministri tha se numri i turistëve vitin që po mbyllet është rritur me afro 10% më shumë krahasuar me një vit më parë, gjë e cila është reflektuar edhe në shtimin e kapaciteteve akomoduese në vendin tonë, ku 227 hotele të reja janë shtuar vetëm në 6-mujorin e parë.

“Sot e gjithë bota po flet për mjedisin dhe kërkon që të shtohen investimet në këtë fushë, – tha Klosi, – pasi ka të bëjë me jetën dhe jeta gjithmonë e më shumë po vlerësohet, edhe në Shqipëri. Njëlloj është problematika, si ndotja në Krujë, ashtu dhe në lumin e Gjanicës, si cilësia e ajrit në Tiranë, edhe në Fier. Problematikat janë aq të mëdha dhe kërkesat janë të shumta por kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e pushtetit vendor. Nuk ka probleme pastrimi i lumenjve, janë lumenj që kanë pastërti të veçantë, por ajo që ndodh rrugës i bën ata të papastër. Për sa kohë që venddepozitimet e ish-komunave dhe bashkive të vogla janë në shtratin e lumenjve, një shi bën që mbeturinat të shkojnë deri në Adriatik”.

Sa i përket nismave më të rëndësishme në lidhje me mjedisin, Klosi tha se është kryer bllokimi i guroreve në Malin historik e Krujës dhe Malin e Shenjtë të Tomorit, ndërsa 1 qershori tha ai do të shënojë Shqipërinë si të parin vend europian pa qese plastike.

Kreu i Komisionit të veprimtarive Prodhuese Niko Peleshi u shpreh se është mjaft e rëndësishme sot të qartësohen politikat e mjedisore, për t’iu treguar bashkive çfarë roli duhet të ndjekin në lidhje me trajtimin e mbetjeve dhe e ku ia vlen që ata të investojnë, te riciklimi, landfillet, apo inceneratorët.

“Kemi një model të Elbasanit me inceneratorin, po ndërtohen dy të tjerë dhe bashkitë marrin mesazhin që kjo është rruga, por një bashki e vogël e ka të pamundur inceneratorin. Prandaj duhet ta bëjmë pak më të qartë politikën për bashkitë që të shkojnë drejt landfilleve, si më e përshtatshme për buxhetin tonë. Nëse kryetarët e bashkive s’kanë buxhetin, s’kanë çfarë të bëjnë, sado sanksione t’iu vendosen. Landfilli i Maliqit ka kushtuar 10 milionë euro, që për 10 mijë vjet bashkitë e qarkut Korçë nuk do mundnin ta ndërtonin”, tha Peleshi.

“Kam qenë në 61 bashkitë e vendit, ku kemi trajtuar problematikën e mbetjeve urbane. Nuk e përballojnë dot të vetme, por ka një detyrim nga bashkitë që nuk zbatohen. Një pjesë e konsiderueshme nuk përllogarit dot sa kosto i duhet për trajtimin e mbetjeve. Bashkitë nuk mund të vazhdojnë të harxhojnë paratë për mbetjet urbane, pa asnjë llogaritje të kostove. Është momenti ta diskutojmë edhe në komision situatën e paimagjinueshme që ndodh sot,” tha Klosi.

Ministri Klosi tha se sot është pothuajse e pamundur të bëhet një ndërhyrje në mjedis, që mos të ketë reaksion qytetar.

“Ne jemi në fazë moratoriumi të pashpallur për HEC-et e vegjël. Po ndërtojmë një grup të përbashkët me disa ministri për të bërë një masterplan për zona ku mund të realizohen HEC-et. Ne kemi sistem hidrik bio që nuk dëmton mjedisit, por komunitetet janë bërë sensitive. Në 2 vite e gjysmë nuk kam firmosur asnjë HEC në zona të mbrojtura. Për sa iu përket zonave të tjera ka ardhur koha, ose të shkojmë në moratorium, ose të shohim si do veprojmë që këto HEC-e të mos dëmtojnë komunitetin,” tha Klosi.

Sa i përket pyjeve, ministri i Mjedisit u shpreh se janë gjithsej 9 koncesione aktive, pasi moratoriumi i përjashtonte kontratat e lidhura më parë. “Kamionët që dalin në foto janë të licencuara nga bashkitë. Inspektorati do jetë shumë më aktiv në monitorimin e koncensionarëve. Ligji i ri për pyjet ka kaluar për aprovim qeveritar për sa i përket edhe këtij fenomeni, çfarë po ndodh me ngrohjen drusore nga bashkitë, por në kuadër të moratoriumit jemi të suksesshëm, sepse kemi ndaluar industrinë e prerjes së pemëve. Politikat tona të mbjelljes së pemëve na shtojnë hapësirën për t’i kërkuar komunitetit të mbjellë më shumë pemë. Projekti i BB për regjistrimin e pyjeve po përfundon dhe pritet të realizojë bazën e të dhënave për pyjet dhe inventarizon pyjet në shkallë vendi,” u shpreh ministri Klosi.

Ministri Klosi është ndalur edhe te investimet e turizmit detar, por për të cilin tha ai nuk ka një kulturë të kultivuar mjaftueshëm në Shqipëri që mund t’i jepte zhvillim një sektori të tillë. “Ne nuk kemi investime të mëdha në marina, 3-4 marina janë në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të filluar punën, por neve na duhet të krijojmë një komunitet tjetër që nuk e kemi sot në Shqipëri për marinën. Është një kulturë e munguar, prandaj duam të hapim bisedat për turizmin blu, turizmin detar,” tha Klosi. /atsh

Buxheti 2020/ Klosi: Turizmi në fokus të qeverisë, 227 hotele të reja vetëm në 6-mujorin e parë Read More »

Triologjia “Kreuztanne” e Fate Velaj, Lubonja: Një ngjarje në historinë e letërsisë, risi në formë e përmbajtje

Triologjia “Kreuztanne”, (Udhëkryq) e artistit Fate Velaj, është një libër i cili përcjell tek lexuesi përjetimet vetjake të autorit.

KY libër gjithashtu sjell një panoramë për historinë e Shqipërisë, pas viteve ’90, aspiratën e një brezi të tërë ëndërrimtarësh që arritën t’i projektonin dhe ndërtonin ëndrrat e tyre, mes sfidash në Europë.

Dr. Vjollca Lubonja, mësuese, pedagoge, autore dhe botuese librash e ka cilësuar triologjinë “Kreuztanne” të artistit Fate Velaj si vlerë që e kapërcen letraren sepse, në të njëjtën kohë është edhe dokumentare po aq dhe psikologjike.

“Vlera e saj, shpërfaqet në disa aspekte ku e para dhe shumë e rëndësishme është sinqeriteti, besueshmëria e tërë veprës si dhe gjuha e lëvruar me një gërshetim të përmbajtur dhe elegant të letrares me dialektoren (ajkën e dialektit lab të qyteteruar që e lezeton shumë veprën)”, shprehet Lubonja për këtë vepër.

Ajo gjithashtu shprehet dhe për penën e përdorur nga artisti Fate Velaj të cilin e cilëson si një shkrimtar që nuk e bezdis lexuesin pasi vepra e tij ka brumë, ka vende dhe njerëz real, ka status të një vepre bashkëkohore shumë më lehtë për t’u perceptuar dhe besuar.

Lubonja shprehet se, “kultura e formimit dhe informimit të shkrimtarit që shpaloset aq sa duhet pa e bezdisur lexuesin por duke e siguruar se vepra e tij ka brumë, ka vende dhe njerëz real, ka status të një vepre bashkëkohore shumë më lehtë për t’u perceptuar dhe besuar”.

Lubonja e cilëson autorin Velaj si shkrimtarin më autentik dhe elegant pasi ai është personazhi autor.

Dr. Lubonja the se, “autori është sot shkrimtari më autentik, më elegant sepse është personazhi autor dhe lexuesit i afohet pa dritë- hije, pa të panjohura dhe ai, lexuesi, e pranon, e do si një personazh hero triumfues jo thjeshtë për karrierën e sotme por për rritjen, metamorfozën e zhvillimit real të personazhit- njeriut (pse jo të modelit)”.

Pas leximit të kësaj triologjie e cila përbëhet dhe nga romani “NILKON” si pjesa e 2-të e saj dhe përmbyllet me botimin më të ri të artistit Fate Velaj “ITAKA”, Dr. Lubonja shprehet se kjo triologji është jo vetëm dallëndyshja e parë e këtij lloji në letërsinë shqipe dhe jo vetëm shqipe që përbën jo thjeshtë “një ngjarje letrare” siç thotë Kadare, por një ngjarje në historinë e letërsisë, një risi në formë e përmbajtje, në sjellje e qasje, në shprehje dhe ndijim.

Dr. Vjollca Lubonja thekson se kjo triologji duhet studiuar nga kritikë letrarë me nivel
dhe duhet të përkthehet e plotë në të gjitha gjuhët e mundshme.

Kjo sipas Lubonjës sepse ngjarjet aty i kapërcejnë kufijtë e Shqipërise, Austrisë, Rumanisë, Greqisë, Egjiptit e ku zhvillohen ngjarjet sepse jeta e treguar aty, e autorit- personazh mund të ishe edhe dikujt nga Kina, nga Nigeria, nga Australia, Amerika etj..

“Ka një ndryshim esencial tek Fate Velaj, e artistit 3D. Të shkruajturit e veprës së tij, në krahasim me të tjerët, ai nuk sjellë vetëm fjalën, nuk e sjell atë vetëm me shkronja por edhe me ngjyra dhe hera-herës me veshje muzikore dhe fotografike”, përfundoi përjetimet e saj për veprat e artistit Fate Velaj, Dr. Vjollca Lubonja. /atsh

Triologjia “Kreuztanne” e Fate Velaj, Lubonja: Një ngjarje në historinë e letërsisë, risi në formë e përmbajtje Read More »

Gara për kryeprokurorin/ Marku letër KLP, kërkon informacion për pikëzimin e kandidatëve

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku ka kërkuar ditën e sotme informacion nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vlerësimin dhe procesin e pikëzimit nga secili anëtar, bashkë me analizën dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit të ndjekur nga secili anëtar.

Përmes një letre, Marku tha se ka si synim me këtë kërkesë shqyrtimin e mundësisë së ankimimit të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e rendit të dytën në listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Arta Marku, e cila garon për këtë post është renditur e dyta pas prokurorit Olsian Çela me 459 pikë, dhe para prokurores Fatjona Memçaj me 362 pikë. Marku në këtë renditje ka 406 pikë. Ky listim u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Katër kriteret mbi të cilat ata u vlerësuan janë: Aftësia profesionale; integriteti moral; aftësia organizative dhe drejtuese; elementë shtesë. /atsh

Gara për kryeprokurorin/ Marku letër KLP, kërkon informacion për pikëzimin e kandidatëve Read More »

Reforma në Drejtësi në Shqipëri, shembull inkurajues për rajonin

“Ministeriali i Drejtësisë” i organizuar në Maqedoninë e Veriut dhe me pjesëmarrjen e komisioneres për çështjet e Drejtësisë, Vera Jurova vlerësoi se implementimi i Reformës në Drejtësi në Shqipëri është shndërruar në një shembull inkurajues për drejtësinë rajonale. Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila po merr pjesë në këtë ministerial.

“Është gjithmonë kënaqësi kur dëgjon se implementimi i reformës sonë në Drejtësi është shndërruar në një shembull inkurajues për drejtësinë rajonale, ku padyshim kemi shumë më shumë për të mësuar nga njëri-tjetri, duke respektuar rekomandimet e GRECO, Komisionit të Venecias dhe Këshillit Europian”, – u shpreh Gjonaj.

Ministrja Gjonaj pati mundësinë që në këtë ministerial të diskutojë hollësisht mbi arritjet dhe të tregojë mbi sfidat e përbashkëta si: përshkallëzimi i luftës kundër krimit transnacional, pasja e një sistemi gjyqësor efektiv duke përfshirë digjitalizimin, reformat në sistemin penitenciar, adresimi i problematikave dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me agjencitë e BE-së.

“Pasja e një drejtësie me standarde europiane, është një objektiv i përbashkët i cili bëhet më i arritshëm nëse të gjithë punojmë bashkë për t’i dhënë qytetarëve tanë sistemin dinjitoz që ata meritojnë”, – tha ministrja e Drejtësisë. /atsh

Reforma në Drejtësi në Shqipëri, shembull inkurajues për rajonin Read More »

Trajnimet profesionale, mundësi integrimi në tregun e punës/ Papunësia e të rinjve ra me 3,6% në vitin 2018

Përqendrimi tek arsimi profesional, trajnimet apo kualifikimet e ndryshme kanë ulur papunësinë tek të rinjtë në vend. INSTAT bën të ditur se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është ulur në 20,9 % në tremujorin e dytë të vitit 2019.
Raporti i INSTAT, konfirmon se performanca e tregut të punës është në trend rritjeje shumë pozitiv, ku papunësia për herë të parë në vend ka shkuar në nivelin më të ulët historik prej 11,5% krahasuar me 2014.
Shifrat pozitive të rritjes së punësimit tregojnë se ekonomia dhe biznesi po gjenerojnë punësim për të gjitha shtresat. Aktualisht 68,9% e shqiptarëve janë të angazhuar në punë dhe kërkesa e biznesit për punësimin e profesionistëve janë në rritje.
Ndërkohë që orientimi i politikave të arsimit drejt atij profesional, po integron gjithnjë e më shumë të rinjtë drejt tregut të punës.
Shifrat zyrtare tregojnë se, është ulur me 3,6% shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Instituti i Statistikave në të dhënat e anketës mbi forcat e punës për vitin 2018, tha se shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 28,3%.
Të ndarë sipas grupeve femra meshkuj, të dhënat tregojnë se meshkujt e moshës 15-24 vjeç përbëjnë pjesën më të madhe të të zënëve në punë, duke përfaqësuar 29,6% të të punësuarve dhe 26,0% e zënë femrat. Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ra me 3,6%.
Ndërkohë, po sipas INSTAT, numri i të rinjve të moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë kundrejt totalit vetëm 28,6% të të rinjve gjithsej.

Arsimi dhe trajnimet profesionale, mbështetur me anë të politikave për zhvillimin e arsimit profesional në vend po ndryshojnë situatën e raportuar për vitin 2018 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Sipas kësaj organizate në një hartë të të papunëve, të paarsimuarve e të patrajnuarve mes të rinjve në Europë për vitin 2018, Shqipëria kishte një nivel prej 32,8%.
Sipas INSTAT në terma vjetorë shkalla e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie të theksuar gjatë vitit 2019. “Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2019 është 1,7% më e ulët. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla e papunësisë tek të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,3%”, thuhet në raportin e INSTAT.
Në tremujorin e fundit të këtij viti, pjesëmarrja e forcave të punës është rritur me 20 mijë qytetarë, ndërsa krahasuar me 2018, pjesëmarrja në forcën e punës u rrit me 34 mijë persona, ku dominon punësimi tek të rinjtë e moshës 18-30 vjeç. /atsh

Trajnimet profesionale, mundësi integrimi në tregun e punës/ Papunësia e të rinjve ra me 3,6% në vitin 2018 Read More »