Irina

Koncert për Nënë Terezën në Piana degli Albanesi

Eleganca e pianofortes dhe ajo çka sugjeron violina takohen dhe përzihen me fuqinë e një zëri sopranoje. Kjo është ”Nëna Arbëri”, koncerti që do të zhvillohet të enjten në orën 21:00 në sheshin ”Viktor Emanueli” në Piana degli Albanesi, shkruan agjencia italiane zyrtare e lajmeve, ANSA.

Një takim i dëshiruar shumë nga ministri i Shtetit i Diasporës Shqiptare, Pandeli Majko dhe nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, me mbështetjen e komunës së Piana degli Albanesi për të kujtuar Nënë Terezën.

Në fakt, 5 shtatori është domethënës jo vetëm për komunitetin shqiptar, por për të gjithë botën mbarë sepse përkujton ditën e shenjtërimit të Shën Terezës. Besimtarja shqiptare – e natyralizuar indiane e besimit katolik – themeluese e urdhrit fetar të Misionareve të Bamirësisë, harxhoi të gjitha energjitë e saj në një punë të palodhshme mes viktimave të varfërisë të Kalkutës, për çka u vlerësua me mirënojhje të shumta, ndërmjet të cilave edhe me çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979.

Në Piana degli Albanesi ka një përfaqësim domethënës të komunitetit arbëresh. Koncerti – i prezantuar nga Salvo La Rosa – do të ketë në skenë edhe sopranon shqiptare, Inva Mula, violinistin Olen Çezari dhe pianistin Genc Tukiçi./ atsh

Koncert për Nënë Terezën në Piana degli Albanesi Read More »

Vlorë,takimi i PS me strukturat drejtuese të kësaj force politike në të gjithë jugun e vendit, nën drejtimin e Gramoz Rucit

Nën drejtimin e kryetarit të kuvendit Gramoz Ruci, njëkohësisht dhe drejtuesi politik i PS-se për jugun e vendit, zhvillohet në Vlorë, takimi i PS- me strukturat drejtuese të kësaj force politike në të gjithë jugun e vendit, kryetaret e bashkive në të gjithë jugun, prefektet, deputetet dhe kryetarët e partive të kësaj force politike në jug të vendit.

Gramoz Ruci ka qenë i pranishëm në Vlorë, në kremtimin e 99 vjetorit të luftes së Vlorës, ndersa prania e tij në Vlorë ka vijuar dhe me këtë takim të rëndësishëm të PS-së për jugun, që vjen menjeherë pas nisjes së punimeve të kuvendit për këtë sesion të ri politik.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbylluar, pa praninë e medias, ndërsa edhe informacionet rreth zhvillimeve që do të ketë ky takim kanë qenë mjaft të rezervuara.

Vlorë,takimi i PS me strukturat drejtuese të kësaj force politike në të gjithë jugun e vendit, nën drejtimin e Gramoz Rucit Read More »

Balliu: Prokuroria të nisë procedimin penal ndaj Kajmakut

“Agim Kajmaku i është shmangur drejtësisë, prokuroria duhet të nisë procedimin penal”, tha sot në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Në vijim, Balliu tha se megjithëse provat tashmë i ka në dritë të diellit, Arta Marku e përfshirë nga ethet e konfirmimit, kërkon nga PD të dhënat që i ka në sistem.

“Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku Alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Përveç kësaj ai ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit, veprim ky që përbën vepër penale dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë procedim penal ndaj të zgjedhurit të Vorë”, theksoi ai.

Po ashtu Balliu akuzon kryeministrin Rama për heshtje ndaj rastit të Agim Kajmakut.

“Provat e publikuara nga Partia Demokratike nuk mundet t’i kundërshtojë dhe as t’i mohojë dot”, tha ai. /atsh

Balliu: Prokuroria të nisë procedimin penal ndaj Kajmakut Read More »

Ruçi: 99-vjetori i Luftës së Vlorës,rrezaton në historinë e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë sot në kremtimin e 99-vjetorit të Luftës së Vlorës, ndërsa një kurorë në nderim të luftëtarëve të Luftës së Vlorës.

Në ceremonitë kremtuese morën pjesë pasardhës të veteranëve të Luftës së Vlorës, veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pasardhës të tyre, deputetë, drejtues të pushtetit vendor dhe personalitete të jetës politike e shoqërore të Vlorës, historianë e studiues etj.

Në fjalën e tij Ruçi tha se sot të gjithë shqiptarët patriotë do të dëshironin të ishin në Vlorë. “Jo vetëm për Luftën e Vlorës dhe rrezatimin e saj në historinë e Shqipërisë. Por për bukuritë që ajo ofron si skela e parë në Europë. Për trimërinë, mençurinë dhe urtësinë që e karakterizon. Për hijeshinë që rrezaton ndër të gjitha viset shqiptare. Për mësimet historike dhe aktuale që na ka dhënë dhe na jep të gjithëve”, tha Ruçi.

“Ky vit është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është viti i 75 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazifashistë e kolaboracionistët. 2019 është pragu i 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, i vitit kur shqiptarët treguan se nuk janë vetëm një komb luftëtarësh, por edhe një popull që e do dhe punon për ndërtimin e demokracisë”, tha ai.

Më tej, Ruçi shtoi se është një koincidencë domethënëse që fillimi i parlamentarizmit dhe lufta e Vlorës kanë ndodhur në të njëjtin vit.

“Të dyja këto ngjarje ishin prova të fuqishme të zhvillimit politik të shoqërisë shqiptare, të rritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe të bashkimit në emër të sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë. Fitorja e Vlorës ishte vulosja e fitores së Lushnjës”, tha ai.

Gjithashtu, Ruçi tha se Në këtë vit të 75 vjetorit të çlirimit, populli i Vlorës e Labërisë, si gjithë populli shqiptar, është krenar për kontributin që dha gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Unë kam ndjekur e përshëndetur të gjitha ngjarjet e shënuara të Luftës Nacional-Çlirimtare në këtë 75 vjetor. Kam inkurajuar përpjekjet e Qeverisë, të Komisionit të posaçëm për 75 vjetorin e çlirimit dhe të institucioneve për kremtimin e kësaj ngjarjeje monumentale me nderimin që i takon. Përgëzoj përpjekjet e organizatës së veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve për përkujtimin dhe festimin e ngjarjeve kryesore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ruajtjen e transmetimin e vlerave antifashiste.E vërteta e kësaj Lufte as mund të mohohet, as mund të errësohet. Asnjë kontribut tjetër nuk mund të sillte çlirimin e Shqipërisë pa luftën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ishte lufta e Ushtrisë së partizanëve shqiptarë që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe në krahun e aleancës më progresiste të kohës”, tha ai./atsh

Ruçi: 99-vjetori i Luftës së Vlorës,rrezaton në historinë e Shqipërisë Read More »

Himarë mbyllet pika e grumbullimit të mbetjeve në Vishaj, nis rehabilitimi

Mbyllet përfundimisht pika e grumbullimit të mbetjeve në fshatin Vishaj, në hyrje të Himarës, duke zgjidhur një nga problematikat e hershme të venddepozitimeve ilegale të mbetjeve urbane.

Pasi ka përfunduar pastrimi i territorit pritet të nisë faza e fundit e rehabilitimit, që parashikon mbjelljen e pemëve për ta shndërruar zonën në një mjedis të gjelbër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shprehet se, “zgjidhim një nga problematikat e hershme të venddepozitimeve ilegale të mbetjeve urbane. Mbyllim përfundimisht pikën e grumbullimit të mbetjeve në fshatin Vishaj, në hyrje të Himarës, ku ka përfunduar pastrimi i territorit dhe ku pritet të nisë faza e fundit e rehabilitimit, që parashikon mbjelljen e pemëve me qëllim shndërrimin e zonës në mjedis të gjelbër”.

“Mbetjet urbane, që ndahen për riciklim do të shkojnë në stacionin e ri të stabilizimit të mbetjeve, ngritur në Vumblo të Himarës, ndërsa pjesa tjetër do të dërgohet në Bajkaj”, tha Klosi.

“Mbrojmë mjedisin, ulim nivelin e ndotjes, mbrojmë jetën e qytetarëve, zhvillojmë industrinë legale të riciklimit larg zonave turistike, në përputhje me standardet e BE-së, ulim kostot e transportit dhe sasinë e mbetjeve, që depozitohen në landfill”, përfundoi ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi. /atsh

Himarë mbyllet pika e grumbullimit të mbetjeve në Vishaj, nis rehabilitimi Read More »

Basha: Çdo projekt, program dhe politikë e qeverisë, mashtrim për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një video-mesazh deklaron se çdo projekt, program dhe politikë e qeverisë është mashtrim.

Kryetari i PD-së Basha shprehet se “Edi Rama është artist i mashtrimit. Gjithçka që ka premtuar, gjithçka që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur dhe grabitur bashkë me kriminelët dhe oligarkët. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve.

“Pasuri dhe luks për vete, papunësi, varfëri dhe pasiguri për njerëzit. Mashtrimeve dhe gënjeshtrave ju ka dalë boja”, shprehet ai. /atsh

Basha: Çdo projekt, program dhe politikë e qeverisë, mashtrim për shqiptarët Read More »

Prindërit humbën jetën në aksident, 4 vajzat e familjes Karazajmi me shtëpi të re në Tiranë

4 vajzat e familjes Karazajmi kanë një shtëpi të re në Tiranë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka sipas së cilës nuk ka emocion më të bukur sesa të qënit bashkë për të ndihmuar.

“Prej ditës së djeshme, 4 vajzat e familjes Karazajmi janë banoret më të reja të Tiranës. Me mbështetjen e qindra qytetarëve, të cilët iu bashkuan nismës së “Fundjava Ndryshe” ato kanë tashmë një shtëpi të re, shumë pranë shkollës së tyre”, shprehet ajo.

Po ashtu, Xhaçka shton se “Nuk ka emocion më të bukur sesa të qenit bashkë në ndihmë të 4 vajzave, prindërit e të cilave humbën jetën pak muaj më parë, si pasojë e një aksidenti.

“Faleminderit gjithkujt prej jush për solidaritetin dhe mbështetjen!”, shprehet ajo./atsh

Prindërit humbën jetën në aksident, 4 vajzat e familjes Karazajmi me shtëpi të re në Tiranë Read More »

Çelet thirrja e dytë për punësimin e ekselentëve, 219 pozicione të lira

Departamenti i Administratës Publike (DAP) hapi sot thirrjen e dytë për punësimin e ekselentëve në administratën shtetërore.

DAP njofton se janë në dispozicion 219 pozicione pune, për të cilat të interesuarit mund të aplikojnë deri në 20 shtator 2019.

Kushdo që ka përfunduar studimet me mesatare 9 ose 10 dhe zotëron diplomë të çdo niveli përfituar nga viti 2015 e në vijim mund të aplikojë për këto pozicione pune.

Tashmë çdo student ekselent që është në kërkim të një vendi pune mund të aplikojë në platformën punetembare.al dhe dap.gov.al.

“Je në kërkim të një eksperience pune në administratën shtetërore? Mund të aplikosh tani në platformën punetembare.al dhe dap.gov.al ku janë 219 pozicione pune. Afati i aplikimit 20 shtator 2019”, njofton DAP.

Punësimi i ekselentëve në administratë është një proces i nisur në kuadër të Paktit për Universitetit dhe nismës “Administrata që Duam”./atsh

Çelet thirrja e dytë për punësimin e ekselentëve, 219 pozicione të lira Read More »