Irina

Raporti i OSBE/ODIHR-it, Rama: Përpjekja për të ngritur furtunë në gotë e kotë, bashkëpunim për reformën zgjedhore

“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, Rama tha se “raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”.

“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogu dhe bashkëpunimi, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, tha Rama.

Çdo vonesë e kotë sot, sipas Kryeministrit, “e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve”.

“Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shtoi ai.//atsh

Raporti i OSBE/ODIHR-it, Rama: Përpjekja për të ngritur furtunë në gotë e kotë, bashkëpunim për reformën zgjedhore Read More »

Mirënjohje rinisë, bashkia Tepelenë vlerëson nxënësit ekselentë

E kthyer në një traditë tashmë prej 8 vitesh, bashkia Tepelenë zhvilloi ceremoninë e nderimit për maturantët që përfunduan studimet, për vitin 2018 – 2019.

Aktiviteti u mbajt në qendrën e qytetit, ku morën pjesë nxënës e qytetarë të shumtë.
“Lejomëni të uroj nxënësit e këtij viti për rezultatet e arritura. Të kenë sa shumë suksese dhe të punojnë ashtu si ç’kanë bërë deri më tani, pasi suksesi i tyre është sukses edhe krenari jo vetëm për prindërit dhe familjen, por për të gjithë ne”, tha kreu i Bashkisë, Tërmet Peçi.

Peçi u shpreh se, “edhe pse jemi qytet i vogël asnjëherë nuk na kanë munguar njerëzit e mëdhenj, shumë prej të cilëve janë krenari kombëtare, edhe një shembull frymëzimi për këdo që do të ndjek rrugën e dijes. Një nga shembujt e kemi në këtë shesh, përmendoren e mësuesit të popullit Sali Nivica, që të gjithë njohim veprën e tij, si ky njeri me histori të ndritur kemi edhe dhjetra të tjerë që meritojnë e nderohen njësoj si ai”.

“Një këshillë dua ta ndaj si prind me ju, mësoni të jeni të sjellshëm dhe të bëheni profesionist në atë që zgjidhni në jetë, kështu do të jeni të suksesshëm…”, u shpreh midis të tjerash Peçi, ndërsa nuk munguan përshëndetjet nga Drejtoria Arsimore, si dhe mësues të gjimnazit “Abaz Shehu”, ku nuk u la pa përmendur mbështetja e bashkisë me investime në fushën e arsimit.

Në këtë ceremoni për këtë vit u vlerësuan maturantet, Aleksia Zaimi, Ana Çela, Berjana Baka, Julia Guma.

Ky aktivitet përkoi edhe me 60 vjetorin e themelimit të shkollës Abaz Shehu, ku përreth 2 orë u mbajt një koncert mjaft i ngrohtë nga ikona e muzikës së lehtë Kozma Dushi shoqëruar nga Genci dhe Elona Cenaj. /atsh

Mirënjohje rinisë, bashkia Tepelenë vlerëson nxënësit ekselentë Read More »

“Festivali i Rinisë 2019″/ Qindra të rinj, bashkë kundër dhunës ndaj fëmijëve

Raporti mbi Situatën e Mirëqenies së Fëmijëve në Shqipëri nga World Vision tregoi se, gjatë vitit të fundit 70% e fëmijëve të moshës 8 deri në 18 vjeç kanë përjetuar një formë dhune.

Në ditën e dytë të Festivalit të Rinisë, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, të rinjtë do të sjellin për diskutim problemin e dhunës tek fëmijët; mungesën e shërbimeve që mbështesin fëmijët e dhunuar, por nga ana tjetër edhe arsyet kryesore të mosraportimit të dhunës.

46% e fëmijëve janë indiferentë dhe nuk duan të përfshihen në raportimin e rasteve të dhunës dhe 34% e tyre nuk e raportojnë për shkak të mungesës së besimit që institucionet do ta zgjidhin situatën.

Dhuna është një prej faktorëve kryesorë që pengon zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve si dhe cenon arritjen e rezultateve në ndërhyrjet socio-ekonomike, që çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri.

“World Vision Albania prej më shumë se 10 vitesh punon ngushtë me fëmijët, komunitetet
dhe institucionet shtetërore për identifikimin, raportimin dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve të dhunuar. Përkushtimi i institucioneve shtetërore, donatorëve, korporatave, organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve të integruara vazhdon të jetë thelbësor për eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri. Në mbështetje të nevojës për shërbime, World Vision hartoi standardet dhe po piloton në bashkitë Durrës dhe Dibër Shërbimin e Emergjencës për Fëmijët në rrezik të lartë”, – shprehet Artina Morava, drejtoresha e programit të World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën. /atsh

“Festivali i Rinisë 2019″/ Qindra të rinj, bashkë kundër dhunës ndaj fëmijëve Read More »

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik

Turizmi speleologjik në mbarë botën është kthyer në një dukuri mjaft tërheqëse për vizitorët kuriozë të natyrës dhe historisë.

Shqipëria është e pasur me një larmi të madhe shpellash, ku një grup turistësh gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit kanë zgjedhur të eksplorojnë “Shpellën e Pëllumbasit”, apo siç quhet ndryshe edhe “Shpella e Zezë”.

Kjo shpellë tashmë e kthyer në një atraksion turistik mjaft të veçantë gjendet në juglindje të Tiranës mbi grykën panoramike të Skorranës e krijuar nga lumi Erzen. Pamja në këtë vend është mjaft interesante, pasi ndërthuren bukuritë e peizazhit përreth dhe pamja mistike e shpellës. Turistët aventurier kanë bërë një itinerar në këtë vend duke eksploruar bukuritë dhe misteret e kësaj shpelle.

Gjithashtu turistët kanë shijuar dhe rrugëtimin drejt shpellës përmes shtegut i cili është i mbrojtur nga parmakë druri të ndërtuara vitet e fundit përmes një pylli të dendur shkozash. Ata gjithashtu shijuan në stolat prej druri një soditje të madhështisë së maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës) dhe Dajtit përbri.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas dhe vjen duke u zgjeruar përherë dhe më shumë kur i afrohesh. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere.

Tavani shkëmbor është i mbushur me stalagmite gjithfarë formash dhe dyshemeja e saj me stalaktite. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditshmet.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë./atsh

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik Read More »

Si asnjëherë më parë, zgjidhje 1 mijë halleve njerëzish të zakonshëm në muaj

Kryeministri Edi Rama solli mbrëmjen e sotme në vëmendje rezultatet e arritura nga platforma e bashkëqeverisjes, duke theksuar se janë zgjidhur 1 mijë halle njerëzish të zakonshëm në muaj.

Kurrë asnjë qeveri dhe asnjë kryeministër më parë nuk kanë ndjekur e zgjidhur, mesatarisht 1000 halle e probleme konkrete njerëzish të zakonshëm në muaj”, theksoi kryeministri Rama.

Ai solli në kujtesë të publikut se deri dje, ankesat e tyre me letra e me mesazhe, përfundonin në koshin e mbeturinave të institucioneve apo të telefonit.

Gjatë paradites së sotme, në takimin me koordinatorët e Bashkëqeverisjes, kryeministri Rama theksoi se janë rreth 788 zyrtarë që nga drejtor, e deri tek specialistë që janë ndëshkuar pasi nuk u janë përgjigjur si duhet qytetarëve.

Janë mbi 50 mijë adresime në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe rreth 115 mijë përdorues që janë shumë për një periudhë të shkurtër kohe. /atsh

Si asnjëherë më parë, zgjidhje 1 mijë halleve njerëzish të zakonshëm në muaj Read More »

2 120 aplikantë konkurojnë për 500 vende për Patrullë e Përgjithshme

Zhvillohet testimi me shkrim për aplikantët që do të konkurojnë për të nisur shkollën e Policisë për Patrullë të Përgjithshme.

Kujtojmë se në datën 3 korrik u hapën aplikimet 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2 120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Thirrja e cila duhet të ishte mbyllur me 3 gusht, u shty deri më datën 15 gusht për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk i përmbushnin dot të gjitha kriteret,

Testimi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë në provim do të futen aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër.

Drejtori i Kolegjit Policor, Drejtues Ylli Vasili pohoi se çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve./atsh

2 120 aplikantë konkurojnë për 500 vende për Patrullë e Përgjithshme Read More »

Librat falas/ Në 2017 përfitonin 86 mijë nxënës, këtë vit numri shkon mbi 220 mijë

Ministria e Arsimit çdo vit ka rritur numrin e përfituesve të librave falas, ndërsa këtë vit kësaj skeme i janë shtuar edhe nxënësit e klasave të pesta në të gjithë vendin.

Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini duke theksuar se në vitin 2017-të numri i përfituesve ishte rreth 86 mijë ndërsa për këtë vit shkollor, shkon mbi 220 mijë numri i përfituesve.

“Teksa në vitin 2017-të numri i përfituesve ishte rreth 86 mijë dhe në 2018-tën rreth 180 mijë, për vitin e ri shkollor 2019-2020 numri total i përfituesve shkon mbi 220 mijë nga të cilët 155 mijë janë nxënës nga klasa e 1-5 dhe rreth 70 mijë të tjerë nga klasa e 6-12 të cilët janë pjesë e 16 kategorive të veçanta si familje në nevojë; me aftësi të kufizuara, fëmijë me statuse sociale te caktuara, viktima të trafikut, minoritarë etj”, -shprehet Shahini.

Ndërsa fondi i mbulimit të skemës së librave falas për këtë vit është 600 milionë lekë nga buxheti i shtetit, 80% e librave të vjetshëm kanë rezultuar efektiv dhe do të ripërdoren edhe vitin e ri shkollor. Pjesa tjetër prej 20% do të mbulohet nga një fond i posaçëm i MASR.

Ndër të tjera, nga ministria e Arsimit cilësohet se vetëm tekstet e klasës së parë dhe fletoret e punës do të jenë krejtësisht të reja, ndërsa klasat e tjera do të marrin tekstet e përdorura të një viti më parë të cilat janë në gjendje shumë të mirë./atsh

Librat falas/ Në 2017 përfitonin 86 mijë nxënës, këtë vit numri shkon mbi 220 mijë Read More »

BM – Sekuestrohet heroinë me vlerë 132 milionë euro

Autoritetet britanike kanë sekuestruar një sasi rekord prej 1,3 tonësh heroinë me vlerë mbi 132 milionë euro, raporton e përditshmja britanike ”The Guardian”.

Sasia e drogës ishte në bordin e një anijeje kontejnerësh që mbërriti në portin e Felixstowe, në juglindje të Britanisë së Madhe, më 30 gusht.

Policia zbuloi heroinën në pako një kilogramëshe me etiketat ”proteinë pluhur”, të fshehura në kuti të mbushura me peshqirë.

Pas sekuestrimit së drogës, autoritetet e nisën anijen ”MV Gjibraltar” drejt Anversës./ atsh

BM – Sekuestrohet heroinë me vlerë 132 milionë euro Read More »