Irina

Shenjat e heshtura të ulcerës që s’duhet t’i neglizhoni

Ulcerat e stomakut, njohur ndryshe si ulcera gastrike janë plagë të dhimbshme që shfaqen kur dëmtohet apo hollohet shtresa e trashë e mukusit që mbron stomakun nga lëngjet e tretjes me natyrë acidike

Kur këto acide tretëse arrijnë indet e stomakut, shkaktojnë plagë, gërryerje të cipës së stomakut dhe shumë dhimbje.

Ulcera e stomakut mund të kurohet lehtë, por mund të përkeqësohet shumë shpejtë dhe në mënyrë shumë të rëndë pa trajtimin e duhur mjekësor.

Shenjat e ulcerës së stomakut:

1. Të vjella

Nga plagët e ulcerës mund të rrjedhë gjak dhe kjo mund të shkaktojë të vjella në ngjyrë kafe të errët me gjak.

2. Ndjesia e një barku të rënduar

Nëse keni ndjesinë e barkut që ju rëndon, sikur të keni pirë një sasi të madhe uji shumë shpejt, duhet të bëni një vizitë, pasi kjo shenjë është gjithashtu treguese se mukoza dhe funksionet e stomakut nuk janë optimale.

3. Urth

Nëse keni një ndjesi djegëse në kraharor apo ndjeni që lëngjet e stomakut t’ju kthehen në ezofag, kjo mund të jetë shenjë e këtij problemi shëndetësor. Simptoma të tjera, të tilla si gromësimat, fryrja ose ndjenja e përhershme e ngopjes, gjithashtu mund të jenë shenjë e ulcerës së stomakut.

4. Ndjesia për të vjellë

Për shkak të çekuilibrit të lëngjeve të tretjes, me siguri do të keni ndjesinë e të vjellit, madje me stomakun bosh, që në mëngjes.

5. Dhimbje stomaku

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dhimbja e stomakut, është simptoma më e zakonshme e ulcerës së stomakut, e cila është zakonisht një ndjesi dhimbjeje, e shurdhër dhe djegie në zonën e mesit të barkut. Dhimbja zakonisht është më e fortë midis vakteve dhe gjatë natës, kur acidi është sekretuar në stomak dhe nuk ka ushqim për të vepruar si një ‘përthithës’. /atsh

Shenjat e heshtura të ulcerës që s’duhet t’i neglizhoni Read More »

6.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë deri në muajin gusht

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i ftuar në një studio televizive, foli mbrëmjen e sotme për incidentin e ndodhur në Porto Palermo në muajin gusht ku Mihal Kokëdhima dhunoi familjen e turistëve spanjollë që kishte ardhur në restorantin e tij për të konsumuar një drekë.

Duke folur për këtë ngjarje dhe takimin që zhvilloi me familjen spanjolle, Klosi tha se “ata ishin të shokuar nga ngjarja, familja ishte e shqetësuar. Djali ishte akoma me atë bluzën e grisur, kryefamiljari ishte i çarë në buzë, pastaj situata mori ndryshe. Video është e tillë, ata ndaluan në atë lokal nga dita e bukur, nga mikpritja e njerëzve. Të vetmin justifikim që i vinin ngjarjes është se zotëria nuk ishte në terezi. Ata nuk kishin konsumuar asnjë gotë ujë në atë lokal”, tha Klosi.

Ministri solli në vëmendje edhe reagimin e turistit spanjoll i cili është shprehur se : “Unë tashmë jam një ambasador i Shqipërisë”, për mënyrën se si të gjithë reaguan lidhur me ngjarjen.

Klosi shtoi se pas publikimit të kësaj ngjarje duhej që shteti të reagonte, jo të shpresonte të mos publikohej video. “Unë nuk e dija se cfarë familje ishte, as se kush ishte ai zotëria”, tha ministri.

Përsa i përket restorantit të Mihal Kokëdhimës i cili u shëmb nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ministri tha se “ishte një ndërtim pa leje, ka qenë në proces legalizimi po ai ndërtim nuk do legalizohej. Edhe pse ka qenë djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist nuk është legalizuar pasi ajo zonë është e një rëndësie të veçantë”.

Ministri deklaroi se deri në muajin shtator, Shqipëria u vizitua nga 6.7 milionë turistë. “Nëse kemi një arsye që kemi 6.7 milionë turistë këtë vit deri në këto momente qe po flasim, nëse kemi pasur 1.5 milionë turistë vetëm në muajin gusht, natyrisht është edhe oferta që ne kemi përsa i përket turistit të huaj”, tha Klosi.

Më tej, Klosi tha se rritja e numrit të turistëve në Shqipëri me pothuaj 1.6 milionë të huaj, nxjerrin problemet më në pah. “Por të gjitha problemet po vihen në rrugën e zgjidhjes. Kontrolli mbi bregdetin nuk ka qënë më përpara dhe as nuk bëhej fjalë që të diskutohej për t’u kontrolluar. Vendimi i qeverisë për kontrollet e plazheve, plazhet publike, stacioneve të plazhit, nuk kanë qënë dhe kjo ka ardhur nga ajo që pamë vjet. Kemi licencuar rreth 300 guida”, tha Klosi, duke shtuar se Shqipëria krahasohet me vende si Greqia, Kroacia, Italia Mali i Zi dhe Turqia që kanë 50 vjet që bëjnë turizëm, ndërsa ne deri para 5 vitesh e kishim detin të bllokuar, nuk kishte mjete lundruese”.

Përsa i përket sigurisë në plazhe, Klosi deklaroi se “ sivjet kanë humbur jetën më pak se 11 persona si pasojë e masave të marrë që nga vendosja e sistemit të rojeve në plazhe dhe menaxhimit të plazhit”.atsh

6.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë deri në muajin gusht Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në vend do të vijojë ndikimi i masave ajrore relativisht të paqëndrueshme.

Moti në vend parashikohet me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura, të cilat zhvillimin maksimal do ta marrin në mesditë e pasdite. Më tej pakësim i tyre.

Duke nisur prej orëve të mesditës reshjet e shiut do të përfshijnë kryesisht Veriun e qendrën. Në formë të lokalizuar do të marrin karakter shtrëngatash.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje- Jugperëndim e lehtë e mesatare përgjatë vijës bregdetare, duke u shoqëruar me valëzim të forcës 2.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/32 re diell
Kukës 16/29 re diell shi
Lezhë 23/32 re diell
Dibër 15/26 re diell shi
Durrës 20/32 re diell
Tiranë 21/32 re diell shi
Elbasan 19/32 re diell shi
Berat 18/32 re diell shi
Vlorë 20/31 re diell
Korcë 16/26 re diell shi
Gjirokastër 16/33 re diell shi
Sarandë 20/31 re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Ndërhyrja në kohë e anijes shqiptare “Oriku”, shpëton 140 emigrantë afganë e sirianë

Forcave tona Detare me mision në detin Egje ka ndaluar në tre ditët e fundit 4 gomone të ndryshme me rreth 140 emigrantë afganë e sirianë në bord.

Në bashkëpunim me rojat bregdetare turke dhe greke, anija “Oriku”, pjesë e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, brenda 3 ditëve ka asistuar në shpëtimin e 4 gomoneve, ku udhëtonin të rritur e fëmijë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni i anijes shqiptare “Oriku”.

“MIRËMËNGJES, dhe me pamjet nga aksioni i Forcave tona Detare me mision në detin Egje ku falë ndërhyrjes së tyre në kohë, 140 emigrantë afganë e sirianë, 30 prej të cilëve fëmijë, kanë zbritur shëndoshë e mirë në tokë, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Kryeministri thekson se “që prej vitit 2016, kur Shqipëria u bë pjesë e misionit të NATO-s në detin Egje, janë mbi 2 mijë fëmijë, gra e burra të shpëtuar nga djemtë tanë të Forcës Detare”.

Anija Oriku dhe ekuipazhi i saj janë përballur me një fluks të shtuar emigrantësh të paligjshëm gjatë patrullimit në detin Egje./atsh

Ndërhyrja në kohë e anijes shqiptare “Oriku”, shpëton 140 emigrantë afganë e sirianë Read More »

Tre vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, simboli shqiptar dhe botëror i solidaritetit njerëzor

Si sot tre vite më parë, më 5 shtator 2016, botës i shtua një shenjtor, ajo është Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë.

Sot është dita e shenjtërimit të saj, ku në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Nënë Tereza udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit u shpreh se: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën.atsh

Tre vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, simboli shqiptar dhe botëror i solidaritetit njerëzor Read More »

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, mesazhe urimi nga liderët politikë

5 shtatori, dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është uruar edhe nga liderët politikë.

Me një foto të veçantë, Kryeministri Edi Rama ka uruar ditën e Shenjtërimit të humanistes së madhe shqiptare.

“Gëzuar Ditën E Shenjtërimit Të Nënë Terezës”, shkruan Rama.

Meta: Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës, ditë feste për mbarë kombin shqiptar

Në mesazhin e urimit, Presidenti Ilir Meta e quan 5 shtatorin si një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, por edhe për të gjithë njerëzimin.

“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin. Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale. Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve. Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”, shprehet ai.

Meta ka qenë i pranishëm në meshën e mbajtur në Bizë (Ishëm) nga Padre Serxhio, për Shën Nënë Terezën. “I lumtur ta nisja ditën me pjesëmarrjen në meshën e mbajtur në Bizë (Ishëm) nga Padre Serxhio, për Shën Nënë Terezën”, njoftoi ai.

Ruçi: Shën Tereza, heroina e dhimbjes, apostullja e të varfërve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përkujtoi sot Shën Terezën në 22 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.

“Më 5 shtator 1997 kombi shqiptar dhe gjithë bota, të varfërit, të sëmurët dhe të pambrojturit anembanë Globit humbën Nënë Terezën. Rreth dy dekada më vonë Papa Françesku do të na e “kthente” të gjithëve, tanimë Shenjtoren Tereza, e cila do të vazhdojë përjetësisht tu japë dritë, buzëqeshje, besim e shpresë miliarda njerëzve, adhuruesve e besimtarëve”, shprehet Ruçi.

“Shën Tereza ishte heroina e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore, apostullja e të varfërve, e të dobtëve dhe e të pambrojturve.Shën Tereza ishte dhe do të jetë përjetësisht inspirim sipëror i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë”, vijon Kreu i Kuvendit.

“Ne, shqiptarët, kemi një arsye më shumë për ta kujtuar e për tu krenuar me këtë grua, nobeliste, Nënë dhe Shenjtore, me margaritarin më të çmuar të kombit tonë. Është detyra dhe nderi ynë që t’i bëjmë pjesë të jetës, pasurisë sonë shpirtërore kombëtare dhe sjelljes e veprimeve tona të përditshme mësimet e saj”, shton Ruçi.

“Të udhëhiqemi e ndriçohemi nga dashuria e toleranca dhe të mos na errësohen gjykimet nga mëritë dhe urrejtja”, thekson Ruçi.

Shenjtërimi i Nënë Terezës/ Basha: Sot një ditë reflektimi

Kryetari i PD, Lulzim Basha në mesazhin e tij për 3 vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës shprehet se “sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare”.

“U mbushën 3 vjet nga ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës, 4 shtatorin e 2016-s. Vatikani caktoi si ditë të së Shenjtes më të re të katolikëve 5 shtatorin, ditën kur ajo më 1997-n, shkoi në amëshim. Emocionet e shenjtërimit të Nënë Terezës, i kam të gjalla. Atje, në Selinë e Shenjtë pashë krenarinë shqiptare që shfaqej kudo, në rrugë, me flamuj, me besim dhe me energji, një krenari shqiptare për dhuratën që i kishim bërë njerëzimit. Një bijë shqiptare, një gjak prej gjakut tonë ishte bërë shenjtore, frymëzimi ynë dhe i mbarë qytetërimit për t’ju përkushtuar ndihmës dhe shërbimit ndaj të varfërve, të pamundurve, të sëmurëve”, shprehet Basha.

Më tej, ai thekson se “edhe atë ditë, edhe sot, nuk mund të mos kujtoj vlerësimin e Shenjtit Gjon Pali II për Nënë Terezën. Ishte pikërisht ai, që vetëm dy vjet pas largimit në amëshim, shpalli kundër çdo tradite të Selisë së Shenjtë nisjen e procedurave për lumturimin e Misionares së Dashurisë dhe këto procedura gjithashtu u mbyllën në kohë rekord në vitin 2002, vetëm 5 vjet nga 1997-a. Kur ishte Papa Gjon Pali II në Shkodër, më 1993-in, ai u tha të gjithë shqiptarëve: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë… Ju falenderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falenderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.

“Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës”, shprehet Basha.

“Këmbëngulja dhe besimi se e mira ja del, triumfon mbi të keqen sado me propagandë e maskë tregtari të shitet ajo, gjendet në çdonjërën nga letrat sekrete të Nënë Terezës, të cilat Vatikani, në vendimin e tij për shenjtërim, i dëshmoi si “botëkuptimi i ri, dritarja e re për botën e saj të brendshme, një dritare që tregoi se sa heroike kishte qenë qëndresa e Nënë Terezës në besim dhe në Misionin e saj të Dashurisë”. “Si vjen paqja? Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri”, rrëfente Nënë Tereza para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në vitin 1985, në momentin kur përfaqësuesit e Shqipërisë komuniste e braktisën sallën në shenjë proteste. Dhe puna me dashuri na solli krenarinë për Shenjtëreshën që i dhamë botës. Me dashuri do të përmbushim edhe detyrimin për të dalë nga kohët e vështirësisë ku gjendemi. Me dashuri dhe me frymëzimin që na jep Nënë Tereza. Tek Ajo gjejmë kombin, tek Ajo gjejmë historinë, tek revolucioni i dashurisë që kreu Nënë Tereza në botën tonë gjejmë besimin se ditëve të vështirësisë së pamerituar po u vjen fundi”, thekson ai.

vijon…/atsh

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, mesazhe urimi nga liderët politikë Read More »

Publikohen rezultatet e testimit me shkrim për Patrullë Policie në 4 qarqe

Policia e Shtetit ka publikuar rezultatet e testimit me shkrim për Patrullë Policie për katër qarqe. Testimi që mbajt një ditë më parë u zhvillua në dy faza.

Në fazën e parë në provim, u futen aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier. Në fazën e dytë morën pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër.

Drejtori i Kolegjit Policor, Drejtues Ylli Vasili pohoi se çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve.

Testimi me shkrim është 70% e vlerësimit total, pas kësaj të kualifikuarit kalojnë testet fizike, atletike, për të kuptuar se dikush është i aftë fizikisht për ta përballuar punën. Kjo vlen 20%, e vlerësimit total dhe në fund janë intervistat, test psikologjik, kjo është 10% e vlerësimit total.

Kujtojmë se në datën 3 korrik u hapën aplikimet 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Thirrja e cila duhet të ishte mbyllur me 3 gusht, u shty deri më datën 15 gusht për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk i përmbushnin dot të gjitha kriteret.

Më poshtë, janë rezultatet për aplikantët nga Tirana, Durrësit, Fieri dhe Berati. Maksimumi i pikëve të testimit për Patrullën e Përgjithshme është 100.

Rezultatet_e_Testit_me_Shkrim_Gr.I_4_.9.2019

Publikohen rezultatet e testimit me shkrim për Patrullë Policie në 4 qarqe Read More »

Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke, i shtohen Forcave të Armatosura

Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke i shtohen Forcave të Armatosura.

Lajmi bëhet me dije nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Sipas saj, Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë të shtohen me të rinj të arsimuar në akademitë prestigjioze botërore.

“Forcat e Armatosura vijojnë të shtohen me të rinj të arsimuar në akademitë ushtarake më prestigjioze botërore”, thekson Xhaçka.

“7 kadetë shqiptarë sapo u diplomuan në akademitë turke, përkrah 325 kolegëve të tyre nga 17 vende të botës. Kadetët shqiptarë përfunduan studimet bachelor dhe ato të përgatitjes ushtarake në akademitë e Forcës Tokësore, Ajrore dhe Detare dhe do të kthehen të shërbejnë në FA shqiptare“, deklaron ministrja Xhaçka./atsh

Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke, i shtohen Forcave të Armatosura Read More »