Irina

Basha: Detyra jonë të bëjmë të dëgjohet zëri i qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, vizitoi sërish Durrësin, ku është ndalur të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve. Basha ishte në lagjen 17, ku një pallat ishte i dëmtuar nga tërmeti.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të banorëve, Basha tha se, “qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karriken tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”.

“Edhe po të ishim në role të ndryshme, ne në qeveri dhe ata në opozitë, këtë do kërkoja nga ata. Nuk do kërkoja të bëja fotografi bashkë. Do t’u kërkoja ‘merrni zërin e njerëzve na e sillni dhe shikoni si po e bëjmë ne punën” Se këtë detyrë ka opozita. Po u shkri opozita, nuk ka më kush t’ju mbrojë”, tha Basha.

1 nga 5

Basha tha se, “kemi kërkuar e para, që vlerësimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë profesionale Për këtë kemi këshilluar që të shtohet numri i inxhinierëve, përndryshe vlerësimi shtyhet, e shtyhet, e shtyhet”.

“E dyta, të caktohen fondet, sepse vlerësimi pa fonde është zero. Sot në mëngjes, kanë pranuar një sugjerim që ua kam dhënë gjatë tre ditëve të fundit: që banorëve të zonave rurale që janë me shtëpi, t’u japin para në dorë, ta bëjnë vetë. Sepse koha nuk pret, dimri sapo ka filluar. Çfarë do të bëni, do të rrini me muaj të tërë kështu? Nuk mund të ndodhë kjo”, u shpreh Basha.

“Çfarë duhet: Në radhë të parë të dimë: 1.Sa banorë të Durrësit janë pa strehë. 2. Ku do të qëndrojnë në periudhën e ndërmjetme. 3. Si do të zhvillohet më tej puna e tyre. Ju thoni se i keni këto prona në qendër të qytetit dhe nuk doni t’’i humbni. Sepse kjo është një situatë ku, nga njëra anë ka hallexhinj, nga ana tjetër, ka edhe profiterë, njerëz që shikojnë të nxjerrin diçka nga kjo. Është e pashmangshme kudo. Ku bie tërmeti ka kudo çackej e peshkaqenë. Ne duhet me çdo kusht të shmangim që fatkeqësia e disa njerëzve të kthehet në oportunitet për matrapazë”, tha Basha./atsh

Basha: Detyra jonë të bëjmë të dëgjohet zëri i qytetarëve Read More »

Të dielën, mbrëmje artistike në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, Inva Mula: Fillimi i një aksioni humanitar deri më 31 dhjetor

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula organizon mbrëmjen humanitare pas goditjes së fundit të tërmetit në Shqipëri, më 8 dhjetor, në sallën e koncerteve në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë.

Ftesës së sopranos i janë bashkuar 50 artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë të cilët përmes kësaj mbrëmjeje do solidarizohen për të mbledhur fonde në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Gjatë një konference për shtyp të organizuar sot në Qendrën Kulturore në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë, sopranoja Inva Mula u shpreh se,” tërmeti na preku shumë thellë dhe ajo që ne sot kemi për detyrë është që të mos jemi indiferent në radhë të parë”. “Kjo mbrëmje bamirësie del nga zemra e neve si artistë. Ky publiku që na admiron ka nevojë të shikojë që ne si artistë jemi pranë jo vetëm me fjalë po konkretisht”, tha ajo.

Mula tha se, “ky nuk është një koncert, por një mbrëmje humanitare ku secili nga ne të përcjellë një mesazh dhe ne të arrijmë të prekim aty ku mundemi dhe me ndihma të vogla për të arritur diçka të madhe”.

“Unë e pata këtë si një domosdoshmëri të cilën e ndava me miqtë e mi dhe në asnjë moment nuk ndjeva hezitim, po përkundrazi, 50 artistët dhanë direkt mbështetjen e tyre për këtë kauzë. Ky do jetë fillimi i një aksioni humanitar pasi ne ditën e diel, këtu, fillojmë një maratonë të gjithë zhanreve artistike”, tha ajo.

Në këtë mbrëmje bamirësie do performojnë artistë të ndryshëm: Eranda Libohova, Irma Libohova, Aurela Gaçe, Jonida Maliqi. Gjithashtu, do të ketë dhe këngëtarë të muzikës klasike, Eva Golemi, Vikena Kamenica, pra do jetë një ndërthurje mjaft interesante që nga muzika e lehtë, deri te klasikja.

Gjithashtu shumë aktorë janë kontribues të këtij aksioni si, Zamira Kita, Mirush Kabashi, Eva Alikaj e shumë të tjerë.

“Kjo do jetë një lëvizje e hapur në muajin dhjetor, që përkon dhe me muajin e festave dhe ne do ta lëmë të hapur si nismë deri më datë 31 dhjetor. Në datën 31 dhjetor do arrijmë në konkluzionin që kjo ndihmë që është mbledhur, ky kontribut i artistëve do shkojë aty ku ka nevojë. Po do të dëshironim që kontributi i artistëve të ndërtonte një shkollë, të shkojë tek fëmijët, pra të shkojë atje ku ka nevojë më shumë dhe ku banorët janë më të dëmtuar”, tha Mula. /atsh

Të dielën, mbrëmje artistike në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, Inva Mula: Fillimi i një aksioni humanitar deri më 31 dhjetor Read More »

Kontributet vullnetare/ Policia e Shtetit dhuron mbi 104 milionë lekë për banorët e prekur nga tërmeti

Policia e Shtetit ka depozitua në platformën “e-Albania” 104 milionë e 350 mijë lekë për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, gjatë një konference për mediet, u shpreh se, menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie.

“Më konkretisht, forcat e policisë u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit; dhënien e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë; garantimin e rendit dhe sigurisë; disiplinimin e qarkullimit, duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve; sigurimin e pronës së qytetarëve dhe ruajtjen e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie”, – tha Veliu.

“Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat speciale Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit”, – shtoi kreu i Policisë.

Veliu theksoi se falë kësaj ndërhyrje u shpëtuan 39 jetë njerëzish. “Falë ndërhyrjes së tyre, në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Më pas, duke bashkëpunuar edhe me grupet speciale të vendeve mike, u bë i mundur edhe shpëtimi i disa personave të tjerë”.

“Strukturat policore të DVP Durrës, Tiranë e Lezhë, mbas përfundimit të fazës së parë të operacioneve të kërkim-shpëtimit e deri tani vijojnë të kryejnë shërbim me orë të zgjatura vetëm e vetëm që të garantojnë rendin e sigurinë, paprekshmërinë e pronës, duke rritur prezencën policore në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti”, – tha Veliu.

Kreu i Policisë së Shtetit, tha se institucioni që ai drejton është organizatë ligj-zbatuese, por është humane dhe solidare.

“Punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu sikundër nuk morën parasysh rrezikun për jetën e tyre gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, po me këtë ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti nisën të parët grumbullimin e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti. Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104 milionë e 350 mijë lekë, e cila u depozitua në platformën ‘e-Albania’. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”, – nënvizoi Veliu.

Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

“Dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë apo nëpunës të administratës)”, – theksoi Veliu.

Drejtori i Policisë së Shtetit e mbylli fjalën duke bërë dhe një apel për ata që sulmojnë Policinë e Shtetit. “Apeloj për të gjithë ata që duan të bëjnë politikë, apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin, pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër”, – tha Veliu. /atsh

Kontributet vullnetare/ Policia e Shtetit dhuron mbi 104 milionë lekë për banorët e prekur nga tërmeti Read More »

Linda Rama, pjesë e ekipit të vullnetarëve me eksperiencë në menaxhimin e krizave të krijuara nga fatkeqësitë natyrore

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, është angazhuar si vullnetare në ndihmën e një grupi ekspertësh të huaj kryesisht nga USAID, të cilët po veprojnë në Shqipëri për përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrues të mëngjesit të 26 nëntorit.

Ekspertët e huaj kanë eksperiencë në menaxhimin e krizave të krijuara nga fatkeqësitë natyrore. Pikërisht kjo strukturë ka ndihmuar për hartimin e një formulari tip i standardizuar me modele europiane, që po përdoret për evidentimit e të gjitha dëmeve në të 3 qarqet, Tiranë, Durrës e Lezhë.

Po ashtu, ata janë angazhuar lidhur me metodologjinë që po përdoret për matjet në strukturat e ndërtesave.

Bashkëshortja e Kryeministrit u tregua e rezervuar të fliste për kontributin e saj, por shpjegoi ndihmën që kanë dhënë ekspertët e huaj në këto ditë të pazakonta për Shqipërinë.

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, ka patur më herët eksperiencë në menaxhimin e krizës humanitare gjatë Luftës në Kosovë. /atsh

Linda Rama, pjesë e ekipit të vullnetarëve me eksperiencë në menaxhimin e krizave të krijuara nga fatkeqësitë natyrore Read More »

Veliaj falënderon forcat zjarrfikëse për punën në përballimin e situatës pas tërmetit

Zjarrfikësit janë padyshim heronjtë e përballimit të situatës së vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Pavarësisht se mes tyre kishte edhe nga ata që humbën të afërmit e tyre në Thumanë, qëndruan në krye të detyrës për të shpëtuar çdo jetë nga rrënojat.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shprehu falenderimet e tij të gjithë trupës së zjarrfikëseve të kryeqytetit, të cilët rrezikuan jetën e tyre për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve në këto ditë të vështira.

“Ju jeni heronjtë e vërtetë të këtij qyteti! Na keni ndihmuar edhe në disa nga zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Durrësi dhe Thumana”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se kontributi i tyre ishte dyfish i vlefshëm, pasi nuk i shërbyen vetëm qytetarëve të Tiranës, por edhe atyre në zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Thumana dhe Durrësi.

Por, ndonëse duhet të ishin në krye të detyrës, aty ku dhjetëra jetë prisnin ndihmë për të shpëtuar nga rrënojat, kishte nga ata zjarrfikës heronj, që në këtë tragjedi kishin humbur familjarët e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj i shprehu ngushëllimet efektivit të zjarrfikësve, Arben Cara, për humbjen e të afërmeve të tij në Thumanë dhe theksoi se “Tirana mbetet një derë e hapur për pritjen e të gjitha familjeve që kanë mbetur pa strehë në Thumanë dhe Durrës”.

E ndërsa më e keqja ka kaluar dhe aktiviteti sizmik po shkon drejt shuarjes së plotë, Veliaj theksoi se për trupat e zjarrfikëseve të Tiranës ka ende punë, për të shmangur çdo rrezik që mund t’i kanoset qytetarëve.

“Ju që jeni profesionistë, e dini që nuk ka mbaruar, e dini që ka ende tulla për t’u hequr, oxhaqe për t’u çmontuar e parapeta për t’u kujdesur. Pra, ka ende vende të rrezikshme. Në fakt, i vetmi fatalitet që patëm në Tiranë ishte nga një parapetë që u shemb nga tarraca e një pallati. Sa kohë që kemi ende pallate, ku kërkohet të çmontohet oxhaku, të largohet parapeta, të ulet një parvaz, apo të hiqet edhe tulla e fundit, misioni ynë nuk ka mbaruar”, tha ai.

Sipas Veliajt, bashkia e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë forcat zjarrfikëse të qytetit do të jenë në gatishmëri të plotë deri në festat e fundvitit. Ai shtoi se ky duhet të jetë një moment ku e gjithë shoqëria jonë të reflektojë dhe të bëhet më e mirë dhe më solidare.

Kryebashkiaku bëri të ditur se do të vijojë edhe shembja e tri godinave të amortizuara në Qytetin Studenti, të cilat për shkak të tërmetit janë kthyer në rrezik për jetën e banorëve në atë zonë. Ndërsa, sa i përket strehimit të banorëve që i kishin zaptuar ato, ai tha se ata do të trajtohen njësoj si qytetarët e tjerë të prekur nga tërmeti./atsh

Veliaj falënderon forcat zjarrfikëse për punën në përballimin e situatës pas tërmetit Read More »

Tërmeti i 26 nëntorit/ Arbëreshët kontribuojnë për Shqipërinë

Kryetarët e bashkive arbëreshe të Kalabrisë bashkë me komunitetet e tyre kanë shprehur solidaritetin me popullin shqiptar, që u godit nga një tërmet i fuqishëm në 26 nëntor.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot një video të komunitetit arbëresh në Itali, i cili është angazhuar për të kontribuar për Shqipërinë.

Ata shprehin afërsinë me të dëmtuarit dhe qeverinë shqiptare, duke marrë angazhimin për të vendosur në bilancet e komunave një kontribut në para.

Po ashtu, angazhohen të promovojnë mbledhje të ardhurash, nëpërmjet një llogarie bankare të vetme, të cilat do të çohen për realizimin e projekteve përfundimtare në Shqipëri.

“Ofrojmë gatishmërinë për të pritur e akomoduar studentë e të rinj në nevojë, të zonave të prekura nga tërmeti; të organizojmë aktivitete bamirësie në bashkëpunim me shoqata dhe artistë arbëreshë e të sensibilizojmë qytetarët kalabrezë që të kontribuojnë me ndihma”, thuhet në njoftimin e tyre. /atsh

Tërmeti i 26 nëntorit/ Arbëreshët kontribuojnë për Shqipërinë Read More »

Pasojat e tërmetit, Basha: Duhet veprim i shpejtë, çdo ditë që kalon e rëndon traumën tek qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot në mbrëmje, pas takimeve që pati me banorë të zonave të prekura nga tërmeti gjatë ditës, se “kanë kaluar 11 ditë nga tërmeti dhe ende nuk ka nisuar puna për rikonstruksionin e objekteve të dëmtuara që janë të riparueshme”.

Sipas tij, në lagjen 18 në Durrës disa banorë i treguan se edhe pse pallati i tyre nuk ka dëmtime në strukturë, ata nuk mund të kthehen në banesat e tyre pasi dëmtimet e mureve, paraqesin rrezik për ta.

“Njerëzit ankohen se nuk është interesuar askush për nevojat e tyre dhe se ata vazhdojnë të kërkojnë çdo ditë strehë për të kaluar natën. Disa prej tyre thonë se janë përzënë nga çadrat tek stadiumi dhe janë lënë rrugëve me fëmijë të vegjël”, tha Basha.

“Duhet të nisë puna pa humbur kohë për rikonstruksionin e banesave në mënyrë që banoret ti rikthehen jetës normale. Duhen alokuar fonde pa humbur kohë. Nuk mund të lihen qytetarët në fatin e ndihmave, ndërsa paratë e taksave të tyre shkojnë tek 10 oligarkë”, tha ai. /atsh

Pasojat e tërmetit, Basha: Duhet veprim i shpejtë, çdo ditë që kalon e rëndon traumën tek qytetarët Read More »

Surpriza për Aurelin dhe Alesjon/ Dy fëmijët që i shpëtuan tragjedisë së Thumanës takojnë yjet e futbollit, Ronaldo dhe Buffon

Aureli dhe Alesio, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë u surprizuan sot, ndërsa takuan në Itali sulmuesin e “Juventusit”, Cristiano Ronaldo-n dhe portierin legjendar të “Juventusit” e të kombëtares italiane të futbollit, Gianluigi Buffon.

Në vizitën që u bëri pak ditë më parë në spital dy vogëlushëve që shpëtuan mrekullisht nga shembja e pallatit të tyre, Kryeministri Rama u premtoi se do u sillte respektivisht nga një bluzë, njërit me firmën e portierit Donaruma dhe tjetrit me firmën e Cristiano Ronaldo-s.

Por mesa duket, Kryeministri e tejkaloi sot premtimin e bërë, ndërsa i mori me vete në Itali dy fëmijët.

Në takimin e organizuar në hotelin ku qëndron ekipi i “Juventusit” në prag të sfidës së nesërme me “Lacion”, fëmijët takuan për disa minuta legjendat e futbollit, duke marrë edhe bluzat respektive me autografe.

“Një surprizë për Aurelin dhe Alesjon, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë, e që pasi lanë spitalin duhet të rifillojnë rrugën e jetës, që u’a urojmë të gjatë, me shëndet e gëzime”, tha Kryeministri Rama./atsh

Surpriza për Aurelin dhe Alesjon/ Dy fëmijët që i shpëtuan tragjedisë së Thumanës takojnë yjet e futbollit, Ronaldo dhe Buffon Read More »