Irina

Vendimi për negociatat/ Rama: Përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “liderët e Bashkimit të sotëm Europian që nga Presidenti i Këshillit Europian, tek Presidenti i Komisionit, Komisioneri përkatës për Zgjerimin e kanë thënë më qartë sot, më shkoqur se asnjëherë tjetër se kjo që ka ndodhur është një rezultat i mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare për arsyet e tyre”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin në Detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Rama tha se “kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh drejtpërdrejt nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm në takim, kemi qenë në kontakt edhe gjatë ditës së djeshme, edhe në mbrëmje, me disa prej tyre, kam komunikuar edhe me Presidentin e Francës, Manuel Macron dhe faktikisht nëse nëse duam të shikojmë drejt ne sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh duke e parë nga të gjitha kontaktet, nga të gjitha diskutimet se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë e një pjese të konsiderueshme të frontit që ishte për një ‘Po” të qartë. Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për të pasur një pikë kompromisi duke i vendosur një ‘Por’ ‘Po’-së në mënyrë të përsëritur në takimet mes Kancelares Merkel dhe Presidentit të Francës në javën e fundit që koinciduan edhe me këtë këshill, kjo çështje është diskutuar dhe nuk ka pasur nga ana e tij asnjë hapje”.

“Nuk ka pasur asnjë hapje për të gjitha ato që i dëgjuat vetë dhe që në konferencën e shtypit pas përfundimit të Këshillit i tha ndoshta më shkoqur se herët e tjera, unë e kam dëgjuar edhe më shkoqur se aq: Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces”, – nënvizoi Rama.

Kreu i Qeverisë tha se “Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe kërkon një transformim të vetë procesit të integrimit, madje deri në pikën që të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit, që do të thotë një dhe ndërveprim me Ballkanin Perëndimor që nuk mund të zhvillohet sipas Presidentit të Francës me të njëjtin metodë që është zhvilluar procesi i deritanishëm i zgjerimit”.

“Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këto janë bishta. Në këtë situatë, cilido nga vendet që janë sot në BE dhe të priste mbrëmë konsensus, nuk do ta kishte marrë dot, për arsye se tema është spostuar gjetkë”, – tha Rama. /atsh

Vendimi për negociatat/ Rama: Përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë Read More »

Apeli i Soreca-s: “Sot unë do të doja t’ju dërgoja një mesazh miqve tanë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ju lutem mos hiqni dorë”

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca ka deklaruar sot se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë fajtore për mosdakordësinë e vendeve anëtare të BE për hapjen e negociatave.

Duke cituar deklaratën e Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, Soreca thekson se, “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë fajtorë për këtë”.

“Sot unë do të doja t’ju dërgoja një mesazh miqve tanë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ju lutem mos hiqni dorë”, thekson ai.

“Unë nuk kam asnjë dyshim absolutisht se një ditë do të bëheni anëtarë të plotë të Bashkimit Europian”, përfundon ai./atsh

Apeli i Soreca-s: “Sot unë do të doja t’ju dërgoja një mesazh miqve tanë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ju lutem mos hiqni dorë” Read More »

I mituri shqiptar në Siri/ Rama: Plan për nxjerrjen nga kampi, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë

Kryeministri Edi Rama foli sot lidhur me rastin e fëmijës shqiptar në kampin e ISIS, histori që u bë publike mbrëmjen e djeshme në mediet italiane.

Kryeministri u shpreh se ka komunikuar me babain e djalit, të cilit i ka sqaruar se kjo çështje nuk varet nga ne, ndërsa theksoi se “ka një plan me partnerët për t’i larguar gratë dhe fëmijët nga ato kampe”.

“Dua të ndaj sot një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam marrë prej një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh në Itali, këtu, apo edhe në vende të tjera, mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq ai emision drithërues sipas të gjitha përshtypjeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur, ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës tonë në Turqi, apo e Ambasadorit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është tërësisht e pavërtetë”. “E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensibilitetit të lartë lidhur me personat që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale ISIS”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “shqetësimi ynë ka qenë i lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh”.

Rama informoi se “në bashkëpunim me partnerë amerikanë, ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi dhe disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme”.

“Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as nga ambasada, as ambasadori, sepse aksesi dhe gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht, kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Nuk mund të ndaj më shumë informacione, por dua t’i them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individët dhe në radhë të parë gratë dhe fëmijët, që janë viktima të drejtpërdrejta të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të afërmve, që janë të përfshirë në një situatë dramatike që nuk është zgjedhja e tyre”, – tha Rama.

Kryeministri informoi se ka komunikuar me të afërm dhe babain e djalit dhe ia ka sqaruar se kjo është një çështje që nuk varet nga ne, nuk është çështje e strukturave tona diplomatike, sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm.

“Natyrisht që gazetarët mund të hyjnë në këto kampe, sikundër kolegë të shumë kanaleve të njohura botërisht kanë shkuar dhe kanë arritur të filmojnë deri dhe brenda trupave të ISIS, por nuk është e njëjta gjë, përkundrazi është krejt tjetër për të zhvilluar një operacion tërheqjeje të personave që duhen liruar nga ajo situatë”, – tha Rama.

Duke shprehur gjithë keqardhjen, Kryeministri tha se “kjo është e vërteta dhe se së fundmi situata është edhe më e komplikuar”. “Ju e dini shumë mirë se në atë territor ka një situatë përplasjeje luftarake. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe siç e thashë jemi në koordinim të plotë më partnerët. Ju e patë besoj edhe një thirrje që u bëri Presidenti i SHBA-së vendeve europiane për të tërhequr njerëzit. Asnjë vend deri më sot, përfshi edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve, sepse është një operacion vërtetë i komplikuar”, – tha Rama.

Sidoqoftë, Kryeministri siguroi se “fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë, të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët si SHBA dhe po ashtu edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj këtu në Shqipëri”, – tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se ajo është një zonë ku nuk ka autoritete dhe prandaj edhe kontaktet janë të ndërmjetme dhe transferimi i tyre në kampe me struktura të specializuara është hapi i parë për të bërë, pastaj transferimi përfundimtar.

“Besoj se ky shpjegim është i mjaftueshëm për të nënvizuar faktin se informacioni i dhënë sikur kjo është një çështje vullneti dhe thjesht sikur kërkohet vënie në veprim nga ana e ambasadës nuk është i vërtetë, nuk qëndron”, – tha Rama. /atsh

I mituri shqiptar në Siri/ Rama: Plan për nxjerrjen nga kampi, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë Read More »

Negociatat, Basha për “Euroactiv”: “Vendimi i KE nuk është ai që dëshironim, koha të bëjmë detyrat”

“Vendimi i Këshillit Europian nuk është ai që dëshironim dhe shpresonim. Tani e gjithë energjia dhe fokusi ynë duhet të jetë tek kryerja e detyrave të shtëpisë,” ka thënë kryetari i PD-së Lulzim Basha për Euroactiv.

Basha thekson se Shqipëria ka nevoje për një lidership që të plotësojë kushtet e Bundestagut dhe të realizojë potencialin e plotë për hapjen e negociatave

“Gjermania ka shtruar 9 kushte që përbëjnë udhërrëfyesin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ne duhet gjithashtu të luftojmë me efektivitet krimin dhe korrupsionin dhe të krijojmë mundësi për qytetarët tanë, që do të ndihmojë për të reduktuar emigracionin. Unë kam besim se vendi im e ka potencialin për të përmbushur këto kritere. Tani kemi nevojë për lidershipin që do ta realizojë potencialin e plotë të Shqipërisë”, shprehet ai. //atsh

Negociatat, Basha për “Euroactiv”: “Vendimi i KE nuk është ai që dëshironim, koha të bëjmë detyrat” Read More »

Rama: “Shqipëria nuk ka pse shkon në zgjedhje të parakohëshme se nuk i ka lënë gjë mangut këtij procesi”

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse Këshilli Europian nuk çel negociatat për anëtarësim në BE.

Ndryshe nga homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili e konfirmoi se shteti i tij do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në rast mos-hapje negociatash, Rama tha se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur me Shqipërinë, pasi janë dy kontekste të ndryshme.

Deklarata e Ramës:

Maqedonia e Veriut ka ndryshuar emrin dhe ka bërë diçka që e kanë kërkuar ata, ka bërë një sakrificë për ata, dhe duke bërë këtë sakrificë kryeministri i ka kërkuar popullit të vetë të dalë në referendum. Jemi në kontekste të ndryshme.

Jemi në një kontekst krejt tjetër, jo vetëm që nuk do shkojmë në zgjedhje të parakohshme por ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë që kemi bërë, datën 19 dielli lind përsëri. Shqipëria nuk ka pse shkon në zgjedhje të parakohëshme se nuk i ka lënë gjë mangut këtij procesi. Nëse zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri do të zgjidhnin problemin mes Gjermanisë dhe Francës, do ta bënim.

Rama: “Shqipëria nuk ka pse shkon në zgjedhje të parakohëshme se nuk i ka lënë gjë mangut këtij procesi” Read More »

Albin Kurti: “Jemi të destinuar të kemi një marrëveshje me LDK. Ndryshe do të kemi sërish zgjedhje. Ne nuk kemi frikë nga to”

Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë në news 24 u shpreh se është i detyruar që t’i ketë serbët në qeveri.

Kurti u shpreh se negociatat me LDK kanë filluar por arritja e një plani të përbashkët është ende larg.

“Kemi nisur punën por jemi larg një marrëveshje. Jemi të destinuar të kemi një marrëveshje me LDK. Ndryshe do të kemi sërish zgjedhje. Ne nuk kemi frikë nga to. Kam filluar kontaktet me Listën Serbe..

Trysnia ndaj serbëve për të votuar ‘Listën Serbe’ ka qenë e tmerrshme. Me Listën Serbe nuk kam probleme se nuk është parti. Është instrument i shtetit mbi të cilën Beogradi ushtron trysni që ta përcjellin tek serbët. Kemi 72 ulëse të sigurta.

Ata kanë qëndrime të ashpra kundër Kosovës, a thua se në jemi në vitet 80. Është detyrim kushtetues por jo nevojë politike që unë të bashkëpunoj me ta. Do synojmë 12 ministri që të kemi vetëm një ministër serb. Po i kaluam do na duhen vetëm 2. 30% e kabintetit do të jenë gra. Do ketë dy zv.kryeministra,”-tha Kurti.

Albin Kurti: “Jemi të destinuar të kemi një marrëveshje me LDK. Ndryshe do të kemi sërish zgjedhje. Ne nuk kemi frikë nga to” Read More »

Parashikimi i motit

Moti do të jetë me kthjellime dhe vranësira në shtim deri mesatare në Juglindje ku nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të shiut.

Era do të jetë me drejtim Veriperëndim (NW) me shpejtësi maksimale 7 m/sek në bregdet. Valëzimi i forcës 3 me lartësi vale 0,3- 0,5 metër në det të hapur. Temperaturat do të jenë me rënie graduale.

Temperaturat min dhe max:

Zonat malore 12/23°C

Zonat e ulëta 12/27°C

Zonat bregdetare 15/27°C

Parashikimi i motit Read More »

Kodheli: 25 vende i kanë thënë ‘Po’ Shqipërisë për negociatat, i kemi bërë detyrat që na u caktuan

Ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli gjatë një interviste televizive tha se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat dhe meriton çeljen e negociatave.

Kodheli u shpreh se duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë, pasi shkojmë në Europë me vlerën dhe traditën tonë dhe jo si qytetarë të dorës së dytë.

“Është një moment i vështirë për shumëkënd. BREX-it, rikonceptimi i Macron për një Europë tjetër, i komplikon gjërat. Duhet të jemi krenarë dhe për arritjet tona. Ne nuk shkojmë në Europë si lypsarë, apo qytetarë të dorës së dytë. Ne shkojmë me traditën tonë”, – theksoi Kodheli.

“Europa ka qenë e turbullt edhe në vendimmarrje të tjera të rëndësishme dhe nuk ka qenë domosdoshmërisht ajo që i ka prerë drutë shkurt. Ne do bëjmë përpjekjen tonë duke pasur miq të mirë që është Europa dhe një Perëndim më i largët akoma”, – shtoi Kodheli.

“Vlerat tona i shtohen atyre europiane. Ne jemi në një pozicion fitues, se i kemi bërë gjërat mirë. Bundestagu ka qenë i qartë, ka pasur një ekspertizë të thellë për të na shtruar në tryezë dy gjëra për ta kapërcyer krizën. Këto kanë qenë Gjykata Kushtetuese dhe Kodi i ri Zgjedhor. Kriza kanë edhe vende të tjera, por mënyra se si e zgjidhin është e ndryshme. Ne si shqiptarë nuk duhet të jemi disfatistë”, – tha më tej Kodheli.

“25 apo më shumë vende, besojnë fort se Shqipëria i ka bërë detyrat dhe duhet t’i çelen negociatat, ndërsa disa vende të tjera, për arsye të tyre të brendshme, mendojnë se nuk duhen hapur negociatat për arsye që jo domosdoshmërisht lidhen me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, ajo që ka rëndësi është që ne i kemi bërë detyrat që na u caktuan”, – nënvizoi Kodheli.

“Patjetër që do punojmë për të realizuar kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman. Ne do duhet të punonim për realizimin e 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, edhe sikur negociatat të na ishin hapur pa kushtet e dhëna nga Bundestagu. Ne do të vazhdonim drejt reformës që kemi nisur me seriozitet dhe bindjen se jemi duke bërë gjënë e duhur për vendin dhe për shqiptarët. Sigurisht do kishim shpresuar të ishim një shembull dhe për shqiptarët kudo ku janë, pasi ka vend që shqiptarët mund dhe duhet të demonstrojnë që janë të mirë ndër të mirët”, – theksoi Kodheli./atsh

Kodheli: 25 vende i kanë thënë ‘Po’ Shqipërisë për negociatat, i kemi bërë detyrat që na u caktuan Read More »