Irina

Problematika e bujqësisë në fshatrat e Vlorës/ Diskutohen zgjidhjet me ministrin e Bujqësisë

Problematikat e fshatrave të zonës së Lumit të Vlorës ishin në qendër të një takimi të deputetit të qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave të Bujqësisë, Irfan Tarelli.

Gjatë takimit deputeti Sinaj renditi një sërë problematikash si subvencionimi për çdo krerë i të gjithë blegtorëve, të cilët kanë aplikuar në zyrat e Agropikës dhe janë shpallur fitues paraprakë dhe ndërtimi i kanaleve vaditëse të Peshkëpisë, Mesaplikut, Bratit, Gjormit, Harvalasë, Kallaratit, Bolenës, Dushkarakut, Shkozës, Sevasterit dhe Petës.

Një tjetër çështje e ngritur në këto takime ishte edhe mbrojtja e tokave bujqësore të fshatit Karbunar nga gërryerja e lumit Vjosë si edhe mbrojtja e tokave bujqësore të fshatrave Drashovicë, Vranisht e Kuç nga gërryerja e lumit Shushicë.

“Në vitin 2015, e gjithë infrastruktura e ujitjes dhe kullimit me Vendim të Këshillit të Ministrave, u është transferuar bashkive, përveç kanaleve vaditës parësor që e marrin ujin direkt nga lumi me rrjedhje të lirë ose në rezervuarë, të cilët janë në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, – theksoi Sinaj.

Për këtë arsye, vijoi Sinaj, ministri Çuçi më siguroi se do të shikojë me prioritet kanalin vaditës Peshkëpi-Selenicë si edhe mundësinë e vaditjes së fushave të Lapardhasë e Gumenicës me anë të kanalit të Harvalasë, duke qenë se janë kanale parësore dhe administrohen nga Ministria.

Deputeti Sinaj diskutoi edhe me inxhinierin Andi Vila, me të cilin ra dakord që së shpejti do ta shikojmë nga afër me grupin e punës këtë kanal për të azhornuar projektin e tij.

“Po ashtu do të shikojmë nga afër edhe dëmtimin e tokave bujqësore të fshatit Karbunar, të cilat kanë pësuar gërryerje nga lumi Vjosë. Sa i përket subvencionimit të blegtorëve, u informova se po punohet nga qeveria për nxjerrjen e një vendimi, i cili do të shtojë fondin e AZHBR-së për këtë masë, megjithëse interesimi im nuk do të mbetet me kaq për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi”, – tha Sinaj.

Deputeti i qarkut të Vlorës falënderoi ministrin Çuçi dhe drejtorin Tarelli për mundësimin e këtij takimi dhe për trajtimin me interes nga ana e tyre të këtyre problematikave./atsh

Problematika e bujqësisë në fshatrat e Vlorës/ Diskutohen zgjidhjet me ministrin e Bujqësisë Read More »

Shqipëri-Itali, marrëveshje për shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë në Itali

Shqipëria dhe Italia po punojnë intensivisht për finalizimin e marrëveshjes për shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë në Itali.

Ministria e Shtetit për Diasporën, thekson se, kjo marrëveshje do të jetë rezultat i grupit të punës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit, i kryesuar nga zëvendësministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka e cila është personi përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit.

Për marrëveshjen për shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë në Itali, foli edhe kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama deklaroi se po punohet intensivisht me Shqipërinë për finalizimin e marrëveshjes.

“Kemi kryer një studim për bashkëpunimin tashmë intensiv në gjyqësor dhe polici. Unë përsëris angazhimin e Italisë për forcimin e këtij bashkëpunimi, me vëmendje të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe jam i kënaqur që mund të njoftoj se është arritur një marrëveshje edhe në sektorin e rëndësishëm të transferimit të të burgosurve shqiptarë, tashmë një transferim i parë do të realizohet së shpejti”, u shpreh kryeministri italian Giuseppe Conte./atsh

Shqipëri-Itali, marrëveshje për shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë në Itali Read More »

Rama: Nga janari heqim taksat për koleksionistët e automjeteve me vlera historike

“Do të të heqim taksat në janar të vitit që vjen për koleksionistët e automjeteve me vlera historike”, – theksoi sot Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Në fjalën e tij, Rama tha se “Shqipëria nuk është asnjëherë më shumë tërheqëse sesa kur përmes artefakteve, historia e saj shpaloset në të gjitha format e larmishme që ajo ka pasur dhe siç ndodh me këtë ekspozitë unikale, nganjëherë dhe aq e befasishme saqë natyrshëm njeriu “vret veten” nëse vërtetë të gjitha këto kanë qenë në Shqipëri”, – tha ai.

Rama shtoi se “dhe siç thotë një shtetar francez, i cili i dha shtysën prodhimit të ‘Citroen-ëve’ në një seri shumë të suksesshme, sigurisht që asnjëherë nuk mbarojmë se mikluari nga butësia e llampës me vaj, nga madhështia e anijeve me vela apo nga magjia e ekuipazheve të vjetra”.

“Dhe, këtu sot janë mbledhur në një hapësirë të posaçme të kryeqytetit, automjete ku nuk janë ulur dhe kanë bërë një copë rrugë me katër rrota vetëm për personazhe historikë, qofshin të mirë apo qofshin të këqinj, por edhe njerëz të apasionuar që meritojnë sot një falënderim dhe një mirënjohje të thellë për faktin se kanë arritur t’i sjellin këto skulptura të së shkuarës deri në ditët tona me kaq përkushtim, edhe pse padrejtësisht kanë qenë të rënduar nga taksat absurde të cilat do t’i heqim të gjitha në fillim të janarit të vitit që vjen. Dhe askush më nga koleksionistët e automjeteve me vlera historike nuk do të jetë i detyruar të paguajë taksa, por do të vazhdojë të kujdeset për objektet e çmuara duke pasur edhe të gjithë mirënjohjen tonë në formën e heqjes së taksave”, – theksoi ai.

Në vijim, Rama tha se “këto skulptura të një historie në lëvizje drejt transformimit të vazhdueshëm të botës me katër rrota, janë në fakt froni, janë si të thuash një seli në lëvizje e imagjinatës njerëzore drejt të ardhmes, në formën e dëshirës së pafundme për të vrapuar më shpejt dhe për t’u dukur më bukur gjatë vrapimit”.

“Këto automjete dhe ky aktivitet që edhe vetë si aktivitet do jetë i lëvizshëm, sepse do lëvizë nëpër Tiranë dhe shpresoj edhe më tutje në Shqipëri, janë simbole të të shkuarit përpara dhe jo të mbeturit mbrapa. Dhe sado e larmishme apo e përzishme ka qenë historia nëpërmjet këtyre bukurive që shfaqen sot me radhë të heshtura, por mbartin kujtime të pafundme, e vërteta është që është një histori që na e bën vazhdimisht me sy”, – tha ai.

Në vijim Rama tha se është një histori që na e bën me sy dhe nuk mbaron as me një pasagjer të posaçëm, as me një model të posaçëm, sepse është një histori që thotë gjithmonë se ka edhe më.

“Më tradicional dhe ndoshta më moderni për mbretëruesit shqiptarë, banori që i mungoi këtij pallati, sundoi mbi automjet me ecejaket e tij sesa mbi një fron, dhe madje një gjest të bukur filantropie dhe zemërgjerësie, ishte pikërisht me një automjet, që ai shleu, ‘Mercedes’ i kuq që Hitleri i kishte bërë dhuratë martese dhe që ne e shohim në çdo filmim të 1938-ës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe iu dhurua Kryqit të Kuq Britanik.

“Një mbret-perandor shpëtoi nga plumbi falë një ‘Fiati’, kur u nis nga ky pallat për të kaluar përmes Rrugës së Durrësit. ‘Mercedesi’ me sy bufi dhe me trup balerine i viteve ’50 është ai ku janë puthur dhe janë përqafuar nxehtësisht, Enveri me Hrushovin, me Çu En Lain. Dhe po ‘Mercedes’ nga ata më elegantë kam parë të hipin mbi kurriz dhe t’u zbresin nga kabina të gjithë udhëheqësit e fundit të regjimit komunist dhe të gjithë udhëheqësit e parë të kohës që erdhi pas përmbysjes së regjimit”, – tha ai.

Duke sjellë në kujtesë historinë e automjeteve shtetërore, Rama shtoi se “nuk e di a është këtu në këtë koleksion dhe një ‘Mercedes’ që Sekretari Amerikan i Shteti ia mori borxh Ramiz Alisë. ‘Mercedesi’ i Enver Hoxhës u përdor nga sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s”.

“Pra përmes një makine dhe përmes një koleksioni makinash një histori e tërë kalon para syve dhe mund të vazhdojë pambarim në varësi të njohjes që kemi për të. Megjithatë për 70 vjet automjetet në Shqipëri, sidomos automjetet personale, mbeten një tabu dhe në vitin 1929 regjistri zyrtar i shteti shqiptar tregon se në të gjithë vendin qarkullonin 375 automjete, pothuajse të gjitha ‘Fiat’, aq sa në ato vite makinës i thoshin “fiat’. Me ikjen e Italisë në vendin tonë mbetën 6 mijë makina të cilat deri në vitin 1950 u shtetëzuan dhe pastaj filloi një etapë e dytë e automobilizmit, ku bota e katër rrotave u zëvendësua nga ‘Gazi’, ‘Zisi’, ‘Skoda’ që ishin të gjitha në përdorim shtetëror. Nëse në kohën që në Shqipëri qarkullonte një makinë në orë dhe mjaftonte vetëm një zyrë që lëshonte targa, sot sfida e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është një sfidë marramendëse, për shkak të numrit marramendës të makinave krahasuar me të shkuarën”, – tha ai.

Kryeministri vlerësoi punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

“Për shkak të problemeve marramendëse që janë trashëguar në këtë sektor që ua kanë bërë jetën të vështirë, ndryshe nga unë, ata që kanë dashur një patentë dhe një timon, dhe më vjen mirë që pikërisht sot kur makina nuk është luks, por një nevojë dhe shpeshherë domosdoshmëri për njerëzit, mund të themi se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor po bën vërtet një transformim të shumëpritur për të gjithë ata që kanë punë me të. Një transformim të shumëpritur që po lehtëson ngarkesat e trashëguara të burokracisë, por po zbut përditë të gjithë peshën e rëndë të krijuar nga një sistem i tërë korrupsioni dhe po jep përditë për të gjithë ata që përdorin makina një shembull të vullnetit të mirë për të arritur një sistem i cili është një sistem shërbimi i mirëfilltë dhe jo një sistem rrëmbimi, siç ka qenë për vite të tëra dhe nuk është e rastësishme. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor i ofron një profil të panjohur më parë, profilin e promovuesit të historisë së automobilizmit, profilin e promovuesit të shijes në këtë botë përmes së cilës ka ecur në fakt si në një film gjithë rruga e ambicies së njeriut për të lëvizur më shpejt dhe shkuar më larg, dhe profilin e një institucioni që çdo ditë e më shumë identifikohet me cilësinë, identifikohet me inovacionin dhe qytetarin në kuptimin më të mirë dhe të vërtetë të kësaj fjale. Ashtu si makina, edhe ne kemi një shpejtësi të ndryshme lëvizje, ka ditë malore dhe të parëndësishme që marrin kohë për t’u ngjitur, dhe ka ditë që janë zbritje në tatëpjetë me një shpejtësi të rrufeshme, gati sikur je duke kënduar, – siç thotë Marsel Prusti në një nga veprat e tij”, shprehet ai.

Në fund Rama tha se “përmes këtij koleksioni unikal dhe mundësisë për të anuluar 105 vite mbi katër rrota mes malores dhe tatëpjetave, ditësh të bukura dhe të zymta, Drejtoria e Përgjithshme na jep mundësinë që të gjithë së bashku, duke shijuar këtë eveniment të ndihemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që na japin këtë mundësi”. /atsh

Rama: Nga janari heqim taksat për koleksionistët e automjeteve me vlera historike Read More »

Atentati ndaj prokurorit, Basha: Të zbardhet ngjarja, autorët para drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka konsideruar sot atentatin ndaj prokurorit si një ngjarje të rëndë që duhet zbardhur dhe autorë të të shkojnë para drejtësisë .

“Atentati ndaj një prokurori është ngjarja më e rëndë mafioze që mund të ndodhë në një vend. Ngjarja e sotme tregon se krimi nuk e ka frikë shtetin”, tha ai

Basha, thekson se ngjarja duhet zbardhur dhe autorët të vihen para drejtësisë.

“Zbardhja sa më parë e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënia para drejtësisë e autorëve dhe porositësve të këtij krimi mafioz është jetike për të dëshmuar se shteti nuk ka kapitulluar totalisht para krimit.

Po ashtu Basha inkurajon prokurorët që të mos tremben nga krimi.

“Sonte dua të inkurajoj çdo prokuror dhe punonjës të ndershëm të policisë të luftojnë krimin dhe të mos gjunjëzohen para tij. E di se flas në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, kur ju them se keni në këtë betejë simpatinë dhe mbështetjen mbarë popullore, edhe kur kundër jush e në krah të krimit janë të implikuar segmentet më të larta të pushtetit”, shprehet ai. /atsh

Atentati ndaj prokurorit, Basha: Të zbardhet ngjarja, autorët para drejtësisë Read More »

Mbi 2 mijë të punësuar në një muaj nga ndërmjetësimi i Zyrave të Punës

Ndërmjetësimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka rritur numrin e punësimeve, ku vetëm gjatë një muaji janë punësuar 2626 persona.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj sjell një tjetër rast punësimi nëpërmjet ndërmjetësimit të Zyrave të Punës.

I tillë është shembulli i Albinës e cila pasi kreu praktikën profesionale të mundësuar nga Zyra e Punës në Elbasan, aplikoi për punë pranë një sipërmarrje tekstilesh.

Në përfundim të periudhës së provës, sot ajo është e punësuar me kohë të plotë, pranë kësaj kompanie./atsh

Mbi 2 mijë të punësuar në një muaj nga ndërmjetësimi i Zyrave të Punës Read More »

Tetori rozë/ Tarifa: Asgjë nuk kushton të bësh ekzaminimet periodike

Doktoreshë Dhurata Tarifa, e cila prej 37 vitesh me përkushtim në spitalin Onkologjik në QSUT, ka një apel për të gjitha gratë, në mbyllje të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, në kuadër të “Tetorit rozë”.

“Gjithmonë insistoj tek kujdesi i gruas ndaj vetes së saj. Asgjë nuk kushton të bësh vetë ekzaminimin e gjirit çdo muaj. Përsëri, asgjë nuk kushton të bësh ekzaminimet imazherike, sidomos ekon, që është një ekzaminim pa rrezatim dhe pa kosto”, – thotë doktoreshë Tarifa.

Sipas MSHMS, sot financohen 3 herë më shumë se 6 vite më parë trajtimi i sëmundjeve tumorale duke siguruar akses universal, terapi cilësore dhe shpenzime me të ulta nga qytetarët. Muaji Tetor në gjithë botën “merr” ngjyrën rozë për të ndërgjegjësuar gratë që të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre. /atsh

Tetori rozë/ Tarifa: Asgjë nuk kushton të bësh ekzaminimet periodike Read More »

Takim me historianin dhe arkeologun Jani Koçillari

Aktivitetet e organizuara nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës në kuadrin e Tetorit të Librit u mbyllën dje në Muzeun Arkeologjik me një takim, prezantim dhe diskutim rreth librave të historianit dhe arkeologut nga Durrësi Jani Koçillari. Takimi nxiti një diskutim me mjaft interes, që lidhte përfundimet e studimeve me nevojën për një rishikim të interpretimit të pasurisë sonë arkeologjike, veçanërisht asaj të periudhës ilire.

Koçillari prezantoi librat e tij “Epiri dhe Aleksandër Molosi”, si dhe “Qeramikat me figura të kuqe”. Duke marrë shkas nga këto dy studime, u prekën shumë çështje kritike të arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, interpretimit të saj dhe turizmit kulturor me aktorë të ndryshëm të qytetit. /atsh

Takim me historianin dhe arkeologun Jani Koçillari Read More »

Zyrtarizohet lançimi i rrjetit 5G në qytetet më të mëdha

Kompanitë kineze të telekomunikacionit bënë të ditur se nga nesër në shumë qytete të mëdha në këtë vend do të vendoset shërbimi i telefonisë celulare 5G, duke bërë hapin kyç në ambiciet e Pekinit që të bëhet superfuqi teknologjike.
Në njoftimin e kompanive shtetërore të telekomunikacionit “China Telecom”, “China Unicom” dhe “China Mobile” thuhet se shërbimi i telefonisë celulare 5G do të vendoset në Pekin, Shanghaij, Hangzhou, Guangzhou dhe në qytetet tjera të mëdha kineze.

Më tej thuhet se shërbimet 5G, me çmimet që sillen prej vetëm 128 juanë në muaj, do t’u mundësojnë konsumatorëve kinezë në mbarë vendin që të përdorin shërbime ultra të shpeja të internetit në celular.

Autoritetet kineze njoftuan se planifikojnë që të instalojnë mbi 50 000 stacione bazike të 5G-së në mbi 50 qytete kineze deri në fund të vitit.

Po ashtu planifikohet që shërbimi 5G vitet në vazhdim të jetë i arritshëm në mbarë Kinën./atsh

Zyrtarizohet lançimi i rrjetit 5G në qytetet më të mëdha Read More »