Irina

Shqipëria vendi emocionues për t’u vizituar

Shqipëria është një vend i bukur që gjithmonë e më shumë po bëhet i njohur nga turistët. Plazhe të bukura, male të larta dhe qytete intriguese e bëjnë atë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar, sipas blogut të personalizuar thetravellingtom.com.

”Shqipëria njihet më pak në mbarë botën dhe kjo mungesë njohjeje e bën atë një vend emocionues për ta vizituar. Duke pasur këto gjëra në mendje, me siguri po pyesni veten se kur është periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë. Si pasojë e mungesës së informacioneve mbi Shqipërinë, kjo gjë është e vështirë të dihet. Megjithatë, klima është e ngjashme me atë të shumë vendeve europiane dhe mungesa e turizmit në masë, e bëjnë atë një vend të qetë.

Ky artikull do t’ju sigurojë detaje mbi faktorë të ndryshëm që përcaktojnë periudhën më të mirë për të vizituar Shqipërinë. Përgjigjet janë subjektive, por mund të shërbejnë si udhëzim dhe jo si deklaratë se kur duhet ose nuk duhet ta vizitoni.

Klima në Shqipëri

Klima në Shqipëri është e ndryshueshme, gjë që shkaktohet nga ndryshimet në gjerësi, gjatësi dhe lartësi gjeografike. Shpesh moti mund të jetë i ndryshëm në brendësi të territorit dhe në bregdet.

Vendi ka klimë kryesisht mesdhetare dhe kontinentale, me katër stinë të dallueshme. Megjithatë, ekziston njëfarë dallimi midis zonave bregdetare dhe atyre të brendshme.
Zonat bregdetare kanë klimë mesdhetare, ndërsa zonat në brendësi të territorit dhe ato malore kanë klimë kontinentale me temperatura më të ftohta. Kjo e bën Shqipërinë të ketë verë të ngrohtë e të thatë dhe dimër të butë e të lagësht, që ngjason me vendet e tjera me klimë mesdhetare.

Pranvera

Nëse dëshironi mot të mirë, por jo shumë të nxehtë, muajt nga marsi në maj janë më të përshtatshmit për të vizituar Shqipërinë. Gjatë kësaj pjese të vitit, i ftohti i dimrit është larguar, ndërsa nxehtësia e verës ende nuk ka mbërritur.

Moti në zonat bregdetare është i këndshëm, duke e bërë kështu një periudhë ideale për të vizituar rivierën e mrekullueshme shqiptare, ndërkohë që moti në zonat e brendshme të territorit është i kënaqshëm por jo aq i ngrohtë.

Një vend i mirë për t’u vizituar gjatë kësaj periudhe është qyteti bregdetar i Sarandës. Moti dhe vendndodhja fantastike e bëjnë këtë qytet ideal për një pushim në bregdet.
Duke qenë se në këtë periudhë të vitit nuk ka shumë turistë, do të gjeni plazhe me shumë pak njerëz. Këto muaj mund të jenë më të përshtatshmit për të vizituar Shqipërinë. Do të gjeni mot të këndshëm, pak turistë dhe çmime të lira.

Vera

Vera është periudha më e mirë e vitit për të vizituar Shqipërinë nëse dëshironi mot të nxehtë. Pjesa më e madhe e vendit ngrohet nga rrezet e diellit nga muaji qershor në gusht. Është periudhë e shkëlqyer të vizitoni rivierën shqiptare dhe qytete bregdetare si Saranda.
Megjithatë, mund të bëjë shumë nxehtë. Unë vizitova Shqipërinë gjatë muajit korrik dhe temperaturat ishin shumë të larta. Disa ditë ishte aq nxehtë sa duhej të qëndroja brenda nga ora 11:00 deri në 17:00 sepse ishte shumë shqetësuese të ecje në atë nxehtësi.
Vera është stina kryesore e turizmit në Shqipëri. Rreth 90% e turistëve e vizitojnë atë në muajt e verës. Do të vini re se vendet në këtë periudhë të vitit janë më të populluara sesa muajt e tjerë.
Kjo gjë sjell rritjen e çmimeve të hoteleve, restoranteve, kafeneve, shumica e të cilave hapen vetëm gjatë sezonit të verës. Shpesh në zonat bregdetare ndodh kështu.

Megjithatë ka dhe lajm të mirë. Sezoni i turizmit në Shqipëri nuk është aq i populluar sa pjesa tjetër e Europës. Do të mundeni të lëvizni me lehtësi dhe nuk do përballeni më turma njerëzish në vende si, Barcelona.

Vjeshta

Vjeshta është një nga periudhat më të bukura për të vizituar Shqipërinë. Temperaturat janë më të freskëta sesa gjatë verës, por ende të ngrohta për të shijuar peizazhin e bukur që ofron vendi. Me kalimin e muajve, temperaturat fillojnë të ftohen, por rënia e tyre ndjehet më së shumti në muajin nëntor. Temperaturat e freskëta krijojnë një kohë të mrekullueshme për të dalë jashtë dhe vizituar disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë.

Në këtë periudhë të vitit, qyteti i Krujës është shumë i këndshëm, ndërsa një vizitë në Berat, qytetin e 1000 dritareve, do të ishte një ide shumë e mirë. Vjeshta është një periudhë shumë e mirë për të eksploruar vendin. Do të gjeni pak njerëz dhe çmimet janë më të lira sesa gjatë muajve të verës.

Dimri

Dimri nuk është domosdoshmërisht periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë. Moti është më i ftohtë sesa muajt e tjerë, me temperatura që bien menjëherë. Në rivierën shqiptare është tepër ftohtë për të shëtitur.

Në brendësi të territorit është akoma më ftohtë, me temperatura që në disa vende shkojnë nën 0°C. Megjithatë, nëse ju pëlqen shëtitja në dimër, është periudhë shumë e mirë për të vizituar malet, në veçanti malin e Korabit, më i larti në vend.

Pavarësisht motit të ftohtë, Tirana është një nga destinacionet dimërorë më të mira të Europës. Në qytet do të gjeni pak ose aspak turistë dhe mund ta shijoni qëndrimin aty, pavarësisht motit të ftohtë. Një e mirë e vizitës në Shqipëri gjatë dimrit është se atje nuk është aq ftohtë sa në vendet e tjera të Europës.

Festivalet në Shqipëri

Në Shqipëri zhvillohen shumë festivale gjatë vitit. Nga Festivali i Këngës Popullore e deri te Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, do të gjeni evente të shumta, rreth të cilave mund të planifikoni vizitën tuaj.

Festivali i Këngës Popullore

Ky festival zhvillohet çdo mars dhe siç mund ta kuptoni nga titulli, ka të bëjë me këngët popullore. Nëse dëshironi të përfshiheni në kulturën e Shqipërisë, atëherë ky festival është mundësi shumë e mirë për ta bërë këtë gjë. Stili është i ndryshëm nga festivalet tradicionale që mund të prisni, pasi është ndryshuar gjatë qindra viteve. Në ditën e parë të pranverës, ky festival zhvillohet në qytetin e Elbasanit, që mirëpret performues nga i gjithë vendi.

Festivali Kala

Festivali Kala është një nga eventet më të reja në Shqipëri. Zhvillohet çdo qershor në Dhërmi. Vendndodhja në rivierën shqiptare do të thotë se është festival i njohur, pranë plazheve të mrekullueshme. I organizuar për herë të parë në vitin 2018, ky është i festivali i parë ndërkombëtar në Shqipëri. Festivali zgjat rreth një javë dhe mirëpret DJ-të më të mirë për të performuar.

Festa e birrës ”Korça”

Nëse pëlqeni birrën, Festivali i Birrës në Korçë është vendi i duhur për ju. Çdo vit festivali shërben mbi 14 000 birra gjatë 4 netëve festimesh. Birra Korça është më e njohura në Shqipëri dhe prodhohet po në këtë qytet, nga i cili merr dhe emrin. Ky festival mendohet të jetë më i madhi në Shqipëri. Aty do të gjeni ushqim tradicional, muzikë, kërcim dhe sasi të bollshme alkooli.

South Outdoor Festival

Organizohet gjatë fundit të muajit prill dhe fillimit të majit dhe zhvillohet çdo vit në vende të ndryshme të jugut të Shqipërisë. Festivali zgjat tre deri në katër ditë dhe ju jep mundësinë të përfshiheni në aktivitete të ndryshme si, fluturime me parashutë, tur me biçikleta dhe shëtitje. Festimet vazhdojnë edhe gjatë natës ku performojnë banda muzikore vendase dhe gjenden stenda që shesin ushqim tradicional.

TIFF

Festivali ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) ishte i pari i llojit të tij kur u organizua për herë të parë në vitin 2003. Nëse ju pëlqejnë filmat, ky është një event rreth të cilit mund të planifikoni vizitën tuaj. Festivali shfaq lloje të ndryshme filmi, duke varjuar nga filmat me metrazh të shkurtër deri te ata me metrazh të plotë. Mbahet çdo nëntor”, përfundon blogu i personalizuar thetravellingtom.com./atsh

Shqipëria vendi emocionues për t’u vizituar Read More »

Mbrojtja nga diskriminimi, Shqipëria hapa para për personat me aftësi të kufizuara

“Për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri vitet e fundit janë bërë hapa përpara. Kemi modele të suksesshme të përfshirjes sociale dhe gjithnjë e më tepër po flitet për të drejtat e tyre”, u shpreh sot Darjan Konomi, komisioner për mbrojtjen nga diskriminimi.

Në vijim, Konomi shton se “Shqipëri edhe pse janë bërë ndryshime ligjore në përputhje me konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara mbetet ende shumë për t’u bërë sa i përket zbatueshmërisë. Mbi të gjitha mbetet shumë për t’u bërë sa i përket ndryshimit të mentalitetit. Të gjithë duhet të kuptojnë se integrimi i një personi me aftësi të kufizuara në shoqëri si pjesë aktive e saj është një e mirë jo vetëm për individin, por për shoqërinë në tërësi. Aktivist të kësaj kategorie shprehen se nuk kërkojnë lëmoshë, por politika dhe mundësi të barabarta dhe njëkohësisht dhe trajtim të barabartë jo vetëm sa i përket të drejtave por edhe detyrimeve”.

“KMD ka qenë dhe do të jetë gjithnjë pranë grupeve vulnerabël duke i trajtuar ata si partner të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e parimit themelor kushtetues, barazisë”, tha ai./atsh

Mbrojtja nga diskriminimi, Shqipëria hapa para për personat me aftësi të kufizuara Read More »

Sarandë/ Takim përgatitor për masat e sezonit të ardhshëm turistik

Ende pa u mbyllur viti turistik 2019, bashkia e Sarandës dhe kryetari i saj, Adrian Gurma, inicuan një bashkëbisedim me operatorë turistikë të Njësisë Administrative Ksamil dhe subjekte të shërbimeve mbështetëse, me sloganin “Suksesi i sezonit turistik 2020, nis sot!”.

Kreu i Bashkisë Adrian Gurma tha se është i prirur t’u japë ritëm të ri punëve dhe kjo është duke ndodhur, pasi ndërkohë që Ksamili vazhdon të trajtojë turistë, sidomos të huaj, shikimi dhe mendimi shkon tek vera që presim. Ai ka nënvizuar se Bashkia gjatë 2020 do të ofrojë partneritet të vërtetë me biznesin, duke iu gjendur pranë jo vetëm me komunikim, por edhe me zgjidhje optimale, që do të jepen pa zvarritje burokratike.

Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Gurma tha se do të ketë një rigorozitet maksimal në zbatimin e marrëveshjeve që lidhen dhe sanksione deri në anullim të tyre, në rast se ato shkelen. “Bashkia, në të gjitha stafet dhe drejtoritë përkatëse, deri në ato të varësise, – siguroi bizneset zoti Gurma – do të jenë të hapur dhe të disponueshëm për të ofruar dhe bërë me të mirën, pasi ky është interesi i përbashkët”.

Nga të pranishmit kapja e momentit, kjo mënyrë e re komunikimi dhe ofrimi, u vlerësua si një hap që hidhet për herë të parë nga ana e Bashkisë dhe se kështu fitohet mjaft kohë për të nisur sa më herët punët për përgatitjen e sezonit të ri turistik 2020.

Biznesmenë dhe operatorë turistikë që e morën fjalën, sollën praktikat më të mira të punës manaxheriale gjatë një viti që u vecua si më i miri, ndërkohë që nuk u lanë pa thënë mungesat apo pikat e dobëta që u vunë re.

Lidhur ngushtë me këto problematika, biznesmenët dhe operatorët ksamiliotë bënë sugjerime konkrete për investimet që me përparësi duhet të zënë vend në projektbuxhetin e Bashkisë për 2020, që është duke u hartuar. /atsh

Sarandë/ Takim përgatitor për masat e sezonit të ardhshëm turistik Read More »

Ambasada e SHBA-së, financim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri

“Shqipëria ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ofron financim për të ndihmuar në ruajtjen e saj”, shprehet ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Ambasada e SHBA sqaron se pranon projektpropozime për këtë program deri më 30 nëntor 2019.

“Byroja e Arsimore dhe Kulturore (ECA) ofron një sërë programesh, duke përfshirë programe të përqendruara nga të rinjtë për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme dhe për të krijuar lidhje të qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. ECA ofron programe për nxënës të shkollave të mesme, universitare dhe të diplomuar, si dhe mundësi të zhvillimit profesional”, sqaron ambasada e SHBA-së./atsh

Ambasada e SHBA-së, financim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri Read More »

Vlorë, prezantohet plani vendor për sigurinë publike

Këshilli Vendor i Sigurisë në Vlorë u mblodh ditën e premte për të prezantuar hapat e ndërmarra nga ana e Bashkisë në funksion të sigurisë publike. Gjithashtu në këtë takim u diskutua mes gjithë anëtarëve të këshillit vendor mbi sfidat dhe problematikat në këtë drejtim.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, të cilët do të ndihmojnë në fuqizimin e KVS përmes hartimit në bashkëpunim të planit vendor për sigurinë publike dhe trajnimeve të aktorëve të përfshirë.

Kjo strukturë vendore është krijuar bazuar në VKM nr.83, datë28.01.2015 “Për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale” (i ndryshuar), bazuar në Nenin 29 ”Funksionet e Bashkive në fushën e sigurisë publike” të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeversjen Vendore”, pika ’3/d’ e Nenit 11, pika 2 Nenit 78 dhe Neni 79 të Ligjit 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe në funksion të detyrave specifike të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Nr.60, datë 26.03.2018 “Për Përbërjen e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike”. /atsh

Vlorë, prezantohet plani vendor për sigurinë publike Read More »

Nëntori i festave, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbushet me heronjtë e Luftës

Fotografitë e heronjve që luftuan për të sjellë çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë janë vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Bashkë me flamurin kuqezi, portretet e luftëtarëve të lirisë që nuk kursyen as jetën e tyre Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mujo Ulqinako, Vasil Shanto etj, janë vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërkaq, në vigjilje të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në të gjitha objektet që nderojnë rolin dhe luftën e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pjesë e këtij projekti është edhe rehabilitimi i ambienteve të Parkut Memorial të Varrezave të Dëshmorëve. Gjithashtu, kryeqyteti ka filluar që të vishet me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve të kryeqytetit që të bëhen pjesë e këtyre ditëve festive dhe të vendosin në ballkonet e shtëpive flamujt Kuq e Zi. Festat e Çlirimit dhe Pavarësisë do të bëhen akoma më të bukura nëse secili prej nesh do të vendosë nga një flamur apo simbol kombëtar në dritaret dhe ballkonet e shtëpive. Kryeqyteti ka hyrë në muajin e festave kombëtare, çka po ndihet edhe në të gjithë rrugët e Tiranës. /atsh

Nëntori i festave, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbushet me heronjtë e Luftës Read More »

Meta: Pa medie të lirë, rruga e Shqipërisë në BE është e pamundur

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve, presidenti Ilir Meta shprehet se “pa medie të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur”.

Presidenti Meta e konsideron lirinë e medieve të përkeqësuar.

“Liria e medias në vendin tonë fatkeqësisht është përkeqësuar ndjeshëm. Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu. Censura dhe autocensura ndihen qartësisht në raportimet e tyre të përditshme. Presionet politike të tejskajshme dhe të shumëllojshme kanë mbyllur emisione televizive dhe kanë larguar nga ekranet figura të spikatura të gazetarisë. Ndërsa panelet e emisioneve politike të mbrëmjes më shumë orientohen nga interesat e oligarkëve dhe PPP-ve, se sa nga interesi publik dhe kombëtar”, -tha ai.

Duke folur për portalet dhe lajmin e rremë, Meta shton se “Shumë portale në të zezë e kanë ngritur “Fake News” në sistem, duke u vënë në shërbim të shtetit të propagandës. Ndërsa praktikat e “kasetave të gatshme” dhe të transmetimeve me “regji qendrore” po u imponohen gjithmonë e më shpesh televizioneve.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve apeloj me forcë heqjen dorë nga dhuna fizike e psikologjike, kërcënimi, shantazhimi dhe çdo lloj presioni, ngado që të vijë, ndaj gazetarëve.Shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe i inkurajoj të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur, në funksion të interesit publik e kombëtar, transparencës e llogaridhënies në çdo nivel shtetëror. Integriteti profesional e njerëzor i tyre të respektohet rigorozisht dhe askush të mos guxojë, për asnjë arsye të intimidojë një gazetar në krye të detyrës. Duke dënuar me forcë dhe ashpërsi çdo formë dhune ndaj reporterëve, theksoj se fjala e lirë dhe liria e medias janë një kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”,- tha ai. /atsh

Meta: Pa medie të lirë, rruga e Shqipërisë në BE është e pamundur Read More »

Dhjetëra kilometra kanale/ Braçe: Vaditje për gjithë fushat e Myzeqesë

“E gjithë Myzeqeja nën ujë. Janë dhjetëra kilometra kanale që do ribëhen nga e para”, tha sot zëvendëskryeministri Erjon Braçe, ndërsa theksoi se ajo që u premtua, u mbajt.

“Në punë, e gjithë Myzeqeja nën ujë, në çdo parcelë. Kemi thënë, do mbajmë fjalën. Kjo ku po punohet është dega e Cukasit; Do vadisë gjithë jugun e Lushnjës, nga Fier Shegani në Imashte e Kallm”, shprehet zv.kryeministri Erjon Braçe.

Po ashtu, Braçe shtoi se “Bujqit e kërkuan, ne po e bëjmë. Ua thashë në verë, nuk e besuan, tani shohin veprën; Janë dhjetëra kilometra kanale që do ribëhen nga e para”. /atsh

Dhjetëra kilometra kanale/ Braçe: Vaditje për gjithë fushat e Myzeqesë Read More »