Irina

“Shqipëria punon tokën”, promovim prodhimit vendas

Panairi më i madh i bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit “Shqipëria punon tokën” do të zhvillohet në datat 9 dhe 10 nëntor 2019, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ftoi sot gjithë qytetarët që të mos humbin këtë event, që promovon produktet shqiptare.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën për të mos humbur Takimin e madh të Bujqësisë që në datat 9-10 Nëntor mbledh në Sheshin Skënderbej, Tiranë, fermerët nga gjithë vendi me produktet e tyre më të mira, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Panairi i këtij viti vjen pas suksesit të vjetshëm, si eventi më i madh bujqësor dhe blegtoral në shkallë vendi, i cili sjellë aromën e prodhimit autokton shqiptar dhe më të mirën e industrisë së përpunimit ushqimor në vend.

Në këtë edicion pritet një pjesëmarrje më shumë se 659 fermerë që ishin vitin e kaluar nga e gjithë Shqipëria, e mbi 70 sipërmarrje ushqimore dhe 39 bashki.

Hapësira ekspozuese prej 23400 m2 në zemër të Tiranës do të kthehet në arenën më të madhe ekspozuese të produktit, traditës, muzikës dhe kulinarisë shqiptare, ku mjeshtrat e kuzhinës dhe restorantet, do të ofrojnë mundësinë e degustimit të recetave më të spikatura./atsh

“Shqipëria punon tokën”, promovim prodhimit vendas Read More »

Pritej të përballej me Vetingun, jep dorëheqjen gjyqtari Agim Bendo

Agim Bendo, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ka dhënë dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Siç njoftohet nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor, në mbledhjen e sotme do të shqyrtohet si pikë e fundit të rendit të ditës, pikërisht projektvendimi “Për mbarimin e statusit të magjistratit, të gjyqtarit Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit”.

Verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Agim Bendo, kanë nisur gjatë muajit shtator të vitit 2018, ndërsa në ditët në vijim pritej që gjyqtari të dilte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mbledhja e sotme e KLGJ ka në rend të ditës pesë pika. Fillimisht KLGJ do shqyrtojë raportin e informacionit periodik të Kryetarëve të Gjykatave në lidhje me veprimtarinë gjyqësore, për periudhën Prill-Qershor 2019. Më pas KLGJ, do shqyrtojë projektvendimin për trajnimin e magjistratëve, si dhe disa ndryshime mbi magjistratët udhëheqës. Po ashtu do verifikojë kushtet dhe kriteret ligjore të kandidimit për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profil gjyqtar, të kandidatit Elis Dine. /atsh

Pritej të përballej me Vetingun, jep dorëheqjen gjyqtari Agim Bendo Read More »

Manastirliu bën check up-in, dyfishohet numri i qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka kryer mëngjesin e sotëm kontrollin mjekësor bazë periodik pranë qendrës së saj shëndetësore në Tiranë, ku u shpreh se vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, 411 mijë qytetarë kanë kryer check up-in.

“Ka ndryshuar qasja e qytetarëve që vijnë tek mjeku i familjes jo vetëm kur kanë problematika me shëndetin por për kontrollin mjekësor periodik dhe këtë e tregojnë të dhënat. Këto 10 muaj janë më shumë se 411 mijë qytetarë që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe që nga viti 2015 kur nisi ky program, janë kryer 1.4 milionë kontrolle mjekësore”, tha Manastirliu.

Aktualisht ka dyfishim të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë që nga viti 2015, kur nisi ky program kombëtar për shëndetin e popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve.

Duke theksuar se ka një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve pasi vihet re se këtë vit ka një rritje të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në qarqet Kukës, Dibër, Berat dhe Gjirokastër, Manastirliu u shpreh se rezultatet që ka prodhuar kontrolli mjekësor bazë janë shumë të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve, uljen e invaliditetit dhe mortalitetit nga sëmundjet kronike.

Të dhënat tregojnë se në rang kombëtar 26,2% e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë kanë vlera të larta të Kolesterolit (yndyrna të larta) që rrezikojnë të preken nga probleme të enëve të gjakut, zemrës dhe trurit nëse nuk ndryshojnë stilin e jetesës. Në rang kombëtar 14,5 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë pre-diabetik ndërsa 8,6 % janë me diabet.

Në rang kombëtar 13,4 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë anemikë; 6,73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me rritje të vlera të larta të enzimave të mëlçisë.

Janë zbuluar nga Kontrolli Mjekësor Bazë 400 raste me forma të ndryshme të leucemisë, të cilat janë ndjekur në kohë.

Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme. /atsh

Manastirliu bën check up-in, dyfishohet numri i qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë Read More »

Reshjet e shiut – Mamaj: “Po punohet për mbrojtjen e urës së fshatit Vanë në Delvinë”

Ura e fshatit Van në Delvinë, rreth 70 metër e gjatë është dëmtuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se ura është e bërë e pakalueshme dhe po punohet nga kryetarja e bashkisë, Majlinda Qilimi, me bizneset private dhe kapacitetet e bashkisë të bëjnë mbrojtjen e urës nëpërmjet hedhjes së gurëve masivë”.

“Pas kësaj do të ndërhyhet me një vinç për të vendosur bazamentin që ura të bëhet e kalueshme”, – tha Mamaj.

Ura lidh 350 banorë të fshatit Van me rrugën nacionale.

Në lidhje me situatën e reshjeve në bashkitë e tjera të qarkut të Vlorës, Prefekti Mamaj bëri të ditur se “në bashkitë e tjera të qarkut nuk është shënuar asnjë problem dhe të gjitha rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme”.

Vendi ynë është përfshirë sot nga reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë. Reshjet janë në formën e rrebesheve, stuhive dhe breshërit shoqëruar me shkarkesa elektrike./atsh

Reshjet e shiut – Mamaj: “Po punohet për mbrojtjen e urës së fshatit Vanë në Delvinë” Read More »

Ligji për Rininë/ Shahini: Rrit përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje

Gjatë seancës së sotme plenare Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kërkoi votimin për “Projektligjin e Rinisë”, një ligj i cili për herë të parë do të krijojë mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë.

Shahini tha se, “pas konsultimit me të rinjtë në gjithë Shqipërinë sot prezantoj një ligji i cili për herë të parë krijon mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë në Republikën e Shqipërisë. 25% e popullsisë shqiptare janë të rinj nga mosha 15-29 vjeç. Këta të rinj përveç punësimit dhe shkollimit kanë nevojë edhe për aktivitete të tjera në jetën e tyre. Ata kanë nevojë të angazhohen për të mirën publike, të argëtohen dhe të shoqërohen si aktivitete që mundësojnë socializimin e tyre dhe që rrisin empatinë për të tjerët. Ata gjithashtu kanë nevojë të çojnë përpara idetë novatore që vetëm të rinjtë mund të kenë dhe që kanë impakt për gjithë shoqërinë”.

“Shkollimi dhe punësimi i të rinjve janë adresuar me ligje të tjera. Është pjesa e mbështetjes së organizimit rinor, përfaqësimit në vendimarrje dhe financimi publik i aktiviteteve rinore që rregullohen me këtë ligj. Ligji bën disa gjera që përpara nuk kanë qenë të mundura. E definon rininë si persona me moshën 15-29 vjeç, identifikon dy kategoritë e organizmit rinor që janë organizatat rinore të përbëra nga të rinjtë dhe organizatat për të rinjtë që janë organizata që zbatojnë projekte prej të cilave përfitojnë të rinjtë”, tha Shahini.

Ajo shtoi se, “për herë të parë mundëson financimin publik të këtyre organizatave. Këto organizata bashkarisht mund të themelojnë një organizatë përfaqësuese që mundëson realizimin e dy qëllimeve, gjithëpërfshirjen e të rinjve si dhe bashkimin e forcave të organizatave të ndryshme në mënyrë që Shqipëria të mund të përfaqësohet sa më mirë ndërkombëtarisht dhe të ketë akses në financime të ndryshme nga Bashkimi Europian”.

“Objekti i këtij ligji është mbrojtja e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse, krijimi i kushteve për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve. Përcaktimi i funksioneve dhe kompetencave të institucioneve në nivel qendror dhe vendor si dhe bashkëpunimi me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë”, theksoi Shahini.

Ajo vijoi se, “ligji është ndërtuar mbi disa parime bazë që janë shumë të rëndësishme, parimi i mosdiskriminimit, parimi i lirisë së organizmit dhe iniciativave rinore të vetqeverisjes së organizatave, parimin e mundësive të barabarta dhe garantimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikbërse në fushat që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve”.

“Garantimi i pjesëmarrjes sigurohet përmes themelimit të dy institucioneve të reja që themelohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë. Është Këshilli Vendor Rinor pranë secilës bashki me përbërje nga të rinjtë e përzgjedhur nga vet organizatat rinore dhe do të ketë dhe përfaqësuese të institucioneve të tjera që merren me politika rinore në nivel bashkiak. Gjithashtu do themelohet dhe Këshilli Kombëtar Rinor me përbërje nga të rinjtë prap të përzgjedhur nga organizatat rinore dhe do ketë përfaqësues nga ministritë e tjera të cilët marrin vendime që prekin të rinjtë”, përfundoi ministrja Shahini. /atsh

Ligji për Rininë/ Shahini: Rrit përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje Read More »

Lleshaj me Ambasadorët e Paqes: Secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen, edhe luftën

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar një takim me Ambasadorët e Paqes që prej vitesh janë aktivë në Shqipëri. Ministri Lleshaj gjatë këtij takimi të zhvilluar në Lezhë, ka vlerësuar punën e përditshme të Ambasadorëve të Paqes me komunitetin që prej vitit 1997 në Shqipëri.

“Me shumë vlerë takimi dhe biseda me Ambasadorët e Paqes, të cilët kanë vite që janë aktivë në Shqipëri dhe kanë lënë gjurmë, në Tiranë e mjedise të tjera. Njoh rolin dhe kontributin e madh të themeluesit, Dom Antonio Sciarra-s, si dhe të tjerëve, që u bënë iniciatorë të kësaj nisme në vitin e mbrapshtë 1997!” shprehet Lleshaj.

“Ambasadorët e Paqes kanë lindur si përgjigje ndaj luftës, ndaj konfliktit, ndaj dhunës, – theksoi ministri i Brendshëm, sipas të cilit, secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen edhe luftën; edhe konfliktin, edhe mirëkuptimin; edhe të keqen, edhe të mirën. “Puna është se si dhe çfarë duhet të bëjmë ne që t’i japim rrugë të mirës”, theksoi ai.

Ministri shprehet gjithashtu se veprat e ambasadorëve të paqes kanë lënë gjurmë te komuniteti në nevojë.

“Edhe në botë, siç ka vende që jetojnë në paqe prej shumë e shumë shekujsh, ka vende që po ashtu jetojnë në luftë prej shumë e shumë kohësh. Njerëz janë të dyja palët, thjesht njëra palë ka qenë në gjendje t’i hapë rrugë të mirës dhe të ndërtojë paqen, të tjerët nuk kanë mundur”, nënvizoi Lleshaj.

“Krejt arti është si ta ndërtojmë paqen në një situatë, në një vend ku njerëzit janë të prirur në fakt për të bërë dhe luftën. Si ta transmetojmë vlerën?! Nuk na mjafton vetëm fjala, që sigurisht është e rëndësishme. Nganjëherë është më e rëndësishme modeli që jep, sesa fjala që thua. E gjeta këtë frymëzim tek puna dhe veprat e ambasadorëve të paqes dhe gjithçka ata bëjnë, përditë, me komunitetin në nevojë në zonën e Lezhës dhe rrethinat,” shprehet ministri Lleshaj. /atsh

Lleshaj me Ambasadorët e Paqes: Secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen, edhe luftën Read More »

Vetingu në polici/ Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nis këtë javë seancat e para

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të zhvillojë këtë javë seancat e parë të procesit të vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Të martën, më datë 5 nëntor 2019, në orën 12:00 do të zhvillohet seanca për subjektin e vlerësimit kalimtar, Oltion Shehu, shef i Sektorit të Ankesave, SHÇBA.

Trupa e vlerësimit për këtë subjekt do të përbëhet nga Marjeta Gjelaj, Ela Kerka dhe Ana Kapaj.

Ndërkohë më datë 8 nëntor, ditën e premte, në orën 12:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore për subjektin e vlerësimit kalimtar, Adriatik Ago, zv/drejtor i Përgjithshëm, SHÇBA.

Trupa e vlerësimit për këtë subjekt do të përbëhet nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku dhe Elida Liko. /atsh

Vetingu në polici/ Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nis këtë javë seancat e para Read More »

47 mijë ndërhyrje kirurgjikale me siguri të lartë, 7,3% më shumë se një vit më parë

Në dhjetë muaj, 47 mijë pacientë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale me standarde dhe siguri të lartë falë sterilizimit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se në vitin 2019 janë kryer 7,3 % më shumë ndërhyrje të kompleksitetit të lartë krahasur me një vit më parë.

Referuar shifrave, ministrja thotë po ashtu se janë kryer 12 % më shumë ndërhyrje kirurgjikale të kompleksitetit të mesëm krahasuar me 2018.

“47 mijë pacientë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale me standarde të larta, me siguri të lartë. 7.3 % më shumë ndërhyrje të kompleksitetit të lartë së një vit më parë. 12 % ndërhyrje kirurgjikale të kompleksitetit të mesëm më shumë se një vit më parë.
9 centrale sterilizimi janë investuar në spitalet rajonale të vendit. Më shumë se 90 mijë sete instrumente kirurgjikalë përdorin mjekët tanë kirurgë”, -tha Manastirliu.

Ajo ka thënë se asnjë qytetar nuk është ankuar për marrjen e shërbimit në kohë dhe me cilësi.

Më herët, ministrja Manastirliu ka thënë se më shumë se 194 mijë ndërhyrje kirurgjikale në 153 salla operacionesh të sterilizuara janë realizuar me standardet më të larta që prej fillimit të sterilizimit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë infeksionet spitalore janë ulur me dy herë, duke shtuar se falë investime në spitalet rajonale sot qytetarët mund të kryejnë ndërhyrje të suksesshme afër vendbanimit pa qenë nevoja të vijnë deri në Tiranë.

Pjesa më e madhe e mjeteve të përdorura deri tani në QSUT apo edhe spitale të tjera i përkisnin viteve ’70./atsh

47 mijë ndërhyrje kirurgjikale me siguri të lartë, 7,3% më shumë se një vit më parë Read More »