Irina

Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria moment historik/ Rama: Nisim një kapitull që na nderon në një rol që kurrë s’e kemi pasur në skenën ndërkombëtare

Shqipëria për herë të parë merr nesër zyrtarisht kryesimin e OSBE-së dhe do ta drejtojë atë përgjatë vitit 2020. Kryeministri Edi Rama gjatë konference për shtyp sot në Vjenë, e cilësoi këtë angazhim historik për Shqipërisë.

“Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria është një arritje fantastike e Shqipërisë. Kjo organizatë është krijuar 45 vite më parë dhe Shqipëria ka qenë jo vetëm vendi i vetëm europian që e refuzoi, por edhe e goditi pamëshirë që në krijim dhe sot ne jemi me gjithë këtë përgjegjësi për të drejtuar OSBE-në”, tha Rama.

Natyrisht, tha ai, që nuk jemi të thirrur që të rishpikim OSBE-në apo të rishpikim mekanizmat e OSBE-së, por të çojmë përpara një përpjekje që nuk fillon me ne, nuk mbaron me ne, që bazohet mbi konsensusin në çdo hap, konsensusi i 57 vendeve, më shumë se mbi 1 miliard njerëzve, që kuptohet është një proces mjaft i komplikuar, sepse kuptohet se duhet të bien dakord që të gjithë, ndërkohë që për vendet dhe zonat ku ka konflikte dhe çështje për të trajtuar, përgjithësisht janë edhe vetë anëtarë, kështu që edhe interesat divergjente janë pjesë.

“Megjithatë ne kemi bërë shumë punë për t’u përgatitur, edhe Ministri në Detyrë, edhe Ambasadori kanë bërë një volum të madh pune dhe skuadra që është ngritur enkas për këtë mision special të një viti, ka përballuar një volum të madh pune, edhe do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk pretendojmë të zgjidhim nyje që nuk janë zgjidhur me vite të tëra, por të ndihmojmë në progresin për zgjidhjen e tyre”, – deklaroi Rama.

Kryeministri tha se shumë shpejt do të zhvillojë vizita në Ukrainë, Rusi dhe SHBA, si pjesë e detyrimeve të drejtuesit të OSBE-së.

“Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE dhe është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit kemi bërë dhe harmonizimin e angazhimeve me Ministrin në Detyrë për të balancuar obligimet e OSBE-së, me obligimet e brendshme. Janë disa vizita që do të bëhen shumë shpejt, praktikisht më të shpejtat janë vizitat në Ukrainë, në SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmime nga të gjitha palët”, – tha Rama.

I pyetur se çfarë do të bëjë Shqipëria gjatë këtij viti për Kosovën, si kryetare e OSBE-së, Kryeministri Rama tha se “do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar dhe ju thashë nuk e marrim drejtimin e OSBE-së për të rishpikur OSBE-në, as për të rishpikur mekanizmat, qasjen tradicionale, sepse, faktikisht, vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumëkoordinim me të tjerë dhe vendimmarrje që duhet patjetër miratuar nga të tjerët. Pra, nuk është një drejtim i një qeverie në një vend. Në këtë aspekt, sigurisht që ne kemi disa ambicie. Kemi vendosur disa prioritete. Kemi qenë të vëmendshëm që tek vendosja e prioriteteve të mos vendosim prioritete që janë dëshira, por të parealizueshme dhe mendoj që e kemi kapacitetin e duhur që të bëjmë diçka dhe për Kosovën, aq më tepër tani që unë në Prishtinën zyrtare jam “tradhtar”, në Beogradin zyrtar jam “nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”. Kështu që, në këtë aspekt, besoj që kam një pozicion që mund të më shërbejë si ‘chairman in office’ i OSBE-së”./atsh

Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria moment historik/ Rama: Nisim një kapitull që na nderon në një rol që kurrë s’e kemi pasur në skenën ndërkombëtare Read More »

Ministria e Jashtme thirrje shqiptarëve: Shmangni udhëtimet në Iran dhe Irak

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të shmangin udhëtimet në drejtim të Lindjes së Mesme, në vendet me tensione të përshkallëzuara: Iran, Irak.

Në deklaratën e saj lidhur me situatën e krijuar së fundmi, Ministria u bën thirrje shtetasve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Iran ose Irak dhe që kanë nevojë për asistencë, janë të lutur të kontaktojnë ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Kuvajt dhe në Turqi në adresat:

Kuvajt (Kuwait City):

Celular: +96594048219

Office Phone: +965 2524 0627,

E-mail: [email protected]

——————————

Embassy of the Republic of Albania to the State of Kuwait

Salam Area, Block 7, Street 717, Villa 4, Kuwait

P.O.Box. 3090, Safat-13031, State of Kuwait

Turqi (Ankara)

Tel: +90 312 441 61 03 / 04

Celular: +90 549 561 1985)

Email: [email protected]

——————————

Embassy of the Republic of Albania in Ankara

Adress: Ebu ziya Tevfik sok. No.17 Çankaya/Ankara

Tel: 0090 312 441 61 03

Fax:0090 312 441 61 09/atsh

Ministria e Jashtme thirrje shqiptarëve: Shmangni udhëtimet në Iran dhe Irak Read More »

Paketa antishpifje e miratuar plotësisht nga OSBE, ankesat nga ata që nuk e kanë lexuar ligjin

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Vjena në interes të pyetjes nga gazetarët lidhur me paketën antishpifje të kaluar në Kuvend, se “në raport edhe me misionin që Shqipëria ka marrë kryesimin e OSBE-së, unë e them pa asnjë zbukurim që ne jemi superkomodë, jemi superkrenarë, që kemi marrë këtë përgjegjësi kaq të madhe dhe që Shqipëria sot, është në një pozicion të tillë, që është edhe një vlerësim, padiskutim, gjë që e relativizon shumë pikturën e krizës dhe të pakënaqësisë politiko-mediatike të Tiranës”.

“Gazetarët e pakënaqur me ligjin duhet të lexojnë ligjin. Kjo nuk është çështje e OSBE-së. OSBE-ja e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament dhe si kryetar i qeverisë dhe i mazhorancës unë shprehem i gatshëm edhe t’ju ofrojmë kushte, salla leximi dhe asistencë teknike për lexim, që kush është i pakënaqur me ligjin, të lexojë ligjin, pasi jam i bindur se ankesat vijnë nga ata që nuk e kanë lexuar ligjin”, tha Rama./atsh

Paketa antishpifje e miratuar plotësisht nga OSBE, ankesat nga ata që nuk e kanë lexuar ligjin Read More »

Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së, opozita dakordësi për t’u përfshirë

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kriza në politikën shqiptare është artificiale.

“Për sa i përket pjesës së krizës së madhe politike, faktikisht është e tejkaluar fjala “e madhe”. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, me, pikërisht, implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE-së. Kështu që, nuk mendoj që në këtë familje prej 57 vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Absolutisht”, – tha Kryeministri.

Rama theksoi se “ajo që është fakt është që, opozita ka shprehur – ju e keni dëgjuar, se edhe unë me të dëgjuar e kam, se nuk e kam me të takuar, – dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. E në këtë rast kemi një bosht shumë objektiv që s’kemi nga luajmë as njëra palë dhe, as pala tjetër dhe kemi dhe ODIHR-in që fare mirë mund të na ndihmojë për të thënë është kështu, apo është ashtu. Kështu që kjo është një bazë e mirë”./atsh

Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së, opozita dakordësi për t’u përfshirë Read More »

Basha: Çdo sistem mund të dështojë nëse nuk garantohet ndarja e zgjedhjeve nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme para takimit me aleatët se, cilido sistem zgjedhor të miratohet do të dështojë nëse nuk garantohet ndarja e politikës nga krimi.

Fajin nuk e ka sistemi, tha Basha, dhe kjo alibi është e dështuar.

“Kam qenë dhe jam i hapur dhe e kemi shprehur për të diskutuar me të gjithë qytetarët se cili sistem zgjedhor do të aplikohet. Nisur nga praktikat e 7 viteve të fundit mund të themi se cilido sistem do të dështojë nëse nuk garantojmë ndarjen e zgjedhjeve nga krimi. Alibia se fajin e ka sistemi mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës”, tha Basha.

“Axhenda ime është ekonomia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Në funksion të kësaj jemi gati të hedhim çdo hap”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se, “unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe jo Ramën. Vendi është në një krizë të thellë politike, këtë shqiptarët e ndiejnë në mungesën e theksuar të shtetit. Sot janë braktisur mijëra familje”.

Për situatën e krijuar së fundmi lidhur me përplasjen Iran-SHBA, Basha tha se “jemi përkrah SHBA dhe vlerave të lirisë dhe demokracisë”./atsh

Basha: Çdo sistem mund të dështojë nëse nuk garantohet ndarja e zgjedhjeve nga krimi Read More »

“Muxhahedinët pjesë e një operacioni humanitar”/ Shqipëria e koordinuar ngushtësisht me SHBA

Kryeministri Edi Rama thekson nga Vjena se nuk është surprizuar nga deklarata e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili e quajti Shqipërinë “një vend të vogël dhe të keq”, për shkak të strehimit të mbi 3000 anëtarëve të opozitës iraniane MEK.

Në një intervistë për televizionin Top Channel, Rama tha se “në vigjilje të një momenti historik, pasi Shqipëria merr për herë të parë në historinë e saj një rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare për kryesimin e OSBE-së, nuk jam fare i surprizuar nga deklarata në fjalë”.
“Shqipëria ka bërë atë që duhet në respekt të traditës së saj, në respekt të faktit që jemi aleatë strategjikë të SHBA dhe nuk jemi kontributorë në këtë aleancë të madhe me raketa apo bomba, por jemi kontributorë në ofrimin përmes një operacioni humanitar, të strehës për një grup njerëzish të kërcënuar me vdekje nga një regjim diktatorial”, tha Rama.
“Sa i përket aspektit të sigurisë, kemi qenë dhe jemi ngushtësisht të koordinuar me SHBA, që do të thotë që gjithnjë ka një shqetësim kur bëhet fjalë për t’u gjendur në situata kur shqetësohet një diktaturë, sidomos një diktaturë si ajo e Iranit, por nga ana tjetër ne ka momente jo vetëm kur duhet të marrim, por edhe të japim. U them të gjithë shqiptarëve që nuk duhet të ketë asnjë shqetësim, dhe SHBA-të janë shumë vëmendshme dhe të angazhuara në sigurinë e vendit tonë”, – u përgjigj Rama.
I pyetur se çfarë do të përfitojë Shqipëria nga drejtimi i OSBE-së, Kryeministri Rama theksoi se “Shqipëria ka marrë nga OSBE për shumë vite, dhe sot është momenti kur Shqipëria është në pozitën që të japë. Në radhë të parë, ky është një prestigj shumë i madh për Shqipërinë. Në radhë të dytë, sigurisht për ne do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ne e ndiejmë përgjegjësinë shumë të madhe, por është dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të manifestuar ndërkombëtarisht tiparet dhe kapacitetet e një Shqipërie që paskëtaj, të jeni të sigurt që do të shihet edhe me më shumë respekt nga ata që e njohin, dhe me më shumë respekt nga ata që deri më sot nuk e njohin”.

Në përgjigje të pyetjes, nëse Shqipëria i ka kapacitetet për të drejtuar një organizatë ku aderojnë 57 vende, Rama u shprehe se “sot kemi qenë në Vjenë, në zyrat e posaçme të këtij misioni të jashtëzakonshëm që kemi marrë përsipër. Aty ka një skuadër me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që janë një garanci absolute për suksesin e misionit”.

“Nesër është marrja zyrtare e drejtimit të OSBE-së dhe do t’i drejtohem të gjithë përfaqësisë së gjerë që do të jenë prezent përmes ambasadorëve të tyre, duke iu komunikuar sfidat dhe prioritetet”, – deklaroi Rama. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/529428740998583/?t=0

“Muxhahedinët pjesë e një operacioni humanitar”/ Shqipëria e koordinuar ngushtësisht me SHBA Read More »

Shuhet në moshë mjaft të re polici i Rrugores, 12 orë luftë me vdekjen!

Një efektiv i policisë Rrugore në Tiranë u nda papritur nga jeta në një moshë mjaft të re. Mariglen Mestani, luftoi 12 orë me vdekjen por nuk arriti të mbijetojë, pasi u shua nga temperatura e lartë pas një infeksioni.

Marigleni punonte prej 6 vitesh si efektiv i Rrugores në Tiranë dhe u shua në moshën 27-vjeçare.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai në një postim mjaft prekës për ndarjen nga jeta të efektivit të ri, thotë se ndarja e tij nga jeta duhet të shërbejë si këmbanë për zgjimin e ndërgjegjës së të gjithëve për të vlerësuar sakrificën e punonjësve të policisë.

“Mariglen Mestani, u prehsh në paqe!

12 orë luftove me vdekjen, për të shpëtuar jetën, ashtu siç e kemi edhe në misionin tonë, por kësaj here luftove për të shpëtuar jetën tënde dhe s’ia dole dot. E sonte, ti miku, shoku e kolegu ynë ndërrove banesë. E dhimbshme, e trishtueshme, pikëlluese për të gjithë ne që të njihnim e që punuam me ty.

6 vite në rrugët e Tiranës, mes pluhurit, erës, borës, ngricës, shiut e diellit, duke shërbyer me ndershmëri e përkushtim në trafikun rrugor. Sa e sa fundjava kemi ndarë bashkë në minus gradë e në 30+, për të parandaluar aksidentet rrugore, në kontrolle me drager për alkoolin.

E ti, sonte, miku ynë, s’je më fizikisht mes nesh. Ikja jote nga një infeksion i papritur dhe vrastar ka shokuar gjithë familjen tonë të madhe, Policinë e Shtetit, e cila bëri çdo përpjekje për të të shpëtuar jetën, por koha e shkurtër që na la në dispozicion e keqja ishte e pamjaftueshme për të të shpëtuar ty miku ynë.

Sot shumë statuse të janë dedikuar ty Mariglen, moshës 27-vjeçare dhe kontributit tënd, por përtej respektit pas vdekjes, ikja jote është dhe një kambanë për të zgjuar ndërgjegjen e të gjithëve, që puna dhe sakrifica e punonjësve duhet vlerësuar më shumë nga të gjithë kur jemi gjallë, kur jemi në detyrë duke shërbyer, se sakrifikojmë aq shumë, sa e keqja nuk pyet as për moshë e as për vlera.

E di që do ketë edhe nga ata që kur ta lexojnë këtë status, do heshtin për të respektuar zakonin, edhe pse mund të jenë të pakënaqur për punën apo sjelljen e ndonjërit prej nesh, por gjithsecili të mos harrojë se dhe ne jemi pjesë e juaja, lindur, rritur e zhvilluar në proporcion të drejtë me zhvillimin e shoqërisë, por kemi një gjë më shumë se ju, rrezikun për jetën e në respekt të jetës, meritojmë më shumë respekt, vëmendje, besim, bashkëpunim e mirëkuptim, që së bashku të bëjmë më të mirën.

Buzëqeshja jote, ngushëllim për të gjithë ne. Lamtumirë Mariglen Mestani. Zoti të deshi pranë e aty u prehsh në paqe”, shkruan zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai.

Shuhet në moshë mjaft të re polici i Rrugores, 12 orë luftë me vdekjen! Read More »

52 shërbime online pranë Kadastrës, Rama: Nuk ka më mundësi as për sekser dhe as për zvarritje të qytetarëve

Nga 151 dokumente që i kërkoheshin qytetarit deri tani pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, sot janë thjeshtuar 101 prej tyre. Këto dokumente do t’i marrin vetë punonjësit e ASHK-së për qytetarin.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot në zyrat e ADISA-s, të cilat po ndihmojnë qytetarët për 472 shërbimet e reja online, përveçse për mbi 150 shërbime qendrore dhe vendore që kanë ofruar më parë.

Pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës sot mund të aplikosh për 52 shërbime online. Ka mbetur vetëm një shërbim, i cili është në proces, ai i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme.

Edhe pagesa nga ana e qytetarit tashmë mund të kryhet jo vetëm përmes bankës, por dhe online gjatë aplikimit, me kartë debiti apo krediti.

Kryeministri Edi Rama duke e konsideruar revolucion ofrimin e shërbimeve online, theksoi se tashmë nuk do të ketë mundësi as për sekser dhe as për zvarritje të qytetarëve.

“Faza finale që e bën të gjithë shtetin në xhepin e qytetarit është kthimi i të gjitha shërbimeve online, të mund të marrësh edhe hipotekën online”, – u shpreh Kryeministri.

Zyrat e pritjes, theksoi Rama më tej, nuk do të shërbejnë më për të të pritur qytetarin, por për të pritur aplikimet e tyre online.

“Kjo zyrë nuk do të jetë më zyrë pritjeje, por një zyrë që do të punojë me kompjuterin për të pritur kërkesat që njerëzit do të nisin nga shtëpitë e tyre. Është komplet revolucion”, – theksoi ai.

Për sa i përket moshave të caktuara që nuk do munden të kryejnë vet aplikimin online, Kryeministri theksoi se edhe ato do të gjejnë mënyrën për të aplikuar, sepse do të jetë më e lehtë për ta për të marrë shërbimin, se sa të vijnë vetë fizikisht. Ata, shtoi Rama, mund të asistohen nga të afërm të tyre.

Për shërbimet të cilat aplikimi kryhet online, por nevojitet që përgjigja të merret fizikisht, Rama tha se përgjigja do të kthehet përmes Postës.

“Qytetari do të mund të ndjekë online statusin e aplikimit të tij dhe do të informohet po online qe përgjigjja është gati dhe se mund ta tërheqë online”, – deklaroi Kryeministri./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/507649079870523/?t=0

52 shërbime online pranë Kadastrës, Rama: Nuk ka më mundësi as për sekser dhe as për zvarritje të qytetarëve Read More »