Irina

Vullnetarizmi i të rinjve/ Meta: Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social

“Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social dhe pozitiv”, është shprehur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili zhvilloi sot një takim me përfaqësinë e grupimit “UnionS” të nismës “Unë e Dua Vullnetarizmin”.

“Energjia dhe vizioni i të rinjve për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë në Shqipëri janë përherë frymëzuese. I tillë ishte edhe takimi që zhvillova sot me përfaqësinë e grupimit “UnionS” të nismës “Unë e Dua Vullnetarizmin”, me një kontribut të spikatur në shërbim të familjeve të prekura rëndë nga tërmeti”, ka thënë Meta.

Meta i ka falënderuar të rinjtë për shembullin e duhur, jo vetëm për zhvillimin dhe konsolidimin e humanizmit dhe solidaritetit, por edhe për ndihmën e çmuar të dhënë ndaj komuniteteve në nevojë.

“Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social dhe pozitiv, që bazohet tek kontributi vullnetar i secilit prej nesh, për një shoqëri më njerëzore, më të përgjegjshme dhe më europiane, por edhe më të fortë dhe të pathyeshme përballë sfidave të globalizimit”, është shprehur Meta.

“Aktivizimi vullnetar është një vlerë e shtuar, fuqizimi i të cilit na bën të gjithëve qytetarë më të mirë dhe shoqërinë tonë më të dashur, më njerëzore dhe më optimiste”, është shprehur Meta./atsh

Vullnetarizmi i të rinjve/ Meta: Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social Read More »

Aksidentet rrugore, në 76,1 % të rasteve shkak sjellja e drejtuesit të mjetit

Vetëm në muajin nëntor 2019, aksidentet rrugore në 76,1 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Institutit i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas ISHP-së, aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,2 %.

Në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, aksidentet rrugore në 15,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit./atsh

Aksidentet rrugore, në 76,1 % të rasteve shkak sjellja e drejtuesit të mjetit Read More »

Temperaturat nën zero/ Ngrin liqeni në Pukë, bashkia apel qytetarëve për kujdes

Temperaturat e ulëta që kanë prekur vendin tonë kanë bërë që në Pukë sipërfaqja e liqenit të ngrijë.

Përmes një njoftimi, bashkia e Pukës njoftoi qytetarët e saj të bëjnë kujdes, teksa ka publikuar edhe foto nga liqeni i ngrirë.

“Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë karakterizuar qytetin tonë prej ditësh, Liqeni i qytetit të Pukës është ngrirë në të gjithë sipërfaqen e tij”, thekson bashkia e Pukës.

“Përballë kësaj situate porositni fëmijët tuaj të shmangin aventurën për të hipur mbi sipërfaqen e akullt të qytetit, pasi është me mjaft rrezikshmëri”, thekson bashkia e Pukës./atsh

Temperaturat nën zero/ Ngrin liqeni në Pukë, bashkia apel qytetarëve për kujdes Read More »

Nuk ka vend për panik,ISHP: Vetëm një rast nga infeksioni i meningjitit, nuk ka epidemi

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi sot se nuk kemi asnjë situatë epidemike në lidhje me meningjitin ose meningokoksemisë në Shqipëri.

Në një prononcim për mediet, e pyetur lidhur edhe me rastin më të fundit ku një person humbi jetën si pasojë e meningjitit dhe me shqetësimet e krijuara për qytetarët, Bino tha se deri më tani vetëm ky rast ka rezultuar të jetë me meningjit ndërsa rastet e tjera nuk kanë të bëjnë me këtë sëmundje.

Bino theksoi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi situata është nën kontroll, duke theksuar se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit ka më pak raste personash të prekura nga gripi.

“Raste të infektuara nga meningjiti kemi çdo vit por nuk kemi epidemi. Nuk ka asnjë vend për panik dhe shqetësim pasi nuk kemi epidemi. Infeksioni nga menigokoku është një infeksion i rëndë fatal që evoluon shumë shpejt. Kjo është arsyeja që ai person të ketë pësuar një fat të keq pavarësisht mjekimit. Janë marrë masa të caktuara. Nuk ka rrezik pasi të gjithë personat e kontaktit me këtë person kanë marrë antibiotikë”, tha Silva Bino.

Ndërsa për rastin në Durrës, ku një grua rreth 33 vjeçe, humbi jetën ditën e djeshme si pasojë e problemeve shëndetësore Bino deklaroi se “për këtë rast mostrat kanë ardhur në ISHP dhe po analizohen nuk ka patur shenja për këtë sëmundje. Ndërkohë ne kemi vetëm një rast me meningjit. Nuk kemi të bëjmë me situatë epidemike. Personat që kanë pasur kontakt me të kanë marrë kurën përkatëse. Të gjitha rastet janë testuar për gripin dhe kanë rezultuar negative. Situata po monitorohet”, tha Bino.

Ndërkohë si këshill për të prekurit nga sëmundjet sezonale, Bino u shpreh se të gjithë këta persona nuk duhet të neglizhojnë.

“Këshilla për qytetarët është që duhet të besojnë se Instituti po monitoron situatën në vend. Jemi në një sezon normal të gripit, kemi intensitet të ulët të gripit. Kemi qarkullim të viruseve të gripit por është e rëndësishme të dihet për ata që kanë probleme të mos neglizhojnë”, apeloi Bino./atsh

Nuk ka vend për panik,ISHP: Vetëm një rast nga infeksioni i meningjitit, nuk ka epidemi Read More »

Turqia, 500 banesa për të prekurit nga tërmeti/ Meta: Mirënjohje për ndihmën e menjëhershme

Turqia është angazhuar për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit.

Për këtë Shqipërinë po e viziton ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit të Turqisë, Murat Kurum, i cili u prit sot një takim nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme që qeveria turke i ofroi Shqipërisë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

Kreu i Shtetit e falënderoi gjithashtu edhe për angazhimin e Turqisë dhe Presidentit, Recep Tayyip Erdogan për ndërtimin e 500 apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Turqinë, me qëllim forcimin e kapaciteteve të Emergjencave Civile në vendin tonë./atsh

Turqia, 500 banesa për të prekurit nga tërmeti/ Meta: Mirënjohje për ndihmën e menjëhershme Read More »

Rama në familjen e Dallëndyshe Lurit, strehuar me qira pas tërmetit në Tiranë: Rreth 8190 familje kanë përfituar bonus të paguar nga shteti

Kryeministri Edi Rama ishte sot në njësinë numër 8 në Tiranë, në familjen e Dallëndyshe Lurit, e cila u godit nga tërmeti e humbi strehën dhe sot, njësoj si mijëra familje të tjera të prekura është sistemuar në një shtëpi me qira.

“Deri në ndërtimin e shtëpisë së re apo meremetimin e shtëpisë së dëmtuar, familja e Dallëndyshes dhe të gjitha familjet që kanë humbur shtëpinë në qytetet e prekura, rreth 8190 të miratuara aktualisht, do të qëndrojnë me qira të paguara nga shteti”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ne duam t’i përcjellim të gjithëve atë mesazhin se do të qëndrojnë nën kujdesin tonë në shtëpitë me qira deri kur të jenë gati shtëpitë”. Rama tha se faktikisht në Tiranë, “nuk kemi probleme fare”. “Por kemi pasur nja dy probleme me disa në zonën e Kurbinit dhe në zonën e Krujës, që ishin në hotel nuk donin të dilnin etj., por pak nga pak po i sistemojmë edhe ata”, – shtoi Kryeministri.

“Njeriu është krijuar për të harruar shpejt të keqen, shqiptari është edhe më i shpejtë. Tani natyrisht që sidomos për godinat me shumë banesa na duhet një vlerësim inxhinierik i thelluar, që duhet marrë në fund mendimin e grupeve të inxhinierëve ia vlen apo jo, duhet shembur apo duhet të meremetohet, sepse përndryshe nxjerrim sytë për të vënë vetullat”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne kemi vënë gjithë fondin në dispozicion dhe bashkitë kanë hapur procesin e kontraktimit të grupeve për vlerësimin e thelluar, ndërkohë që vlerësimi paraprak është bërë. Tani duhet vlerësimi final, çfarë do të ndodhë me këtë pallat? Duhet ta prishim, apo ta mbajmë, që të jemi ligjërisht në rregull, por edhe nga pikëpamja teknike të mos kemi asnjë dyshim”, – tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se “familja e Dallëndyshes me bonusin e qirasë që ka marrë vendosi të marrë një vilë këtu, se sa një apartament të Medreseja”.

“Për pallatin do të bëhet studim i thelluar me fondin që akorduat Ju për studimin e thelluar. Bonusi i qirasë na jep ne komoditetin që të mos i bëjmë me ngut vlerësimet e thelluara. Për sa kohë që familja ka qira 1 vit, kemi gjithë kohën e nevojshme që t’i themi inxhinierëve: merrni gjithë kohën për të bërë testet e betonit, të hekurit dhe na jepni një përfundim për të mos i bërë gjërat me ngut. Tani që po vinim kishim një debat me disa që thonë: na bëj kopshtin e shkollat më shpejt. U thashë se ne do të fusim kalamaj dhe jo bagëti, kështu që më mirë t’i bëjmë tamam këto gjëra dhe vendimin final do t’jua sjellim Ju dhe pastaj në varësi të vendimit do të financojmë shtëpitë e reja”, – iu drejtua Veliaj, Kryeministrit Rama.

Veliaj tha se “sapo kemi marrë një aplikim në Tiranë për 300 taksi elektrike”. “Ata më kanë kërkuara 300 shoferë për taksi elektrike, pas vendimit që mori qeveria në fund të vitit që e bëri taksën zero për mjetet elektrike, që janë me zero ndotje. Është shtuar shumë interesi dhe për autobusët, dhe për taksitë”, – tha Veliaj.

Ai e informoi Kryeministrin se “kemi filluar rehabilitimin e lumit, është bërë korsia e biçikletave dhe tani po bëhet gjithë bregu”. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/480092079586199/?t=0

Rama në familjen e Dallëndyshe Lurit, strehuar me qira pas tërmetit në Tiranë: Rreth 8190 familje kanë përfituar bonus të paguar nga shteti Read More »

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, Ambasada: Në javët e ardhshme në Tiranë

“Presim me kënaqësi që t’i urojmë mirëseardhjen në Shqipëri në javët e ardhshme”, njoftoi sot pasdite Ambasada amerikane në Tiranë, ndërsa bëri të ditur se Yuri Kim u betua dje si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, gjatë një ceremonie zyrtare në Departamentin e Shtetit.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ambasadorja Kim ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si drejtore e Zyrës së Çështjeve të Europës Jugore, ka qenë drejtore e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, shefe e Stafit për zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Europiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. /atsh

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, Ambasada: Në javët e ardhshme në Tiranë Read More »

Yuri Kim zyrtarisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri

Yuri Kim është zyrtarisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Yuri Kim bëri sot betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Floreta Faber, Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA ka njoftuar se tashmë Yuri Kim ka kryer dhe betimin dhe është zyrtarisht Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë.

“Betohet Ambasadorja Kim! Ajo është tashmë zyrtarisht Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Urimet më të mira dhe suksese në misionin tuaj, me bindjen se do kemi një bashkëpunim të frytshëm!”-, shprehet Faber.

Më 20-dhjetor 2019, Yuri Kim, ka marrë edhe aprovimin e fundit për të qenë ambasadore e SHBA në Shqipëri. Senati amerikan, në takimin e fundit për vitin 2019, ka konfirmuar diplomaten Kim si ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.

Ambasadorja Yuri Kim, në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për bashkëpunim në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. /atsh

Yuri Kim zyrtarisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Read More »