Irina

Efektet shëndetësore të ndryshimit të orës

Ndryshimi i orës ka efekte të pafavorshme shëndetësore që mund të zgjasin për disa muaj nga momenti i hyrjes në fuqi dhe për këtë arsye duhet të shfuqizohet, sipas katër studiuesve të Universitetit të Vanderbiltit dhe Universitetit të Pensilvanisë, shkruar në një editorial në revistën ”Jama Neurology”.

‘’Ndryshimi i orës, mund të shoqërohet me një rrezik të shtuar të sulmeve në zemër dhe iktuseve dhe ul gjumin mesatarisht me 15-20 minuta në ditët pas hyrjes në fuqi të tij. Këto efekte mund të rrisin edhe rrezikun e aksidenteve rrugore’’, theksuan autorët e studimit.

Për disa tema më të brishta, artikulli përmend fëmijët me autizëm, ku efektet negative mbeten me javë dhe madje muaj.

“Njerëzit mendojnë se një tranzicion prej një ore nuk është asgjë, se ai mund të kapërcehet brenda një dite, por ajo që ata nuk e kuptojnë është se ora e tyre biologjike nuk është më e sinkronizuar me dritën’’, shpjegon Ann Malow, një nga autorët.

”Nuk është një orë dy herë në vit, është një keqpërdorim i orës biologjike për tetë muaj në vit. Kur flasim për ndryshimin e orës dhe marrëdhënien me dritën natyrale, flasim për ndikime të thella me orën biologjike , të rrënjosura mirë në tru, dhe për këtë arsye ka ndikime në funksionet e trurit si energjia ose gatishmëria”, thekson ajo./atsh

Efektet shëndetësore të ndryshimit të orës Read More »

Rama, të shtunën në Ohër në samitin për zbatimin e katër lirive të BE-së

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë të shtunën, më 9 nëntor, në Ohër, Maqedonia e Veriut, për të marrë pjesë në samitin për zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian.

Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, të shtunën Kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në darkën e shtruar me këtë rast nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Të dielën më 10 nëntor në Ohër do të mbahet Samiti, i cili do të pasohet nga konferenca për shtyp në orën 12.00”, – theksohet në njoftimin e Kryeministrisë./atsh

Rama, të shtunën në Ohër në samitin për zbatimin e katër lirive të BE-së Read More »

Check-up falas, më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muaj

Më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muajt e parë të 2019, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktualisht ka dyfishim të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë që nga viti 2015, kur nisi ky program kombëtar për shëndetin e popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me shifrat e kontrollit mjekësor bazë të kryera nga qytetarët në janar-tetor 2019.

“411,503 qytetarë kanë kryer check up falas këtë 10 mujor të 2019. Më shumë se 12% më shumë krahasuar me 10 mujorin 2018”, thekson Rama.

Vitet e fundit ka ndryshuar qasja e qytetarëve që vijnë tek mjeku i familjes jo vetëm kur kanë problematika me shëndetin, por për kontrollin mjekësor periodik dhe këtë e tregojnë të dhënat. Ka një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve pasi vihet re se këtë vit ka një rritje të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në qarqet Kukës, Dibër, Berat dhe Gjirokastër.

Të dhënat tregojnë se në rang kombëtar 26,2% e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë kanë vlera të larta të Kolesterolit (yndyrna të larta) që rrezikojnë të preken nga probleme të enëve të gjakut, zemrës dhe trurit nëse nuk ndryshojnë stilin e jetesës.

Në rang kombëtar 14,5 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë pre-diabetik ndërsa 8,6 % janë me diabet.

Në rang kombëtar 13,4 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë anemikë; 6,73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me rritje të vlera të larta të enzimave të mëlçisë.

Janë zbuluar nga Kontrolli Mjekësor Bazë 400 raste me forma të ndryshme të leucemisë, të cilat janë ndjekur në kohë.

Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme./atsh

Check-up falas, më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muaj Read More »

Ambasada e SHBA: “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese që synon të shtrembërojë politikën tonë për rrjetin 5G, s’ndryshon të vërtetën

“Faktet kanë rëndësi. “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese, që synon të shtrembërojë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G, nuk e ndryshon të vërtetën. Faktet janë këto: Shtetet e Bashkuara e mbështesin qasjen e matur dhe të përgjegjshme të Shqipërisë për rrjetin 5G”, deklaron Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në reagim të disa shkrimeve të publikuara në mediet shqiptare për çështjen e rrjetit 5G.

Ambasada Amerikane ka publikuar edhe fjalën e plotë të Leyla Moses-Ones, E Ngarkuara me Punë, mbajtur në Konferencën “Politika e SHBA. në Ballkanin Perëndimor”, ku ka theksuar se “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”.

“Të gjithë pranojmë se rendi global pas Luftës së Dytë Botërore po evoluon. Ndërsa karakatina e ndryshkur e Luftës së Ftohtë shpërbëhet, vendin e saj e ka zënë një garë globale për ndikim. Shtetet e Bashkuara e mirëpresin këtë mundësi për të garuar për ndikim pozitiv, sepse ne jemi besimplotë në vlerën e ofertave tona”, tha në fjalën e saj Moses-Ones.

Ajo theksoi se, “është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, sigurisht, të promovojmë paqen, begatinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Po, interesi ynë është praktik, pjesërisht. Një gadishull ballkanik në paqe iu mundëson vendeve të rajonit të kontribuojnë për rritjen e sigurisë gjetkë në botë. Një ekonomi e lulëzuar e Ballkanit siguron tregje për bizneset amerikane. Dhe qetësia e brendshme në Ballkan lejon hartuesit e politikave amerikane që të përqëndrojnë kohën dhe burimet e tyre në kriza që ndikojnë rajone të tjera”.

“Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor parashikon shumë më tepër se sa kaq. Që nga viti 1789, pjesë e interesave tona thelbësore ka qenë të bëjmë avokatin për lirinë dhe barazinë e të tjerëve – siç tha Presidenti Abraham Linkoln, kombi ynë është krijuar në liri dhe i përkushtohet premisës që të gjithë jemi krijuar të barabartë. Ndjekja e interesit të SHBA domosdoshmërisht përfshin të përkrahurit dhe të vepruarit në emër të idealeve tona. Ne duam që edhe ju të jeni të lirë dhe të barabartë”, u shpreh Moses-Ones.

Ajo vijoi se, “është e vërtetë – rruga që ne ofrojmë është e vështirë. Është e shtruar me standarde, pritshmëri dhe punë të palodhur, por që do të çojë drejt një Ballkani Perëndimor të lulëzuar, të qëndrueshëm, njerëzit e të cilit janë krenarë për nga vijnë dhe çfarë përfaqësojnë”.

“Ndërsa shqyrtoj prioritetet e politikës së Shteteve të Bashkuara për rajonin, do të përqendrohem në politikën e SHBA-së ndaj Shqipërisë, një vend me një angazhim të demonstruar ndaj bashkësisë transatlantike. Ajo që bëni dhe zgjedhjet që ndërmerrni kanë pasoja të mëdha për bashkësinë euro-atlantike. Më lejoni t’ju them se si”, tha Leyla Moses-Ones.

Ajo deklaroi se, “po, deklarata e 18 tetorit e Këshillit të Europës për zgjerimin ka frymëzuar faqe të tëra komentesh. Ja se çfarë ka rëndësi: Shqipëria është tashmë një vend kandidat – kjo nuk ka ndryshuar. Puna që po tashmë po vazhdon dhe ajo çfarë mbetet për t’u bërë nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, fshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar. Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë”.

“Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por tashmë reforma zgjedhore është bërë një projekt kombëtar që qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij, po e ndjekin. Drejtuesit e Shqipërisë kanë treguar vullnetin për të bërë kompromis për hir të së mirës të përbashkët”, u shpreh Moses-Ones.

Ajo theksoi se, “e mira e përbashkët kërkon një mbrojtje të përbashkët, sigurisht kjo është premisa e NATO-s. Presim me kënaqësi të mirëpresim Maqedoninë e Veriut së shpejti si aleatja e saj e tridhjetë. Aleanca po evoluon gjithashtu, pasi siguria e mëparshme e Evropës, e subvencionuar nga SHBA, transformohet në një përpjekje të përbashkët për të cilën kontribuojmë të gjithë. Dhe Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj. Shqipëria ka respektuar Premtimin në Samitin e Uellsit. Shqipëria kontribuon më shumë trupa për frymë se pothuajse të gjitha vendet e tjera evropiane. Dhe shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të mbrojtjes sonë të përbashkët”.

Moses-Ones shtoi se, ” ekzistojnë vende të tjera që kërkojnë rrugë më të lehta përpara. Në frymën e konferencës së sotme, shqyrtojini ofertat e tyre përpara se t’i pranoni ato. Do të zbuloni që, për Rusinë, Iranin, Kinën, Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet dhe pastaj të flaket tej. Nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen me oligarkitë e korruptuara të cilat janë të divorcuara prej interesit të njerëzve të cilëve supozohet t’iu shërbejë qeveria”.

“Kina ka vënë në zbatim diplomacinë shtrënguese të debitorit për të blerë një ndikim që i pret fuqitë forcës ekonomike dhe gjymton autonominë politike të të ashtuquajturve partnerë të saj. Kremlini këmbëngul të mos eksportojë asgjë tjetër përveç kaosit, ndërsa kërkon të rikuperojë humbjet sovjetike nga Lufta e Ftohtë. Irani ka shfrytëzuar praninë e tij diplomatike në Tiranë për të planifikuar shkatërrimin e kundërshtarëve të tij politikë, duke kërkuar t’i përgjigjet argumenteve të arsyes me burracakërinë e detonatorëve të fshehur”, tha ajo.

“Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje. Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse.. Dhe, Shqipëria ka treguar që nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur, sërish dhe përsëri, të mbajë qëndrime parimore. Vitin tjetër, Shqipëria do të marrë kryesimin e Zyrës së OSBE-së, duke udhëhequr një organizatë që gjithashtu mban qëndrime parimore. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë besnike ndaj Shqipërisë teksa ajo përdor vlerat frymëzuese dhe zyrën e respektuar të OSBE-së për të trajtuar çështje dhe kriza të mprehta. Shtetet e Bashkuara mirëpresin prioritet e përcaktuara nga Shqipëria – përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përkrahjen e rolit të grave në zgjidhjen e konflikteve, rininë dhe kontrollin e armëve – dhe presim me kënaqësi të punojnë me Shqipërinë gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin 2020”, deklaroi Leyla Moses-Ones.

Ajo shtoi se, “sigurisht siguria energjetike mbetet thelbësore për suksesin e bashkësisë transatlantike. Që nga hidrocentralet te gazi natyror i lëngshëm, nga nafta deri te energjia diellore, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mund të formojnë bërthamën e një strategjie energjetike të larmishme për të furnizuar botën perëndimore, ndërsa korrin përfitimet prej vendndodhjes së tyre gjeostrategjike”.

“Përsa i përket vendndodhjes gjeostrategjike, ju e dini se revolucioni 5G po vjen: ndërlidhja e rrjeteve 4G të Shqipërisë së shpejti do të përmirësohet; ndërlidhja e vendit të saj gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës dixhitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të Sh.B.A-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, tha ajo.

Ajo vijoi se, “Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu një qëndrim parimor për një çështje tjetër rajonale me rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara: dialogu i lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar gjithashtu përpjekjet e tyre për t’u siguruar që dialogu të rifillojë, ashtu si u nënvizua edhe nga profesorët, përmes emërimeve të fundit të të Dërguarve të posaçëm në rajon. Vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka bërë thirrje që udhëheqësit e të dy vendeve të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, të begatë dhe të paqtë. Shqipëria gjithashtu e sheh qartë këtë të ardhme dhe bashkohet me Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e saj për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ajo u shpreh se, “Shtetet e Bashkuara u angazhuan për sovranitetin shqiptar në vitin 1912 – më shumë se një shekull më parë – dhe angazhimi ynë është i paepur. Rruga amerikane është e vështirë, por ia vlen, pasi ofrojmë një partneritet të bazuar në vlera të qëndrueshme, midis tyre lirinë e fjalës, lirinë e fesë, mundësi të barabartë, baraza, liri individuale dhe liri qytetare.

“Kjo është një kohë e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor. Jemi me fat që kemi këtë mundësi për të ndihmuar në dhënien formë të ardhmes duke mbështetur udhëheqësit e rajonit në formimin e qeverive të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, përfundoi Leyla Moses-Ones. /atsh

Ambasada e SHBA: “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese që synon të shtrembërojë politikën tonë për rrjetin 5G, s’ndryshon të vërtetën Read More »

Rama: Nga 1 janari shërbime online të detyrueshme për çdo institucion shtetëror

Nga 1 janari do të fillojnë aplikimet online në çdo institucion shtetëror në mënyrë që të shmangen radhët e pritjes nga qytetarët dhe subjektet.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të përjavshëm të platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “me këtë sistem çdo institucion do të jetë i detyruar të plotësojë të gjitha dokumentet që përmban një dosje, për të aplikuar për një licencë, për një autorizim, për regjistrimin e një ndërmarrje, të cilat i japin institucionet e shtetit. Pra shteti nuk do thotë më të mungon kjo apo ajo, për çdo mungesë që lidhet me vetë shtetin. Vetë institucionet do ti mbledhin këto për llogari të qytetarit apo biznesit”.

“Ne po përgatitemi për një hap tjetër shumë të rëndësishëm duke kaluar në një sistem të përgjithshëm me disa përjashtime objektive për të bërë të detyrueshëm aplikimin online për një numër shumë të madh shërbimesh . Pra për për të mos pasur më radha , më situata të panumërta pritjeje e zvarritjeje dhe për të krijuar mundësinë që çdo kush që kërkon shërbim në çdo institucion që jep shërbim për publikun me përjashtim të pak institucioneve që ende nuk e kanë mundësinë ta marrin aplikimin online për shkaqe objektive, të aplikojnë online dhe të marri me telefon përgjigjen që çfarë i ka kërkuar është gati”, – theksoi Rama.

Kryeministri solli shembullin e heqjes së regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit me prani fizike.

“Në QKB shkojnë njerëzit mbajnë radhë për të aplikuar për të regjistruar një kompani, që do të thotë çdo aplikim do të behet online kjo do të përfshijë edhe platformën e bashkëqeverisjes si një strukturë monitorimi, si një databazë të përgjithshme ku të gjitha aplikimet do të kenë një datë dhe ku të gjitha përgjigjet kanë një afat dhe për çdo shkelje të afatit do të ndiqet nga platforma si të bëhet sot dhe nga institucioni përkatës arsyeja pse dhe në rast se është arsye subjektive, pra mungesë korrektese nga ana e institucionit do të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për këtë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama shprehu besimin se kjo do të lehtësojë shumë njerëzit në procesin e aplikimeve dhe kërkesave për të marrë një shërbim./atsh

Rama: Nga 1 janari shërbime online të detyrueshme për çdo institucion shtetëror Read More »

Tetori 2019 muaji më i nxehtë në planet

Tetori 2019 ka qenë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në planet, njoftoi shërbimi europian ”Copernicus” mbi ndryshimet klimatike duke shtuar se bëhet fjalë për të pestin muaj radhazi që thyen ose i afrohet një rekordi.

Muaji tetor këtë vit ka qenë 0,63 gradë Celsius mbi temperaturën mesatare të periudhës së referencës 1981-2000, duke tejkaluar me 0,01 gradë Celsius tetorin 2015, por me 1,2 gradë Celsius mbi temperaturën para-industriale.

“Është muaji i pestë radhazi që regjistron një rekord ose afrohet shumë pranë një rekordi”, nënvizoi ”Copernicus” në një komunikatë.

Qershori 2019 ka qenë muaji qershor më i nxehtë dhe korriku që theu rekordin absolut të muajit më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë më parë.

Katër vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat të regjistruara më parë në planet ndërkohë Organizata Meteorologjike Botërore (OMB) theksoi se viti 2019 do të klasifikohej në vendin e pestë të parashikimeve./ atsh

Tetori 2019 muaji më i nxehtë në planet Read More »

Dy mësuese nga Shqipëria nisin mësimet në gjuhën shqipe në Ukrainë

Mësuesit nga Shqipëria fillojnë për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe për shqiptarët e Ukrainës në Karakurt. Janë dy mësueset Afërdita Skura dhe Ermelinda Delialliasi të cilat kanë nisur mësimin e gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha se për herë të parë mësimi i gjuhës shqipe këtu po realizohet falë projektit të veçantë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

“Ky program synon evidentimi e njohurive të gjuhës shqipe në komunitetet shqiptare të Diasporës dhe krijimin e një programi të posaçëm për secilin komunitet sipas shkallës së njohjes së gjuhës shqipe”, theksoi Majko.

Projekti në Ukrainë, do të shtrihet edhe në qytezat Gamovka, Divnyns’ke dhe Tyushki. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe do të realizohet me tekstet shkollore të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën. /atsh

Dy mësuese nga Shqipëria nisin mësimet në gjuhën shqipe në Ukrainë Read More »

PARD II, AZHBR thirrje fermerëve: Aplikoni për investime në asete të fermave bujqësore

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftojnë për çeljen e thirrjes së dytë për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim zhvillimin e Sektorit Agro-Ushqimor.

Thirrja është e hapur për të gjithë personat fizikë dhe juridikë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, ose të agro-përpunimit dhe rural me fokus investimet në asetet fizike të fermave bujqësore.

“Aplikoni për Masën 1 “Investime në asete të fermave bujqësore”. Mbështetje me 70% të totalit të investimit, nga 10,000 Euro deri në 500,000 Euro. Thirrja është e hapur nga data 30 Tetor deri në 16 Dhjetor 2019,” shprehet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Me një buxhet total 24.05 milion euro, përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit. /atsh

PARD II, AZHBR thirrje fermerëve: Aplikoni për investime në asete të fermave bujqësore Read More »