Irina

Nis sezoni i nxjerrjes së vajit/ AZHBR, mbështetje fabrikave të përpunimit të ullinjve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi sot fabrikën “Tre miqtë”, pranë fshatit Ndroq, e cila prodhon çdo vit mijëra litra vaj.

“Falë mbështetjes që ne i kemi dhënë me rreth 20 milionë lekë përmes AZHBR, sot kjo fabrikë ka një linjë moderne përpunimi të ullinjve dhe kapacitete më të mëdha për të përballuar kërkesat e zonës përreth Tiranës”, tha Çuçi.

Ndërkohë në hyrje të fabrikës, ruhet me fanatizëm si relike edhe mulliri i vjetër i trashëguar qindra vjet më parë. Nëse shkon tek “Tre miqtë”, Vladimiri kujdeset që vizita në fabrikën e tij të nisë së pari nga mulliri i vjetër.

“Kënaqësi të takohesha rastësisht në fabrikë edhe me disa studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, që ishin aty në kuadër të orëve praktike mësimore. Në Skemën Kombëtare të këtij viti ne kishim parashikuar një fond të veçantë për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, si dhe përmirësimin e mekanizmit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit”, – theksoi Çuçi.

Ministri Çuçi shprehet se “nëse doni të provoni vajin fantastik të kësaj fabrike, që në treg shitet nën markën “Ndroqi”, panairi “Shqipëria Punon Tokën” është një mundësi më vete. Më 16 dhe 17 nëntor, Vladimiri do të jetë në sheshin “Skënderbej” bashkë me qindra fermerë të tjerë”./atsh

Nis sezoni i nxjerrjes së vajit/ AZHBR, mbështetje fabrikave të përpunimit të ullinjve Read More »

Vlorë, festohet 95-vjetori i themelimit të shkollës “Tregtare”

Shkolla “Tregtare” në Vlorë, festoi sot 95-vjetorin e themelimit të saj. Kanë marrë pjesë në këtë përvjetor jubilar, drejtues dhe ish-drejtues, mësues dhe ish-mësues, nxënës dhe ish-nxënës të kësaj shkolle.

Në lapidarin që përkujton dëshmorët dhe heronjtë e “Tregtares”, janë vendosur kurora me lule.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, e cilësoi si një shkollë që ka bërë historinë e qytetit.

Leli e ka paralelizuar këtë shkollë me një universitet të famshëm, për shkak se nga bankat e saj kanë dalë personalitete të rralla që kanë bërë historinë e këtij vendi.

Sipas kryebashkiakut Leli, shkolla “Tregtare” sot, është një institucion që ecën me hapin e zhvillimit turistik dhe ekonomik të qytetit./atsh

Vlorë, festohet 95-vjetori i themelimit të shkollës “Tregtare” Read More »

Peizazhet e Shqipërisë në telajot e piktorëve në gjurmët e udhëtimit të Edward Lear

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është çelur për publikun ekspozita me titull “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri”.

Ekspozita “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” sjell punime të piktorëve shqiptarë të peizazhit që udhëtuan në gjurmët e Edward Lear nëpër Shqipëri, të cilët hodhën në telajo peizazhet e ditëve tona. Pikturat e tij paraqesin pamje nga vendi ynë, si edhe veshje tradicionale të popullsisë vendase në mesin e shekullit XIX.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite ishte Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili u shpreh, “kjo është një ide gjeniale në krijimin e këtij itinerari turistik për vendet ku ka udhëtuar Edward Lear, kjo ekspozitë na ndihmon në evidentimin e peizazheve të vendit tonë, për të dhënë idenë sesi ka qenë dhe sesi është transformuar realiteti shqiptar në ditët e sotme dhe sesa bukur kanë ardhur”.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se, “të nderuar miq e dashamirës është kënaqësi për ne ku do kemi mundësinë të shohim e vizitojmë bukuritë e fshehura të vendit tonë, përmes peizazheve të cilat na kanë dhënë një qasje akoma dhe më të qartë”.

Piktori Kujtim Buzi tha se, “kjo ekspozitë do të mbahet mend për vlerat e saj kulturore dhe historike, Edward Lear pushtoj vendin tonë me penën e tij duke pushtuar zemrat dhe mëndjet e intelektualëve dhe artistëve shqiptarë”.

Ky aktivitet është një organizim i Institutit të Librit dhe të Promocionit, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe të Muzeut Historik Kombëtar. /atsh

Peizazhet e Shqipërisë në telajot e piktorëve në gjurmët e udhëtimit të Edward Lear Read More »

Plan i përbashkët me policinë dhe doganat për rritjen e sigurisë në port

Rritja e mëtejshme e parametrave të sigurisë në portin më të madh në vend, ishte tema kryesore e takimit të zhvilluar të premten mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gjon Bardhi dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

Pas një analize të detajuar të situatës, bashkëbiseduesit u ndalën tek nevoja për të rivlerësuar masat e sigurisë në territorin e portit. Duke shprehur vlerësimin e Autoritetit Portual përkundrejt mbështetjes maksimale që po japin Policia e Shtetit dhe Doganat në këtë përpjekje, Vengu theksoi gatishmërinë e APD-së për të pasur një bashkëveprimin edhe më efektiv me institucionet ligjzbatuese që operojnë në hapësirat portuale.

Si pika hyrëse/dalëse kryesore në vendin tonë, Porti i Durrësit luan një rol kyç nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe duhet të jetë brenda çdo standardi me elementët e sigurisë, u tha ndër të tjera në këtë takim. Në këtë drejtim u miratua një plan i përbashkët veprimi mes Autoritetit Portual Durrës dhe institucioneve ligjzbatuese, i cili përfshin një numër masash konkrete që synojnë rritjen e sigurisë në Portin e Durrësit në planin afat-shkurtër.

Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, z. Lorenc SHEHU, Drejtori Vendor për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Ndue Doçi dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit./atsh

Plan i përbashkët me policinë dhe doganat për rritjen e sigurisë në port Read More »

Rama nga Zvicra me policin shqiptar: Të fala të gjithëve

Kryeministri Rama nga Zvicra ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, publikoi një videomesazh të veçantë me një polic shqiptar.

“Ja shqiptarët që ruajnë Zvicrën, siç ruajnë edhe Kombet e Bashkuara, siç ruajnë edhe shumë vende”, – thotë Rama.

Polici konfirmon prejardhjen e tij nga Gjilani, teksa Kryeministri e pyeti se nga ishte.

“Të fala të gjithëve në Gjilan, në Kosovë, në Shqipëri nga policia shqiptare e Zvicrës”, – thotë Rama teksa përfundon videomesazhin special./atsh

Rama nga Zvicra me policin shqiptar: Të fala të gjithëve Read More »

Rikonstruksion 120 qendrave shëndetësore në 2020/ Rritje e përfituesve nga skema e rimbursimit të ilaçeve

Qeveria do të vijojë të mbështesë me fonde sektorin e Shëndetësisë në vitin që vjen duke e konsideruar atë si sektor strategjik.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2020, i cili u prezantua të premten nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në Konferencën e Kryetarëve, buxheti për sektorin e Shëndetësisë do të rritet me 2.75 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e vitit 2019. Në total programohen 63.3 miliard lekë për vitin 2020.

Përmes investimeve të planifikuara synohet mbulimi universal i popullsisë me shërbim cilësor, diagnostikimi dhe parandalimi i sëmundjeve, si dhe shtimi i gamës së medikamenteve që trajtohen me recetë rimbursimi, reflektuar kjo në rritjen e jetëgjatësisë mesatare të grave dhe burrave mbi nivelet aktuale prej respektivisht 80 dhe 77 vjeç.

120 qendra shëndetësore do të rikonstruktohen për vitin 2020, me një vlerë të përllogaritur rreth 350 milionë lekë në vit. Këto qendra do të mobilohen dhe pajisen me pajisje mjekësore me një vlerë prej 64 milionë lekë për vitin 2020 dhe 30 milionë lekë për vitin 2021.

Për këtë periudhë do të bëhet rikonstruksioni i godinave spitalore me një vlerë 2.4 miliardë lekë. Rreth 660 milionë lekë do të shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore spitalore për spitalet.

Qeveria po ashtu programon shtimin e flotës së autoambulancave me 100 copë për periudhën 2020-2021, me një vlerë të përllogaritur rreth 474 milionë lekë.

Ndër rezultatet që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2020-2022 janë ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit, trajtimi me recetë rimbursimi i një numri më të lartë pacientësh nga 475 mijë pacientë aktualisht (2019) në 478 mijë pacientë në vitin 2022, si dhe rritja e numrit të pacientëve të trajtuar nga 290 mijë pacientë në vitin 2019 në 330 mijë pacientë në vitin 2022.

Po ashtu, synohet rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë nga paketat e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë, konkretisht 200 pacientë më shumë çdo vit, për periudhën 2020-2022, si dhe rritje e ndjeshme e numrit të seancave për pacientët që përfitojnë nga trajtimi me dializë nga 170 mijë seanca në vitin 2019, në 234 mijë në vitin 2022. 1 pacient kryen mesatarisht 13 seanca në muaj.

Ndër objektivat e Ministrisë së Shëndetësisë është edhe ulja e nivelit aktual prej 15% të pacientëve të ri shtruar për të njëjtën diagnozë brenda 72 orësh, nëpërmjet urgjencës, reduktimi i kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme si rezonancë magnetike, skaner etj, ulja nën 5,3 për 1000 lindje të gjalla të indeksit aktual të vdekshmërisë foshnjore, si rritja me më shumë se 40% të nivelit të numrit të pacientëve të vizituar për herë të parë brenda vitit nga personeli shëndetësor./atsh

Rikonstruksion 120 qendrave shëndetësore në 2020/ Rritje e përfituesve nga skema e rimbursimit të ilaçeve Read More »

Siguria ushqimore/ Aksioni vijon çdo ditë nga veriu, në jug të vendit

Drejtoria Rajonale e Autoritet Kombëtar të Ushqimit (AKU) Fier bëri të ditur sot, se ditën e enjte ka kryer 13 kontrolle zyrtare tek Operatorët e Biznesit Ushqimor (me origjinë shtazore, joshtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve) dhe për shkeljet e konstatuara vendosi 3 masa administrative “gjobë” me vlerë 300.000 lekë, për tregtim të produktit mish pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.

Gjithashtu njofton AKU, janë vendosur 4 masa administrative “Paralajmërim” si dhe është lënë detyra e korrigjimit të mangësive të konstatuara; Janë marrë 4 mostra për kryerjen e 4 analizave laboratorike dhe është vendosur masa administrative “Bllokim Produkti” për 21 kg mish (viçi dhe qengji) i konstatuar i pasigurt për konsum human.

AKU në sajë të monitorimeve rigoroze të kryera për çdo ditë garanton të gjithë konsumatorët për sigurinë e produkteve të cilat konsumojnë dhe fton që bashkërisht të bëhemi edhe më të fortë nëpërmjet rubrikës “Denonco”./atsh

Siguria ushqimore/ Aksioni vijon çdo ditë nga veriu, në jug të vendit Read More »

Basha në gjykatë me akuzën për falsifikim dokumentesh

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për kreun e PD, Lulzim Basha, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e kësaj partisë Ilir Dervishi.

Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bën të ditur se ka mbyllur një ditë më parë hetimet duke dërguar dosjen në gjykatë, ndërsa e ka vënë në dijeni kreun e PD, për marrjen të pandehur me akuzën për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampava ose i formularëve”, ndërsa ka pushuar akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Basha dhe dy zyrtarët e PD, do të shkojnë si të pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, në kuadër të dosjes numër 645 të vitit 2018. Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha sqarojnë në dokumentin e dorëzuar në gjykatë se për këtë çështje të merren të pandehur kryedemokrati Basha, ish-sekretari i i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani dhe financieri i kësaj partie, Ilir Dervishi me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sipas prokurorisë, një rëndësi të posaçme ka patur dëshmia e Gazment Bardhit, sekretar i përgjithshëm i PD.

Gjatë fazës së mbledhjes së provave Lulzim Basha, Arben Ristani dhe ish-financieri i PD janë paraqitur dy herë në prokurori për të dhënë shpjegime./atsh

Basha në gjykatë me akuzën për falsifikim dokumentesh Read More »