/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të fakultetit të Drejtësisë nga ku tha se më të mirët do të punësohen në administratën shtetërore me një kontratë 1-vjeçare.
“Si politikëbërës ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që gjenerata juaj po diplomohet në një situatë paqartësish dhe sfidash jo vetëm ekonomike por dhe të tjera. Ndaj jam e lumtur që sivjet ne kemi arritur të ndërmarrim disa masa që unë shpresoj sinqerisht që do arrijnë t’iu ndihmojnë dhe juve që të kyçeni më lart në tregun e punës pas diplomimit. Siç tha dhe dekani, me nismat që kemi ndërmarrë sivjet, portali “Punë të mbarë”, të diplomuarit ekselentë që kanë mesataren 9-10 do ta gjejnë veten në sistemim e administratës publike me një kontratë një vjeçare e cila nëse rezulton e suksesshme vazhdon më tutje në shërbimin civil”, -tha Shahini. Më tej, ajo theksoi se është menduar edhe për pjesën tjetër që nuk hyjnë tek ekselentët.
“Por jo të gjithë kanë mesatare 9 ose 10 e për të gjithë të tjerët ne kemi siguruar një numër shumë me të lartë të praktikave të punës që është një mënyrë tjetër për të hyrë në tregun e punës. 3 muaj praktikë pa pagesë dhe nëse kjo rezulton e suksesshme vazhdon një kontratë në administratën publike. Por nuk është vetëm administrata e vetmja rrugë për të gjetur punësim. Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme me sektorin privat që të rrisim numrin e pozicioneve që janë në dispozicion për të sapo diplomuarit”, -tha ministrja. /atsh
Fotografi, harta dhe armatime, nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj epopeje të ndritur të kombit shqiptar u ekspozuan sot në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në Muzeun Historik Kombëtar, institucionin më të madh të kujtesës historike kombëtare.
Në ekspozitë gjenden edhe libra të kohës së luftës, si edhe libra të shkruar nga dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët veç aktit heroik të sakrifikimit për lirinë e Atdheut na kanë lënë edhe një trashëgimi të çmuar letrare.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në çeljen e ekspozitës tha se “pushtimi i Shqipërisë nga fashistët italianë më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Kjo datë ka hyrë në histori si dita e parë e pushtimit fashist, por edhe si dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania hitleriane filloi një periudhë edhe më e rëndë, por dhe heroike për Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Operacioni i qershorit përfundoi me disfatën e gjermanëve, të cilët patën mbi 3000 të vrarë dhe të plagosur. Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtimi gjerman”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit të madh Antifashist Botëror. Misionet e huaja të vendeve aleate kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Misioni i parë britanik kryesohej nga majori Billi Maklin. Në tetor 1943, Drejtoria e Operacioneve Speciale mori udhëzim të dërgonte në Shqipëri një mision të nivelit të lartë, të kryesuar nga gjeneral brigade Edmond Dejvis, i cili do të bashkrendonte punën e grupeve angleze, që vepronin në Shqipëri. Pas kapjes rob të Dejvisit misioni britanik u plotësua nga Norman Wheeler dhe Alan Palmer. Kryetar i Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri ka qenë Thomas Stefan, ndërsa majori Ilia Ivanov ka qenë kryetari i Misionit Ushtarak Sovjetik.
Në fillim të pranverës 1944 Ushtria Nacionalçlirimtare numëronte afro 30 mijë partizanë efektivë, përveç mijëra të tjerëve, që mbushën radhët e çetave territoriale e të njësiteve guerrile të qyteteve. Gjatë mësymjes pranverore prill-maj 1944, forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare i dhanë armikut 50 goditje kryesore, duke i shkaktuar të vrarë e të plagosur dhe robër, si dhe i zunë shumë armë, municione e materiale luftarake.
Kështu u përgatitën kushtet për mësymje të përgjithshme strategjike, e cila çoi në çlirimin e plotë të vendit. Mësymja e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dallohet nga pjesëmarrja e madhe e forcave partizane në luftime të shkallës operativo strategjike, nga zhvillimi i operacioneve dhe i betejave vendimtare për çlirimin e zonave, krahinave dhe qyteteve kryesore, deri në çlirimin e plotë të vendit, me reparte të përqendruara./atsh
Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për shtyp iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi dekretin për përzgjedhje e Marsida Xhaferllarit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese si dhe procedurën e ndjekur për plotësimin e kësaj vakance.
I pyetur mbi afatin prej 30 ditësh, Meta tha se “nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Ka afat për parlamentin, për arsye se dihet që parlamenti është një institucion kolegjial, por nuk kemi një afat të përcaktuar në Kushtetutë për presidentin. E dyta, Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetua është zero pa Gjykatë Kushtetuese dhe ne jemi pa Kushtetutë përderisa jemi pa Gjykatë Kushtetuese. Momenti i krijimit të Gjykatës Kushtetuese është historik sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës që u bë në Kushtetutë për reformën në drejtësi dhe është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta për këtë çështje sepse Gjykata Kushtetuese është garancia për mbrojtjen e Kushtetutës, në interes të popullit shqiptar dhe çdo qytetari të Shqipërisë”.
Çdo akt në këtë proces i presidentit, i parlamentit dhe gjithë institucioneve që janë të përfshira në ndërtimin Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është historik, tha Meta, sepse do ngelet si referencë në të ardhmen. “Çdo veprim i presidentit aktual është një veprim që mbetet si precedent në të ardhmen për presidentët e ardhshëm. Duhet të kemi të qartë që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ për të garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai.
Meta shtoi se “Presidenti ka të drejtën e parë për të plotësuar vakancën e parë të Gjykatës Kushtetuese, pastaj është parlamenti, dhe në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje dhe në këtë plan, është detyra e KED-së të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe të afateve që të respektohet Kushtetuta për mënyrën e ndërtimin të Gjykatës Kushtetuese, të respektohet ligji për Gjykatën Kushtetuese e të mos kemi përplasje midis institucioneve dhe nuk është e kundërta që KED është një institucion kolegjial apo akoma më keq, jo KED por kryetari i KED, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat për vakancat që krijohen midis Presidentit dhe Parlamentit, ku kishim katër vakanca nga dy për secilin institucion, në mënyrë të tillë, tepër të dyshimtë për të mos thënë pa e tepruar, mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë, pra kreun e shtetit, që ose të shkelë detyrimisht Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e cila thotë qartë që presidenti plotëson vakancën e parë dhe pastaj është parlamenti që plotëson vakancën e dytë. Duke dërguar të dyja listat që ai ka, për vakancën e parë dhe për vakancën e tretë, presidenti praktikisht shkel Kushtetutën e pastaj parlamenti me të drejtë do ta anatemonte presidentin si shkelës i Kushtetutës dhe pastaj për zgjedhjen e vakancës së dytë që i takonte presidentit si antikushtetuese. Ose me interpretime qesharake, thotë që i ka mbaruar afati presidentit. Kjo është absurde, është e turpshme, është mafioze”, – u shpreh Meta para gazetarëve.
Meta vijon duke thënë se, “Marrëdhënia e Presidentit me KED nuk është një marrëdhënie e re. Kemi qenë në një marrëdhënie të përhershme institucionale, zyrtare. Shqetësimet tona nuk i kemi bërë publike se nuk kemi dashur ta dëmtojmë më tej këtë proces se sa ata që e lanë Shqipërinë dy vjet qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese. Ata që bllokuan dy herë KED në mënyrë që të gjenin një kryetar KED-je si ky që bën këto lojëra e këto filma që nuk ka ngelur budalla më pa i kuptuar këtu, përveç të korruptuarve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë tashmë shumë të evidentuar. Gjithmonë i është kërkuar KED në kohë që të marrë të gjitha masat që mos vijmë në një situatë të tillë, pra të marrë masat administrative të garantimit të listave që për çdo vend, për çdo vakancë të kemi 3 kandidatë të paktën, jo të jemi në një situatë ku është e qartë që pothuajse të gjithë kandidatët janë të paracaktuar dhe ku mundësia e zgjedhjes është pranë 0 se kjo do të thotë që cenohet parimi kushtetues i përzgjedhjes nga institucionet që ngarkon Kushtetua për këtë çështje”.
Duke u ndalur te dekreti për Marsida Xhaferllarin, Meta tha se “veprimet e mia kanë qenë të ligjshme. Ju përmendët një emër, unë ju them, është emri me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët e zgjedhur nga KED dhe një person tërësisht i diskriminuar, duket për çfarë arsyesh, dhe është një person që nga dy persona të shfaqur politikisht si anëtarë të KED ka marrë vlerësimin zero dhe ko është arsyeja pse jemi këtu ndërkohë që ka pasur kualifikimet më të larta nga kushdo tjetër”.
“Presidenti nuk merret me asnjë individ. Nëse Presidenti nuk do kishte besimin tek asnjë individ do thoshte që s’kam besim tek askush dhe s’kam detyrim të përzgjedh dhe veproni si të dëshironi. Të ndërtosh një proces me kaq shumë probleme që janë evidentuar qartë jo për fajin tim, por për faj të mungesës së bashkëpunimit dhe të përpiqesh ta banalizosh në histori të tilla kur bëhet fjalë për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese e cila asnjë ditë nuk duhet të kishte qenë e mbyllur dhe bosh dhe kjo ka ndodhur qëllimisht. Ua kam thënë 1000 herë, edhe disa diplomatëve të korruptuar që thonin më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Ua kam thënë se ne kemi bërë një marrëveshje ku kemi vendosur që dhe Gjykata Kushtetuese të vendoset në vetting dhe marrëveshja ka qenë që asnjë ditë Shqipëria nuk do ngelet pa gjykatë funksionale. Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë”, deklaroi presidenti Meta.
“Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë. Nuk ka ndodhur kjo situatë prej vetingut, por se në krye të KED erdhi një ushtar i verbër i partisë. KED e parë u bllokua se nuk iu pëlqyen emrat, pastaj u vendos një ushtar i partisë, që vë në pozitë Presidentin, që ose të shkelë Kushtetutën me pahir, ose me lojëra të tillë të turpshme, që as ca fëmijë rrugeçër nuk i bëjnë. Kjo është e vërteta”, deklaroi presidenti Meta./atsh
Tirana një kryeqytet tërheqës që mund të eksplorohet për shumë më pak se çdo vend tjetër në Europë. Prestigjiozja amerikane “Lonely planet” i ka kushtuar një shkrim të veçantë kryeqytetit shqiptar të cilin e cilëson një mjedis të përsosur për të jetuar e vizituar e që ngazëllon me energji.Sa i përket qendrave të udhëtimit, Tirana është një ambient i përsosur. Kryeqyteti i Shqipërisë është ngjeshur midis plazheve të Bregut të Adriatikut dhe shtigjeve shëtitëse të ashtuquajturave Malet e Varrosura, pjesë e Alpeve Dinare të Ballkanit Perëndimor. Por mos u mashtroni – ky nuk është qytet port.
Vizitorët qëndrojnë për pak kohë sepse qyteti ngazëllon me energji dhe një besim në rritje të ushqyer nga mikpritja e botës së vjetër dhe një estetikë e rigjeneruar. Ndërtesat me ngjyrë gri dhe betoni tani janë kthyer në një kanavacë me një ylber ngjyrash. Udhëtarët inkurajohen të pedalojnë sesa të ngasin makinat, dhe hapësirat e gjelbërta kanë rikuperuar rëndësinë e tyre të duhur ndërmjet arkitekturës eklektike të qytetit.
Sidoqoftë, ato janë vetëm atribute fizike. Ajo që jep aromë urbane është përzierja e shijshme e kulturës dhe e epokave. Ky lidhje shtresash tregon ndikimet dhe historinë ilire, romake, osmane dhe italiane. Qyteti është gjithashtu një studim i kontrasteve ku kujtesat – dhe ri-interpretimi – i një trashëgimie komuniste të hedhur me grushte, pas Luftës së Dytë Botërore, janë shpërndarë rreth një metropoli të mbushur me restorante dhe salla moderne koktejli.
Nga lart, duke u varur në një gondolë të Dajti Express që lidh Tiranën me 1611 metra lartësi të malit të Dajtit që ngrihet sipër saj, mund të shohësh qytetin në pëllëmbë të dorës. Sinapsi qendror është Sheshi Skënderbej, i cili lidhet me bulevardin kryesor dhe përmban brenda tij Muzeun Historik Kombëtar, Xhaminë Et’hem Bej dhe Teatrin Kombëtar. Ndërsa teleferiku rrëshqet më lart, peizazhi i qytetit i jep rrugë, duke u zbehur në pyje të dendura me halore dhe pemë ahu, të cilat mbizotërojnë në Parkun Kombëtar të Dajtit me një sipërfaqe prej 293 km katror.
Pranimi i së kaluarës
Shqiptarët nuk bëjnë asnjë përpjekje për të fshehur historinë. Përkundrazi, ata e përqafojnë atë si një simbol nderi për atë që është kapërcyer. Rastësisht, kur pyeten për pikat tërheqëse që nuk i mungojnë qytetit, ato do të shënojnë me krenari pika që theksojnë regjimin e mëparshëm despotik të vendit, të udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha. Hoxha dhe partia e tij mbajtën në izolim të tërë për katër dekada e gjysmë, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në 1991.
Shtëpia e Gjetheve është vendi më i ri për t’u njohur me këtë kohë të vështirë dhe paranojën që përfshiu vendin. Ish selia për Shërbimin e Inteligjencës Kombëtare të Shqipërisë, u hap së fundi si Muzeu i Mbikëqyrjes Sekrete në vitin 2017. Hapësira, dhe qëllimi i saj i mëparshëm – mbajtja e skedarëve, ose “gjethet”, mbi qytetarët – është një kujtesë brutale se sa e kontrolluar dhe burtale ka qenë jeta.Dy muze të tjerë, Bunk’Art dhe Bunk’Art 2, shkëlqejnë një dritë mbi paranojën nga një drejtim tjetër – një në të cilin qytetarët u regjistruan në mënyrë aktive – domethënë përmes qindra mijëra bunkerëve të ndërtuar në të gjithë vendin për të mbajtur shqiptarët të kujdesshëm kundër pushtimit të huaj. Bunk’Arti i parë, i hapur në vitin 2014, është vendosur në strehëzën atomike të ndërtuar për Hoxhën dhe u jep vizitorëve mundësinë e përdorimit të banesave të tij të banimit, si dhe hapësirave të rivarrosura si ekspozita historike. Bunk’Art 2, me qëllim mbrojtjen e Ministrit të Brendshëm në rast sulmi bërthamor, ka 24 dhoma të cilat sot përfshijnë instalime arti dhe ato të dedikuara për periudhën kohore të vendit nga 1913 deri në 1991.
Nga Blloku me dashuri
Lagja e Bllokut, nuk është më shumë se 10-minuta në këmbë në jug të Sheshit Skënderbej përtej lumit Lana. Ajo ofron një tjetër shembull novator të së kaluarës së rigjetur. Dikur ishte e ndaluar për t’u vizituar nga qytetarët dhe rezervohej si një lagje për shefat e korruptuar të të regjimit komunist. Sot rrjeti i rrugëve i zonës së Bllokut është i mbushur me restorante, salla pritjeje dhe butikë të stilistëve të njohur.
Në perëndimin e diellit, porosisni një koktej në katin e 16-të të Kullës “Sky Tower”. Shihni dhe shikoni panoramën e qytetit prej aty dhe zbrisni në nivelin e rrugës për një raund të dytë në Radio, një strehë relaksuese për moshat 30-40- vjeçare, momente ku një grup i bukur i “Whiskys” ndajnë hapësirën me radiot antike dhe ku muzika live dhe e grupeve të ndryshme dhe DJ-ve janë normale.
“Në një farë mënyre, Blloku është një shembull i mirë se si qyteti e përcakton veten”,- thekson Gent Mati, një banor i përjetshëm i Tiranës. Mati është pronar i Outdoor Albania, një kompani me përvojë që drejton ture aventureske në të gjithë vendin. “Qytetarët rikrijuan hapësirën dhe morën diçka që dikur ishte e kufizuar dhe i dhanë asaj një jetë të re dhe një frymë moderne”.
Ushqimi me shpejtësinë e njeriut
Në vitet që nga periudha komuniste, një filozofi e ushqimit nga ferma në pjatë është bërë thelbësore për vetë-përcaktimin e Shqipërisë. Kjo kërkesë për përbërës të freskët ushqimorë ka gjetur formë me lëvizjen Sloë Food, e cila i është kushtuar mbrojtjes së biodiversitetit ushqimor dhe bazuar në respektimin e trashëgimisë lokale.
“Duke qenë të izoluar për 50 vjet, kjo kontribuoi në ruajtjen e farërave dhe specieve shqiptare – megjithëse u kultivuan vetëm ato me rendimente të konsiderueshme – dhe nuk kishte ndikime të huaja në prodhimin e ushqimit”, shpjegon Katia Zene, koordinatorja e Slow Food Chefs Alliance në Shqipëri, e cila beson se mbështetja e prodhuesve të vegjël të ushqimit përfaqëson një lëvizje larg nga industrializimi dhe drejt zgjedhjeve të shëndetshme. Kuzhina shqiptare është tipike e ngadaltë dhe përshtatet vërtet me filozofinë dhe parimet e ngadaltë të ushqimit.
Për të provuar kuzhinën e vërtetë shqiptare, duhet të dalim 11 km nga qendra e Tiranës dhe të shkojmë në Fermën Uka, ku gatuhen përbërësit e rritur në sipërfaqen prej 2 hektarësh të fermës të mbushur me ullinj, pemë frutorë dhe rrush. Porositni pulën e servirur me polenta, perime të pjekura sezonale si kungull i njomë dhe patëllxhanët, dhe sallatat me domate dhe kastravecat të zgjedhura. Pastaj kthehuni përsëri me një shishe Chimaera të vetme, të kuqe të Ukas – një përzierje e Merlot, Cabernet Sauvignon dhe Kallmet të Shqipërisë – dhe ngrini një dolli në Tiranë./atsh
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi sot fillimin e procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr.108, 109, 110 datë 09.07.2019 dhe vendimit nr. 172 datë 11.09.2019, të KLGJ-së.
Pas kësaj vendimmarrje, Këshilli përmes një shorti transparent dhe në prani të mediave, caktoi relatorët për secilin vend vakant.
Pas hedhjes së shortit u vendos caktimi i Alban Toros, Marcela Shehut, Ilir Toskës dhe Dritan Hallunajt si relatorë për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë)./atsh
Viti 2020 sjell ndryshime të rëndësishme në Gjirokastër. Investim për Pallatin e Sportit, krijimi i dy parqeve argëtues e çlodhës, mbështetje financiare për Akademinë e Futbollit, ndërhyrje në objektet arsimore dhe ato të ciklit parashkollor.
“Borxhet e akumuluara nuk do të pengojnë investimet në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Kryebashkiaku Flamur Golemi, gjatë takimit me këshilltarë e qytetarë gjirokastritë.
Furnizimi 24 orë me ujë i të gjithë qytetit, investime në segmentet dhe ndriçimin rrugor, pastrimi, përmirësimi i infrastrukturës turistike e muzeumeve, janë përfshirë në buxhet.
“Gjirokastra ka gjithë resurset dhe turizmi gjithëvjetor, është premtim që po bëhet realitet, nënvizoi Golemi.
Gjithashtu kryebashkiaku Golemi zhvilloi dhe një dëgjesë për projektbuxhetin e 2020 me banorët e Njësisë Administrative Lazarat.
“Nëse ka një zonë ku mund të zhvillohet turizmi ky është Lazarati”, tha Golemi.
Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre për infrastrukturën shkollore, amortizimin e rrugëve, kanalet vaditëse, problemet me ujin e pijshëm, si dhe ato që krijohen si rezultat i daljes nga shtrati i përrenjëve, Golemi premtoi një sërë ndërhyrjesh.
Sipas tij, brenda dy viteve Lazarati do të ketë ujësjellës. Në buxhetin e 2020 do të ndërhyhet në qendrën ku kalojnë kohën të moshuarit. Një tjetër investim do të jetë krijimi i një këndi lojërash për fëmijë.
“Nga tre parqe të planifikuara për vitin e ardhshëm dy do të jenë në qytet dhe një në Lazarat”, nënvizoi Golemi. /atsh
Vaksina e gripit është një instrument efikas për parandalimin e gripit të stinës. Nga kjo vaksinë duhet të përfitojnë kategoritë më të rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, sidomos ata me sëmundje që kanë të bëjnë me aparatin e frymëmarrjes.
Vaksina e gripit funksionon realisht dhe është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe familjen nga gripi. Jo më kot në Amerikë tani të gjithë të punësuarit në kompani private apo shtetërore janë të “detyruar” të vaksinohen. Ajo rekomandohet në mënyre absolute për të gjithë njerëzit mbi 6 muajsh.
Çfarë duhet të dimë mbi këtë vaksinë?
Vaksina e gripit është një vaksinë e cila injektohet me një gjilpërë, zakonisht në krah. Tipet e virusit të gripit janë vazhdimisht në ndryshim, kështu që është e domosdoshme që një vaksinë e re gripi të prodhohet çdo vit. Shkencëtarët krijojnë vaksinën e re përpara se të fillojë sezoni i gripit duke parashikuar tipin e virusit që ka të ngjarë të përhapet më shumë gjatë sezonit të ardhshëm.
Momenti se kur fillon sezoni i gripit dhe kur mbaron është i paparashikueshëm, kështu që rekomandohet që njerëzit të bëjnë vaksinën e gripit në fillim të vjeshtës, mundësisht deri në fund të tetorit. Aktiviteti i gripit zakonisht arrin majat në muajin janar ose shkurt.
Pas vaksinimit, nevojiten rreth dy javë për të ndërtuar imunitetin kundër gripit.
Efektiviteti i vaksinës së gripit mund të ndryshojnë në varësi të personit që vaksinohet. Vaksina tenton të punojnë më mirë tek të rriturit e shëndetshëm dhe fëmijët, dhe më pak tek të moshuarit.
Që ju mund të merrni gripin nga vaksina e gripit është thjesht një mit. Viruset që ndodhen të përfshirë në vaksinën e gripit janë të vrarë. Megjithatë, për shkak se ajo merr rreth dy javë kohë për të ndërtuar imunitetin tek njerëzit, pasi ata marrin vaksinën e gripit, disa njerëz mund të kenë kapur gripin menjëherë pas vaksinimit të tyre. /atsh
Vitore Vokrri, nëna e vetme e dy fëmijëve e cila po lufton me një sëmundje të rëndë ndërkohë që po trajtohet jashtë vendit për një ndërhyrje të vështirë, i është mundësuar një shtëpi krejt e re e rindërtuar nga e para.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka thënë se ndihet e kënaqur për ndihmën që iu dha Vitore Vokrrit, nënë e vetme e dy fëmijëve që lufton me një sëmundje të rëndë.
“Vitorja po trajtohet jashtë vendit për një ndërhyrje të vështirë, ndërsa Gerta dhe Endri e presin tashmë në një shtëpi krejt të re të rindërtuar nga e para. Me shpresën që çdo gjë do shkojë mirë për Vitoren dhe bashkë me fëmijët e saj, t’ia nisin nga e para”, theksoi Manastirliu.
Rindërtimi i shtëpisë është mundësuar nga një emision televiziv në një nga mediet në vend, ndihmë që u jepet familjeve në vështirësi ekonomike. /atsh