Shpallet projekti fitues për tunelin e Llogorasë
Bashkimi i operatorëve ekonomikë “iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh”, kompani inxhinierike e regjistruar në Austri, “ELEA iC d.o.o dhe IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring”, kompani inxhinierike regjistruar në Slloveni, dhe SEED Consulting sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k., kompani lokale, është përzgjedhur si kompania fituese për projektin e metodologjisë për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vlerësuar këtë bashkim operatorësh për zgjidhjen më të mirë teknike, kapacitetet dhe kualifikimet e stafit teknik të duhura për të realizuar projektin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Pas përfundimit të afateve ligjore, do të bëhet hapja e ofertave ekonomike, dhe shpallja e fituesit të garës për tunelin. Në garë morën pjesën 7 kompani teksa u përzgjodhën për fazën finale 2 prej tyre.
Të gjithë konkurrentët pjesëmarrës ishin bashkime operatorësh ekonomikë të kryesuara nga kompani të huaja me eksperiencë në fushën e projektimit dhe ndërtimit të tuneleve.
Në aktivitetin e zhvilluar ditën e martë, 15 shtator, ku të pranishëm ishin Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave si dhe përfaqësues të BERZH, përfaqësuesit e dy kompanive të përzgjedhura prezantuan projektet e përgatitura prej tyre.
Ministrja Balluku tha se pjesëmarrja e kompanive ndërkombëtare dhe me eksperiencë të gjatë në këtë fushë është një tregues i procesit transparent mbi të cilin zhvillohen këto konkurse.
“Garantimi i sigurisë rrugore është shumë i rëndësishëm, së bashku me efiçencën e kostos së ndërtimit të kësaj vepre”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një tjetër element me rëndësi të veçantë është zgjidhja arkitekturore, pasi bëhet fjalë për një vepër në një ndër pikat turistike të Shqipërisë, atë të Parkut Kombëtar të Llogorasë.
“Unë ju falënderoj shumë për gjithë punën serioze që keni bërë. Kompanitë kanë nevojë për kohën e tyre, për të dalë në një rezultat, por edhe ne na duhet që të nisim sa më parë, mundësisht brenda këtij viti procedurat e nevojshme për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, i cili do të bëhet me fonde të buxhetit të shtetit, sigurisht duke ju drejtuar partnerëve tanë, mbështetës financiarë”, u shpreh Balluku.
Për ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ndërtimi i kësaj vepre do të ketë një ndikim në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në zonën e bregdetit të jugut, pasi do t’ju krijojë mundësi më të shumta investitorëve për të vijuar me investimet e tyre.
“Aeroporti i Vlorës, por padyshim edhe tuneli i Llogorasë do të japë të gjitha mundësitë që investimet e ndërmarra në mënyrë masive nga investitorët shqiptarë e më pas nga investitorë të huaj, nëpërmjet investimit që do të realizohet në tunelin e Llogorasë, do të mund të ofrojnë një shërbim elitar për të gjithë zonën e bregdetit”, nënvizoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit.
Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7-10 minuta.//atsh
Shpallet projekti fitues për tunelin e Llogorasë Read More »