Aurora

Qytetërimi Iliro- Arbnor -Shqiptar përballet prej gati 1400 vitesh me Orientin barbar

RUBRIKA “SHQIPTARË DHE BARBARË”

Studiuesi Gjet Ndoja vjen për lexuesit e “Koha Jonë” me një rubrikë të veçantë për trashëgiminë materiale e shpirtërore, historinë e kulturën e shqiptarëve, si dhe dëmet e shkatërrimet që ka pësuar gjatë shekujve deri në ditët tona.

Në rubrikën e përjavshme “Shqiptarë dhe barbarë” lexuesit do të njihen me fakte historike të panjohura më parë ose të anashkaluara nga historiografia e periudhës së diktaturës. Dokumente dhe dëshmi arkivore që hedhin dritë mbi periudha të errëta të historisë së Shqipërisë dhe synojnë të japin një pamje të qartë se çfarë përfaqëson identiteti shqiptar dhe si është transformuar apo ndikuar nga kulturat e tjetra.

Gjatë veprimtaritë se saj shoqëria njerëzore le gjurmë të pashlyeshme të cilat ngelin ose zhduken. Evoluimi social dhe kulturor i ka detyruar njerëzit që të ndërtojnë banesat e tyre herë në fusha, herë në male, kjo në përputhje me kontekstin që kanë pasur njerëzit jo vetëm për të banuar, por edhe për tu mbrojtur nga rreziqet që i vinin nga jashtë. Po kështu njerëzit, për nevojat e tyre shpirtërore duke besuar në një perëndi apo në një tjetër kanë ndërtuar objektet e kultit për të cilat dëgjojnë dhe frymëzohen nga predikimet e klerikëve dhe misionarëve sipas feve apo religjoneve që ato kanë. Kështu u ndërtuan edhe në vendin tonë, në periudha të ndryshme historike banesa, qendra banimi, qytete, kala dhe kështjella që nga antikiteti dhe deri në ditët tona.

Po ashtu, njerëzit që në antikitet e deri në kohet moderne kanë prodhuar vegla e instrumente për veprimtari prodhuese, ndërtuese (vegla pune), artistike (instrumente), luftarake (armë) etj. Gjithë kjo “botë materiale” dhe “shpirtërore”, produkt i veprimtarisë së njeriut në Ballkanin Perendimor përben bazën e qytetërimit të popullit shqiptar, qytetërim i cili është përballur në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë historisë me pasoja shkatërrimtare nga dyndjet dhe pushtimet barbare, kryesisht prej Lindjes

Ky ballafaqim qytetërimor mes shqiptarëve (vendalinjëve të Ballkanit) dhe barbarëve, solli pasoja të asimilimit të ndërsjelltë, duke ndikuar shpesh edhe mënyrën e jetesës, zakonet, frymën dhe ideologjinë etnike e nacionale te tyre. Objektivi i gjithë kësaj tematike do të jetë rubrika jonë e re që do të na e sjellë studiuesi Gjet Ndoji, ish-drejtori i Përgjithshëm i Arkivave duke trajtuar tema të ndryshme dhe detaje qe zbërthejnë këtë histori. Rubrika do tw jetë e përjavshme në “Koha Jonë”
Qytetërimi Iliro- Arbnor -Shqiptar përballet prej gati 1400 vitesh me orientin barbar
Nga Gjet Ndoji

Procesi i shkatërrimit dhe i asimilimit të Qytetërimit Iliro- Arbnor- Shqiptar është një proces i nisur të paktën që para 1400 vitesh nga invadimet barbare sllave, turko aziatike etj, dhe vazhdon duke mos ndalur edhe në ditët tona. Gjatë gjithë kësaj historie janë lehtësisht të evidentueshëm shkatërrimi i qyteteve kalave antike ilire, kështjellave mesjetare, kishave, kullave, dërtesave antike, nga ana tjetër ndërtimi i objekteve të banimit dhe ato të kultit me frymë, me funksion dhe stil tjetër. Ky proces shkatërrues i trashëgimisë materiale e shpirtërore ka kaluar në disa faza, i orientuar në disa drejtime, të cilat në mënyrë të përgjithshme dhe shumë të përmbledhur janë:

I- Faza e sundimit bizantin

Veçanërisht nga shekulli VII deri ne shek XIII (periudha e shthurjes dhe e kalbëzimit te Perandorisë Bizantine), përkon me dyndjet sllavo- bullgare në fillim dhe me vonë me dyndjet e sllavëve të jugut (serbët, malazezët, kroatët etj). Që në fillim fisnikëria bizantine ndoqi politikë toleruese ndaj invazionit barbaro sllav duke lejuar edhe në trojet e Ilirisë, veçanërisht në luginat e sipërme dhe të mesme të lumenjve: Vjosë (deri në bregdet), Osum e Devoll, Shkumbin, më pak ne Mat, Drin etj. Gjurmët e këtij invazioni kanë ardhur deri në ditët tona dhe mund të idendifikohen nëpërmjet toponimeve sllave të këtyre trevave, si p.sh: Bilisht, Bozhgrad, Pogradec, Selcë, Pustec, Opar, Skrapar, Gradec, Çorovodë, Bogovë, Poliçan, Mezhgoran, Kuçovë, Belgrad (Berati), Selenice, Novosejë, Gramsh, Librazhd, Gollobordë, Junik,  Domozdovë, Pishkash, Vajkal, Bozhiq, Bushkash, Stojan, Zerqan, Gjoricë, Skavice, Shishtavec, Novosele, Koritnik, Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, Zapod, Deçan, Kosovë, Podgoricë, Vladimir, etj.

Për më shumë se 5 shekuj (nga shek VII deri në fund të shek. XII), barbarët sllavë jo vetëm u ngulen në territoret iliro-arbnore duke trysnuar dhe zhvendosur jo rrallë banorët që jetonin në trojet e tyre etnike, por ndikuan drejtpërdrejtë në shkatërrimin e strukturave ndërtimore, duke rrënuar e shkatërruar kështjella e kala, madje dhe qytete të tera antike Ilire. Ndërtimet e shtëpive dhe e fshatrave të shumta u bënë duke prishur e zhdukur ndërtimet antike. Kështu u rrënuan qytetet antike të Xibrit, të Pelionit (Selcë e Poshtme), Dimali, Bylysi, Antipatrea, Amantia, Butrinti, Foinike, Adrianopol, Orikumi, Apolonia, pjesërisht Dyrrahu, Teranda, Ulpjana, Nishi, Uskana, pjesërisht Drivasti, etj. Në tërësinë e tij ishte një proces që pothuajse shkatërroi qytetet dhe kalatë ilire, bashke me to trashëgiminë më të rëndësishme dhe shume evidente të Qytetërimit Ilir.

II-Faza e Lindjes dhe lulëzimit të Principatave Arbnore Mesjetare (shek. XII- XV)

Përgjatë rreth tre shekujsh, lindën dhe u zhvilluan principatat Arbnore si: Principata e Arbërit, Balshajve, Blinishtët, Spanët, Dukagjinët, Kastriotët, Topiajt, Gropajt, Shpatajt e Zenebishët, Muzaka, Aranitët etj. Nëse shtresa më në thellësi e THEMELEVE TE BOTES ILIRO- ARBNORE- SHQIPTARE i përket periudhës nga Shek XII para Kr. deri ne shek. V mbas Kr. (Kultura Pellazgo- Ilire), periudha nga shek XII deri në shek. XV është koha e shtresës së dytë të madhe (kultura e Arbrit) e vendosur dhe e lidhur mirë me shtresën e parë të të njëjtit themel. Mbi këto themele tipikisht pjesë e Qytetërimit Europian, gjatë shekujve XII-XV nisi të ndërtohej “NGREHINA JONË”, këtu ne brigjet perëndimore te Gadishullit Ilirik (në kohen e pushtimit Osman e mori emrin Ballkan). Procesi i ndërtimit të kësaj “Ngrehine” përfshin procesin e shtetëformimit (Principatat Arbnore Mesjetare) dhe bashkë me të merr formë Fisnikëria e vendit, ndërtohen Kështjella e qendra banimi. Rriten si asnjëherë më parë (që në periudhën Iliro- Romake), shkëmbimet ekonomike- tregtare, politike, diplomatike, kulturore etj, me Republikën e Venedikut, Raguzës, Mbretërinë e Napolit, Vatikanin, dhe nëpërmjet tyre Arbëria lidhej me Europën. Në këtë kohë të “artë” Fisnikëria Arbnore luante rol shumë aktiv në rritjen e këtij komunikimi te gjithanshëm mes Perëndimit e Lindjes Europiane, deri në Rumani, “Bizantin e mbetur” e deri në Rusinë Jugore. Për nga niveli social-politik ekonomik e ushtarak kjo fisnikëri nuk ngelte mbrapa fisnikërisë europiane.

Kisha dhe feja e krishterë, si kudo në Europën Mesjetare, fillojnë të luajnë një rol përcaktues në jetën politike, shtetërore e diplomatike, sociale, kulturore e qytetërimore të Botës Arbënore Mesjetare, të paktën që nga shekulli XII deri në fundin e shekullin XV. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ndërtohen kishat kryesore në të gjithë trojet etnike të arbëreshëve, nga Tivari në (Veri) në Prevezë në (jug) e nga Shkupi në (lindje) në Durrësi (perëndim).

III- Në periudhë e sundimit Osman (nga fundi shek XV deri ne v. 1912), u vendos regjimi Feudal Ushtarak, me fryme e ideologji Arabo- Aziatike. Kjo është periudha e procesit të deeuropianizimit të Botës Arbnore Shqiptare dhe e ndërprerjes së marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore e kulturore me Europën ku ndodhen disa fenomene me pasoja shkatërruese si:

1-Genocidi masiv gjatë periudhës së “okupimit të rreptë” që zgjati rreth 70 vite (nga viti 1479 deri në vitin 1550). Gjate kësaj kohe u shtyp me zjarr e me hekur rezistenca për liri e arbëreshëve, duke shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijërave vetë.

2-Për shkak të shfarosjes masive të popullsisë u provokua një eksod masiv duke përfshirë në radhe të parë aristokracinë arbnore dhe intelektuale e klerikë të ndritur, drejt Napolit, Dalmacisë, Venedikut, Padovës, deri në Spanjë, France, etj. Kjo dyndje biblike e arbëresheve bashkë me elitën e tyre krijoj boshllëk të pazëvendësueshëm, ndërsa në vendet ku mbërritën ata shkëlqyen duke dhënë mësim në universitetet më të famshme të Europës, duke spikatur në drejtim të fushatave luftarake, në art, etj.

3- Pas kësaj zbrazje të Arbërisë nga popullsia e saj, Perandoria u kujdes për “mbushjen” me kolonë që vinin nga Persia, Anadolli, (Konja), Egjipti, etj. Vendosja e kolonëve; zejtarë, ushtarakë, administratorë dhe e familjeve të tyre, duke sjellë njeherazi dhe kulturën e zakonin islamo -aziatik, ndodhi kryesisht në disa qendra politiko- administrative si: në Gjinokastër, Janinë, Berat, Elbasan, Kavajë, Tirane, Krujë, Shkoder, Prizren, Shkup, Gjakove, Manastir etj.

4-Reforma e Timarit në hapësirën tonë europiane, vulosi ne pjesën më të madhe në trojet etnike Arbënore-Shqiptare sundimin osman me karakter feudal-ushtarak. Kjo reforme kishte dy ane të medaljes:

A- Procesi i osmanizmit, i cili nënkuptonte dhënien e pronave dhe të ofiqeve të tjera personave e familjeve në bazë të kontributit në fushatat ushtarake e pushtuese të Perandorisë Osmane. Ky proces solli për krijimin e aristokracisë së re osmane (timarlitë, pashallarët dhe feudalë të tjerë më të vegjël), në vend të aristokracisë arbnore që tashmë nuk ekzistonte në Ballkanin Perëndimor.

B- Procesi i islamizimit synonte konvertimin e fesë nga e krishterë në muhamedane. Kjo realizohej duke përdor të gjitha format dhe mjetet. Në fillim feja islame depërtoi bashke me kolonët, ndërsa më vonë, deri ne shekullin e XX, ndodhi procesi i islamizimit të popullsisë tonë europiane të krishterë. Gjatë këtij procesi, në shekullin XVI e në vazhdim ndeshim në fenomenin e ndërtimit te xhamive (kryesisht në qytete). Gjithsesi mbeten disa treva të krishtera si: Kelmendi, Malësia e Madhe, Rrethinat e Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës, Vitisë, Dukagjini, 7 Bajrakët e Pukës (Iballës), Kelmendi, Tivari, Mirdita, Lura, Zadrima, Kurbini, Ishmi, Shpati, Himara e Suli, Zagoria e Lunxhëria, etj.

5- Bashkë me procesin e osmanizmit dhe të islamizimit të vendit ndodhi procesi i ndërtimit të objekteve muhamedane të kultit (xhamive dhe të teqeve). Nga ana tjetër, u shkatërruan e u dogjën qindra kisha, ndërsa pjesa më e madhe duke humbur përdorimin për rrjedhojë dhe përkujdesje në ndaj tyre, degraduan dhe u rrënuan gradualisht. Kjo situate katastrofike e shkatërrimit barbar të institucioneve kishtare (katolike dhe më pak ortodokse), vihet re në të gjithë trevat shqiptare të islamizuara dhe është qartësisht e shprehur kudo, pranë varrezave të vjetra (rrënoja të kishave, si dhe nga toponimet e kishave), që janë me qindra e mijëra në këto hapësira, më tepër në Shqipërinë e Mesme, në Veri dhe Dardani (Kosovë e Maqedoni), por dhe në Jug kudo. Përveç shkatërrimit të kishave katolike për shkak të pushtimit osman, një fenomen shkatërrues i tyre kishte ndodhur dhe për shkak të trysnisë dhe invadimit sllavo-bizantin, veçanërisht në Deçan, Pejë, Gjakovë, Prizren, Maqedoninë Perendimore, Mal të Zi dhe më pak në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, në hapësirat etnike arbnore në Greqi etj. Është i vërtetuar shkatërrimi i kishave katolike dhe ndërtimi në ato themele i kishave ortodokse (në kohë të ndryshme historike).

6- Një rrethanë tjetër që ka të bëjë me shkatërrimin barbar të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve etnikë, lidhet me shkatërrimin e dhjetëra kështjellave mesjetare. Pas pushtimit, administrata dhe qeverisja pushtuese osmane u vendos në kala fushore, pasi duke qenë një shtet që sundonte pa rivalitetin e ndonjë shteti tjetër, nuk kishte arsye e nevojë të vendosej në kështjellat kryesisht malore nga ku ushtronin pushtetin e tyre princat dhe fisnikët e Arbërisë. Kjo konjukturë solli ndërtimin e kalave e qyteteve fushore dhe riparimin e rindërtimin e kalave ekzistuese fushore si: Elbasani, Tirana, Peqini, Kavaja, Shkodra, Gjakova, Paleokastra, Shkupi, Manastiri, Prizreni, Ferizaj, Janina, Konica, Libohova etj. Kështu ngelen jashtë përdorimit kështjellat, kryesisht në zonat kodrinore e malore të hapësirës shqiptare e për pasojë u bënë objekte prej të cilave merreshin gurë e materiale ndërtimi për shtëpi e objekte të reja, duke i shkatërruar plotësisht ose pjesërisht ato.

IV- Periudha e pas Pavarësisë Shqipërisë (1912 deri në vitet 1990).

Lëngata dhe “infeksioni aziatik” tek “vendalinjtë” e Ballkanit (shqiptarët) ishte ngulur thellë në trupin dhe në shpirtin e tyre. Kjo na vonoj aq shumë sa kur u kujtuan shqiptaret për pavarësi, Turqia, armiku 500 vjeçar i tyre s’kishte më fuqi të qëndronte dhe pothuajse “nuk ishte më ushtarakisht” në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa shfaqej armiku i para gati 800 viteve, sllavët e jugut (Serbet e Malazezët). Gjithsesi në 28 Nëntor 1912, shqiptarët me ndihmën e Austrisë dhe të Europës e SHBA, krijuan një realitet shtetëror në hapësirë mjaft të tkurrur, në raport me hapësirën dhe territoret etnike ku ata jetonin. Pjesën më të madhe e pushtuan sllavët (serbët, malazezët e maqedonët) dhe greket.

Në vitin 1999, me ndërhyrjen ushtarake të SHBA, çlirohet një pjese e rëndësishme e trojeve të pushtuara nga Serbia (Kosova dhe pjesërisht fitohen të drejta etnike të shqiptarëve në Maqedoni).

a-Duhet të pranojmë se që në momentet e para të Shqipërisë së pavarur nga Turqia, shqiptarët demonstrojnë vështirësi serioze për tu përshtatur me qytetërimin perëndimor, për “tu kthyer në shtëpinë e tyre të parë” në Europë. Që në fillim (1913), ngritën krye shqiptaret me frymëzim muhamedan e sulltanist të drejtuar nga Haxhi Qamilit kundër Princ Vidit dhe ndikimit politik e kulturor europian në Shqipëri. Gjatë veprimeve kryengritese u dogjën shtëpi, kisha të krishtera, flamuj kombëtar kuq e zi, pasuri publike e private. Ishte një kryengritje tipike barbare- konservatore, ku demonstrohej qartë fryma e tyre antieuropiane dhe pro islamike, aziatike e sulltaniste. Përpjekjet e shqiptarëve etnikë te ndihmuar nga Europa dështuan përballë shqiptarëve me fryme orientale aziatike.

b- Pas Luftës se Parë Botërore, kryeministri me Turhan Pashë Përmetin e disa pjesëtarë të Qeverisë së kryesuar nga Suleman Delvina nuk dinin as të shkruanin e të flisnin shqip (flisnin turqisht).  Ndërsa edhe në “Periudhën e Zogut”, (1924-1939), megjithë përpjekjet e Mbretit për ti ngjare Europës nuk arriti dot ta shkëpusë Shqipërinë nga fryma dhe zakoni oriental i saj. Gjithsesi marrëdhëniet me Europen njohën nivel të lartë politik, diplomatik, ekonomik, kulturor , etj. Gjurmët e kësaj marrëdhënie shprehen në fushën e ndërtimit të qyteteve, urave, rrugëve, kryesisht me arkitekture italiane. Përveç ndikimit të perëndimit edhe gjatë kësaj periudhe nuk munguan ndërtime qendrash të reja banimi, duke u mbivendosur në rrënojat antike të qyteteve si në Durrës, Elbasan, Lezhë etj.

c- Në periudhës ë Shtetit Komunist (1944-1991), ndodhemi si zakonisht në një proces “ndërtimi mbi gërmadha”. U ndërtua pjesa më e madhe e Durrësit mbi gërmadhat e qytetit antik me hijerëndë të Adriatikut, Durrahut, duke e mbytur në pallate e beton, pothuajse 90% të sipërfaqes se tij. Po kështu, u dëmtuan objekte me rëndësi në qendrën e Tiranës (kisha katolike, në themelet e se cilës u ndërtua Hotel Peza, u shkatërrua kisha ortodokse etj,), Shkodrës, Elbasanit, Lezhës, Vlorës, Korçës etj. Po gjatë kësaj periudhe u shkatërruan masivisht objekte të kultit (më së shumti kisha katolike, me pak kisha ortodokse dhe pothuajse fare xhami). Po ashtu, u shemben dhe objekte, rezidenca të familjeve të mëdha si në Tiranë, Qafë Shtame, Orosh, Shkodër etj, objekte të cilat ishin pjesë e trashëgimisë kulturore, sepse mbartnin pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Në trojet etnike jashtë Shqipërisë shtetërore, si Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi, pushteti osman u zëvendësua nga pushtuesit sllavo- grek. Që në fund të vitit 1912 dhe gjatë Luftës së Parë, por dhe në fund të Luftës Dytë Botërore, deri në fundin e shek. XX (vitin 1999) pushtuesit ushtruan gjenocid, depërtim të popullsisë shqiptare jashtë trojeve të tyre, si dhe vendosje e kolonëve serbë, maqedonas, malazezë e grekë) ne territoret tona etnike. Ndërkohë në këto territore u zëvendësuan kisha katolike me ato ortodokse, etj. Kështu ka mbi 100 vjet që gjithsesi shqiptarët jetojnë mes pavarësisë e pushtimit, duke u qeverisur nga shqipfolës- misionarë të shteteve që nuk duan dhe punojnë që të mos bëhet Shqipëria.

V- Rënia e komunizmit

Rënia e Perandorisë Komuniste (1990), solli kushtet për fitoren e lirisë dhe të demokracisë së shqiptarëve. Gjithsesi edhe këtë herë shqiptarët, si në kohen e shembjes së Perandorisë Osmane u zgjuan më vonë për të përfituar nga epoka e re e lirisë. Një proces ku shënjohet qartë egoizmi dhe abuzimi i skajshëm me lirinë dhe fare pak përkushtim për të përfituar nga avantazhet që na jep liria dhe demokracia perëndimore. Në vend të ndërtimit të ekonomisë dhe institucioneve publike europiane, orjenti përsëri gjeti të çara të mëdha për të na “pushtuar” me institucionet e tyre shpirtërore dhe që vazhdojnë të investojnë si ekonomikisht, kulturualisht, politikisht etj.

a-Që në fillim të viteve ‘90 u ndërtuan me qindra xhami, në shumicën dërrmuese të tyre në vende ku s’kishte besimtarë për ti frekuentuar ato. Madje pati përpjekje për të ndërtuar xhami edhe në Mirditën e banuar tërësisht nga një popullsi katolike, një treve unike anti turke në Ballkanin Perëndimor. Po në këtë periudhë investohet nga shteti turk, por dhe nga fondacione të shumta islamike për hapjen e shkollave të mesme dhe të larta në gjuhen turke e arabe, duke promovuar e ngulitur tek rinia shqiptare kulturën dhe ideologjinë aziatike. Kohët e fundit qeveria erdoganiste turke e ka shprehur qarte ambicien e saj për neotomanizmin e Ballkanit, ku shqiptaret janë prioritet.

b- Natyrisht, suksesi i qeverise turke gjatë këtyre viteve është evident edhe në investimet publike, si në ndërtimin e arterieve kryesore rrugore ( Rrugën e Kombit, nga Rrësheni deri në Prishtinë, ka blere hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 e Bistrica 2, ka ndërtuar e po ndërton me koncesion hidrocentrale të tjera, ka blerë të vetmen vepër metalurgjike në Elbasan, po shfrytëzon zonën me të pasur mineral-mbajtëse në Munellë të Mirditës etj. Së fundmi Kryeministri Rama paralajmëroi dhënien me koncesion të ndërtimit të një Aeroporti në Vlorë.

Si konkluzion për periudhën pas viteve ‘90, elita politike gjatë qeverisjes, përveç një administrimi ekstremisht të dobët të resurseve ekonomike e turistike, ka dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore e historike të shqiptareve, nganjëherë duke ua kaluar në ketë aspekt edhe pushtuesve shekullore. Shembujt për fatin e keq gjenden rëndom kudo, në qytetet dhe në gjithë territorin e republikës tonë. Durrësi është shembulli me tipik i shkatërrimit dhe i varrosjes së dëshmive më spetakolare të Qytetërimit Antik Ilir, njëherësh i qytetërimit të Botës Antike. Është qytet të cilin nuk e kursen edhe “barbaria e shqipfolësve” të kohëve moderne. Betonizimi dhe mbytja e qytetit antik vazhdoi në kohën e Mbretërisë Zogiste, më shumë në periudhën komuniste dhe akoma më tepër në ketë periudhe tranzicioni gati 28- vjeçar në kohën ton. Po kështu, dëmtohet me tej Qendra Historike e Tiranes duke ndërtuar Kulla (kullat binjake, kulla në Stadiumin Kombëtar, së fundmi kullat në vendin ku është sot një nga ndërtesat, pjesë e ansamblit të ndërtimeve të një arkitekture italiane etj).

Së fundmi (jo nga rëndësia), pjesë themelore e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve janë fondet dokumentare, si pjesë e “Fondit Kombëtar Arkivor”. Edhe arkivat, si në Republikën e Shqipërisë, apo dhe në Kosovë, Mal të Zi etj, kanë pësuar në kohë të ndryshme dëmtime që përfaqësojnë në vetvete dëmtime serioze të Memories Kombëtare të Kombit Shqiptar.

Një aspekt i një reforme që ka përfshire Arkivat Shqiptare kohët e fundit, rrezikon të jetë pjesë e kësaj historie, që do të sillte pasoja të pariparueshme te Fondit Kombëtar Arkivor.

Deri kur shqiptarëve do t’u zihet fryma nga orienti, duke vijuar pa pushim dëmtimin dhe shkatërrimin barbar të trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve?

Shënim: Idetë e shprehura më sipër janë një konsideratë e përgjithshme e një procesi të gjatë asimilues e deeuropianizues që i ka ndodhur “Qytetërimit Iliro-arbnor- shqiptar” prej Barbarisë Lindore (nga shekulli VII deri në ditët tona). Në artikujt në vijim, sipas pjesëve dhe aspekteve që paraqitëm, do të detajojmë gjithë këtë proces duke hedhur drite me fakte e detaje akoma më të plota për secilën periudhë e drejtim.

[email protected]

Qytetërimi Iliro- Arbnor -Shqiptar përballet prej gati 1400 vitesh me Orientin barbar Read More »

The Guardian: Shqipëria, në listën e destinacioneve europiane për turizëm aktiv

Pushimet verore nuk duhet të nënkuptojnë detyrimisht detin dhe rërën. Mund të shkohet me pushime mes maleve dhe në liqene të qeta, aktivitet i cili u përshtaten dashamirësve të ecjeve të gjata, turizmit aktiv ose thjesht vizita përgjatë lumenjve.

The Guardian liston një sërë vendesh të cilat konsiderohen ndër më të favorshmet për të pushuar këtë vit në Europë, në mesin e të cilave është Shqipëria.

Ajo që bie në sy në këtë artikull është se destinacioni i zgjedhur në vendin tonë është ai malor: bëhet fjalë për kulturat e zonave lokale. Nga ana tjetër, vendi ynë qëndron karshi destinacioneve prestigjioze si alpet franceze, austriake, zviceriane, apo edhe vende të njohura për turistët në Itali, Irlandë, Spanjë, Portugali etj.

Specifikat për Shqipërinë:
Qëndrimi: Bujtina dhe shtëpiza fshati
Veshja: Kostume për Alpinistë
Me disa nga peizazhet më të pacënuar të Evropës, traditat e lashta baritore të pakësuar nga jeta moderne dhe një titull që kap shpesh imagjinatën, vargmalet e Shqipërisë konsiderohen një kategori pushimi ‘ i egër’, me elemente që duket sikur po udhëton në kohë. Këto maja, që përhapen në kufijtë e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, kanë qenë më të lehta për t’u eksploruar që nga viti 2012, kur u hap një rrugë për hiking, ‘Peaks of Balkan” (Majat e Ballkanit), që tërhoqi shumë aventurierë.

Të takosh njerëzit malorë të bën të mësosh më shumë rreth kulturës së tyre të ruajtur mirë në fshatrat e izoluara, gjë e cila është bërë një pikë e mirë tërheqjesë për turistët. Akomodimi bëhet në fermat e vjetra prej guri, ku ushqimi i gatuar në shtëpi përfshin fasule, byrek me spinaq dhe qengj të pjekur, çaj natyral , qumësht deleje, Kafe turke ose raki kumbulle, në varësi të disponimit.

Detaje të udhëtimit për të interesuarit: Rreth 875 pounds për 10 ditë në një udhëtim në grup duke përfshirë vaktet e plota dhe transfertat në destinacion, por jo fluturimet, sugjerohet të udhëtohet nga Britania në Podgoricë, Mal të Zi dhe më pas, me mjet deri në alpet shqiptare. /Monitor/

The Guardian: Shqipëria, në listën e destinacioneve europiane për turizëm aktiv Read More »

Rama iu tërheq veshin deputetëve pas seancës së miellit. Ja porosia

Kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama duket se është i pakënaqur nga puna e deputetëve në terren dhe drejtuesve të degëve.

Duke iu referuar burimeve nga mbledhja e grupit të PS me dyer të mbyllura, Rama është shfaqur i pakënaqur nga terreni dhe ka kërkuar të punohet më shumë me bazën.

“Të shpërndaheni nëpër zonat tuaja. Drejtuesit e degëve në rrethe të jenë të përkushtuar. Angazhimi në terren duhet të jetë maksimal. Të punojmë sikur zgjedhjet të jenë këtë qershor”, mësohet të ketë thënë Rama.

Ndërkohë ka pasur edhe ‘tërheqje veshi’ pas seancës së kaluar me tensione dhe përjashtime në Kuvend, e cila është bërë pjesë e mbledhjes se grupit parlamentar. Rama mësohet t’i ketë kërkuar deputetëve të tij të ruajnë qetësinë.

“Nuk duhet t’i kundërpërgjigjemi provokimeve të opozitës”, ka thënë Rama. Në diskutimet e grupit ka qenë edhe rendi i ditës për seancën e së enjtes dhe axhenda partiake dhe qeveritare.

Kujtojmë në seancën e kaluar deputetët e opozitës hodhën miell, vezë, letra e shishe në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave. I vetmi nga maxhoranca që u përgjigj ishte Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, i cili e pësoi me përjashtim 10 ditë nga Kuvendi ashtu si 6 deputetë të opozitës.

/BW

Rama iu tërheq veshin deputetëve pas seancës së miellit. Ja porosia Read More »

“Prite pak timonin majtas se po ecën shumë djathtas”, si i përgjigjet Rama ish-minatorit

Kryeministri Edi Rama mori pjesë ditën e sotme në një interpelancë online me ish-minatorët. Të pranishëm ishin dhe ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj. Ish-minatorët shtruan kërkesat e tyre për rritjen e pensionit minimal, rritjen e pagës minimale dhe përshkallëzimin e moshës së pensionit.

Kërkesat e ish-minatorëve në interpelancë
•Pagat minimale jo më pak se 200% e pagës minimale zyrtare. Për këto kërkesa për referim kemi kohën e diktaturës. Edhe pse nuk mund të flasim për standartin e jetesës, por në raportin mes profesioneve dhe elementëve të tjera si pagat e pensionet, ne ishim njëlloj si gjithë bota e qytetëruar.

I referohemi vetëm raporteve. Në kërkesat tona ne kemi kërkuar dukshëm më pak se në raportet e asaj kohe. Kemi kërkuar që pensioni minimal të jetë 131% e pagës minimale.
•Element tjetër që duam të diskutojmë është përshkallëzimi i moshës së pensionit, është reale që nëse një minator me 12 vjet nën tokë, dhe 30 vite punë gjithsej, del me 55 vjeç në pension. Ndërsa dikush që ka më pak muaj punë të dalë me 65 vjeç në pension.

•Ne kërkojmë për ata që humbin jetën në minierë, kërkojmë përkujdesje maksimale për familjet e minatorëve që humbin jetën.

Njëri prej ish-minatorëve i ka kërkuar me humor kryeministrit: “Prije pak timonin majtas se po ecën shumë djathtas, ne e dimë që shteti me taksa mbahet por jemi njerëz të sëmurë, me ilaçe”.

Përgjigja e Ramës

“Unë po e nis me kërkesën për taksat se besoj se ka një keqkuptim të madh për taksat, dhe po prek çështjen e ilaçeve. Sot në Shqipëri ka një dallim të madh mes aksesit të medikamenteve të popullatës me çka ishte më parë. Kemi hequr taksën mbi ilaçet, që ishte 10% për çdo ilaç që merrnin njerëzit në nevojë. Kemi përfshirë në listën e ilaçeve që merren falas 600 mijë njerëz që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve, kemi rritur listën e ilaçeve të rimbursueshme.

Dhe taksën e karburantit që ne e kemi vlerësuar se do ishte më e udhës që të rrisnim aty një taksë që nuk do rëndonte xhepat e shqiptarëve, më mirë se një taksë që do ju bëhej barrë. Ju sfidoj të më tregoni një taksë të vetme që ka rritur qeveria. Nëse njerëzit ishin mësuar mos paguanin drita, ujë, kostot e shërbimeve dhe sot i paguajnë këto nuk janë taksa, këto janë pagesa për shërbime që kanë brenda një mall që paguhet”

Përgjigja e Gjiknurit

“U ra dakord që të përpunohet një draft i përbashkët ku adresohen e dalin në pah elementë kryesorë të kërkesave tuaja. Ne arritëm të ulim moshën e pensionit, ishte gjë e mirë se gjeti mbështetjen e të gjithë grupimeve. Nga ana tjetër ne kemi pritur që të vijë ky draft, jemi akoma në komunikim. Realizimi i pagës minimale të minatorëve besoj se mund të bëhet, nuk është ndonjë problem. Sepse edhe jashtë vendit minatorët kanë filluar të paguhen më mirë. Çdo kryeministër dëshiron të zgjidhë problemet e popullit të tij, sidomos ato në profesione të vështira, por mungon buxheti. Do ngremë grupin e punës të diskutojmë për realizimin e draftit”.

“Prite pak timonin majtas se po ecën shumë djathtas”, si i përgjigjet Rama ish-minatorit Read More »

Projekti ambicioz për kthimin e Korçës në një Paris të vogël, ja ç’do të ndërtohet

Korça është një nga qytetet elitare në vendin tonë sa i takon kulturës. Sot një nga qytetet më të pastra dhe më të bukura, ky qytete synon më tej me një projekt të prezantuar kohët e fundit. Bëhet fjalë për ngritjen e një termocentrali në Korçë tashmë nuk është më një sekret. Projekti, që u njoftua pak kohë më parë edhe nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka marrë statusin e investitorit strategjik me kusht nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Projekti parashikon realizimin në zonën e Korçës të një termocentrali me cikël të kombinuar me rendiment të shndërrimit të energjisë termike në energji elektrike me 60% ose 5990 kj/këh me kapacitet 480.9 MË.

“Impianti synon të furnizohet me gaz nga projekti i gazsjellësit TAP në sasi 6.36 x 108 m3/vit (distanca 2 km në veri) sipas një kontrate që vetë subjekti propozues do të negociojë me kompaninë TAP ag dhe furnizuesit e gazit. Energjia elektrike e prodhuar synohet të transmetohet tek nënstacioni elektrik Zëmblak duke dalë në treg të lirë me një qasje treg rajonal pa parashikuar si kusht nënshkrimin e një marrëveshjeje (PPA) me qeverinë shqiptare. Uji për kondensim (në sasinë 460 m3/orë) (128 l/s) parashikohet të merren nga impianti i pastrimit të ujerave të qytetit të Korçës ashtu sikundër parashikohet edhe hapja e dy puseve me kapacitet 20-30 litra/s secili.

Projekti në një fazë të dytë zhvillon konceptin e ngrohjes qendrore të qytetit të Korçës deri në 80 megavat energji termike për ngrohje dhe 6 MË për ujë sanitar. Zhvillimi i rrjetit të ujit të nxehtë në të gjithë qytetin synohet të bëhet nga Partneriteti Publik Privat që do të vendoset ndërmjet subjektit GPP Korçë dhe Bashkisë së Korçës”, thuhet në dokumentet zyrtare.

Sipas projektit, synimi është që të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 909 182 metër në Korçë, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë, Barç, Zëmblak, Malavec, Nevicisht për realizmin e termocentralit, lidhjes me TAP, lidhjes me sistemin e ujit, ndërtimin e shtyllave të linjës së transmetimit dhe ndërtimin e shtresës së nënstacionit Zëmblak.

“Nga e gjithë sipërfaqja totale prej 909 182 metër2 sipërfaqja prej 245 208 m2 nevojitet për përdorim të përhershëm. Vlera e parashikuar e investimit të projektit “Gas Poëer Plant Korça” plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 349.7 milionë euro. Përgjatë fazës së realizimit të projektit numri I personave të punësuar parashikohet të jetë 400 dhe gjatë fazës së operimit 123 persona” detajohet në projekt.

Komiteti i Investimeve Strategjike ka dhënë me kusht statusin e investimit strategjik për tre vjet ndaj subjektit aplikues, ndërkohë që ka kërkuar që ky i fundit të plotësojë hallkat e tjera të nevojshme që lidhen me garancitë financiare, me marrjen e licencës për energjinë. Lidhur me pronësinë KIS ka bërë me dije se nuk mund të ndërhyjë në proces të paktën në këtë fazë fillestare dhe se subjekti duhet të hyjë në negociata me pronarët e tokave për të arritur një marrëveshje.

GPP Korça është një kompani e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit më 3 janar 2017, ku aksioneri i vetëm i 100 për qind të kuotave është Ivicom Holding GmbH. Referuar faqes së saj zyrtare, kompania rezulton e krijuar në Austri në vitin 1991. Ajo ka zgjeruar praninë e saj në vende të tjera të rajonit si Kroaci, Serbi, Mal i Zi, Bosnjë-Hercegovinë apo Gjeorgji. Në Shqipëri, adresa e saj primare rezulton në Pogradec. Në fokus të aktivitetit, kompania ka konsulencën, punimet inxhinierike, mbikëqyrjen, menaxhimin e projekteve dhe ndërtimin e impianteve industrial si dhe ndërtime të tjera përfshirë ato infrastrukturore.

© SYRI.net

Projekti ambicioz për kthimin e Korçës në një Paris të vogël, ja ç’do të ndërtohet Read More »

I dashuri i vuri flakën, ajo vdiq pasi lëngoi gjatë në shtrat. Sot e ëma do bëjë diçka të rrallë

Në muajin qershor të vitit 2015, pra rreth dy vjet me pare, në një pikë karburanti në periferi të Ohajos Michael Slager, në atë kohë i dashuri i Judy-t, e spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën asaj.

Nëna e dy fëmijëve ndërroi jetë gushtin e vitit të shkuar, pas dy vitesh vuajtjeje në spital si pasojë e djegieve të shkaktuara në 90 për qind të trupit të saj nga i dashuri, që pasi e leu me benzinë i vuri flakën.

Por, 9 muaj më vonë, 33-vjeçarja Judi Malinowski do të dëshmojë në procesin gjyqësor për vrasjen e saj.

Gjyqtari Guy Reece vendosi një precedent në këtë rast kur pranoi që juria të dëgjojë dëshminë që e ëma e 33-vjeçares i kishte marrë vajzës së saj nga shtrati i spitalit për dy vite me radhë.

“Judy luftoi dhe u bë e fortë për të treguar historinë e saj dhe vendimi për ta dëgjuar këtë histori është hapi i parë për vendosjen e drejtësisë. Vuajti shumë, por sërish gjeti forcën dhe kurajon që të sfidonte dhimbjet dhe të artikulonte qartë autorin e tmerrit të asaj nate. Jam shumë krenare për të dhe e di që një ditë do ta shoh, megjithëse ma theu zemrën në këtë jetë”, deklaroi e ëma e Judy-t, Bonnie Bowes.

I dashuri i vuri flakën, ajo vdiq pasi lëngoi gjatë në shtrat. Sot e ëma do bëjë diçka të rrallë Read More »

Kryeministri i vendit Edi Rama e nis ditën duke na uruar mirëmëngjesi me shembullin e …

Kryeministri i vendit Edi Rama e nis ditën duke na uruar mirëmëngjesi me shembullin e Gazmirit që ka nisur punë në një sektor që po rritet çdo vit.

Ja statusi i plotë:

MIRËMËNGJES

dhe me Gazmirin që ka nisur punë në një sektor që po rritet çdo vit dhe presim të ketë një zhvillim të konsiderueshëm në tre vitet e ardhshme, ju uroj një javë të mbarë.

 

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155738172561523/?t=0

Kryeministri i vendit Edi Rama e nis ditën duke na uruar mirëmëngjesi me shembullin e … Read More »

Trashëgimtarja e vetme e Eqerem bej Vlorës tregon jetën e saj, nga sarajet deri në varfëri

Trashëgimtarja e vetme Eqerem bej Vlorës, (i ati i tij Syrjai, djali i xhaxhait të Ismail Qemalit), është larguar nga jeta disa ditë më parë. Dikur, në këtë intervistë, na ka treguar jetën e saj pas largimit të të atit në Itali, ku punoi si gazetar. Çfarë trashëgoi në pasuri dhe në mënyrën e jetesës nga sëra e bejlerëve të mëdhenj, të cilëve u përkiste. “Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetëmetërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe, me një tjetër më të vogël përpara.

Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Kurse populli, këtë kompleks e quante thjesht ‘sarajet e beut’. Këtu, më 1 dhjetor 1885, linda unë, si bir i Syrja bej Vlorës dhe i Mihri hanem Toptanit. Dhe siç më tregon nëna, “linda me këmishë”, d.m.th, si kanakar i fatit. Kjo besë- tytni popullore më ka sjellë vërtet fat në jetë, por i lumtur unë nuk kam qenë kurrë”. Këto copëza përshkrimesh nga fëmijëria e të atit, vajza e dytë e Eqerem bej Vlorës, Ajnishaja, e vetmja pasardhëse që kishte mbetur prej tij deri pak ditë më parë, i kishte të lexuara, si të gjithë ne, prej librit “Kujtime” të shkruar nga i ati.

Fragmente të vogla prej tij kishte dëgjuar edhe nga e ëma, në vitet e gjata që jetoi me të dhe të motrën, porse nga babai vetë nuk mundi të dëgjojë asnjëherë asgjë. Fati e desh, që ndryshe nga i ati, ajo të mos lindte “me këmishë”, të mos ish kanakar e fatit, dhe e lumtur të ndihej vetëm në vitet e fundit, gjatë pleqërisë së saj. Lumturi kjo, e dhuruar nga pasardhësit që do t’i jepnin fëmijët e nga ato kujtime materiale, që do të rifitonte sërish prej babait të saj. ‘Shtëpia e beut’, siç vazhdon të quhet e është quajtur gjithëherët në Vlorë, i kishte kaluar trashëgimtares së mbetur të familjes, duke i dhënë kështu mundësinë për t’u futur realisht në kujtimet që babai pat hedhur në letra.

Vetëm përfytyrimet mund ta ndihmonin, që si në fotografi e shkrepur gjatë një darke në Vjenë ku ajo ishte përzgjedhur si më e bukura “puzzle”, të formonte oxhakun e stërmadh të sallonit, bibliotekën e pasur, prej së cilës kishin mbetur vetëm drurët e qershisë me njolla mole. Pra, ç’kishte parë në fotografitë e mbetura të familjes, dhe ç’mbante ende në kujtesë, nga rrëfimet e frikura të mamasë. Në kohën kur ajo ishte rritur, e denjë për të kuvenduar shtruar me të ëmën, bisedat për të atin mund të bëheshin vetëm nëpër dhëmbë, duke e kontrolluar zërin për të mos u dëgjuar, ndryshe rreziku mund të shfaqej në çdo çast.

Anishanë, Eqerem bej Vlora e la aq të vogël sa ajo vetë nuk mund të ketë as edhe një parafytyrim të turbullt të imazhit të tij. Prandaj, edhe kur e pyetëm për ngjarje familjare lidhur me të (ato që i kishin thënë e që nuk janë pjesë e kujtimeve në librat e tij), ajo nuk i ndërtonte dot në rrjedhë kronologjike, porse shkëpuste situata a përjetime që, pavarësisht viteve që mban sot mbi supe, i kanë mbetur ende përpara syve.

Përtej politikës e historisë, a keni ndonjë kujtim të gjallë prej babait tuaj?

Kujtime të gjalla nuk mund të kem, sepse kam qenë fare e vogël kur ai është larguar nga Shqipëria. Isha vetëm nëntëmuajshe. Ime motër që ish gati 12 vite më e madhe në moshë se unë, e pati fatin për ta njohur e për ta kaluar një pjesë të fëmijërisë me të dy prindërit, ndërsa unë jo. Përveç kësaj, vitet që kanë kaluar, por edhe vështirësitë fizike që unë kam kaluar, kanë bërë të vetën, as rrëfimet rreth tij nuk i kam më të gjitha në kujtesë.

Një arsye tjetër pse ndodh kështu, është edhe sepse ato më janë rrëfyer thuajse në gjysmë zëri. Pas largimit të babait, jetesa u bë për ne shumë e vështirë, u degdisëm sa nga njëri vend në tjetrin dhe, që të rrije në këtë nivel jetese, pra, të mos përfundoje edhe më keq, duhet të kishe sjellje ‘korrekte’, pra, temat rreth tij të mos ishin të shpeshta. Pa dyshim, që askush, në asnjë rrethanë, nuk mund të na i mohonte, veçse i bënim gjithnjë me drojë.

Mund të na sillni diçka prej atyre rrëfimeve?

Sikundër mund të dini nga historia, pas formimit të qeverisë së Ismail Qemalit, që ishte xhaxhai i tim ati, babai është zgjedhur deputet, ka qenë anëtar i qeverisë dhe ka vazhduar që prej kësaj kohe të jetë në poste të ndryshme drejtuese si ministër i Jashtëm, ministër i Tokave të Çliruara të Kosovës etj. Ka qenë mik me Fan Nolin, edhe pse me pikëpamje të ndryshme me të, ka qenë mik i Princ Vidit, e të tjera si këto, që ndoshta i keni të lexuara. Në 1925 është martuar me time më, Hadije Vrionin, dhe lindi pas kësaj ime motër Lajla, vite më vonë edhe unë. Lajla ka lindur në Romë, ndërsa unë në Shqipëri.

A nuk kanë pasur Vlorajt lidhje fisnore me Vrionasit?

Po, kanë pasur dhe në fakt im at i binte ta kishte time më njëkohësisht kushërirë të tretë. Por martesa e tyre është bërë me mblesëri, kështu funksiononte atëherë. Ishte një siguri nga ana e të dyja familjeve, që pasuria të qëndronte mes tyre. Im at e ka shprehur edhe vite më vonë pas martesës, duke e konsideruar atë si një gabim. Ka thënë shprehimisht se “nuk duhet të isha martuar me time kushërirë”. Në fakt, ka ndodhur e njëjta gjë edhe me babanë e tij, e ëma e Eqerem beut ka qenë prej familjes Toptani… Salloni i shtëpisë së Eqerem bej Vlorës, siç e quanin “sarajet e beut” Po, ka funksionuar e njëjta skemë, që siç dihet është bërë për të njëjtat arsye.

Lukset e bejlerëve, përveç jush, të gjithë i kanë shijuar. Motra juaj vetëm për disa vite, por mamaja po, sepse edhe vetë vinte prej po këtij rangu. Ç’ju kanë treguar?

Po ju tregoj për humor diçka që më ka ndodhur pas viteve ’90, kur shkuam në Itali me tim shoq, si gjithë shqiptarët e tjerë. Ishim edhe ne mes turmave të njerëzve, që prisnin lëmoshë prej nga t’i vinin. E kam fjalën për ushqimet që na hidhnin italianët në kohën e eksodeve. Tim shoqi i pati rënë një banane pranë dhe nuk dinte si ta hante. E kthente e rrotullonte, duke u përpjekur ta kafshonte me gjithë lëkurë. As unë nuk kisha parë ndonjëherë, ama sa ma tregoi, më erdhën në kujtesë, mes asaj lufte për mbijetesë, tregimet e sime motre për një frutë tropikal që piqej në vendet e ngrohta.

Më tregonte sesi ky fryt hahej, pasi i ishte hequr lëkura. Bëhet fjalë që ajo i kishte provuar që në vitet ’30-të. Vetëm nga përshkrimi i kam njohur dhe i kam thënë tim shoqi se si duhet ta hante. Ky është një episod që e kujtojmë shpesh e qeshim. Pastaj, mamaja më ka treguar për vitet e bukura të jetesës së tyre. Udhëtimet e darkat, ku ftoheshin nëpër vende të ndryshme të Europës. Emocionet e mira që ndiente, kur e veçonin si më të bukurën nga të tjerat për ta fotografuar. Më ka treguar për një darkë në Vjenë, kur babai ka qenë ministër i Jashtëm. I ishin afruar për t’i kërkuar leje, nëse mund të fotografonin të përzgjedhurën e asaj darke. Atë fotografi të familjes mund ta shihni këtu mes të tjerash.

Ju ka ardhur keq që ju s’keni qenë pjesë e këtyre privilegjeve?

Atëherë ndoshta po, tani që jam mirë me familjen time, me nipër e me mbesa, gjërat kanë ndryshuar, sado që tepër vonë. Atëherë po, domosdo që kishe keqardhje. Për shembull, gjatë ecejakeve në Tiranë, kur ende ishim të pastabilizuar, sepse nuk dihej se ku do na çonim, kaloj përdore me mamanë përpara godinës së Ministrisë, ku kishte pasur zyrën babai. Ime më më tregon duke kthyer shikimin andej nga kishte qenë dritarja e zyrës së tij, me pamje nga rruga. Në atë situatë që ishim ne, ku s’i dihej sesi do të na vinte filli, të kishe të tilla përjetime, të vinte keq patjetër.

Apo koha kur kishin jetuar për pak në Angli e babai pyeste mamanë nëse do t’i pëlqente të jetonin përgjithmonë aty. Pretendimet e saj për kohën kur më rrëfeheshin mua këto gjëra, ishin krejt qesharake e të dhembnin. “Jo, i thoshte, nuk më pëlqen të jetoj këtu, sepse s’e duroj dot avullin nëpër xhama, brenda dritareve”. Më tregonte se prej të ftohtit, xhamat atje ishin dopio dhe krijonin avuj, që atë e bezdisnin. Edhe sot, këto teka të bëjnë të qeshësh.

Tekave ajo nuk mund t’u shpëtonte. I kishte lënë në shtëpinë e vjetër e i kishte gjetur në atë të renë…

Po, po, ime gjyshe, Mihrije Toptani, ka qenë më shumë se kaq. Më tregonte mamaja se si njëherë kishte kërkuar prej kuzhinierit italian të familjes, Hozesë, t’i gatuante arapash, siç i thoshte ai, polenta. E meqë ish zevzeke nga natyra, kalonte nga kuzhina demek për ta kapur në befasi. E bëri këtë gjë edhe kur kishte kërkuar arapashin dhe e gjen Hozenë duke provuar gatimin me lugë, të cilën e rifuti në enë. Reagimi i saj ishte i menjëhershëm, aq sa kuzhinieri u pushua nga puna. Pas viteve ’90- të kemi takuar Mirton, punëtorin që bënte pazarin.

Rrëfimet e tij, që ne i bëjmë tashmë në të qeshura e sipër, natyrisht, janë pafund. Nuk numërohen herët që gjyshja ia kthente mbrapsht mishin që kish blerë sepse nuk bënte. Një nga këto herë, Mirto kish takuar rrugës Eqeremin, i cili pasi e merr vesh ç’kishte, i thotë që të rrijë, të pushojë ca kohë në stol e të kthehet në shtëpi, demek e ka ndërruar mishin. Mihrija as që kuptonte gjë dhe e lavdëronte mishin e dytë. Kështu shpëtuan të gjithë.

Ç’u bë me ju pas largimit në Itali, në ’44-n, të babait?

Pasi vendosi të largohej, babai na çoi te halla në Tiranë, te ish-Ambasada Kubaneze. Jetuam atje deri në ’50-n. Mamaja i kërkoi të na merrte me vete, por ai kish frikë nga të papriturat e detit e motit të keq dhe nuk na mori. Pasi na hoqën edhe nga halla, shkuam në Babrru, te një kushërirë jona e pas asaj në Durrës. As aty nuk na lanë, derisa përfunduam në Kavajë, ku mundëm të gjenim strehim e ku më në fund njerëzit nuk po na trajtonin si në vendet e mëparshme, ku kishim qenë, ishin të mirë me ne.

Ndërkaq kishit lajme nga babai, ç’ishte bërë me të?

Babai kishte shkuar në Itali, ku vazhdoi të qëndrojë për 10 vite, duke punuar si gazetar në Raiuno. Në kohët e para nuk dinim asgjë, përveçse që ishte gjallë, sepse të gjitha letrat a pakot që niste, ktheheshin mbrapsht. I lejuan vetëm për një farë kohe në vitet ’60-të, pastaj sërish u ndërprenë. Dërgonte letra të shkurtra me pseudonim, kartolina ku shkruante fare thjesht.

Me ç’pseudonim, e kujtoni?

Po, si të mos e kujtoj, andej i kishim të gjitha shpresat. Nënshkrimi i tij ishte Adalxhiza Rosi.

Po ju si e ndërtuat jetën në Kavajë?

Jetonim me ato pak që mund të merrnim prej babait, disa para ai na i dërgonte përmes vajzës së hallës, që jetonte gjithashtu në Itali. Mbaruam shkollën deri në fund të gjimnazit. Pastaj unë, ndryshe nga shoqet, nisa punë në fidanishte. Motra punonte në ndërtim, por vdiq në moshë të re prej një gripi që atëherë quhej “Hong Kong”. Pas vdekjes së saj unë u sëmura dhe kalova vite të këqija. Ime më kërkoi punë në Komitetin Qendror, ku i qëlloi një vlonjat që e ndihmoi. Edhe mua, pasi u përmirësova, më futën të punoja në qeramikë, në artistiken e Kavajës, ku punova derisa dola në pension. Po aty u martova e krijova edhe familjen time. Mamaja vdiq në vitin ’84.

Prej babait deri kur patët lajme? Ç’u bë me të pas largimit nga Italia?

Pasi u mund pak në moshë, babai ishte transferuar në Vjenë, ku punonte po si gazetar, por me kohë më të reduktuar. Atje ka jetuar me motrën e mamasë, që ka qenë e ëma e Hëna Këlcyrës, derisa ka vdekur 78 vjeç nga zemra.

Meqë jemi në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, por edhe sepse është gjithsesi e rëndësishme, na tregoni pak për historinë e flamurit që Eqerem bej Vlora solli prej France.

Sipas gojëdhënave, kur babai ka qenë në Francë, ka takuar një të ri që ish nga fisi i Skënderbeut, Aldo Kastrioti quhej. Ai i pat dhuruar një flamur, të cilin babai e vendosi në kornizë dhe e mbante në shtëpi, në dhomë të gjumit madje, siç më ka treguar mamaja. Në ’12-n, kur do ngrihej flamuri, Ismail Qemalit i ishte treguar kjo gjë dhe ai dërgoi Eqeremin në shtëpi për të marrë flamurin kuq e zi. Babai i pat thënë se këtë flamur mund t’ua jepte vetëm hua, megjithatë u kishte treguar se në lagjen “Muradije” ishte një Marigo, që qëndiste shumë bukur. Në bazë të këtij modeli, ajo mund të qëndiste flamurin që dëshironin. Dhe kështu ngjau… Biblioteka e tij, në mos jo sa flamuri, ka qenë mjaft e dëgjuar për pasurinë. Aq sa në atë shtëpi që sot është juaja, ka qenë për vite të tëra biblioteka e qytetit.

Çfarë kishte mbetur prej saj kur rimorët shtëpinë?

Babai ka ditur 11 gjuhë, kështu që mund ta merrni me mend se ç’literaturë e larmishme gjendej në raftet e shtëpisë së tij. Thuhej se biblioteka e tij ka qenë një ndër më të mirat në Ballkan. Pas ’90-s, prej saj kishte mbetur vetëm mobilja e shkatërruar. Një pjesë të tyre është thënë se i mori jugosllavi në ’45-n, ndërsa pjesa tjetër mund të jetë edhe në Tiranë. Ajo ka qenë kryesisht e pasur me enciklopedi. Përmes të njohurve kemi mësuar se disa prej tyre janë edhe në Vlorë. Tani vonë madje, është zbuluar se ‘Vallja e Shpatave’ është në Muzeun e Vlorës./Panorama

Trashëgimtarja e vetme e Eqerem bej Vlorës tregon jetën e saj, nga sarajet deri në varfëri Read More »