Aurora

“Cari” i plakur i PD, përballë drejtësisë për mëkatet e 26 viteve: Sali Berisha e nisi me tesër të kuqe, e vazhdoi me pardesy të bardhë, po e mbyll me… faqe të zezë

Teserën e kuqe të PPSH e kërkoi dhe ia dhanë në datën 8 nëntor 1968, me rastin e 27 vjetorit të themelimit të PPSH dhe ky ishte privilegj, që u bëhej vetëm personave të devotshëm për partinë dhe atyre me biografi politike familjare e fisnore të kulluar deri në 7 breza.

Shkruan: Memo Aliaj
Për të shkruar biografinë e Sali Berishës, nuk duhen angazhuar historianë, por hetues të specializuar, mbasi veprimtaria e tij në këto 26 vite është e tejmbushur me shumë intriga, djallëzi, prapaskena, abuzime, krime njerëzore e ekonomik-financiare, me pengmarrje e zhukje personash, me anti-shqiptarizma e deri me mbështetje të hapur, për kryrje gjenocidi mbi shqiptarët e Kosovës, duke furnizuar regjimin gjakatar të Milosheviçit me karburant e municione, në thyrje të plotë e të hapur të embargos së SHBA-NATO-s.

Nuk është rastësi futja dhe mbajtja e tij në politikën shqiptare në vitin 1990. Përkundrazi ishte një përzgjedhje “ekspertësh”, mbasi ai ishte një “specie” e përkëdhelur e “faunës” së egër të ish-kupolës së regjimit komunist, i brymosur intensivisht me ligësinë e krimit, për të qenë kultivues i krimit.

Biografia e Sali Berishës, ka tre momente kryesore:

Në diktaturë, 25 vjet sekretar partie, komunist i pranuar në datën 8 nëntor Karriera e Sali Berishës, ka qenë e “mbarë” edhe në vitet e dikturës komuniste, jo thjeshtë e vetëm si mjek, por së pari si militant aktiv i partisë, si aktivist shoqëror i rinisë dhe fronit demokratik, si sy vigjilent i Degës së Punëve të Brendëshmë dhe kontribues në gjykata, kundër armikut të klasës.

Sali Berisha u pranua në parti ende student në moshën 24 vjeçare (1968), pa bërë asnjë ditë stazh partie, i cili për personat me arsim të lartë të asaj kohe, ishte 3 vite në prodhim!

Teserën e kuqe të PPSH e kërkoi dhe ia dhanë në datën 8 nëntor 1968, me rastin e 27 vjetorit të themelimit të PPSH dhe ky ishte privilegj, që u bëhej vetëm personave të devotshëm për partinë dhe atyre me biografi politike familjare e fisnore të kulluar deri në 7 breza.

Rekomandues për t’u pranuar në PPSH, Saliu kishte 3 komunistë që kishin lidhje shërbimesh mjekësore me familjen e Enver Hoxhës dhe anëtarëve të Byrosë Politike të PPSH.

Për merita të shquara në shërbim të partisë dhe sigurimit të shtetit, Saliu u zgjodh sekretar partie, detyrë të cilën e mbajti më “mjeshtëri” deri ditën kur u bë sekretar i parë i Komitetit Qëndror të PD.

Për besnikëri të lartë ndaj partisë, u ftua të kalonte pushimet verore me fëmijët e Enver Hoxhës e në mbrëmje të ulej këmbëkryq në oxhakun e vilës së dikatatorit.

U përzgjodh të shëtiste e të bënte fotografi me Hysni Kapon, Simon Stefanin e udhëheqës të tjerë të lartë të PPSH.

Në Dhjetor 1990, me pardesy e bardhë… si djalli me vello nusërie

Në vitin 1990, kur udhëheqja e PPSH i dha urdhër dhe e ngarkoi me misionin, për t’u konvertuar në anti-komunist, Sali Berishën e veshën me “lëkurë demokrati” me pardesy të bardhë dhe ai nisi plotësimin e detyrës, duke u futur si “urithi” mes studentëve grevistë e mëpastaj në komsionin nismëtar të tyre, duke arritur të bëhet edhe drejtues i grupit themelues të PD.

E më pas siç dihet, sipas skemave të sigurimit të shtetit, u ngjit në postin e kryetarit të kësaj partie, ku qëndroi deri ditën kur nisi të përdorte pampersa (2013).

Si i preferuar i veçantë i vilave dhe varkave vozitëse të familjes së diktatorit Enver Hoxha, Sali Berisha nuk e themeloi por e uzurpoi PD, i desantuar brenda lëvizjes studentore nga Ramiz Alia, i instruktuar nga Sigurimi i Shtetit, për të mos e lënë PD në duart e antikomunistëve të vërtetë, por për ta mbajtur me çdo çmim në dorë të tij dhe “ushtrisë” së komunistëve, hetuesve, prokurorëve, shtetarëve, gjyqtarëve, kryepolicëve e xhelatëve të burgjeve politike të diktaturës, ashtu siç veproi realisht.

Ndaj dhe PD, u krijua para se të liroheshin të burgosurit politik, me qëllim që të mos e krijonin ata këtë parti, por ta krijonte PPSH-ja e cila ja la amanet Sali Berishës.

Dhe ai, ia doli ta mbante peng PD e djathtë, duke e kthyer në vegël shërbimi të së majtës.

Sali Berisha arriti të shkatëronte PD e të djathtën reale, duke spastruar çdo kundërshtar me intriga, presione, dhunë, spostime, përçarje krahinore e deri eleminime fizike të nismëtarëve të “Dhjetorit ’90”!

Pasi e shkatërroi dhe e ktheu PD në “paçavure”, ia dorëzoi atë plaçkaxhiut të familjes së tij, dylberit holandez Lulzim Basha.

Tashmë PD, me bekimin e intrigantit Sali është bërë çiflig i llojit Luli, “spital psikiatrik” i llojit Sali, “azil pleqsh” i llojit Spaho, xhungël e llojit Muli, pazar i llojit Pollo, qendër estetike e llojit Duma, pijetore e llojit Ristani, “motel” i llojit Salianji, teatër komik i llojit Balliu.

Saliu 75 vjeç, po e mbyll me faqe të zezë..

Saliu e nisi karrierën me tesër të kuqe, e vazhdoi me pardesy të bardhë dhe po e mbyll me faqe të zezë.

Janë “plagët” e viteve, kur Saliu qeveriste si sulltan, kur kujtonte se Shqipëria ishte çiflig i tij, ndërsa shqiptarët skllevër.

Janë të shumta krimet që ka bërë Sali Berisha gjatë 24 vite në krye të PD, gjatë 5 vite në krye të qeverisë e presidencës dhe gjatë 8 viteve në krye qeverisjes së tij, duke përdorur bandat që i asgjësonte, spostonte e rinovonte shpesh, për të vijuar dhe mbuluar krimet.

Prej 5 vitesh, Saliu po hiqet sikur ka dorëzuar PD, por në fakt vetëm e ka transferuar atë tek dora e një farë Luli-Lolo, të cilin e mban dhe e tërheq prej “kapistalli” sipas interesave që ka, me qëllim për të mbrojtur krimet nga drejtësia.

Por këto dosje krimesh, tashmë kanë nisur t’i hap drejtësia dhe ish-bashkëpunëtorët e Saliut, të cilët e akuzojnë për piramidat, 3000 vrasjet e luftës së vitit 1997, rrëmbimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës, djegia e gazetës “Koha Jonë”, masakrimi i gazetarëve Zamir Dule e Bardhok Lala, vrasja e Azem Hajdarit, sulmi ushtarak mbi institucionet më 14 shtator 1998, biznes-krimi që shkaktoi 26 viktimat e Gëdecit, “vetë-vrasja në gjueti” e Kosta Trebickës, 21 Janari 2011 i 4 protestuesve të vrarë nga Garda e deri tek krimet e rënda ekonomike-financiare, si shitja e CEZ, ARMO, 4-HEC-eve tek “Kurum” etj.

Këto janë dosje, hapja e kapakëve të bardhë të të cilave, do të jetë mbyllja e karrierës dhe jetës së Sali Berishës me… faqe të zezë!/Pamfleti.com

“Cari” i plakur i PD, përballë drejtësisë për mëkatet e 26 viteve: Sali Berisha e nisi me tesër të kuqe, e vazhdoi me pardesy të bardhë, po e mbyll me… faqe të zezë Read More »

“Shell”, kërkime në Shpirag. Plane për të investuar miliarda dollarë në naftë (Video)

Përfundimi i gazsjellësit TAP dhe kaskadës së Devollit pritet të sjellë rënien e investimeve duke frenuar rritjen e ekonomisë. Por Shqipëria mund të ketë një alternativë për të dalë nga kjo situatë. Ajo është Shell, gjigandi botëror i naftës.

“Pak vite më parë ne patëm në një zbulim në Shpirag. Dhe në atë kohë ishim përpara një pyetje. A ka mjaftueshëm naftë të prodhueshme apo jo? Aktualisht jemi në fazën e vlerësimit. Jemi duke shpuar një pus të ri, i cili deri në fund të këtij viti do të na japë përgjigjen përfundimtare të kësaj pyetje. Nëse rezultatet do të jenë pozitive, atëherë ne do të nisim menjëherë fazën e zhvillimit. Në këtë fazë do të shpohen shumë puse dhe do të ndërtohet infrastruktura prodhuese dhe ajo mbështetëse”, tha Rohan D’Souza, Drejtor i Shell, Shqipëri.

Sipas drejtorit të Shell në Shqipëri, nëse rezultatet do të dalin pozitive atëherë Shpiragu do të shndërrohet në investimin më të madh Shqipëri. Por me gjithë optimizmin e lartë, drejtuesit e Shell mbeten të matur.

“Bëhet fjalë për disa miliarda dollarë , të cilat do të investohen brenda një kohe të shkurtër. Në këtë moment nuk mund të them një numër të saktë, pasi jemi duke pritur rezultatet e testimeve. Ne jemi shumë optimistë. Kjo është edhe arsyeja që jemi këtu dhe po vazhdojmë të investojmë. Por në biznesin e kërkimit të naftës nuk je asnjëherë 100 për qind i sigurt pa patur rezultatet përfundimtare”, thotë drejtori i SHELL.

Për shkak të çmimeve të ulëta të naftës gjatë viteve të fundit. Shell ka pezulluar investimet në kërkim nafte në shumë vende të botës. Në Shqipëri kompania vazhdon të investojë, por I kërkon qeverisë më shumë qartësi.

“Në këtë moment ka disa paqartësia apo përplasje të ligjeve fiskale. Ne kemi një kontratë që përcakton një kuadër të caktuar fiskal, ndërkohë që administrata tatimore vepron në bazë të ligjeve të saj. Pra ka nevojë të qartësohet se cili ligj do të zbatohet. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, shprehet D’Souza.

Shell është kompania e 6-të më e madhe e botës. Vitin e kaluar ajo arkëtoi 305 miliardë dollarë të ardhura, një shifër 25 herë më e madhe se gjithë prodhimi kombëtar i Shqipërisë. Top Channel

“Shell”, kërkime në Shpirag. Plane për të investuar miliarda dollarë në naftë (Video) Read More »

Prestigjiozja kanadeze , ‘Troymedia’ : Shqipëria, destinacioni turistik i përsosur !

Prestigjiozja kanadeze “Troymedia” në një shkrim të publikuar së fundmi e ka renditur Shqipërinë ndër pesë destinacionet më të lira turistike në Evropë.

“Shqipëria është një destinacion i përsosur për çdo gjë, që nga një pushim i shkurtër në qyteti në një javë relaksi në plazh”, citohet në shkrimin e prestigjozes kanadeze.

Qyteti i Tiranës, vijon më tej përshkrimi, ofron për vizitorët mjaftueshëm familjaritet.

Por, udhëtimi i medias kanadeze shkon përtej kryeqytetit, duke mbajtur hovin në brigjet e deteve që lagin vendin tonë duke e cilësuar si kartolina perfekte e Shqipërisë nëpër botë.

“Shtrirja e pacënuar e vijës bregdetare është praktikisht e paprekur”, thuhet në artikull, transmeton Atsh.

Po ashtu artikulli evidenton se çmimet si për akomodim, edhe për ushqim, janë shumë të ulëta.

“Nuk ka kurthe turistike ku mund të biesh, kështu që ju mund të rrini duarkryq dhe të relaksoheni me një buxhet të ulët prej vetëm 20 – 30 euro në ditë”, shkruan prestigjozia kanadeze.

Ndërkohë, katër shtetet e tjera evropiane të përfshira në renditje janë Polonia, Sllovakia, Kroacia dhe liqenet e Maqedonisë.

Shqipëria, kohët e fundit është vendosur në fokusin e shumë mediave evropiane për bukuritë që ofron në fushën e turizmit dhe kulinarisë, duke gjeneruar për rrjedhojë jo pak interes nga të huajt, të cilët vizitojnë vendin tonë çdo vit e më shumë./Atsh

Prestigjiozja kanadeze , ‘Troymedia’ : Shqipëria, destinacioni turistik i përsosur ! Read More »

Romeo Kara mesazh Berishës: Gënjeshtrave të tua po i vjen fundi. Izet Haxhia nuk ka bërë marrëveshje me askënd, sakrifikoi vetën për të fundosur ty

Këtë radhë, vërtet që gënjeshtra e Berishës i pati këmbët e shkurtëra.

Shkruan Romeo Kara

Me një patos të shtirur, që fatkeqësisht na ka mashtruar deri më tani, Berisha së bashku me cikrat e pështymës, lëshoi edhe akuzen se, Izet Haxhinë e solli në Tiranë, marrëveshja me Edi Ramën dhe premtimi i Ministrisë së Drejtësisë, se procesi do të rihapet.

Pa e mbyllur mirë gojen e tij, pusetën nga dalin të tëra të padëgjuarat, e vërteta erdhi dhe u shfaq e thjeshtë dhe me fakte të pakundërshtueshme, duke rrëzuar çdo alibi berishiane.

Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një marrëveshje Izet Haxhiaj-Edi Rama, por vetëm një marrëveshje të Izet Haxhisë me të vërtetën, e cila është edhe më e fortë se Rama.

Berisha përveçse e ka lypur me vepra dhe intriga këtë ditë, por nuk ka lënë pa e lypur edhe zyrtarisht, me shkresë, më firmë dhe me vulë, dhe me premtimin se ky proces do të rihapet.

Pra, Berisha tha vetëm një të vërtete se, ministria ka siguruar rihapjen e procesit, por për ironi të fatit, jo kjo ministria e Ramës, por ajo ministria e tij, që as edhe një pordhe nuk e lëshonte pa lejen dhe imzane e tij.

Kështu i nisi akuzat edhe për CEZ-in Berisha, se përveçse i ka dhënë të drejtë vetes për të akuzuar të tjeret, për prockat që ai i bën vetë, ai mendon se mund të luaje përjetësisht me këtë popull, lojen e ndyrë të bllofit.

Pasi meseleja e CEZ-it i doli për mysybet, mister akuzatori filloi me ulërima ndaj bashkëpunëtorëve duke kërkuar që të gjente atë që ngacmoi çështjen CEZ.

Kur i thanë se ishe vetë ti që e nise dhe na dhe edhe neve të tjerëve bekimin, atëherë uli veshët dhe urdhëroi ngritjen e çadres së bulevardit, të cilen e financoi me paratë e CEZ-it.

Tashmë kryeshpifësi vërtetoi diçka shumë të rëndësishme: se ka njerëz, që kaq shumë kanë vuajtur nga padrejtësitë e tij, sa janë gati të përballën edhe me burgun, vetëm e vetëm që të dalë e vërteta dhe të vendoset drejtësia.

Këta njerëz inspirohen nga vetë Zoti, dhe kryeshpifësi duhet t’a ketë të qartë, se skermitja e dhëmbëve të tij si dhe e kopesë së tij, ka vlerën zero përpara vendosmërisë tonë.
Ke gjithë jetën, që me paudhësitë e panumërta të tua o kryeshpifës, që po e lyp ditën e përballjes me drejtësinë.
Tani që ajo erdhi, bëhu të paktën për herë të parë burrë dhe përballu.

Romeo Kara mesazh Berishës: Gënjeshtrave të tua po i vjen fundi. Izet Haxhia nuk ka bërë marrëveshje me askënd, sakrifikoi vetën për të fundosur ty Read More »

Po na vdesin me pahir! E vërteta del në shesh, ky medikament shkakton kancerin e zorrës së trashë

Lista e rreziqeve të antibiotikëve vazhdon të rritet edhe më shumë. Sipas një grupi studiuesish të Harvardit, antibiotikët mund të shkaktojnë kancer të zorrëve. Duke përdorur sa më shumë antibiotikë, ne vrasim bakteret e mira në zorrë, çka e bën edhe më të vështirë luftën me infeksionet në të ardhmen, duke bërë që sistemi imunitar të krijojë rezistencë.

Studimi më i fundit tregon se për shkak të ndryshimeve në bakteret e zorrëve për shkak të antibiotikëve, edhe rreziqet për kancerin rriten vazhdimisht.

Studiuesit përdorën të dhëna nga mbi 16 000 gra të moshës 60 vjeçe e më shumë. Gratë që përdorën antibiotikë për 2 muaj ose edhe më shumë kohë, kishin rrezik më të madh për rritjen e sëmundjeve kancerogjene në zorrë.

Më konkretisht, ato që përdorën barna për të paktën 2 muaj ishin 30% të rrezikuara nga kanceri, ndërsa ato që që përdorën antiobiotikë për një periudhë më afatgjatë ishin 70% të rrezikuara nga kanceri i zorrëve.

Po na vdesin me pahir! E vërteta del në shesh, ky medikament shkakton kancerin e zorrës së trashë Read More »

Kush është bjondja që përqafon Rama?

Rrjeti ka “shpërthyer” pas publikimit të këtyre fotove!

Fotografi austriak Hubert Lobnig, ka celur në galerinë “Zeta” në Tiranë, një ekspozitë të frymëzuar nga takimi i tij i parë më Shqipërinë në vitin 1992.

Fotot që kanë ngacmuar më shumë audiencën kanë qenë ato të shkëputura nga shtëpia e cuditshme e kryeministrit Rama, në atë kohë pedagog në Akademinë e Arteve.

E përvec fotos ku dukej një dhomë e kthyer në studio pikture, dhe një mur i ngjyer me të kuqe ku binin në sy shkrimet me të bardha, një tjetër fotografi ka kuriozuar publikun.

Dhe është pikërisht fotoja ku kryeministri po përqafohet me një bjonde.

Lobnig nuke ka thënë emrin e personazhit, por ka treguar se është pedagoge.

Kush është bjondja që përqafon Rama? Read More »

Kokat e drejtësisë që ka prerë dosja “Haxhia”

Historia e dosjes “Haxhia” nuk është një problem i ri për Sali Berishën. Qyshkurse Izet Haxhia është arrestuar në Stamboll në vitin 2006, ai ka qenë një problem piskologjik dhe politik për Sali Berishën, dhe ka ngrënë disa koka ministrash Drejtësie.

Shkruan Mero Baze

Raporti që Sali Berisha vendos me vartësit e vet në pushtet, është paksa i veçantë. Për çështje shumë delikate që lidhen me probleme të tij personale, ai nuk flet kurrë me ta, dhe mbijetojnë vetëm ata që e kuptojnë vetë hallin e tij. Dhe nëse vartësi nuk hyn tek ata që ka konfidencë personale me Sali Berishën, mund të gabojë, ose të zbatojë ligjin, dhe pas kësaj konfliktohet me të.

Kështu ka ndodhur me dosjen “Haxhia”. I arrestuar në vitin 2006 në Stamboll, Haxhia duhej të ekstradohej në Shqipëri. Ministria e Drejtësisë i ka paraqitur Ministrisë turke të Drejtësisë kërkesën për ekstradimin në Shqipëri të këtij shtetasi, me shkresën Nr.147/6 Prot., datë 12.06.2006, firmosur nga Aldo Bumçi.

Por autoritetet turke pasi kanë marrë deklarimet e Izet Haxhisë, kanë konfirmuar që ai është gjykuar në mungesë në Shqipëri. Këtë ja ka konfirmuar i pari kryeprokurori Dhori Sollaku, duke i vënë në dispozicion informacion plotësues, që i është përcjellë Ministrisë turke me Nr.123/4, dt.29.03.2007 nga Ministria jonë e Drejtësisë, drejtuar nga Bumçi.

Përgjigja e Prokurorisë së Përgjithshme ishte se shtetasi Izet Haxhia është gjykuar në mungesë dhe se nuk rezulton që ky shtetas të ketë bërë deklarime përpara organit procedues.
Ka qenë kjo arsyeja që tërbimi i Sali Berishës ndaj Dhori Sollakut arriti kulmin dhe ishte i pakuptueshëm dhe për vartësit e tij.

Në përpjekje për të kuptuar tërbimin e tij, e kam pyetur në konfidencë Sali Berishën se ku qëndron problemi real me Sollakun, pasi vetë Sollaku kërkonte një lloj sqarimi në konfidencë për këtë.
-Na ka tradhtu tek dosja ‘Hajdari’, tha. Nuk e fal. Kam pas një marrëveshje me të kur e kam pranu kryeprokuror, jo nuk e fal…

Ishte pa pikë kuptimi atëhere ky shpjegim, por tani ka shumë kuptim. Sollaku ishte i pari që i kishte sqaruar turqit, se Haxhia është gjykuar në mungesë. Dhe pak më vonë u shkarkua. Aldo Bumçi iku ndërkohë sapo shkresa mbërriti në Stamboll, dhe Berisha e thoshte gjithandej se “e hoqa si budalla”. Por fati i tij ndriu më vonë, kur u muar vesh që ai kishte ndihmuar Shkëlzenin për projektin e Gërdecit dhe çështja e faksit që ishte nisur nga zyra e tij, e bëri sërish të rëndësishëm dhe e riktheu në politikë.
Pastaj ishte Ilir Rusmali.

Pasi autoritetet turke u informuan se Haxhiaj ishte gjykuar në mungesë më datë 02.04.2007, Ministria turke e Drejtësisë ka kërkuar garancitë e shtetit shqiptar lidhur me respektimin e të drejtës së këtij shtetasi për rigjykim, për shkak të gjykimit të tij në mungesë.

Me shkresën Nr.123/8, dt.06.04.2007, Ministria e Drejtësisë, firmosur nga Ilir Rusmali, i ka komunikuar Ministrisë turke të Drejtësisë garancitë e shtetit shqiptar për rigjykimin e këtij shtetasi, në zbatim të Kushtetutës, në aplikim të neneve 147, 148, 449, 450, 453 të Kodit të Procedurës Penale dhe në respektim të “Konventës Europiane për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut”, si dhe të Paktit Ndërkombëtar të 16 Djetorit 1966 në lidhje me të Drejtat Civile e Politike
Konform kësaj garancie, e drejta per rigjykim e shtetasit Izet Haxhia do te ushtrohej qoftë nëpërmjet rivendosjes në afat të ankimimit, qoftë nëpërmjet rishikimit të vendimit, si mjete të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale për ankimimin e vendimit të formës së prerë.

Sali Berisha nuk ja tha kurrë Ilir Rusmalit këtë problem, por fill pas kësaj, ai angazhoi gjithë strukturat e errëta të tij, duke i krijuar një problem banal me përgjimin e vëllait të tij, dhe pastaj përshëndeti dorëheqjen e tij ende pa mbaruar konferenca për shtyp.
Viktima e fundit, por me fat, duket se ka qenë Enkelejd Alibeaj.

Pasi Izet Haxhia e çoi çështjen përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, “Izet Haxhia kundër Shqipërisë”, për pretendimin e mos-ekstradimit te tij në Shqiperi për shkelje të nenit 6 te KEDNJ për shkak të gjykimit dhe dënimit në mungesë në vitin 2008, ministri i kohës Alibeaj i ka konfirmuar ministrit të Punëve te Jashtme të kohës, Lulzim Basha, garancitë e dhëna në vitin 2007 për rigjykimin për shkak te gjykimit në mungesë në aplikim të neneve 147, 148, 449, 450, 453 të Kodit shqiptar të Procedurës Penale, duke marrë dhe gjithë angazhimet që burojnë nga këto nene ku rigjykimi është i pari.

Pesëmbëdhjetë ditë pas kësaj, Enkelejd Albeaj shkarkohet me pretekstin e ndryshimeve në qeveri dhe në vend të tij shkon Bujar Nishani. Rikthimi i tij në politikë në vitin 2009 u bë falë e-maileve që dolën si udhëzuesi kryesor i ministrive, se si duhej bërë kontrata e “Gërdecit”. Duke qenë ish- këshilltar i Berishës, ai kishte shërbyer si konsulent privat i djalit të tij në atë histori, dhe kur e-mailet u administruan nga Prokuroria, ai u rikthye si hero i Berishëve.

Kjo kronolgji viktimash të pafajshme të drejtësisë, për shkak të kërkesës së vazhdueshme të tyre, se dosja “Hajdari” do rihapej me ardhjen e Haxhiajt, tregon se Berisha ka qenë në makth nga ministrat e tij, dhe duke mos dashur t’ua ekspozojë makthin e tij, i shkarkonte të gjithë që e bënin.

I vetmi që nuk e ka bërë këtë kërkesë është Edi Rama, dhe Izet Haxhia po ekstradohet me kërkesë të tij dhe do rigjykohet sipas garancive që kanë dhënë ish- ministrat e Berishës.

Po të shikoni skenat e fundit të Sali Berishës, tërbimin e tij pse është ekstraduar Izet Haxhia, ndërkohë që gjithë ministrat e tij kanë firmosur këtë letër dhe janë shkarkuar në heshtje, ndërkohë ai akuzon Edi Ramën se e ka sjellë në Shqipëri, e kupton se ku ka qenë makthi kryesor i tij.

Makthi i tij qëndron tek rihapja e dosjes “Hajdari”, të cilën ai nuk e rihapi kurrë, edhe pse e kishte premtim kryesor kur erdhi në pushtet në vitin 2005. Berishës, Azemi i duhet vetëm në bronz, vetëm i vdekur, i pagjykuar dhe mbi të gjitha, me një vdekje gjysëm ordinere, për të mos u zbuluar kurrë, kush e nxori në pritën e atyre që nuk dihet për kë kishin ardhur.

Kokat e drejtësisë që ka prerë dosja “Haxhia” Read More »

Në 8 vjet pushtet të PD, Zagani i Anti-drogës arrestoi vetëm “Eskobaren” 85 vjeçare Nënë Feride

“ÇUDIA”/ Berisha i “luftës anti-drogë” edhe kolltukët e zyrës i ka ngjyrë… hashashi
Shkruan: Memo Aliaj

Në çdo fjalim, deklaratë e akuzë të bërë ndaj qeverisjes së PS, ministrave, deputetëve dhe kreut të saj Rama, ish-kryeministri Sali Berisha citon etiketime të tilla si “narkoshtet, eskobar, vota droge, qeveri e hashashit, trafikant droge, kryeministër i bandave të drogës” etj.

Aq me mllef i artikulon këto etiketime, sa të krijohet përshtypja, sikur Saliu ose është viktimë dëmtuar keqas prej trafikut të drogës, ose është krejt i pastër nga molepsja prej saj.

Edhe mund të besohej “drejtësia dhe pastërtia e tij anti-drogë”, nëse ai nuk do të ishte kryeministër i 8 viteve, kur në “Lazaratin e PD” mbillej, prashitej, plehqërohej, vaditej, korrej, përpunohej, paketohej, matrikullohej, transportohej e trafikohej hashashi masivisht si produkt bujqësor, me punonjës që çoheshin me furgonë e autobusë, që qarkullonin në sy të shtetit, policisë, SHISH, kryetarit të Bashkisë së PD Lazarat dhe Sektorit të Luftës Antidrogë!

E jo vetëm në Lazarat, por kudo kishte drogë në ato, ashtu siç kishte edhe në 4 vitet e qevrisjes së PS.

Por Lazarati ishte “ferma” publike e hashashit që lejohej e nuk prekej nga shteti dhe policia e viteve 2005-2013, mbasi në cepat e çdo parcele, depoje përpunimi, autoboti uji e furgoni transporti punonjësish të drogës, valëvitej flamuri i PD dhe “rrezatonte” portreti i Sali Berishës.

Atëherë, mbaheshin fjalime e zhvilloheshin konferenca për luftën kundër drogës, për zbulimin, për kapjen dhe ndëshkimin e kultivuesve dhe trafikantëve të hashashit, ndërkohë që deputetët dhe drejtuesit e PD, “qelbnin” erë hashash pas çdo takimi në Lazarat!

Në 8 vjet pushtet me parullën “luftë kundër drogës”, pushteti i Berishës arrestoi e burgosi vetëm… “Eskobaren” 85 vjeçare me pseudonimin “Nënë Ferideja” e Vlorës, të cilën agjentët e kufirit dhe të antidrogës me në krye Dritan Zaganin, e kapën në “flagrancë” me 1 kërcell hashashi, të mbjellë në vazon e luleve në dritaren e banesës, aksion që u publikua me bujë në konferencë shtypi!

Por asnjë “rrokje” nuk foli Berisha për drogën e PD në ato vite, ndërsa për “hashashin socialist” po ulërin me aq forcë, sa rrezikon t’i dalë gurmazi nga goja!

Është një fakt, që ndoshta është konicidencë: Saliu që e urren kaq shumë hashashin sa nuk do t’i shikoj as “bojën” (ngjyrën), kolltukët e zyrës i ka në ngjyrë… hashashi!/Pamfleti.com

1. Kolltukët e preferuar ngjyrë hashashi, të zyrës së Berishës

Kolltukët e preferuar ngjyrë hashashi, të zyrës së Berishës

Në 8 vjet pushtet të PD, Zagani i Anti-drogës arrestoi vetëm “Eskobaren” 85 vjeçare Nënë Feride Read More »