Aurora

Rritja abuzive e çmimeve/Ilegale në kohë paqeje, kriminale në kohë lufte

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot si ilegale në kohë paqeje dhe kriminale në kohë lufte rritjen abusive të çmimeve.

I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me mbështetjen që do t’I japë qeveria biznesit si pasojë e kësaj situate, Rama u shpreh se, “Çfarë mbështetje t’i japim ne atyre të shumicës, disa prej të cilëve po fitojnë më shumë tani sesa ç’fitonin më përpara sepse po rrisin në mënyrë abuzive çmimet dhe detyrojnë shitësit e pakicës që të bëjnë fatura fallso. Kjo është ilegale në kohë paqeje, ky është krim në kohë lufte”.

Rama tha se, “asnjë shtet nuk ka për të mbështetur biznesin përtej domosdoshmërisë për të mbështetur njerëzit që punojnë në ato biznese dhe këtë gjë do ta bëjmë dhe ne dhe për të mbështetur vazhdimësinë e këtyre bizneseve duke mbajtur parasysh bizneset që janë prekur realisht”.

“Për shembull në Shqipëri është prekur realisht turizmi dhe nëse unë fola për kompanitë e mëdha nuk kisha parasysh ata që janë në turizëm. Ata të mëdhenj apo më të vegjël duhen mbështetur, patjetër. Por nuk duhen mbështetur dhe duhet të na mbështesin ata që ndërkohë po vazhdojnë aktivitetin”, tha Rama.

I pyetur mbi sugjerimet e biznesit të madh, Rama theksoi se, “i kam dëgjuar sugjerimet e tyre, por kam unë një sugjerim për biznesmenët dhe kompanitë e mëdha. Sugjerimi im është që ata të parët duhet të kuptojnë se jemi në luftë dhe janë ata të parët të cilët duhet të mbajnë radhën dhe t’jua lënë të tjerëve kohën për të kërkuar sepse ka të tjerë që janë në një pozitë shumë më të vështirë se ata. Ata janë shumë të rëndësishëm, por janë të fundit në radhë për të hapur gojën në kohë lufte e lëre pastaj për të kërkuar gjëra të cilat janë mësuar t’i kërkojnë sa herë bëhet buxheti i shtetit qysh përpara se të shfaqej ky armik që na ka hyrë në territorin e vendit. E di unë se për kë po flasim dhe e di shumë mirë se për kë po flas dhe e di shumë mirë se për çfarë po flas”.

“Me këtë nuk dua të them që ne ata nuk do t’i konsiderojmë, por ata bëjnë shumë që në këtë luftë si të gjithë të pasurit e kësaj bote në çdo luftë, të jenë në krah të popullit dhe jo në krah të xhepit të tyre. Të jenë në krah të shtetit dhe të mos e shohin shtetin si një bankë alternative që mund të jetë aty për të plotësuar kërkesa që nuk janë kërkesa lufte, por që janë thjesht dhe vetëm dëshira paqeje”, tha Rama.

“E them këtë sepse është e rëndësishme që t’u ngulet të gjithëve në mendje që kjo është luftë dhe ky shtet që është shtëpia jonë e përbashkët ka prioritete si çdo familje që ka prioritete në shpenzimet e veta. Si çdo familje në duam të kemi më shumë se çkemi, por ama me atë që kemi vendosim prioritete”, u shpreh Rama.

“Prioritete janë fëmijët, janë të moshuarit, janë ata që janë në një biznes të vogël, prioritet janë ata të cilët janë të punësuar tek bizneset e mëdha dhe sigurisht pastaj vijnë këta të mëdhenjtë, që mos gabohem vitin e shkuar kanë marrë nga dividenti një shumë goxha të madhe. Është koha që atë shumën goxha të madhe nga dividenti ta vendosin në dizpozicion të luftës dhe të njerëzve të tyre. Se ata që punojnë në kompanitë e tyre janë njerëzit e tyre dhe të mos planifikojnë blerje veturash të reja, të mos planifikojnë pushime në vendet më të shtrenjta të botës, të mos planifikojnë shumë nga atyo gjëra pa të cilat jeta vazhdon dhe mund të jetohet fare mirë në kushtet e tyre”, u shpreh Rama.

Sa i përket sugjerimeve të bizneseve, Rama tha se, “ne kemi marrë parasysh gjithçka që ne mund të bëjmë. Kreditë janë shtyrë për 3 muaj për ta dhe ata duhet t’u drejtohen bankave të provojnë vështirësinë që kanë pasur dhe menjëherë do të marrin mbështetje. Por shtyrja me një vit e kredive do të thotë t’i lëmë bankat pastaj në pikë të hallit. Për çfarë arsye ne duhet të shtyjmë pagesën e taksave të kompanive të mëdha. Me çfarë do ta financojmë ne luftën ënse shtyjmë pagesën e taksave të komapnive të mëdha. Sepse taksat nuk janë indulgjenca që kompanitë ia bëjnë qeverisë, janë detyrime që janë të pashmangshme. Kështu që këto janë dëshira në kohë paqe, këto nuk janë sugjerime për kohë lufte. Dhe këto tregojnë se disa prej këtyre njerëzve të nderuar s’e kanë marrë vesh akoma që jemi në luftë. Dhe nuk është bërë deti kos, dhe nuk ka për t’u bërë kos, pod he liqenet me kos që kanë duhet t’i shohin si hapësira ku duhet të mblidhen pak këta”.

“Jam shumë i drejtpërdrejtë sepse unë jam ai që në kohë paqe akuzohem si i oligarkëve padrejtësisht, por duhet të jem i drejtpërdrejtë. I kam respektuar, i respektoj maksimalisht, e konsideroj absolutisht të turpshme që ata njerëz që kanë ngritur biznese të mëdha, që mbajnë në punë me mijëra familje të akuzohen dhe baltosen siç janë akuzuar dhe baltosur. Por sot është koha që t’u them atyre që jeni të parët që duhet të sakrifikoni për popullin shqiptar sepse nëse ju nuk sakrifikoni dhe nëse pasojat e mos sakrificës tuaj bien mbi popullin nuk ka më një vend ku ju të mund të vazhdoni të bëni biznes rehat”, tha Rama./atsh

Rritja abuzive e çmimeve/Ilegale në kohë paqeje, kriminale në kohë lufte Read More »

Mos lëvizni nga shtëpia, nëse nuk jeni ndër ata që duhet të shkojnë patjetër në punë

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video sensibilizuese lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi, bashkë me apelin për të qëndruar në shtëpi.

“MIRËMËNGJES, s’jam Edi, po janë dy çuna që s’i njoh që e kanë qarë këtë video. Shikojeni dhe mos lëvizni nga shtëpia, nëse nuk jeni ndër ata që duhet të shkojnë patjetër në punë”, tha Rama, duke ndarë videon.

Në përballje me situatën e krijuar nga koronavirusi, Shqipëria ka përshkallëzuar masat, ndërsa apeli i autoriteteve për qytetarët është të qëndrojnë në shtëpi. Deri tani në vend rezultojnë 51 të prekur nga koronavirusi./atsh

Mos lëvizni nga shtëpia, nëse nuk jeni ndër ata që duhet të shkojnë patjetër në punë Read More »

Shqipëria, në rreshtin e parë të vendeve që ekzekutuan masa drastike ndaj COVID-19

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është në rreshtin e parë të vendeve që po ekzekutojnë masa drastike për frenimin e përhapjes së COVID-19.

“Ne jemi në rreshtin e parë të vendeve në ekzekutimin e masave shtrënguese por asnjë vend, asnjë ekspertizë dhe asnjë llogari fantazi ekonomike nuk e ka pëfshirë deri më sot, pjesën kritike të zinxhirit ekonomik dhe planit të masave drastike të kufizimit të aktivitetit njerëzorë brenda territorit, asnjë. As Italia tani që flasim nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli që ka mbyllur në karantinë të detyruar mbi 100 mijë vetë dhe që i dënon me burg nëse e shkelin, nuk i ka mbyllur fabrikat. As Franca që nesër kalon në shtetrrethim total, pas orës 18.00 të ëdo dite nuk do të mbyllë asnjë fabrikë, madje ne deri tani që flasim jemi po ashtu i pari vend që mbyllim totalisht transportin publik qytetas dhe ndërqytetas në rang republike. Apo jemi ndër të paktët akoma, me saksionet e reja për këmbësorët që hyn në fuqi nesër. Kur Kina mbylli Vuhanin me 40 milionë banorë, hapi fabrikat fason për prodhimin e maskave dhe sot që flasim, vendet po bëjnë të njëjtën gjë. Njëri pas tjetrit. asnjë vend nuk është gjendur i përgatitur me të gjithë sasinë e nevojshme të maskave për përdorim masiv dhe respirator mjekësor për pacientët në gjendje të rëndë. Kudo është shpërndarë stoku, i ashtuquajtur i skaduar dhe po ngrihet me shpejtësi marrëmendëse, një industri e tërë për prodhimin e maskave, ashtu sikundër vendet kanë ndaluar qysh herët eksportet e materialeve mjekësore që duhen për përballimin e kësaj situate”, u shpreh Rama.

Sipas Rames, ekspertët ndërkombëtarë lidhur me punonjësit që duhet të shkojnë në punë thonë se “masat mbrojtëse në një mjedis të kontrolluar pune, në hallkat kritike të zinxhirit ekonomik dhe zbatimi i këshillave nga vetë punonjësit për të ruajtur distancën, për të larë duart, për të shmangur kontaktet fizike, funksionojnë. Ne u kemi kërkuar pa pushim kompanive të marrin masat e thjeshta por të domosdoshme për të mbrojtur personelin dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Kemi përcaktuar në aktin normativ, masat special ndëshkuese për kompanitë që do të kapen në shkelje dhe kemi në terren grupet e inspektimit. E di shumë mirë që idealja do të ishte që e nesërmja e ardhshme të na garantohej nga zoti dhe asnjë frymë e gjallë të mos dilte nga dera e shtëpisë, por zoti na ka dhënë fuqinë e shpirtit dhe të mendjes që nëse duam t’i përdorim sa dhe si duhet, të bëjmë mrekullira për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Ndërsa punët e tjera na i ka lënë ne, njerëzve. Prandaj duhet të jem i qartë fare, motra e vëllezër. Kjo është luftë dhe në luftë jemi një, por nuk jemi të githë njësoj. Sepse disa prej nesh duhet të dalin sot nga shtëpia që kur të mbarojë lufta, të mos na zërë brenda shtëpia jonë e përbashkët./atsh

Shqipëria, në rreshtin e parë të vendeve që ekzekutuan masa drastike ndaj COVID-19 Read More »

Rastet do shtohen dy javët në vijim, ta pranojmë të vërtetën pa panik

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “në dy javët në vijim do të vijnë duke u shtuar numrat e të prekurve nga koronavirusi dhe rastet e vështira, të cilat duhet t’i presim pa asnjë panik”.

“Java që vjen dhe tjetra pas saj do të vijnë me numra të rritur. Dikush i quan në një artikull 2 javët e ngritjes të furtunës, prandaj duhet të jemi të përgatitur që t’i presim rezultatet e testeve dhe rastet e vështira sidomos që do të shtohen, pa asnjë panik”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “duhet ta dimë të vërtetën, ta pranojmë atë siç është dhe të jetojmë me të me vetëdije çdo ditë”.

“Kam lexuar komentet tuaja kur më thoni se bëj gabim që flas për të keqen që do të na zmadhohet para syve në javët në vijim. Disa thonë se po i tremb, po i shqetësoj dhe po ua nxij jetën me pesimizmin tim. Unë nuk jam pesimist, asnjëherë dhe as këtë herë, por nuk më lejohet të mos ju them të vërtetën sado e papëlqyeshme të jetë dhe aq më tepër kur e vërteta lidhet me ju, me familjen tuaj, me popullin tonë pa përjashtim për asnjë shqiptarë si sot”, tha ai.

Rama tha se “duhet ta dimë të vërtetën aq më shumë në ditët e gjata të kësaj lufte që nuk do të jetë e shkurtër dhe do të na i bëjë javët të duken si vite dhe muajin të na duket si një shekull”.

“Duhet të bëjmë të gjitha ato që jemi të detyruar të bëjmë për të mbrojtur trupin tonë, të familjarëve dhe miqve tanë dhe të gjithë bashkë trupin e Shqipërisë, qelizat e të cilës jemi ne vetë”, tha ai./atsh

Rastet do shtohen dy javët në vijim, ta pranojmë të vërtetën pa panik Read More »

Kryemadhi: Mirënjohje për mjekët që shërbejnë në Shqipëri dhe Europë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur sot mirënjohjen për mjekët që janë në repartin e karantinës jo vetëm në Shqipëri, por që shërbejnë edhe në vende të tjera të Europës.

Duke sjellë një rast të mjekjes shqiptare që është në karantinë në një vend europian, Kryemadhi shprehet se “kjo është doktoresha Silva Ruli Shameti, mjeke dhe mike e mirë që unë e dua shumë, e cila prej 3 javësh po shërben pa pushim në repartin e karantinës të spitalit të San Marino-s. Mendimet tona shkojnë jo vetëm për të, por për të gjithë mjekët shqiptarë që punojnë jashtë”.

“Ata sot i ofrojnë siguri qytetarëve evropianë, por edhe pse në karantinë duke luftuar vetë me virusin, mendjen dhe shpirtin e kanë të lidhur me situatën në Shqipëri, për familjarët, miqtë e kolegët e tyre këtu”, tha ajo.

Po ashtu Kryemadhi shton se “falenderimet dhe lutjet tona shkojnë edhe për të gjithe mjekët tanë që punojnë këtu në kushte shumë më të pafavorshme se kolegët e tyre në Evropë. Për mjekët e Shqipërisë nuk mjaftojnë vetëm duartroktijet e orës 17:30, por të lutemi për shëndetin e tyre mëngjes, drekë, darkë, e në çdo kohë të shpresojmë që ata e familjarët e tyre të gjejnë forcën, për të përballuar ditët e vështira që kemi përpara. Zoti i bekoftë sakrificat tuaja!”/atsh

Kryemadhi: Mirënjohje për mjekët që shërbejnë në Shqipëri dhe Europë Read More »

“Stolat e parqeve e këndet e lodrave burim rreziku”/ Rama: Mos i lejoni të moshuarit e fëmijët të dalin, kjo është lojë me jetën

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video ku persona të moshuar shihen në rrugët e kryeqytetit, ndërsa u shpreh se “kjo që ndodh me këto dy gjyshet dhe me ata gjyshërit ulur atje mbrapa, është e frikshme dhe krejtësisht e pajustifikueshme për familjarët e tyre”.

Rama tha se “për këto mosha kjo është lojë me jetën”.

“Ju lutem mos i lejoni të moshuarit dhe fëmijët të dalin nga shtëpia, ju lutem! Stolat e parqeve dhe këndet e lodrave në natyrë janë burim rreziku! Prandaj parku i liqenit dhe të gjitha hapësirat rekreative në çdo qytet, do të jenë të ndaluara për të gjithë! Frikë aspak, kujdes po”, tha Rama./atsh

“Stolat e parqeve e këndet e lodrave burim rreziku”/ Rama: Mos i lejoni të moshuarit e fëmijët të dalin, kjo është lojë me jetën Read More »

Policia identifikon qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit, mesazh sensibilizimi me telefon dhe postë

Një mesazh sensibilizimi u ka mbërritur në numrat e tyre të telefonit dhe në adresat e banesës, personave që kanë udhëtuar gjatë 14 ditëve të fundit në zonat e prekura nga koronavirusi i ri, apo COVID-19.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mesazhin që u është dërguar shtetasve të cilët kanë udhëtuar nga Italia drejt Shqipërisë gjatë 14 ditëve të fundit.

“Policia e Shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit. Pasi ka disponuar numrat e telefonit dhe adresat e tyre po vazhdon operacionin e posaçëm të sensibilizimit dhe monitorimit të tyre. Bashkëngjitur është mesazhi që u është dërguar këtyre qytetarëve dhe do të vijojnë trokitjet në dyert e tyre për t’u siguruar se po zbatojnë detyrimin e vetëkarantinimit 14-ditor. Ndjesë 1000 herë, po kjo është luftë dhe ndryshe nuk fitohet! Frikë aspak, kujdes po!” – thekson Rama./atsh

Policia identifikon qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit, mesazh sensibilizimi me telefon dhe postë Read More »

COVID-19/ Ministria e Financave publikon numrin pa pagesë: Denonconi abuzimet me çmimet

Ministria e Financave dhe Ekonomisë iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të cilët hasin abuzime me çmimet të telefonojnë pa pagesë numrin 0 800 14 14.

Në njoftimin e publikuar sot, Ministria e Financave thekson se “nëse konstatoni rritje çmimesh të panatyrshme, telefono pa pagesë 0 800 14 14”.

“Të dashur qytetarë, kjo nuk është koha e përshtatshme për të abuzuar , por është koha për solidaritet dhe bashkëpunim.Telefono pa pagesë dhe denonco rritjen abuzive të çmimeve. Mbrojtja e konsumatorit është prioritet i ynë”,- thekson Ministria e Financave dhe Ekonomisë./atsh

COVID-19/ Ministria e Financave publikon numrin pa pagesë: Denonconi abuzimet me çmimet Read More »