Aurora

Njihuni me pronarin e fabrikës së “tmerrit” që u shkrumbua në Kashar

Dy vite më parë ka lobuar fuqishëm që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri, ndërkohë që mësohet se kishte më  shumë se katër muaj që nuk paguante punonjësit.

Pronari i kompanisë Everest që u përfshi nga flakët dhe u dogj sot në zonën e Kasharit, Vullnet Haka, është një emër mjaft i njohur për shqiptarët.

Ai është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri, por ndërkohë që lobonte për importin e mbetjeve, nga ana tjetër fabrika e tij nuk respektonte kushtet e sigurisë.

Para një viti kompania e tij ‘Everest’ u përfshi nga flakët, ndërsa u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë.

Edhe sot, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se nuk u lajmëruan nga biznesi, por nga banorët për zjarrin.

Gjithashtu banorët e zonës në Kashar deklarojnë për “Report Tv” se janë ankuar disa herë për ndotjen që shkaktonin mbetjet në fabrikën e riciklimit, që u dogj sot.

Por, pavarësisht ankesave ata deklarojnë se nuk është marrë asnjë masë.

Njihuni me pronarin e fabrikës së “tmerrit” që u shkrumbua në Kashar Read More »

Ka ndërruar 10 parti sa majtas-djathtas, ja piruetat e kryefilozofit të Bashës

Pas shumë daljeve të filozofëve dhe mendjellinjve që ka Lulzim Basha vërdallë, dje në medie u shfaq edhe kryefilozofi që në fakt duket të jetë fytyra e vërtetë e Lulzim Bashës, Nard Ndoka.

Nardi dje doli në televizione dhe bëri apel për bashkimin e Partisë Demokratike, apo rreth Lulzim Bashës. Në fakt ai që fliste nuk është as anëtar i PD-së, por është kryetari i një partie aleate që njëherë ka qenë me PD-në, më pas shkoi tek Partia Socialiste më 21 janar të 2011 dhe ka qenë në krah të Edi Ramës kur sulmoheshin institucionet e shtetit.

Për të rrëmbyer karrigen e deputetit, tradhëtoi Edi Ramën dhe u fut në listat e Sali Berishës, e më pas qëndroi në listat e Lulzim Bashës.

Por Nardi në analizën e tij politike duhet të tregojë shembullin e vet se si ai e jep mendimin dhe se si rekomandon që njerëzit duhet të bashkohen rreth Lulzim Bashës. Sepse ky person që flet për bashkim ka qenë gjithmon përçarës.

Në vitin 1999, Nard Ndoka atëherë deputet i Partisë Demokratike e braktisi këtë forcë politike, e braktisi dhe ju bashkua Genc Pollos. Më pas në vitin 2001, sërish kandidoi nga PDR duke e përçarë PD-në dhe duke i shkaktuar atë vit humbjen, ashtu siç ia shkaktoi LSI-ja PS-së në vitin 2009.

Më pas Ndoka braktis dhe Genc Pollon, por sëbashku me Nikoll Lesin dhe disa të tjerë  mblidhen rreth Partisë Demokristiane, por që këtu nuk ikën me. Në fakt e vërteta është se tek PDK ka mbetur kryetar i vetëm në detyrë, ashtu siç do Lulzim Basha, pa dhënë kurrë dorëheqjen edhe pse humbi elektoralisht. Duke qenë kryetar i një partie thjeshtë dhe vetëm duke marrë mandatin e deputetit. Duke qenë në krye të një force politike për t’i siguruar vetes benefitet dhe për asgjë më tepër.

Ky njeri i cili ka ndërruar 10 parti ka ikur sa majtas-djathtas, që është një nga ata që  mund të quhen qesharakët e Kuvendit, kryefilozofi i Lulzim Bashës, dhe i  fundit ky patjetër që prej kohësh ka marrë fytyrën e tij. Nëse do të kemi parasysh dhe deputetë e tjerë të këtij niveli si Ervin Salianji, si filozofi i shkëlqyer tjetër Klevis Balliu, si intelektuatët me vlera të mëdha që mblidhen rreth Lulzim Bashës, bashkuesit e mëdhenj që kurrë nuk janë larguar nga PD-ja si Genc Pollo, Tritan Shehu etj.

Nard Ndoka, është nga ata të cilët nuk duhet dhe kurrësesi nuk mund të japë rekomandime për bashkimin e PD-së, sepse ka qenë një përçarës dhe një humbës është shembulli me i keq i një politikani që edhe kur shkoi në krye të një institucioni u mbulua nga skandale.

Por si gjithmonë Nardin nuk e merr askush seriozisht. Ai është atje për të marrë rrogën e deputetit për të shtuar disa të ardhura në xhepin e tij dhe të familjes.

Kaq dhe asgjë më tepër, e në rast se Lulzim Basha dhe Partia Demokratike do të vazhdojnë të kenë simbol të tyre Nard Ndokën dhe filozofë të tjerë fytyra e kreut të PD-së, nga buzëqeshja qesharake ka për tu kthyer në fytyrën dhe simbolin e humbjes pa kufi.

Ka ndërruar 10 parti sa majtas-djathtas, ja piruetat e kryefilozofit të Bashës Read More »

Indinjohet gazetarja, shan me libër shpie ministren

Gazetarja Ida Nurçe ka përdorur një gjuhën tepër të rëndë kundër Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro.
Ajo ka marrë shkas nga një video e bërë publike prej ministres në lidhje me Himinin Kombëtar. Me anë të një postimi në ‘Facebook’ gazetarja shprehet se nxorri dufin duke sharë me ‘libër shpie’ të gjithë ata që na drejtojnë dhe deformojnë historinë e vendit.

Postimi i plotë:

Sapo e pashë një video, që paska postuar Mirela Kumbaro, medemek ministre kulture, dhe thashë me vete “dreqiiiin, në cfare haleje jetoj!”
U riktheva dhe në herë dhe e rimendova atë që thashë më sipër. Fundja c’faj ka vendi?! Është më i bukuri mbi planet. Aty pastaj gjeta rastin, nxorra dufin, dhe shava me libër shpie të gjithë ata që e kanë marrë në dorë këtë vend. Nuk mbajta më… E si të mundja, kur po e cojnë për lum?! Si mund të mos i shaja këta kokpalarë?! Këta si kjo minsitrja, që nuk kane minimumin e kultures, etikës, profesionalizmit për atë gjë që janë caktuar të bëjnë?!

Unë nuk e di ku dreqin e ka gjetur gjithë atë guxim, e të arrijnë të ndryshojnë simbolet, melodinë e himnit tonë kombëtar, të tallet hapur me figurat historikë të këtij populli…?!
Jam e shokuar, se si mundet të bëhet kjo gjë, me atë flamur për të cilin kanë dhënë jetën të parët tanë…
Habitem, si mundet të ndryshohet himni, i cili na bën të qajmë kur e degjojmë?!
Habitem, si mundet që injoranca të jetë kaq e theksuar dhe deliri të arrijë në një pikë aq të lartë?!
Habitem, se si kanë fuqinë në dorë për të marrë vendime këto lloj speciesh?!

Po ku në të …. e gjete të drejtën t’i bësh këto ndryshime moj e dashur minsitre, kuuu?!!!!
Po kush dreqin të vuri ministre kulture ty moj e pakulturë, që nuk i di as tri rreshta nga historia e kombit tonë?! Po si mundet të na i reklamosh vendet historike të Shqipërise, kur je ti ajo, që po e pengon ruajtjen gjallë të vlerave historike të këtij vendi?! Pashë në video që kishe përdorur At Gjergj Fishtën. Ja ku po të publikoj videon tjetër, se si është shtëpia e tij sot! Sepse je ti ajo që nuk lejon të restaurohet shtëpia e tij dhe e ke lënë si një gërmadhë, e cila është e mbushur me misër dhe kashta gruri brenda.
Je ti ajo që nuk e restauron Muzeumin te Muzeu Kombëtar, i cili po amortizohet, e po shkatërohet dita ditës. Pllakat, që duhen për restaurimin e tij i ke bllokuar në podrumet e vetë muzeut dhe nuk jep aprovimin që ky muzeum të behet, sic duhet të jetë në fakt!

Je ti ajo që vlerat historike, të vërtetat, i mbulove me dhé e me piktura. Turp të të vijë që je aty ku je!
Turp të të vijë që e quan veten ministre! Turp të të vijë që nuk zhdukesh nga ai post, e ta lësh këtë vend të gezojë historinë të paktën!

Indinjohet gazetarja, shan me libër shpie ministren Read More »

Itinerari juaj shqiptar, gjërat më të mira që mund të bëni

Shpresojmë që ky udhëtim në Shqipëri t’ju frymëzojë që ta vizitoni këtë vend të mrekullueshëm, shkruan wanderlustingk.com.

Dita 1 – TIRANA

Mos humbisni Piramidën e ndërtuar nga vajza e Enver Hoxhës në kujtim të tij, pasi ai vdiq. Piramida e Tiranës ishte godina më e kushtueshme në historinë e Shqipërisë. Tani ajo është gjysmë e braktisur. Banorët dhe turistët janë kureshtarë të hipin deri në majë, që është më e vështirë nga sa duket.

Ata që janë të interesuar për historinë e komunizmit duhet të vizitojnë “BunkArt 2” dhe Muzeun e Gjetheve për të mësuar mbi shtypjen gjatë regjimit komunist. “BunkArt 2” të fut në bunkerin më të fundit që është përdorur nga Ministria e Punëve të Brendshme, për të parë art dhe për të lexuar për individë që janë shënjestruar nga regjimi i Hoxhës pa asnjë arsye, përfshirë edhe ndonjë deklaratë të thënë në radio që ai nuk e pëlqente. Sigurisht, nuk mund të humbisni sheshin ”Skënderbej”, sheshi kryesor i Tiranës.

Dita 2 – SHKODRA

Rekomandojmë që këtë ditë ta filloni herët në mëngjes nëse do të bëni vajtje-ardhje Tiranë-Shkodër. Kini parasysh se ka dy stacione autobusësh, një me autobusë që shkojnë në veri dhe tjetri me autobusë që shkojnë në jug. Ata janë në zona të ndryshme dhe ju duhen rreth 30 minuta ecje për të lëvizur mes tyre, por në mes ka një vend shumë të mirë që bën byrekë.

Shkodra konsiderohet si një prej kryeqyteteve kulturorë të Shqipërisë. Shkodra është e famshme për muzikën e saj dhe për influencën kulturore. Qendra historike e qytetit është vërtetë magjepsëse dhe ia vlen të vizitohet. Rekomandojmë gjithashtu “Il Piacere”, një furrë tipike shqiptare në Shkodër që ma rekomanduan disa miq. Përgjatë rrugës kryesore që shkon drejt qendrës do të gjeni shumë ushqime të mira shqiptare.

Një nga arsyet kryesore që rekomandojmë të vizitohet Shkodra është sepse kjo është mënyra më e mirë për të vizituar Alpet e Shqipërisë. Pasi arrini aty, është shumë e lehtë të merrni një udhëtim për në Theth ose Valbonë.

Nëse doni më shumë, merrni një autobus dhe shkonë në kështjellën e Rozafës, që i përket periudhës romake, për të pasur një pamje madhështore mbi qytet në këtë. Megjithatë fortifikimet janë pak të reja, është një kështjellë mahnitëse që ia vlen të vizitohet. Në të kundërt mund të merrni një taksi dhe të shkoni tek Ura e Mesit për të pasur një pamje magjepsëse të kësaj ure historike prej guri.

Dita 3 – THETHI

Ju duhet të ngriheni herët në mëngjes për në Theth, një prej fshatrave më të bukur shqiptarë, në mes të parkut kombëtar më të bukur në Shqipëri. Nëse ju pëlqen ecja nëpër male, mund të zgjasni qëndrimin këtu duke përfituar disa ditë më shumë dhe shijuar ecjet sfiduese në këtë zonë. Ne u zgjuam herët në mëngjes për të vajtur tek Syri i Kaltër i Thethit, një burim magjepsës dhe akull i ftohtë që është një atraksion shumë popullor. Ecja nga rruga kryesore drejt Syrit të Kaltër të Thethit është e vështirë, por e bukur.

Pasi arrini Syrin e Kaltër të Thethit, kthimi për në Theth është më i lehtë. Ky fshat malor është plot legjenda, traditë dhe bukuri natyrore. Pjesa veriore e Shqipërisë ka pasur për një kohë të gjatë ligjet dhe rregullat e veta që quheshin Kanun. Ende mund të shihen shtëpitë kullë ku strehoheshin familjet që të mbroheshin nga gjakmarrja. Ajo e Thethit është e famshme pasi familjet shkonin brenda për të diskutuar zgjidhjen e gjakmarrjes. Padyshim që më pëlqeu qëndrimi në Theth dhe do dëshiroja të kishim qëndruar disa ditë më shumë. Nëse nuk e keni të limituar kohën në Shqipëri, merrni në konsideratë që të qëndroni këtu të paktën dy ditë. Peizazhi është i bukur, ushqimi jashtëzakonisht i lirë dhe i freskët (i përbërë nga produktet lokale) ndërsa ecja nëpër male është më e mira. Në verë është mirë të prenotosh disa kohë më parë.

Dita 4 – NGA THETHI NË VALBONË

Është një ecje njëditore, megjithatë kur e krahason me ecjen e bërë një ditë më parë në Theth, kjo është shumë më e gjatë. Është mirë të çlodheni dhe të zgjidhni cilin drejtim do të merrni në vend që t’i bëni që të dyja. Ne zgjodhëm të bëjmë më mirë nga Thethi në Valbonë se sa nga Valbona në Theth.

Dita 5 – FIERZË-KOMAN-SHKODËR

Shumica e organizatorëve të udhëtimeve nga Shkodra drejt Thethit dhe Valbonës të ofrojnë edhe një udhëtim në Fierzë dhe Koman. Mendoja se trageti i Liqenit Koman ishte një varkë e vogël që ngjiste lumin. Ky udhëtim është më shumë një aktivitet çlodhës për shqiptarët që vijnë të admirojnë natyrën magjepsëse në këtë pjesë të Shqipërisë. Në fakt Liqeni i Komanit nuk është një liqen natyror, por një liqen artificial i krijuar në vitet 1990 për të ndihmuar në parandalimin e përmbytjes së Shkodrës. Ky udhëtim është idilik dhe jashtëzakonisht i bukur.

Dita 6 – BERATI

Berati është një qytet i mrekullueshëm 2000-vjeçar i njohur nga UNESCO-ja. Ju inkurajoj ta shihni këtë qytet të mrekullueshëm me kështjellë. Hyrja për në kështjellë është e lirë, ndryshe nga kështjella e Gjirokastrës. Përveç se është një nga gjërat më të mira që mund të bëni në Shqipëri, kështjella e Beratit nuk ka ende shumë turistë. Atje gjen vetëm pak banorë lokalë dhe turistë.

Dita 7 – ZONAT PËRRETH BERATIT

Nëse keni një ditë më shumë pushime, ju rekomandojmë të çlodheni në Berat dhe ta përdorni atë si një bazë për një ditë udhëtim. Ju do të gjeni udhëtime turistike për 15-20 euro në malet përreth për një udhëtim me aventura, përfshirë rafting, ngjitje, ecje dhe aventura të tjera. Këto aktivitete janë të lehta për t’u përzgjedhur nëse jeni në Berat.

Dita 8 – VLORA

Kjo zonë turistike është e parapëlqyera e shqiptarëve që dashurojnë detin dhe malet. Nga këtu ju mund të ngjiteni në male duke ju shoqëruar pamje të kristalta mbi det. Kur takuam një mikun tonë shqiptar, Fredin, e pyetëm se cila ishte gjëja e tij më e pëlqyer për Shqioërinë. Ai na tha se vetëm brenda një dite ju mund të shkoni në plazh dhe pastaj t’i ngjiteni një mali me dëborë. Plazhet janë të famshëm në Shqipëri edhe pse kam dëgjuar se, krahasuar me Greqinë, Shqipëria ka bukurinë e plazheve edhe pa njerëz. Duke konsideruar sërish se keni një ditë më shumë pushim, atëhere shkoni në Vuno, fshat përgjatë bregdetit me më shumë se 25 kisha dhe ndërtesa të vjetra prej guri.

Dita 9 – GJIROKASTRA

Gjirokastra është një nga qytetet më të famshme të Shqipërisë dhe pjesa e vjetër e saj është e njohur nga UNESCO-ja për konservimin e mirë të periudhës otomane. Muret e qytetit përreth kështjellës datojnë në shekullin III. Është e mundur të vizitoni kështjellën e Gjirokastrës edhe pse duhet të paguani për hyrjen. Gjatë epokës komuniste kjo kështjellë u përdor për burgosjen e të dënuarve politikë. Sot kjo kështjellë shërben si muzeum.

Dita 10-11 SARANDA

Nga Saranda keni mundësi të merrni anijen për në Korfuz, nëse jeni të interesuar të shkoni në Greqi. Pjesa më e madhe e shqiptarëve betohen se ju duhet të shkoni në jug të vendit për të parë Shqipërinë e vërtetë, kështu që rekomandojmë ta përfshini në itinerarin tuaj këtë qytet përgjatë bregdetit që të lë pa frymë, pasi është bazë e mirë për udhëtimet ditore. Merrni në konsideratë gjithashtu të udhëtoni një ditë në Syrin e Kaltër. Ju mund të vizitoni edhe rrënojat e Butrintit, i njohur nga UNESCO-ja, që janë nga rrënojat më të mirëkonservuara në Shqipëri dhe që datojnë rreth 2 500 vjet më parë./ATSH

Itinerari juaj shqiptar, gjërat më të mira që mund të bëni Read More »

Frymëzim! Tropojania i dhuron mëlçinë një babai dhe i shpëton jetën

Në emisionin “E Diela Shqiptare” një familje ka ftuar vajzën e tyre për t’a falenderuar për veprën e saj e cila nuk ka çmim.

Gentjana Sylaj, vajza nga Tropoja, meriton jo vetëm respektin e familjes Haxhiaj për shpëtimin e një jete, por të të gjithë shoqërisë.

Ajo dhuroi një pjesë të mëlçisë së saj për Lulëzimin, për hir të një dashurie të pa zëvendësueshme, për babain e saj, i cili do ndihej krenar për veprimin që ka kryer.

Babai i Gentjanës prej 8 vjetësh nuk jeton më dhe ajo kishte menduar për të në fillim dhe kishte vendosur të dhuronte organin e saj duke shpëtuar një jetë njeriu që më vonë u shndërruan në familjen e saj të dytë.

Frymëzim! Tropojania i dhuron mëlçinë një babai dhe i shpëton jetën Read More »

Kumbullat jeshile janë numëri 1 për shëndetin, këto janë vetitë fantastike nuk i kemi ditur kurrë

Kumbullat jeshile janë një frut me origjinë turke, që njihet si Janerik (kumbulla e shpirtit), dhe janë fruta të rekomanduara sidomos për njerëzit në dietë, sepse kanë pak kalori (46 kalori në 100 g kumbulla) dhe nuk kanë yndyrë. Po ashtu, janë të pasura me vitamina dhe minerale.

Dietologët këshillojnë t’i hani kumbullat në çdo kohë, por sidomos pas një vakti të rëndë, si dreka, sepse janë shumë të mira për aparatin tretës.

Vitamina A dhe beta karotene që gjenden me shumicë në kumbullat jeshile ndihmon për shikimin, por edhe për lëkurën e pastër.

Ky lloj fruti është i pasur edhe me vitaminën B dhe B-6, të cilat ndihmojnë metabolizmin me karbohidrate dhe proteina. Edhe vitamina K është e pranishme tek kumbullat jeshile. Siç dihet, ndihmon qarkullimin e gjakut dhe lufton alzheimerin.

Kumbullat jeshile luftojnë edhe aneminë, janë freskuese shumë të mira dhe pastrojnë mëlçinë, ndihmojnë tretjen dhe luftojnë sëmundjet e zorrëve.

Kanë një sërë lëndësh ushqyese dhe përmbajnë 8-20 % sheqer natyral, acide dhe pektinë, përmbajnë kalcium, magnez, kalium dhe hekur.

Kumbullat jeshile janë numëri 1 për shëndetin, këto janë vetitë fantastike nuk i kemi ditur kurrë Read More »

Zjarri përpin edhe shtyllat e energjisë elektrike, këto dy zona të Tiranës mbeten pa drita

Nga zjarri që ra sot në fabrikën e riciklimit në Kashar, ka mbetur pa energji elektrike zona e Unazës së Re dhe Mëzezi.

OSHEE njoftoi se prej zjarrit është djegur një pjesë e linjës që furnizon Unazën e Re dhe Mezësin. Grupet e punës së OSHEE ndodhen në terren për masat e ruajtjes së sigurisë.

Raportohet se një kabinë është djegur plotësisht dhe për këtë shkak, OSHEE ka stakuar dy fidera 105 dhe F13 si masë sigurie.

Vatra e zjarrit doli jashtë kontrollit brenda pak minutave, megjithëse në vendngjarje u dërguan të gjitha forcat zjarrfikëse të Tiranës, dy mjete të ushtrisë dhe dy autobotë të ujësjellësit të bashkisë.

Zjarri përpin edhe shtyllat e energjisë elektrike, këto dy zona të Tiranës mbeten pa drita Read More »

Ishulli i Sazanit, nje pike e rendsishme turistike !

“Ishulli i Sazanit është një mundësi e madhe për turizmin e natyrës. Ruajtja e trashëgimisë dhe elementeve historikë në ishull një atraksion i madh për vizitorët”, shprehet Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Bregdtetit, Auron Tare.
Ishulli i Sazanit
Po si ka rrjedhur emri “Sazan” dhe historia enigmatike dhe misterioze e ishullit të vetëm të mirëfillt Shqiptarë. Një bukuri e pa shoqe e natyrës sonë ujore, përsëri mbetet në kuadrin e enigmës.
Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet për rreth.

Sot kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.
Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.
Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Shqiptare. Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.
Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër.

Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.
Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.

Duke qënë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të pa prekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pa shfrytëzuara
Gjatë një vizite të bërë në shkurt të këtij viti, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, u shpreh se “ky është një ishull që ka pasur një tjetër përdorim dikur, kryesisht për arsye ushtarake.

Ajo epokë ka mbaruar. Është shumë e bukur që diçka e betonizuar për arsye ushtarake, të kthehet në një vend të mirë, të bukur, të dashur, të pastër për turizmin dhe turistët. Shqipëria ka burime për ta bërë tërheqëse vendin për investitorë të huaj apo vendas”.

Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.
Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.
Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksplorator amator të nënujit, spelolog, admirues të natyrës por së shpejti ai do jetë një objeksion për turizmin e lirë. Sazani mbetet një mundësi e vonuar për turizmin shqiptar.

Ishulli i Sazanit, nje pike e rendsishme turistike ! Read More »