Aurora

‘Nga ç’pyll vjen?’/ Shahen e rrihen në Kuvend, por Rama bën drejtor te Tatimet kushëririn e Flamur Nokës

Nga të katër anët, media bombardohet me lajme koridoresh “të pakonfirmuara zyrtarisht” por nga burime të sigurta, lidhur me porositë e Kryeministrit dhënë drejtuesve të institucioneve, si për pastrimin e administratës nga elementet e padenjë për qeverisjen, po ashtu edhe neutralizimin e personave të spinuar a mbështetur nga PD e LSI.

E nuk do mend as kalem të tepërt, është pikërisht puna e dobët e këtyre të fundit në administratën e kaluar që ndihmoi në ndëshkimin me 1 milion shuplaka në 2013, si dhe në neutralizimin e “timonit të dytë” në 2017.

Madje thuhet se Kryeministri shumë shpejt do të nisë një tur takimesh në drejtoritë kryesore rajonale për të përforcuar “in personam” porosinë e dhënë prej tij.

Mirëpo, më duket se jo të gjithë e kanë kuptuar drejt urdhëresën e Kryeministrit, pasi ose PS ka mangësi të theksuar drejtuesish e për rrjedhojë duhet të merren ish-drejtues (hera herës të dyshuar për përfshirje në afera), ose Kryeministri nuk e ka patur seriozisht e ndërsa po afron 18 Maji, duhet festuar me shtrëngime duarsh e jo vetëm.

Nuk shpjegohet ndryshe që:

Xhevahir Toçilla (kusheriri i parë i Flamur Nokës, djali i tezes), i cili ka mbajtur postin e Drejtorit të Kontrollit tek Drejtoria Rajonale për Tatimpaguesit e Mëdhenj (apo Vipat), në periudhën kur drejtues institucionit ka qenë Gazmend Spahia, aktualisht, me firmën e Drejtoreshës së Përgjithshme, Vasilika Vjero delegohet përgjegjës Sektori i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.

Apo që:

Enkeleda Troka, krahu i djathtë i Aurel Cenollit, anëtar në kryesinë e LSI, e hetuar për Rimbursimet Fiktive të dhëna në kohën e PD (ku disa ‘hëngrën’ edhe burgun), delegohet përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Kontrollit Tatimor Tiranë.

Si shumë të tjerë, thonë burimet, edhe drejtuesit më sipër kanë zevendësuar përgjegjës të emëruar nga PS, të transferuar në drejtori të tjera më modeste, jo rrallë herë si shpagim për ankesat e shprehura pikërisht për këto lloj rrokadash!

Qartësisht, pavarësisht se kush leh, Marrëveshja e 18 Majit ecën përpara … e padyshim LSI mbledh kockat që i përkasin./Newsbomb

‘Nga ç’pyll vjen?’/ Shahen e rrihen në Kuvend, por Rama bën drejtor te Tatimet kushëririn e Flamur Nokës Read More »

Shqiptarët si skllevër, punojnë shumë, por paguhen pak

Megjithëse kanë pagat më të ulëta në Europë, shqiptarët rezultojnë si populli që punon më shumë orë gjatë një viti kalendarik, duke kapërcyer me diferencë të madhe edhe vende si Gjermania apo Greqia. Gjatë katër viteve kostot e punës dhe pagat u rritën me një shifër minimale prej 3% në vit.

Gjatë vitit 2016, shqiptarët punuan mesatarisht 2109 orë dhe puna e tyre i kushtoi punëdhënësve mesatarisht 351 lekë për orë. Në krahasim me vitin 2012, pra katër vjet më parë, kostoja e punëtorit shqiptar për punëdhënësin u rrit me 11.8%, ose me një mesatare prej 3% në vit, gjë që sugjeron një rritje fare të vogël të pagave për një periudhë relativisht të gjatë kohore.

Në disa sektorë ku nevojiten punëtorë të kualifikuar si bankat, kostoja e orës së punës së punëtorit ishte 700 lekë për orë ndërkohë që shumica e shqiptarëve që punojnë në industri ku nevojiten punëtorë të pakualifikuar ose gjysmë të kualifikuar kushtojnë gati tre herë më pak pavarësisht se punojnë me orë edhe më të gjata se të kualifikuarit.

Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën anketën e kostos së punës, një anketë e zhvilluar pranë bizneseve gjatë vitit 2016 për të matur koston e punës dhe numrin e orëve të shpenzuara nga shqiptarët në punë.

Matja e numrit të orëve dhe kostos së punës për orë është një nga treguesit e ekonomisë të matur që nga vitet 1950 në vendet e zhvilluara me synimin për të krijuar informacion statistikor në funksion të menaxhimit të tregut të punës nga qeveritë. Qeveri të ndryshme ndryshojnë kodet e punës në varësi të këtyre statistikave nëse, fjala vjen, dëshirojnë të rrisin numrin e të punësuarve duke kufizuar orët e lejuara të punës për punëtor apo anasjelltas.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e Zhvillim, OECD, në të cilën bëjnë pjesë grupi i vendeve më të zhvilluara të botës, publikon rregullisht statistika mbi kohëzgjatjen e punës në vendet anëtare si dhe në vende të tjera ku ka të dhëna të disponueshme.

Në raportin e saj të fundit, Franca me politikat e saj të forta të punësimit dhe të mbrotjes së punëtorëve rezultoi një nga vendet ku njerëzit shpenzojnë më pak orë në punë.

Punëtori francez kaloi mesatarisht 1,472 orë në punë gjatë vitit 2016. Pavarësisht se ka namin për popullsi shumë punëtore, Gjermania ishte edhe më poshtë se kaq, ku punëtori kaloi mesatarisht 1,363 orë në punë.

Vende relativisht të varfra si Greqia apo Polonia mbajnë rekordin në zonën e Europës me respektivisht 2,035 dhe 1,928 orë pune për punëtor në vit.

Shqipëria duket se ia kalon të gjitha këtyre vendeve me 2,173 orë. Duke marrë parasysh se një vit pune ka formalisht rreth 210 ditë pune, shqiptarët rezultojnë se punojnë me mbi 10 orë në ditë jave.

Këto janë shifra që përfshijnë njëkohësisht sektorin publik, ku në përgjithësi ka më shumë respekt për pushimet zyrtare, fundjavat dhe pushimet vjetore, si dhe sektorin privat, ku kodi i punës dhe parimi i javës 40 orëshe të punës respektohet rrallëherë.

Kështu, në sektorin e tregtisë me shumicë e pakicë, shqiptarët punuan për 2215 orë ndërsa në industritë nxjerrëse e përpunuese koha e kaluar në punë ishte edhe më e lartë, respektivisht 2,231 dhe 2,222 orë.
Në praktikë, megjithëse ligjërisht java e punës duhet të ketë pesë ditë me deri në 8 orë pune në ditë, këto shifra tregojnë se shqiptarët më së shumti punojnë gjashtë ditë në javë me më shumë se sa tetë orë në ditë.

Puna me orë të zgjatura nuk nënkupton rendiment më të lartë për punëtorët por më së shumti reflekton mungesën respektimit të të drejtave ligjore të tyre.

Kostoja e punës në Shqipëri është rritur që nga anketa e fundit e këtij lloji të INSTAT, me 11.8%. Anketa paraardëse u bë në vitin 2012.

Ndërsa më 2016 një orë pune në vendin tonë kushtoi 351 lekë, më 2012 kushtoi 314 lekë, ose vetëm 12% më pak.

Afro 85% e kostos së punës përbëhet nga paga për punëtorin ndërsa pjesa tjetër është pjesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëdhënësit.

Kjo nuk do të thotë se shqiptari u pagua sa 85% e 351 lekëshit. Nga kjo shumë, punëmarrësit u mbahen sigurimet shoqërore e shëndetësore të vetat, të cilat i heqin edhe 15% të tjera si dhe tatimi mbi të ardhurat personale, e cila mbahet sipas nivelit të të ardhurave.

Në total, kostoja mesatare për punëtor me kohë të plotë ishte afro 62 mijë lekë në muaj, ku sektori financiar pati koston më të lartë prej 125 mijë lekë në muaj mesatarisht ndërsa sektori Akomodimi dhe Shërbimet e Ushqimit pati koston më të ulët në vetëm 41 mijë lekë në muaj./BIRN

Shqiptarët si skllevër, punojnë shumë, por paguhen pak Read More »

Monikës nuk i gjendet dermani/ Memaliotët e kapin me ‘shkelma’: Nuk na duhesh më!

Nuk ka derman për LSI-në. Në këtë parti, çdo ditë dhe më shumë, po largohen zyrtarët dhe të zgjedhurit e saj.

Eksodi që ka psushtuar partinë e Monikës, nuk ka të ndalur. Ditën e sotme, dy këshilltarë të LSI në Këshillin Bashkiak të Memaliajt kanë braktisur partinë e tyre, duke u pozicionuar në krah të PS.

Janë larguar nga LSI këshilltarët Luan Halili dhe Yllka Çaushi. Me këtë lëvizje, sërish PS nuk bën shumicën në këtë këshill, pasi shkon në 9 këshilltarë, ndërkohë që LSI është e dyta me 5, e ndjekur nga PD me 2.

Gjithashtu, janë edhe 1 këshilltarë nga PDIU, 1 nga BK e FRD, 1 nga PSD, 1 nga UK dhe 1 nga PDS. Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka 21 këshilltarë.

Kjo është bashkia e radhës, ku këshilltarët e LSI lënë partinë e tyre, duke iu bashkuar PS, pasi një hemorragji e tillë ka ndodhur në shumë bashki të vendit. Shkak për eksodin e këshilltarëve të LSI u bë skandali i lobimit rus për PD, si dhe një bashkim i mundshëm i dy partive opozitare. Pjesa më e madhe e këshilltarëve të LSI janë larguar duke u bashkuar me PS, për shkak se janë mësuar me pushtet dhe nuk durojnë të jetojnë në opozitë.

Monikës nuk i gjendet dermani/ Memaliotët e kapin me ‘shkelma’: Nuk na duhesh më! Read More »

“Seks në zyrë për 3 vite me rradhë!” Si e dënonte Enver Hoxha “imoralitetin” në vitin 73’

Një dokument i Sigurimit të Shtetit në vitin 1973 ka hedhur dritë mbi mënyrën me të cilën “procedonte” Partia Komuniste e Enver Hoxhës, me rastet e skandaleve seksuale në zyrat e shtetit. Dokumenti, i publikuar nga ish drejtuesi i arkivit në Ministrinë e Brendshme Kastriot Dervishi, tregon për rastin e një punonjësi të njëri prej komiteteve të shumta të partisë dhe daktilografistes së atij komiteti, ku kjo e fundit ishte grua e martuar. Në dokument, shkruhet se është mësuar nga “Partia” se instruktori i partisë dhe daktilografistja nuk kryenin detyrën e shenjtë të mësimit të Marksizëm- Leninizmit, por në të kundërt, kryenin akte imorale në zyrën e partisë.

Për më tepër detaje lexoni postimin e Dervishit:

1973/Imoralitet në komitetin e partisë

Kush ka dëshirë të lexojë se çfarë bëhej në kartotekën e një komiteti partie, midis instruktorit të partisë dhe daktilografistes së atij komiteti, bashkëlidhur gjen infon përkatëse.

Komitetet e Partisë së Punës ishin strukturat vendore të kësaj partie dhe vepronin në bazë territori (rrethi kryesisht). Organi udhëheqës i tyre ishte Byroja, e cila përbëhej nga krerët më të lartë të pushtetit të rrethit. Brenda komitetit vepronte një aparat i cili imitonte në formë të vogël aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Ky aparat, përveç punës ideologjike që bënte dublonte punët e qeverisjes. Gjithë ditët shkonin kot duke sajuar raporte të kota e pa lidhje. Nga ky stil pune, shumë herë në orarin e punës, zyrat përdoreshin edhe për gjëra të tjera, pikërisht atëherë kur idili i dashurisë së instruktorëve ndizej më shumë se kurrë. Në një komitet partie në vitin 1973 punonin një instruktor dhe një daktilografiste. Kjo e fundit kishte edhe burrin shofer të sekretarit të parë të komitetit të partisë. Në mënyrë të fshehtë, instruktori dhe daktilografistja nuk po bënin punët që u kish ngarkuar partia. Rasti u bë shembull. Por të tilla që nuk u bënë shembuj kishte me qindra.

Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, instruktori për një periudhë prej 3 vjetësh mbante marrëdhënie me daktilografisten, duke anashkaluar detyrat që partia i kishte ngarkuar për edukimin marksist-leninist të masave. Më 17.3.1973 dy sevdallinjtë u gjetën të mbyllur në kartotekën e komitetit të partisë, pikërisht aty ku mbaheshin larg syve të armikut dosjet e kuadrit komunist./Gazeta Express

“Seks në zyrë për 3 vite me rradhë!” Si e dënonte Enver Hoxha “imoralitetin” në vitin 73’ Read More »

E ëma e braktisi, babain e “la mendja” nga tronditja, Olsi 8 vjeç ka 2 muaj jetë dhe të gjithë po luten për të!

Historia e 8-vjeçarit Olsi, i cili po lufton me vdekjen, ka prekur të madh dhe të vogël.

Është gazetari Osman Stafa që rrëfen historinë e trishtë të fëmijës, të cilin e ka surprizuar për ditëlindje në spital, në përpjekje për ta gëzuar të voglin fatkeq, shkruan ShkodraNews.

Kjo histori rrënqethëse po bën xhiron e rrjetit dhe ne lutemi për jetën e Olsit të vogël. Do t’ja dalësh kampion! Mos u dorëzo!

Ja postimi i plotë i gazetarit në rrjete sociale:

Olsi gezuar ditelindjen Kampion, ke perpara luften me te madhe qe mund te kete njeriu, ate me jeten. Lufto shok i vogel… Olsi eshte 8-vjec, prej kohesh vuan nga i keqi kancer. Ai eshte nga Tepelena. Sipas gjysherve, nena e ka braktisur e nuk e ka pare djalin prej kohesh edhe pse ai po lufton me jeten. Babai nuk e perballoi ndarjen me nenen e tij dhe sot trajtohet me ilace sepse humbi mendjen. Per Olsin kujdesen gjysherit e tij.

Para disa ditesh kur isha tek Pediatria ne Qsut, u njoha me Olsin. Ate dite me tregoi qe ne daten 25 kishte ditelindjen. Mbushte 8-te. Kur e pyeta qe cfare deshiron per dhurate, mu pergjigj: “Dua qe tek une te vij Batman-i, dmth dua te vij edhe Spiderman-i. E pafajshme deshira e tij, por ai se di cfare eshte semundja qe ai ka. Ai nuk di edhe qe semundja i eshte kthyer perseri dhe me agresive. Olsi eshte rende, dhe kjo deshire e tij me ka mbajtur prej ditesh me mendjen tek ai. I vogli ka humbur edhe njerin sy prej tumorit. Kur e pyeta se cfare do te behet ai thote: “Polic, se do luftoj te keqinjte”. Sot pasi i bem surprizen u kenaq, ishte nder ato te pakta dite qe ai qesh. Kur e pyeta, cfare deshire ke tani, u pergjigj: “Dua vetem te sherohem, e dua te shkoj ne shtepi”.

Dhe ty qe te ngrin buzeqeshja ne fytyre e s’di me cfare te flasesh. Do ta ndihmosh, por kupton qe eshte e pamundur. Ti e di qe atij, sipas mjekeve, i kane mbetur edhe 2 muaj jete, e kur shikon deshiren e tij per te jetuar, kur shikon ate buzeqeshjen e pafuqishme, t’i mbetesh pa fuqi e pa fjale. Ajo qe mund te bejme ne eshte qe koha qe i ka mbetur ketij djali, ta kaloje duke qeshur. Nje djali qe nena e ka braktisur, babain nuk e ka afer dhe qe lufton vetem nje lufte qe po e mposht dita dites. Dhe kupton qe e vetmja gje qe mund te besh eshte nje lutje. “Zot i madh, qendroji prane…” p.s Faleminderit cunave te #boomboomballoon per gadishmerine e treguar per t’i bere surprizen Olsit dhe #lebontirana per torten. ShkodraNews

E ëma e braktisi, babain e “la mendja” nga tronditja, Olsi 8 vjeç ka 2 muaj jetë dhe të gjithë po luten për të! Read More »

Juristja fjalë të ndjera për të atin: Shpërfillje halabakët e kamur dhe arrogantë e përkushtoheshe me mish e shpirt

Pas ndarjes nga jeta vetëm pak kohë më parë të të atit, juristja Enida Bozheku i dedikon një status me fjalë të ndjera për të gjithë kontriburin e mjekut Nasi Bozheku.

Postimi i plotë:

Sepse ti o ba, je krenaria, shpirti dhe misherimi i miresise, sakrifices dhe ideali i babait qe cdo bije do te deshironte te kishte. Ti ishe unik, humanist dhe Mjek i Popullit per Popullin. Shperfillje halabaket e kamur dhe arrogante e perkushtoheshe me mish e shpirt per njerezit ne nevoje. Ti je sot Ylli im Polar, misherimi jot, trashegim tek une.

Prof. Dr. Nasi Bozheku ka lindur në Tërbaç, Vlorë më 14.02.1942:

– ndoqi studimet pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitet 1962 – 1967 me rezultate të shkëlqyera;

– menjëherë emërohet Pedagog në Katedrën e Sëmundjeve Infektive të Fakultetit të Mjekësisë pranë U.T.

– në vitet 1967 – 1969 zhvilloi specializimin post-universitar në fushën e Neurologjisë në Bukuresht të Rumanis, duke qënë atje për kurim pas një frakture të rëndë të kolonës vertebrale;

– në vitet 1972 – 1973 fitoi titullin specialist ne fushën e neurologjisë pranë Katedrës së Neurologjisë të Fakultetit të Mjeksisë Tiranë;

– në vitin 1973 – 1974 kreu specializimin pranë Universitetit Paris VI – Faculté de Médicine Pitié-Salpétriére, klinika Neurologjike e drejtuar nga Prof. Georges Boudin (Antar i Akademisë së Shkencave të Francës);

– pasi spikat për aftësitë e tij në fushën e neurologjisë dhe neuroinfeksioneve, më datë 5 mars 1974 emërohet si asistent Profesor pranë së njëjtës katedër neurologjike e drejtuar nga Prof. George Boudin, Paris – Francë;

– vazhdon bashkëpunimin në mënyrë intensive me këtë të fundit deri sa rikthehet pranë Katedrës së sëmundjeve infektive të Fakultetit të Mjeksisë U.T., Shqipëri, ku dhe formon Katedrën e Neuroinfeksioneve;

– në vitin 1978 viton gradën shkencore Kandidat i Shkencave në fushën e mjeksisë me profil neorologji, neuroinfenksione (Monografia “Encefalitet”);

– në vitin 1991 finton gradën shkencore Doktor i Shkencave mjeksore (profili neurologji);

– në vint 1999 fiton titullin Profesor në Shkencat Mjeksore pranë Fakuletit të Mjeksisë UT (profil neurologji, me Monografi “Hernia diskale lumbosacrale – Trajtimi dhe mjekimi i saj”);

Aktivitetet

– nga viti 1969 deri në vitin 1981 zhvillon aktivitetin si Pedagog (dega neurologji/neuroinfeksione) pranë Fakultetit të Mjeksisë të Universitetit të Tiranës.

– në vitin 1974 themelon Katedrën e Neuroinfeksioneve pranë Spitalit Infektiv në Tiranë;

– në vitin 1974 merr pjesë në grupin e profesorëve të Republikës së Shqipërisë, të cilët japin kontributin e tyre në themelimin e Universitetit të Ptrishtines, Fakulteti i Mjeksisë, dhe me 11 shtator 2010, Rektori i Universitetit të Prshtinës, Prof. Mujë Rugova, në një ceremoni solemne, përshëndet dhe falenderon publikisht Prof. Dr. Nasi Bozhekun për kontributin e dhënë në themelimin dhe përparimin e shkencave mejksore në Republikën e Kosovës;

– nga viti 1974 deri ne vitin 1981 drejton, katedrën e Neuroinfeksioneve, në cilësinë e shefit të klinikës pranë Fakultetit të Mjeksisë të U.T.-ës;

– nga viti 1981, për motive politike të lidhura me regjimin e atëhershëm në Republikën e Shqipërisë dhe më specifikisht për shkak të ideve të tij përparimtare dhe liberale përjashtohet nga Universiteti i Tiranes dhe Qëndra Spitalore (i nënshtrohet gjyqeve politike të kurdisura të asaj kohe) dhe transferohet pranë Poliklinikës nr. 9 Tiranë, ku do të ushtrojë funksionin si mjek neurolog, pranë kësaj poliklinike, deri në vitin 2008, vit në të cilin del në pension;

– në vitin 1999 kryen me sukses, në rolin e konsulentit, disa bashkëpunime shkencoro – mjekësore me universitete dhe qendra spitalore te ndryshme ne Itali, ekzkatesisht me Spitalin e Macerates;

– në aktivitetin e tij si mjek prej mëse 50 vitesh ka ndjekur më shumë se 100.000 pacientë, shumica e të cilëve kanë arritur të kurohen me rezultata të larta;

– aktiviteti i tij si mjek ka qënë tepër i njohjur dhe i respektuar nga shoqeria shqipëtare: ka qënë i ftuar në dhjetra transmisione radio-televizive, ku ka trajtuar problematika specifike mjeksore të lidhura me profesionin e tij. Me karaktetin e tij te drejtpërdrejt, të qeshur, të hapur, të lirë por edhe teper kërkues ka arritur të mbetet në zëmrat dhe kujtimet e mijëra pacientëve.

Botimet

Prof. Dr. Nasi Bozheku ka qënë autor i një numëri të lartë botimesh shkencore si në formë monografish, ashtu edhe artikujsh shkencor dhe shoqëror të publikuar në shtypin periodik mjekësor dhe gazetaresk.

Konkretisht:

Monografitë shkencore

– ka qënë autor i 5 botimeve në formë monografike, ku sipkasin idetë e tij inovative në trajtimin e sëmundjeve “encefalitet” dhe “hernien disakale”;

Lidhur me ketë të fundit ndërmerr një studim kërkimor në rrethin e Tiranës, duke analizuar 2324 raste të diagnostikuar dhe mjekuar prej tij (me sindromën radikulare lumbosakrale – hernia diskale). Risia e këtij studimi qëndron në faktin se nga këto pacient vetëm 17 raste j’u nenshtruan nderhyrjes kirurgjikale ndersa të gjithë të tjerët u reabilituan plotësisht fal kujdesit dhe mjektimit mjeksor egzigjent. Kjo ishte dhe puna e tij më e vlerësuar në ambientet akademike, mjeksore dhe sociale, për të cilën ju akordua titulli “Profesor”.

Artikujt shkencor

– ka qënë autor i më shumë se 150 (njëqind e pesëdhjeët) artikujve shkencor të botuar në shtypin periodik mjeksor kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e neurologjisë, psikoneurologjisë, semundjeve infektive dhe neuroinfektive, psikatrike, semundjeve të brëndshme (interniste), neurozave, depresioneve, ku veçanërisht ju përkushtua depressoneve post-partum.

Ndër artikujt më në zë dhe me me vlera shkencore për risitë dhe idetë inovative shquhen ato mbi depresionet post partum(punime këto të cituar edhe sot në monografi të huaja të fushave mjeksore, kriminoligjike dhe sociologjike), si dhe artikulli “Një rast encefaliti në një të sëmurë me tetrada fallot”.Ky artikull ka patur vlersimin maksimal nga qarqet akademike të kohës për metodikën e analizës mjeksore dhe inovativitetin e mjekimit të kësaj patologjie të rallë. Ndër vlersimiet më të spikatura që mund të citohen lidhur me artikullin në fjalë, janë ato të Prof. Ylli Popës, i cili në rolin e reçensuesit oponent të tij e ka vlresuar si një ndër punimet më të rralla e të vyer në fushën e mjeksisë shqipëtare në kuadrin e patologjive neuroinfektive.

Aktiviteti socio-shoqërorë

– përpos aktivitetit si mjek dhe shkencëtar në fushën e mjeksisë, Prof. Dr. Nasi Bozheku ka lenë gjurmë të thella edhe në kuadrin e zhvillimit të shoqërisë shqipëtare, ku ka shpalosur me guxim, jo vetëm aftësitë e tij të njohura si intelekutal i mpehtë por edhe si njeri koherent, liberal dhe i afte për të lexuar problematikat e shoqërisë nën regjimin totalitar ashtu dhe në kalimin në sistemin tranzitor të demokracisë hibride (siç shpesh e quante ai).

Si zë i vyer dhe i guximshëm, i intelektualëve shqiptar, ka shkruar mbi 60 artikuj me karakter social-psikologjik-politik të cilët mbeten ende aktual veçanërisht në ditët tona.

Në këto artikuj, ku mund të citohet ai më i bujshmi “Koha dhe intelektuali në zhvillimet e demokracisë”, theksonte me force se ndërrimi i sistemeve kerkon një punë jo vetem formale në ngritjen e institucioneve demokratike por dhe mbi të gjitha realizimin e harmonizimit të principeve juridike të aplikueshme në mënyrë të barabartë, si dhe zgjimin e ndërgjegjies qytetare në rendin e ri. Mendimi i tij politik ishte ai i njeriut të ri të brumosur me principe demokratike, që njeh vlerat thelbësore të shoqërisë, si respekti për tjetrin, respekti per institucionet, aplikimin e drejt të ligjit.

Për më shumë se 25 vjet ka qënë Kryetar i Partisë Ambientaliste Shqiptare, ku ka mbajtur qendrim të rreptë dhe koherent lidhur me politiken e çdolloj kahu, duke nënvizuar gjithmonë rrezikun e degjenerimit të politikës dhe klasës drejtuese ndaj interesave personale në vënd të atyre të kombit.

Prof. Dr. Nasi Bozheku shuhet në Tiranë më datë 07 prill 2018, por lë pas një trashëgimi të madhe kulturore si ne fushën e mjeksisë ashtu edhe në atë të etikës socio-politike.

Juristja fjalë të ndjera për të atin: Shpërfillje halabakët e kamur dhe arrogantë e përkushtoheshe me mish e shpirt Read More »

Deputetët e Merkelit refuzojnë darkën e Ramës? Si qendron e vërteta

Në disa portale pranë opozitës, është publikuar një lajm sipas të cilit, kryeministri Edi Rama kishte ftuar për darkë disa deputetë gjermanë të CDU/CSU.

Sipas këtij lajmi, deputetët gjermanë kanë refuzuar të marrin pjesë në darkë, për shkak se restoranti që kishte zgjedhur Rama ishte shumë i shtrenjtë.

Por, lajmi është qesharak, pasi i referohet një njoftimi të shpërndarë nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Me vendim të grupit parlamentar CDU/CSU, asnjë deputet i partisë së Merkelit nuk ishte në darkë me Edi Ramën të martën, 24 prill.

Kryesia e Grupit Parlamentar CDU/ CSU u mblodh si rregullisht të hënën pasdite në Bundestag.

Një nga çështjet që diskutoi ishte edhe sulmi mediatik plot fyerje e shpifje personale e familjare ndaj deputetit Krichbaum, i cili eshtë edhe kryetar i Komisionit për Europën.

Vendimi i kryetarit të Grupit Volker Kauder, person shumë i afërt me Merkel ishte i prerë: asnje nga deputetët e grupit CDU/CSU nuk do të jetë në darkën e shtruar nga Kryeministri Rama në China Club me rastin e vizitës së kryeministrit.

Edhe përzgjedhja e restorantit, ndër tre më të shtrenjtët në qytet, u shoqërua me habi dhe komente kritike. Të ftuar në darkë ishin vetëm deputetë të CDU/CSU, ndaj pas bojkotit të plotë nga ana e tyre, Rama darkoi vetëm me Fugën e Ballën në restorantin e shtrenjtë”, thuhet në deklaratën e PD-së, shpërndarë për mediat e saj, të cilat më pas e kanë shitur atë si lajm./TemA

Deputetët e Merkelit refuzojnë darkën e Ramës? Si qendron e vërteta Read More »

Ja çfarë i ndodh trupit tuaj nëse ecni çdo ditë

Ecja është një ushtrim krejtësisht i lirë dhe i lehtë, që kërkon shumë pak përpjekje dhe përmirëson jo vetëm mirëqenien tuaj fizike, por edhe atë mendore. Nëse jeni duke kërkuar për një mënyrë të thjeshtë por shumë efektive të humbjes së peshës dhe përmirësimit të shëndetit tuaj të përgjithshëm, ecja është gjëja e duhur. Më poshtë po ju paraqesim disa nga efektet më të mira të ecjes.

Shplodh trurin

Një studim i universitetit të Kanzsit ka zbuluar se ecja ndihmon në parandalimin e sëmundjeve si Dementia dhe Alzajmeri. Njerëzit që janë fizikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tyre janë shumë më pak të prirur ndaj sëmundjeve sesa ata që kanë një mënyrë jetese më pasive. Dhe kjo është për shkak se ata kanë më shumë vëllim në hipokampun e tyre, pjesën e trurit që është përgjegjës për kujtesën verbale dhe të mësuarit.

Përmirëson shikimin

Edhe pse sytë mund të duken si gjëja e fundit që lidhen me këmbët, ecja me të vërtetë ndihmon në shëndetin e tyre. Mund të ndihmojë edhe për të luftuar glaukomën duke lehtësuar presionin e syve.

Parandalon sëmundjet e zemrës

Një shëtitje e përditshme gjysmë ore ndihmon në shmangien e problemeve serioze, siç është sëmundja koronare e zemrës për të përmendur një, duke ulur tensionet e larta të gjakut dhe nivelin e kolesterolit dhe duke përmirësuar qarkullimin e gjakut.

Vëllim i rritur i mushkërive

Për shkak të cilësisë më të mirë dhe frymëmarrjes më të thellë, disa simptoma të lidhura me sëmundjen e mushkërive mund të tregojnë përmirësim të dukshëm falë ecjes.

Efektet e dobishme në pankreas

Mund të jetë e vështirë të besohet, por ecja për stërvitje rezulton të jetë një mjet shumë më efektiv në parandalimin e diabetit. Ky hulumtim tregon se një grup “këmbësorësh” tregoi përmirësim në tolerancën e glukozës pothuajse 6 herë më të mëdha (dmth sa mirë sheqeri i gjakut absorbohet nga qelizat) se sa ai i një grupi “vrapuesish” gjatë një periudhe prove 6 mujore.

Tonifikim i muskujve

Tonifikimi i muskujve dhe humbje peshe është gjithashtu krejtësisht e arritshme përmes ecjes së thjeshtë.

Kocka dhe nyje më të forta

Fondacioni Arthritis rekomandon të paktën 30 minuta të ecjes së moderuar në ditë për të zvogëluar dhimbjen, ngurtësinë dhe inflamacionin në nyje. Ndërtimi i eshtrave të forta do t’ju ndihmojë të parandaloni osteoporozën dhe të zvogëloni humbjen e kockave.

Përmirësim i tretjes

30 minuta ecje çdo ditë jo vetëm që mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë në të ardhmen, por mund të përmirësojë tretjen tonë dhe kapsllëkun duke ndihmuar në rregullimin e lëvizjeve tona të zorrëve.

Shëron dhimbjen e mesit

Ecja kontribuon në qarkullimin më të mirë të gjakut brenda strukturave kurrizore, duke pompuar lëndë ushqyesve të rëndësishme për indet e buta, duke përmirësuar sjelljen dhe fleksibilitetin, të cilat janë të domosdoshme për një shtyllë kurrizore të shëndetshme.

Relakson mendjen

Nëse ecja përmirëson simptomat e depresionit në pacientët me çrregullime të mëdha depresioni, vetëm imagjinoni sa lehtë mund të na ndihmojë të përballojmë ndjenjën e dobësisë ose të lodhjes. Dhe një ecje e gëzueshme me një mik apo një të dashur vetëm do të shumëfishojë efektin e lumturisë dhe do të përmirësojë gjendjen tuaj./syri

Ja çfarë i ndodh trupit tuaj nëse ecni çdo ditë Read More »