Aurora

Përse mbanin ilirët gjarpër shtëpie ?

Legjenda thotë: Besohet se çdo shtëpi ka gjarpërin e vet. Ata si rëndom, janë të qetë. Ndodh që gjatësia e tyre të jetë mbi dy metra, por populli i quan “gjarpërinjtë e shtëpisë” ose “gjarpëri i shtëpisë”.

Ata lëvizin apo ecin nëpër shtëpi lirisht dhe askush nuk guxon t’i ngacmojë, kështu që shpesh herë i gjejmë nëpër teshat apo mbulesat e fletjes, nën jastëkët, nëpër djepet e foshnjeve, e kështu me radhë. Iu jepet qumësht në vendet e caktuara, ku gjarpri i shtëpisë zakonisht e ka daljen e vet. Thuhet se nëse e mbysim gjarprin, atëherë ai i ndëshkon sa që në atë shtëpi ndodhin ngjarje të kobshme, u digjet shtëpia, mund të vdesë dikush prej anëtarëve të familjes, etj.

Është interesant të përmendet rasti i mbrojtjes nga magjia” nëpërmjet kokës se gjarprit. Vajzat e bukura dhe nuset , me qëllim që të mbrojtjen nga magjia, e mbartin në qafë dhe midis gjinjve kokën e gjarprit.

Në fakt, kur dikush rastësisht gjatë punës së përditshme në fushe mbyste ndonjë gjarpër, ia merrte kokën, të cilën sipas nevojës më vonë mund ta mbante një vajzë ose nuse e shtëpisë.

Koka e gjarprit e mbajtur në qafë ose midis gjinjve është një ritual i trashëguar që nga ilirët, të cilët besonin në forcën mbrojtëse të gjarprit.

Gjarpri edhe sot e kësaj dite tek shqiptarët konsiderohet si “roje i shtëpisë” dhe mendohet se secila shtëpi diku në themelet e saja e ka gjarprin e vetë i cili e mbron shtëpinë. Prandaj kur ai paraqitet në oborrin e shtëpisë as nuk mbytet e as nuk ngacmohet, por lihet i qetë. Pra, koka e gjarprit te shqiptarët e ka pasur kuptimin e një objekti sigurie për individin dhe shtëpinë.

Asnjë kafshë në simbolikën religjioze tek ilirëve nuk ka luajtur rol të rëndësishëm sa gjarpri. Kjo kafshë misterioze, me formë të jashtzakonshme e cila pa zhurme zvarritet dhe del nga thellësia e tokës aty ku jetojnë demonët dhe zotat e nëntokës, si edhe shpirtrat e të ndjerëve, i cila me kafshimin e vet mundet aty për aty ta mbysë jo vetëm kafshën, por edhe vete njeriun, ka nxitur respekt nga frika. Nuk është e rastit, pra, që gjarpri luan rol të rëndësishëm në religjionet dhe mitologjitë e të gjithë popujve që shtrihen në viset , ku jetojnë gjarpërinjtë, nga Amerika deri në Perëndim, e deri në Azi në Lindje, që prej kohërave paleolitike e deri në ditët tona.

Tek ilirët, sidomos tek ata të Jugut, gjarpri është kafsha e cila me domethënien e vetë të shumëfishtë zë vendin qëndror në strukturën religjioze simbolike. Ai është kafshë toteme dhe kryetar i fisit ilir, simbol i mençurisë, i së keqes, shëndetit, pjellorisë, personifikim i shpirtit të të ndjerit, mbrojtës i vatrës së shtëpisë e mbi të gjitha kafshë mitologjike./Bota.al/

Përse mbanin ilirët gjarpër shtëpie ? Read More »

Shkodra, qyteti më i mirëqenë në Botë!

Shkodra është qyteti më i pasur në Botë. Është i vetmi qytet në Botë ku mirëqenia shpërthen vullkanshëm në çdo milimetër katror të saj. I vetmi qytet në Botë që ka një ngrohje publike falas. Kjo ngrohje e cila krijohet nga djegia e mbeturinave në kosha jep gjithkah erën e saktë të mirëqenies tonë.

Qyteti ynë i dashur ka banorë aq të pasur saqë nuk kanë nga të dërgojnë e si ti shpenzojnë paratë, dhe jua japin atyre që kanë më shumë nevojë për to si doktorave, pedagogëve e atyre të gjorë gjykatës e prokurorë.

Gjykatës të ndershëm që jetojnë në këtë qytet të pandershëm… gjykatës të cilët nuk e kanë orën aq të shtrenjtë sa makina ime, sepse unë nuk kam makinë. Me ato para që kisha ndarë në një anë, apo edhe në të dya anët për të blerë një makinë, gjykatësi i mirë ka blerë orën, e me kusurin si të mos i blente orës edhe një kuti me jastëk kashmiri?!

Ora duhet që të qëndrojë e butë në kutinë e saj sepse nëse ora nuk qëndron mirë mund ti prishet ndonjë gremç dhe të trazontë duart të mirit zotit gjyqtar. E nëse atij i trazohet dora mund të harrojë se nga kush e ka blerë atë orë, e mund të japë një vendim të drejtë… larg qoftë! Edhe nëse e jep një vendim të drejtë kush do ta vlerësonte në këtë qytet të shtrembëruar gjithnjë e më tepër?

Edhe doktorave ne iu japim shpërblimet e premtuara, të pamerituara dhe kurrë të fituara. Ne, populli i pasur i Shkodres i japim doktorëve një ndihmesë sa për të mbajtur frymën gjallë, se rroga e tyre sa katër fishi i tonës nuk ju del. Të gjorët doktor të cilët jan trajnuar aq mirë nëpër Botën universitare shqiptare… jane mbushur me raste grashë të cilat vuajnë nga prostata.

Po pedagogët pastaj… kjo kategori mirëfilli e dëbuar dhe e harruar e shoqërisë. Aq keq ndejhen këto pedagogë saqë e meritojnë të ndihmohen nga ne populli i mirëqenë i Shkodrës sepse nuk munden te jetojnë në qytetin tonë që i paragjykon e nuk i do, por detyrohen të ndërtojnë shtëpiza modeste nëpër plazhe vetëm me ato çka ne të mirëqenurit e Shkodrës u dhurojmë.

Në fund të fundit dhe krishtërimi aq fort i piedestalizuar nga vendet perëndimore thotë se duhet të bësh mirë. E ku ka më mirë se të ndihmosh këto njerëz të varfër të cilët si besim kanë paranë e si Kishe ku e forcojnë besimin kane profesionin e tyre?/Lajme Ditore

Shkodra, qyteti më i mirëqenë në Botë! Read More »

Bletët drejt zhdukjes, por shkencëtarët i kthejnë sytë nga teknologjia

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë ngritur shqetësimin e pakësimit të bletëve. Disa mund të mendojnë se kjo do të thotë “lamtumirë mjaltë natyral”, por në fakt është shumë më e thellë se kaq. Zhdukja e bletëve do të çonte edhe njerëzimin drejt fundit. Kjo sepse nga 100 llojet të kulturave që na japin 90% të ushqimit, 70% pllenohen nga bletët. Pra ato janë iniciueset e riprodhimit të bimëve, sepse bëjnë të mundur transferimin e polenit nga thekët te pistili.

Sipas Greenpeace, rreth 40% e bletëve që përdoren për prodhimin e mjaltit janë zhdukur që prej vitit 2006 në SHBA. Kjo për shkak të fenomenit që njihet si “kolapsi i kolonive” dhe ka të bëjë me zhdukjen e papritur të bletëve punëtore. Arsyet janë ende të panjohura, po ekspertët dyshojnë për  faktorë si infeksione të ndryshme, rritja e urbanizimit, shkatërrimi i habitateve apo përdorimi i shtuar i pesticideve.

Të gjendur para një kërcënimi të tillë, shkencëtarët po i drejtohen për ndihmë teknologjisë. Eijiro Miyako në Institutin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Industriale të Avancuar në Japoni udhëheq një ekip që po punon për zëvendësimin e bletëve me dronë. Këta të fundit janë pajisje me përmasa rreth 4 cm, të mbuluara me qime kali të lyera me një xhel që do të bëjë të mundur mbledhjen e polenit.

Studiuesit thonë se ky lloj droni mund të përdorë inteligjencën artificiale për të identifikuar në mënyrë të pavarur lulet. Deri tani kjo teknikë ka rezultuar e suksesshme me zambakët japonezë.

Por nëse dronët nuk do të arrijnë ta kryejnë funksionin e bletëve, atëherë alternativa është një metodë jo kaq teknologjike. Pluhurosja me polen konsiston në hedhjen e polenit nga aeroplanët mbi sipërfaqet me bimësi. Por as kjo nuk do të ishte zgjidhje përfundimtare. Sipas një studimi të kryer nga MIT, pluhuri i polenit është efektiv për disa kultura, por jep rendiment më të ulët të frutave sesa pllenimi natyral.

Një metodë tjetër akoma më primitive është ajo e lyerjes së bimëve me dorë me anë të një furçe me polen.  Në Hanyuan, një rajon malor në provincën Sichuan në jugperëndim të Kinës, që prej viteve ’80 rriten dardhë duke përdorur teknika të pllenimit me dorë. Tradita zuri fill kur bletarët lokalë refuzuan të merrnin me qira bletë për pllenim të natyrshëm, pasi mësuan se po përdoreshin insekticide për të vrarë merimangat në pemë.

Asnjë nga këto alternativa nuk është pa kosto. Pllenimi me dorë për një sipërfaqe 1 hektar kërkon 120 ditë punë për një punëtor. Nëse llogarit koston e këtij procesi për 153 mijë ha pemishte me mollë në SHBA, ajo do të ishte 876 milionë dollarë, një shumë astronomike kur e krahason me punën me kosto zero që bëjnë bletët.

Sipas një studimi, ekonomia botërore kursen nga pllenimi natyral një shumë prej 265 miliardë euro. Por edhe nëse kjo kosto do të ishte e mundur të mbulohej, sërish rezultati nuk do të ishte i njëjtë me atë të punës së bletëve.

Mënyra më e lehtë mbetet shpëtimi i vetë bletëve. Ekspertët thonë se rrugët më efektive për ta bërë janë ndalimi i pesticideve, fungicideve dhe herbicideve dhe mbjellja e bimëve që i duan bletët. /Përgatiti: Gazmira Sokoli

Bletët drejt zhdukjes, por shkencëtarët i kthejnë sytë nga teknologjia Read More »

Rudina Magjistari nuk di të ndalet, ja çfarë tha ajo për Dr.Florin që shkaktoi ‘furtunë’ në rrjetet sociale

Dy pjesetaret e grupit “West Side Family” Landi Hysi dhe Armir Shahini, ishin te ftuarit e Rudina Magjistarit te premten ne emisionin e pasdites ne Tv Klan, “Rudina”, te cilet folen per klipin e tyre me te ri “Komshia”, projekti i pare pa Dr. Florin.

Por pikerisht ky detaj, ka bere qe Rudina, nga keqardhja qe kengetari nuk eshte më mes nesh, te beje nje deklarate ne studio e cila nuk eshte pritur mire ne rrjetet sociale.

“Nuk është thjesht një këngë e re e juaja, është kënga e parë që bëhet pa Doktor Florin. Ju herën e fundit keni qenë këtu në studio dhe sollët këngën “Beso”, që ishte një vazhdim i punës së nisur nga Dr. Flori të cilin e përshëndesim madje se ndoshta është duke na ndjekur…”, tha Rudina, e cila sigurisht e ka pasur fjalen qe “eshte duke na ndjekur nga lart”,nje shprehje kjo e njohur qe perdoret per dike qe nuk jeton më, kur thua “te sheh nga lart”.

Rudina Magjistari nuk di të ndalet, ja çfarë tha ajo për Dr.Florin që shkaktoi ‘furtunë’ në rrjetet sociale Read More »

Partia Demokratike zbuloi ”asin nën mëngë”. Pse Jetmir Olldashi tradhëtoi burimin dhe e mbajti 4 muaj të fshehtë audio- përgjimin

Dyzetë e tetë orë pas rrëfimit kontradiktor të dëshmitarit X, Albert Veliut, i njohur edhe si ‘Babalja’, Partia Demokratike zbuloi ‘asin tjetër nën mëngë’, burimin e dytë të shtrenjtë, në të ashtuquajturën çështja ‘Xhafaj’. Në një video-konferencë, të prezantuar nga Lulzim Basha, u shfaq Jetmir Olldashi.

Ky i fundit, që në krye të rrëfimit tha se punonte prej 16 vitesh në media si “gazetar investigativ”, ndërsa e mbylli versionin e tij, duke thënë se ‘në profesionin tonë të gazetarit, rëndësi ka vetëm e vërteta”. E vërteta është se, emri i Jetmir Olldashit nuk lidhet qoftë edhe me një investigim të vetëm gazetaresk.

Në 16 vitet e fundit të historisë së gazetarisë shqiptare, asnjë investigim serioz dhe profesional, nuk mban emrin e tij. Përkundrazi ai është e njohur më shumë si zëdhënës në disa institucione publike në kohën kur ishte në pushtet Partia Demokratike dhe si pronar e një portali të vogël ekstremist shumë afër me Partinë Demokratike.

Shitja e burimit

Një nga parimet themelore të gazetarisë është mbrojtja e burimit. Ky parim i shenjtë reflektohet gjen mbrojtje si në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë, ashtu edhe në legjislacionin ndërkombëtar. Burimi mund të zbulohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me vendim gjykate. Çfarë bëri ‘gazetari investigativ’ Jetmir Olldashi?

Doli në një konferencë shtypi dhe dekonspiroi burimin, përkatësisht Albert Veliun, dëshmitarin X të Partisë Demokratike. Kryefjala e rrëfimit të tij ishte shitja e burimit, teksa tha se përgjimin e ka kryer Albert Veliu. Dekonspirimi erdhi vetëm 48 orë pasi Veliu deklaroi publikisht që nuk e dinte se kush e kishte bërë përgjimin.

Nga njëra anë ‘gazetari investigativ’ tha se ai dhe burimi ishin të rrezikuar, nga ana tjetër tradhton burimin, duke e ekspozuar ndaj një rreziku. Gjithashtu, nga pikëpamja profesionale, ku publikohet një investigim, fshihet burimi, por jo gazetari. Në rastin konkret, u zbuluar fillimisht vetëm burimi, ndërsa çuditërisht u tentua të fshihej gazetari.

Mbajtja e përgjimit 4 muaj në sirtar

‘Gazetari investigativ’ Jetmir Olldashi në mënyrë të çuditshme ka mbajtur katër muaj në sirtar materialin e pretenduar kundër vëllait të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Një gazetar profesional, një investigim të tillë për një aktivitet të paligjshëm, siç është trafiku i drogës, në interes të publikut, duhet ta publikonte menjëherë.

Në rastin konkret, ‘gazetari investigativ’ mban në sirtar për katër muaj audiopërgjimin dhe befas e publikon një parti politike. Për çfarë e ka mbajtur katër muaj Olldashi audiopërgjimin? Ose gazetari ishte i ndërgjegjshëm që audio që e ka realizuar nëpërmjet Albert Veliut ishte e pavlefshme, ose e manipuluar, ose nuk e kuptohet pse nuk e ka botuar kurrë në media e tij. Ishte në pritje për ta “shitur” dikush? Shqiptarja.com

Partia Demokratike zbuloi ”asin nën mëngë”. Pse Jetmir Olldashi tradhëtoi burimin dhe e mbajti 4 muaj të fshehtë audio- përgjimin Read More »

Përse në 26 maj Lulzim?

Por ti Lulzim duke mos e ditur mirë historikun e 26 majit 1996, duhej që më parë të kishe pyetur ustallarët e vjetër që kanë mbetur në atë parti, pastaj të kishe vendosur të ftoje në protestë të majtët.
Shkruan Artur Ajazi

Partia Demokratike e Lulzim Bashës, ka vendosur të protestojë “ashpër” në 26 maj, pikërisht në përvjetorin e 22 të maskaradës së votimeve, nga ku opozita e asaj kohe sot në pushtet, u dhunua, sepse u ngritën për votat e vjedhura, dhe u rrahën barbarisht drejtuesit e saj nga “skuadrat” e veshura me lara-lara të shtetit të asaj kohe.

Çuditërisht Lulzimi ndoshta edhe pa “dashje”, ka vendosur të përkujtojë një nga bëmat e padëgjuara të partisë tij, duke dalë në shesh në 26 maj, por kësaj here jo për votën e vjedhur, por për të rrëzuar qeverinë legjitime me dhunë.

Padyshim rikthimi në vendin e “krimit elektoral” mbetet tipar i atyre që dhunën e kanë si busull drejtimi edhe në politikë.

Por përse në 26 maj zoti Basha, përse vendose që pikërisht pak ditë para qershorit, kur vendi dhe shqiptarët, presin përgjigjen e madhe për hapjen zyrtare të negociatave, ti dhe shpura tënde e investigatorëve, vendosët të “pushtoni sheshet” duke u përpjekur edhe njëherë të mblidhnin rreth vehtes mijëra e mijëra vetë.

Madje ti si kryetar opozite, apo si kryetar PD, u bëre thirrje edhe socialistëve të mblidhen rreth protestës tënde të “fuqishme” për ti thënë ndal “dhunës, korrupsionit, trafiqeve, e oligarkisë”, etj, etj.

Duke mos e ditur mirë historinë e 26 majit 1996, ti nuk ke vendosur akoma edhe vendin ku do të mbahet protesta e fuqishme e opozitës së bashkuar.

Duke mbledhur “aleatët” e PD, të cilët nuk kanë as anëtarësi, as kryesi dhe as struktura partiake, pasi janë thjesht celula familjare, kujtove se do të impresionosh shqiptarët majtas dhe djathas, për të ardhur në “protestën e madhe” e cila edhe kësaj here do të jetë “si uragan”.

Por ti Lulzim duke mos e ditur mirë historikun e 26 majit 1996, duhej që më parë të kishe pyetur ustallarët e vjetër që kanë mbetur në atë parti, pastaj të kishe vendosur të ftoje në protestë të majtët.

Por duket se ata qëllimisht të kanë shtyrë edhe kësaj here në batak.

Për socialistët e thjeshtë, 26 maji 1996, është dita e zezë e vjedhjes së votave me dhunë në gjithë vendin, është dita e grabitjes së kutive të votimit nga skuadrat e veshura me uniforma të shtetit, që nuk ishin gjë tjetër veçse persona me precedent të theksuar kriminal.

Ata pikërisht në 26 maj 1996, u turrën në qendrat e votimit, blenë vota sa kishin mundësi, dhe atje ku nuk arritën, rrëmbyen kutitë e votimit nën presione dhe dhunë barbare mbi kundërshtarin politik.

Por sikur të mos mjaftonte kjo zoti kryetar, dhuna nuk kurseu as liderët e opozitës së asaj kohe, duke u përbaltur jo vetëm zgjedhjet e “lira dhe të drejta” por edhe Shqipëria e cila zinte vendin e parë në faqet e gazetave europiane.

Dhe pikërisht 26 maji i 1996, (si dhe barbaria e vazhduar në tetorin e atij viti edhe me zgjedhjet lokale, duke e nxjerrë fituese PD me mbi 99 per qind) u bënë shkak për përkeqësimin e situatës politike, dhe pas pak muajsh edhe shkatërrimin e shtetit nga themelet.

Ndoshta ustallarët e vjetër, të mbetur akoma në PD, nuk ta kanë sqaruar mirë 26 majin e 1996 zoti kryetar, pasi ti nuk do të kishe vendosur të thërrisje në “protestën madhështore” edhe demokratët edhe socialistët.

Por duke u ndalur tek demokratët, apo tek urdhëri që u ke dhënë kryetarëve në rrethe, mendoj se pikërisht “baza e partisë tuaj”, mbetet një problem madhor që keni.

E para , strukturat në rrethe nuk ekzistojnë, e dyta baza e PD në rrethe është aq e pakësuar, sa nuk mendohet më as për protesta lokale, dhe jo pastaj për protesta kombëtare.

E treta, një ndër arsyet përse janë larguar militantët nga PD, mbetet zhgënjimi që ata kanë marrë nga humbjet elektorale, dhe aleancat me parti si LSI, apo afrimi në parti i personave anonimë, që nuk janë as anëtarë të asaj partie, apo që janë mandatur si deputetë të listës tënde, pas pazareve apo qokave me afera biznesesh.

Zoti Basha, të ngresh popullin në një protestë madhështore, duhet të jesh i besueshëm, duhet të jesh fjalëmbajtur, duhet të jesh lider partie, duhet të jesh i drejtë, duhet të jesh i paakuzuar, e padyshim duhet të jesh politikan karizmatik.

Populli nuk të beson kur ti merr CD , video apo regjistrime në audio, nga persona që dikur kanë qenë pjesë e trafikut dhe janë dënuar me burg jashtë vendit, populli nuk të beson kur shpura juaj del në ekrane dhe bëhet gazi botës, duke u ngatërruar me deklarimet e veta, dhe duke mbrojtur “të penduarit” e trafikut në Vlorë.

Ke shumë punë zoti Basha, ke shumë gjëra për të zgjidhur brënda PD, para se të ftosh shqiptarët majtas dhe djathas të ngrihen në “protesta popullore”, aq më tepër në 26 maj. Më mirë të kishe gjetur një datë tjetër, diku nga korriku.

Përse në 26 maj Lulzim? Read More »

Basha ligjëron “Hejzbullahun e PD”: Krahu i armatosur merr në dorë protestën e 26 majit

Opozita ka planifikuar të zhvillojë një protest të fortë ndaj qeverisë të shtunën e ardhshme.

Siç bëhet e ditur nga burime brenda opozitës, kryeministria do të rrethohet me kordonë njerëzorë në të katër anët e do të kërkohet të jape dorëheqjen ministri i Brendshëm FatmirXhafaj.

Sipas planit paraprak protesta do të zgjasë 72 orë me mundësi shtyrjeje.

Një komision i protestës do ta drejtojë atë, duke krijuar një “autonomi” veprimi nga zhvillimi politik.

Në një fare mënyre PD-ja po konsakron “krahun e armatosur” të saj, ashtu siç vepron Brigada e 7-të e Hamasit në Gaza, e cila drejton veprimet kundër qeverisë izraelite, apo Hejzbullahu në Liban.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar para pak ditësh se armatosja e popullsisë është një variant i mundshëm.

Vendimi për zhvillimin e protestës u mor ditën e premte gjatë një mbledhje të krerëve të opozitës së bashkuar në selinë e Partisë Demokratike.

Ndërkaq, të enjten, LulzimBasha, ka mbledhur krerët e degëvetë PD-së për të diskutuar rreth modaliteve të protestës.

Modalitetet paraprake të protestës janë caktuar dhe do të jetë ora 11.00  që njerëzit duhet të mblidhen para kryeministrisë.

Por në fillim protesta do të përqendrohet në selinë e Ministrisë së Brendshme, për të kaluar më pas në Kryeministri.

Basha i ka porositur krerët e degëve që të sjellin sa më shumë njerëz në Tiranë ditën e shtunë.

Deri më sot, protesta e opozitës, duke përjashtuar protestën kur u sulmua bunkeri pranë Ministrisë së Brendshme,  kanë patur karakter paqësor.

Protesta e së shtunës zhvillohet në kushtet e një klime të egër politike, mbushur me akuza dhe paralajmërime.

Protesta e paralajmëruar e opozitës përkon me rezultatet e para të Vetingut si dhe me lëvizjet për të ngritur organet e reja të drejtësisë, të cilat do të godasin korrupsionin në nivelet më të larta të politikës dhe vetë drejtësisë.

Protesta zhvillohet edhe në kushtet kur Shqipëria është në një periudhë prove sa i takon vendimit që do të marrin kryeministrat e vendeve të Bashkimit Evropian për çeljen ose jo të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE./Pamfleti

Basha ligjëron “Hejzbullahun e PD”: Krahu i armatosur merr në dorë protestën e 26 majit Read More »

Audio- përgjimi i Agron Xhafajt, zyrtarët e PD-së paraqiten sot në Prokurori

Dy deputetët e PD, Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji së bashku me këshilltarin ligjor Gazmend Bardhi sot do të duhen të paraqiten në Prokurori në lidhje me audio përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm.

Tre zyrtarët pritet që të paraqiten sot në orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda. Ndërkohë Prokuroria ka thirrur edhe gazetarin Jetmir Olldashi, pasi kërkon edhe pajisjen që realizoi audio- përgjimin.

Prokuroria i kishte thirrur të enjten e shkuar zyrtarët demokratë por për shkak të angazhimeve të tyre me seancën plenare, orari u shty.

Të martën, (15 maj) oficerët e policisë gjyqësore morën audio-përgjimin e publikuar dhe kanë nisur hetimet për verifikimin e saj.

Në audio përgjim PD pretendon se vëllai i Fatmir Xhafës, Agron Xhafaj, bën pazare me një person tjetër për trafikun e drogës.

Vetë Agron Xhafaj, në një letër të hapur për publikun, bëri të ditur se do ti dorëzohet vetë autoriteteve italiane, ndërsa tha se audio-përgjimi eshte fals për të shantazhuar ate dhe vellain e tij, Fatmir Xhafaj./SOT

Audio- përgjimi i Agron Xhafajt, zyrtarët e PD-së paraqiten sot në Prokurori Read More »