Aurora

Fshati digjet, Likja krihet…!

Hall i madh e ka zënë Presidentin tonë, Ilir Meta.

Ndërkohë që qeverisë po i tronditen themelet me lajme krimi, droge, përgjimesh dhe pasigurish që reflektohen në çdo qelizë të shoqërisë, Presidenti mundohet të japë imazhin e njeriut që ndjek i qetë punën e vet.

Në fakt reforma në drejtësi ka nisur të fryjë me erëra të forta dhe çifti Meta-Kryemadhi janë në sy të këtij cikloni.

Si dy njerëz të sprovuar në botën e krimit, ata kanë nisur të marrin masat – sipas tyre – për t’i shpëtuar ditës së gjykimit të madh edhe pse gjasat janë të pakëta për të mos thënë që nuk ekzistojnë fare.

Por çfarë bën Likja për t’i hedhur sy publikut, atij pak publiku që e ndjek?

Kalon ditën në Cërrik gjoja për të përkujtuar 75 vjetorin e Batalionit partizan të Dumresë kur në fakt qëllimi është që, përveçse të rrijë sa më larg tallazeve të Tiranës, po mundi edhe të kapë ndonjë kockë për tu lëpirë.

“Rastësisht” na kanë qëlluar  në Cërrik dje edhe vajzat që sivjet konkurojnë për Miss Shqipëria.

Dhe çfarë bën Presidenti?

Natyrisht i lë të gjitha punët, harron hallin e vet, fatin që e ka të varur në fije të perit, përshtjellimet e aktualitetit dhe fillon e lëngëzon.

S’ka faj xhanëm se, dihet që femrat janë pika e dobët e Presidentit të Shqipërisë.

E siç ia do puna një burri xhentil, Likja pasi ka kënaqur sytë (se më shumë nuk ia mban), ka begenisur vajzat e reja, u është avitur sa ka mundur duke shtyrë kështu disa orë siç ia do zemra. Se, vesi del me shpirtin, thonë.

Kështu që edhe Likja nuk bën dot ndryshe: ndërkohë që fshati digjet k*** do të krihet, anipse kësaj here zjarri duket të jetë bubulak e do të marrë edhe k*** me vete./Pamfleti.com

Fshati digjet, Likja krihet…! Read More »

Fatos Veliu: Më 1947 i biri i Ismail Qemali i tha Enver Hoxhës: Hiqe nga zyra portretin e tim eti

Qazim Bej Vlorës i refuzohet mundësia e jetesës në Shqipëri Enver Hoxha i ndërpret pensionin patriotik Por edhe për Qazim BejVlorën, fëmija i pestë i Ismail Qemalit, pavarësisht të kaluarës së tij personale, ku përveç faktit që ishte i biri dhe këshilltari i Ismail Qemalit, mbartte dhe një veprimtari të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut të tij, ashtu si të vëllait që i ishte futur në burgun e Tiranës me akuzë tepër banale, i ishte rezervuar një shuplakë e llahtarshme. Pikërisht atij do t’i refuzohej mundësia e jetesës në Shqipëri.
Kjo, sipas autoriteteve komuniste të porsaardhura në pushtet, mund të arrihej fare thjeshtë, jo duke e shpallur publikisht dhe zyrtarisht “NON GRATA”, por ashtu siç u veprua në të vërtetë, që, në mënyrën më arbitrare ndaj tij u krye veprimi më monstruoz që mund të mendohet. Iu ndërpre pensioni simbolik patriotik, që i ishte akorduar që nga qeveria e Lushnjës e drejtuar nga Sulejman Delvina.

Atë pension të cilin i biri i Ismail Qemalit e kishte të vetmin mundësi jetese nuk kishin guxuar t’ia ndërprisnin as qeveritë e kohës së luftës të cilësuara “kuislinge”, pavarësisht se shtëpia e tij e ndodhur afër burgut fashist ku u vra nëna heroike Mine Peza, ishte kthyer në një bazë tepër aktive e lëvizjes çlirimtare”.
“Të gjitha qeveritë e mëparshme shqiptare, – thotë nipi i të bijës së Ismail Qemalit, Orhan Zershati, – e kanë njohur statusin e tij si djali më aktiv i Ismail Qemalit dhe i kishin akorduar një pension të mirë, po mbas çlirimit ky pension iu hoq”.
Një fakt të tillë të ndërprerjes së pensionit e konfirmon edhe Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit, i cili deklaron, “Qazimi, siç thashë pak më parë, përfundoi në Strugë, për faktin se këtu i hoqën çdo mundësi jetese sa erdhi në pushtet qeveria komuniste e Enver Hoxhës, pension që i jepej si fëmija i një patrioti të madh të Shqipërisë”.

Jetonte mes skamjes dhe urisë në zemër të kryeqytetit – I ishte mohuar gjithë aktiviteti patriotik

Askush nga Tirana Zyrtare nuk e përfillte më të birin e Ismail Qemalit, të cilin i ati e kishte pasur në krahun e tij të djathtë.
Ndërsa Ismail Qemali ishte kthyer në simbol për gjithë shqiptarët në mbarë botën, Qazim Vlora në qendër të kryeqytetit, ashtu si vëllai dhe dy motrat, jetonte mes skamjes dhe urisë. Meditimi tashmë i ishte kthyer në natyrë të dytë.

I kishin mohuar gjithçka. I kishin mohuar deri dhe aktivitetin e luftës nacional çlirimtare ku gjithë familjen e kishte angazhuar kundër pushtuesve nazifashistë të cilët dikur i kishin helmuar të atin vetëm se luftonte për mëvetësinë e kombit të tij shqiptar. Revolta shpirtërore për këtë shpërblim nga bashkëkombësit e vet po e brente pamëshirshmërisht.

Por çfarë thotë për këtë për njerkun e tij, pra vetë djali i bashkëshortes së Qazim Bej Vlorës, Edip Ohri. “Ai ishte shumë i pakënaqur dhe tmerrësisht i revoltuar – dëshmon Edip Ohri – duke thënë që unë që kam kontribuar kaq shumë për Pavarësinë e Shqipërisë së bashku me babën tim ndërkohë që mora pjesë aktivisht në luftën antifashiste aq sa edhe shtëpinë e kthyem një bazë të fuqishme të luftës kundër pushtuesit të më bëjnë këtë skandal dhe të më sjellin këto vuajtje që nuk i meritoj. Sepse në të vërtetë shtëpia jonë gjatë gjithë viteve të luftës ka qenë një bazë e rëndësishme e saj duke bërë që në të të strehoheshin ilegalë të rëndësishëm si Ramize Gjebrea, Kristo Themelko, Nako Spiru e shumë e shumë të tjerë.
Pra ideja dhe revolta e tij e papërmbajtshme ishte te mendimi që analizonte duke thënë që unë që kontribuova familjarisht për çlirimin e Shqipërisë, ndërkohë që Enver Hoxha nuk mi njeh këto merita dhe nuk më jep atë që më takon si gjithë të tjerët, pensionin për të jetuar.

Ka qenë me të atin në Peruxha kur u përdor helmi në ushqimin e tyre
Edhe Qazim Bej Vlora mori dozën e helmit, por falë moshës së re arriti të mbijetojë

Pas gjithë këtyre Qazim Bej Vlorës nuk i kishte ngelur as një mundësi për të siguruar jetesën. E vetmja, mundësi për të dhe familjen kishte qenë ai pensioni simbolik, të cilin tashmë ja kishin refuzuar. Kjo për faktin se mosha e tij disi e thyer dhe gjendja e rëndë shëndetësore për pasojat që kishte prej helmimit që kishte pësuar bashkë me të atin në Peruxha të Italisë ku arriti të mbijetojë vetëm falë moshës së re, e bënin të pamundur punësimin e tij.
“Qazim Beu më ka shpjeguar personalisht – tregon në vijim të dëshmisë së tij për njerkun e vetë Edip Ohri – që në momentin kur është helmuar babai i tij, ishte në Peruxha të Italisë. Sa e mori ushqimin është helmuar dhe momentalisht është rrëzuar, menjëherë shkumëzoi dhe situata kaloi në një gjendje të tillë që ishte e kotë ndihma.

Në pak çaste ai gjeti vdekjen. Por në atë moment është helmuar dhe i biri i tij, Qazim Bej Vlora, i cili nuk i ndahej në as një çast të atit dhe që më vonë do të bëhej njerku im, pasi do na vdiste babai dhe do na linte në mjerim gjë që na u gjend dora e Qazimit që do na rriste me edukatë dhe përkushtim të veçantë.

Dhe Qazim Beu ka vuajtur gjatë gjithë jetës së tij nga ai helmim i rëndë. Kishte shumë probleme me stomakun gjë që ia dilte vetëm duke mbajtur një peris shumë të fuqishëm, pra një dietë shumë të fuqishme për arsye të helmimit që pati së bashku me babën e tij”.
Një dëshmi të tillë për punën e helmimit e vijon edhe vetë Orhan Zarshati, që është nip i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit. Ai thotë: Qazim Bej Vlora, në momentin e helmimit të të atit u helmua gjithashtu edhe ai. Pra u helmuan të dy. Por ai e kaloi. Falë moshës së re, e mposhti.

Ndërsa Ismail Qemali si i moshuar që ishte nuk mundi ta duronte dot efektin e helmit, ndërsa Qazimi ishte i ri, më i fuqishëm prandaj dhe e duroi dhe e kaloi atë me shumë rrezik. Pra shpëtoi për fatin tonë të mirë. Këtë fakt të atij momenti tragjik unë e di direkt nga babai im që ja ka treguar personalisht nga daiu i tij Qazim Bej Vlora.

Nën irritimin revoltues takoi me insistim kryeministrin Enver Hoxha

Pas situatës së krijuar në familjen e Qazim Bej Vlorës ku nuk kishte si të jetonte dhe me se të jetonte aq më shumë që ai nga helmimi që kishte pësuar as mund të bënte dot as një lloj pune vendosi të shkonte te kryeministri Enver Hoxha.

Ai me mendimin e tij ishte i vendosur se nuk mund të lejonte një përdhosje të këtillë. Duhej kërkuar mundësia dhe e drejta për të jetuar në vendin e tij. I ati kur kishte mbyllur sytë nën shkumëzimin e verdhë të helmit të rëndë i kishte pëshpëritur “Nuk ju lash dot pasuri, por ju lash pasurin më të madhe Shqipërinë. Shqipëria……, Shqi….”.
Edhe atë moment tepër interesant për të birin e Ismail Qemalit ku pas takimit me Enver Hoxhën do të protestonte duke braktisur përfundimisht Shqipërinë për të cilën ishin robtuar familjarisht një jetë të tërë vetë Edip Ohri tregon:
Njerku im si mendoi gjatë në shtëpi dhe e bloi me vete gjendjen që i kishin faturuar pushtetarët e rinj komunistë pastaj shpërtheu në mënyrë të menjëhershme duke thënë se do të takonte patjetër kryeministrin.

Pas kësaj kërkoi me ngulm që të takohej më Enver Hoxhën si kryeministër, edhe u paraqit në zyrën e kërkesave për ta takuar. Në kërkesën e parë që bëri për tu takuar me Enver Hoxhën si i biri i Ismail Qemalit, Enver Hoxha nuk e pranoi. Tha me siguri që ky ka ardhur për të kërkuar pensionin duke iu drejtuar adjutantit të tij, i thuaj që nuk jam. Unë këtë e kam marrë vesh nga shoku im me të cilin ishim edhe oficerë bashkë dhe që quhej Moisi Elezi. Ai në atë kohë ishte edhe adjutant i Enver Hoxhës.

Ai pa e ditur që unë e kisha pasur njerk të birin e Ismail Qemalit shumë vite më vonë kur isha komandant i aviacionit shqiptar më tregoi për ditët kur njerku im, pra i biri i Ismail Qemalit kërkonte takim me Enver Hoxhën dhe Enver Hoxha nuk i kthente përgjigje pohuese. Enver Hoxha i tha Moisiut që i thuaj që nuk jam këtu. Ndërkohë që më mbrapa që siç ju thashë që unë isha bashkë me Moisiun në kursin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ai e kujtonte si diçka të veçantë ngjarjen.

Ai e fillonte bisedën mes hollësive të përditshme, por që atë rast e kujtonte me mburrje duke përmendur disa hollësira që ja e kam njohur djalin e Ismail Qemalit dhe e kam njohur në këto rrethana. Por gjithnjë pa e ditur se çfarë e kisha unë Qazim Beun. Nga ai mësova gjithçka se tregonte fill e për pe gjithë historinë prandaj edhe jam shumë i qartë se çfarë ndodhte në zyrën e Enver Hoxhës kur Qazimi kërkonte takim. Herën e parë nuk e priti Enver Hoxha, pastaj herën e dytë djali i Ismail Qemalit kërkoi me ngulm që të takohet. Më në fund kur Enver Hoxha pa ngulmimin e tij tha “Le të vijë”.
Por edhe Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit për këtë moment të takimit të Qazim Bej Vlorës tregon: Po, e kam dëgjuar edhe këtë fakt që xhaxhai i tim eti, Qazimi, i ndërpritet pensioni pas viteve ’45, dhe Qazimi arrin ta takojë, i ka shpjeguar dhe i ka kërkuar se përse ishte bërë një padrejtësi e tillë ndaj tij kur ishin të detyruar t’ia jepnin pensionin.
Po ashtu edhe Orhan Zarshati, Nip i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit dëshmon: Po, mbas çlirimit ai, mesa di unë, ka kërkuar të takohet me Enver Hoxhën edhe është takuar edhe më vonë duke i thënë dhe duke i shpjeguar atij që kam marrë pension patriotik gjatë gjithë qeverive shqiptare të mëparshme dhe së fundmi i ka kërkuar që t’i rikthehet si një e drejtë shumë e ligjshme që i takonte si për meritat e të atit ashtu dhe për kontributin e tij, por ishte e kotë kundërshtimi dhe reagimi i Enver Hoxhës dukej se kishte formën e pandryshueshme.
E ndërsa në lidhje me momentin e bisedës së tij me Enver Hoxhën Edip Ohri, djali i bashkëshortes së Qazim Bej Vlorës shton atë çka ai e dëgjoi nga vetë goja e njerkut të tillë si u kthye nga zyra e Enver Hoxhës.

Ai tregon: Qazim Bej Vlora si shkoi te Enver Hoxha, ne prisnim në shtëpi me padurim se çfarë do të arrinte se prej tij prisnim të jetonim se situatën e kishim tepër të rënduar. Ai hyri në zyrën e Enverit dhe i tha “Shoku Komandant, jam i biri i Ismail Qemalit. Deri tashmë unë kam marrë një pension patriotik i cili nuk është ndërprerë gjatë gjithë kohës që nga Qeveria e Lushnjës. Por tani çuditërisht më është ndërprerë.

Ju lutem shumë, unë kam një familje që ka marrë pjesë aktivisht në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, kam marrë dhe unë pjesë. Shtëpia ime ka qenë bazë e luftës. Kam kontribuar edhe unë aq sa kam mundur. Por përveç kësaj, jam edhe i biri i Ismail Qemalit.

Të ardhura të tjera nuk kam. Me punë nuk jam i punësuar. Ju lutemi shumë të më rilidhet pensioni që u ndërpre. Por përgjigja e Enverit ka qenë taksative dhe e prerë duke i thënë “Nuk ju takon pensioni”. “Por unë jam, – i tha ai, – djali i Ismail Qemali!?”. “Kushdo që të jesh, – ia ktheu Enver Hoxha, – nuk të takon”.

Qazim Bej Vlora i drejtohet Enver Hoxhës: Hiqe portretin e babait tim, Ismail Qemalit, nga zyra juaj

Por edhe te zyra e Kryetarit të Qeverisë, Enver Hoxha ku kishte shkuar të kërkonte të ruante dinjitetin e të atit të tij portreti i të cilit sundonte sfondin kryesor të Zyrës nuk gjeti as shpresë dhe as respekt, por veç refuzim absolut për të rimarrë pensionin.

Ajo bisedë e parë dhe e fundit me kryeministrin e vendit të tij në orët e fundit të qëndrimit në Shqipëri u mbyll me një shpërthim të jashtë natyrës së tij me thirrje urdhëruese ndaj Enver Hoxhës i cili nuk meritonte të mbante portretin e të atit në zyrë.
Pikërisht për këtë moment të pabesueshëm të historisë së Shqipërisë Komuniste ku i biri dhe bashkëpunëtori njëkohësisht i Ismail Qemalit i ka kërkuar Enver Hoxhës të heqë portretin e të atit nga zyra e vetë e dëshmojnë pasardhësit e tij të cilët e kanë të konfirmuar absolutisht.

Kështu Edip Ohri e mësoi në atë çast kur ai u kthye në shtëpi nga zyra e Enverit dhe vendosi të braktisë Shqipërinë në mënyrën më të revoltuar ndërsa Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djali i vogël i Ismail Qemalit ka mësuar nga babai i tij për atë situatë të xhaxhait të vet. Konkretisht, EDIP OHRI që siç e përmendëm jo rastësisht gjatë gjithë prononcimeve të tij që është pikërisht djali i bashkëshortes së Qazim Bej Vlorës tregon: Kur njerku im Qazim Bej Vlora mori mohimin e padiskutueshëm nga Enver Hoxha i tha atij. Atëherë ky i nervozuar i tha: Zoti Kryeministër këtë fotografinë e babait tim që e mban në zyrën tënde nuk e meritoni ta mbani juve.

Hiqeni përderisa ju nuk ndihmoni në momente kaq të vështira fëmijët e tij! Paskëtaj erdhi menjëherë në shtëpi i revoltuar dhe i tha nënës sime “Bëju gati se do të ikim menjëherë nga Shqipëria”.
Po e njëjta dëshmi vjen edhe Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djali i vogël i Ismail Qemalit kur tregon: Siç më ka treguar im atë për xhaxhain e tij, kur Qazimi ndërsa ishte para Enver Hoxhës në zyrën e këtij të fundit dhe pa se Enver Hoxha nuk kishte ndërmend t’ia plotësonte kërkesën për pensionin dhe si u bind që ai ishte koshient për heqjen e tij, i thotë që “fotografinë e tim eti atëherë s’ke të drejtë ta mbash atje, sepse një njeri që nuk respekton fëmijën detyrimisht nuk ke respekt as për të atin”. Fakt shumë i trishtë ky.

Fatos Veliu: Më 1947 i biri i Ismail Qemali i tha Enver Hoxhës: Hiqe nga zyra portretin e tim eti Read More »

”Çfarë më lidh mua me këta persona, ku e kam shkelur ligjin”, debati i plotë Tahiri- Hajdarmataj

Për më shumë se dy orë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tashmë i kthyer në një qytetar i zakonshëm, debatoi me prokurorin Besim Hajdarmataj, çdo provë të sjellë prej këtij të fundit në gjykatë. Herë pas herë Tahiri, përplaste dhe grushtat mbi tavolinë për të bindur gjykatësen Liljana Baku, se nuk ka lidhje me implikimin e tij në trafikun e drogës, dhe se çdo provë e sjellë nga përfaqësuesi i akuzës, është tërësisht dashakeqase dhe që s’tregon asgjë mbi akuzën që i atribuohet.

Në debat e sipër Tahiri ngrinte intonacionin e zërit, duke e quajtur veten se ka qënë vetëm ministër, dhe s’mund të mbajë ai përgjegjësinë për shefin e postës Dhërmi, Sokol Bode, që s’ka bërë detyrën në 5 apo 6 maj 2015, apo për atë policin e thjeshtë të TIMS, që nuk ka rregjistruar hyrje-daljet e Habilajve apo s’ka mbajtur shënim në rregjistër futjen e skafit në port.

Këtë reagim ai e bëri kur prokurori Besim Hajdarmataj, po i tregonte gjykatës mosveprimin e Sokol Bodes, gjatë natës, kur në Porto-Palermo kishte mbërritur anija “Fatima”, e cila ishte ankoruar dhe më pas ngarkuar me 850 kg drogë dhe 1500 litra naftë.“…po ç’punë kam unë me këta more, unë kam qënë një ministër që kam shërbyer për gati 3 vite, ç’punë kam unë dhe çfarë përgjegjësie kam unë me shkeljen e detyrës së tyre.

Çfarë më lidh mua me këta persona, ku e kam shkelur ligjin unë këtu…unë as i njoh fare këta persona. Nëse kanë bërë shkelje kapinin dhe akuzojini, po unë ç’lidhje kam këtu…”- ka pohuar Tahiri.

Por prokurori ju kundërpërgjigj me një batutë duke shtuar se: “Sokol Bode ka qënë një shef policie në Dhërmi që bënte gardianin për drogën e Habilajve, ka qëndruar në detyrë për tre vite me rradhë, më shumë kohë se sa kam qëndruar në detyrën e drejtuesit të Krimeve të Rënda unë.

“Shqiptarja.com”, sjell pjesërisht debatet dhe batutat mes dy protagonistëve të këtij gjyqi, ku fillimisht e ka marrë fjalën Saimir Tahiri.

Replikat Tahiri-Hajdarmataj

Tahiri: E nderuar zonja gjyqtare, megjithëse unë nuk mund të artikuloj saktë dhe qartë e procedurialisht argumentat, pasi nuk jam në nivelin e një avokati, megjithëse jam me arsim jurist, dua t’ju them se me këtë masë që më keni dhënë si në burg si në arrest shtëpie është njëlloj për mua. Unë burg e quaj, se me këto prova që janë paraqitur nuk e pranoj të qëndroj as në “arrest shtëpie”.

Meqënëse vepra penale që më atribuohet nga prokuroria është e rëndë dhe detyrimit parashikon masa ekstreme izolimi, atëherë më vendosni në arrest në burg, pasi masa arrest shtëpie që keni vendosur është e papërshtatshme me akuzat që pretendon prokuroria .Jemi këtu sot në gjykatë për tu njohur me provat e reja të prokurorisë. Unë këto prova i kam ditur.

Nëse duhet të mbahem i izoluar për këto prova, atëherë ky qenka standardi? Me këto prova që ka sjellë prokuroria, tregon se ka hetuar pushimet e mia në 2014. Pra jam hetuar si grup i strukturuar miqësor dhe jo si grup i strukturuar kriminal.

Plus që dua të shtoj se këto prova janë sjellë në mënyrë dashakeqase dhe jo në mirëbesim siç e ka përcaktuan Gjykata e të Drejtave të Njeriut.E them dashakeqase zonja gjyqtare pasi, dhe mënyra e servirur e dëshmive të dy tregtarëve italianë të pyetur për kostumet dhe byzylyket nuk tregojnë asnjë gjë.

Madje dhe Moisi Habilaj i pyetur për këtë fakt, pra byzylykët tregon se i ka blerë për një person tjetër, duke mos dhënë asnjë indicia dyshime. Pastaj ç’është kjo që keni evidentuar në vendim, për lënien e mandatit dhe rrezikun me ikjes time dhe fshehjes së drejtësisë, unë në Shqipëri kam qënë, madje dhe kam udhëtuar jashtë shtetit dhe nuk kam ikur as kur kam qënë deputet as kur jam i lirë.Pastaj sot ngeli që të iki dhe ti fshihem drejtësisë, unë po të largohesha, këtë e bëja 8 muaj para, ku nisën hetimet.

Hajdarmataj: Zonja gjyqtare dua t’ju bëj me dije se ky është një hetim shumë kompleks dhe i vështirë. Hetimi ka hyrë në një fazë deçizive dhe se ne si prokurori kemi për të pyetur dhe disa persona të tjerë, në dobi të këtij hetimi.

Para se të jenë provat në tavolinën time dhe para se të vijnë dëshmitarët në prokurori, ato i di të gjitha një ditë para Saimir Tahiri. I hetuari prej nesh, ka akses dhe mer vesh një ditë para se kë do thëras unë dëshmitar.

Për këtë ne si prokurori kemi prova, që ai ka takuar një nga dëshmitarët që ne kishim thirur në prokurori për të dëshmuar.Dhe një gjë e tillë ka ndodhur me shtetasin Orgest Liperi, i cili është dhe pronari i skafit me të cilin Tahiri dhe Elona Hoxha, kanë udhëtuar në gusht 2014 në Greqi, nga Saranda.

Tahiri: Po e kam takuar personin që ju përmendët dhe skam pasur qëllim ta intimidoj. Po po e kam takuar dhe kam qënë me bashkëshorten, ku i kam kërkuar ndjesë këtij personi për taksiratin që e zuri, dhe që i doli emri në këtë histori me mua, dhe taksirati i tij për tu paraqitur në prokurori. E kam takuar duke bërë një gjest qytetar dhe nëse është e nevojshme, unë do e ribëj sërisht një gjest të tillë, duke i kërkuaj falje jo vetëm atij, por kujdo.

Prokurori Besim Hajdarmataj relaton para gjykatës lidhur me aktivitetin krimian të Sokol Bodes, ish-shefit të postës kufitare Dhërmi,i cili kishte në mbulim zonën ku u ankorua anija Fatima, duke u ngarkuar me drogë dhe jep dia detaje dhe për mos regjistrimin e skafit në portin e Sarandës dhe Triport, si dhe mos rregjistrimin në TIMS të hyrje-daljeve të Habilajve.

Tahiri: Po ç’punë kam unë me këta more, unë kam qënë një ministër që kam shërbyer për gati 3 vite, ç’punë kam unë dhe çfarë përgjegjësie kam unë me shkeljen e detyrës së këtyre policëve që ju po thoni. Çfarë më lidh mua me këta persona, ku e kam shkelur ligjin unë këtu…unë as i njoh fare këta persona dhe as kam interes ti njoh. Nëse kanë bërë shkelje kapini dhe akuzojini, po unë ç’lidhje kam këtu, çfarë trafiku droge kam bërë unë këtu, se nuk po e marr vesh qëndrimin tuaj me këto prova dhe argumenta.

Hajdarmataj: Sokol Bode ka qënë një shef policie në Dhërmi që bënte gardianin për drogën e Habilajve, ka qëndruar në detyrë për tre vite me rradhë, më shumë kohë se sa kam qëndruar në detyrën e drejtuesit unë

Hajdarmataj: Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt. Në TIMS, ka pasur ndërhyrje lidhur me hyrje-daljet jo vetëm të Tahirit, por edhe me personat e tjerë, si është rasti i Moisi Habilaj.

Por për këtë do të jap shpjegime të mëvonshme dhe do të zbardhen në fund të hetimit. Në kohën e kthimit, së bashku me skafin me defekt, nuk është regjistruar në portin e Sarandës që ka hyrë Artan Habilaj, me policin dhe mekanikun.

Nga Saranda skafi është lënë në Triport e më pas në Durrës. Pas disa ditësh është paraqitur te moli, Moisi Habilaj, dhe të vetmit që i kanë bërë rezistencë kanë qenë punonjësit e molit, që i kanë thënë se nuk mund ta marrë pasi nuk ka dokument. Pavaresisht kësaj, Moisi Habilaj, e ka marrë skafin dhe ka shkuar në Brindizi për ta rregulluar”.

PESHKAREXHA

Si u fik radari i Sazanit në 6 maj 2015 për të kaluar trafikantët

Nga provat që ka paraqitur prokuroria në gjyqin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë në pah një fakt mjaft i rëndë për influencën që kishin trafikantët në strukturat e shtetit. Në datën 6 maj të vitit 2016 kur një peshkarexhë italiane e ngarkuar me drogën e grupit të Habilajve u nis nga Shqipëria për në Itali radari i ushtrisë u fik për t’u mundësuar kalimin e lirë.

“Nga këqyrja, në datën 6 maj 2015, rezultoi se në orën 01:07, shënimi i njoftimit të marrë nga Q.N.O.D për një mjet që ishte duke u afruar me shpejtësi në drejtim të Himarës, drejt të cilit u dërguan BP-24: në orën 01.15, njoftimi i marrë nga Q.N.O.D për daljen jashtë funksionit të Radarit të Sazanit në orën 01:35 njoftimi i marrë nga BP-06 se objekti ishte peshkarezha “Rozeta 1” që ishte duke u kthyer nga Palermo”, thuhet në dokumentin e prokurorisë. Pra nga ky dokument del qartë se në momentin që anija e trafikantëve të drogës, në këtë rast e bandës së Habilajve, nisej për në Itali, radari si rastësisht dilte jashtë funksionit.

Duhet theksuar se radari që është i vendosur në ishullin e Sazanit nuk varet nga ministria e Brendshme por nga ministria e Mbrojtjes. Implikimi i strukturave të ministrisë së Brendshme në këtë rast dalin tek përfshirja e Sokol Bodes, ish-shefit të kufirit për zonën bregdetare Dhërmi-Himarë. “Sipas të dhënave të përftuara nga regjistri “26/2015 Dhërmi Libër Planizimi të Shërbimit SPK Dhërmi”, këqyrur në datën 9 maja 2018, rezulton planëzimi në shërbim i Sokol Bodes, në funksion të shefit të stacionit, për datën 5 maj 2015 (ditë e martë)”, thuhet në dokument.

Sokol Bode është një nga tre oficerët e policisë që janë arratisur pas akuzave të prokurorisë për përfshirje të tyre në trafikun e lëndëve narkotike. Bode është cilësuar nga prokuroria si pjesë e bandës së Habilajve së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaert Çela dhe oficerit të policisë Gjergji Kohila.

”Çfarë më lidh mua me këta persona, ku e kam shkelur ligjin”, debati i plotë Tahiri- Hajdarmataj Read More »

Fatmir Xhafaj “kamerdarja” e fundit për dyshen mafioze Berisha-Meta

Refuzimi i Fatmir Xhafaj për të dhënë dorëheqjen lojë e Ramës, Berishës,  Monikës dhe Bashës për të sabotuar negociatat ne qershor dhe për të vonuar zbatimin e reformës në drejtësi që do t’i çojë në burg njëri pas tjetrit

Qëndrimi i Fatmir Xhafajt çdo minutë më shumë në krye të Ministrisë së Brendshme thellon më tej koston për Shqipërinë dhe shqiptarët, në interes të klasës politike mafioze të Tiranës.

Nëse Fatmir Xhafaj vijon rezistencën, ai mund të bëhet edhe shkak për bllokimin e negociatave në qershor, zhvillim ky që i intereson politikës së korruptuar të Tiranës, e cila tmerrohet nga afrimi me BE, pasi është mësuar në kënetën e aferave, krimeve dhe orgjive në Tiranë, e patrazuar nga askush.

Nga pikëpamja ligjore, Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi, por moralisht, është e papranueshme që ministër i Brendshëm të jetë vëllai i një trafikanti droge. Situata bëhet edhe më e rëndë në kushtet kur Fatmir Xhafaj ka udhëhequr reformën në drejtësi.

Dhe faktori ndërkombëtar është tejet i ndjeshëm ndaj paradokseve dhe absurditeteve të tilla, që i prodhon vetëm një politikë kriminale si kjo e Shqipërisë.

Mbajtja e tij në krye të ministrisë më të rëndësishme në vend është një mesazh i qartë që politika e Tiranës i çon Brukselit, se nuk e do çeljen e negociatave, por vijimin e historisë së korrupsionit, lojës së fjalëve, propagandës, plaçkitjes së Shqipërisë, sundimit, pasurimit dhe dëfrimit me dashnore nëpër zyrat e shtetit.

Refuzimi i Fatmir Xhafajt për të dhënë dorëheqjen është pikësëpari oksigjen për dy kokat e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri dhe Ballkan, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Kjo dyshe mafioze, me shkeljen e syrit nga Edi Rama, po e përdor Xhafajn si armë për të goditur reformën, meqenëse Xhafaj ka drejtuar komisionin në reformën në drejtësi dhe njëkohësisht Komisionin e Ligjeve.

Ata duan që të delegjitimojnë reformën, me anë të Xhafajt, kur në fakt reformën e ka bërë Perëndimi, për të shembur kështjellën e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, ndërsa Xhafaj ka qenë thjeshtë një zbatues.

Dihet tashmë se reforma në drejtësi është gracka e amerikanëve për të shkatërruar përfundimisht dyshen famëkeqe Berisha-Meta. Shkatërrimi po bëhet me disa faza. Faza e parë është shkarkimi i bandës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Berishës dhe Metës, që të mos kenë mundësi shpëtimi. Tashmë banda e Berishës dhe Metës në drejtësi po i mbath nga frika e Vetingut.

Faza e dytë parashikon konfiskimin e pasurive të krimit dhe korrupsionit. Faza e tretë parashikon dënimin me burg për qindra krime ekonomike, njerëzore, mjedisore etj. Rezistenca e Fatmir Xhafajt e dobëson dhe ngadalëson procesin e shkatërrimit të Berishës dhe Metës.

Rezistenca e Xhafajt i intereson edhe Edi Ramës, i cili edhe pse nuk është i rrezikuar sa Ilir Meta dhe Sali Berisha, ka frikë se mund të përfundojë në burg. Në këto rrethana qëndrimi i Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme është një lojë e të gjithë kastës së keqbërësve në Shqipëri, ku përfshihen Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha, duke përfshirë edhe zagarët e tyre të korrupsionit dhe krimit.

Duke mbrojtur Xhafajn, kjo kastë arrin dy qëllime: Së pari po vonon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe së dyti po provokon bllokimin e negociatave në qershor./Pamfleti.com

Fatmir Xhafaj “kamerdarja” e fundit për dyshen mafioze Berisha-Meta Read More »

Video-përgjimi pë vëllain e Fatmir Xhafajt, PD fsheh të dhënat e personit X. Nuk publikon pjesën e dytë

Shtohen pikëpyetjet dhe dyshimet mbi besueshmërinë e përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike, e cila pretendon se ka të bëjë me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Teksa përfaqësuesit e PD po fshehin dhe mjegullojnë të dhënat kryesore rreth përgjimit të publikuar, që nga identiteti i personit X, origjina etj.,

Prokuroria e Krimeve të Rënda është shfaqur dje në selinë e Partisë Demokratike, për të sekuestruar pamjet filmike të përgjimit. Përfaqësuesit e organit të akuzës po hetojnë tashmë mbi origjinën dhe autenticitetin e përgjimit ambiental, i cili trazoi më tej politikën shqiptare. Gjithsesi, sekuestrimi nga prokurorët konfirmon paraprakisht se përgjimi nuk është realizuar përmes vendimeve të organeve të drejtësisë, por jashtë saj.

Ndërkaq, misteri shtohet në kushtet kur Partia Demokratike ‘harroi’ dje për të publikuar pjesën e dytë të përgjimit, sikundër paralajmëruan disa përfaqësues të saj. Kur pritej publikimi i pjesës tjetër, befas në PD nuk flet më askush për këtë çështje.

Distancohet Basha

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, doli dje në një konferencë për të shtyp, teksa foli gjatë rreth kësaj çështjeje, por çuditërisht nuk tha asnjë fjalë për përgjimin e publikuar nga tre bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Nëse ditën e hënë PD e paraqiti përgjimin si ‘provën’ më kompromentuese rreth çështjes ‘Xhafaj’, ditën e martë, Lulzim Basha nuk tha asnjë fjalë për të, duke distancuar në heshtje.

Ndërkaq, dy ditë më parë vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj kishte depozituar kallëzim penal për tre zyrtarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi duke i akuzuar se kanë sajuar prova. Agron Xhafaj pretendon se në asnjë moment zëri që është dëgjuar në përgjimin e publikuar dje nuk është i tij.

Kallëzimi penal ndaj tre zyrtarëve Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji u bë pasi këtë të hënë, ishin ata që publikuan një material, që sipas tyre është përgjim ambiental, që provon se organet ligjzbatuese kanë dijeni për aktivitetin kriminal të Agron Xhafajt, si drejtues i një organizate kriminale që kontrollon trafikun e drogës.

Misteret e tjera

Së pari, trafikanti që pretendon PD se dëgjohet në audio-përgjim identifikohet vetëm me një “X” dhe nuk thuhet nëse përgjimin e ka bërë ai vetë, apo prokuroria. Për personin në fjalë nuk ka asnjë të dhënë se kush është. Edhe pse PD thotë se ai është një trafikant i dënuar më parë, ajo nuk e bën të ditur identitetin e tij, duke i shtuar edhe më shumë pikëpyetjet mbi besueshmërinë e përgjimit.

PD ka dhënë edhe një numër telefoni që pretendon se i përket Agron Xhafajt, por nga audio e publikuar PD nuk thotë se cila është prova që zëri që dëgjohet në të është i njëjtë me atë të Agron Xhafajt. Agron Xhafaj nuk është person publik dhe pakkush e njeh zërin e tij. Përgjimi ambiental, PD thotë se është kryer në një lokal që njihet si pronë e Agron Xhafajt, por edhe për këtë nuk ka asnjë të dhënë.

Në fakt, bashkëpunëtori “X” përmend lokalin me emrin e një personi tjetër, që ai e quan “Toto Qorri”. Në asnjë pjesë të bisedës telefonike apo asaj ambientale nuk përmendet një lokal tjetër, që të mund të japë ndonjë indice që të lidhet me Agron Xhafajn.

Rama do flasë sot për situatën e krijuar

Kryeministri Edi Rama do të mbajë sot një qëndrim rreth situatës së krijuar në Ministrinë e Brendshme. Kryeministri njoftoi në rrjetin social Facebook se, ditën e sotme, në orën 11:00 do të flasë para grupit parlamentar të PS, mbi akuzat e PD mbi vëllezërit Xhafaj. Rama lajmëroi se sot do të mbajë një qëndrim, përpara deputetëve të PS-së.

“Jemi të gjithë njësoj? JO, s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj! Nesër në 11.00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me Ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave”, shkruan kryeministri.

Sekuestrimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda është shfaqur dje në selinë e Partisë Demokratike, për të sekuestruar pamjet filmike të përgjimit. Përfaqësuesit e organit të akuzës po hetojnë tashmë mbi origjinën dhe autenticitetin e përgjimit telefonik.

Dyshimet

Dyshimet shtohet në kushtet kur Partia Demokratike ‘harroi’ dje për të publikuar pjesën e dytë të përgjimit ambiental, sikundër paralajmëruan disa përfaqësues të saj./Shqiptarja.com

Video-përgjimi pë vëllain e Fatmir Xhafajt, PD fsheh të dhënat e personit X. Nuk publikon pjesën e dytë Read More »

Emigranti që u bë kryeministër nuk meriton akoma mbështetjen e plotë të Francës

Burime diplomatike bëjnë me dije se takimi mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Francës nuk i ka dhënë frytet për negociatat. Si duket skandalet e shumta që kanë shoqëruar qeverisjen e Edi Ramës gjatë 6 viteve të pushtetit të tij e kanë bërë të pabesueshëm Ramën në sytë e Europës dhe SHBA.

Duke komentuar takimin, specialistët e gjuhës së trupit thonë se dukej qartë se Presidenti Macron shprehte haptas dëshirën për ta mbaruar sa më shpejtë këtë takim të kërkuar me aq ngulm nga kryeministri shqiptar, dikur emigrant në Paris dhe i hezituar nga presidenti Macron.

Burime në takim bëjnë me dije se Presidenti Macron do të refuzojë mbështetjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij me nivel performance jo bindëse për Evropën.

Edi Rama i ka provokuar së shumti kohët e fundit ndërkombëtarët, ndofta i gënjyer se Merkel do ta kishte përzemër gjatë si “djalë seksi”, por nuk rezultoi ashtu.

Çdo ditë e më tepër pas asaj të folure provokative të Ramës opinioni ndërkombëtar po kupton se kush është në të vërtetë “gjatoshi shqiptar” i maskuar me hipokrizi perëndimore, por që thellë-thellë është pjellë e mentalitetit autoritarist, i ngarkuar me pabesi dhe paaftësi.

Edhe Macron njëlloj si amerikanët ‘po e vë me shpatulla për muri’ për çdo pengesë që po i nxjerr në bashkëpunim me integralistin Sali, i cili njëhërë e një kohë ia theu kafkën dhe sot e ka ortak. Ortak në korrupsion, ortak në autoritarizëm, ortak në bllokimin e Shqipërisë përkundrejt Perëndimit./Pamfleti

Emigranti që u bë kryeministër nuk meriton akoma mbështetjen e plotë të Francës Read More »

Sulltani shqiptar masakroi 19 vëllezërit e tij për pushtet, njihuni me historinë e “tmerrit”

Ju e dini që Shqipëria ka kaluar nëpër disa sisteme sundimi dhe qeverisjeje, ku në kohën e Perandorisë Osmane sulltaneshë Safije ishte shqiptarja më e pushtetshme.

Por, cila është historia e tmerrshme dhe ana e erret e birit të saj që bëri çdo gjë për të pasuar fronin  e nënës së tij? “UrbanusBlog” ka shkruar një histori të përmbledhur rreth këtij sulltani shqiptar që masakroi 19 vëllezërit e tij për të pasur pushtetin.

Kur Murati vdiq më 1595, Safije  ndihmoi të birin të ketë sukses si sulltan.

Mehmeti III ishte sulltan i Perandorisë Osmane që nga viti 1595 deri në vitin 1603.  Mehmedi ka lindur në pallatin Manisa në vitin 1566 gjatë sundimit të gjyshit të tij, Sulejmanit të Madhërishëm.

Mamaja e tij, siç e përmendëm edhe më lartë ishte sulltanesha Safije, vajza shqiptare nga Dukagjini. Stërgjyshi i tij vdiq po atë vit që lindi Mehmedi ndaj edhe sulltan u bë gjyshi i tij, sulltan Selimi II. Gjyshi i tij vdiq kur Mehmedi ishte tetë vjeç dhe fronin e mori i ati. Mehmedi mbajti kurorën e princit deri në vdekjen e të atit në 1595, në moshën 28 vjeçare, kur mori fronin.

Mehmed III mbetet sulltani më i njohur në historinë osmane pasi ka pasur plotë nëntëmbëdhjetë vëllezër dhe gjysmë vëllezër të tij të ekzekutuar të gjithë për të siguruar pushtetin. Të gjithë pothuajse u mbytën dhe u shurdhuan.

Mehmed III ishte një sundimtar i papërshtatshëm, pasi gjithë qeverisjen ja la së tij Sulltaneshës Safije, e cila u bë sundimtare dhe sulltane e vlefshme.

Problemi i parë i madh ishte rivaliteti mes dy vëzhguesve të tij, Serdar Ferhad Pashës dhe Koca Sinan Pashës dhe mbështetësve të tyre .

Nëna e tij dhe dhëndri i saj Damat Ibrahim Pasha mbështeti Koca Sinan Pashën dhe e penguan Mehmidin III që të merrte vetë kontrollin e çështjes. Çështja u rrit për të shkaktuar shqetësime të mëdha nga janisarët.

Më 7 korrik 1595, Mehmed III më në fund e shkarkoi Serdar Ferhad Pashën nga pozicioni i Vezirit të Madh për shkak të dështimit të tij në Vllahi dhe e zëvendësoi me Sinanin.  Lufta Austro-hungareze

Ngjarja kryesore e mbretërimit të tij ishte Lufta Austro-Otomane në Hungari (1593-1606). Humbjet otomane në luftë e detyruan Mehmedin III të merrte komandën personale të ushtrisë, i cili ka qenë sulltani i parë  që e ka bërë këtë gjë, që nga koha Sulejmani I në 1566.

I shoqëruar nga sulltani, osmanët pushtuan Egjërin në vitin 1596. Pas dëgjimit të qasjes së ushtrisë së Habsburgëve, Mehmedi donte që ta shkarkonte ushtrinë dhe për t’u kthyer në Stamboll.

Megjithatë, osmanët përfundimisht vendosën të përballeshin me armikun dhe i mposhtën forcat e Habsburgëve dhe Transilvanisë në Betejën e Keresztes (i njohur në turqisht si Beteja e Haçovës), gjatë së cilës Sulltani duhej të tërhiqej nga lufta dhe të ikte nga fushëbeteja.

Pas kthimit në Stamboll me fitore, Mehmed u tha Vezirëve të tij se ai do të bënte fushatë përsëri. Vitin tjetër, Bailo venedikas në Stamboll vuri në dukje, “mjekët deklaruan se Sulltani nuk mund të largohet për luftë për shkak të shëndetit të tij të keq, të prodhuar nga ekseset e ngrënies dhe të pirjes.”

Në shpërblim për shërbimet e tij në luftë, Cigalazade Yusuf Sinan Pasha u bë Vizier i Madh në 1596. Megjithatë, me presion nga gjykata dhe nëna e tij, Mehmedi e rivendosi Damat Ibrahim Pashën në këtë pozitë pak kohë më pas.

Megjithatë, fitorja në Betejën e Keresztes u zbeh shumë shpejt nga disa humbje të rëndësishmeqë pësuan më pas, duke përfshirë humbjen e Gyor (turke: Yanıkkale) për austriakët dhe humbjen e forcave osmane të udhëhequr nga Hafız Ahmet Pasha nga forcat vlahle nën komandën e Michael Brave në Nikopol në 1599.

Në vitin 1600, forcat osmane nën Tiryaki Hasan Pashën kapën Nagykanizsa pas një rrethimi 40-ditor dhe më pas e mbajtën me sukses kundër një forme sulmuese, më e madhja e shënuar në rrethimin e Nagykanizsas.

Mehmedika vdekur më 22 dhjetor 1603 në moshën 37 vjeçare. Sipas një burimi, shkaku i vdekjes së tij ishte shqetësimi i shkaktuar nga vdekja e djalit të tij, Şehzade Mahmud.

E sipas një burimi tjetër ai ka vdekur ose nga murtaja ose nga ndonjë  goditje e marrë.  Ai u varros në Xhaminë Hagia Sophia dhe u pasua nga djali i tij Ahmed I, si sulltan i ri.

Sulltani shqiptar masakroi 19 vëllezërit e tij për pushtet, njihuni me historinë e “tmerrit” Read More »

Intervista ekskluzive e Ismail Qemalit në Vjenë (1912): “Ja ç’kërkojmë ne shqiptarët”

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Journal des Débats Politiques et Littéraires”, ka botuar të martën e 26 nëntorit 1912,  në ballinë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Vjenë me gazetarin me inicialet M. P.

Udhëheqësi shqiptar ka folur asokohe për gabimet e rënda qeverisëse të xhonturqve, për qëllimet e tmerrshme të Serbisë në vendin tonë dhe mbi të gjitha për pavarësinë e Shqipërisë.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Letër nga Vjena

Ismail Qemali dhe çështja shqiptare,

Vjenë, 21 nëntor.

Ismail Qemal Beu, një nga udhëheqësit më të padiskutueshëm të Kombit Shqiptar, u ndal për disa ditë në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i rezervuan një mikpritje të ngrohtë dhe ku personazhet zyrtare të monarkisë, pa u distancuar nga rezerva diplomatike e imponuar prej rrethanave, nuk i fshehën atij simpatinë dhe interesin e tyre për çështjen që ai mbron.

Ai, me gjithë këmbënguljeve të tij, nuk arriti të takonte dukën Bertchold ; gjithsesi atë e vunë në kontakt me disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Momenti i vizitës së tij në Budapest rastisi, për më tepër, në kulmin e krizës austro-serbe : çështja e konsujve shqetësonte opinionin publik, tashmë i pakënaqur me qëndrimin e papajtueshëm të Serbisë për çështjen e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një atmosferë të favorshme për projektet e tij : ai dukej disi i shqetësuar dhe nervoz.

“Po largohem sonte, më tha ai, për Trieste. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij para se të mbërrijë ushtria serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Miqtë e mi dhe unë do të përpiqemi të organizojmë një komitet mbrojtës në vend, një lloj qeverie të përkohshme.

Por, duhet më në fund që Evropa të dalë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me anë të akteve interesin që dëshmon se ka për çështjen tonë të pafat. Në Austri, në Gjermani, si edhe në Francë dhe Angli, opinioni publik është në favorin tonë ; e drejta jonë njihet unanimisht dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se është në përputhje jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me interesat e fuqive të mëdha.

Çfarë po pret Evropa për të na mbështetur ? Do të jetë e padobishme shpallja e të drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne nuk do të ekzistojmë më. Qëllimi i serbëve është i qartë : ata djegin, masakrojnë gjithçka gjatë rrugës së tyre; nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, ata duan të shfarosin shqiptarët.”

Ismaili i moshuar uli kokën dhe heshti për disa çaste, pastaj rifilloi :

“Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjitha kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë se ne nuk jemi shumë të civilizuar : kemi vuajtur kaq shumë ! Por, a është kjo një arsye që një pemë, për shkak të mungesës së kujdesit, të pritet se nuk ka lulëzuar ? Ne ishim të parët, pas vitit 1908, që u ngritëm kundër pretendimeve tiranike të qeverisë xhonturke.

Duke kërkuar atëherë reforma dhe një trajtim më të drejtë, duke protestuar kundër kërkesave të papajtueshme me zakonet dhe kushtet tona, ne nuk mbronim ekskluzivisht vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive : programet tona asokohe dëshmojnë për këto qëllime. Përpjekjet tona nuk patën sukses : ata u shtypën nga represionet më të padrejta dhe të dhunshme. Popujt e Ballkanit u bashkuan ; ata morën përsipër çështjen që ne tentuam të mbronim.

Dhe sot që ata triumfojnë, veprimi i tyre i parë është që të kthehen kundër nesh ! Ata i njohin qëllimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre : ne i konsideronim si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim asnjë plan zgjerimi dhe propagande; ne kërkojmë vetëm një gjë : që të na lënë të jetojmë në territorin ku gjendemi. Dhe këtë pretendim, ne do ta mbështesim deri në fundin më ekstrem.

Ne nuk do të lejojmë as aneksimin, as ndarjen dhe as zhytjen e popullit tonë në rrjedhën e një popullsie të huaj. Çështjet e gjetjes së formulës politike apo ajo për krijimin e një qeverie janë dytësore, dhe, në kohën e tashme, na shqetësojnë pak. Pika thelbësore është që tani e tutje ndjenja kombëtare mbizotëron mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, preferencat politike ose rivalitetet konfesionale. Katolikët, ortodoksët, myslimanët, të gjithë shqiptarët janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe pavarësinë e Shqipërisë.”

Ismail Qemali pati përdorur gjatë bisedës fjalët “pavarësi” dhe “autonomi”. E pyeta nëse shqiptarët tashmë ishin të qartë për synimet e tyre. Ai bëri një gjest apatik :

“Çfarë vlere ka të luash me fjalët ? – tha ai. Askush nuk e kishte dëshiruar më shumë se unë rigjenerimin e Perandorisë Osmane ; askush nuk ishte më i vendosur se unë për të sakrifikuar shumë, gjithçka që ishte e mundur për të sakrifikuar, që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë.

Ne jemi rebeluar vetëm kundër abuzimit të pushtetit nga një parti, e cila paragjykonte të drejtat tona dhe kishte për qëllim të na shtypte si komb. Kjo parti, tashmë, ka shkatërruar Turqinë : çfarë do të mbetet në Evropë nga Perandoria Osmane ? Nuk bëhet më fjalë për një Shqipëri autonome që i nënshtrohet sundimit të Turqisë

. Lidhjet me një provincë të izoluar dhe të largët nga Perandoria do të ishin artificiale dhe të vështira për t’u mbajtur. Ne nuk kërkojmë autonominë, por pavarësinë : një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe madje u ofron disave garanci.”

Ismail Qemali e dinte se para se të shkoja për ta takuar, kisha takuar Hysen Xhahidin, ish-drejtorin e Taninës, i cili, duke u larguar nga Kostandinopoja, si arsye e kërcënimit të një dënimi, kishte gjetur strehim në Vjenë. Ai më pyeti se çfarë mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e parashikonte të ardhmen. Unë nuk i fsheha se u befasova nga optimizmi i tij.

Ai nuk kishte humbur asgjë nga entuziazmi dhe besimi i tij i mëparshëm. Përvoja që kishte dështuar në Evropë do të ripërtërihej në Azi, ku ajo kishte një shans më të mirë për të pasur sukses. Atje, asnjë besdisje, asnjë pengesë. Armenët nuk mund të përbënin një rrezik : ata kishin aq shumë interesa të përbashkëta me turqit ! Arabëve do t’u jepej një autonomi e gjerë. Progresi do të arrihej pak nga pak. Vendi do të organizohej, do të bëhej i begatë.

“Ëndrra ! – tha Ismaili. Asnjë realitet, kaq brutal dhe i tmerrshëm sa është, nuk do të zgjojë këta njerëz ! Ata kanë shkatërruar, nga gabimet dhe arroganca e tyre, situatën më të bukur e më të pashpresë në botë. Çfarë simpatie dhe besimi gëzonte Turqia në Evropë pas revolucionit ! Fakti ishte i papritur, dukej se u shfaq një fuqi jetike dhe energjitike me burime të pazbuluara. Evropa në tërësi i besoi Turqisë së re dhe i ofroi ndihmën e saj.

Ata nuk kuptuan dhe shfrytëzuan asgjë. Sa herë kam provuar t’u hap sytë, u lutesha atyre që të mos shpërdornin avantazhet e një situate unike, të cilën vendi nuk do ta gjejë më kurrë ; Nuk do të përfitonin vetëm ata, por e gjithë Perandoria. Për disa muaj, ata u tjetërsuan nga të gjithë : fuqitë e mëdha, që u trajtuan me një mëndjelehtësi të pabesueshme, na kthyen shpinën ; në brendësi të Perandorisë, kombësitë e kërcënuara prej një politike të verbër dhe brutale, menduan të shkundnin zgjedhën që u bënte ekzistencën e tyre të pamundur. Rezultati i gjithë kësaj është historia e këtyre ditëve të fundit : pa dyshim, që ende nuk u duket mjaft e qartë.”

Ismail Qemali, ndërsa isha gati t’i them lamtumirë, këmbënguli përsëri me shpresën se do të shihte Fuqitë e Mëdha të Evropës, të mbështesnin, në mënyrë efektive, kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej shumë i kënaqur me aranzhimet që pati në Austro-Hungari, shumë më pak me ato që shtypi italian shkruante prej disa ditësh. “Shtypi, i thashë, nuk e përkthen gjithmonë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj. – M. P.

Intervista ekskluzive e Ismail Qemalit në Vjenë (1912): “Ja ç’kërkojmë ne shqiptarët” Read More »