Aurora

Forcat Ajrore të SHBA-së, misione stërvitore në Shqipëri

Njësia e 352-të e operacioneve speciale të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara ka kryer javën e kaluar misione stërvitore të rëndësishme në qiellin e Shqipërisë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ndau sot momente nga ky mision i rëndësishëm stërvitor në kuadër të NATO-s.

“Forcat ushtarake të NATO-s stërviten krah për krah me aleatët për të perfeksionuar ndërveprueshmërinë dhe për të mbetur gjithnjë të gatshëm për të parandaluar dhe mbrojtur”, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Tiranë./atsh

Forcat Ajrore të SHBA-së, misione stërvitore në Shqipëri Read More »

Matura Shtetërore, Vrapi: Protokoll strikt, distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri

Data 5 qershor është dhe dita e fundit e të gjithë maturantëve në ambientet e shkollave.

Pas tre javëve mësim dhe konsultim, të rinjtë nesër i japin fund ciklit të shkollës së mesme. Në datën 8 qershor, mijëra maturantë do t’i nënshtrohen provimit të parë, që është gjuha e huaj.

Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në një nga mediet e vendit u shpreh se testet janë gati.

“I kemi marrë parasysh të tëra. Tashmë ka një lehtësim të programit mbi të cilin bazohet testi i Maturës Shtetërore. Janë hequr tema të cilat ne gjykuam në kushtet e shtëpisë nuk do të ishin të realizuara ashtu siç do të realizoheshin në kushtet e klasës pavarësisht se në këto tema që duhet të punohen nga maturantët sidomos nga ata që synojnë degë ku të mësuarit ndikon shumë si: inxhinieria, mjekësia etj dhe unë gjykoj që maturantë shumë të mirë që investojnë në dijen e tyre, nuk besoj se i kanë lënë jashtë vëmendjes gjithçka që kanë mësuar edhe në kushtet e shtëpisë”, u shpreh Vrapi.

Për shkak të pandemisë, janë vendosur rregulla edhe më strikte të zhvillimit të testimeve të maturantëve, që nga mënyra e hyrjes në ambientet ku ata do të kryejnë provimet, qëndrimin në klasa, mbikqyrjen nga ana e administratorëve gjatë zhvillimit të testimit.

Vrapi sqaroi se “ka një protokoll shumë strikt, ashtu siç është respektuar edhe në periudhën 3-javore në klasa”.

“Ka një distancë që nuk do të preket mes njëri-tjetrit. Ata do të futen me fasha orare, ata do të jenë në një distancë prej 2 metrash, janë llogaritur deri në një distancë ekstreme në këto 2 metra. Pra nuk është toleruar 1.5 metra. Nëse më parë ka pasur 11, 12 veta, tani do të ketë 9 veta. Në rastet kur një shkollë, për shembull ka 500 maturantë dhe nuk u dalin klasat, do të shfryëzohen ambientet e një shkolle shumë pranë saj”, tha Vrapi./atsh

Matura Shtetërore, Vrapi: Protokoll strikt, distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri Read More »

“Të presim ata që kanë topin”/ Vota e emigrantëve është një sistem, KQZ-ja merr detyrën ta realizojë

“Ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për votën e emigrantëve, duke theksuar se, “realizimi i votës së emigrantëve është një sistem dhe ti nuk mund ta fillosh punën kur të vjen në fund veza, midis dilemës a të hyj, apo të mos hyj në kotec”.

“Vota e emigrantëve. Se pashë emigrantë që i kemi këtu në Tiranë që shkruanin: ‘ne emigrantët duam votën’. Pashë edhe mediat që thonin ‘mashtroi’. Se këto fjalët e mëdha që kanë humbur çdo kuptim në Shqipëri, që fjala krim është njësuar me fjalën ajër i kondicionuar, ujë, drita. Fjala korrupsion, vjedhje, grabitje, hajdut mashtrues, janë njehsuar me fjalën zonjë, zotëri, si jeni nga shtëpia e këto”, tha Rama.

“Mashtroi emigrantët Partia Socialiste. Si i mashtruam? Ne njësoj si për elektronikën, edhe për këtë e dimë shumë mirë që nuk është thjesht ta thuash, por duhet ta bësh dhe ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, u shpreh Rama.

“Të presim ata që kanë ‘topin’, sipas asaj që u tha. Të thonë se ku e do e çojnë topin. Do e nxjerrin nga stadiumi? A do e krosojnë? A do e kapin do thonë ‘topi është i imi, penalltinë do e gjuaj unë’? Po të presim. Po t’i referohemi Bibliotekës së Fëmijëve në Kamëz, topi nuk do gjuhet, po do mbahet poshtë fanellës”, tha Rama.

“Nuk e dimë se si do shkojë procesi. Ajo që dimë është që ne nuk e kemi harruar, të tjerët mund ta kenë harruar, ne s’e kemi harruar që ka dhe një opozitë tjetër këtu dhe që duhet të votojë këtu dhe procesi do të vazhdojë duke ndarë draftin e marrëveshjes me ju. Pa ju lënë që ta merrni këtë nga mediet, nga gazetarët, nga analistët, nga moralistët që e keni parasysh na akuzojnë të gjithëve që jemi të gjithë njësoj”, tha Rama. /atsh

“Të presim ata që kanë topin”/ Vota e emigrantëve është një sistem, KQZ-ja merr detyrën ta realizojë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja dhe 7 të shëruar në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitivë, përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz.

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha sot në komunikimin e përditshëm se “janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik”.

“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes”, – tha Cami.

Sipas saj, në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

“Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste”, – theksoi Cami.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (3 Qershor 2020)
Testime totale 16817
Testime molekulare 15365
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1184
Raste të shëruara 898
Raste Aktive 253
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 172
Krujë 22
Durrës 15
Kamëz 12
Shkodër 10
Mat 9
Lushnjë 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja dhe 7 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave”

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Meta u shpreh se disa nga arsyet e kthimit të ligjit janë mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Presidenti shprehet se e shqyrtoi ligjin “Për shërbimet e pagesave” duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të parashikimeve të aktit, edhe në raport me rekomandimet që duhet të përmbushë Republika e Shqipërisë në kuadër të raporteve të organizmave ndërkombëtare për eleminimin e rreziqeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës së financimit të terrorizmit, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Moneyval të Këshillit të Evropës.

“Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi. Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij”, u shpreh Meta.

Por nga ana tjetër, sipas tij, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.

“Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi”, shprehet Meta. /atsh

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave” Read More »

Hapja e kufijve/ Nuk do të bëjmë as tampon as nuk e kemi detyrim vetëkarantinimin për ata që hyjnë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se hapja e kufijve ajrorë nuk është vetëm një vendim i yni pasi lidhet edhe me vendimet që marrin shtetet e tjera.

Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri tha se nuk do të bëjmë as tampon as nuk e kemi detyrim vetëkarantinimin për ata që hyjnë.

“Përsa i përket kufijve ajrorë, kjo nuk lidhet thjeshtë me ne, por edhe me palët e tjera. Ne kemi hapur kufijtë tokësorë nga ana jonë, pra ne lejojmë çdo kënd të hyjë në Shqipëri nga kufijtë tokësorë, por jo të gjitha vendet që ne lidhemi përmes kufijve tokësorë i kanë hapur kufijtë apo edhe ato që do ti hapin do ti hapin njësoj si ne”, bëri të ditur Rama.

Ne, tha Rama, i hapëm kufijtë he ju e shikoni që vetëm kufiri me Malin e Zi është fluid komplet dhe kufiri me Kosovën, pas një moment të çuditshëm dje.

Lidhur me kufijtë ajrorë, Rama tha se ne mund ti hapim, por duhet patur parasysh se këto bëhen mbi bazë marrëveshjesh.

“Sepse nëse ti hap fluturimet me një vend, që vendet e tjera nuk janë hapur me të atëherë edhe ti mbyllesh me ato vende. Sot debati është brenda BE-së lidhur me Italinë dhe Spanjën, sepse konsiderohen kanal transmetimi. Shpresoj që këto do të zgjidhen, pasi është lënë një afat kohor që është 15 qershori”, u shpreh Rama.

Rama tha ne nuk do të bëjmë as tampon as nuk e kemi detyrimin për vetëkarantimin për ata që hyjnë, pasi, tha ai, është e kotë. “Ne do ti besojmë njerëzve tanë“, theksoi Kryeministri.

Edhe me Greqinë, tha Kryeministri, që kemi ndjekur në vijimësi atë që po bën dhe kemi parë metodologjinë, kemi parë se si edhe Greqia ka relaksuar planin paraprak, pikërisht sepse është e pamundur.

“Ti hapesh kur do turizëm, hap kufijtë dhe pastaj do ti mbash njerëzit dy ditë nëpër aeroporte e kufij për të bërë tampon. Por duhet të theksojmë faktin se ti mund të bësh tamponin sot e nuk del i infektuar, pasi mund ta kesh ende të inkubuar virusin dhe nuk të shfaqet. Sot e gjitha po bazohet mbi gjurmimin. Ka vende që e bëjnë tamponin masivisht, por ne nuk e kemi zgjedhur këtë strategji” deklaroi Kryeministri.

Sipas Ramës, për sa kohë rezultati flet në favorin tonë, qartë dhe fort, duhet të keni besim dhe të mos vini në dyshim fjalët tona. Sepse tha, ai nuk janë as shpikje e as produkte bio të politikbërjes, por një politikë e ndërtuar mbi dëgjimin me vëmendje si nxënës dhe mbi leximin si nxënës që do të japin provimin e jetës të ekspertëve./atsh

Hapja e kufijve/ Nuk do të bëjmë as tampon as nuk e kemi detyrim vetëkarantinimin për ata që hyjnë Read More »

170-vjetori i lindjes së Rilindasit/ Meta: Sami Frashëri afirmoi me largpamësi dëshirën për t’u integruar në Europë

Presidenti Ilir Meta përkujtoi 170-vjetorin e lindjes së Rilindasit të madh Sami Frashëri.

Meta theksoi se në momentet më të errëta të kombit, Sami Frashëri i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë.

“Sot, në 170-vjetorin e lindjes, nderojmë me respekt e mirënjohje të thellë figurën e ndritur dhe veprën e shquar të atdhetarit, iluministit dhe ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, i cili në momentet më të errëta të kombit i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë dhe frymëzoi popullin në luftën për pavarësi dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar. Autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri me largpamësi e afirmoi si rrallëkush dëshirën dhe përpjekjet e sotme të shqiptarëve për t’u integruar në Europë, duke thënë se kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të ketë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara europiane”, tha Meta.

Po ashtu, Meta shtoi se “Sami Frashëri me të drejtë kujtohet edhe si konstitucionalisti i parë, duke ideuar projektin e një Kushtetute moderne, me pushtete të ndara në funksion të shtetit të së drejtës. Mirënjohje rilindasve të vërtetë për trashëgiminë e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, që nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet dhe të kultivohet nga brezat e rinj”. /atsh

170-vjetori i lindjes së Rilindasit/ Meta: Sami Frashëri afirmoi me largpamësi dëshirën për t’u integruar në Europë Read More »

Reforma Zgjedhore/ Meta: Pres që palët të mbajnë premtimin për konsensus, presidenti të zgjidhet nga populli

Presidenti Ilir Meta iu ka bërë sot thirrje palëve politike të mbajnë premtimin për konsensus për Reformën Zgjedhore.

“Jo vetëm kaq, pasi edhe kjo është shumë pak. Të mos kenë më frikë nga vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve të vendit dhe t’u japin mundësi të shprehen, jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët që këta të mos heshtin më në Parlament e të vazhdojnë të ngrenë duart për ligje e politika që shtojnë varfërinë në vend dhe favorizojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe politikanësh që kurrë s’duan të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Meta.

Po ashtu, Meta tha se është gati të japë shembullin i pari, duke vendosur për president nga populli.

“Dhe për të dhënë shembullin i pari ju ftoj të vendosni edhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, që në këtë vend Presidenti të mos ketë më detyrime ndaj asnjë partie, por vetëm ndaj Kushtetutës, qytetarëve dhe Republikës”, shprehet ai.

Gjithashtu, Meta përcolli mesazhin e e Bankës Botërore në lidhje me ekonominë pas pandemisë.

“Edhe pse është e diel të mos harrojmë paralajmërimet e fundit të Bankës Botërore: “Covid-19 do të zhysë në varfëri, në skenarin më të mirë rreth 100 mijë shqiptarë, dhe në rastin më të keq diçka më shumë se 200 mijë individë, thotë Banka Botërore në raportin më të fundit të publikuar për ndikimin e Covid-19 në mirëqenien e familjeve në Ballkanin Perëndimor si dhe në normat e varfërisë. Banka Botërore parashikon disa skenarë të ndryshëm, sipas të cilëve, të varfërit në Shqipëri mund të ngjiten në 39.6% të popullsisë, në rastin më të mirë, dhe deri në 43.6% në skenarin më të rëndë. Në të dyja skenarët, Shqipëria do të vijonte të ishte vendi me normën më të lartë të të varfërve në raport me popullsinë në rajon”, shprehet ai./atsh

Reforma Zgjedhore/ Meta: Pres që palët të mbajnë premtimin për konsensus, presidenti të zgjidhet nga populli Read More »