Aurora

Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm …

Shënime pas një fundjave si të tjerat…
Darka zbret e butë mbi gjirin e Vlorës, teksa shetitorja e re e qytetit nis të shpalosë spektaklin e saj të dritave. Mijëra njerëz nisin të mblidhen si milingonat nga të gjitha drejtimet, sa në lulishtet, lokalet, stolat apo këndet e shumta të lojrave të Lungomares, këtij projekti që ka bërë të flitet shumë, por që i ka ndryshuar një herë e mirë pamjen qytetit më të madh turistik të Shqipërisë. Gjithçka i ka ndarë e polarizuar opinionet, qendrimet dhe përshtypjet që ky projekt tetë milion eurosh provokoi kur nisi të ndërtohet dy vjet më parë. Kostot, pluhuri i kudondodhur, ana estetike dhe cilësia e punimeve – të gjitha u kaluan në lupën e rreptë të rrjeteve sociale, medias në Tiranë dhe politikës. Sot, kur projekti duket i përfunduar, zhurma ka rënë dhe njerëzit kanë mbushur hapësirën e madhe të bregut vlonjat. Një triumf i paqtë i ligjësive të jetës mbi përjetimet dhe emocionet skizofrenike të momentit.

Shumë kilometra para se të hysh në hinkën urbane që të çon drejt Lungomares, rruga drejt Vlorës të ofron një pamje të kundërt. Atë të një projekti tjetër, kësaj rradhe të papërfunduar, ku çdo ditë të javës, në verë por dhe në dimër, sfidohen nervat e disa mijëra shoferëve, kalimtarëve e turistëve të huaj e shqiptarë. Është unaza e Fierit, Bypass-i i Fierit, siç kanë mësuar t’ja thonë tashmë emrin edhe fëmijët e të moshuarit. Një hark asfalti dhe betoni prej pak kilometrash, mbi të cilin mbeten të ngrira vështrimet dhe shpresat e gjithë industrisë së re shqiptare të turizmit. E ndodhur në tre të katërtat e rrugës nga Tirana në Vlorë, kjo hallkë, ndoshta më e dobëta e infrastrukturës kombëtare, e krahasuar me shkëlqimin e Lungomares, shënon anën tjetër të medaljes shqiptare. Një realitet ku ekstremet, paradokset dhe të kundërtat shiten që të gjitha për normalitet. “Bussines as usual”, ose për ta përkthyer e perifrazuar me pak fantazi në shqip “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Shqipëri”!

Qeveria Rama ka hyrë në vitin e saj të pestë. Të parin qëkurse tepsia kaloi e gjitha nga njëra anë e kandarit të pushtetit. S’ka më as LSI, as Ilir Metë. Çka do të thotë se edhe presioni e kërkesat në profilin e Facebook-ut të Edi Ramës marrin çdo mëngjes nuanca gjithnjë e më të forta. Gjithfarë ankesash, ironish dhe deri akuza e sharje, të cilave kryeministri duhet t’u përgjigjet në një farë mënyre.

Qeverisja e dytë e Edi Ramës i ngjan sot autostradës Tiranë-Durrës. Gjysma e segmentit, deri në kthesën që merr për në aeroportin e Rinasit, është e shtruar rishtas, e vijëzuar dhe me ndriçim. Ashtu siç duhet të jetë një autostradë e standartit europian normal. Pjesa tjetër nga Kashari në Durrës është ndërkaq një rrugë fshati, më shumë sesa një arterie e madhe kombëtare. Pas vitesh durimi, më në fund udhëtarët po shohin sesi edhe ky segment po asfaltohet.

Në pesë vjet drejtimi të shtetit, Rama ja ka dalë të nisë disa reforma të mëdha, të avancojë konturet e disa ndryshimeve në punën e sjelljen e administratës, të premtojë dhe t’i mbajë ose jo premtimet, duke vendosur në vitrinë jo pa dredhi një bilanc, ku të mirat i konsideron të vetat dhe të këqiat ja “faturon” tepsisë (kupto LSI-së)! Kjo lëkurë leopardi që sot është bilanci zyrtar i Rilindjes, pasqyron dukshëm konsumin dhe vitet, por nëse ka një oaz suksesi që ende vijon të meritojë më shumë lëvdata se akuza e përbuzje, janë ndryshimet që kryeministri shqiptar ka sjellë në qendrat e mëdha dhe të vogla urbane të vendit.

Këto projekte të grupuara në termin “Rilindja urbane”, kanë ndryshuar sot faqen e shumë qyteteve të degraduara deri në dhimbje, duke krijuar atmosferë, jetë nate, rivlerësuar pronat, bizneset e banesat, si dhe kanë tërhequr turistë në cepat më të pamendueshëm të vendit. Kinezë në Korçë, francezë në Pogradec, gjermanë, çekë e Sllovakë në Theth e masivet malore, pa llogaritur qytetet bregdetare që po nisin t’i përshtaten turizmit “shumëkombësh”.

Ishte e paimagjinueshme që të shihje bregun e liqenit të Belshit me shetitore të rregulluar, ndriçim nate dhe me banorë që shetisin fëmijët mes stolave dhe barit. Ishte gjithashtu e pamundur ta imagjinoje ndryshe Himarën apo Qeparoin, përveçse me kaosin e kafeneve të shëmtuara dhe makinave që të merrnin frymën dimër e verë. E vështirë ka qenë t’i konsideroje qytete Prrenjasin, Kukësin, Urën Vajgurore, Rrëshenin e Kavajën pas vitit ’97, ashtu siç konsideroheshin fshatra të harruara Libohova, Petrela etj. Mbi 500 projekte deri tani në të gjithë hartën e Shqipërisë. I gjithë ky dispozitiv i ri arkitekturor përbën vitrinën më të dëshëruar të turizmit të ri shqiptar, që po mundohet të joshë të huajt jo vetëm me çmimet e lira dhe plazhet e bukura, por edhe me qytetet e fshatrat ku nuk ka vetëm pisllëk, papunësi dhe degradim.

Fjetinat gjigande, qytetet e trashëguara nga socializmi dhe të rrënuara më pas nga tranzicioni shkatërrimtar mbi 20 vjeçar, sot kanë të paktën një qendër, një bulevard a një kompleks godinash që i ka shkëputur “me dhunë” nga mizerabiliteti dhjetravjeçar, ku qendrat e lokaliteteve gëlonin nga qentë rrugaçë dhe autobusët që gjithmonë niseshin për diku! Dhe ky është një vizion me të cilin Rama, përtej të gjitha kritikave, gabimeve, akuzave e rrudhjeve të buzëve të rastit, i ka dhënë udhë një transformimi të dukshëm, një etape të re të evolucionit urban në Shqipëri.

Nuk është e rastit që nga i gjithë pesëvjeçari i qeverisjes së deritanishme, kryeministrit aktual me gjasë do t’i mbahen mend më së shumti punët që bëri në kufinjtë gjeografikë të një qendre urbane, një lagjeje historike apo një sheshi të njohur të një qyteti. Instiktivisht Edi Rama i është rikthyer, jo pa shkaktuar debate e dyshime tek kundërshtarët, petkut të vjetër të kryebashkiakut, duke treguar fokus dhe ndjeshmëri për qendrat urbane në të gjithë vendin. Instiktivisht, edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, një grua që i ka qëndruar në distancë me klas dhe dinjitet mishmashit politik ku ndodhet përditë i shoqi, shprehej se fundi në një emision televiziv se ajo që do mbahet mend gjatë nga qeverisja e Ramës, do të jenë qendrat urbane të transformuara. Një konstatim “cerebral” dhe i vetvetishëm i kujtdo që e njeh mirë të shkuarën dhe të tashmen e Edi Ramës si politikan, si artist dhe si njeri.

Në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të ri Tirana e kishte marrë statusin e qytetit që ecte me shpejtësi të ndryshme nga pjesa tjetër e vendit. Rilindja urbane po tenton ta mbushë këtë humnerë zhvillimi dhe rigjallërimi ekonomik e social. Një anomali historike e cila është në sytë e të gjithëve, me përjashtim të asaj pjese të medias dhe politikës që shohë gjysmën bosh të gotës për interesat dhe hallet e saj. Në këtë prag-Botërori dhe fund-sezoni politik, kjo zhurmnajë bëhet edhe më e vështirë për t’u duruar. Ky nuk është një vend normal, ka një mijë probleme e kriza. Por ja vlen të hapësh sytë e të shohësh gjithçka normale që shfaqet diku në këtë faqe dheu që na ra për pjesë. Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm…

Skënder Minxhozi

Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm … Read More »

Uji që shëron migrenën, sinozitin, astmën dhe epilepsinë

Lëngu i kokosit, quajtur ndryshe si ‘Lëngu i Jetës’, ka vlera tepër ushqyese dhe ofron një gamë të gjerë të përfitimeve shëndetësore. Shumë studime kanë treguar se ai vepron si antioksidant i fuqishëm, anti-inflamator, antibakterial, dhe si agjent antiviral, duke ndihmuar në trajtimin e kushteve shëndetësore të ndryshme. Lëngu i kokosit është i mbushur me sheqerna, vitamina, minerale dhe aminoacide. Përfitimet e saj shëndetësore, të tilla si ulja e presionit të lartë të gjakut, i atribuohet këtyre vlerave ushqyesve. Arsyet pse uji apo lëngu i kokosit duhet përdorur sa më parë nga ju:

  1. Zvogëlon presionin e gjakut

Uji i kokosit punon si zgjidhje e mahnitshme natyrore për uljen e presionit të gjaku, tek njerëzit me hipertension. Konsumi i rregullt i ujit të kokosit do të ndihmojë në mbajtjen e niveleve të presionit të gjakut në kontroll.

  1. Ndihmon të sëmurët me diabet

Duke qenë të mbushur me elektrolit dhe kalium, uji i kokosit është i nevojshëm nga diabetikët, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak, në kontroll.

  1. Shëndeti kardiovaskular

Lëngu i kokosit mundëson shëndetin kardiovaskular në nivele optimale. Ai gjithashtu përmirëson qarkullimin e gjakut.

  1. Ndihmon për të humbur peshë

Ajo që e bën lëngun e kokosit efektiv në nxitjen e humbjes së peshës është përmbajtja e lartë e elektrolitës. Është gjithashtu një pije izotonike natyrore, e cila ndihmon në nxitjen e metabolizmit.

  1. Rrit imunitetin

Uji i kokosit është i mbushur me acid lauric, i cili rrit imunitetin dhe ndihmon në luftimin e infeksionit.

  1. Forcon kockat

Për shkak të përmbajtjes së tij të lartë të kalciumit, uji i kokosit ndihmon në forcimin e eshtrave, muskujve dhe indeve.

  1. Përmirëson tretjen

Enzimat Bioaktive të kokosit nxisin metabolizmin dhe permiresojnë tretjen.

  1. Anti-plakje

Citokinat e pranishme në ujin e kokosit veprojnë si një masë parandaluese kundër plakjes dhe kancerit. Antioksidanti i tij mbron trupin nga toksinat dhe kimikatet e dëmshme, të cilat në anën tjetër e mbajnë lëkurën të gjallë dhe të qetë.

Uji që shëron migrenën, sinozitin, astmën dhe epilepsinë Read More »

Kurnacët dhe dorëshpuarit/ Ja si ndahen shenjat e Horoskopit

Paratë janë një temë e rëndësishme që na intereson të gjithëve, edhe pse jo gjithmonë llogaria jonë bankare është e mbushur me ato shifrat plot zero që shohim rëndomtë nëpër filma e seriale. Për të mos thënë që shumë prej nesh as që e kanë një të tillë dhe e vetmja gjë të cilës i gëzohen janë data e rrogës dhe xhepi i mbushur plot, të paktën ditën e rrogës. Por, cila është marrëdhënia që keni me paranë?

Dini si ta menaxhoni atë apo e mbyllni muajin vetëm me qindarka për cigare të hapura? Për këto e shumë të tjera, ju vjen në ndihmë Media i cili bazuar në shenjën tuaj të horoskopit zbuloni marrëdhënien tuaj me paranë dhe si të tregoni kujdes.

Dashi: Si një shenjë impulsive që është nuk i intereson shumë se si i harxhon paratë. Jeni njerëz kompetitiv dhe dëshironi një jetesë të mirë, por nuk vareni nga paraja. Edhe pse të kursyerit është gati e pamundur për ju, gjithmonë e gjeni një mënyrë për të dalë nga situatat e këqija.

Demi: Jeni shumë punëtorë dhe arrini të fitoni shumë para. Por ju qëndroni edhe në një punë që ka rrogë të vogël vetëm sepse keni gjetur rehat aty. Jeni të mirë për të kursyer dhe harxhoni vetëm atëherë kur mund ta përballoni.

Binjakët: Shenja e binjakëve nuk ka gjë qëndrim të caktuar ndaj parasë. Shpeshherë ata janë kursimtarë duke mos blerë asgjë dhe në ditë të tjera fiksohen për të blerë diçka të shtrenjtë dhe nuk e kontrollojnë dot.

Gaforrja: Ju dini mirë të kurseni dhe ta mbani të sigurtë situatën financiare për familjen tuaj. Ju punoni fort për arritjet tuaja edhe kur puna që bëni nuk ju pëlqen aspak. Edhe nëse ndonjëherë shpenzoni ju siguroheni të blini gjëra që vërtet ja vlejnë.

Luani: Shenja juaj ka një marrëdhënie interesante me lekët. Juve ju tërheq jeta e shtrenjtë dhe luksoze madje dëshironi t’i blini vetes gjithçka që jua pëlqen syri. Dhe kështu të kursesh është tepër e vështirë bazuar në shijet që ju keni.

Virgjëresha: Jeni praktikë dhe punëtorë. Ju kurseni, programoni të ardhurat tuaja madje ruani dhe para për të pasur një të ardhme të siguruar. Megjithatë kur vjen puna për të investuar ju jeni të frikësuar dhe mendoheni shumë derisa të jeni të sigurtë.

Peshorja: Jeni mjaft të balancuar. Nga njëra anë ju pëlqen të shpenzoni për veshje e ushqime të mira, të trajtoni veten me të dalura të shtrenjta. Ju shpenzoni shumë për veshje të bukura dhe makina të shtrenjta. Por nga ana tjetër ju e dini dhe limitin e blerjeve tuaja.

Akrepi: Ti i shpenzon paratë bazuar vetëm në instinktet e tua. Paraja vjen lehtë te ju. Prireni që të kurseni për të ardhmen në mënyrë që të mos keni surpriza të pakëndshme.

Shigjetari: Jeni shenja më praktike e horoskopit. Keni një marrëdhënie të tillë me paranë e cila ju vjen lehtë dhe po ashtu lehtë ju ikën. Por ju jeni optimist dhe nuk shqetësoheni për këtë.

Bricjapi: Jeni mjaft të përgjegjshëm dhe kursimi i parave për ju nuk është fare problem. Përveç kursimeve ju jeni shumë punëtorë dhe të ardhurat tuaja vetëm shtohen.

Ujori: Ju bëheni shumë punëtorë nëse ju pëlqen vërtet puna juaj. Blerjet tuaja janë gjithmonë të veçanta dhe unike.

Peshqit: Ju nuk jeni shumë praktikë kur vjen puna te paratë. Paguan gjithmonë me shumë se sa je në gjendje të përballosh. Duhet patjetër të konsultohesh me dikë që do të të ndihmojë të menaxhosh paratë e tua.

Kurnacët dhe dorëshpuarit/ Ja si ndahen shenjat e Horoskopit Read More »

Kjo shtëpi duket e vogël jashtë, por shikojeni brenda (Foto)

Shtëpitë mesatare dhe ato të vogla janë duke u bërë trend gjithnjë e më i madh në SHBA. Kompania “The Cottage” ka ndërtuar shumë shtëpi të tilla nëpër vende të ndryshme të SHBA-së.

Shtëpitë që i ndërton kjo kompani janë atraktive dhe shumë të bukura, por asnjë nuk krahasohet me këtë të fundit, transmeton Gazeta Express.

Kjo shtëpi është gjithashtu edhe fituese e një çmimi ndërkombëtarë, si shtëpia më e bukur – brenda dhe jashtë. Përderisa shumica e njerëzve e admirojnë pamjen e saj të jashtme, brendësia e kësaj shtëpie është ajo që do t’ju mahnitë.

Kjo shtëpi duket e vogël jashtë, por shikojeni brenda (Foto) Read More »

Polici më i gjatë në botë, të gjithë i frikësohen në trafik/Foto

Jagdeep Singh është polici më i gjatë në botë. Në fakt, nëse do të donit të bënit selfie me të, duhet të merrni shkallë, sepse ai është më shumë se dy metra i gjatë. Njerëzit në Punjab, Indi, e kanë më mirë nëse nuk e thyejnë ligjin në trafik, aty ku ky polic punon me policinë lokale.

Duke qenë se është më i gjatë se të gjithë njerëzit e tjerë në trafik, ai është i frikshëm për këdo që tenton të thyej ligjin aty pari, transmeton Gazeta Express.

Ai është aq i madh sa që një uniformë e veçantë është dashur të punohet për të – bashkë me një palë këpucë të veçanta që u importuan nga jashtë.

Për këdo që tenton të bëjë ndonjë gjë në rrugë, ky polic është tmerrues – pasi duke qenë më i gjatë se të gjithë të tjerët, ai mund të vërejë çdo gjë.

 

Polici më i gjatë në botë, të gjithë i frikësohen në trafik/Foto Read More »

Nëna e vrarë, babai në burg/ Gjyshi i 6 jetimëve nga Durrësi bën kërkesën prekëse

Ndërhyrja e Shërbimeve Sociale për jetimët e Ardjana Shahollit, deri më tani është inekzistente. Gjyshërit e moshuar të tyre bëjnë apel për ndihmë, pasi ata jetojnë në kushte mjaft të vështira dhe pa asnjë mbështetje.

Babai i Çlirim Shahollit, 81- vjeçar, Zaim Shaholli, ka marrë përsipër kujdestarinë e gjashtë fëmijëve të mbetur jetimë dhe deklaron se nuk do të dijë asgjë për Çlirimin, që e konsideron një ish-kryefamiljar të padenjë. Aktualisht fëmijët e mitur të çiftit Shaholli ndodhen në një kamp në Golem, gjë të cilën ua kishte siguruar për bamirësi një shoqatë para se të ndodhte krimi.

Ata ende “shijojnë” plazhin në kamp, pa e ditur se kur të kthehen në banesë nuk do të gjejnë më asnjërin prej prindërve të tyre. Ndërsa dy fëmijët më të rritur po përpiqeshin të ndihmonin familjen për të dalë nga skamja, duke gjetur punë. Ata janë ndodhur në punë në momentin kur ka ndodhur krimi i rëndë në familjen e tyre.

Sipas Zaim Shahollit, ka qenë pikërisht vajza e madhe, e cila kur është kthyer nga puna e ka gjetur të ëmën të përgjakur. Tentativa për ta dërguar në spital ka qenë e kotë pasi sipas tij, Ardjana kishte ndërruar jetë.

Mes lotëve Zaim Shaholli u shpreh:

U bëjmë apel të gjitha shoqatave të bamirësisë, kush të ketë mundësi ta na ndihmojnë. Jemi shumë të varfër.”

Ai kishte shkuar të mblidhte bimë mjekësore në fshatin e tij, pasi familja ishte me 10 anëtarë dhe kishin vështirësi të shumta financiare. Në kushtet kur i biri nuk punonte, atij bashkë me Ardjanën i është dashur të luftojnë për të ushqyer të gjithë familjen dhe madje për ta mbajtur atë të bashkuar.

Ndonëse sipas tij i biri nuk ishte i denjë për kryefamiljar, e shoqja nuk kishte bërë asnjë tentativë për të ikur prej tij e njëherazi edhe dhunës së përhershme. Dy ditë më parë Ardjana u përcoll në banesën e fundit, ndërsa halla e saj deklaroi se mbesa e saj kishte jetuar gjithnjë nën dhunën e të shoqit.

“Dyshoja se bashkëshortja më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte. Ky ishte shkaku, për të cilin nisi konflikti mbrëmjen e ngjarjes”. Kështu është shprehur 42-vjeçari para togave të zeza për vrasjen e bashkëshortes së tij, Ardjana Shaholli, para se gjykata të vendoste masën e sigurisë “me burg pa afat” ndaj tij.

Nëna e vrarë, babai në burg/ Gjyshi i 6 jetimëve nga Durrësi bën kërkesën prekëse Read More »

Ngrihen qendrat shëndetësore në plazhet e Vlorës

Ndonëse fluksi i pushuesve nuk ka nisur akoma në bregdetin tonë, por në Vlorë qendrat shëndetësore janë hapur. Aktualisht aty po u jepet ndihmë banorëve përreth dhe mjekët presin fluks në fillim të muajit Korrik.

Edhe pse ende nuk ka fluks nga 1 Qershori në Vlorë nisi funksionimi i qendrave shëndetësore në plazhin e vjetër dhe në plazhin e ri. Ato do të jenë të hapura 24 orë dhe të pajisur me aparatet e emergjencës.

Aktualisht në këto qendra nuk ka patur kërkesa për shërbim nga turistët. Por banorë të lagjeve përreth po.
Qendra shëndetësore e Plazhit të Vjetër, por edhe në zonën e plazhit të ri është e pajisur me të 52 llojet e barnave dhe 25 artikuj materialesh mjekësore. Përveç këtyre qendrave në bregdet do të ketë edhe urgjneca të lëvizshme për t’u ardhur në ndihmë të pushuesve.

Bluzat e bardha presin që fluksi të shënohet në fillim të Korrikut. Nga përvoja e sezoneve të kaluara ka patur shumë pushues e turistë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ngrihen qendrat shëndetësore në plazhet e Vlorës Read More »

U pezulluan nga detyra, çifti Gashi- Gina ‘përplasen’ me Arta Markun në KPA

Çifti i prokurorëve Dritan Gina dhe Rovena Gashi kanë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimitvendimin e Arta Markut që i pezulloi ata nga detyra për shkak të refuzimit të deklarimit të pasurisë.

KPA ka marrë në shqyrtim ankimimin dhe ka vendosur shqyrtimin e çështjes. Trupa e KPA do të përbëhet nga gjyqtarët Luan Daçi dhe Rezarta Schuetz, ndërsa relatore e çështjes është caktuar Ina Rama, ish-kryeprokurore e Republikës. KPA ende nuk ka caktuar një datë se kur çifti i prokurorëve do përballen në një tjetër hallkë të drejtësisë me kryeprokuroren Arta Marku.

Kryeprokurorja Arta Marku vendosi në 14 maj pezullimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi dhe të bashkëshortit të saj Dritan Gina. Çifti i prokurorëve u pezulluan pasi sipas Prokurorisë ata janë marrë të pandehur për refuzimin të deklarimit të pasurisë.

Njoftimi i KPA:
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 17.05.2018, është paraqitur ankimi me palë ankuese znj.Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina, me objekt: “Anulimin e vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimin e vendimit nr.141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.

Në datën 24.05.2018 u hodh shorti për caktimin e relatorit dhe anëtarëve të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:

Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:

Gjyqtar Luan Daci
Gjyqtar Rezarta Schuetz
Relator i çështjes: Ina Rama

U pezulluan nga detyra, çifti Gashi- Gina ‘përplasen’ me Arta Markun në KPA Read More »