Aurora

Ish- polici grek i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit, 4 orë në pyetje

Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje dy ditë më parë për më shumë se katër orë, ish-policin grek, Efthymios Efthymious. Ky i fundit mbahet në mjediset e burgut të Bradasheshit në Elbasan, nën akuzë për vrasjen e shtetasit Devi Kasmi.

“Panorama” shkruan se sipas Prokurorisë, ka dyshime se shtetasi grek është vrasës me pagesë dhe ka ekzekutuar Devi Kasmin me porosi të Aurel Hoxhallarit, që është ende në kërkim. Ai është ndihmuar, sipas Prokurorisë, nga Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari. Mirëpo, gjatë marrjes në pyetje, shtetasi grek ka mohuar që të ketë qenë ai përfshirë në vrasje.

Ai ka thënë para hetuesve shqiptarë se në Shqipëri kishte ardhur për pushime dhe se nuk ka lidhje me Devi Kasmin. Marrja në pyetje e tij është bërë në prezencë të avokatit të tij, Saimir Vishaj. Sipas dosjes hetimore, ka qenë një furgon i bardhë, i cili ka marrë vrasësin pas atentatit, ai që i ka çuar hetuesit te greku Efthymios Efthymious dhe tre të arrestuarit e tjerë, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari.

Nga dëshmitë rezulton se ekzekutori ka qenë një person i vetëm në momentin kur u qëllua Kasmi dhe është larguar me motor. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar atentatorin me motor, që merret nga disa persona disa metra më larg përmes një furgoni tip “Benz”, ngjyrë e bardhë. Kamerat kanë fiksuar edhe targën e furgonit. Prokurorët kanë mundur të identifikojnë më pas edhe pronarin e tij, që është një shtetas nga Fushë-Kruja.

Ky i fundit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se e ka shitur furgonin për 4200. Ai ka treguar se shitja është bërë te një notere më 17 janar dhe personat që e kanë kontaktuar kanë qenë Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari.

Kjo ka qenë përcaktuese për hetuesit, për të zbuluar grupin dhe shtëpinë e Aurel Hoxhallarit, i cili dyshohet si organizator i atentatit, por që është ende në kërkim. Shtetasi nga Fushë-Kruja, që ka shitur furgonin tek organizatorët e atentatit, ka thënë në Prokurori se ai është takuar me dy persona rreth moshës 25 vjeç në afërsi të sheshit “Shqiponja” në Tiranë.

Sipas tij, blerësi komunikonte me dikë tjetër në telefon për çmimin dhe në fund ranë dakord për ta kryer blerjen e furgonit kundrejt 4200 eurove. Nga dëshmia e pronarit të furgonit, rezulton se personi që ai ka takuar ka qenë Elton Halipaj, ndërsa paratë janë dhënë nga Malvin Dinellari. Këta të fundit kanë thënë në Prokurori se punonin për Aurel Hoxhallarin dhe furgonin e kishin blerë për llogari të tij.

Policia më pas ka mbajtur në vëzhgim të dyshuarit për pak ditë, derisa i arrestoi. Gjatë dëshmive në Prokurori, të arrestuarit kanë thënë se shtetasi grek Efthymios Efthymious kishte vetëm një muaj që kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte mik i Aurel Hoxhallarit. Ai është arrestuar gjatë aksionit policor, teksa tentonte të largohej nga banesa./noa

Ish- polici grek i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit, 4 orë në pyetje Read More »

Çfarë po ndodh?! Greqia dëbon mijëra emigrantë shqiptarë, u ndalon hyrjen në territoin grek!

Policia greke ka njoftuar sot se sipas planit për trajtimin e emigrantëve të parregullt, për muajin maj janë dëbuar edhe 1,323 emigrantë të nacionaliteteve të ndryshme dhe u kthyen për në vendet e tyre e tyre nga kishin ardhur.

Për këta emigrantë është marrë vendimi për kthim dhe deportim në vendin e tyre me qëllim ndalimin e hyrjes në Greqi.

738 persona janë shqiptarë, 143 nga Iraku, 141 nga Pakistani, 45 nga Gjeorgjia, 42 nga Algjeri, 38 nga Turqia, 24 nga Afganistani dhe 20 nga Irani.

Shqiptarë të dëbuar në 5 muaj:

Janar-628

Shkurt-648

Mars-668

Prill-745

Maj-738

Në total në 5 muajt e parë të vitit 2018, janë kthyer 3.427 shqiptarë.

Çfarë po ndodh?! Greqia dëbon mijëra emigrantë shqiptarë, u ndalon hyrjen në territoin grek! Read More »

Komisioni Evropian: Turqia po ‘pushton’ Shqipërinë, por baza është Kosova

Komisioni Europian ka vënë re një rritje të investimeve turke në Rajon, por sidomos kjo është e dukshme në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë, ndërsa Serbia po shtrin prezencën në Serbi dhe Malin e Zi.

Eurostat në studimin “ Tregtia nderajonalë në Ballkan” gjatë një dekade (2005-2016) referoi se BE vijon te mbetet investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor.

Duke krahasuar investimet nga BE me stokun e përgjithshëm të investimeve të huaja më 2015 ato janë 34% në Kosovë mbi 62% në Bosnje, Shqipëri dhe Mal të Zi dhe mbi 79% në Maqedoni dhe Serbi. Ndërsa të krahasuara me PBB investimet nga BE nisin nga 19% e PBB-së në Kosovë, në mbi 27% në Bosnje, Shqipëri dhe Maqedoni dhe më shumë se 65% e PBB-së në Serbi.

Po studimi i eksperteve të Eurostat vë në dukje investimet e Huaja me orgjinë nga Turqia janë në rritje në Maqedoni, Shqipëri dhe në Kosovë, duke arritur në 2.4%, 4% dhe 6% të PBB-së respektivisht në 2015. Në Kosovë, Turqia është investitori i vetëm më i madh. Ndërsa janë pak ose aspak të pranishme në Serbi dhe në Malin e Zi. Në këto dy vende ka prezencë në rritje të investimeve Rusi, të cilat gjithsesi nuk kanë ndihmuar që tregtia Rusisë me Serbinë dhe Malin e Zi të jetë në rritje gjithashtu. Në periudhën e pas krizës 2008 pronësia e Rusisë në stoqet e IHD-ve në Serbi u rrit, ndërsa në Bosnjë prania e investimeve ruse është më rënie. Investimet Ruse zënë 15% të stokut në Malin e Zi dhe janë kryesisht në pasuri të paluajtshme, ndërsa prania e investimeve ruse thuajse është e padukshme në Shqipëri dhe Kosovë.

Gjithashtu ka një prani kineze në Rajon. Megjithëse investimet kineze nuk përfshihen në statistikat e investimeve të huaja direkte ato janë të pranishme nëpërmjet financimit të infrastrukturës publike me projekte në sektorët e transportit dhe energjisë./Monitor

Komisioni Evropian: Turqia po ‘pushton’ Shqipërinë, por baza është Kosova Read More »

Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët

Para disa ditësh gazeta New York Times kishte botuar një shkrim, si gjithmonë të shkurtër, me një stil të vetin, me sentenca filozofike, por edhe me lëng humori. Ja si shkruhet në të:

Ekziston një vend në Ballkan, i cili kufizohet me vetveten. Ku të papunët më së shumti punojnë. Ku të gjithë nxitojnë për në punë, dhe askush nuk arrin në kohë. Aty ku tetë-orëshi i punës zgjat 12 orë. Aty ku shëndetësia është pa pagesë, ndërsa shërimi i shtrenjtë. Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që ju urdhërohet. Ku sekretet shtetërore janë publike.

Aty ku historia përsëritet çdo ditë. Ku më të pasurit janë njerëzit, të cilët kurrë nuk kanë punuar. Aty ku përdoret valuta e huaj. Aty ku të mençurit i deklarojnë të çmendur, dhe të çmendurit të aftë. Aty ku analfabetët e shkruajnë historinë. Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale. Aty ku jetohet për të ardhmen sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë. Aty ku çdokush e përqesh tjetrin dhe askush askujt nuk ia dëshiron të mirën. Aty ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se jeta. Ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë nëse stagnon gjithnjë e më tepër. Ku normalët nuk janë të nevojshëm, dhe punësohen të papërshtatshmit e jo të aftët.

Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar …!

Përshtypje dhe konsiderata për shqiptarët…

Ami Boue, gjeolog i shquar austriak:

“Shqiptarët janë njerëz më të bukur në Perandorinë osmane”.

Bajroni:

“Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një pejsazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”. Për dy nipërit e Ali Pashë Tepelenës, ka thënë: “Janë krijesa më të bukura që më ka zënë syri… Femra shqiptare vetëm njërit ja fal trupin dhe zemrën”.

Branton, publicist:

“Shqiptarët ishin themeluesit e kalorësisë së lehtë, me ushta të gjata dhe me flamurkat në majat e tyre, e nisnin betejën, duke u sulur me vrull mes rreshtave të armikut dhe jepnin goditje duke krijuar pështjellim”.

B. Vranisheviç, piktor nga Vojvodina:

“Është mrekulli ta shohësh popullin trim luftëtar shqiptar… Ata nuk lodhen për pasuri e luks… gjithmonë janë të aramtosur, madje edhe grate, të cilat njihen nga shikimi i tyre krenar dhe të ecurit e sigurt… Lumturinë nuk e kërkojnë te bukuria, por në kënaqësinë e tyre, të burrit të vet, të fëmijëve dhe popullit të tyre”.

Erikson, misionar amerikan:

“Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm (xhentil) në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Japin jetën për fjalën e dhënë”./gazetadita.al

Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët Read More »

Ambasadori Donald Lu uron Bajramin, çfarë parashikon për vitin e ardhshëm

Ambasadori amerikan Donald Lu ka përcjellë një mesazh për të gjithë besimtarët mysliman.

Diplomati i lartë në vendin tonë, teksa përcjell një fotografi gjatë iftarit të shtruar në ambjentet e ambasadës, thotë se Shqipëria po përballet me sfida të reja si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Udhëheqja juaj është e rëndësishme për komunitetet tuaja, por edhe për Shqipërinë, ndërsa përballet me sfida të reja brenda dhe jashtë vendit. Viti i ardhshëm ju sjelltë gëzim, begati dhe paqe!” Ambasadori Lu ne darkën e Iftarit, që shtroi javën e kaluar. Gëzuar Bajramin!”, shprehet Lu.

Ambasadori Donald Lu uron Bajramin, çfarë parashikon për vitin e ardhshëm Read More »

Vetting/ Prokurori belg bën për “ujë të ftohtë” kolegun shqiptar”, vihet në pikëpyetje integriteti i tij

Prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova pritet t’i bashkohet listës së personave që kanë ngelur në procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar ditën e djeshme seancën dëgjimore me subjekt prokurorin Trenova, i cili është njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Vetë Trenova ishte i pranishëm në seancë, ndërsa shoqërohej edhe nga avokati Saimir Lami.

Por ndryshe nga herët e tjera, seanca dëgjimore e djeshme solli edhe një risi, ku për herë të parë aftësitë profesionale kanë vënë në pikëpyetje integritetin e një gjyqtari apo prokuroi. Thënë më drejtë, sa i takon aftësive profesionale të prokurorit të Apelit të Tiranës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka sjellë një rast, kur Gentian Trenova ka pushuar hetimet për pasurinë për një person të arrestuar nga policia greke me kanabis dhe një pistoletë.

Sipas KPK, prokurori ka kryer hetim të paplotë, duke mos hetuar për verifikimin e këtij personi. Mirëpo, të njëjtin fat ka pasur edhe hetimi ndaj një prokurori të kapur në korrupsion. Në këtë procedim, sipas KPK kishte përgjime për përfshirjen e një prokurori me inicialet A. K. Kjo çështje u ndoq nga Trenova, i cili e mbylli hetimin, ndërsa më pas gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe u asgjësua ky përgjim.

Interesant është fakti se në seancën e djeshme u bë protagonist edhe përfaqësuesi i ONM, Teo Jacobs, karriera e të cilit shënon 23 vite në akuzë. Prokurori belg foli gjatë duke kërkuar shpjegime nga prokurori Trenova, ndërkohë që nuk kurseu edhe kritikat ndaj këtij të fundit, sa i takon deklaratës veting dhe aftësive profesionale. I bazuar ne folklorin belg me shprehjen: “duhet zgjedhur mes dy të këqijave”, Teo i kërkoi prokurorit të pranonte nëse kishte bërë deklaratë të rreme, apo kishte krijuar rrethana fiktive për blerjen e apartamentit.

“Përgjegjshmëria juaj si prokuror deri ku shkon”, citon “Sot” Jacobs. Po ashtu, ai i kujtoi Trenovës se duhet të hetojë ata që shkelin ligjin dhe jo të bëjë të kundërtën. Pika tjetër që vështirësoi pozitën e prokurorit ishte pushimi i hetimeve për dy dosje, njëra për korrupsion ndaj prokurorit me inicialet A. K. dhe tjetra për hetimin pasuror ndaj një të arrestuari për droge.

Për këto, Teo Jacobs tha se e gjitha kjo nuk është profesionale, sepse sipas tij prokurori kishte mundësi ta hetonte kolegun dhe personin e lidhur me krimin e organizuar. Madje, Jacobs theksoi se ai së bashku me kolegët e tij ndërkombëtar janë në Shqipëri për të ndihmuar organet e vetingut, kështu që çdo hetim i KPK mban edhe vulën e ONM.

Vetting/ Prokurori belg bën për “ujë të ftohtë” kolegun shqiptar”, vihet në pikëpyetje integriteti i tij Read More »

Frika e një rreziku, SHISH vendos agjentë në ambasadat shqiptare

Shërbimi Informativ i Shtetit do të vendosë në monitorim të gjitha ambasadat shqiptare nëpër botë. SHISH dhe Ministria për Evropën dhe Punët me Jashtë kanë rënë dakord që në të gjitha selitë diplomatike të ketë agjentë, të cilët do të angazhohen në forcimin e sigurisë kombëtare si dhe atë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj marrëveshje të arritur mes ministrit Ditmir Bushati dhe kreut të SHISH, Helidon Bendos, përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror zhvilluan dje dhe një takim informues me të gjithë diplomatët e rinj të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Sipas informacioneve të gazetës “Sot”, gjatë këtij takimi diplomatët e rinj të MEPJ u njohën nga afër me detajet dhe misionet që do të ketë agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror në të gjitha ambasadat. Madje ata u njohën edhe me rolin dhe detyrat specifike të agjentëve.

Frika e një rreziku rus duket se vijon të jetë një çështje prioritare për qeverinë shqiptare. Lëvizja e SHISH për të përforcuar akoma më shumë sigurinë në ambasadat shqiptare në botë duket se ka qenë një sinjal i pastër që qeveria shqiptare akoma i druhet një rreziku të tillë. Kjo për faktin se pas largimit të zyrtarëve shqiptarë nga Moska dhe atyre rus nga Shqipëria, qeveria shqiptare mori një tjetër hap Rusisë.

Vetëm pak ditë më parë qeveria shqiptare, ashtu si dhe shumë vende të tjera europiane, vendosi sanksione ndaj Rusisë. Por pikërisht kjo gjë duket se ka ndikuar që qeveria shqiptare t’i trembet një rreziku të tillë dhe për këtë fakt ka shtuar akoma më shumë masat e sigurisë në ambasadat e saj.

Madje, në kuadër të prishjes së marrëdhënieve, qeveria shqiptare ka vënë nën monitorim të gjithë zyrtarët rus në vendin tonë si dhe të gjithë personat që kanë studiuar në Rusi. Kujtojmë këtu se vetë kryeministri Edi Rama si dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kanë deklaruar se rreziku rus është real dhe se po tenton të destabilizojë vendin.

Frika e një rreziku, SHISH vendos agjentë në ambasadat shqiptare Read More »

Përplasen dy socialistët, Braçe dhe Manja sherr në komision

Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik ka përplasur në Konferencën e Kryetarëve deputetët e Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Ulsi Manja. Në mbledhjen e zhvilluar në datën 6 Maji, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe ka pretenduar se Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, që drejtohet nga Manja, nuk duhet të japë mendim për këtë proces.

Ndërsa, Ulsi Manja ka pohuar se nuk shikonte asgjë të keqe që Komisioni i Ligjeve të jepte mendim dhe
se kjo nuk cenonte Komisionin e Ekonomisë. Pas Manjës, deputeti Braçe ka reaguar ashpër, ndërsa është dashur ndërhyrja e Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës për t’i dhënë fund debatit.

Diskutimet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të zbardhura nga Shqiptarja.com

-Erion Braçe: Shikoj se është rikthyer procedura për propozimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik dhe shoh se komision përgjegjës është ngarkuar Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe komision për dhënie mendimi është ngarkuar Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Kjo është e re, nuk ka ndodhur ndonjëherë, për më tepër që ligji për prokurimet publike ngarkon Komisionin e Ekonomisë për këtë gjë. Nuk e kuptoj se çfarë do të vlerësojë Komisioni i Ligjeve, do të bëjë seancë dëgjimore më vete?

-Gramoz Ruçi: Si qëndron puna, mund të na shpjegoni Moza?

-Mimoza Pano: Kryetar, Komisioni i Ligjeve është përfshirë për dhënie mendimi, për shkak se Komisioni i Prokurimit Publik është një strukturë kuazi gjyqësore, e cila shqyrton ankimet e procedurave të prokurimit dhe ndoshta mund të vlerësojë anën juridike të çështjes.

-Erion Braçe: Cilës çështje? Së pari, që Komisioni i Prokurimit Publik është një strukturë kuazi gjyqësore, ky është opinion. Ligji e ngarkon Komisionin e Prokurimit Publik me detyra të posaçme, nuk i ka dhënë as detyrën e gjykatës dhe as detyrën e gjykatësit asnjërit prej atyre njerëzve atje. Kështu që ky është opinion. Së dyti, ligji ngarkon Komisionin e Ekonomisë, madje është shprehur specifikisht që i jep të drejtën të bëjë edhe seanca dëgjimore me ta. Për çfarë duhet komisioni tjetër, në tejkalim të ligjit për prokurimin publik?

-Ulsi Manja:Unë nuk shoh asgjë të keqe këtu, sepse ne jemi komision për dhënie
mendimi dhe kemi Nënkomisionin për Administratën Publike.

-Erion Braçe: S’ka asnjë lloj lidhjeje. T’i lëmë këto histori, se nuk ka asnjë lloj lidhjeje.

-Ulsi Manja: Komisioni për Ekonominë është komision përgjegjës dhe, sigurisht,
raportin përfundimtar për seancën e përpilon Komisioni për Ekonominë. Nuk mendoj se… Dakord! Nuk mendoj se e cenon Komisionin e Ekonomisë, si komision që ka sferë të
veprimtarisë përgjegjëse direkt ekonominë, nëse struktura, propozimet e Kuvendit për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik kalojnë në Komisionin e Ligjeve. Gjithsesi, nëse Erioni nuk do të kalojë te komisioni ynë, ne nuk kemi ndonjë merak të madh, se komision për dhënie mendimi jemi.

-Erion Braçe: Mua nuk më intereson fare meraku i kurrkujt. Mua më intereson zbatimi i ligjit. Në qoftë se ligji për prokurimin publik ka ngarkuar Komisionin për Ekonominë dhe Financat për këtë gjë, këtë punë duhet ta bëjë ky komision dhe kaq.

-Ulsi Manja: Unë nuk dua të bëj debat për këtë çështje, sepse…

-Gramoz Ruçi: Mos bëni debat tani. Njëri kërkon të kalojë, tjetri të mos kalojë. E mora
vesh.

-Ulsi Manja: Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë Komisionit të Ligjeve i ka dhënë
Nënkomisionin për Administratën Publike.

-Erion Braçe: Shumë mirë, ndryshoni ligjin për prokurimin publik dhe bëjeni Rregullore të Kuvendit, pastaj vazhdoni, bëjeni ju, se unë s’merrem me këtë punë.

-Taulant Balla: Në fakt, ky është një diskutim që e kemi bërë edhe herën e kaluar, por e rëndësishme është që komision përgjegjës është Komisioni i Ekonomisë, por e zgjidhim, nëse Erioni mendon se nuk ka nevojë, dakord.

-Ermonela Felaj: Vijon të jetë në kalendar iniciativa për ndryshimin e Kodit Penal, e propozuar nga kolegu Tahiri, por kuptohet që nuk mund të vazhdojë më për sa kohë kolegu Tahiri ka lënë mandatin. Unë gjykoj se një prej atyre nismave (nuk dua ta shndërrojmë këtë mbledhje në një mbledhje qesharake, sepse kështu duket kur përmend këto lloj temash, por realisht është bërë problem dhe ne duhet t’i përgjigjemi) besoj se ka të bëjë me propozimin për mënyrën e mbajtjes së qenve, pasi edhe në ditët e fundit ka pasur shumë shqetësime për shkak se janë sulmuar njerëz dhe fëmijë. Unë besoj se iniciativën që ka paraqitur Saimiri mund ta rimarrë dikush nga ne dhe ta kalojmë, se nuk ka arsye që ta mbajmë në kalendar javë pas jave.

Unë po them që duhet ta marrë dikush nga ne në një kohë të dytë, jo menjëherë. Pra, ideja është që ta adoptojmë tekstin, sepse është i gatshëm. Në mënyrë që të mos e marr dy herë fjalën, dhe ju kërkoj ndjesë për këtë, dua të them se ju keni pasur një takim me një grup të deputetëve kosovarë, përfshirë edhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, ku na është kërkuar një veprim nga ana e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me miratimin e tri rezolutave që ka bërë Kuvendi i Kosovës. Nuk e di nëse është rasti që ta bisedojmë, por a mundemi ne si Kuvend që të përcaktojmë një planveprimi, që t’i përgjigjemi në mënyrë uniformë Kuvendit të Kosovës në lidhje me propozimet që ata na kanë bërë gjatë ditës së sotme?

-Vasilika Hysi: Z. Kryetar, unë kam një çështje jashtë rendit të ditës. Shpesh kolegët deputetë, por edhe drejtuesit e komisioneve nuk kanë informacionin e mjaftueshëm të rezolutave, si dhe të vendimeve të miratuara në Kuvend, jo në këtë legjislaturë, por në legjislaturat e kaluara. E mira do të ishte që ne në mbledhjen e Konferencës së Kryeartëve t’i informonim ata lidhur me tri mekanizmat që Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur: Mekanizmin e Monitorimit të Rekomandimeve të Institucioneve Kushtetuese të Pavarura të Krijuara me Ligj, si dhe detyrimet që ka çdo komision sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare.

-Gramoz Ruçi: A ka ndonjë tjetër që e do fjalën? Në mbyllje, lidhur me kalendarin, duke qenë se opozita nuk është prezente në këtë takim të Konferencës së Kryetarëve, do të shtoja që ne në asnjë mënyrë nuk duhet që të drejtën e diskutimit në komisione, edhe sipas kërkesës së drejtuesve të komisioneve, ta kufizojmë dhe është normale që secili komision të japë kontributet e veta. E para.

E dyta, të jemi më komplementarë nga komisioni në komision, pavarësisht se si rregull është përcaktuar që një komision është përgjegjës, sigurisht është seanca plenare që ka detyrimin në të gjitha rastet që mendimet të unifikohen edhe kur ato unifikohen nga komisioni përgjegjës deri te komisioni që jep mendimin. Është e drejta e seancës që edhe deputetët individualisht, edhe komisionet paralelisht me to, kur kanë një mendim ndryshe, të bëhen objekt i diskutimit, i gjykimit dhe i vlerësimit dhe më pas votimi bëhet në seancë plenare. Për sa i përket çështjes së rezolutave të kolegëve tanë në Kosovë, sigurisht që unë i takova ata dhe besoj se janë takuar edhe me drejtuesit e komisioneve.

A janë takuar me z. Shalsi? Ne kemi gjithë vullnetin për ta mbështetur këtë çështje, por unë do të nënvizoja se nuk më duket shumë oportune që rezolutë parlamenti i Kosovës, rezolutë parlamenti shqiptar. Ajo që ne duhet të bëjmë është kjo, sa do të jemi në gjendje për të implementuar dhe iniciuar marrëveshje të këtij lloji, që ato të jenë të implementueshme nga ana e ekzekutivit.

Përplasen dy socialistët, Braçe dhe Manja sherr në komision Read More »