Aurora

Në cilat vende është folur gjuha shqipe deri në vitin 1910

Kjo është një hartë gjeografike që është punuar me metodën e ngjyrave. Me çrast, çdo ngjyrë pasqyron zonën ku është folur një gjuhë në territorin e vendeve Ballkanike.Harta paraqet territoret ku eshte folur gjuha shqipe ne viset e Serbise pas vitit 1878, kjo deshmon se ne krahinat e ndryshme mbeti nje numer i konsiderueshem i shqiptarev qe flitnin gjuhen shqipe.
Supozojme se shqiptaret qe nuk u shperngulen nga keto troje qofshin te besimit ortodoks ose te atij mysliman iu nenshtruan procesit te asimilimit te plote. Toponomia dhe mbiemrat e disa individeve ne keto vise na orientojne per ta besuar kete ceshtje.Me ngjyrën e kuqe të çelur janë paraqitur zonat ku është folur gjuha shqipe.Në këtë hartë, qartë është paraqitur zona e cila shtrihet në jug të viseve juglindore të ishujve dhe gadishujve grek e në veri deri në zonën e maleve Karpato-ballkanike në Serbinë Lindore, sic shihet edhe në hartë, mbi pjesën e regjionit të Nishit (origj. Nisch).

Po ashtu në hartë vërehet që kjo ngjyrë është më e dendur (homogjene) e diku është më e rrallë. Harta e gjuhëve njëkohsisht është edhe hartë e etnitetit, sa i përket gjuhës shqipe dhe shqiptarëve në gadishullin Ballkanik.

Kjo hartë është ilustruar në atlasin gjeografik për shkollat e mesme të Zvicrës.

Kjo hartë është në faqen e 41-të me emrin origjinal “Sprachen”.

Ky atllas është botuar në vitin 1910 në Zvicër, një shtet neutral në aspektin politik, gjë që nuk lejon të mbeten dilema për propagandë politiko – ushtarake të asaj kohe që zhvillohej në mes të shteteve të zhvilluara kapitaliste.
Ja disa të dhëna mbi këtë atllas gjeografik:
Atllasi lejohet për botim nga Drejtoria e Konferencës Kantonale të Zvicrës.
Kjo konferencë për president kishte dr. A. Gobat.

Titulli i atllasit origjinal:

Schweizericher
Schul-Atlas
fur
Mittelschulen

Ausgefuhrt von de Kartographia
Winterthur A.G
1910
Zu Beziehen durch das Sekretariat der Konferenc der Kantonalen Erzeihungsdirektor prof. Sami AGUSHI/Njekomb

Në cilat vende është folur gjuha shqipe deri në vitin 1910 Read More »

Sa e mirë… Çokollata e zezë përmirëson stresin, humorin, kujtesën dhe imunitetin

Çokollata e zezë me përqëndrime të larta të kakaos mund të ketë efekte pozitive në nivelet e stresit, inflamacionit, humorit, kujtesës dhe imunitetit, sipas studimeve të reja.

Studimi i publikuar në takimin vjetor të Experimental Biology 2018 në San Diego tregon se çokollata me një minimum prej 70% kakao mund të ndihmojë në shëndetin njohës, endokrin dhe kardiovaskular.

Lee Berk, studiuesi kryesor dhe dekan i asociuar i i punëve kërkimore në Universitetin Loma Linda në School of Allied Health Professions, tha se personave që morin pjesë në studim iu dha 48 gramë çokollatë e zezë në fillim të eksperimentit dhe pastaj hëngrën çokollarë çdo dy orë pasi zgjoheshin nga gjumi për disa ditë.

Testet e gjakut zbuluan se çokollata ndikoi në aktivitetin e gjeneve, rritjen e anti-inflamatorëve dhe rritja e qelizave që luftojnë infeksionin, tha Berk.

Hulumtime të mëtejshme nga ekipi i Berkut shqyrtuan se si aktiviteti i trurit reagoi ndaj konsumit të çokollatës së zezë, ku arrit në përfundimin se ndikon pozitivisht në funksionin e trurit, siç është funksioni njohës dhe kreativiteti, edhe dy orë pas ngrënies së saj.

Berk tha se hapi i ardhshëm i ekipit të tij është të hulumtojë se sa çokollatë e zezë duhet të konsumoni që të ketë efekt në funksionin e trurit.

Sa e mirë… Çokollata e zezë përmirëson stresin, humorin, kujtesën dhe imunitetin Read More »

Vashtmi (Korçë) një nga fermat e para, rreth 6500 vjet përpara Krishtit.

KORCE- Zbulohen materiale të neolitit të hershëm në Vashtmi të Korcës. Ka qenë ekspedita shqiptare-amerikane ajo e cila gjatë fushatës së tretë të gërmimeve në këtë zonë ka zbuluar nga kërkimet vegla prej kocke, guri, stralli dhe gjurmë të shtrojeve të kasolleve që asaj kohe përdoreshin për banesa të cilat datojnë 6.500 vjet para Krishtit.

11219055_765658493563744_5444321554984054698_n
Arkeologët kanë gjetur gjithashtu gjatë gërmimeve edhe mbetje të enëve në qeramikë dhe objekte të tjera të cilat japin detaje mbi jetën e banorëve në këtë periudhë.

Drejtuesit e ekspeditës kanë vlerësuar si mjaft të rëndësishme zbulimet, pasi sipas tyre Vashtëmia konsiderohet si vendbanimi më i hershëm në Shqipëri.
Zbulimi tregon se në Vashtëmi, në juglindje të Shqipërisë, ishte një nga fermat e para, rreth 6500 vjet përpara Krishtit.
Eshtë emri; “Vashtmi” që më bëri të shkruaj dy rreshta përsëri, për më të bukurën gjuhën shqipe, për më të pasurën gjuhë margaritar, perlë e vërtet, gjuhë, e rrallë e plot vlera për mbarë qyteterimin – njerëzor mbi këtë Dhe, mbi këtë Tokë lindur e krijuar së bashku si dy krijesa “mëm e bijë”.
Kujtoj se në shumicën e rasteve tek fjalët e hershme, emra, vendbanime, e të tjera, gjenden shumë zvendësime të gërmave të së njëjtës linjë midis tyre, ashtu si gërma “B” buzore në këtë rast ndoshta e paqëllimtë, por që sjellin largimin e kuptimit të vërtet apo me të parë të saj.
Linjë të gërmave buzore, kemi; B; P; M; e më pas përkatësisht kemi gërmat; V dhe F; (Ph)Fillimisht po sjell një emër për të cilin kam shkruar në një artikull të shkurtër disa ditë më parë, pikërisht për lumin; “BARDHAR” në Maqedoninë e sotme, dhe vetëm duke e zvendësuar greekfolsit, apo edhe serbo- sllavët gërmën; “B = V” lumi “BARDHAR” humbet kuptimin e saj të vërtet e aq shumë kuptimplotë, nga: Bardhar = Vardar, pavarsisht se ky emertim i ri ngelet përsëri si sinonim i emrit më të parë dhe që do të thotë; I “vrullshëm” “i pandalur”, por jo më “i Bardhë” ashtu shpesh here, për hipokrizi te tyre gjejmë në tekste greqisht po për të njëjtin lumë quajtur; “Aspro/potami = Lumë i Bardhë” e në sllavisht: Вардар.
VASHTMI
Tashme duke e rikëthyer të njëjtën gërmë në vendin e vet gërmën “B” pra, shikoni sa bukur, qartë e kuptueshëm, del emri ashtu quajtur (ndoshta bullgaro-sllave), VASHTMI =
BASHTMI.
Në gjuhën shqipe, me fjalën “Basht’ kuptojmë vendin tokën – arë, punuar për tu mbjellë sigurisht sipas nevojave tona, kryesisht për perime fruta e zarzavate, gjithashtu aty pregatiten edhe “farnat” quajtur ndryshe “Farishte”
Dikush mundet të thotë se “Bashtë ose Baçe” është turqisht, ashtu si në shumicën e rasteve, ku filogrekë, e pa lënë mënjane edhe filo-latine, e kanë kollaj të thonë; se janë fjalë; latine, greeke, apo turke, pa e ditur as vetë atë gjuhë, e jo më tepër të japin shpjegim etimologjik mbi fjalën përkatëse ne tekste shkruar.
Në gjuhën standarte shqipe, “Bashta” quhet “Kopësht” e cila në fakt është përsëri thjeshtë një sinonim në anagramë i vet fjalës; BAC<->COP – KOP/ësht, ashtu e njëjtë kjo fjalë edhe në greqishte, ku, kopshti quhet po kështu; Kipos (κήπος). (si mendoni që gjuha turke të jetë edhe më e vjetër se gjuha «greeke», apo nga gjuha shqipe deklaruar, e njohur prej kohësh si gjuhë e parë direkt nga rrënjët e pemës gjenetike të të gjithë gjuhëve.
Emrit “baç” vetëm duke i futur gërmën “parazite; – H’ ajo mer trajtën si fjalë «turke» “Bahçe” por jo se është e tillë, rrënja apo burimi i kësaj fjale tepër të lashtë madje, qëndron gjetiu …>Mundem në këtë shkrim tu sjell një emër apo fjalë të lidhur ngushtë po me emrin “Baç” e cila është pikërisht vegla e punës e njohur mirë nga Far-merët ajo vegël që mundëson, që tokën-arë punon, “Që-‘Ap = Çap’ sot ajo ndryshe quhet edhe; “shatë” (cat catun-katun’d) Pra, vegla që punon “tokën e punuar – arë” në gjuhën shqipe quhet; “Qap – Çapë”.
Lexoni nga fjalori i pastër, i gjuhës më të bukur, të bekuarës gjuhë – shqipe!
CAPË II f.
Shtresë e fortë e tokës nën shtresën e butë që punohet; taban. I qiti capën tokës. Kuptojmë se, vegla “Që h’ap”, punon dheun e punuarë më parë, pra shtresën e butë “çapin” e tokës ajo që punohet, kjo vegël quhet po kështu, “Çap’ e pas kësaj, kjo tokë-arë e punuar mirë ndryshe quhet “BAÇ” Baça.
Në gjuhë të tjera gërma; “Ç” gjendet e zvendësuar me gërmat; “ts = ç” ashtu si në greqishte, ku “Çapën”e quajnë; “tsápa” (τσάπa),
Fshati “Vashtmi” (Bas’tmi) gjendet në tokën më pjellore në fush-gropën e rrethit të Korçës, e jo rastësisht aty gjendet një nga “farmat” (fermat) më të vjetra rreth 6500 vjet para eres se re.
Eshtë përsëri dialekti Geg, i cili na ofron si përherë, sa më pranë të parës shqipe folur, ku ende sot, në vend të gërmës “Ç” shqiptojnë, gërmën; “Q”

Vashtmi (Korçë) një nga fermat e para, rreth 6500 vjet përpara Krishtit. Read More »

Bëhu si gjermanët! Vizito “Niagarën” e Shqipërisë

Është magjepsëse kjo mrekulli e natyrës shqiptare që mediat e huaja e kanë krahasuar me Niagarën! Ndaj mos e humbni pa vizituar Ujëvarën e Sotirës, ashtu siç po bëjnë gjermanët.

Por… bëhuni gati për një rrugë jo dhe aq komode në udhëtim, zgjidhi një makinë të lartë, ndiqni me kujdes sinjalistikën, edhe pse ajo, në disa raste, mund të interpretohet ndryshe dhe konsumoni diçka në fshat. Do ta ndihmoni në mënyrë modeste ekonominë e 35 familjeve që mbijetesën e ka mes emigrimit dhe bujqësisë

Do të ecni nja 40 minuta në këmbë për tek Ujëvara, ecni këtu poshtë, aty keni një urë dhe pastaj ndiqni rrugën se vetëm një drejtim keni”.

Është ky udhëzimi që na dha në hyrje të fshatit Sotirë, Gjergji, pronari i njërit prej dy lokaleve që ka në total kjo zonë. Është pothuajse mesditë dhe duke qenë se është e shtunë, pritet që të ketë edhe lëvizje turistësh. Jo ndonjë dyndje e madhe, por tek-tuk të zë syri grupe që, ose kthehen ose shkojnë. Nisemi në drejtimin që na treguan dhe pas disa zigzageve gjejmë edhe urën.

Është një urë e sajuar me dru dhe që në çdo hap që hedh mund të ndiesh lëkundjet, ndaj vendosim të ecim një e nga një, edhe pse nuk duket aq e pasigurt. Me përllogaritjet tona, sipas hartës në telefon dhe nga ajo që na kishin thënë ata që kishin qenë më herët, nga fshati drejt Ujëvarës është një distancë prej 5 kilometrash, kështu që llogaritëm që 40-50 minutat e ardhshme do të jenë një ecje sportive për grupin.

Rruga, ashtu sikurse na e përshkruan, ishte në gjendje mjaftueshëm të mirë, e aksesueshme edhe për makina, por jo çdo lloj makine, duhet makinë e lartë Jeep ose pick-up. Në anën e majtë, e gjithë rruga ishte e mbjellë në mënyrë të rregullt me tre breza akacie. Mendja të shkon që do të jetë ndonjë projekt që është lidhur me këtë interesin e shtuar për të vizituar Ujëvarën e Sotirës, që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e ka vlerësuar si Monument Natyre.

Të paktën e ka vënë dikush “dorën në zemër” dhe paska bërë diçka të mirë për këtë zonë, komentojmë mes njëra-tjetrës. Pas ecjes në një rrugë që u duk se s’kishte fund, për shkak të diellit që herë shfaqej e herë zhdukej mes resh, arrijmë para një blloku betoni, që mesa kuptojmë është vijimi i një hidrocentrali. Epo nuk mund të shpëtonte edhe ky përrua pa një HEC, si çdo përrua e lumë tjetër në vend, kështu që duam s’duam është kthyer në normalitet. Ujëvarën mund ta shquanim që së largu, kurse nga aty afër mund të dëgjonim vetëm zhurmën e saj dhe të shihnim ujin që dilte nga HEC-i. Jemi në drejtimin e duhur! Këtë mendim na e përforcoi edhe një shenjë e vendosur në anën e djathtë, ku një shigjetë e kuqe tregonte rrugën.

Sinjalistika nuk është e qartë, mund të ngatërrohet lehtë

Të bindur se ishim në rrugën e duhur, ndoqëm drejtimin që kuptuam nga shigjeta, që na çoi direkt brenda hidrocentralit. Pas disa tentativave për të kuptuar se ku mund të ishte rruga, pamë që nuk kishte dalje dhe se për të shkruar tek Ujëvara duhej të bëhej nga ndonjë drejtim tjetër. E meqë këmbëngulëm që sinjalistika tregonte këtë drejtim, nisëm një ngjitje akrobatike, në anën e majtë të HEC-it. Telefonat që pak më parë nuk kishin valë, më në fund na mundësuan një komunikim, për të marrë udhëzime nga një grup që kishte qenë disa ditë më parë.

Andi na tha:

Nëse jeni tek ai sheshi para HEC-it kthehuni në anën e majtë.”

Aty e kuptuam që endja jonë shpatit të malit kishte qenë e kotë. E ndërsa po pushonim për ta marrë veten, shohim në horizont dy makina. Nga njëra zbritën pesë veta. Ishin “viktimat” e radhës së sinjalistikës, edhe pse pak “faj” në ngatërresën e tyre e kishim dhe ne që ishim ulur në anën tjetër. Ata ndoqën shembullin tonë dhe nisën ngjitjen në të njëjtin drejtim të gabuar. Pas pak, një grup tjetër i drejtohet anës së kundërt, ishte ajo rruga për tek Ujëvara. Me kujdes zbresim të dyja grupet dhe nisemi drejt Ujëvarës.

Domethënë shenja e shigjetës nuk tregonte rrugën e HEC-it por shpatin tjetër të malit. “Këta (pushtetarët) nuk shohin të bëjnë ndonjë gjë për këtë punë, por e kanë mendjen tek check-up-i ynë. Nuk e duam fare check-up-in”, po na thoshte Tonini, një burrë rreth të 60-ave, nga Tepelena që kishte ardhur me familjen dhe që ishte pjesë e grupit të dytë të ngatërruar ashtu si ne. Pas 15 minutash të tjera ngjitje, arrijmë në një lëndinë. Në fund të saj mund të dalloje qartë Ujëvarën magjepsëse. Nga ai drejtim po kthehej një grup tjetër, që teksa pa fytyrat tona të skuqura, komentoi që sapo të arrinim poshtë tek ujëvara do të harronim gjithë lodhjen.

Nisim zbritjen drejt Ujëvarës. Janë disa shkallë të sajuara, ku është hequr dheu për të krijuar efektin e tillë, por sigurisht e kanë lehtësuar mjaft aksesin. Zbritja nuk zgjat aq shumë dhe kurora e pemëve ta bën pak të vështirë të shohësh të plotë Ujëvarën, por kur mbërrin në fund, e kupton që ia ka vlejtur lodhja. Është magjike! Uji është akull i ftohtë, del nga një e çarë gjatësore brenda shkëmbit dhe rrjedh furishëm poshtë në një lartësi që mesa kishim lexuar në internet, i kalon 100 metrat. Nuk krahasohet aspak me atë të Shëngjergjit, e cila sigurisht është interesante, por kjo ishte diçka tjetër. Të kujtonte pak edhe Valbonën, teksa shihje rrjedhën e ujit që merrte tatëpjetën nën një efekt blu. Dhe, vetvetiu mendon sa e pasur dhe sa e varfër është njëkohësisht Shqipëria.

Nuk mund të mungonin plehrat që turistët i hedhin kuturu

Pasi mbarojmë sesionin e disa dhjetëra fotove secila dhe freskohemi duke qëndruar ulur në shkëmbinjtë në anë të pellgut, ku bie uji i Ujëvarës, sytë të zënë edhe pjesën e pakëndshme. Disa kanoçe birre të hedhura aty, letra nga ushqimet që janë ngrënë pranë ujëvarës dhe janë hedhur po aty.

Kjo është pjesa tjetër që na penalizon, nuk dimë të kujdesemi për pasuritë që kemi, madje ndikojmë negativisht. Ta mendosh që nuk do t’ju kushtonte asgjë t’i merrnin me vete mbetjet pas ngrënies së ushqimit dhe t’i hidhnin në vendin e përcaktuar, vetëm pak metra më lart, aty te lëndina ku nis zbritja për tek ujëvara.

Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, e cila ka nën juridiksion këtë monument, ka vendosur aty mes gjethesh një letër A4 të printuar dhe të futur në qese plastike duke shkruar: Vizitorë! Kujdesuni për mbrojtjen e mjedisit natyror nga dëmtimet dhe ndotjet.

Le të themi që edhe sikur kjo A4 të ishte një tabelë gjigante që kërkonte këtë ndërgjegjësim, për ata që nuk duan të ndërgjegjësohen, nuk do të kishte asnjë lloj ndikimi, por të paktën institucionet nuk duhet të kursehen për imponim më dinjitoz që tregon se ku mund të hidhen mbetjet e ushqimeve. Bëhemi gati të kthehemi, por sigurisht etja kishte bërë të vetën ndaj nuk i rezistuam një gllënjke ujë nga ujëvara.

Ndoshta nga vapa, ndoshta nga fakti që s’kishim alternativë tjetër, por ramë dakord të gjithë se uji ishte krejt tjetër nga ai që konsumojmë në Tiranë. Ngjitja na mori pak kohë, por ia dolëm. Paraprakisht kishim rënë dakord me Gjergjin, pronarin e lokalit të fshatit (të cilin e hasëm edhe si guidë pranë ujëvarës pak më vonë me një grup turistësh) që të vinte të na merrte. Kthimin nuk e morëm përsipër ta bënim me atë ecjen sportive entuziaste të fillimit. Makina vonoi pak kështu që nisëm të ecnim vetë dhe na arriti diku nga fillimi i rrugës së kthimit.

Më shumë turistë gjermanë, shumica parapëlqejnë të shkojnë vetëm

Gjergji na tregon se interesi për të vizituar Ujëvarën e Sotirës është rritur. “Fundjavave ka interes, vijnë turistë, por vetëm. Kishte vetëm një rast para ca kohësh me një agjenci me 500 vetë që vizituan ujëvarën dhe ky është ndoshta i vetmi rast që ka pasur aq shumë turistë njëkohësisht. Ka të huaj dhe shqiptarë. Nga të huajt, dominojnë gjermanët. Shumica parapëlqejnë të shkojnë pa guidë në këtë zonë, sepse duan ta zbulojnë vetë”, shprehet ai. Pavarësisht se është rritur interesi, turizmi në zonë mbetet i vakët për arsye nga më të ndryshmet, që nis nga infrastruktura, tek mungesa e strukturave akomoduese. Rruga për tek Ujëvara është mundësuar vetëm nga investimi i bërë nga kompania private që ka ndërtuar Hidrocentralin.

“Para se të ndërtohej hidrocentrali, për të shkuar tek ujëvara ishte e pamundur sepse nuk kishte rrugë. Kur u ndërtua kjo pjesë, u hap dhe rruga dhe nisi të kishte frekuentim. Edhe akaciet në krah të rrugës i ka mbjellë investitori që ka ngritur HEC-in, por ai e ka bërë për interesin e tij se ka tubat dhe rrënjët e akacieve lidhen me to dhe nuk lejojnë rrëshqitjen e dherave”, thotë Gjergji. Ai tregon se plani për hidrocentralin dikur ishte menduar për tek Ujëvara, pra që prita të ndërtohej aty dhe kjo do të kishte më shumë përfitim për investitorin, por më pas u vendos që ajo të ishte disi më poshtë, në mënyrë që të mos prekej kjo perlë e natyrës. Të paktën Ujëvara e Sotirës shpëtoi, jo të gjitha pasuritë natyrore në këtë vend kanë pasur kaq fat.

Mbijetesa e fshatit që mes emigracionit dhe blegtorisë

Kur mbërrin në fshatin Sotirë e kupton që nuk ke të bësh me një fshat të madh, mesa morëm vesh, në total jetojnë vetëm 35 familje, të cilat mbijetesën e tyre e kanë të varur mes emigracionit dhe blegtorisë apo bujqësisë.

Gjergji shprehet:

Nuk ka shumë të rinj, sepse pjesa më e madhe ikin, ose emigrojnë në Greqi ose zbresin në qytet. Janë shumë pak familje dhe s’ka ndonjë peshë të madhe edhe në vota, që të detyrojë pushtetin vendor apo qeverinë që të jetë më e kujdesshme apo të ndihet nën presion për të investuar në këtë zonë. Nuk i mbajmë mend qëkur s’kanë ardhur. Edhe ndryshimi i reformës territoriale, që kaloi komunat në njësi administrative, nuk na ndikoi apo ndihmoi për ndonjë gjë.”

Orientimi kryesor në fshat është blegtoria, rritja e gjedhit shihet si një mundësi për të siguruar jetesën. Kurse bujqësia nuk është për prodhim masiv që u mundëson shitje, secili prodhon për vete nga të gjitha gjërat nga pak. Edhe grurin kjo zonë e prodhon vetë dhe e bluan te fabrika që ndodhet në Gramsh. Tek-tuk të zë syri edhe levandul, që mesa marrim vesh tashmë po shkulet dhe banorët po heqin dorë, pasi çmimi i saj ka prekur fundin. Kemi mbërritur në fund të rrugës, nga Ujëvara në fshat duhet të paguash 1500 lekë për shërbimin me makinë, nuk ka rëndësi nëse vendos për vajtje-ardhje apo vetëm njërën nga këto rrugë.

Infrastruktura, të shkosh për në Sotirë është “sport” i vështirë

U drejtuam për tek makina jonë, një “Mazda” e thjeshtë që nuk hyn aspak te makinat e larta dhe që në ardhje drejt Sotirës, kushedi sa herë na shkoi në mendje varianti se çfarë do të bënim po të na linte në mes të rrugës. Nisim kthimin, me të njëjtën frikë. Nëse dikush do të na kishte parapërgatitur për këtë skenar rruge, nuk do ta kishim marrë mundimin për të shkuar fare tek Ujëvara e Sotirës (fatmirësisht shkuam dhe ia vlejti). Nuk ishim të vetmit me një makinë të ulët, pas nesh një çift me një Audi A4, edhe më i ulët se makina jonë, por edhe më i ri. Ndoshta pendimi i tyre ishte më i madh se yni. Edhe në ardhje në fshat kishim qenë të dyja makinat njëra pas tjetrës, u gjetëm bashkë te një lumë para se të arrish në fshatin Bregas dhe ku kalimi duhet të bëhej mbi urë.

E gjithë rruga nga Sotira deri në afërsi të Gramshit është problematike. Gropa, rrëshqitje dheu tek-tuk, por për hir të së vërtetës, me shtresa çakulli, ku gurët janë gjigantë. Pra nëse doni të shkoni në këtë zonë, duhet të mendoheni mirë, pasi me një makinë të vogël nuk do t’ia dilni dot, ose rruga do të kthehet në vend të një udhëtimi të këndshëm, në një stres më vete. Nga Sotira në Gramsh të duket një përjetësi dhe imagjinoni nëse kishe menduar që drekën do ta haje diku nga Gramshi. Pas përpjekjeve për të kaluar rrugën, duke mos dëmtuar makinën, ia dolëm që në orën 17:30 të jemi në Gramsh.

Fatmirësisht kjo pjesë ka një infrastrukturë relativisht të mirë, ndërkohë që investimi që është bërë afër Hidrocentralit të Banjës për rrugën është vërtet me standarde. Skarpatet janë të veshura me kujdes ashtu si sinjalistika, vijëzimi dhe cilësia e rrugës që janë tërësisht brenda standardeve. Nuk do shumë mend të kuptohet se e gjitha është fryt i një investimi të rëndësishëm të bërë nga Statkraft. Hidrocentrali i Banjës ka krijuar edhe një liqen të këndshëm, anash të cilit në disa pika janë ngritur restorante dhe lokale që të ofrojnë një panoramë relaksuese. Pasi ke shijuar drekën dhe ke pirë kafenë mendon.

A ia vlen një mundim kaq i madh për të parë një ujëvarë? Po! Shkoni patjetër tek Ujëvara e Sotirës, por mos harroni rruga nuk është një detaj që duhet kaluar me indiferencë, pini një kafe në fshat për t’i ndihmuar sadopak banorët, ndiqni me kujdes sinjalistikën sepse gjasat janë që ta ngatërroni lehtë.

Sotira, pjesë e programit “100 fshatrat”, por ende nuk dihet ku konsiston ndërhyrja

Qeveria bëri të ditur pak kohë më parë nismën e saj “100 fshatrat”, e cila synon të krijojë një model të fshatit të së nesërmes ku, përveç bujqësisë, të ketë zhvillim edhe për aktivitetet jobujqësore, duke rritur mirëqenien, por edhe duke garantuar shërbime më të mira.

Secili nga fshatrat e përzgjedhur do të identifikohet me tiparin apo asetin dallues të tij. Në listën e 100 fshatrave, qeveria ka vendosur të përfshijë edhe fshatin Sotirë në Gramsh.

Ende nuk është e qartë se ku do të konsistojë ndërhyrja e qeverisë përmes këtij programi në këtë fshat, por duket se më emergjente, të paktën sipas banorëve, është infrastruktura. Nëse nuk krijon infrastrukturën që më shumë njerëz ta kenë më të lehtë të vijnë, çdo nismë tjetër brenda fshatit nuk do të ketë ndikim. Për zonën e Elbasanit, ku bën pjesë edhe fshati Sotirë, janë zgjedhur edhe një seri fshatrash si Gjinar, Shushicë, Shtërmenj, Seferen, Pajovë, Seblevë, Dardhë.

Programi “100 fshatrat” ka bashkuar tre ministri të qeverisë në këtë bashkëpunim, duke nisur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tek ajo e Turizmit dhe Mjedisit dhe në fund, edhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila prej tyre, përmes përgjegjësisë që ka, do të kontribuojë në aspekte të ndryshme në zbatimin e projektit trevjeçar. Për vitin 2018, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar një fond prej 2.5 milionë dollarësh për këtë program.

Nga Nertila MAHO

Bëhu si gjermanët! Vizito “Niagarën” e Shqipërisë Read More »

Profesori amerikan: Është veç çështje kohe që lufta të shpërthejë në Ballkan

Profesori i njohur amerikan, George Friedman, thotë se e ardhmja e Ballkanit është jo fort premtuese. Një njohës i mirë i gjeopolitikëve, Friedman shprehet se në Ballkan mund të ketë luftë.

Ai thotë se serbët kanë mbështetjen e rusëve për çdo hap që do të ndërmarrin, ndërsa shqiptarët kanë mbështetjen e amerikanëve dhe kroatët të gjermanëve. Friedman shprehet i bindur se është vetëm çështje kohe që lufta të shpërthejë në Ballkan.

“Sot, rusët u “pëshpëritin” serbëve, amerikanët shqiptarëve, gjermanët kroatëve. Fshatrat dëgjojnë thashethemet, dhe ja ku llojnë sherret. Ballkani nuk është vendi i vetëm në botë ku kjo ndodh, por s’ka vend tjetër në glob që të jetë kaq i rëndësishëm për kaq shumë fuqi të mëdha. Prandaj, nuk është për t’u habitur pse ka gjithnjë zëra dhe thashetheme, se rajoni është shpesh në prag të luftës. Dhe nuk është për t’u habitur që thashethemet janë zakonisht të gabuara. Ato thjesht sigurojnë që të habitemi kur ato të dalin të vërteta. Është vetëm çështje kohe. Dhe ky është një rajon që pret luftë, duke e bërë atë të ketë më shumë gjasa të ndodhë” deklaron Friedman.
“Ndonjëherë luftimet midis fshatrave tërheqin në betejë në fshatra të tjerë, tërheqin kryeqytete, tërheqin fuqi të mëdha.

Profesori amerikan: Është veç çështje kohe që lufta të shpërthejë në Ballkan Read More »

Deputetja zvicerane reagon ndaj golave të Xhakës dhe Shaqirit: Nuk ishin golat për Zvicrën, por për Kosovën

Në shtetin e bukur të Zvicrës vazhdon të jetë aktive tema e golave të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës.

Shumica e zviceranëve janë gëzuar për fitoren e Kombëtares së tyre 2-1 ndaj Serbisë.

Por ka edhe nga ta që ju ka penguar festimi me shqiponje i dy lojtarëve tanë që mbrojnë ngjyrat e tyre.

Graniti ‘bombardoi’ portën e serbëve me një goditje të fuqishme, ndërsa Xherdani i artë i gjunjëzoi me një gol mjeshtëror në minutën e 90-të.

Festa e lojtarëve shqiptarë duke bërë shqiponjën dy krenare i ka penguar deputetes së Partisë Popullore në Zvicër.

Natalie Rickli ka qenë aktive gjatë ndeshjes në llogarinë e saj në ‘Twitter’.

41-vjeçarja ka thënë se golat nga Xhaka dhe Shaqiri nuk ishin për Zvicrën por për Kosovën.

“Nuk mund të jem e lumtur me të vërtetë. Dy golat nuk janë shënuar për Zvicrën por për Kosovën”, ka shkruar Rickli.

“Nëse Përfaqësuesja e Kosovës fiton një ditë unë do të jem e lumtur për ju, por në Kampionatin Botëror ne jemi me Zvicrën”, tha ndër tjera deputetja zvicerane.

E pas këtyre statuseve, llogaria e Rickli në Twitter është pushtuar nga tifozët e Zvicrës të cilët kanë kërkuar nga ajo që t’i largojë ato pasi kanë dalë në mbrojtje të futbollistëve më të mirë që kanë, Xherdanit dhe Granitit.

 

 

Deputetja zvicerane reagon ndaj golave të Xhakës dhe Shaqirit: Nuk ishin golat për Zvicrën, por për Kosovën Read More »

Rritet numri i turistëve të huaj në jug të vendit

Bregdeti jugor i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.

Gjatë periudhës maj-qershor 2018 vetëm në portin e Vlorës dhe Himarës kanë mbërritur rreth 651 turistë.

Në të dy këto porte vijojnë të ankorohen anije turistike me turistë të huaj në bord nga vende të ndryshme të botës, si Italia, Belgjika, Finlanda, Danimarka, Hungaria, Polonia, Anglia, etj.

Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “ditët e fundit, një numër i madh turistësh kanë ardhur në portin e Himarës. Në bordin e dy anijeve turistike ‘Marina’ dhe ‘Ionian Sun’ ndodheshin turistë të rinj nga vende të ndryshme të Europës të ardhur nga porti i Korfuzit”.

“Në portin e Himarës ka mbërritur edhe një anije tjetër turistike, e cila e çon në 651 numrin e turistëve që kanë zgjedhur si destinacion turistik bregdetin jugor të Shqipërisë”, – theksoi Malaj.

Kreu i portit të Vlorës shprehet se vazhdon të rritet edhe numri i turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nga porti i Himarës drejt Korfuzit me katamaranin “Kristi”.

Sipas tij, interes të lartë vijon të ketë edhe për udhëtimet drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë/atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1329699757164326/?t=0

Rritet numri i turistëve të huaj në jug të vendit Read More »

Këto janë 7 misteret e pashpjegueshme në Shqipëri që na i kanë mbajtur të fshehtë për shumë kohë

Gjatë viteve të fundit në Shqipëri kanë  ndodhur disa fenomene të çuditshme dhe të pashpjegueshme, ndër të cilët mund të veçohen shtatë prej tyre:

Cërriku, 2 orë nën vëzhgimin e një disku në 1993-shin

Banorë të qytetit të Cërrikut panë për rreth dy orë një objekt fluturues të rrallë, të cilin e identifikuan si UFO. Për 2 orë me radhë qyteti u përfshi nga paniku dhe kurioziteti. Një gazetë e kohës lajmëron se policisë asaj nate iu desh të qetësonte qytetarët, të cilët ishin habitur pas pamjes së objektit, që, sipas dëshmive ishte ndriçues dhe fluturonte. Gazeta raporton se objekti qëndroi në qiell nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 22:00 dhe u largua vetëm pasi ishte parë nga dhjetëra dëshmitarë. Gazetat në atë kohë përmend një objekt të ngjashëm të parë në afërsi të kësaj zone në vitin 1963, por që atëherë debati ishte mbyllur me pohimin e përfaqësuesve të sistemit se bëhej fjalë për një avion të ri të hedhur në ajër nga Shqipëria.

Disku fluturues në Roskovec

Ka qenë viti 2006, kur banorët betoheshin se UFO-t kishin vizituar qytetin e tyre. Fillimisht u pa si një hipotezë, por pas shenjave që kishte lënë disku fluturues, të gjithë filluan të bëheshin kureshtarë. Jo më larg se 10 km larg Fierit, drejt rrugës nacionale për në Berat, diku në mes të dy qyteteve shtrihet qyteti i Roskovecit. Qyteza, që në etimologjinë shqipe, sipas kuptimit të vjetër të emrit të saj, ndahet në rosë, kovë dhe ec. UFO-t kishin vizituar qytezën e vogël të tyre. Vetëm një çast ka mbërritur disku fluturues dhe, sipas banorëve, vendi përreth u zhyt në errësirë dhe ciklon. “Qielli u errësua, pemët janë lëkundur, doli një tym i zi dhe pashë se drejt meje po vinte një gjë e çuditshme me dy sfera dhe konike në majë. Ishte në ngjyrë të bardhё në gri”, – përmendnin dëshmitarët në atë kohë. Ka dëshmitarë, ka njerëz që betohen se është e vërtetë, ka kureshtarë që shkojnë në vendin e ngjarjes. Tashmë atje nuk shikohet asgjë. Qyteza ka tërhequr mjaft vizitorë nga Tirana, Fieri, Berati, madje edhe të huaj nga Holanda. Por, deri tani asnjë shkencëtar nuk ka shkuar që të vërtetojë nëse është e vërtetë apo jo ngjarja e rrallë.

Sfera që ra nga qielli në Rrëshen – Kalimash

Një vit më parë të gjithë punëtorët e Rrugës së Kombit u habitën kur papritur gjetën një sferë të çuditshme të një madhësie mesatare. Sfera kishte një ngjashmëri me të gjitha sferat e gjetura që nga Brazili dhe deri në Bosnjë. Ajo peshon tre tonë, por ende nuk dihet përbërja e saktë dhe mënyra se si ka arritur në një formë të tillë. Hipotezat janë të shumta duke filluar se ajo ka përbërje llavosfere e deri në mitologjinë e lashtë. Punëtorët, që ndërtonin Rrugën e Kombit e kanë gjetur sferën një vit më parë, por vetëm tani u bë i mundur transporti i saj në Tiranë. Në të njëjtin vend u gjetën edhe disa mbetje të tjera sferike, por që nuk e kishin ruajtur formën e tyre.

Peshku 120 kg i kapur në Ksamil

Ksamili me bukurinë e tij ka tërhequr dhe një ndër peshqit më të mëdhenj në botë. Duket si “tabu” për Ksamilin, qytezën buzë detit Mesdhe, që të afrohen peshq me përmasat e një balene. Por, ja që kjo tabu u thye nga dy peshkatarë të thjeshtë, të cilëve u ra në rrjeta një peshk 8 metra i gjatë e me peshë 120 kg. Peshku është i llojit “pastanak”, i cili në raste të tjera ka pasur peshën maksimale deri në 50 kg. Peshkatarët që e zunë peshkun gjigant, tregonin atëherë se kanë vuajtur shumë për ta hedhur atë në varkë, ndërsa rrjetat janë dëmtuar prej peshës së madhe

Fantazmat në një familje në Kukës

Para 8 vitesh një burrë telefonoi policinë e rrethit se po shikonte disa gjëra të çuditshme jashtë shtëpisë së tij. Sipas vetë personit, në atë kohë jashtë kishte disa fantazma, të cilat po vinin rreth e rrotull. Në atë kohë policia e mori si një tallje, por një grup policësh u nisën për në fshatin nga erdhi telefonata. Kur shkuan në shtëpinë e tij jashtë oborrit u panë të gjitha objektet të rrëzuara, ndërsa burri që telefonoi së bashku me familjen u gjenden në një gjendje shoku dhe nuk flisnin fare. Po kështu ngjarja që ata treguan më mbrapa, ishte shumë e çuditshme dhe ata edhe sot tregojnë se ato fantazma ishin të vërteta dhe nuk gënjejnë.

Elbasani, vendi i çudirave të mëdha, qengji me 6 dhe zogu me 4 këmbë

Një qengj i pazakonshëm ka lindur në qytetin e Elbasanit. Qengji me gjymtyrë dhe organe të dubluara, ka lindur në një fshat të Sulovës në rrethin e Elbasanit. Delja që ka lindur këtë qengj, ka lindur edhe një qengj tjetër të seksit femër, e cila është me gjymtyrë të rregullta. Ndërsa binjaku mashkull ka lindur me gjashtë këmbë, dy prej të cilave të ngjitura, ndërsa organet e tjera të dyzuara. Familjarët që kanë në pronësi qengjin janë shprehur se kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në zonën e tyre, por kjo gjë, sipas tyre, vinte nga rendimenti e pjellshmërisë së deles, e cila pjell binjakë, dhe sasisë së qumështit që prodhon. Ndërkohë, po në Elbasan ka lindur dhe shpendi i çuditshëm, në 2010 dhe sipas pronarit të tij ka shkaktuar habinë e të gjithëve. Nga katër këmbë, zogut i funksionojnë vetëm dy këmbët e parme, ndërsa dy të tjerat, të cilat janë të tepërta në trupin e tij, nuk janë funksionale. Ky rast është i pari i këtij lloji në Elbasan, ndërsa vetë banorët nuk e kanë shpjeguar kurrë këtë fenomen.

Peshkaqenët vizitorë që s’kanë arritur të hanë asnjë njeri

Shqipëria 2 herë gjatë historisë është vizituar nga 2 vizitorë të veçantë, që ishin peshkaqenët. Në Himarë dhe në Durrës kanë ardhur 2 herë peshkaqenë, të cilët ishin të gatshëm të sulmonin njerëzit në çdo kohë. Por në të dyja rastet nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë sulm ndaj njerëzve. Në rastin e Durrësit peshkaqeni u kap nga një peshkarexhë shumë e madhe, ndërsa në rastin e Himarës thuhet se është vrarë nga peshkatarët

Këto janë 7 misteret e pashpjegueshme në Shqipëri që na i kanë mbajtur të fshehtë për shumë kohë Read More »