Aurora

Edi Rama: Shqipëria ka bërë më shumë reforma se çdo vend tjetër. Europa nuk ka vënë kusht për negociatat

Në një takim me strukturat e integrimit europian, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë si punë ashtu edhe reforma më shumë se çdo shtet tjetër përpara çeljes së negociatave.

“Morëm një ndihmë të jashtëzakonshme nga Greqia dhe Italia. Jam surprizuar për mirë nga fqinjët tanë. Kemi kapërcyer një moment delikat. Të gjithë kanë punuar shumë për negociatat. Shqipëria ka bërë përpara çeljes së negociatave më shumë se çdonjë tjetër në të njëjtën fazë. Dy orë përpara marrjes vendimtare nuk kishim tekst”, tha kryeministri

Nga ana tjetër Rama bëri edhe dallimin mes çeljes së negociatave në këto moment si dhe çeljes në 12 muaj:

“Normal se ka një ndryshim mes çeljes së negociatave në këto momente dhe çeljes së negociatave në 12 muaj. Por edhe nëse çelja e negociatave do ishte immediate, do na duhej një kohë e caktuar nga 6-12 muaj. Çelja e negociatave është përcaktuar pas 12 muajsh, por komisioni do të nisë menjëherë punën përgatitore”, tha Rama.

Rama tha se Europa nuk ka vënë asnjë kusht për negociatat.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Një surprizë befasuese për ne që të gjithë kanë bërë edhe më shumë sesa do të ishte mjaft sa për të thënë ‘që ne e bëmë tonën’.

Dua të nënvizoj atë që në 72 orët e dallgëve të larta të procesit, fillimisht në Luksenburg e më pas në Bruksel. Që bënë fqinjët tanë grek dhe italian. Ata bënë asgjë më pak sesa do të ishim bërë ne vetë nëse do të ishim të pranishëm. Ne mungonim por falë angazhimit të jashtëzakonshëm të këtyre dy miqve ne nuk munguam aty.

Ishte një ndihmë e jashtëzakonshëm për ne dhe Maqedoninë e veriut. Sot kemi kapërcyer një moment tejet delikat, Shqipëria ka bërë para çeljes së negociatave, më shumë se çdo vend tjetër. Ishte një rrezik real që të mbeteshim në këtë moment pa tekst.

Dy orë para vendimmarrjes, nuk kishim tekst, për shkak të dinamikës së brendshme të tryezës së bisedimeve ku 25 vende u rreshtuan në mënyrë të vendosur për të mbështetur çeljen e negociatave, dhe tre vende të tjera ishin në pozicion të ndryshëm, për arsye që i kemi dëgjuar në vazhdimësi dhe i mirëkuptojmë.

Ka një ndryshim mes çeljes së negociatave mes çeljes së menjëhershme dhe pas 12 muajve, këtë nuk mund ta mohojmë. Por edhe sikur çelja të ishte imediate ne do ta duhej një punë përgatitore që do të merrte një kohë të caktuar, nga 6 deri në 12 muaj, dhe fati që çelja e negociata është përcaktuar pas 12 muajsh, por ndërkohë komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor, është procesi  më i plotë dhe i mirëpritur nga ana jonë.

Më vjen për të qeshur dhe për të qarë kur dëgjoj se Evropa ka vënë kushte, nuk ka vënë asnjë kusht por ka nënvizuar kushtëzimet që ka kjo fazë. Qeshëm me kryeministrin e Malit të Zi, kur po diskutonim për 5 prioritet, dhe tha se ‘prit prit se pastaj do këtë më shumë kushte”, kjo nuk është çështje përputhshmërie me parametrat e një vendi të BE.

Të jemi realist, nuk ka thënë dhe nuk thotë as komisioni dhe as këshilli asgjë më shumë dhe sikur larg qoftë të dilnim nga 72 orët e ferrit pa tekst e pa datë, do vazhdonim vettingun, do vazhdonim për ngritjen e institucioneve të drejtësisë, do vazhdonim atë që bëjmë përditë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk është se këto do të ndalonin nëse do të hapej menjëherë. Ky proces nuk është për Evropën, është për fëmijët tanë, për të ndërtuar këtu një shtet Evropian.

Edi Rama: Shqipëria ka bërë më shumë reforma se çdo vend tjetër. Europa nuk ka vënë kusht për negociatat Read More »

Nxjerrja e sekretit fut në telashe Lulzim Bashën, Krimet e Rënda nisin hetimet

Pas padisë së ngritur dy ditë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla, Prokuroria e Krimeve të Rënda është vënë në lëvizje dhe ka nisur hetimet për Lulzim Bashën për dekonspirimin e 3.4 milionë eurove të kapura në portin e Durrësit.

Por burime për ‘’Report TV’’ thonë se prokurorët kanë të qartë një pistë sesi ka ardhur informacioni te Basha dhe se pritet që kryedemokrati të merret në pyetje. Po ashtu hetim për Lulzim Bashën ka nisur edhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

DEKONSPIRIMI/ Pasi foli Basha në Kuvend, shoferi mori urdhër: Ikni nga Bari

Deklarata e Lulzim Bashës në Parlament në 21 qershor, se një automjet “Toyota Yaris” ishte kapur në Gjermani me 1.5 milion euro brenda dhe që po planifikohej të futej në Shqipëri, ka bërë që grupi kriminal, i cili tranportonte 3.4 milionë euro, të ndryshonte drejtim.

Kjo, me sa duket, ka qenë një lëvizje e grupit për t’u shpëtuar kontrolleve të repta të policisë italiane, por edhe për të hutuar policinë shqiptare, e cila tashmë kishte marrë dijeni dhe e priste automjetin bizark në kufirin tokësor.

Agim Çeka tha se makinat i ka ngarkuar në Belgjikë Elvis Vladi dhe se janë nisur për në Ankona, por pronari Edi Lika i ka thënë që të shkojë në portin e Barit. Shoferi i trajlerit ka theksuar se në Durrës i priste Fredi, djali i xhaxhait të Elvis Vladit. Por Alfred dhe Elvis Vladi shumë shpejt kuptuan që as ndryshimi itinerarit nuk mjaftonte për të shpëtuar nga arrestimi.

Balla nxori dje foton: Basha me vëllanë e Alfred Vladit, në kërkim për 3.4 mln euro

Kreu i PD, Lulzim Basha, nga akuzues i Taulant Ballës për ngarkesën e 3.4 milionë eurove është akuzuar nga kreu grupit parlamentar socialist se ka njohje me vëllanë e Alfred Vladit, njërin prej dy personave të shpallur në kërkim. Taulant Balla publikoi dje një foto, ku kryedemokrati ka pozuar brenda ambienteve të zyrës në PD me disa persona, ku në të djathtë të tij, sipas Taulant Ballës, qëndron vëllai i Alfred Vladit.

Nxjerrja e sekretit fut në telashe Lulzim Bashën, Krimet e Rënda nisin hetimet Read More »

Një intervistë për t’u mos u humbur /Retro: Dritan Prifti kur ishte gjallë: Mafiozi Ilir Meta fitoi 10 milionë USD për 10 ditë, lidhjet me krimin

Një intervistë për t’u mos u humbur me Dritan Priftin pasi nxori videon e pazarit të Ilir Metës në 2011, pazaret e Ilir Metës dhe lidhjet e tij me kriminelë, si i blen deputetët dhe si fiton nga 1 milionë USD në dit me afera
I ndjeri Dritan Prifti, i cili ndërroi jetë në mënyrë misterioze kohë më parë, ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ilir Metës, por më pas u kthyer një nga njerëzit më të urryer mbi tokë nga Ilir Meta. Ky i fundit, gjatë qeverisjes më Sali Berishën, e emëroi Priftin ministër të Ekonomisë. Këtë ministri Meta dhe Monika e shihnin si mundësi të artë për të vjedhur sa më shumë. Prifti nisi t’i bënte rezistencë Metës, duke mos pranuar të gjitha pazaret e tij. Për t’i hequr maskën Ilir Metës para shqiptarëve, Prifti e regjistroi Metën në zyrën e tij, me bllokun e pazareve në dorë. Meta më pas i shpëtoi burgut, pas ndërhyrjes së Berishës, i cili kontrollonte Gjykatën e Lartë me disa ushtarë të tij. Pas publikimit të videos, Dritan Prifti ka dhënë një intervistë epike, ku përmend detaje tronditëse rreth figurës dhe veprimtarisë së Ilir Metës. Ashtu siç e përshkruajnë raportet ndërkombëtare, Prifti e përshkruan Metën si një mafioz të rrezikshëm, zyrën e të cilit e vizitonin çdo ditë kriminelë që kishin bërë qindra vite burg, pasi kanë vrarë njerëz. Prifti thotë se në vitin 2000, Ilir Meta ka bërë 10 milionë USD për 10 ditë me aferat në KESH.

-Ju keni qenë për shumë orë në prokurori dhe jeni përgjigjur pyetjeve?

Mora njoftim nga Prokuroria e Tiranës që ditën e djeshme ku mu kërkua të paraqitesha si dëshmitar për videon që u shfaq në Fiks Fare dhe shpreha gatishmërinë që të shkoja dhe të tregoja çdo gjë që di në lidhje me të. Kam depozituar sot kasetën, videon, të shkarkuar nga origjinali, dhe pastaj për 3-4 orë kam dhënë përgjigje, pyetjeve të prokurorisë për pjesë të ndryshme të kësaj video dhe marrëdhënieve të mia me metën apo personat e tjerë të përmendur në këtë video.

-Përfshirë dhe Berishën?

Për të gjithë, pa tjetër.

-Deklarata e Ilir Metës? Me z. Tom Doshi ç`lidhje keni?

Ky është një nga karakteristikat kryesore të një njeriu mafioz që mbrohet duke goditur, përmend zotin Doshi që gjatë jetës sime kam ndenjur 3 herë me të. Ma ka prezantuar Meta. Me zotin Doshi kam marrëdhënie sipërfaqësore shoqërore, asnjë marrëdhënie politike dhe Doshi nuk ka asnjë kontroll mbi mua, vetëm se kemi një marrëdhënie të muajve të fundit me njëri-tjetrin. Ilir Meta më akuzoi se kam shkuar tek prehri i Tan Leprit. Unë atë nuk e njoh. Ai ka qenë shoferi i gruas së Ilir Metës. Kjo është strategji e një njeriu të rrezikshëm, mafioz i cili i shmanget të vërtetës dhe sulmon për të larguar vëmendjen nga ajo që ka bërë ai. Nga e vërteta tronditëse e tij. Kam marrë një mesazh nga një diplomat i huaj në Tiranë, më thoshte: Gjëra rrëqethëse. Ai kujton se duke sulmuar ditë tjetër, opinioni publik do të çojë mendjen tek personat që përmend ky zotëria për të mbuluar qelbsillëqet e veta. Toma ka hyrë me votat e veta në parlament. Ai ka marrë një pjesë të madhe në Shkodër se e duan shkodranët, atij Tomës ky i ka privatizuar në 2001 antibiotikë, Profarmën dhe ka bërë paratë që ka. Tom Doshi, Ilir Metës i është gjetur pranë shumë herë në kohë të vështira.

-Ju i keni bërë presion Metës siç ai ju akuzon?

Nuk e kam çuar ndërmend t’i bëj presion Ilir Metës. Ka qenë detyra ime të dokumentoj presionet mafioze, kërkesat për shkelje ligji, për favore të pandershme që më ka bërë Meta gjatë një viti rresht. Që muajin e parë të detyrës, ai më ka ardhur me kërkesa këtë koncesion të tij, presion i jashtëzakonshëm dhe unë e kam pasur për detyrë para opinionit publik, fëmijëve të mi, të dokumentoj se me çfarë mafiozi kam punuar dhe të pranoj në prokurori ato që kanë ndodhur.

-Ju e keni regjistruar videon?

Videon e kam regjistruar me ndërgjegje të plotë për të dokumentuar se kush është ky lloj burri. Ai burrë është sot mbase nga njerëzi më të rrezikshëm në Shqipëri, më i korruptuar në Shqipëri. Ka 10-12 vjet që vjedh, abuzon, kërcënon, abuzon, mashtron dhe deri tani ia ka hedhur.

-Pse i keni qëndruar pranë Metës për kaq kohë?

Nuk është se nuk kam pasur episode të Metës që në vitin 2000. Isha drejtor KESH. 10 ditë u largova në Amerikë. Meta bëri 10 milionë dollarë energji për 10 ditë që unë u largova. U ktheva nga Amerika dhe e kundërshtova dhe kam pasur luftë të ashpër me të. Më ka thirrur në zyrë duke pritur për të shkuar në parlament, më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë: Na duhet të blejmë anëtarë të KPD të PS. Më tha, më duhen 500 mijë marka. I tash se nuk kisha ku t’i gjeja. Merri borxh më tha. Kam menduar se kanë qenë episode të veçuara që mbase ndodhin nga një papjekuri rinore. Çfarë kam parë këto vite dhe çfarë dëgjoj tani, nuk mundet ta mbaja në arkivin tim këtë video. Nuk mund ta mbaja më.

-Pse nuk e denoncove videon ato ditë kur ndodhi kjo. Pse e mbajtët kaq gjatë videon?

Kam tentuar disa herë për ta bërë publike dhe gjatë kohës që isha ministër, tentova të bindja kryeministrin të vepronte, pasi kjo ndodhi, kam njoftuar kryeministrin. Me kryeministrin kam pasur marrëdhënie që çdo javë raportoja për çka ndodhte. Ai është në dijeni të çdo kërcënimi që më ka bërë Meta mua. Më vjen mirë që ai e ka pranuar se unë i kam dhënë një kopje të videos, por ai nuk pranoi ta shihte.

-Keni koment për kryeministrin Berisha?

Nuk e kam më. Pas këtij deklarimi sot (dje) të kryeministrit më vjen keq. Shoh që ai duhet të ketë më shumë anë me Ilir Metën se sa kam menduar unë. Duhet të jetë i lidhur në mënyrë të sëmurë me Metën. I lidhur për gjëra jo të mira. Nuk mundte, ai kryeministër që fluturoi për pak minuta Ylli Pangon, që nuk ka peshën e kësaj që ka dalë, se i ndodhi diçka në banesën e vet që i shkoi me dëshirë, ai kryeministër duhet të jetë në hall tepër të madh për këtë deklaratë që ka bërë. Ndjej zhgënjim, nuk e prisja që zoti Berisha të fliste para drejtësisë. Nuk e prisja që ai të merrte anë. Ai me këtë i drejtohet drejtësisë. Ti thua se është e trukuar, se kështu them unë. Është e rrezikshme. Më vjen mirë që e pranoi se i kam çuar kasetën.

-Kur ia keni ofruar Berishës kasetën?

Në kohën e duhur që kishte mundësi për të reaguar në kohën e duhur. Me këtë që ka bërë sot ka rënë miti i atij njeriu si njeri i pastër. Deri dje ka dal me duar të pastra, por unë tashmë e them me shumë keqardhje, po filloj të kujtoj dhe episode të tjerë në marrëdhëniet tona që më bëjnë të dyshoj.

-Cilat janë?

E kam informuar për kontrabandën e naftës Virgjinia, që bëhej në Shqipëri që mbrohej nga doganat, policia, tatimet. Që mbrohej nga policia ai nuk reagoi edhe pse përmenda badigardin e tij, që sot është zv/drejtor i policisë, ai nuk reagoi. Vetëm për interesa elektorale merr në mbrojte Metën që mund t’i japë shans t’i afrohet ndopak Ramës. Kur isha ministër i kam çuar një raport kontrolli të brendshëm të koncesioneve që janë kontrolluar vetëm muajt e verës së vitit 2009. Kur shkova në ministri jam mbytur me ankesa për ish ministrin Genc Ruli. Kontrolli i  brendshëm i ministrisë aty ka gjetur gjëra të tmerrshme, ia çova kryeministrit e auditit të brendshëm ia dha departamentit të vet antikorrupsion e deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për të. Vetëm gjatë dy muajve të verës dha 40 koncesione, gjatë mungesës së parlamentit nga pas zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re.

-Disa prej tyre i ka akuzuar opozita?

Mund të jenë dhe disa prej tyre, por janë gjëra të reja që si ka parë asnjëherë. Ia dhashë kryeministrit raportin e auditit, ai ia dha departamentit të antikorrupsionit, ata janë marrë por asnjë përfundim. Jam shumë i zhgënjyer prej Berishës.

-Videoja?

Ia kam thënë Metës dhe atë ditë që më dërgoi me sms i kam thënë po me sms se do të më shkarkosh mua se do të vjedhësh, do të marrësh vendin tim se do të vjedhësh. Ai ka shkuar atje vetëm për të vjedhur.

-Koncesion dhënë një miku, këtë koncesion Meta nuk e ka bërë?

Nëse do të qëndrojmë këtu po e them se ai këtë nuk e ka bërë sepse unë atij disa herë i kam thënë se këtë  bisedë ia kam regjistruar për ti dhënë vëllezërve Tolaj këtë koncesion. Por është tepër e qartë si kristali kërkesa që ka bërë ai që këtë koncesionin, sot mbaroje sot se ata janë gati për të dhënë lekët. Shumë e qartë, është tepër e qartë. Më vjen mirë që është me sekonda dhe nuk ka asnjë shkëputje. E kanë fituar unë këtë punë e kam studiuar, kjo punë ka mbaruar. Më vjen keq që ka dal emri i një zonje të nderuar, Shpresa Becit është e vërtetë që vajza e saj ka shkuar në Vjenë dhe është e vërtetë atë që deklaroi Meta se këtë punë e mbyll unë deri në fund. E filloi me një kërkesë, për punësim të Tur Handarit që është oficer policie sot që ka qenë shef i madh në armo, Albpetroli  kur ka qenë Meta kryeministër, iku nga puna dhe i ka sot Albetrolit 9 % mijë lek sot është në gjyq si ta merrja unë këtë dhe ta bëjë drejtor të inspektoratit të naftës për Tiranën ose për Durrësin. Ai sot është në policinë e shtetit me atë historik problematik në sektorin e naftës unë nuk mund ta bëja. Ndaj erdhi Meta i inatosur në zyrë për të kërkuar llogari. Episodi tjetër për të anulluar një tender tjetër në Albpetrol. Më thotë anulloje mos e zvarrit. Po të kesh një post politik nuk ka rëndësi as ligji, as morali, as konkurrenca e tregut, unë të jam urdhër  jam kryetari yt zbatoje. Nëse do e doja atë më tepër se fëmijët e mi do e zbatoja. Nuk mund të ndërhyja në një tender të Albetrolit ku ishin ftuar më tepër se 15 kompani, unë kisha 2 muaj që nuk i jepja rrogat Alpetrolit se nuk shitej asnjë litër naftë, Albetroli ishte para shkurtimeve. Si të anuloja tenderin. Për këto qejfmbetje erdhi ajo që erdhi nga pas që u prishën marrëdhëniet dhe që unë u largova.

-Qytetarët e Fierit?

Gjysma e Fierit është pa drita. Ishalla nuk ka gisht Meta që ua ka prerë që të mos shohin emisionin sot (dje).

-Në Amerikë regjistrimet në pronën tënde nuk ka nevojë të marrësh leje nga askush. Përgjigjen ligjore do e japë prokuroria. Biseda juaj me Metën, komportimi ndaj presioneve të tij me lisën e kërkesave rezistenca e tij duket e pakët ndjehet bashkëfajtor Prifti?

Qëndrimi im, doja që Meta të fliste nuk mund ta bëja të dyshonte se isha duke regjistruar. E vërteta është se asnjë nga kërkesat e tij për favorizime të jashtëligjshme unë nuk e kam zbatuar. Jo vetëm këto që janë të përmendura në këtë video, por në asnjë rast asnjë nga kërkesat e paligjshme të tij nuk i kam zbatuar. Kam bindjen e plotë se në atë detyrë jam shërbëtor dhe jo për të shkelur ligjin. Më vjen mirë që meta nuk më kuptoi se po e regjistroja dhe e zbrazi barkun.

-Shifra 700? Meta e përmendi shifrën 700 si dëm shkaktuar këtij biznesmeni për shkak të zvarritjes?

Mund të sajojë çdo justifikim për 700 mijë euro që ofroi për të dhënë këtë koncesion. 7% dhe 700 mijë euro zotëri mi ofronte mua, sesa ishte pjesa e tij në para nuk e di, ai kishte 20% dhe i kishte vënë në emrin e Fatmir Merkaj, ose në emër të firmës së tij. Është person i mirë, më duket se ka qenë ish shofer i metës, shumë pallate në tiranë, Dhërmi më thonë se janë të Metës por nuk e di. 20% që ka tek kompania e vëllezërve Tolaj është i tij dhe i Ilirit, Ilir Meta e kishte pjesën e tij veç.

-Prokuroria bëri deklarim për hetimet, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë për koncesionet. Mendoni se ky koncesion i padhënë do të përfshihet në hetimet?

Ilir Meta ia ka dhënë një bashkimi tjetër kompanie, Kurum dhe kompanisë Doko nga Elbasani, ai ia ka dhënë tenderin të tjerëve.

-Akuza ndaj këtyre që e kanë marrë?

Nuk kam informacion si e kanë marrë, ka vendosur komisioni apo jo, është bërë pasi kam ikur nga ministria, akuza ime është se meta më ka bërë presion dhe ofertë të paligjshme për t`ia dhënë vëllezërve Tola.

-Meta tha se nuk ka të drejtë zv/kryeminsiri të ndjekë problemet e miqve të tij?

Ka të drejtë të plotë, por nuk ka të drejtë të kërkojë gjëra të paligjshme,e ka të drejtë dhe e ka bërë këtë rëndom por nuk ka të drejtë të bëjë gjëra të jashtëligjshme.

-Meta përmend kryeministrin dhe prokurorinë në bisedën tuaj. Biseda është e marsit 2010, flitet për prokurorinë, më duket sikur dëgjoj një herë emrin Belegu një herë mbiemrin Stojku? Është zhdukur dhe Eduart Belegu në mars të 2010?

Kam diskutuar në prokurori vetëm për pjesën e zbardhur nga emisioni Fisk Fare, jam i disponueshëm të shkoj sa herë të jetë e nevojshme. Përmendja e kryeministrit kur bisedonin për të zëvendësuar drejtorin e KESH, u përmend Stojku. Meta më kërkonte të emëroja drejtorin aktual të bëjë këtë ndryshim dhe unë i thashë se është mirë të kemi konfirmim nga kryeminsiri, ai më tha se kryeministri është dakord. Një ok për një emërim, drejtor të përgjithshëm të KESH. Kontekstin e prokurorisë nuk e mbaj mend plotësisht mund të ketë qenë për Belegun. Bëhet fjalë për të tjerë, mund të ketë qenë Belegu, ku Meta më thoshte se ki kujdes se prokuroria mund të veprojë. Meta ma ka përmendur mikun tim disa herë, më ka kërkuar disa herë ta largoja nga detyra, mbase m,und të ketë qenë në kontekst me atë. Pjesën e prokurorisë të jem i sinqertë nuk e mbaj mend mirë.

Një intervistë për t’u mos u humbur /Retro: Dritan Prifti kur ishte gjallë: Mafiozi Ilir Meta fitoi 10 milionë USD për 10 ditë, lidhjet me krimin Read More »

“Janë një zero”, PD lëshon fyerje të rënda ndaj Donald Lu-së dhe Romana Vlahutin

Partia Demokratike sulmon ashpër trupën diplomatike në Shqipëri. Ka qenë deputeti Gent Strazimiri ai që lëshon fyrje të rënda ndaj ambasadorëve Donald Lu dhe Roma Vlahutin.

“Problemet që ne kemi janë thellësisht të brendshme, thellësisht politike, thellësisht teknike kur vjen puna për respektimin e ligjit, nuk janë probleme diplomatike. Ne, pavarësisht Donald Lu-së apo jo, ne kemi marrëdhënie të mrekullueshme si popull, si parti dhe si gjithë spektër politik me administratën e SHBA.

Nuk kemi nevojë as për një Donald Lu, as për dy Donald Lu që të kemi marrëdhënie të mira. Nuk është çështje diplomatike. E njëjta gjë edhe me Europën. Europa është aspirata jonë dhe nuk kemi nevojë as për një Vlahutin me flokë, as për një Vlahutin pa flokë që të rregullojmë apo prishim marrëdhëniet. Nga kjo pikëpamje ambsadorët janë zero, në kuptimin e rregullimit të marrëdhënieve.

Çdo deklaratë që japin në përputhje ose jo me realitetin në fakt i bën përgjegjës ndaj shteteve të tyre, ndaj këtij vendi jo. Unë personalisht këtë vlerë u jap në deklaratat që japin. Ajo që duhet të kemi të gjithë të qartë dhe që unë e kam të qartë, këtë vend do ta bëjmë unë, ti, në që jemi këtu jo ata që vijnë me një mandat 3-vjeçar”, u shpreh Strazimiri për “Ora News”.

Referuar vendimit të ministrave të Jashtëm të BE për negociatat, Strazimiri tha se qeveria ka gënjyer pasi nuk ka hapje të negociatave. Ai i bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen për të protestuar.

“Shqiptarët duhet të ngrihen, shqiptarët nuk janë fëmijë, është një shtet ne e themi me krenari që jemi kombi i Nënë Terezës dhe i Skënderbeut me historinë më të lashtë në Ballkan dhe duhet të reagojmë si të tillë. Duhet të ngrihemi si çdo evropian tjetër. Unë mendoj dhe e kam thënë vazhdimisht. Nëse vendi nuk është mirë, nuk ndërrohet vendi, por ndërrohet qeveria”, deklaron Strazimiri.

“Janë një zero”, PD lëshon fyerje të rënda ndaj Donald Lu-së dhe Romana Vlahutin Read More »

Ky fshat është larg realitetit dhe nuk di fare se çfarë bëhet me pjesën tjetër të botës/Foto

Në një ngushticë të humbur mes Taxhikistanit dhe Pakistanit, ndodhet një fshat ku talebanët nuk kanë mundur të vendosin pushtetin e tyre.

I njohur si Korridori Uakhan, rreth 12 000 persona jetojnë në një lartësi prej 4500 metrash mbi nivelin e detit, në një tokë të ashpër dhe të shkretuar.

Ata jetojnë një jetë shumë të thjeshtë dhe të qetë, me bagëtitë e tyre dhe me shumë pak luks. Ka disa familje që as nuk e dinë se Amerika ka trupa në Afganistan.

Kohët e fundit, kjo zonë po përdoret nga qeveria afgane për të tërhequr turistë nga vendet perëndimore, të cilët janë në kërkim të aventurave. Për të vizituar këtë fshat, duhet të kalosh kufirin dhe të udhëtosh në një rrugë të ndërtuar rreth 50 vite më parë.

Ky fshat është larg realitetit dhe nuk di fare se çfarë bëhet me pjesën tjetër të botës/Foto Read More »

FBI zbarkon në Tiranë për financimet ruse, paratë e pista të politikanëve dhe terrorizmin. Takim me Xhafajn, Veliun e Markun, hetime të përbashkëta

Vizita në Shqipëri e zyrtarit më të lartë të FBI që mbulon rajonin e Ballkanit ka kaluar gati në heshtje, duke mos qënë pjesë e kronikave televizive.

Në dukje një vizitë rutinë kjo e atasheut të FBI-së Jack Liao në Tiranë, pavarësisht se ka pasur takim fillimisht me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Atasheu i FBI-së Jack Liao, i cili mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë ka vlerësuar në takimin me Veliun bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet policisë shqiptare dhe FBI.

Njëherësh është vlerësuar nga palët dhe ndihma që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë ky shërbim amerikan, Policisë së Shtetit shqiptar.

Liao ka marrë garancinë e drejtorit Veliu se Policia e Shtetit është e vendosur dhe e angazhuar në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Njëkohësisht Veliu njohu atasheun e FBI-së me reformën në Policinë e Shtetit dhe ndryshimet strukturore të bëra në funksion të përmbushjes së prioriteteve të luftës kundër krimit.

Kreu i policisë shqiptare i ka kërkuar atasheut të FBI-së që të shihet mundësia e trajnimit të oficerëve të Departamentit të Policisë Kriminale, nga ekspertë të FBI-së.

Qëllimi i këtij trajnimi sipas Veliut është marrja e eksperiencave më të mira në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, hetimin e transfertave të vlerave monetare, etj.

Atasheu i FBI-së, vlerësoi punën e Policisë së Shtetit si dhe rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe garantoi vijimin e ndihmës për këtë organ ligjzbatues.

Liao shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencë në trajnime për Policinë e Shtetit, si dhe të sjellë ekspertë për të asistuar punën e Departamentit të Policisë Kriminale.

Palët u dakordësuan që të forcohet më tej ky bashkëpunim, duke avancuar deri në krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, kur është e nevojshme, me qëllim rritjen e efikasitetit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Kjo është pjesa që i referohet burimit zyrtar nga takimi mes atasheut të FBI për rajonin, Liao dhe kreut të policisë shqiptare Veliu.

Burime brenda takimit saktësojnë se nga ana e palës shqiptare është kërkuar materializimi i shpejtë i këtij bashkëpunmimi dhe ardhja sa më parë e ekspertëve trajnues dhe zbulues të FBI.

Parë nga presioni i SHBA dhe BE për një efikasitet dhe shpejtësi më të madhe në procesin e arrestimit të “peshqve të mëdhenj” të krimit, trafiqeve dhe korrupsionit në Shqipëri, fillimi i punës deri në vjeshtë nga grupet e përbashkëta hetimore, do të ishte zgjidhja ideale.

Njëherësh mësohet se atasheu i FBI ka premtuar se, përpos trajnuesve do të vijnë dhe ekspertë të mirëfilltë të FBI, të shquar për gjurmimin e parave të pista, transfertave të dyshimta brenda dhe jashtë vendit

Mësohet se atasheu i FBI amerikane Liao ka kërkuar që këto grupe ekspertësh të koordinohen dhe me grupin tjetër që ka ardhur në Shqipëri para 6 muajsh, për të krijuar një grup ekspertësh miks amerikanë, shqiptarë dhe britanikë, të stërvitur në punën në grup.

Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i FBI amerikane është shprehur i pakënaqur në lidhje me stopimin e hetimit dhe mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm që përbëjnë prova për transfertat e parave të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në parajsat fiskale.

Mësohet se Liao ka kërkuar me insistim një hetim të thelluar për paratë që politikanët shqiptarë kanë hedhur për lobim në SHBA, duke përmendur në mënyrë rë qartë dhe lobimin e Bashës dhe të Metës me para ruse.

Po gjatë ditës së enjte, atasheu i FBI amerikane Jack Liao, u prit në një takim të veçantë edhe nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në fokus të takimit ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve.

Takimi mes atashehut të FBI Liao dhe ministrit të Brendshëm Xhafaj u bë dhe në vijim të çështjeve të trajtuara në takimin që Xhafaj zhvilloi me drejtues të FBI-se gjatë vizitës së tij në Uashington, në shkurt të këtij viti.

Mësohet se atasheu i FBI amerikane për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë, Liao pritet të zhvillojë një takim me Prokuroren e Përgjithshme të përkohëshme Arta Marku.

Nuk është bërë publike se çfarë do të diskutohet në këtë takim, por hetimi i dosjeve të mëdha të krimit dhe korrupsionit dhe sidomos ndikimi rus në Shqipëri, lobimi i Bashës me para ruse në SHBA dhe lufta kundër elementëve terroristë do jetë në fokus të takimit./Pamfleti

FBI zbarkon në Tiranë për financimet ruse, paratë e pista të politikanëve dhe terrorizmin. Takim me Xhafajn, Veliun e Markun, hetime të përbashkëta Read More »

“Eliminimi ose burgosja e të korruptuarve”, Spartak Ngjela flet për “furtunën” që nis këtë muaj dhe tregon pse BE e shpëtoi Shqipërinë

Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se brenda vitit vendi ynë do të prekë arrestimet në nivele të larta. Sipas tij, me vendimin e marrë nga BE për negociatat, korrupsioni shqiptar do të shfaroset shumë shpejt, ku nuk do të mungojnë edhe prangosjet “VIP”.

Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokati deklaroi se në korrik Bashkimi Evropian do të sjellë ekspertët e tij për të asistuar në procesin e vetingut dhe për të ndihmuar në ngritjen e organeve të reja antikorrupsion, SPAK dhe BKH.

“Në korrik vijnë vetë ata, vjen komisioni i tyre direkt për zbatimin e reformës në drejtësi, krijimin e SPAK, krijimin e BKH, Gjykatën e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme. Tani këta kanë marrë fund. Evropa anoi nga Shqipëria. Evropa i dha dorë të madhe sidomos politikës amerikane që të ketë aftësi të plota politike për të dominuar problemin e korrupsionit në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por aspekti i dytë i kërkesave është që menjëherë pas këtyre të ndodhë eliminimi ose burgosja e të korruptuarave të mëdhenj”, theksoi kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet që të ngrihen në shtator dhe do të jenë dy organet e reja të drejtësisë që do të jenë kompetentë për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Dy muaj pas ngritjes dhe konstituimit të KLGJ dhe KLP, në vend do të ngrihen edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Pikërisht këto dy institucione do të kenë në dorë luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe arrestimet “VIP”. Parashikimet janë që SPAK dhe BKH të ngrihen brenda vjeshtës dhe për këtë arsye edhe avokati Ngjela shprehet se arrestimet e të korruptuarve janë më pranë se kurrë.

Tentativat e kota të opozitës

Spartak Ngjela komentoi edhe tentativat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të hedhur në erë reformën në drejtësi dhe për të bërë jofunksionale KLP dhe KLGJ. Ditët e fundit, opozitarët, si Luan Rama kanë kërkuar që të largohet kryeprokurorja Arta Marku, të shkrihen komisionet e vetingut dhe të rishihen edhe një herë ligjet e paketës së reformës në drejtësi, duke tentuar kështu që çdo gjë që është bërë deri tani ta hedhin poshtë dhe të nisë nga e para. Mirëpo për avokatin Ngjela, një gjë e tillë është e pamundur. Ai renditi dy arsye: e para, opozitës i mungojnë votat për ta bërë një gjë të tillë dhe e dyta, BE kërkon vijimin e reformës në drejtësi.

“Reformën në drejtësi nuk e hedh dot në erë sepse e para nuk ka mazhorancën. E dyta, nuk mund të bëjë dot gjë sepse është në kërkesat ekspicide të hapjes së negociatave. Evropa dje dhe sot iu kërkoi si gjë kryesore vetingun, SPAK dhe Byronë e Hetimit. Kjo tani këta i ka shqetësuar dhe duan të bëjnë mbi udhën nën udhë. Por e kanë kot. Nuk çan njeri kokë për ta sepse nuk kanë mazhorancë në Parlament. Atëherë pyetja bëhet: po Rama a i do këta? Mos bashkohet Rama me ta? I do, nuk i do, ai duhet të ndjekë rrugën që të shpëtojë gjithçka për vete. Është shumë e rreptë kjo që ka ndodhur me BE. Është përkrahja më e madhe që i dha Perëndimi Shqipërisë”, u shpreh avokati.

Ngjela theksoi më tej se me vendimin e BE për negociatat, Shqipëria ka shpëtuar. “Që nga momentet e aneksimit të territoreve shqiptare drejt sllavëve dhe grekëve, është qëndrimi më i madh shqiptar dhe shumë mirë që e thyen edhe politikën franceze, e cila pranoi konsensusin e zgjerimit dhe të pranoheshin këto si kushte. Shqipëria ka shpëtuar”, tha Spartak Ngjela.

“Eliminimi ose burgosja e të korruptuarve”, Spartak Ngjela flet për “furtunën” që nis këtë muaj dhe tregon pse BE e shpëtoi Shqipërinë Read More »

Ultimatumi i BE për hapjen e negociatave, gati ngritja e KLGJ dhe KLP. Përshpejtohen seancat dëgjimore me gjyqtarët dhe Prokurorët

Ministrat e Jashtëm të BE-së morën vendim që vitin e ardhshëm Shqipërisë t’i happen negociatat me qëllim që të bëhet progress në reformën kyçe; Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vettingut. Kjo ka bërë që komisioni të zhvillojë 4-5 seanca dëgjimore në javë. Gjatë gjithë kësaj jave do të zhvillohen 4 seanca; kun ë fillim do të dal gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj, më pas do të jetë Prokurorja Arta Marku, Luan Kaloçi dhe senaca dëgjimore do të mbyllet me gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati.

Sipas ”SOT” nëse vijohet me këto ritme seancat dëgjimore përfundojnë nga mesi i korrikut dhe në shtator pritet të ngrihen edhe 2 organet më të rëndësishme, KLGJ dhe KLP për t’i hapur më pas rrugën SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat mund të ngrihen 2 muaj, pasi këto 2 të parat të jenë gati.

Nga ana e saj opozita është shprehur se do të bëhet pengesë për funksionimin e KLGJ dhe KLP, por kjo nuk e pengon ngritjen e SPAK dhe BKH, pasi kërkohet vetëm përmbushja e aftatit ligjor.

Seanca për Artan Lazajn

Seanca më e fundit dëgjimore ishte dje, ku përballë trupës gjykuese doli gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj. Por ndryshe nga herët e tjera, trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici nuk mori dot një vendim për gjyqtarin Lazaj nëse ky i fundit do të shkarkohej nga sistemi i drejtësisë apo do të rikonfirmohej në detyrë.

“Pengesë” për vendimin u bë avokati mbrojtës i Artan Lazajt, Sokol Hazizaj i cili kundërshtoi verifikimin e bërë nga komisioni i vetingut duke u bazuar vetëm tek kriteri i pasurisë. Sipas tij, një gjë e tillë është e paligjshme sepse janë 3 kritere të cilat duhet të rivlerësohen. “Vlerësimi në ligj është tredimensional, ndërsa në këtë rast vjen vetëm në një dimension.

Por kjo vjen në kundërshtim flagrant me të drejtën për tu vlerësuar në 3 kritere dhe është në kundërshtim me detyrimin që ka KPK që ta bëjë vlerësimin tredimensional”, tha Hazizaj. Trupa gjykuese u tërhoq për të vendosur nëse do ta pranonte kërkesën e avokatit për të bërë hetim tredimensional. Në fund ajo vendosi që ta rrëzonte, por një gjë e tillë u kundërshtua sërish nga Hazizaj.

“Konstatoj që vendimi juaj është totalisht i njëanshëm dhe për këtë arsye kërkoj përjashtimin e trupës gjykuese nga shqyrtimi i kësaj çështjeje”. Në fund, trupa gjykuese vendosi të tërhiqej nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, ashtu siç avokati kërkoi, duke e shtyrë kështu seancën dëgjimore për ditën e hënë në orën 14:00./Mimoza IBRA

Ultimatumi i BE për hapjen e negociatave, gati ngritja e KLGJ dhe KLP. Përshpejtohen seancat dëgjimore me gjyqtarët dhe Prokurorët Read More »