Aurora

Shqipëri-Kroaci, nis programi dypalësh për menaxhimin e ndotjes detare

Koha për shkëmbimin e përvojave në menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare, për rritjen e sigurisë në dete dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE-së.

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ – Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ka nisur projektin për “Menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare, për rritjen e sigurisë në det dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE ”

Projekti i financuar nga qeveria kroate synon të zgjidhë nevojat për një platformë të koordinimit ndërinstitucional të sistemit shqiptar të gatishmërisë dhe reagimit, duke përfshirë burimet publike dhe private që do t’i përgjigjen rasteve të emergjencave, derdhjeve të naftës ose substancave të tjera të rrezikshme në mjediset detare.

Në një njoftim për shtyp PNUD, bën të ditur se aktivitetet që do të ndërmerren në kuadër të projektit synojnë gjithashtu të përmirësojnë kuadrin ligjor kombëtar në përputhje me kërkesat e BE-së për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin në rastet e ndotjeve nga aksidente detare, si rrjedhje e naftës, ose substancave të rrezikshme, si edhe përgatitjen e rregulloreve për zbatimin e kërkesave nga të gjitha palët përgjegjëse në zbatimin e Planit Kombëtar të Emergjencave.

Këto përpjekje të përbashkëta do të synojnë reduktimin e riskut të ndotjeve në mjediset detare, forcimin e kapaciteteve të aktorëve të përfshirë, për t’iu përgjigjur rreziqeve mjedisore dhe teknologjike të shkaktuara nga incidentet detare, derdhjet e naftës ose lëndëve të tjera te rrezikshme, duke kryer në këtë mënyrë analizën dhe vlerësimin e strukturës legjislative dhe institucionale me synim ofrimin e rekomandimeve për përmirësime legjislative, përcaktimin e mekanizmit dhe strategjisë së reagimit, përgatitjen e Vlerësimit të Riskut të ndotjes detare, përgatitjen dhe ofrimin e programit kombëtar të trajnimit për punonjësit e Rojes Bregdetare, Mbrojtjes Civile, Doganave, Autoritetit të Portit, administratave të porteve, bashkive si dhe të institucioneve të tjera të përfshira në sistemin kombëtar të reagimit ndaj emergjencave, duke përfshirë industrinë dhe sektorin privat. //atsh

Shqipëri-Kroaci, nis programi dypalësh për menaxhimin e ndotjes detare Read More »

Vlora ka kapitulluar?! Gazetarja tregon realitetin në pikun e sezonit: Kështu është kur e keni mendjen vetëm t’ia fusni turistit

Fotoja që shihini më sipër i përket plazhit të Vlorës mëngjesin e kësaj të enjteje. E ndërsa ndodhemi në pikun  e sezonit turistik, pamja që na shfaqet nga jep mesazhin se gjërat nuk  po shkojnë edhe aq mirë me praninë  e turistëve.  Ka qene gazetarja Eglantina Nikollaj që ndodhet në Vlorë për pushime, e cila teksa ka postuar këtë foto, shkruan se nuk e ka parë kurrë qytetin kaq bosh, në këtë periudhë.

“Kështu është kur e keni mendjen vetem si e si t’ja fusni turistit. Ai vjen te shpenzoje dy leke qe mezi i ka kursyer 12 muaj, por ti ia jep nje dhome sa nje qeli burgu per 70 euro e kusur, nje kokerr veze 5- 8 mije leke dhe nje peshk te qelbur rezervati 10 mije leke, por dhe 12 apo 15 mije. Jemi ne kulmin e sezonit dhe Vlora ka kapitulluar. Pa piken e ndonje organizimi asgjekundi. Kurre se kam pare kaq bosh! Shezlonget jo nje e dy, por ne seri bosh.

Njerezit kane reflektuar se sjane idiote. Shkojne ne Mal te Zi, Turqi etj. Aty ku e dine se e vertet e shpenzojne lekun, por mbushin dhe barkun pa hesap se paku. Se deti te shton dhe oreksin jo per gje”, shkruan ajo./korrieri

Vlora ka kapitulluar?! Gazetarja tregon realitetin në pikun e sezonit: Kështu është kur e keni mendjen vetëm t’ia fusni turistit Read More »

Meta vlerëson Presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç,  ”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Në këtë ceremoni, Meta vlerësoi lart rolin dhe mbështetjen e Presidentes Grabar-Kitaroviç për Shqipërinë dhe shqiptarët, si në kuadër të zhvillimeve rajonale, ashtu edhe të integrimit europian.

“Kroacia para tre ditësh u shpall me meritë si nënkampione bote në futboll, duke frymëzuar edhe shqiptarët dhe gjithë popujt e tjerë të këtij rajoni për suksesin në të ardhmen.  Por për ne padyshim që Kroacia ka qenë dhe është gjithashtu edhe një shembull shumë i mirë për një ecuri më të suksesshme lidhur me anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian”, tha Presidenti.

Shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi, tha Meta duke shtuar se “300 vjet më parë kroatët i hapën dyert e tyre Arbanasve dhe kjo ka vijuar në forma të ndryshme deri në fund të shekullit të shkuar”.

Ai vuri në dukje se vizita e Presidentes kroate në vendin tonë është konfirmim e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Sot demonstruam edhe një herë dëshirë dhe vullnet të përbashkët për t’i çuar më përpara e forcuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, ku padyshim ai ekonomik e kulturor mbeten ndër prioritetet tona kryesore.  Së shpejti do t’i ngremë ato në nivelin e Partneritetin Strategjik, në dobi të marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe të rajonit tonë të përbashkët. Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, mirënjohjen për Kroacinë, popullin kroat dhe Presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç, dëshiroj ta shpreh përmes akordimit të Dekoratës së Flamurit Kombëtar”, tha Kreu i Shtetit.

Pasi mori në dorëzim dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentja e Kroacisë, falënderoi Presidentin Meta duke theksuar se: “ju falënderoj zoti President për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar Dekoratën e Flamurit Kombëtar! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë.” /atsh

Meta vlerëson Presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Read More »

Nuk është Brazili, kështu bëheshin pushimet e verës në kohën e komunizmit

Nëse mendoni se çdo gjë në kohën e komunizmit ka qenë bardhë e zi, sikurse kemi parë shumë filma në televizor, na vjen keq t’ju zhgënjejmë, por ka që ajo kohë ka pasur edhe ngjyra, e madje shumë.

Nëse e keni pyetur veten se si ia bënin shqiptarët në pikun e vapës gjatë komunizmit, më poshtë keni një koleksion fantastik të fotografit Ferdinando Scianna.

Fotot janë bërë në vitin 1984./njekomb

Nuk është Brazili, kështu bëheshin pushimet e verës në kohën e komunizmit Read More »

Diplomati turk që drejtoi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris

Në Konferencën e Paqes, delegacioni nga Shqipëria u drejtua nga një diplomati turk. Vetë ky fakt absurd e detyroi atë që të jepte dorëheqjen, pasi ai ishte diplomati që kishte përfaqësuar Perandorinë Osmane në Konferencën e Shën Petërburgut dhe, sipas Atë Zef Pllumit, ishte i njohur në të gjitha qarqet diplomatike evropiane si një diplomat turk.

Bëhet fjalë pikërisht për Turhan Pashën!

Kur ai u paraqit në Konferencën e Paqes si drejtues i delegacionit shqiptar, përfaqësuesi i Jugosllavisë tha para të gjithëve se ai ishte diplomati turk që kishte përfaqësuar Perandorinë Osmane në Shën Petërburg dhe jo shtetin shqiptar.

Por kush ishte ky diplomat me kaq ndikim aq sa, përveç se bindi shqiptarët t’i drejtonte në delegacionin e Konferencës, ndonëse diçka të ngjashme kishte bërë edhe me delegacionin turk, u zgjodh edhe tri herë kryeministër i Shqipërisë së Pavarur?

Turhan Jusni beu leu në Tërhallë, i biri i Jahja beut, nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit në vilajetin e Janinës. Në medresetë e Janinës mësoi arabisht dhe persisht, kurse te “Zosimea” është diplomuar duke marrë njohuritë themelore të shkencave.

Sipas Dritan Egos, ka studiuar në Athinë për Drejtësi dhe nga disa pedagogë privatë ka marrë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, të drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 Kongresi i Vjenës dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare.

Shkruante turqisht dhe frengjisht, dinte shqip, greqisht, italisht dhe pak spanjisht. Turhan Pashë Përmeti ishte zyrtar i lartë i perandorisë Otomane para se ti bashkohej lëvizjes kombëtare shqiptare. Ndër postet që ai ka pasur në perandorinë Otomane ishte Guvernator i Kretës në vitet 1895 dhe 1896 dhe përfaqësues i saj në Shën Petërburg.

Ai e fliste greqishten e frëngjishten rrjedhshëm dhe konsiderohej si administrator i aftë, por jo shumë i vendosur. Turhan Pashë Përmeti ishte kryeministër i Shqipërisë në vitin 1914 nga data 15 mars deri më 3 shtator, si dhe nga 1918 deri në vitin 1920. Gjate kësaj periudhe ai u ndikua shumë nga Esat Pashë Toptani.

Turhan Pasha vdiq në Neuilly, Francë./njekomb

Diplomati turk që drejtoi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris Read More »

Kufijtë e Shqipërisë në vitin 1837 – sipas shkrimtarit dhe historianit anglez Richard Alfred Davenport.

Në librin e titulluar “Jeta e Ali Pashë Tepelenës, Luani i Janinës” i vitit 1837, ndër fakte të tjera historike, jepen gjatë parathënies edhe kufijtë e Shqipërisë së asaj periudhe.

Përkthimi i marrë fjalë për fjalë nga libri është si në vijim:

“Shqipëria është e kufizuar në Perëndim, për më shumë se 200 milje, nga deti Adriatik dhe Jon. Kufijtë Veri dhe Veri-Perëndimorë janë Bosnja, Serbia dhe Dalmacia Turke; fronti Lindor dhe Jug-Lindor është Rumelia; dhe ai Jugor është gjiri i Artës.”/njekomb

0e7bd110-f2dd-4f14-a3be-597467ed739f-4106-0000063faf55ed81-1

Kufijtë e Shqipërisë në vitin 1837 – sipas shkrimtarit dhe historianit anglez Richard Alfred Davenport. Read More »

Shije dhe vlera gjatë gjithë vitit , ja si t’i thani bamjet në dy mënyra

Është koha perfekte kur amvisat shqiptare nisin të përgatisin zahiretë e dimrit.

Bëhet fjalë për një proces përgatitjeje dhe ruajtje e ushqimeve tradicionale të destinuara për konsum për të dimrin por edhe stinuet e tjera .

Gjatë kësaj kohe, në shumë zona të Shqipërisë, gratë dhe gjyshet nisin të përgatisin tushitë, trahananë, petkat, mishin e thatë apo frutat dhe perimet e thata siç janë fiqtë, mollët, rrushi, kajsitë, kumbullat, domatet dhe specat.

Së fundmi, amvisat shqiptare po praktikojnë një recetë të re, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë: bamjet e thata, të cilat janë të shijshme dhe plot me vlera ushqyese.

Tharja e bamjeve është një proces i thjeshtë

Mënyra 1

Mjafton të keni një furrë me temperaturë 60 gradë celcius. Lajini, hiqini pjesën e kurorës dhe prijini diagonalisht në copëza të vogla.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon t’i vendosni një e nga një mbi një letër gatimi dhe futini në furrë për t’i tharë nga 16 deri në 20 orë.

Periudha e tharjes së bamjes ndikohet edhe nga qarkullimi i ajrit, ndaj rekomandohet përdorimi i një freskuese në drejtim të derës së hapur të furrës.

Mënyra 2

Bamjet shpëlahen me ujë të bollshëm e të ftohtë dhe më pas të thahen me kujdes me letër kuzhine.

Më pas ato duhen prerë në gjysmë, sepse në këtë mënyrë mund të thahen më shpejt.

Pasi i keni prerë në dysh, bamjet duhet t’i vendosni në një zgarë druri ose metalike të mbështjellë me një napë të hollë dhe të pastër.

Zgara duhet vendosur në një vend të atillë që të mundësojë qarkullimin e pandërprerë të ajrit nga poshtë dhe lart.

AgroWeb.org këshillon t’i mbuloni me një napë tjetër të pastër e të hollë që të parandaloni insektet.

Zgara e drunjtë ose metalike duhet vendosur në ambient të jashtëm e të ndriçuar mirë nga dielli për gjatë gjithë ditës.

Bamjet nuk duhen mbajtur në hije sepse do të prishen.

Në mbrëmje, zgarën mund ta fusni brenda që të parandaloni dëmin e vesës.

Për tre ditë me rradhë, bamjet duhet t’i nxirrni në diell që në mëngjes që të thahen në mënyrë të njëtrajtshme, rekomandon AgroWeb.org.

Ato konsiderohen të thara në momentin që lëkura e jashtme forcohet dhe tuli nuk nxjerr asnjë lëng pas shtrydhjes me gishta.

Bamjet e thara duhen mbajtur në qese të mbyllura ose në enë qelqi të mbuluara mirë me kapak.

Ato mund t’i mbani në frigorifer për disa muaj ose në ngrirje për deri në 3 vjet.

Vlerat shëndetësore të bamjes së thatë

Bamja e thatë ofron një sërë vlerash ushqimore.

Ajo përmban sasi domethënëse të acidit folik dhe vitaminës B6.

Në 15 gramë bamjesh të thata gjenden 3.3 gramë fibër dietike e cila ndihmon sistemin tretës dhe lëvizjen e zorrës së trashë duke parandaluar kostipacionin dhe diarenë.

Bamja e thatë është plot e për plot me vitamina A dhe C.

Në një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata gjenden 97 përqind e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës A e cila i bën mirë lëkurës dhe qelizave të kockave./AgroWeb.org

Shije dhe vlera gjatë gjithë vitit , ja si t’i thani bamjet në dy mënyra Read More »