Aurora

Festa e Fërgesës, prezantohen recetat e vjetra të gatimit të Shqipërisë së Mesme

eliaj: “Promovojmë kulturat lokale dhe produktet vendase; Kemi në dorë që ta kthejmë në një traditë”

Nga restorantet luksoze me panoramë e deri tek vendet më të vogla, që i dinë pak njerëz, në Tiranë dhe rrethinat e saj gjithkush mund të provojë varietete të shkëlqyera të kulinarisë tradicionale.

Recetat e vjetra të gatimit të Shqipërisë së Mesme, u sollën këtë fundjavë me mjeshtëri nga shefat e mirënjohur të kuzhinës në “Festën e Fërgesës” në Surrel, ndërsa nuk munguan edhe këngë dhe valle tradicionale tiranase. Festë në të cilën mori pjesë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi traditat e zonës dhe potencialet për zhvillimin e agroturizmit.

“Sot nis një risi, e cila mund të kthehet në traditë dhe në fakt, e kemi vetë në dorë: tradita bëhet kur ia tregojmë dikujt këtë histori dhe rikthehemi prapë këtu. Siç i bëjmë njëri-tjetrit tag në fotografi, do të ishte mirë t’i bëjmë tag Tiranës nga një festë e tillë, diku me gjelin, diku me vajin e ullirit, diku tjetër me fërgesën apo me domaten e zezë. Ne jemi vërtet të bekuar sepse sot Tirana urbane është rrethuar nga kjo kurorë e fshatrave. Shpresoj që ky fshat do të rrisë këtë që lindi sot, për t’u rikthyer vit pas viti për të treguar histori”, – u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku solli edhe disa shembuj pozitiv ku falë promovimit të produkteve të zonës, është rritur edhe ekonomia lokale, duke sjellë më shumë të ardhura për familjet. “Disa herë kemi pasur debate nëse promovimi i kulturave lokale, i konsumit të produkteve vendase ka duk apo është vetëm një gjë momentare. Një nga studimet që kemi bërë është historia e Baldushkut. Nisi si një minimarketing që po bënim për gjelat e Baldushkut. Kur llogaritëm që shitja e gjelave kishte shkuar në nivelin 4 milion euro, do të thotë që është mjaftueshëm për të gjitha ekonomitë që rrisnin tufa 100-200-250 gjela për të jetuar gjithë pjesën tjetër të vitit me dinjitet”, tha ai, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë më shumë produkte të zonës, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe ekonominë vendase.

“Kur ti blen një produkt vendas, nuk po blen vetëm drekën ose darkën e Vitit të ri, por po blen edhe rrobat e shkollës dhe librat dhe ushqimin për një familje gjatë një viti. Atëherë ndryshoi komplet mënyra se si u prezantua historia e Baldushkut”, – deklaroi Veliaj.

Në fund, u bë edhe shpërndarja e certifikatave për pranimin e shef Ismet Shehut dhe Ilir Hysajt në “Aleancën e Shefave Slow Food”./atsh

Festa e Fërgesës, prezantohen recetat e vjetra të gatimit të Shqipërisë së Mesme Read More »

Qendrat Shëndetësore në gatishmëri të plotë, 13 000 pushues të vizituar

Qendrat Shëndetësore Verore kanë pritur që nga nisja e sezonit veror 13 000 pushues që kanë shfaqur probleme shëndetësore, teksa 211 shtetas janë shpëtuar nga rreziku i mbytjes.

Shifrat u bënë publike në pasqyrimin javor të punës së qeverisë, ku fal treguesit të shifrave vihet re puna dhe angazhimi i lartë i rojeve bregdetare në terren, si dhe qendrave shëndetësore të cilat janë në gatishmëri të plotë për të pritur pushues që shfaqin probleme shëndetësore.

26 qendrat shëndetësore verore janë në shërbim të pandërprerë përgjatë të gjithë vijës bregdetare dhe në zonat me turizëm malor deri në mesin e muajit shtator, duke ofruar kushte dinjitoze për pushuesit e shumtë vendas dhe të huaj që frekuentojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik./atsh

Qendrat Shëndetësore në gatishmëri të plotë, 13 000 pushues të vizituar Read More »

AKU bllokon në Tiranë 180 kg djathë me niseshte

Gjatë një kontrolli, në tregun Agro-Ushqimor në Tiranë, inspektorët e AKU-së kanë bllokuar 180 kg produkt djathi, i cili rezultoi që në përbërje të tij kishte niseshte. Nga inspektimet e mëtejshme u konstatua që subjekti me Nipt L52026101D ishte furnizuar sipas një fature të thjeshtë tatimore Nr. 2 datë 15.7.2018, nga subjekti Alfred Hila në Shkodër me Nipt K46823021D. Nisur nga ky kontroll, DRAKU Shkodër nisi menjëherë inspektimin në subjektin e lartpërmendur, nga ku konstatoi që subjekti, me Nipt  K46823021D, kryente veprimtari në kundërshtim me ligjin, pasi nuk zotëronte asnjë dokumentacion shpjegues për gjurmueshmërinë e produkteve. Sipas ligjit në fuqi, çdo subjekt ka detyrim ligjor për të patur të dhëna të plota e dokumentuara për lëndën e parë të furnizuar dhe për çdo furnizim për të tretë, me produktin përfundimtar të kryer. Menjëherë nga trupa e inspektorëve të AKU Shkodër u mor masë administrative ndaj këtij subjekti si dhe u vendos masa e bllokimit të produktit djathë të falsifikuar, i cili sipas procedurës do të asgjesohet. AKU gjykon që është e dukshme kryerja e veprës penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, dhe këtë rast do e depozitojë me shkresë në Prokurori, në kuadër të bashkëpunimit operacional.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, garanton të gjithë konsumatorët që do të vazhdojë të jetë vigjilente, duke forcuar dhe vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat dhe instrumentet e duhura institucionale, me qëllim garantimin dhe fuqizimin e sistemit të gjurmueshmërisë dhe sigurisë ushqimore. /atsh

AKU bllokon në Tiranë 180 kg djathë me niseshte Read More »

Zhvillohet për herë të parë në Tushemisht festa e teto Ollgës

Personazhi i njohur dhe shumë i dashur i filmit shqiptar, xhiruar në Tushemisht të Pogradec, i dha jo vetëm famën fshatit turistik, por tashmë i dha edhe emrin e festës lokale.

Për herë të parë në Tushemisht u mbajt për tre netë rresht festa e teto Ollgës. Turistëve ju ofruan produkte karakteristike të zonës, punime artizanale dhe prodhime kulinarie tradicionale si petkat. Sheshi i Tushemishtit, ju dha një tjetër alternative pushuesve të shumtë për të shijuar bashkë me natyrën e bukur të zonës, edhe prodhimin e saj tipik.

Ministri Klosi i pranishëm në këtë festë, deklaroi se ky vit shënoi kthesën e madhe të turizmit shqiptar si dhe vlerën e shtuar të produktit karakteristik shqiptar. Pas festës së teto Ollgës, në Pogradec do të organizohet edhe festa e Koranit dhe Belushkës.

“Kemi thënë shpesh që vera këtë vit vjen e mbushur me aktivitete dhe kur e thamë këtë para pak muajsh shumë nuk na besuan. Organizimi i një aktiviteti të thjeshtë, por që synon të kthehet në një traditë. Në gjithë zonën turistike janë organizuar festa si kjo e teta Ollgës në Tushemisht. Shumë breza shqiptarësh jemi rritur me figurën e teto Ollgës dhe mitin e atij fshatit shumë të bukur, që ofron mikpritje, traditë, festë, dashuri, ofron pastërti. Duhet të gjejmë magjinë, jo vetëm të teto Ollgës dhe Tushemishtit, por të gjejmë ofertën e zejtarëve”, -tha Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit./atsh

Zhvillohet për herë të parë në Tushemisht festa e teto Ollgës Read More »

Kënaquni në diell deri pasdite, pastaj bëni mirë të mos dilni nga shtëpia. Ja si ndryshon moti

Sot vijon dominimi i kthjellimeve në të gjithë Shqipërinë deri në orët e vona të pasdites kur një sistem vranësirash afrohet drejt brigjeve Perëndimore. Në mbrëmje dhe gjatë natës, vranësirat shtrihen në të gjithë vendin duke sjellë shira në zonat Veriperëndimore.

E sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit rriten lehtë në orët e mëngjesit dhe mesditës duke ngjitur maksimumin territorial mbi 37°C. Era do fryjë mesatare deri e fortë gjatë mesditës, me shpejtësi 50 km/h nga Jugperëndimi ndërsa në det dallgëzimi ngjitet mbi 3 ballë.

Sipas parashikimeve deri në mesjavë vendi do të përfshihet nga shirat./korrieri

Kënaquni në diell deri pasdite, pastaj bëni mirë të mos dilni nga shtëpia. Ja si ndryshon moti Read More »

Sezoni turistik, mozaiku në Vilën Impluvium në Apolloni hapet për turistët

Turistët vendas dhe të huaj që do të planifikojnë të bëjnë pushime, do të kenë mundësi që të shikojnë një nga mozaikët më të vjetër në vendin tonë, siç është mozaiku në Vilën Impluvium në qytetin antik të Apollonisë.

Mozaiku që daton ne vitet II-III para Krishtit, do të qëndroj i hapur për vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik, duke shtuar destinacionet turistike që duhen vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

“Mirëmëngjes

Dhe me këto pamje nga mozaiku në Vilën me Impluvium të shek. II-III para Krishtit në Apolloni që do të qëndrojë i hapur për vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik, ju uroj një të dielë të bukur”, – përfundon Kryeministri./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155975916266523/?t=0

Sezoni turistik, mozaiku në Vilën Impluvium në Apolloni hapet për turistët Read More »

764 të punësuar në 1 javë nga zyrat e punës

Punësimi në vendin tonë vijon me ritme të shpejta. Sipas shifrave të publikuara në pasqyrën e qeverisjes, në një javë vihet re se ka një rritje të ndjeshme të punësimit nga zyrat e punës, duke shkuar në 764 të punësuar brenda 1 jave.

Sipas kësaj pasqyre, gjatë javës 13-19 korrik janë punësuar 27 persona në Berat, 136 në Durrës, 105 në Fier, 103 në Korçë, 34 në Dibër, 39 në Elbasan, 33 në Gjirokastër dhe 23 në Kukës. 35 janë të punësuar në Kukës, 59 në Shkodër, 113 në Tiranë dhe 57 në Vlorë. Pra në total janë 764 të punësuar në 1 javë/atsh

764 të punësuar në 1 javë nga zyrat e punës Read More »

Liqeni i Banjës, një destinacion për turizmin ditor në zonën e Gramshit

Ndodhet  fare pranë Elbasanit, Cërrikut, Gramshit por edhe Tiranës. Zona e Gramshit tashmë e kthyer në një destinacion të vërtet turistik për vlerat e saja natyrore, antike dhe kulturore, çdo fundjavë tërheq vizitorë të shumtë edhe për shkak të një infrastrukture rrugore të përfunduar me parametra cilësorë që siguron një udhëtim komod.

Me hapjen e hidrocentralit të Banjës, rruga në drejtim të Gramshit dhe vlerave të tij turistike, ka mundësuar dhe zhvillimin e ekonomisë turistike në këtë zonë dikur të izoluar.

Vet vepra arkitekturore e hidrocentralit që gjendet pranë këtij qyteti, është kthyer në një destinacion turistik. Kureshtar të fushës së ndërtimeve, turistë të natyrës, të aventurës, qytetar të thjeshtë, pothuajse çdo ditë udhëtojnë drejt tij. Veç veprës teknike, aty është krijuar dhe një liqen madhështor mes malesh që tërheq mjaftë kureshtar.

Edhe nga lartësitë e Gjinarit, ky liqen paraqet një pamje madhështore.

Por Gramshi ka dhe pika të tjera natyrore që bëhen të vizitueshme sidomos në fundjavë, siç

është dhe Liqeni i Zi, që ndodhet pranë  fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit.

Aty jo vetëm në stinën e verës por edhe në atë të dimrit, zona popullohet

me çadra dhe makina që parkohen rreth liqenit.

Shumë vijnë për tu kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni i cili nga vendasit konsiderohet si një burim jetëdhënës.

Më e bukura dhe më e vizituara mbetet Ujëvara e Sotirës.

Është një thesar ku mund të shijosh dy bukuri në të njëjtin vend. Ujëvara dhe katarakti i Sotirës, krah për krah por aspak kopje e njëra-tjetrës. Secila nga këto bukuri ka personalitetin dhe veçoritë e veta, ujërat e ujëvarës vijnë nga dy të çara kryesore të malit Tomor. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5-20 m. Peizazhi i shpatit ku del uji është me disa shkallëzime në disnivel 150 m, ujëvara rrethohet nga pyll dushku dhe bimësi e pasur.

Kjo ujëvarë është një bukuri që të lë pa fjalë, e pakrahasueshme por si çdo gjë e rrallë e magjike edhe kjo ujëvarë ka hilet e veta, këshillohet të vizitohet në periudhën e pranverës dhe fillimverës, sepse ushqehet me burime ujore nëntokësore, të cilat kur bien nën një nivel të caktuar sjellin edhe tharjen e ujëvarës.

Përbri ujëvarës, një hapësirë e blertë të krijon idenë e një ballkoni të përkryer natyror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjitha pamja spektakolare.

Vend të veçantë në turizmin e natyrës dhe të historisë, zënë edhe shpellat, ku më e veçanta është shpella e Kabashit.

Është një nga shpellat më unike në Shqipëri dhe ndoshta nga më të bukurat në Ballkan.
Ndodhet në afërsi të fshatit Kabash, 28 km nga qyteti i Gramshit, në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit.

E formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë dhe është e gjatë rreth 120 m.

Ende nuk është eksploruar tërësisht dhe akoma nuk dihet se çfarë ka në thellësitë e saj.

Pjesa e njohur formon një labirint të vërtetë dhe është e mbushur me stalaktite dhe stalagmite me bukuri të rrallë. Është një nga objektet ku vizitorët dhe turistët e huaj vërshojnë drejt saj.

Agjenci të ndryshme turistike, gati çdo ditë ofrojnë guidat e tyre drejt Gramshit. Rruga e re ka  sjell dhe një zhvillim të ri ekonomik dhe turistik për këtë zonë./atsh

Liqeni i Banjës, një destinacion për turizmin ditor në zonën e Gramshit Read More »